Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 July 2025KultPlus

Meteoriti më i madh marsian, i gjetur në Tokë shitet 4,3 milionë dollarë

By: Kult Plus
16 July 2025 at 22:30

Meteoriti më i madh i Marsit i gjetur ndonjëherë në Tokë u shit sot në një ankand të Sotheby’s, në Nju Jork 4,3 milionë dollarë, sipas AP.

Sipas shtëpisë së ankandeve, meteoriti (25 kilogramë) besohet se është hedhur në erë nga sipërfaqja e Marsit nga një goditje masive asteroidi – përpara se të udhëtonte 225 milionë kilometra drejt Tokës, ku u rrëzua në Sahara.

“Një gjuetar meteoritësh e gjeti atë në Niger në nëntor të vitit 2023”, tha Sotheby’s.

“Meteoriti në ngjyrë të kuqe, kafe dhe gri – i njohur si “NWA 16788″, është 70% më i madh se pjesa tjetër më e madhe e Marsit – e gjetur në Tokë dhe përfaqëson gati 7% të të gjithë materialit marsian aktualisht në këtë planet”, tha Sotheby’s.

“Gjithashtu ky është një zbulim i rrallë. Janë vetëm 400 meteoritë marsiane – nga mbi 77 000 meteoritë të njohur – zyrtarisht të gjetur në Tokë”, tha Sotheby’s.

Një pjesë e vogël e mbetjes së meteoritit të kuq u hoq dhe u dërgua në një laborator të specializuar që konfirmoi se vinte nga Marsi.

Meteoriti u krahasua me përbërjen kimike të dallueshme të meteoritëve marsianë të zbuluar gjatë sondës hapësinore “Viking” që zbriti në Mars në vitin 1976.

Ekzaminimi zbuloi se është një lloj shkëmbi marsian i formuar nga ftohja e ngadaltë e magmës marsiane.

“Ai ka një strukturë të trashë dhe përmban mineralet piroksen dhe olivinë”, tha Sotheby’s./atsh/ KultPlus.com

Anibar Lanson ‘Anibar Pro – Genesis’ – Gjenerata e re e animatorëve ngjitet në skenë

By: Kult Plus
16 July 2025 at 21:54

Në edicionin e 16-të të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit, Anibar ka lansuar për herë të parë një program dedikuar fuqizimit të talenteve të rinj në fushën e animacionit – “Anibar Pro -Genesis.”

Kjo nismë franko-kosovare, e themeluar në bashkëpunim me Institutin Francez në Kosovë dhe e
mbështetur nga Ministria Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe Ambasada Franceze
në Kosovë, synon të vendosë themele të qëndrueshme për të rinjtë që duan të zhvillohen në
animacion, multimedia dhe industrinë e lojërave.

Anibar Pro – Genesis është një dritare të re për krijuesit e rinj, që ua mundëson atyre të
zhvillohen përmes trajnimeve në ndërmarrësi, art dhe përmes shkëmbimeve ndërkombëtare.
Programi u prezantua të marten me 15 korrik, në ditën e dytë të festivalit në Pejë, në një
atmosferë energjike dhe frymëzuese.

Rreth 20 studio franceze dhe evropiane po qëndrojnë këtë javë në Pejë për të zhvilluar takime me
profesionistë të rinj të animacionit përmes Genesis Pitching Sessions, biseda rreth mentorimit,
etikes në rrëfime dhe qëndrueshmërisë në industri si dhe takimeve me producentë dhe
përfaqësues të festivaleve të njohura ndërkombëtare.

Gjatë ditëve në vijim, 18 animatorë të rinj pritet të prezantojnë projektet e tyre filmike, ku fituesit
do të përzgjidhen nga një juri profesioniste me përvojë të gjatë në industrinë e filmit dhe
animacionit.

Në fjalimin e tij gjatë hapjes së programit, Ambasadori Francez në Kosovë, z. Olivier Guérot,
theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi: “Kjo nuk është thjesht mbështetje për hir të mbështetjes,
sepse ashtu siç e dimë, filmi është vetë kultura. Dhe është me rëndësi sepse të rinjtë mund të
krijojnë kontakte me profesionistë të fushës. Gjithashtu flasim për identitet dhe është e
rëndësishme të rritet e zhvillohet, ky identitet në këtë shtet të ri.”

Ai po ashtu theksoi se Franca po e zgjeron prezencën e saj në Kosovë e rajon duke u fokusuar në
art edhe kulturë e do të vijojë të mbështesë të rinjtë për ta rritur e konkretizuar kreativitetin e
tyre.

Ndërsa Vullnet Sanaja, Drejtor Ekzekutiv i Anibar, u shpreh se ky bashkëpunim përfaqëson një
arritje të madhe për festivalin dhe për të gjithë komunitetin krijues.

Anibar Pro – Genesis po ashtu përforcon punën disa vjeçare të bërë nga Akademia e Animacionit
në Prishtinë, duke krijuar më shumë mundësi për të apasionuarit pas animacionit dhe për
zhvillimin e një industrie kreative të fuqishme në vend./ KultPlus.com

Brilant Milazimi përfaqësues i Kosovës në Ekspozitën e 61-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias, 2026

By: Kult Plus
16 July 2025 at 20:52

Komisioni i jurisë, i përbërë nga kuratorë të shquar, duke përfshirë Inke Arns, Erëmirë Krasniqi, Christine Macel, Valentine Umansky dhe Rein Wolfs, ka shqyrtuar me kujdes shtatë aplikacionet e pranuara në thirrjen e hapur për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bienalen e Venecias në vitin 2026. Juria unanimisht ka përzgjedhur artistin Brilant Milazimi me projekt propozimin e titulluar “Dhëmbë të Fortë” të kuruar nga José Esparza Chong Cuy.

Juria e ka përzgjedhur propozimin e Milazimit pasi vlerësoi qartësinë e vizionit, gjuhën e fuqishme vizuale dhe angazhimin e tij me mediumin e pikturës. Në një ambient zhytës, të zymtë dhe të çuditshëm, vizitorët do të përballen me figura të pezulluara në një tension të qetë, që mishërojnë gjendje të pazgjidhura pritjeje, qëndrueshmërie dhe përmbajtjeje. Këto përvoja pasqyrojnë gjendje të paqarta politike, siç është edhe vetë njohja e pjesshme e Kosovës në skenën ndërkombëtare, ndërsa rezonojnë edhe globalisht në epokën e krizave të migrimit, ngërçit burokratik dhe pasigurisë kolektive.

