Si përhapet urrejtja në rrjetet sociale
Nga Marilín Gonzalo dhe Miguel Ros, 14 Korrik 2026
– Më 9 korrik 2025, një incident në Torre Pacheco (Murcia, Spanjë) shkaktoi një valë postimesh në X, TikTok dhe Telegram.
Disa nga këto postime bënin thirrje për “shënjestrim ndaj marokenëve”.
Duke marrë shkas nga ky rast, pyetja që mbetet për diskutim është se, çfarë e bën keqinformimin të shndërrohet në një stuhi sociale?
Për herë të parë, një ekip ndërdisiplinor gazetarësh dhe shkencëtarësh ka shkuar përtej analizimit të thjeshtë të asaj se “çfarë” po thuhet, për të zbërthyer, se “si” mendja jonë e përpunon informacionin kur e marrim.
Një bashkëpunim i parë i kësaj natyre ka bashkuar përvojën në terren të verifikuesve të fakteve të Newtral me punën rigoroze akademike të studiuesve të Qendrës për Kërkime mbi Mendjen, Trurin dhe Sjelljen (CIMCYC) në Universitetin e Granadës.
Projekti kërkimor, i titulluar “Psikologjia e Dezinformimit“, u përzgjodh nga Qendra Europiane e Gazetarisë dhe Universiteti NOVA i Lisbonës përmes programit të financimit të Journalism Science Alliance.
Në fund, u arrit të zbulohej një “paketë retorike” e mekanizmave psikologjikë që përsëritet rregullisht, pavarësisht platformës. Ky bashkëpunim bëri të mundur edhe zhvillimin e një modeli të fuqishëm të inteligjencës artificiale, të testuar dhe të vlefshëm që riprodhon kriteret e ekspertëve.
Pra, mund të gjendet një ekuilibër mes kohës që kërkon reflektimi apo analiza shkencore dhe shpejtësisë së gazetarisë, për të dhënë rezultate të sigurta dhe të qëndrueshme
- Kjo analizë ekzaminoi tre platforma të mediave sociale, përmbajtja e të cilave dha rezultate të ngjashme: X (75.4%), Telegram (83.6%) dhe TikTok (71.4%).
- Periudha kohore e analizuar ishte 8–24 korrik 2025.
- U identifikuan dhe u analizuan tetë kategori mekanizmash psikologjikë të lidhura me dezinformimin, duke përfshirë përzgjedhjen selektive të fakteve, efektin brenda grupi/jashtë grupi, dehumanizimin dhe përdorimin e emocioneve.
Përqindja e mesazheve që përmbajnë mekanizma psikologjikë të lidhur me dezinformimin:
Postime rreth trazirave në Torre Pacheco, Korrik 2025

Grafik: Newtral.es, Burimi: Newtral dhe CIMCYC në Universitetin e Granadës, Krijuar me Datawrapper
Si na manipulojnë mesazhet që shohim në media sociale?
Megjithëse nuk mund të analizojmë saktësinë e çdo mesazhi, mund të arrijmë në përfundimin se shumica e postimeve në media sociale që përmbajnë përmbajtje rreth trazirave që ndodhën në Torre-Pacheco, në korrik 2025, përfshinin një ose më shumë nga mekanizmat psikologjikë që, sipas kërkimeve të mëparshme, shoqërohen zakonisht me dezinformimin dhe përhapjen e paragjykimeve.
Në platformën X, shifra është 74.4%; në TikTok, 71.4%; dhe në Telegram, 83.6%.
Me fjalë të tjera, çdo thirrje për veprim shoqërohet gjithmonë me dehumanizim ose me një përshkrim negativ të kundërshtarit. Kjo ndodh në të tre platformat, me një shpeshtësi që varion nga 99% deri në 100%.

“Dikush le të shkojë tani në Torre Pacheco. Më duhet një dozë vrasje Maurësh” Shembull i një mesazhi përçmues në X/Twitter me thirrje për veprim.
Ja se si shpërndahen mekanizmat në secilën rrjet social, së bashku me përkufizimet e tyre. Mund ta shihni kuptimin e secilit mekanizëm duke parë si me poshtë.
Frekuenca e secilit mekanizëm psikologjik të lidhur me dezinformimin:
Të dhëna nga X/Twitter, Telegram dhe TikTok.

