Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 August 2025Albeu

Sherr mes katër grave në Pogradec/ 42-vjeçari ndërhyn për t’i ndarë, por vihet nën hetim

By: M C
6 August 2025 at 19:54

Një konflikt mes katër grave është regjistruar sot në qytetin e Pogradecit.

Gjatë këtij sherri ka ndërhyrë edhe një 42-vjeçari për të ndalur konfliktin, por në përpjekje për të qetësuar situatën ka shtyrë një nga gratë e përfshira, e cila ka pësuar dëmtime të lehta. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetaset B. B., 42 vjeçe, S. F., 22 vjeçe, J. L., 20 vjeçe dhe E. P., 28 vjeçe, si dhe për shtetasin V. N., 42 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, 4 shtetaset janë konfliktuar fizikisht dhe i kanë dëmtuar sende personale, njëra-tjetrës, ndërsa 42-vjeçari, gjatë përpjekjes për të neutralizuar konfliktin, ka shtyrë fizikisht, 42-vjeçaren, e cila është dëmtuar lehtë”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

The post Sherr mes katër grave në Pogradec/ 42-vjeçari ndërhyn për t’i ndarë, por vihet nën hetim appeared first on Albeu.com.

“Mbretëresha ime, shoqja ime e vërtetë” – Yllka Kuqi inspirohet nga Atifete Jahjaga teksa pozon me të njëjtën veshje si ajo

By: D Marku
6 August 2025 at 19:40

Këngëtarja e njohur shqiptare, Yllka Kuqi, ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale me disa fotografi të publikuara së fundmi, ku shihet e veshur me një fustan elegant të verdhë – identik me atë që pak javë më parë e kishte veshur ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në përshkrimin e postimit në Instagram, Yllka shpreh dashurinë dhe respektin për Jahjagën, duke e quajtur “presidentja ime e dashur” dhe “mikesha ime e vërtetë”.

Ajo shton me krenari se ato ndajnë jo vetëm të njëjtin stil dhe madhësi, por edhe të njëjtin shpirt.

“Presidentja ime e dashur, mbretë resha ime, shoqja ime e vërtetë. Të dua”, ka shkruar mes të tjerash interpretuesja e hitit “Je Dashnia”.

Ky gjest i veçantë ka ngjallur reagime të shumta pozitive nga ndjekësit e këngëtares, të cilët i kanë përshkruar të dyja si “dy yje” dhe “të bukura brenda e jashtë”.

Komentet e admirimit dhe mbështetjes vërshuan, duke e vlerësuar veprimin si një shfaqje të rrallë solidariteti dhe miqësie mes grave të suksesshme shqiptare

The post “Mbretëresha ime, shoqja ime e vërtetë” – Yllka Kuqi inspirohet nga Atifete Jahjaga teksa pozon me të njëjtën veshje si ajo appeared first on Albeu.com.

Vijojnë zjarret në Finiq, Forcat e Armatosura dhe zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve, evakuohen banorët e rrezikuar

By: M C
6 August 2025 at 19:32

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar së fundmi se ekipet zjarrfikëse, të mbështetura nga Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit dhe ndërhyrja nga ajri, po punojnë për të vënë nën kontroll flakët që kanë përfshirë zonat e Çerkovicës dhe Dhivrit në bashkinë Finiq.

Sipas autoriteteve, efektivët ndodhen prej orësh në terren duke “luftuar” me intensitet për të shuar vatrat e zjarrit dhe duke ndihmuar në evakuimin e përkohshëm të banorëve që ndodhen brenda perimetrit të rrezikut.

Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vazhdon të monitorojë nga afër situatën, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha strukturat përkatëse, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve.

Zjarri në Finiq është një nga vatrat më aktive në vend, ndërsa temperaturat e larta dhe erërat e forta po e vështirësojnë ndërhyrjen nga toka.

The post Vijojnë zjarret në Finiq, Forcat e Armatosura dhe zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve, evakuohen banorët e rrezikuar appeared first on Albeu.com.

FOTO/ Prej shtatorit do ulen në Kuvendin e Shqipërisë, Ambasada Amerikane pret deputetët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 11 Majit

By: M C
6 August 2025 at 19:12

Ambasada Amerikane ka hapur dyert këtë të mërkurë për deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë.

