Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 July 2025Abc News

BBC: Britania e gatshme të njohë Palestinën! Fillimi i një paqeje, apo fundi i aleancave?!

By: Rovena
30 July 2025 at 09:26

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka shpallur njohjen zyrtare të shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar, një vendim që shënon një ndryshim të madh në politikën e jashtme të vendit dhe vjen në një moment kritik për Lindjen e Mesme.

Në deklaratën e tij, Starmer tha se Britania ishte e gatshme të shtynte vendimin nëse Izraeli do të ndërmerrte hapa të prekshëm për t’i dhënë fund krizës humanitare në Gaza, të binte dakord për një armëpushim dhe të angazhohej seriozisht për një paqe të qëndrueshme, që përfshin zgjidhjen me dy shtete. Por, refuzimi i menjëhershëm nga ana e Izraelit ka bërë që qeveria britanike të përgatitet për të mbrojtur këtë vendim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator një lëvizje që zyrtarë të lartë britanikë e quajnë “tashmë të pakthyeshme”.

Starmer është i vetëdijshëm se ky hap nuk do të çojë menjëherë në krijimin e një shteti palestinez funksional. Megjithatë, burime diplomatike theksojnë se qëllimi është të fuqizohen zërat moderatë në të dy anët, si në Izrael ashtu edhe në territoret palestineze, duke dhënë një sinjal se paqja është ende e mundur.

Rruga drejt paqes, megjithatë, mbetet jashtëzakonisht e vështirë. Sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1 mijë e 200 persona, përfshirë civilë izraelitë, dhe rrjedhimisht kundërpërgjigjja shkatërruese e Izraelit në Gaza, që ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ka lënë zonën në rrënoja, kanë ngurtësuar pozicionet. Çdo përpjekje për paqe në dekadat e fundit ka dështuar, duke përfshirë edhe bisedimet e viteve ’90, që përfunduan me gjakderdhje.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, reagoi ashpër ndaj vendimit britanik, duke akuzuar Starmerin se po “shpërblen terrorizmin e tmerrshëm të Hamasit” dhe se “krijimi i një shteti xhihadist sot pranë kufijve të Izraelit do të kërcënonte Britaninë nesër”. Netanyahu ka mohuar akuzat se Izraeli ka shkaktuar uri dhe katastrofë humanitare në Gaza dhe ka theksuar se, nëse do të pranonte kushtet britanike për shtyrjen e vendimit, koalicioni i tij qeverisës do të shpërbëhej, një qeveri e varur nga ekstremistë nacionalistë që kërkojnë aneksimin e territoreve të pushtuara dhe jo krijimin e një shteti palestinez.

Megjithatë, Netanyahu nuk është peng i aleatëve të tij. Ai ka ndërtuar karrierën politike mbi kundërshtimin e zgjidhjes me dy shtete. Kohët e fundit, ai deklaroi se një shtet palestinez do të ishte një “platformë lufte” për sulme të tjera si ai i 7 tetorit.

Netanyahu shpreson për mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara, të cilat ende mbajnë qëndrimin se njohja e një shteti palestinez në këtë moment do të shpërblente Hamasin. Ish-presidenti Donald Trump e kritikoi gjithashtu hapin e Britanisë, duke deklaruar se nuk e mbështet.

Kjo çështje po kërcënon të krijojë ndarje të reja në marrëdhëniet transatlantike.

Vendimi i Starmerit është marrë pas muajsh reflektimi. Pamjet tronditëse të fëmijëve palestinezë që vdisnin nga uria në Gaza, thuhet se e kanë bërë të qartë për qeverinë britanike se nuk mund të qëndronte më indiferente. Klima politike në Doëning Street, në Ministrinë e Jashtme dhe në Partinë Laburiste ka ndryshuar ndjeshëm.

Bashkimi i Britanisë me Francën në njohjen e shtetit palestinez përforcon izolimin diplomatik të Izraelit. Të dy vendet, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kanë injoruar përpjekjet e Izraelit për të ndaluar njohjen e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të shtatorit.

Në New York, ministri i Jashtëm britanik, David Lammy, mori duartrokitje të forta në një konferencë të OKB-së për zgjidhjen me dy shtete, kur shpalli vendimin e Britanisë. Ai hodhi poshtë pretendimet se pavarësia palestineze përbën kërcënim për Izraelin.

“Nuk ka asnjë kontradiktë midis mbështetjes për sigurinë e Izraelit dhe mbështetjes për shtetësinë palestineze. Përkundrazi ato përforcojnë njëra-tjetrën,” tha ai.

Ai kritikoi hapur qeverinë e Netanyahut për refuzimin e zgjidhjes me dy shtete, duke e quajtur këtë qëndrim si moralisht dhe strategjikisht të gabuar. Sipas tij, vendimi britanik merret me “dorën e historisë mbi shpatulla”, duke u ndalur edhe në të kaluarën koloniale britanike në Palestinë.

Lammy përmendi Deklaratën e Balfour-it të vitit 1917, në të cilën Britania shprehte mbështetjen për një “shtëpi kombëtare për popullin hebre” në Palestinë, por njëkohësisht premtonte që “të mos cenohej e drejta civile dhe fetare e komuniteteve jo-hebreje”. Ky premtim ndaj popullit palestinez tha ai nuk u përmbush kurrë dhe mbetet një padrejtësi historike që ende zgjat.

Britania, përmes këtij vendimi, shpreson të hapë një dritare të re për paqen në një proces që është dukur i mbyllur për vite me radhë. Dokumenti shtatëfaqësh i hartuar nga Franca dhe Arabia Saudite, i cili dënon sulmin e Hamasit më 7 tetor dhe mbështet zgjidhjen me dy shtete, shihet si një përpjekje serioze për të ringjallur procesin e paqes.