Burimi: Analizë e Newtral dhe CIMCYC në Universitetin e Granades. Krijuar me Flourish: Krijo një grafik
Përdorues që përhapin keqinformimin
Përhapja e përmbajtjes duke përdorur mekanizma të lidhur me keqinformimin vjen nga një grup i vogël përdoruesish. Analiza e Newtral dhe CIMCYC në Universitetin e Granadës zbulon se 12.4% e përdoruesve të Twitter-it gjenerojnë gjysmën e mesazheve që përdorin këto mekanizma.
- E njëjta gjë vlen edhe për Telegram-in, ku vetëm 14 kanale gjenerojnë gjysmën e videove që përdorin mekanizmat si më siper.
- Në TikTok, kjo nuk vlen. Përhapja e mesazheve të lidhura me këto mekanizma është më e shpërndarë: 41% e llogarive gjenerojnë 50% të përmbajtjes.
Sinjalizimi social
Pas analizimit të gjithë këtyre të dhënave, ekspertët që morën pjesë në studim arritën në përfundimin se synimi komunikues i dërguesve nuk është aq shumë përhapja e një narrative (qoftë e rreme apo mashtruese), sesa shprehja e një opinioni ose e një grupi vlerash të caktuara
Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se studimi bazohet në interpretimet e një paneli ekspertësh, të cilet në fund të fundit mbështeten në përshtypje që mund të jenë subjektive, edhe pse ka një bazë rigoroze metodologjike, estetike dhe shkencore.

Çfarë u analizua
Analiza u krye mbi 288,347 mesazhe dhe 175 video të lidhura me Torre-Pacheco, brenda periudhës kohore të përshkruar sa më sipër.
Shumica e mesazheve u nxorën nga platforma X: 167,840 mesazhe. Pjesa tjetër është nga Telegram (120,507 mesazhe), ndërsa 175 videot janë nga TikTok.
Këto analiza zbuluan tetë mekanizma psikologjikë të lidhur me dezinformimin, të identifikuar përmes një modeli klasifikimi të zhvilluar nga Newtral, bazuar në mostra të kataloguara nga ekspertët e Universitetit të Granadës.
Karakteristikat janë të sqaruara si më poshtë:
Burimet e informacionit (e lidhur me karakteristikat e burimit: për shembull, një person që admirojmë ose një figurë autoriteti qe ka ndikim të madh). Kjo kategori përfshin gjithashtu pohime mbi besueshmërinë e burimeve (“shtypi është i njëanshëm”).
Efektet brenda-grupi/jashtë-grupi: mesazhet që i drejtohen ndjenjës së përkatësisë dhe identitetit të grupit, shpesh krijojnë një vijë ndarëse mes “neve” dhe “atyre”.
Prova sociale ose konsensusi i rremë: Njerëzit priren të bëjnë atë që bën shumica në një situatë të caktuar; konsensusi i rremë nënkupton rastet kur supozojmë se shumica ndan bindjet tona (“është logjikë e zakonshme”).
Paraqitje e pjesshme ose e shtrembëruar e informacionit:
Një pjesë jo e plotë e informacionit paraqitet sikur të ishte e tëra, ose shtrembërohet për t’iu përshtatur një narrative. Kjo përfshin “zgjedhjen e rastësishme të fakteve” (cherry-picking), paragjykime në përzgjedhje, përdorimin e dëshmive anekdotike, mohimin e normave bazë, kurthe grafike, paragjykimin e konfirmimit dhe dilema të rreme
Përfundime shkakësore të pajustifikuara: Këto raste përfshijnë teori konspirative, marrëdhënie shkak-pasojë të thjeshtuar, dhe ngatërrimin mes korrelacionit dhe marrëdhënies shkak- pasojë. Korniza konspirative i atribuohet një ngjarje, një plani të fshehtë të realizuar nga një fuqi e padukshme. Marredhenia shkak- pasojë e thjeshtuar i redukton narrativat në një shkak të vetëm, shpesh duke gjetur një “fajtor” për t’u akuzuar.
Dehumanizimi: Është një proces mendor që çon në perceptimin e njerëzve dhe grupeve të tjera si inferiorë dhe më pak njerëzorë. Ndonjëherë përfshin mohimin e aspekteve thelbësore të njerëzimit (racionalitet, qytetari, vetëkontroll). Herë të tjera, merr formën e metaforave që përdorin kafshët si figurë krahasimi, duke e portretizuar grupin e targetuar me terma të tillë si “bisha”, “buburreca” dhe “derra”. Në kërkimin tonë, duke pasur parasysh prevalencën e ulët të shembujve të qartë të dehumanizimit në mesazhet e analizuara, modeli pati prirje të përfshinte në këtë kategori të gjitha mesazhet që përmbanin gjuhë përçmuese dhe fyerje, qofshin ato rreptësisht dehumanizuese apo jo, dhe pavarësisht nëse ishin drejtuar ndaj grupeve të emigrantëve apo përdoruesve të tjerë të mediave sociale.
Përdorimi i emocioneve: Gjuhë e ngarkuar emocionalisht që synon të nxisë marrësin (apo personin e targetuar) dhe ta vendosë ate në një gjendje më pak të prirur për reflektim, por më të gatshëm për veprim impulsiv. Fokusi është tek emocionet negative dhe nxitëse, zemërimi/urrejtja, frika dhe, në një masë më të vogël, neveria.
Thirrje për veprim: Janë apele për të ndërmarrë një veprim. Fillimisht, fokusi ishte te thirrjet për sjellje ose qëllime agresive apo të dhunshme ndaj emigrantëve, por shumica e mesazheve të klasifikuara në këtë kategori përfshijnë gjithashtu veprime, që nuk janë domosdoshmërisht agresive (për shembull, “duhet t’i dëbojmë”, “ata duhet të largohen”).
Postime në X/Twitter të lidhura me Torre-Pacheco, të renditura automatikisht sipas numrit të mekanizmave të lidhur.
Të dhëna për postime me të paktën një retweet dhe një “like”. Madhësia e rrethit përfaqëson shumën e të gjitha metrikave të angazhimit.