Ka qenë vetë ambasada ajo e cila përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale ka shpërndarë pamje nga takimi i përfaqësuesve të saj me të sapozgjedhurit e Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas tyre këto takime kishin për qëllim të kuptonin më mirë shqetësimet dhe prioritetet e komuniteteve që secili deputet përfaqëson.

“Së fundmi, personeli i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara u takua me anëtarë të sapozgjedhur të Kuvendit për të kuptuar shqetësimet e komuniteteve të tyre dhe përparësitë në prag të fillimit të mandatit. Ne presim me kënaqësi të punojmë me përfaqësues të zgjedhur nga i gjithë spektri politik për të vijuar partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Të pranishëm në këto takime ishin deputetët demokratë, si Igli Cara dhe Besart Xhaferri. Por, nuk munguan as ata të kampit socialist si Ilva Gjuzi dhe nga “Mundësia”, Erald Kapri.

The post FOTO/ Prej shtatorit do ulen në Kuvendin e Shqipërisë, Ambasada Amerikane pret deputetët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 11 Majit appeared first on Albeu.com.

Horror në Argjentinë! Iu ofronte punë të pastrehëve më pas i vriste në shtëpinë e tij dhe i digjte, arrestohet 37-vjeçari

By: D Marku
6 August 2025 at 19:10

Një ngjarje e tmerrshme ka tronditur provincën veriperëndimore të Jujuy në Argjentinë, ku drejtësia ka nisur një hetim penal ndaj një 37-vjeçari, i dyshuar për vrasjen seriale dhe copëtimin e trupave të të paktën pesë viktimave.

Autoritetet kanë zbuluar në shtëpinë e tij kocka, gjak, copa lëkure, madje edhe një pjesë të hundës njerëzore, pas analizës së pamjeve të kamerave të sigurisë dhe hetimeve të mëtejshme.

Një adoleshent 16-vjeçar, i nipi i të dyshuarit, i cili ndodhej në pronë, ka thënë para policisë se dëshiron të tregojë të vërtetën. Ai ka përshkruar me detaje makthet që kanë ndodhur në atë shtëpi, duke thënë se xhaxhai i tij ftonte viktimat, që kryesisht ishin persona të pastrehë dhe të moshuar, për t’i punësuar dhe më pas i vriste me mizori, duke i copëtuar dhe duke i djegur mbetjet.

Prokuroria po vazhdon hetimet, duke analizuar mbetjet e gjetura dhe duke mbledhur mostra ADN nga familjarët e të zhdukurve për të bërë krahasime dhe zbardhur këtë skandal të rëndë.

I dyshuari ndodhet tashmë në paraburgim, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

The post Horror në Argjentinë! Iu ofronte punë të pastrehëve më pas i vriste në shtëpinë e tij dhe i digjte, arrestohet 37-vjeçari appeared first on Albeu.com.

Ngërçi me konstituimin e Kuvendit! Albin Kurti: Nuk e di cila do të jetë zgjidhja, por do ta respektojmë vendimin e Kushtetueses

By: M C
6 August 2025 at 18:49

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, do ta pranojë vendimin e ardhshëm të gjykatës më të lartë të vendit në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të vendosë më së largu deri më 8 gusht lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Mendoj që duhet të presim edhe fare pak ditë, do të na njoftojnë se çfarë kanë menduar se do të ndodh pas 30 ditëve. S’e di cila do të jetë zgjidhja, natyrisht, por ne kemi thënë se e respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Është dëm I madh që Kosova nuk ka Kuvend”, tha Kurti për gazetarë gjatë një vizite në një klinikë të QKUK-së.

Në fund të muajit të kaluar, Kushtetuesja i urdhëroi deputetët të mos marrin asnjë vendim dhe veprim deri më 8 gusht, në lidhje me bërjen e Kuvendit, derisa po shqyrton dy lëndë.

Kosova është zhytur në një krizë politike si pasojë e mosthemelit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Deputetët kanë dështuar në 54 përpjekje që nga 15 prilli për ta bërë Kuvendin e ri – hap i domosdoshëm për formimin e Qeverisë së re – pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.

Vetëvendosje e Kurtit i fitoi 48 ulëse dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e partisë fituese për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.