Njohja e shtetit palestinez nga Britania është, siç e quajnë vetë diplomatët britanikë, “çelësi që mund të hapë një derë të mbyllur prej kohësh” në rrugën drejt paqes.

 

Pjesë e trafikut të drogës/ Arrestohet në Shijak 39-vjeçari dënuar në Itali me burg

By: Rovena
30 July 2025 at 09:13

Policia ka kapur dhe arrestuar në një fshat të Shijakut një 39-vjeçar, i cili ishte pjesë e një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike. Ai është i dënuar në Itali me 7 vjet, 7 muaj e 12 ditë burgim.

“Gjatë këtij operacioni, u kap në fshatin Hardhisht, Shijak, dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi Fatjan Stafa, 39 vjeç, banues në fshatin Pjezë, Durrës.   

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Firences, me vendimin e datës 08.10.2024, e ka dënuar me 7 vjet, 7 muaj e 12 ditë burgim, për për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike”, njofton policia.

Interpol Tirana vijon procedurat në bashkëpunim me autoritetet italiane, për ekstradimin e këtij shtetasi./abcnews.al

VIDEO/ Përfshihet nga flaket një automjet në lëvizje në aksin Vlorë-Fier

By: Rovena
30 July 2025 at 09:07

Një automjet në lëvizje është përfshirë nga flakët mëngjesin e kësaj të mërkure në aksin Vlorë-Fier.

Siç raporton edhe gazetari i ABC News, në vend kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse, por automjeti është djegur thuajse plotësisht. Nuk ka persona të lënduar./abcnews.al

Deutsche Welle: Zjarrfikësit të mbingarkuar, në Ballkan shpërthejnë zjarre

By: Rovena
30 July 2025 at 08:52

Gjatë dhjetë ditëve të fundit, shumë zona në Bullgari janë përfshirë nga flakët. Popullsia po njoftohet për zjarret përmes aplikacionit “BG Alert”. Deri tani nuk ka njoftime për të plagosur. Por shumë kanë humbur shtëpitë. Si në fshatin Rani Lug, në Bullgarinë perëndimore, në kufirin me Serbinë, ku thuajse të gjitha shtëpitë u shkatërruan nga flakët.

Ata nuk kishin asnjë mundësi të luftonin flakët, thotë një fshatar: “Ishte ferr! Gjithçka po digjej, tetë shtëpi përreth nesh u shkatërruan. Zjarrfikësit ishin të mbingarkuan; zjarri ishte mbi tre metra i lartë. Kishte shumë vullnetarë, por çfarë mund të bënin vetëm me lopata dhe dhjetë litra ujë në bombolat e tyre? Fshati u dogj. Shtëpitë u shkatërruan. Gjithçka u dogj”.

Zjarrfikësit të pajisur keq

Ndërkohë situata është qetësuar disi: më shumë se 150 zjarre janë shuar në të gjithë Bullgarinë. Megjithatë dy zjarre të mëdha në jugperëndim të vendit ende nuk janë nën kontroll. Një zjarrfikës vullnetar në Rani Lug beson se zjarret në rajonin e tij mund të rifillojnë në çdo moment dhe beson se ekipi i tij është i pajisur dobët.

“Është tragjedi! Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Kam qenë në të gjitha zjarret, por nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Dhe këtu, do të ketë zjarr edhe për një muaj tjetër.” “Nëse ka ujë, do të luftojmë gjithë natën, pa problem. Por duhet të sjellim ujë nga 15 kilometra larg,” tregon ai.

Ndihma e BE-së

Për shkak se zjarrfikësit bullgarë janë të mbingarkuar, Bullgaria ka kërkuar ndihmë nga BE. Pesë helikopterë nga Sllovakia, Hungaria, Franca, Republika Çeke dhe Rumania po marrin pjesë në operacionet e shuarjes së zjarreve, dhe një tjetër pritet nga Suedia.

Maqedonia e Veriut, fqinja e Bullgarisë, ka kërkuar gjithashtu ndihmë nga BE. Sllovenia po dërgon 50 zjarrfikës në këtë vend të vogël ballkanik, i cili ka vetëm dy avionë operativë për bombardime me ujë. Edhe atje zjarret kanë shpërthyer prej disa ditësh, ashtu si edhe në Shqipëri.

Sezoni i zjarreve në pyje larg përfundimit

Dhe sezoni i zjarreve në pyje është larg përfundimit, thekson Alexander Dzhartow, kreu i mbrojtjes civile të Bullgarisë: “Ne vazhdojmë të punojmë në terren, duke krijuar hapësira të reja pastrimi, duke luftuar zjarret kudo që të jetë e mundur nga toka dhe duke ofruar mbështetje nga ajri duke përdorur helikopterë. Fatkeqësisht, parashikimi i motit është jashtëzakonisht i pafavorshëm. Do të ketë përsëri erëra të forta, drejtimi i të cilave do të ndryshojë vazhdimisht nga veriu në jug dhe nga jugu në veri, gjë që e ndërlikon ndjeshëm shuarjen e zjarreve.”

 

Vitet e fundit, Bullgaria ka qenë vendi i BE më i prekur nga zjarret në pyje për sa i përket sipërfaqes. Gati 40 mijë hektarë janë djegur në dy vjet dhe 15 mijë hektarë janë shkatërruar tashmë këtë vit. Sipas Ministrisë së Brendshme, shumica e zjarreve janë shkaktuar nga neglizhenca ose akte kriminale. Dy persona janë arrestuar tashmë./DW

Polonia mund të humbasë mbi 2 miliardë dollarë për shkak të tarifave të reja amerikane

30 July 2025 at 08:51

Polonia rrezikon të humbasë rreth 2.16 miliardë dollarë amerikanë për shkak të tarifave të reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj produkteve evropiane, sipas vlerësimeve paraprake të publikuara nga Kryeministri polak, Donald Tusk.