Juria thekson se gatishmëria e artistit për bashkëpunim, së bashku me kuptimin e thellë të kuratorit për praktikën e tij, i japin mbështetje të mëtejshme realizimit të suksesshëm të këtij projekti në Ekspozitën e 61-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias në vitin 2026.

Pavijoni i Republikës së Kosovës komisionohet nga Galeria Kombëtare e Kosovës, e përfaqësuar nga kuratorja Hana Halilaj, dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Vullkani shpërthen për të 12-tën herë në katër vjet

By: Kult Plus
16 July 2025 at 20:23

Gadishulli Reykjanes i Islandës përjetoi shpërthimin e 12-të vullkanik në pak më shumë se katër vjet, ndërsa lava shpërtheu nga një çarje pas një serie tërmetesh orë më parë.

Zyra Meteorologjike Islandeze konfirmoi shpërthimin pak para orës 04:00 GMT, duke thënë se një çarje me madhësi 700 deri në 1 000 metra ishte hapur në gadishullin me popullsi të pakët në jugperëndim të Reykjavík.

Pamjet e drejtpërdrejta nga transmetuesi publik RÚV treguan lavë të kuqe të ndezur që dilte nga çarja në tokë.

Ekspertët e përshkruan vendndodhjen e shpërthimit si të favorshme, pa kërcënim të menjëhershëm për njerëzit ose infrastrukturën në qytetin e afërt të peshkimit Grindavík.

”Megjithatë, autoritetet evakuuan një vend kampingu dhe banjën gjeotermale popullore Blue Lagoon si një masë paraprake”, raportoi RÚV.

Nuk kishte ndërprerje të pritura në trafikun ajror ndërkombëtar nga Aeroporti Keflavík, qendra kryesore e aviacionit të Islandës.

Shpërthimi është i nënti që nga fundi i vitit 2023 dhe i 12-ti që nga fillimi i vitit 2021.

Një shpërthim i mëparshëm ndodhi në prill dhe zgjati vetëm disa ditë.

Ekspertët nuk e kishin pritur ngjarjen tjetër deri më vonë gjatë vitit./atsh/ KultPlus.com

Muzikë dhe panair në Kishën e Shën Mëhillit në Vithkuq

By: Kult Plus
16 July 2025 at 19:59

Sot ishte një ditë e veçantë për Kishën e Shën Mëhillit në Vithkuq, ku muzika, shpirti dhe natyra u bashkuan në një harmoni perfekte me koncertin “Ku bashkohet shpirti, muzika dhe kulinaria”.

Norma Sereni interpretoi muzikë mesjetare të shoqëruar në piano nga Adelina Mula Qerfozi, ndërsa një panair lokal me produkte tradicionale të zonës e pasuroi përvojën e pjesëmarrësve.

Edhe pse fshati është larg qytetit, pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme.
Surpriza e ditës ishte Ansambli i të rinjve të Vithkuqit, që bashkë me artistët e MIK Festivalit dhe turistët, krijuan një festë të vërtetë popullore me valle tradicionale, duke përmbushur një nga misionet kryesore të MIK-ut, zhvillimin dhe promovimin e zonave rurale shqiptare.

E pranishme në koncertin e mbajtur në oborrin e Kishës së Shën Mëhillit ishte dhe sopranoja e mirënjohur Inva Mula. /atsh/ KultPlus.com

Franca eliminon dy festa zyrtare për të kursyer para

By: Kult Plus
16 July 2025 at 18:04

Franca po shqyrton eliminimin e dy festave zyrtare, ndërsa qeveria synon shkurtime të mëtejshme të shpenzimeve për të mbushur një boshllëk buxhetor, shkruan CBNC.

Kryeministri francez François Bayrou ka njoftuar një sërë shkurtime shpenzimesh , duke synuar kursime prej 43.8 miliardë eurosh (50.9 miliardë dollarë) në një përpjekje për të arritur një deficit buxhetor prej 4.6% në vitin 2026, nga deficiti prej 5.4% i këtij viti.

Ndër propozimet janë eliminimi i dy festave zyrtare, eliminimi i 3 000 vendeve të punës në sektorin publik dhe kufizimi i lehtësirave tatimore për të pasurit.

Qeveria franceze ka sugjeruar që festat publike që mund të hiqen përfshijnë të hënën e Pashkëve, e cila thotë se “nuk ka më ndonjë rëndësi fetare”, dhe 8 majin, i njohur edhe si “Dita e Fitores në Evropë”, e cila përkujton dorëzimin e Gjermanisë naziste, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.

”Këto festa ranë në një muaj plot me fundjava të gjata dhe heqja e tyre do të nxiste aktivitetin ekonomik në biznese, dyqane dhe administratë publike, duke përmirësuar kështu produktivitetin tonë”, theksoi qeveria.

Qeveria deklaroi gjithashtu se do të kërkohej një përpjekje e veçantë” nga ata që kanë kapacitetin për të kontribuar më shumë, duke propozuar një “kontribut solidariteti” nga më të pasurit.

“Sot po përjetojmë një moment të së vërtetës, një nga ato momente në historinë e një kombi ku të gjithë duhet të pyesin veten: çfarë roli jam i gatshëm të luaj në të ardhmen tonë kolektive?” tha Bayrou në një konferencë për shtypi. / KultPlus.com

‘Fjala e T’in’ Zoti’, revista patriotike e arbëreshëve themeluar 113 vjet më parë

By: Kult Plus
16 July 2025 at 17:59

Qendra e Studimeve dhe publikimeve për arbëreshët (QSPA) kujtoi sot 113-vjetorin e themelimit të revistës arbëreshe të së dielës “Fjala e t’in Zoti”.

Kjo ishte një revistë fetare, por edhe një shkollë dhe vatër patriotizmi për shumë të rinj arbëreshë. Revista u themelua nga studiuesi Pal Skiroi (Paolo Schirò) dhe shërbeu si një dritare informimi për arbëreshët e Siçilisë.