Burimi: Analizë e Newtral dhe CIMCYC në Universitetin e Granadë. Krijuar me Flourish: Krijo një Diagram me shpërndarje
Shënim metodologjik
Ky artikull paraqet gjetjet e një studimi të kryer nga Newtral dhe kërkues nga Qendra për Kërkime mbi Mendjen, Trurin dhe Sjelljen (CIMCYC) në Universitetin e Granadës.
Studimi identifikon tregues të mekanizmave psikologjikë në postimet e mediave sociale të lidhura me dezinformimin gjatë trazirave në Torre-Pacheco, Murcia, në korrik 2025. Në këtë kontekst, periudha kohore e analizuar është 9-24 korrik.
Shifrat e paraqitura janë rezultat i modelit të klasifikimit të zhvilluar nga Newtral në këtë studim, i cili u trajnua duke përdorur mostra të ndryshme të shënuara manualisht nga ekspertët e CIMCYC.
Pak detaje teknike për kërkuesit e dezinformimit dhe verifikuesit e fakteve. Modeli i klasifikimit i përdorur bazohet në arkitekturën spanjolle RoBERTa me 125 milionë parametra. Ky model u trajnua duke përdorur 900 mesazhe reale që u shënuan manualisht nga ekspertët e CIMCYC në Universitetin e Granadës.
Detyra e identifikimit të mekanizmave u formulua si një problem klasifikimi binar me shumë etiketa për tetë mekanizmat psikologjikë të lidhur me dezinformimin. Kur modeli merr një mesazh, e analizon atë dhe bazuar në përmbajtjen e tij, gjeneron një probabilitet për secilin mekanizëm.
Me këtë probabilitet, duhet të përcaktohet një prag për të vendosur nëse një mesazh përmban një mekanizëm apo jo. Këto pragje u caktuan pas kryerjes së një vlefshmërie të kryqëzuar pesë-palëshe (k = 5) me një ndarje të dhënash 80% trajnim dhe 20% vlefshmëri. Në këtë mënyrë, kemi kalibruar pragjet e probabilitetit duke maksimizuar rezultatin F1 – një metrikë që vlerëson performancën e një modeli klasifikimi – mbi të dhënat e etiketuara nga ekspertët. Kjo siguron që sjellja e modelit të përputhet sa më shumë të jetë e mundur me kriteret e ekspertëve.
Një shënim: Newtral kreu analizën e të dhënave, ndërsa modeli i klasifikimit u zhvillua në mënyrë të pavarur nga interpretimi i rezultateve (Universiteti i Granadës).
Përfundimet e paraqitura bazohen në rezultatet e versionit të gjashtë të modelit të klasifikimit. Me çdo version, rezultatet janë përmirësuar dhe gabimet e mospërputhjet janë zgjidhur.
Ky studim pati disa kufizime.Shumë mesazhe janë fragmente bisedash të shkurtra në të cilat konteksti vizual (imazhe ose video) humbet, ose janë shumë të shkurtra, me pak informacion dhe hapësirë të kufizuar për të shprehur një ide. Mesazhet e shprehura në mënyrë ironike ose sarkastike shpesh u interpretuan nga modeli statistikor sikur të ishin për t’u marrë fjalë për fjalë.
Për më tepër, mungesa e disa treguesve gjatë fazës së mostrimit i bën disa tregues më pak të besueshëm. Në disa raste, kjo ndikon në konkluzionet, pasi klasifikimi ka qenë më i përgjithshëm sesa dëshirohej (p.sh., mesazhet në kategorinë “dehumanizim” përfshijnë kryesisht fyerje ose komente përçmuese – jo domosdoshmërisht dehumanizuese – dhe nuk janë gjithmonë të drejtuara ndaj emigrantëve, por ndodhin edhe mes përdoruesve të platformës). Së fundi, mekanizmi i lidhur me shtrembërimin ose paraqitjen e njëanshme të informacionit bazohet në nivelin e ulët të pajtueshmërisë ndërmjet ekspertëve të ndryshëm, për rrjedhojë, ai përbën një tregues të paqartë që është më i vështirë për t’u mësuar nga modeli.
Marrë nga Newtral.es. Përshtati në shqip: Elkan Velo
The post Si përhapet urrejtja në rrjetet sociale appeared first on Faktoje.al.