“Humbjet do të jenë të ndjeshme në të dy anët e Atlantikut, por një marrëveshje e vështirë tregtare është më e mirë sesa një luftë tarifore pa kuptim mes aleatëve,” shkroi Tusk në rrjetin social X.

Marrëveshja e re kuadër mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, e arritur të dielën, vendos një tarifë importi prej 15% për shumicën e mallrave evropiane një masë që shmang tarifat më të larta të kërcënuara më parë dhe tenton të stabilizojë tregtinë ndëratlantike.

Megjithëse Polonia nuk eksporton në mënyrë të drejtpërdrejtë shumë produkte në SHBA, ekonomia e saj pritet të ndjejë ndikime të mëdha pasi kompanitë polake janë shpesh furnizues apo nënkontraktorë për vende të tjera si Gjermania, që më pas eksporton produkte të përfunduara, përfshirë automjetet, drejt tregut amerikan.

Automjetet janë ndër më të prekshmet nga tarifa e re 15%, që paraqet një rritje të madhe krahasuar me normën e mëparshme prej 2.5% para kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar të këtij viti.

Edhe vende të tjera të Evropës Qendrore kanë shprehur shqetësime për ndikimin e kësaj marrëveshjeje. Ministria e Financave e Çekisë bëri të ditur se tarifat amerikane pritet të ngadalësojnë rritjen ekonomike të vendit me 0.2 pikë përqindje deri në fund të vitit dhe me 0.39 pikë përqindje në vitin 2026. / abcnews.al

Serbia dhe Kina përfundojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake

By: Re Nato
30 July 2025 at 08:45

Pjesëtarët e Brigadës së 72-të për Operacione Speciale në ushtrinë serbe dhe njëra prej brigadave speciale në ushtrinë e Kinës, i kanë kryer stërvitjet e përbashkëta në provincën Hebei të Kinës në periudhën 19-28 korrik.

“Stërvitjet i ka dhënë shtysë forcimit të bashkëpunimit ushtarak dhe e kanë përmirësuar aftësinë e ndërsjellë të ekipeve luftarake për të kryer detyra me forcat e armatosura të huaja dhe në mjedis ndërkombëtar”, ka deklaruar Ministria për Punë të Jashtme e Serbisë.

Këto kanë qenë stërvitjet e para të përbashkëta që janë kryer mes Kinës dhe Serbisë, vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe njëkohësisht shtet që mban lidhje të ngushta me Pekinin dhe Moskën.

Në vjetët e fundit, Serbia, pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit dhe Uashingtonit, e ka rritur bashkëpunimin ushtarak me Kinën – krahas atij politik dhe ekonomik – duke blerë armë kineze.

Serbia është bërë shteti i parë në Evropë që ka blerë sisteme kineze për mbrojtje ajrore FK-3.

Evakuime në Japoni dhe SHBA pas tërmetit të fortë në Rusi

By: Re Nato
30 July 2025 at 08:31

Një tërmet me magnitudë 8.8, një ndër më të fuqishmit ndonjëherë, goditi të mërkurën gadishullin Kamçatka në lindjen e largët të Rusisë, duke shkaktuar një cunam deri në katër metra të lartë, dëmtime në ndërtesa dhe duke nxitur paralajmërime dhe evakuime në të gjithë Oqeanin Paqësor.

Gjatë orëve të fundit, disa shtete, përfshirë SHBA-në dhe Japoninë, kanë lëshuar paralajmërime për cunam dhe urdhra për evakuim.

Në Kamçatka, disa persona janë lënduar, ndërsa në një pjesë të madhe të bregdetit lindor të Japonisë – i cili ishte goditur rëndë në tërmetin dhe cunamin katastrofik të vitit 2011 – është urdhëruar evakuimi i popullatës.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi për valë cunami deri në 3 metra përgjatë pjesës më të madhe të bregdetit. Televizioni publik NHK raportoi se mbi 1.9 milionë persona janë urdhëruar të evakuohen në vende të sigurta pasi valët filluan të godasin bregun.

Sistemi amerikan i paralajmërimit për cunami është aktivizuar për të paralajmëruar për valë që mund të godasin bregun perëndimor të SHBA-së.

Parashikimet tregojnë se valë deri në 3 metra mund të godasin bregdetin e Rusisë dhe Ekuadorit, ndërsa valë nga 1 deri në 3 metra mund të prekin Japoninë, Havain, Kilin dhe Ishujt Solomon.

Rreziku i shkatërrimit, ligji që kërcënon zemrën e Amazonës dhe të drejtat e njeriut

By: Rovena
30 July 2025 at 08:29

Një ligj i ri në Brazil mund të shkaktojë “dëm të konsiderueshëm mjedisor dhe shkelje të të drejtave të njeriut” dhe përfaqëson “një hap pas dekadash të tëra mbrojtjeje mjedisore” në vend, përfshirë në Amazonë, ka deklaruar për BBC-në raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara, Astrid Puentes Riaño.

Projektligji, i cili parashikon përshpejtimin e procedurave për miratimin e projekteve zhvillimore, po shqyrtohet teksa Brazili përgatitet të presë samitin ndërkombëtar për klimën COP30 më vonë këtë vit.