Shumë prej albanologëve të kohës e përshëndetën dhe e pritën me interes shkencor botimin e “Fjala e T’in’Zoti”. Skiroi mbajti një letërkëmbim me studiuesin dhe atdhetarët e kohës, Kristo Luarasi, Lumo Skëndo, Lef Nosi, at Shtjefën Gjeçovi, at Gjergj Fishta, dom Lazër Mjedja e shumë atdhetarë të tjerë të cilët e përkrahën këtë nismë. Kjo revistë ka një meritë të jashtëzakonshme, sepse me të nis përpjekja për t’i pajisur arbëreshët e të krishterët me fletën e përjavshme të së dielës, që të merrnin pjesë gjallërisht, pra në mënyrë aktive në kremtimin e sakramenteve.

“Fjala e T’in’ Zoti” ishte dhe një nxitje, një ndihmë e një mënyrë për përtëritjen dhe përforcimin e përdorimit të gjuhës së lashtë e të bukur shqipe, larg atdheut dhe përforcimin e identitetit edhe kombëtar./ KultPlus.com

Anibar mban panelin ‘Navigimi në Peizazhin Ndërkombëtar të Animacionit’

By: Kult Plus
16 July 2025 at 17:31

Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit, Anibar, është mbajtur paneli “Navigimi në Peizazhin Ndërkombëtar të Animacionit”, ku u diskutua mbi sfidat dhe mundësitë që animatorët nga Kosova dhe Ballkani kanë për të çuar projektet e tyre të animuara përtej kufijve lokalë.

Ky program u zhvillua si pjesë e iniciativës Ask the Pro, duke ofruar një hapësirë bashkëbisedimi
dhe shkëmbimi idesh për krijues të rinj dhe profesionistë të fushës, të cilët patën mundësinë të
dëgjojnë nga zëra të rëndësishëm të industrisë globale.

Diskutimi, i cili u hap me pyetjen: “Çfarë e pret të ardhmen e animacionit?”, u moderua nga
Aneta Ozorek, Drejtoreshë Artistike e Festivalit Kaboom në Holandë, ndërsa pjesë e panelit
ishin:

● Corinne Destombes, Shefe e Zhvillimit në studion franceze Folimage
● Britt Raes, regjisore dhe ilustratore nga Belgjika
● Olivier Catherin, etnolog dhe përkrahës i animacionit në Francë
● Aaron Wood, bashkëthemelues i “Slurpy Studios” në Londër
● Lucia Dubravay Trautenberger, menaxhere kulturore dhe gazetare

Sipas Olivier Catherin, financimi i animacionit në nivel evropian nuk paraqet ndonjë problem të
madh, megjithëse sfidat ekzistojnë. Ndërkaq, Corinne Destombes theksoi ndryshimet e fundit në
treg: “Para një viti do të thoja se kompanitë e mëdha e kanë më të vështirë të përshtaten sesa ato
të vogla. Sot ka më shumë fleksibilitet, por sigurimi i financimit mbetet ende një sfidë.”

Nga perspektiva sllovake, Lucia Dubravay Trautenberger foli mbi realitetin sfidues të vendeve
më të vogla, duke theksuar se “po mësojmë si të shesim filma, e fillojmë që nga fillimi. Ka
shumë institucione arsimore, dhe megjithëse është shumë e vështirë, duhet të mendojmë
strategjikisht për të rritur rrjetet tona.”

Sipas regjisores belge Britt Raes, vështirësitë ekonomike përplasen me pasionin krijues, dhe
fatkeqësisht “çmimet rriten, ndërsa fondet jo.”

Në fund, Aaron Wood i nxiti të gjithë të mendojnë përtej kufijve, duke i ftuar të shohin të
ardhmen si një hapësirë ku mund të bashkëpunojnë të gjithë dhe të tejkalojnë lokalizmin në
industrinë e animacionit.

Për krijuesit e rinj nga Kosova, panelistët theksuan nevojën për edukim mbi industrinë. “Një nga
problemet më të mëdha është se shumë njerëz në industrinë e filmit nuk e kuptojnë të gjithë
ekosistemin, si funksionon financimi, si të navigosh në festivale, si të prezantosh projektet në
mënyrë efektive.”

Seanca përfundoi me një bashkëbisedim të hapur ndërmjet panelistëve dhe animatorëve të rinj
kosovarë, të cilët ndanë përvojat e tyre dhe kërkuan këshilla konkrete./ KultPlus.com

Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar në Gala Mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends” më 2 gusht!

By: Kult Plus
16 July 2025 at 17:00

Festivali Ndërkombëtar i Operas Rame Lahaj do të bashkëpunojë për herë të parë me Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar, me mbështetjen e Zyrës së Kryeministrit të Qeverisë Shqiptare. I konsideruar si një nga institucionet më prestigjioze në vend, Orkestra Simfonike e RTSH-së do të performojë në Gala Mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends” më 2 gusht, nën dirigjimin e Maestro Roberto Rizzi Brignoli.

Orkestra Simfonike e RTSH-së u themelua m​ë 16 maj të vitit 1962 dhe mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, e akorduar nga Presidenti i Shqipërisë në vitin 2017. Krijimi i këtij formacioni muzikor shënoi një epokë të re dhe pati një ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin kulturor dhe artistik në Shqipëri. Fillimisht, e quajtur si Orkestra Simfonike e Radios dhe Kinematografisë, u formua kryesisht nga muzikantë të rinj që studiuan në vend, si dhe profesionistë të specializuar në shtete të ndryshme të Evropës.

“Ne besojmë thellësisht se arti është forma më e pastër e lirisë dhe se kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të ekzistojnë në letra dhe harta, por asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë pengesë për bashkëpunimin e për rrjedhën e lirë të artit”, thuhet në njoftim.