Ligjvënësit brazilianë kanë miratuar ndryshime për të thjeshtuar lëshimin e lejeve mjedisore për projekte infrastrukturore si rrugë, diga, energji dhe miniera. Megjithatë, presidenti Luiz Inácio Lula da Silva ende nuk e ka firmosur dekretin.

Kritikët e kanë quajtur projektligjin “ligji i shkatërrimit”, duke paralajmëruar se ai mund të sjellë abuzime mjedisore dhe të përshpejtojë shpyllëzimin, sidomos në rajonin e Amazonës.

Mbështetësit pretendojnë se reforma do të krijojë një sistem të unifikuar dhe më efikas për lejet mjedisore, duke ulur burokracinë dhe duke i dhënë më shumë siguri bizneseve për realizimin e projekteve. Sipas ligjit të ri, disa zhvillues do të mund të vetëdeklarojnë ndikimin e projekteve të tyre përmes një formulari online, në rastet kur projektet konsiderohen të vogla.

Por zonja Riaño shprehu shqetësimin se këto rregulla të lehtësuara mund të zbatohen edhe për disa projekte minerare dhe të kenë ndikim serioz në Amazonë. Ajo u shpreh se është “veçanërisht e shqetësuar” për planin e rinovimit automatik të lejeve në rastet kur nuk ka ndryshime të dukshme në projekt, pasi kjo do të shmangte kryerjen e vlerësimeve të ndikimit mjedisor.

“Ky proces mund të sjellë shpyllëzime të reja, sepse ndryshimet ose vazhdimi i projekteve ekzistuese mund të çojnë në pasoja mjedisore pa u analizuar siç duhet,” tha ajo.

Amazon ka qenë për vite me radhë nën presion nga bujqësia dhe aktivitetet minerare, shpesh të paligjshme. Sipas Riaño, projektligji përfaqëson një “hap prapa” në përpjekjet për ta ndalur këtë.

Komentet e saj vijnë vetëm dy muaj pasi u publikua një analizë e re që tregoi se sipërfaqe të mëdha të Amazonës u shkatërruan në vitin 2024, me zjarre të shkaktuara nga thatësira që e përkeqësuan edhe më shumë situatën.

Sipas projektligjit, agjencitë mjedisore do të kenë afat 12 muaj që mund të zgjatet në 24 për të vendosur nëse një projekt strategjik do të marrë leje. Nëse afati tejkalohet, leja mund të jepet automatikisht.

Mbështetësit argumentojnë se ky sistem do të shmangë vonesat në projekte të rëndësishme, siç janë digat për energji të pastër apo linjat hekurudhore për transportin e drithërave.

Përkundër kësaj, Riaño theksoi se kupton nevojën për efikasitet më të madh, por paralajmëroi se “vlerësimet duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në shkencë”.

Projektligji gjithashtu do të zbusë kërkesën për konsultim me komunitetet indigjene ose ato quilombola (pasardhës të skllevërve afro-brazilianë) në disa raste, përveç kur ato ndikohen drejtpërdrejt. Ekspertë të OKB-së kanë ngritur shqetësime se përshpejtimi i procedurave mund të përjashtojë pjesëmarrjen e komuniteteve dhe të cenojë të drejtat e tyre.

Ndërsa mbështetësit e ligjit pretendojnë se ai do të nxisë zhvillimin ekonomik, përfshirë investimet në energjinë e rinovueshme dhe do të ulë kostot për shtetin dhe bizneset, kritikët e shohin si rrezik për katastrofa mjedisore dhe shkelje të të drejtave të popujve autoktonë.

Ekspertët ndërkombëtarë paralajmërojnë se projektligji mund të jetë në kundërshtim me të drejtën kushtetuese për një mjedis të ekuilibruar ekologjikisht çka mund të sjellë sfida ligjore në të ardhmen.

Senati dhe Dhoma e Deputetëve në Brazil e kanë miratuar ligjin, dhe tani ai pret nënshkrimin ose veton e presidentit Lula, i cili ka afat deri më 8 gusht për të vendosur.

Ministrja e Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike, Marina Silva, e ka kundërshtuar me forcë ligjin, duke e cilësuar si një “goditje fatale” për mbrojtjen mjedisore. Ajo ka pasur më parë përplasje me presidentin për çështje si eksplorimi i naftës në pellgun e Amazonës.

Edhe nëse presidenti vendos ta vë veton, ka mundësi që kongresi me shumicë konservatore të përpiqet ta rrëzojë atë.

Observatori i Klimës në Brazil e ka quajtur ligjin “goditja më e madhe mjedisore që nga diktatura ushtarake”, periudhë gjatë së cilës u ndërtuan rrugë dhe u zgjerua bujqësia në dëm të Amazonës dhe popujve indigjenë.

Sipas zonjës Riaño, shkencëtarët në Brazil vlerësojnë se ligji do të heqë mbrojtjen për më shumë se 18 milionë hektarë tokë sipërfaqe sa shteti i Uruguait dhe se “pasojat do të jenë të mëdha.”/abcnews.al

Britania paralajmëron: Do njohim shtetin e Palestinës në shtator nëse Izraeli nuk vepron për t’i dhënë fund tmerrit në Gaza

30 July 2025 at 08:23

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar do të njohë shtetin palestinez në shtator, nëse Izraeli nuk ndërmerr “hapa të rëndësishëm për t’i dhënë fund situatës të tmerrshme në Gaza” dhe për të arritur një armëpushim.

“Mund ta konfirmoj që Mbretëria e Bashkuar do të njohë Shtetin e Palestinës pranë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, përveçse qeveria izraelite ndërmerr hapa të rëndësishëm për të marrë fund situatën e tmerrshme në Gaza, pranon një armëpushim dhe angazhohet për një paqe të qëndrueshme afatgjatë, duke ringjallur perspektivën e zgjidhjes me dy shtete“, tha ai.

Starmer po përballet me presion të shtuar brenda Partisë Laburiste për të adoptuar një vijë më të ashpër ndaj Izraelit, presion ky që është bërë më i fortë pas njoftimit të fundit të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili deklaroi se Franca do të njohë një shtet palestinez në muajin shtator, duke u bërë vendi i parë i G7 që kryen një veprim të tillë.

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer më herët ka refuzuar një thirrje nga më shumë se 130 deputetë laburistë për të ndjekur Emmanuel Macron dhe për të njohur zyrtarisht një shtet palestinez, mes shqetësimeve se kjo çështje do të errësonte vizitën e Presidentit Trump në Mbretërinë e Bashkuar.

Presidenti francez njoftoi të enjten e kaluar se do të njohë zyrtarisht një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, duke rritur presionin ndaj Starmer-it.

Ministra të kabinetit e kanë nxitur në mënyrë private kryeministrin që të bëjë të njëjtën gjë, dhe të premten më shumë se një e treta e deputetëve të tij nënshkruan një letër duke i kërkuar që të veprojë po ashtu. / abcnews.al

Republika Çeke ndalon propagandën komuniste

By: Rovena
30 July 2025 at 08:20

Për armiqtë e betuar të komunizmit në Republikën Çeke, kjo shënon fundin e një rruge të gjatë: më shumë se 30 vjet pas “revolucionit të kadifenjtë” demokratik të nëntorit 1989, ata kërkuan që komunistët të barazoheshin me nacionalsocialistët (nazistët) dhe ideologji të ngjashme autoritare, dhe si pasojë të ndaloheshin.

Kështu ndodhi: në gjysmën e dytë të korrikut, Presidenti Petr Pavel nënshkroi një ndryshim në Kodin Penal që barazon qartë nacionalsocializmin dhe komunizmin në Republikën Çeke. Me nënshkrimin e Presidentit, procesi legjislativ përfundon. Ligji i ri do të hyjë në fuqi në 1 janar 2026.

Ndryshimi në ligj u iniciua nga lëvizja qytetare “Nëntori nuk ka mbaruar ende”. Udhëheqësi i saj është Martin Mejstrik, një drejtues studentësh nga epoka e Revolucionit të Kadifenjtë dhe më vonë senator. Historianët e Institutit Çek për Studimin e Regjimeve Totalitare (USTR) gjithashtu iu bashkuan iniciativës. Në pranverën e këtij viti, ai u miratua në Dhomën e Deputetëve dhe në Senat nga një grup deputetësh dhe politikanësh të koalicionit qeveritar proevropian të kryeministrit Petr Fiala.

“Kushdo që themelon, mbështet ose përhap një lëvizje nacionalsocialiste, komuniste ose lëvizje tjetër që ka si objektiv të provuar shtypjen e të drejtave dhe lirive të njeriut ose që përhap armiqësi racore, etnike, kombëtare, fetare ose klasore ose armiqësi ndaj një grupi tjetër njerëzish, do të dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”, shkruhet në tekstin e ri të Nenit 403 të Kodit Penal Çek.

Mbrojtja e sundimit demokratik të ligjit

“Qëllimi i projektligjit ishte të eliminonte dallimin dukshëm të padrejtë midis dy ideologjive totalitare kriminale të shekullit të 20-të”, deklaroi Kamil Nedvedicky, zëvendësdrejtor i parë i USTR, në fund të majit, pasi ligji u miratua nga Dhoma e Deputetëve. “Të dyja – nacionalsocializmi dhe komunizmi – kanë një qëllim të provuar për të shtypur të drejtat dhe liritë themelore, dhe është logjike dhe e drejtë që ligji penal çek ta pasqyrojë qartë këtë”, shtoi Nedvedicky. “Kjo nuk ka të bëjë me ideologjinë, por me mbrojtjen e sundimit demokratik të ligjit.”

Në mënyrë paradoksale, Republika Çeke, me dhjetë milionë banorët e saj, është sot një nga vendet e pakta në Bashkimin Evropian ku një parti komuniste, Partia Komuniste e Bohemisë dhe Moravisë (KSCM), ka vepruar me sukses për më shumë se tre dekada. Deri në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura pothuajse katër vjet më parë, KSCM jo vetëm që kishte deputetë në Parlament, por mbante edhe disa pozicione zëvendëspresidentësh në Asamblenë Kombëtare.

Babis: “Për mua, ata nuk janë komunistë”

Partia pasardhëse e Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste të Çekosllovakisë (KSC), e cila e sundoi vendin në mënyrë diktatoriale deri në vitin 1989, ende ka disa dhjetëra mijëra anëtarë dhe është futur si forca kryesore në koalicionin zgjedhor “Stacilo!” (Mjaft!) pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2024, në Parlamentin Evropian. Aktualisht, shumica e sondazheve tregojnë se “Stacilo!” do të kalojë pragun prej 5% në zgjedhjet e planifikuara për tetor 2025.

Dhe ndoshta jo vetëm kaq. Favoriti në zgjedhjet parlamentare çeke në tetor, kryetari i lëvizjes populiste ANO, ish-kryeministri dhe oligarku Andrej Babis, nuk e ka përjashtuar formimin e një qeverie të re me Stacilo-n! “Për mua, ata nuk janë komunistë”, tha Babisi në një intervistë me faqen e lajmeve tn.cz. Kandidatja kryesore e koalicionit zgjedhor është kryetarja e PK dhe eurodeputetja Katerina Konecna.

Përpjekje për të heshtur opozitën?