Koncerti mbahet në Sheshin “Skënderbeu” më 2 gusht ora 20:30./ KultPlus.com

15 mendime të bukura mbi dashurinë

By: Kult Plus
16 July 2025 at 16:14

15 mendime të bukura mbi dashurinë:

“Ajo ishte e gatshme të mohonte ekzistencën e hapësirës dhe kohës, më shumë se sa ta pranonte se dashuria mund të mos jetë e përjetshme.”
– Simone de Beauvoir

“Është e lehtë të biesh në dashuri. Pjesa e vështirë është gjetja e personit që do ta shkaktonte atë.”
– Bertrand Russell

“Në dashuri, ne shpesh e dyshojmë atë që më së shumti e besojmë.”
– François de La Rochefoucauld

“Secila dashuri, sa do qiellore që mund të duket, rrënjët e saj i ka në instiktin seksual.”
– Arthur Schopenhauer

“Dashuria është emri për përpjekjen tonë për plotëni; për dëshiron tonë për të qenë komplet.”
– Plato

“Gravitacioni nuk është përgjegjës që njerëzit bien në dashuri.”
– Albert Einstein

“Oh, dashuria nuk është këtu për të na bërë të lumtur. Unë mendoj se ajo ekziston për të na treguar se sa shumë mund të durojmë.”
– Herman Hesse

“Sa më shumë që ke sukses në dashuri, aq më shumë do të bindesh në ekzistencën e Zotit dhe në pavdekshmërinë e shpirtit.”
– Fyodor Dostoevsky

“Dashuria e vërtetë nuk e njeh thellësinë e saj deri në momentin e ndarjes.”
– Kahlil Gibran

“Dashuria është një gjendje në të cilën njeriu i sheh gjërat ashtu siç ato nuk janë.”
– Friedrich Nietzsche

“Dashuria pushton çdo gjë, prandaj le ti nënshtrohemi dashurisë.”
– Virgil

“Ata që është më së vështiri për t’i dashuruar, kanë më së shumti nevojë për të.”
– Socrates

“E dini që jeni të dashuruar kur nuk mund të flini, sepse më në fund realiteti është më i bukur se sa ëndërrat e juaja.”
– Dr. Seuss

“Kur dashuroni, ju dëshironi të bëni diçka për të. Dëshironi të sakrifikoni për të. Dëshironi ti shërbeni asaj.”
– Ernest Hemingway

“Një grua e njeh fytyrën e burrit që e dashuron, ashtu siç detari e njeh detin e hapur.”
– Honore de Balzac / KultPlus.com

KPop Demon Hunters: Si i kapi filmi i Netflix majat globale

By: Kult Plus
16 July 2025 at 15:48

Me një kombinim të pazakontë mes muzikës K-Pop dhe aksionit fantastik, filmi i ri i në Netflix ka kapur vëmendjen e audiencës në mbarë botën, duke u kthyer në një nga produksionet më të përfolura të vitit.

Që nga publikimi i tij në qershor, “KPop Demon Hunters ka pushtuar listat globale të Netflix dhe ka dominuar edhe klasifikimet muzikore në mbarë botën.

Por cili është sekreti i këtij suksesi të jashtëzakonshëm?

Filmi i animuar “KPop Demon Hunters është bërë një hit global në kohë rekord, duke grumbulluar mbi 33 milionë shikime në vetëm dy javë dhe duke u ngjitur në Top 10 në 93 shtete. Aktualisht renditet i dyti në nivel global, përcjellë KultPlus.

Por nuk është vetëm filmi që po bën bujë. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, që prej datës së publikimit, më 20 qershor, dy grupet muzikore fiktive që paraqiten në histori, grupi i vajzave Huntr/x dhe kundërshtarët e tyre rebelë Saja Boys, kanë dominuar listat muzikore globale, duke lënë pas edhe emra të mëdhenj si BTS dhe Blackpink. Shtatë këngë nga kolona zanore e filmit janë tashmë pjesë e Billboard Hot 100, ndërsa dy prej tyre kryesojnë listën e Spotify në SHBA.

KPop Demon Hunters ndjek historinë e Huntr/x, një grup K-pop prej tre vajzash, Rumi, Mira dhe Zoey, të cilat, përveçse superyje në skenë, janë edhe mbrojtëse të fshehta të botës kundër forcave mbinatyrore. Kundërshtarët e tyre janë djemtë e errët Saja Boys.

Është muzika ajo që ka qenë çelësi i vërtetë i suksesit. Maggie Kang, regjisore koreano-kanadeze, frymëzimin e ka marrë nga idhujt e K-pop-it që ajo admironte në rini. Në këtë film, muzika e grupit shndërrohet në një armë mbrojtëse kundër të keqes. Çdo këngë përforcon emocionet e skenave dhe është pjesë integrale e rrëfimit, jo thjesht një shtesë komerciale si në shumë filma të tjerë të animuar.

Një tjetër arsye e rëndësishme për suksesin e filmit është njohja në rritje që publiku botëror ka me kulturën koreane. K-pop-i, filmat dhe serialet koreane janë tashmë pjesë e tregut global. “KPop Demon Hunters e pasqyron këtë realitet përmes përfaqësimit të saktë të elementeve të jetës së përditshme në Korenë e Jugut, që nga ushqimi dhe zakonet e ngrënies, deri te vendet ikonike si muret e vjetra të Seulit, klinikat tradicionale, banjat publike dhe Kulla Namsan.

Për të arritur këtë nivel autenticiteti, ekipi i filmit udhëtoi në Korenë e Jugut dhe bëri kërkime të thelluara për kulturën dhe arkitekturën, që nga fshatrat tradicionale deri te rrugicat e lagjes Myeongdong. “Ne deshëm që filmi të dukej sa më korean që të ishte e mundur,” tha Kang. “Çdo skenë, çdo dizajn përmban elemente koreane.”

Në thelb, përtej pamjes plot ngjyra dhe energji, filmi përcjell një mesazh universal: historinë e të rinjve që përballen me pranimin e vetvetes dhe më në fund arrijnë të gjejnë identitetin e tyre të vërtetë. Është një rrugëtim pjekurie që prek zemrat përtej kulturave.

“Bëhet fjalë për vetëpranim,” thotë Golka. “Ndoshta miqtë nuk të kuptojnë menjëherë, por ata të duan dhe me kohë e kuptojnë. Besoj se kjo është arsyeja pse shumë njerëz janë ndjerë të lidhur me këtë film.”/KultPlus.com

‘Kosovë o vend i famshëm i trimnis, Kosovë o lule e bukur e Shqipnis’

By: Kult Plus
16 July 2025 at 15:48

Poezi nga Asdreni

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis,
Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!
Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke,
…Si vashë e virgjen: nuse sikur je;
Dhe malet me bor
Mi krye i ke kunor!