Në fakt, ligji i ri mund të çojë në ndalimin e vetë KSCM-së, siç ndodhi me Partinë e Punës Çeke, e cila u ndalua dhe u shpërbë në vitin 2010 për ideologjinë e saj të provuar nacionalsocialiste. Udhëheqësja e KSCM-së Katerina Konecna i tha DW se amendimi aktual i ligjit që u zbatua në atë kohë është një sulm politik nga koalicioni qeverisës kundër partisë së saj./DW

Tërmeti i fortë me magnitudë 8.8 godet Rusinë, alarm për cunami në të gjithë Paqësorin

By: Re Nato
30 July 2025 at 07:20

Një nga tërmetet më të forta goditi Lindjen e Largët të Rusisë herët të mërkurën, një tërmet me magnitudë 8.8 ballë që shkaktoi valë të vogla cunami në Japoni dhe Alaska dhe nxiti paralajmërime për Hawaiin, Amerikën e Veriut dhe Qendrore dhe ishujt e Paqësorit në jug drejt Zelandës së Re.

Njerëzve iu këshillua të zhvendoseshin në vende më të larta në disa vende dhe se rreziku i mundshëm mund të zgjasë më shumë se një ditë, por vendet ku valët e cunamit kanë dalë tashmë në breg nuk kanë raportuar deri më tani dëme të konsiderueshme, shkruan AP.

Valë nën 30 centimetra mbi nivelet e baticës u vunë re në komunitetet e Alaskës të Amchitka dhe Adak, tha Dave Snider, koordinator i paralajmërimit për cunami në Qendrën Kombëtare të Paralajmërimit për Cunami në Alaskë.

Valë të bardha arritën në bregun e ishullit Hokkaido të Japonisë në veri dhe në Ibaraki e Chiba, pak në lindje të Tokios, në pamjet e transmetuara në televizionin publik NHK të Japonisë.

Një cunami prej 50 centimetrash u zbulua në portin Ishinomaki në Japoninë veriore, sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë.

Kjo ishte matja më e lartë deri më tani midis disa lokacioneve rreth Japonisë veriore. Por valë më të larta vazhdonin të vinin, sipas Shiji Kiyomoto, një zyrtar i reagimit ndaj tërmeteve dhe cunamit në JMA.

Zonat ruse më afër epiqendrës së tërmetit në Gadishullin Kamchatka raportuan dëme nga tërmeti dhe evakuime për shkak të cunamit, por jo lëndime serioze./abcnews.al

GJKKO rrëzoi Berishën dhe Malltezin/ Idajet Beqiri: Me pasuritë e Saliut “mund të ndërtohen dhe dy Shqipëri të tjera”

29 July 2025 at 23:51

Ishte vendimi i gjyqtarit Erjon Çela i cili rrëzoi kërkesën e avokatit të ish-kryeministrit Sali Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për përjashtimin e trupës gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.

Të pandehur për dosjen “Partizani”, Berisha dhe Malltezi kërkuan që të mos gjykohen nga gjyqtarët e gjykatës së posaçme, pasi sipas tyre këto gjyqtare nuk garantojnë pavarësi dhe paanshmëri duke qenë se monitorohen apo përgjohen dhe mbikëqyren nga SPAK që është palë në këtë proces.

Avokati Idajet Beqiri në një intervistës në “Edicioni i Fundit” në ABC News, tha se ish-kryeministri Sali Berisha është një figurë politike që vetëm i ka shkaktuar dëm Shqipërisë dhe se sipas tij ka grabitur pasuritë e vendin. Siç shtoi më tej ai, nuk kanë punuar për interesat e shqiptarëve, por kanë menduar vetëm si të vjedhin popullin.

“Gjirin e Lalzit këta e kanë grabitur. Gjithë atë pasuri të madhe. Në Hamallaj ka Meta dhe Berisha. Në jugun e Shqipërisë kanë ndërhyrë me emra të tjerë. Vila në Holandë doli, në Itali doli, në Hungari ka dalë janë sekuestruar plot. Të gjitha këta do t’i shkojnë popullit. Ato që nuk kanë dalë janë 99 %. Është një punë që sa ka nisur. Aferat korruptive të tyre në mbi 30 vjet janë skandaloze. Kanë menduar vetëm si të vjedhin dhe grabisin. Kanë bërë një jetë përrallore me fëmijët e tyre”, tha ai.

/abcnews.al/

Humbën në zonën e LLogarasë, shpëtohen dy turistë italianë

29 July 2025 at 23:50

Dy turistë italianë që kishin humbur orientimin gjatë një ecjeje në natyrë në zonën malore pranë fshatit Ilias, janë shpëtuar nga ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit e Bashkisë së Himarës.

Autoritetet arritën t’i lokalizojnë dhe t’i shoqërojnë dy turistet në mënyrë të sigurt drejt strukturës ku po qëndronin, pa dëmtime dhe në gjendje të mirë shëndetësore

Himara mbetet një destinacion i bukur dhe i sigurt, por gjithmonë rekomandohet të tregohet kujdes i shtuar gjatë ecjeve në zona të thella natyrore dhe ndjekjen e shtigjeve të sinjalizuara.

SPAK, gati dosjen për “Metat”/ Avokati: Tre vepra penale, 12 vjet burg

29 July 2025 at 23:43

Në një intervistë në “Edicionin e Fundit” në ABC News, u shpreh se çifti Meta-Kryemadhi ka shkaktuar dëme shumë të mëdha. Gjatë intervistës tha se Meta ka përfituar nga postet e tij dhe pasuritë e vendit i kanë shfrytëzuar dhe i kanë privatizuar. Ndërsa komentoi dosjen për “Metat”, avokati nënvizoi se kanë tre vepra penale të rënda dhe nisur nga kjo dënimet janë 12 vite burg për secilin prej tyre ndërsa shtoi se ka edhe një sërë kallëzimesh të tjera që mbeten për tu parë.

“Kanë tre vepra penale që janë të rënda. Këto vepra penale si korrupsioni pasiv, pastrimi i parave të pista, fshehja e të ardhurave, nuk janë më poshtë se 12 vite burg për çdonjërit nga këta. Po ju them se janë vetëm për këta sepse ka një sërë kallëzimesh të tjera. Pas dërgimit të çështjes në gjyq, pavarësisht se ka ikur me leje avokati i tij. Nuk dua ta fyej por ai nuk di nga ta nisë ta lexojë atë dosje. Çështja do shkojë te gjyqtari i seancës paraprake brenda muajit dhe ai gjyqtari afatin maksimal e ka një muaj dhe Ilir Meta me Monika Kryemadhi, por edhe me Fatimen do të përgjigjen”, tha ai.

/abcnews.al/

“Familje kriminale”/ Avokati: Çifti Meta, 27 afera korruptive. Nëna e Monikës pastronte paratë shtetërore

29 July 2025 at 23:42

Avokati Idajet Beqiri është shprehur tejet kritik ndaj ish-deputetes Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta, ndërsa komentoi dosjen “Meta”. Lidhur me këtë çështje në SPAK është paraqitur këtë të martë Kryemadhi dhe nëna e saj Fatime Kryemadhi, për t’u njohur me akuzat e ngritura ndaj tyre në lidhje me dosjen cez dia dhe skandalin e lobimit të LSI në SHBA.

Gjatë intervistës në “Edicioni i Fundit” në ABC News, avokati u shpreh se pasuritë e Metës dhe të Kryemadhi, janë pasuri kriminale. Ndërsa nënvizoi se nëna e Kryemadhit ka bashkëpunuar në pastrimin e parave.

“Është një familje kriminale. Një familje që ka bashkëpunuar në aferat korruptive që ka bërë dhe ka fshehur të ardhurat duke përdorur njëri-tjetrin. Ka përdorur edhe nënë e vet. Kjo është maja e ajsbergut sepse të flasësh për aferat korruptive të tyre duhen ditë të tëra. Janë rreth 27 dosje të tilla si kjo që ka shkuar çështja tashmë më gjyq. SPAK ka çuar në gjyq si për CE/DIA, për lobimin në SHBA apo edhe për fshehje të të ardhurave dhe mos justifikimin e një numri shpenzimet të jashtëzakonshme luksi. Sidomos edhe për operacione estetike janë të rënda. Krimet më të mëdha të Metës, Kryemadhit, të kunatit të tij të vëllait të Kryemadhit. Të hetojë të gjitha makinat që ishin të vjedhur, si u legalizuan? Kush i mori paratë? Meta me kunatin e vet. Ndërsa nëna e Kryemadhit është bashkëpunëtore. Pastronte paratë. Ku i gjetën gjithë ato para që u bënë me pasuri. I pruri me vete nga Dibra? Jo ishin pasusi shtetërore, i mori Meta duke shfrytëzuar postin dhe i bëri private. I hodhi në emrin e vjehrrës së vet që u bë edhe e pasura më e madhe. Pra ajo është pjesë e krimit sepse pasuritë që kanë vënë nuk justifikohen me asnjë mjet”, tha ndër të tjera ai.

Dëshmi…me kushte/ Ghislaine Mawell kërkon imunitet të plotë për të folur para Kongresit

29 July 2025 at 23:35

Ghislaine Maxwell është ofruar të dëshmojë para kongresit amerikan, por duke vendosur si një nga kushtet më të rëndësishme, garantimin e imunitetit ndaj saj.

Avokatët e bashkëpunëtores dhe partneres së Jeffrey Epstein, i dërguan një letër Kryetarit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, James Comer, i cili e ka thirrur Maxwell për të dëshmuar muajin e ardhshëm.

Në kushtet që parashtrohen në letër, veç imunitetit është edhe kushti që ajo të mos merret në pyetje në burgun ku po vuan dënimin e po ashtu që Maxëell t’i shohë paraprakisht pyetjet të cilave do u përgjigjet.

Gjithashtu dëshmia duhet të jepet pasi Gjykata Supreme të marrë një vendim për apelimin e dënimit të saj, gjë që nuk ka gjasa të ndodhë të paktën deri në tetor, kur gjykatësit rifillojnë punën pas pushimit të verës.

Një zëdhënëse e Komitetit Mbikëqyrës hodhi poshtë idenë e dhënies së imunitetit të Maxwell, duke thënë se as nuk do të shqyrtohet.

Nëse Maxwell do të arrinte të siguronte imunitet, ajo do të kishte mbrojtje të plotë nga ndjekja penale për çdo krim që lidhet me dëshminë që ajo jep. Kjo do të thotë se ajo nuk mund të akuzohet për ato krime, edhe nëse ka prova të tjera të përfshirjes së saj.

Maxwell është dënuar me 20 vite burg për bashkëpunim me Jeffrey Epstein, duke rekrutuar vajza të mitura dhe duke e ndihmuar atë t’i abuzonte. Ndërkohë ish-financieri vrau veten në një burg në vitin 2019, në pritje të gjyqit ndaj tij.

Yesterday — 29 July 2025Abc News

Përdorimi i IA në rritje/ Sondazhet: Të rinjtë amerikanë, ndër përdoruesit me aktivë

29 July 2025 at 22:57

Inteligjenca Artificiale është bërë një personazh i rëndësishëm në përditshmërinë e shumë njerëzve, shpesh duke zëvendësuar edhe ndërveprimin në jetën reale.