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis
Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!
Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon
Difto-u e zonja; koha sot e don
Ti t’çohesh përseri
N’luftë t’mbarë për liri!

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija
Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija,
Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë
Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,
Që e derdhin gjakun prrue
Atdheun për m’e shpëtue!

Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë
As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë
Anmikut kur i sulen me rrebtsi
Si breshni mi te hidhen me duhi.

Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha
Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba
Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue
Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!
Për nder të shtëpis s’vet;
E falin shpirt e jet!

Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë
Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë
Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue
Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue
Se mjaft e kanë robnue
Dhe n’ zjarm e kanë prue!

A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë
Që të huejt para syve të t’venë ledhe
Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel
Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del
Dhe duersh mos të lëshojn’
Prej faqes s’dheut të t’shojn!

Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë
“Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë!
Atyne si u pëlqen kufijt i venë
Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;
Mendojnë pa turp kurrfarë
Se s’ka nji komb Shqiptarë!

Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë
Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë
At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur
Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur,
Me lott qi qan e ankon
E asnji nuk i ndihmon!

Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe
Po nanën ju kujtoni qi u ka le
Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve
Prej bijet e harrume mi ket dhe!
Se ansht turp i math për ju
Të huejt me i u çnderu!

Sot ora mbrrini, dita e bekueme
Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!
Kosovës emnin me ja ngref te qilli
Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli
Me rrnue një Shqypni
Si zonjë në lumni.

Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini
Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!
Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë
Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë
Si ç’trimit mirë i prek
Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com

“Meet the Balkans” – Lida Berisha sjell një udhërrëfyes të ilustruar për jetën në Ballkan

By: Kult Plus
16 July 2025 at 15:30

Një mbrëmje e mbushur me humor, ilustrim, dhe identitet ballkanik pritet të zhvillohet këtë të hënë në zemër të Prishtinës. Autorja Lida Berisha sjell para lexuesve librin e saj më të ri me titull:
“Meet the Balkans – An illustration guide to social life”, i cili do të promovohet më 21 korrik 2025, ora 18:30, në Barabar Centre, kati i katërt i Grand Hotel, Prishtinë, transmeton KultPlus

Ky botim i publikuar nga shtëpia botuese Rea, është një përmbledhje vizuale e përditshmërisë në Ballkan, me stil minimalist, humor të hollë dhe vëzhgime të mprehta për zakonet, sjelljet dhe momentet tipike që ndodh të jenë njëherësh komike dhe të ndjera.

‘’Funny, cultural and way too Balkan to be bring’’ – me këtë përshkrim njoftohet zyrtarisht edhe ngjarja, duke premtuar jo vetëm të qeshura por edhe një ndalesë të thellë në mënyrën si jetojmë dhe e kuptojmë jetën si ballkanas.

Eventi organizohet nga Barabar Centre, dhe përpos prezantimit të librit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shijojnë edhe një atmosferë të ngrohtë rrëfimesh, ku ilustrimet e Lida Berishës bëhen pasqyra të gjalla të realitetit tone shoqëror. /KultPlus.com

Premiera e “Vendit më të humbur në Shqipëri”, në Amfiteatrin e Durrësit

By: Kult Plus
16 July 2025 at 15:14

Në Amfiteatrin Antik të Durrësit u vu në skenë premiera e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri”, një vepër e autorit francez Jean Pierre Martinez.

Nën regjinë e Andia Xhungës, komedia e bëri publikun të qeshë dhe të futet në mendime, duke marrë duartrokitjet e merituara.

“Vendi më i humbur në Shqipëri” është sjellë në shqip nga përkthyesja Anxhela Çikopano dhe u interpretua nga trupa e aktorëve të Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, emra të njohur të skenës dhe ekranit.

Interesi i publikut ndaj veprës, ka qenë i menjëhershëm. Të gjitha biletat për dy netët e para u shitën në kohë rekord, duke e bërë këtë komedi një prej ngjarjeve më të shumëpritura të verës në qytetin bregdetar.

E vendosur në një fshat të vogël dhe të harruar, që rrezikon të fshihet përfundimisht nga harta, ngjarja nis kur një gazetare e famshme mbërrin papritur, duke sjellë me vete një sërë përplasjesh botëkuptimesh, ngjarjesh të papritura dhe situatash komike që sfidojnë logjikën e përditshme. Një tablo shoqërore me ngjyra absurde, por thellësisht njerëzore.

Me humor të hollë dhe ritëm të gjallë, komedia ngre pyetje mbi ekzistencën, kujtesën kolektive dhe marrëdhënien mes realitetit dhe absurditetit.

Skenografia dhe kostumografia janë konceptuar nga Alketa Tragaj, ndërsa muzika origjinale është krijuar nga Endri Sina.

Në kastin e aktorëve spikasin: Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Aleksandër Seitaj, Ervin Doko, Amos Zaharia, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Xhejni Fama dhe Jaho Guma./atsh/KultPlus.com

Libri me poezi i Sali Bashotës botohet në gjuhën malazeze

By: KultPlus
16 July 2025 at 15:03

Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi (CEKUM) në Podgoricë, këto ditë botoi librin me poezi të poetit, Sali Bashota, me titullin “Legenda sna” (“Legjenda e ëndrrës). Libri është përkthyer mjeshtërisht nga Qazim Muja, me parathënie të shkrimtarit të njohur malazez, Mirash Martinoviq. 

Bashota deri më tani ka botuar mbi pesëdhjetë vepra të llojeve dhe zhanreve të ndryshme, duke përfshirë vepra me poezi, prozë poetike, ese, studime letrare, publicistikë. Libri i botuar në gjuhën malazeze është një përzgjedhje nga krijimtaria e tij letrare me poezi.

Librat e Bashotës me poezi janë: “Albumi i grisur” (1986), “Zogu me profil vjeshte” (1989), “Plagomë” (1994), “Dalje nga trishtimi” (1999) “Bukuri e nëmur” (2006), “Dorëshkrimi i ngjallur” (2011), “Në fillim ishte Drita” (2017), “Asnjë zë tjetër” (2018). “Lutja e parë e shpirtit”, (2020), “Pëshpëritja e agonisë – libri i karantinës” (2020), “Matanë dashurisë është një lumë” (2023), ndërsa me prozë poetike ka botuar këto vepra: “Ëndrra në parajsë” (2006), “Sytë e vetmisë” (2011), “Zemërimi i heshtjes” (2014), “Shkallët e natës” (2020), “Mëkati i buzëqeshjes” (2023).

Në fushën e studimeve letrare, Bashota ka botuar veprat: “Shqipshkrimi kritik” (1997), “Kuteli prozator, poet, kritik” (1999),”Domethënia e ideve letrare” (2001), “Proza e filleve të modernitetit” (2006), “Enigma e shkrimit” (2018), “Esenca e ligjërimit letrar” (2020).

Poezia e Bashotës është përkthyer dhe botuar në libra të veçantë në vende të ndryshme të botës, si në Francë, Zvicër, Rumani, Bullgari, Çeki, Hungari, Greqi, Suedi, Finlandë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Veprat e tij të përkthyera deri më tani janë: “Exilul Sufletului” (2004), “Schalte das magische Licht ein” (2004), “Only Death is White” (2005), “Ako stanam angel” (2006), Ploaia fara Tine” (2008), “Beauté Maudite” (2010), “Прокълната красота” (2012) , “När himlen tystnar” (2012), “Allume la lumière magique” (2012), “Il gioco delle foglio” (2015), “Ηάλλη όψη του” (2016), “Albán éjzaska” ( 2017), “La ŝtono de la amo” (2017), “Whispering Agony – a quarantine book” (2020), “Musta sade” (2025), “Legenda sna” (2025) etj.

Gjithashtu, në Prishtinë, Tiranë, Tetovë etj., nga botues të ndryshëm janë botuar me dhjetëra vepra të zgjedhura të autorit, kryesisht me poezi, ndërkaq në vitin 2023, Shtëpia Botuese Logos- A në Shkup, botoi kompletin e veprave të Bashotës në gjashtë vëllime, në të cilin përfshihet krijimtaria e tij përbrenda periudhës dyzetvjeçare.

Sali Bashota është njëri ndër poetët më të njohur dhe më të përkthyer të Kosovës në gjuhë të ndryshme të botës dhe i përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit, ndërsa për krijimtarinë e tij letrare dhe shkencore është nderuar me çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë çmimet letrare “Pjetër Bogdani”, “Serembe”, “Ibrahim Rugova”, “Ali Podrimja”, “Pena e Artë”, “Menada” etj. 

Në vitin 2020 nga Presidenti i Republikës së Kosovës, u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin e dhënë në fushën e letërsisë dhe të kulturës shqiptare, ndërkaq në Festivalin Ndërkombëtar të Autorëve “Netët Korçare të Poezisë”, u shpall Poeti Laureat i vitit 2024.

Parathënia e librit:

Mirash Martinoviq

PALLATI POETIK ME PORTA TË PANUMËRTA

(Sali Bashota: “Legenda sna”, CEKUM, Pogdoricë, 2025)

Jam i befasuar. Në kuptimin më të bukur dhe me ndjenjën më të bukur. Nuk e besoja se ekziston një poet i tillë. Duke lexuar “Legjendën e ëndrrës”, u binda. Poeti quhet Sali Bashota. Ndihem i privilegjuar që mund të shkruaj disa fjalë hyrëse për këtë libër. Një çelës i vogël për Pallatin e Madh të Poezisë, çdo poezi e të cilit është një portë që duhet shkyçur në mënyrë që bota ta gjejë veten në Univers.

Nëse do ta lidhja me ndonjë nga poetët botërorë, edhe pse ai është autentik dhe vetvetja, do të ishte Cesare Pavese (“Vdekja do të vijë dhe do të ketë sytë e tu”). Dhe, nëse një ose më shumë nga poezitë që përbëjnë këtë libër, do t’i zgjidhja për një antologji të mundshme, do të ishte një detyrë shumë e vështirë. Secila prej tyre është për një antologji, dhe atë evropiane dhe botërore, të poetëve të mëdhenj, e më të mëdhenjve. Megjithatë, njërën do ta veçoj për këtë rast, për shkak të poetit të madh, mikut tonë të përbashkët.

MËSOHU ME VDEKË SI ALI PODRIMJA

Këpute edhe këtë degë druri

Këpute si litarin

Hap shteg derisa të dalë shpirti 

Shteg në majë të bregut

Merre me vete simfoninë e heshtjes

Merre nëse zbardhet qielli

Vraje shpendin e zi të natës

Vraje nga pabesia

Beso në simbolin e fjalës së dhënë

Beso aty ku fle malli

Digju brenda syrit të mirë

Digju vetëm për afshin

Mësohu me vdekë si Ali Podrimja

Mësohu me vdekë afër një lumi

Edhe unë personalisht, me të dëgjuar lajmin e vdekjes së Aliut, shkrova një cikël me poezi, “Bari i tufave të yjeve”, duke ia kushtuar atij.

Libri “Legjenda e ëndrrës” më mahniti. Poeti i saj më magjepsi, ma ktheu shpresën te Poezia, më bindi se sa është fuqia e saj. Bashota di t’i shndërrojë çastet në përjetësi. Çdo poezi e tij është një jetë mbas jetës. Edhe pse ai këndon për vdekjen – vdekje nuk ka. Jam i lumtur që kjo poezi, përveç që jeton në disa gjuhë evropiane, tani jeton edhe në gjuhën time – malazeze. Kam besuar se Ali Podrimja ishte poeti më i madh shqiptar që kishte nxjerrë Kosova. Për gëzimin e të gjithëve, ja këtu është një tjetër – që është i vetvetes dhe i madh.

I jam mirënjohës Qazim Mujës, i cili e përktheu librin nga shqipja në gjuhën malazeze. Ai përktheu një korpus librash të shkrimtarëve shqiptarë dhe malazezë, duke krijuar kështu ura të qëndrueshme midis dy popujve dhe dy letërsive.

Respekt i madh për të dy, Poetin dhe Përkthyesin! Si do të ishte bota pa poetë, si do të ishin gjuhët pa përkthyes?!