Sipas një sondazhi të “Associated Press” në bashkëpunim me NORC, shumica e të rriturve në SHBA përdorin inteligjencën artificiale për të kërkuar informacion, por më pak po e përdorin atë për punë, hartimin e email-eve ose blerje.

Ndërkohë më të rinjtë kanë më shumë gjasa ta përdorin inteligjencën artificiale për shkëmbim idesh dhe detyra të ndryshme.

Sipas sondazhit 60% e amerikanëve në përgjithësi dhe 74% e atyre nën 30 vjeç – përdorin inteligjencën artificiale për të gjetur informacion të paktën një pjesë të kohës.

Vetëm rreth 4 në 10 amerikanë thonë se kanë përdorur IA për detyra pune ose për të marrë ide, një shenjë se premtimet e industrisë së teknologjisë për asistentë virtual shumë produktivë nuk kanë prekur shumicën e jetesës pas viteve të promovimit dhe investimeve.

Në të njëjtën kohë, përdorimi më i gjerë i IA nga amerikanët e rinj tregon se kjo mund të ndryshojë.

Ekziston një ndarje veçanërisht e madhe moshore në idetë e stuhishme; Rreth 6 në 10 të rritur nën moshën 30 vjeç kanë përdorur IA për të krijuar ide, krahasuar me vetëm 2 në 10 të atyre të moshës 60 vjeç e lart.

Nga tetë opsionet e ofruara në pyetjet e sondazhit, kërkimi i informacionit është mënyra më e zakonshme që amerikanët kanë bashkëvepruar me IA. Ndërkohë përdorimi i IA për shoqëri është më i zakonshëm për të rinjtë, edhe pse nuk është mjaft i përhapur.

/abcnews.al/

Trump: Nuk e kam diskutuar kurrë me Starmer planin e tij për njohjen e Palestinës

29 July 2025 at 22:57

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  Donald Trump është shprehur se nuk e ka diskutuar kurrë me kryeministrin britanik, Keir Starmer, planin për njohjen e Palestinës.

Trump tha se deklarata e Starmer ishte e ngjashme me atë të Emmanuel Macron, Presidentit të Francës.

“Ai në thelb po thotë të njëjtën gjë [si Macron] dhe kjo është në rregull. Nuk do të thotë se duhet të pajtohem”, tha ai.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se administrata e tij do të merret me Izraelin për krijimin e qendrave ushqimore në Gaza.

Donald Trump: Njohja e Palestinës shpërblen grupin e Hamas

29 July 2025 at 22:37

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha sot se ai dhe kryeministri britanik Keir Starmer nuk kishin diskutuar rreth planit të Londrës për të njohur shtetin palestinez, në rast se Izraeli nuk ndërmerrte një numër hapash për të përmirësuar jetën e palestinezëve.

Starmer tha sot se Britania e Madhe ishte e përgatitur të njihte shtetin palestinez në shtator, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në përgjigje të zemërimit në rritje të publikut për krizën e urisë në Gazë.

“Ne nuk e diskutuam kurrë këtë”, u tha Trump gazetarëve në bordin e “Air Force One”, ndërsa udhëtonte për në SHBA, pasi u takua me Starmer në Skoci.

“Njohja e shtetit palestinez do të shpërblente grupin militant palestinez, Hamas”, tha Trump.

“Ju do të shpërbleni Hamasin nëse e bëni këtë. Nuk mendoj se ata duhet të shpërblehen”, tha ai.

“SHBA-ja ka dërguar para për ndihmat ushqimore për palestinezët në Gazë. Dua të sigurohemi që paratë të shpenzohen me mençuri dhe me gjykim të drejtë, dhe që ushqimi të shpërndahet në mënyrën e duhur”, tha Trump.

Virusi i Nilit perëndimor/ Pesë viktima në Itali. 28 të infektuar në rajonin e Latines

29 July 2025 at 22:29

Të paktën 5 persona kanë humbur jetën nga virusi i Nilit Perëndimor në Itali këtë vit. Në rajonin e Kampanjës, me kryeqytet Napolin, një burrë 80-vjeçar me sëmundje humbi jetën ditën e hënë.

Pak kohë më parë, u njoftua gjithashtu se në fund të javës së kaluar, një burrë 74-vjeçar që vuante nga dështimi i veshkave dhe ishte infektuar me virusin, humbi jetën, gjithashtu në një spital të Napolit.

Javën e kaluar, tre persona të tjerë vdiqën nga ndërlikimet e shkaktuara nga virusi në zonën më të gjerë të Latinës dhe në qytetin e Novarës, pranë Torinos.

Mjekët italianë theksojnë se në shumicën e rasteve, kushdo që është i infektuar me virusin, i cili transmetohet nga mushkonjat, mbetet asimptomatik ose kalon simptomat e ngjashme me gripin brenda pak ditësh, pa pasur nevojë të shtrohet në spital.

Megjithatë, tek të moshuarit me sëmundje dhe sistem imunitar të dobësuar, ekziston një shans më i madh për probleme më serioze, duke filluar me ndërlikime serioze në sistemin neurologjik.

Krahasuar me vitin e kaluar, numri i përgjithshëm i rasteve deri më tani nuk është rritur. Ajo që ka ndryshuar është regjistrimi i përqindjes më të madhe të rasteve, deri më tani janë 28 në rajonin e Latinës, ku ka fusha të gjera me zona bujqësore dhe, deri një shekull më parë, malaria ishte veçanërisht e përhapur.

/abcnews.al/

❌
❌