Në Herceg Novi, 3 mars 2025/ KultPlus.com

Ekspozita “Zeqa”, një retrospektivë shpirtërore

By: Kult Plus
16 July 2025 at 14:52

Galeria e arteve në Gjilan mbrëmjen e 15 korrikut, e kurorëzoi me hapjen e ekspozitës “Zeqa”, të krijuesit dhe piktorit Zeqirja Rexhepi, pikërisht në 70 vjetorin e lindjes së tij dhe 45 vjetorin e krijimtarisë.

Ekspozita “Zeqa” sjell për publikun një retrospektivë të veçantë pikturash të krijuesit, të ndërtuar mbi idenë e një kthimi në kohë. Përmes kësaj ekspozite, artisti ndërton një udhëtim emocional dhe artistik që rikthen kujtimet e vitit 1999, një periudhë e rëndë, e mbushur me dhimbje, humbje dhe përballje si për të si individ, njëlloj edhe për popullin e tij si kolektivitet.

Çdo vepër e paraqitur është më shumë se një kompozim estetik, është një dëshmi vizuale e plagëve të padukshme që bartin artisti dhe populli. Pikturat pasqyrojnë dhimbjen e artistit dhe të popullit të tij, duke shpalosur me ndjeshmëri dimensionet shpirtërore të një kohe të vështirë, e cila ka lënë gjurmë të thella në historinë tonë të afërt.

“Zeqa” më tepër se një ekspozitë arti, është një formë e kujtesës kolektive, një thirrje për të mos harruar dhe një dëshmi se si arti mbijeton edhe nëpërmjet vuajtjes, përcjellë KultPlus.

Nën udhëheqjen e kuratorit Avni Xh. Behluli, ekspozita “Zeqa” synon të vendosë publikun dhe artdashësit përballë dy periudhave jetësore thelbësore të artistit Zeqirja Rexhepi: periudha e jetës dhe krijimtarisë së tij në Kosovë, para vitit 1999, dhe periudha e mëvonshme, pas shpërnguljes së tij në Kanada.

“Të gjitha këto ndërtojnë jetën e tërë të artistit Zeqirja Rexhepi,” – shprehet kuratori Behluli, duke vënë theksin te forca e kujtesës dhe ndikimi i përvojave jetësore në krijimtarinë e tij.

Zeqirja Rexhepi, një artist me rrënjë shqiptare nga Gjilani, që jeton dhe vepron përtej oqeanit, përmes kësaj ekspozite synon të rikrijojë atmosferën shpirtërore të përjetimeve të tij më të thella, sidomos momentet dramatike të dëbimit nga forcat serbe në vitin 1999. Kjo ekspozitë është jo vetëm një rrëfim artistik, por edhe një akt kujtese që ngjall emocione dhe reflektim përmes fuqisë së pikturës.

“Është një reflektim mbi vuajtjet, mallin, shpresat dhe forcën që mban lidhjet e palëkundura me vendlindjen. Gjilani sot ndjehet më afër Kanadasë, falë artit që s’ka kufij. Falë një biri të këtij qyteti që, edhe pse larg në kilometra, kurrë nuk u largua në ndjenja dhe në përkushtim për kulturën shqiptare”, tha ndër të tjerë Morina Bunjaku, duke e falënderuar që me ngjyrat e shpirtit dhe fuqinë e kujtesës, ai rikthehet simbolikisht në vendlindje, duke ndihmuar në mbajtjen gjallë të identitetit dhe trashëgimisë sonë kulturore edhe jashtë kufijve./KultPlus.com

Prizreni hap dyert për teatrin ndërkombëtar, më 21 korrik nis edicioni i IV-të i “Prizren Fest”

By: Kult Plus
16 July 2025 at 14:33

Nga data 21 deri më 28 korrik 2025, qyteti i Prizrenit do të shndërrohet në një skenë të hapur ndërkombëtare arti, me mbajtjen e Edicionit të IV-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur “Prizren Fest”.

Ceremonia solemne e hapjes do të zhvillohet më 21 korrik në ora 21:00, në hapësirën simbolike të Teatrit mbi Lum, ku do të prezantohet një performancë e veçantë e baletit nga Eno Peçi dhe Trupa e Baletit e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë – një produksion që pritet të sjellë emocione të forta dhe estetikë të lartë artistike.

Në këtë edicion, festivali do të sjellë një program të pasur artistik me pjesëmarrjen e trupave teatrore nga Italia, Franca, Palestina, Çekia, Maqedonia e Veriut, Greqia, Bullgaria, Turqia, Shqipëria dhe Kosova. Përveç shfaqjeve teatrale, festivali do të përfshijë punëtori, konferenca dhe panele diskutimi mbi temat më aktuale të teatrit bashkëkohor dhe atij tradicional.

Drejtori i festivalit, Shkelzen Veseli, thekson se “Prizren Fest” është një takim ku arti takon shpirtin, ku kreativiteti nuk njeh kufij, dhe ku Prizreni kthehet në një skenë të hapur ndërkombëtare. Ai fton publikun dhe komunitetin artistik që të jenë pjesë e këtij rrugëtimi të veçantë kulturor.

Për të konfirmuar pjesëmarrjen në festival, organizatorët ftojnë të interesuarit të kontaktojnë përmes emailit: contact@prizrenfest.org ose në numrin: +383 44 113 326.

“Prizren Fest” po afirmohet gjithnjë e më shumë si një festival i rëndësishëm rajonal që lidh artistët me publikun në një atmosferë magjike, mes teatrit, muzikës dhe trashëgimisë kulturore./KultPlus.com

10 Filma të huaj që duhet t’i shikoni të paktën një herë në jetë

By: Kult Plus
16 July 2025 at 14:30

Në një botë ku shumica e vëmendjes i jepet filmave të Hollivudit, kinemaja botërore ka dhënë disa nga kryeveprat më prekëse, më artistike dhe më thellësisht njerëzore të historisë së filmit.
Këto 10 filma jo-hollywoodianë janë përzgjedhur nga kritikë dhe dashamirës të kinemasë për vlerat e tyre artistike, temat që prekin dhe ndikimin e tyre kulturor, shkruan KultPlus.


Nëse jeni në kërkim të një përvoje të vërtetë filmike që zgjat përtej ekranit, këta janë filmat që duhet t’i keni në listën tuaj!

Këta janë filmat që secili duhet t’i shohë të paktën një herë në jetë:
Parasite (2019, Kore e Jugut) – Një satirë e mprehtë për pabarazinë shoqërore që rrëmbeu Oscar-in për Filmin më të Mirë.

Amélie (2001, Francë) – Një udhëtim poetik në Parisin magjik përmes syve të një vajze me një zemër të jashtëzakonshme.

Cinema Paradiso (1988, Itali) – Një film nostalgjik për dashurinë ndaj kinemasë dhe fuqinë e kujtimeve të fëmijërisë. Një histori prekëse për një djalosh që rritet në një qytet të vogël italian dhe që zbulon dashurinë për kinemanë. Një letër dashurie për artin e të treguarit histori.

Pan’s Labyrinth (2006, Spanjë) – Një përrallë e errët përballë realitetit brutal të diktaturës. Një vajzë e vogël përballet me mizorinë e regjimit frankist në Spanjë, ndërsa shpëton në një botë fantastike dhe të errët. Një film i ndërlikuar dhe vizualisht i mrekullueshëm.

The Lives of Others (2006, Gjermani) – Një oficer i shërbimit sekret në Gjermaninë Lindore fillon të dyshojë te sistemi që e mban në fuqi. Një film i thellë mbi ndërgjegjen, kontrollin dhe transformimin njerëzor.

Rashomon (1950, Japoni) – Një nga filmat më me ndikim në historinë e kinemasë. E njëjta ngjarje tregohet nga katër këndvështrime të ndryshme dhe e vërteta humbet në labirintin e perceptimeve.

City of God (2002, Brazil) – Një rrëfim shpërthyes për dhunën, rininë dhe krimin në favelat e Rio de Janeiros.

A Separation (2011, Iran) – Një çift iranian përballet me një ndarje, ndërsa pasojat prekin klasën, besimin, sistemin gjyqësor dhe moralin. Fitues i Oscar-it për Filmin më të Mirë të Huaj.

Run Lola Run (1998, Gjermani) – Një eksperiment narrativ mbi kohën, zgjedhjet dhe rastësinë. Çfarë ndodh nëse një histori përsëritet me zgjedhje të ndryshme? Lola ka vetëm 20 minuta për të shpëtuar të dashurin e saj – tre versione të ndryshme të së njëjtës ngjarje.

The Intouchables (2011, Francë) – E bazuar në një histori të vërtetë, ky film flet për miqësinë e papritur midis një milioneri tetraplegjik dhe një të riu të ardhur nga periferia. /KultPlus.com

Ndahet nga jeta Shefik Pallaska, udhëheqësi i grupit legjendar “Ashikët”

By: Kult Plus
16 July 2025 at 14:28

Një lajm i trishtë ka goditur sot skenën muzikore dhe komunitetin artistik të Gjakovës. Shefik Pallaska, udhëheqësi i grupit të njohur të këngës qytetare shqiptare “Ashikët”, është ndarë nga jeta, duke lënë pas një boshllëk të thellë në kulturën dhe artin muzikor shqiptar.

Lajmi për ndarjen e tij erdhi pikërisht në kohën kur Radio Gjakova po përgatitej për emisionin e natës së nesërme, i cili do të ishte i dedikuar grupit të tij, një rastësi që e bën këtë humbje edhe më të dhimbshme. Shefik Pallaska ishte një figurë me peshë në skenën kulturore të Gjakovës dhe më gjerë, i njohur për përkushtimin dhe pasionin që e karakterizonte gjatë gjithë jetës së tij artistike, përcjellë KultPlus

Nën drejtimin e tij, grupi “Ashikët” realizoi 12 projekte muzikore me këngë të zgjedhura qytetare nga të gjitha trevat shqiptare, duke i dhënë jetë një repertori të pasur që ruante thelbin e traditës sonë muzikore. “Ashikët”, të përbërë nga muzikantë të moshës së tretë, u shndërruan në një simbol të dashurisë për artin, me një shpirt rinor që nuk shuhej kurrë, e që rezononte në çdo dalje të tyre publike. Përveç angazhimit me “Ashikët”, Pallaska ishte edhe një anëtar i hershëm i Korit të Burrave të Gjakovës dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm për dekada në organizimin e koncerteve, festivaleve dhe mbrëmjeve artistike, duke e bërë emrin e tij të pandashëm nga jeta kulturore e qytetit.

Figura e tij lidhet ngushtë me Çarshinë e Madhe të Gjakovës, aty ku shpesh dëgjoheshin tingujt e ëmbël të këngëve qytetare që ai i solli me aq dashuri. Për nder të jetës dhe veprës së tij, nesër më 17 korrik, në orën 12:00, në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” do të mbahet një mbledhje komemorative, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet po nesër në orën 17:00.

Radio Gjakova dhe e gjithë skena kulturore i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Pallaska, miqve, kolegëve dhe të gjithë adhuruesve të muzikës qytetare shqiptare për këtë humbje të madhe. Edhe pse Shefik Pallaska është ndarë nga jeta, muzika që ai la pas do të vazhdojë të jetojë si një testament i shpirtit të tij artistik./KultPlus.com



Ambasada e Malit të Zi në Kosovë sjell filmin “Kisha dhjetë vjet”, premiera në Pejë 

By: KultPlus
16 July 2025 at 14:10

Ambasada e Malit të Zi në Prishtinë, në bashkëpunim me Komunën e Pejës, do të prezantojë premierën kosovare të filmit dokumentar “Kisha dhjetë vjet” të autorit Velibor Čović. 

Kjo premierë e filmit të Malit te Zi do të prezantohet më 23 korrik 2025, në kino Jusuf Gêrvalla në Pejë, në ora 19.00. 

Ky dokumentar përcjell një mesazh të fuqishëm human dhe evokon një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë moderne të marrëdhënieve ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës. 

ilmi është vlerësuar me Çmimin Special për kontribut të shquar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Nju Jork, me arsyetimin se “jep shembuj të vlerave universale njerëzore në trashëgiminë e luftës”./ KultPlus.com 

❌
❌