Në prag të vendimit të Kushtetueses, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të martën e tërhoqi kërkesën drejtuar në korrik Kushtetueses për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.

Ajo tha se arsyeja e tërheqjes së kërkesës së saj është gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban. Osmani tha se caktimi i Llabanit si raportues në shqyrtimin e kërkesës së saj, “është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm” për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës.

I pyetur për këtë nga gazetarët, Kurti tha se presidentja Osmani “nuk ka qenë në dijeni se ai do të jetë kryesues i çështjes që do të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese”.

“Ne që nga viti 2018 kemi qenë të informuar për gjyqtarin Llabanin, atëherë kur ai pati aplikuar për t’u bërë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Asokohe, Albulena Haxhiu nga partia jonë i pati shkruar letër zyrës së presidentit, mirëpo as presidenti i atëhershëm më 2018 e as kryetarja e atëhershme e Gjykatës Kushtetuese nuk e kanë parë të arsyeshme të ndalnin emërimin e tij”, theksoi ai.

Kurti shtoi se “është absurde që dikush, sipas informacioneve nga institucionet tona të sigurisë, është me rrezik për rendin tonë kushtetues, të gjykojë tani për një çështje kushtetuese”.
Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës kishte refuzuar ta emëronte Llabanin për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.

Kush është Radomir Llaban?

Radomir Llaban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018. Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.

Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Llabanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.
Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i

Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë. Mandati i gjyqtarit Llaban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet./REL/

The post Ngërçi me konstituimin e Kuvendit! Albin Kurti: Nuk e di cila do të jetë zgjidhja, por do ta respektojmë vendimin e Kushtetueses appeared first on Albeu.com.

Brad Pitt në zi: Ndërron jetë nëna e tij, Jane Etta Pitt

By: D Marku
6 August 2025 at 18:37

Një humbje e madhe ka prekur aktorin e njohur Brad Pitt. Nëna e tij, Jane Etta Pitt, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.

Sipas raportimeve, Jane ka ndërruar jetë gjatë ditëve të fundit, ndërsa një anëtar i familjes ka ndarë një mesazh prekës në Instagram, duke konfirmuar lajmin e hidhur.

Brad Pitt ka pasur gjithmonë një lidhje shumë të ngushtë me nënën e tij, të cilën e ka konsideruar si “shtyllën e familjes”. Vetëm pesë vite më parë, Jane kishte organizuar një mbledhje të madhe familjare ku ishin bashkuar të gjithë të afërmit.

Jane Pitt, një këshilluese familjare në pension, nuk ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes, por ka shoqëruar djalin e saj në disa evente të rëndësishme në tapetin e kuq, përkrah bashkëshortit të saj, William.

Familja Pitt ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare për publikun, ndërsa fansat nga e gjithë bota kanë nisur të shprehin ngushëllimet e tyre.

The post Brad Pitt në zi: Ndërron jetë nëna e tij, Jane Etta Pitt appeared first on Albeu.com.

Importet e naftës ruse/ Trump vendos 25% tarifa shtesë ndaj Indisë

By: D Marku
6 August 2025 at 18:22

Donald Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv duke vendosur një tarifë shtesë prej 25% për produktet nga India , duke përmendur se vendi kishte importuar drejtpërdrejt ose tërthorazi naftë ruse. Me këtë vendim, pas kërcënimeve të ditëve të mëparshme , presidenti amerikan po e “ndëshkon” Indinë për praktikat e saj, me tarifat totale për produktet e saj që arrijnë në 50%.

“Kam marrë informacione shtesë nga zyrtarë të ndryshëm të lartë, duke përfshirë, por pa u kufizuar në to, veprimet e qeverisë së Federatës Ruse në lidhje me situatën në Ukrainë. Pasi shqyrtova këtë informacion shtesë, ndër të tjera, konstatoj se emergjenca kombëtare e përshkruar në Urdhrin Ekzekutiv 14066 vazhdon dhe veprimet dhe politikat e qeverisë së Federatës Ruse vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

Sipas vendimit, detyrimet e reja do të hyjnë në fuqi brenda 21 ditësh.  25% shtesë nuk do të zbatohet për produkte të caktuara, duke e zvogëluar ndjeshëm fushëveprimin e saj.

Dy burime nga qeveria indiane i thanë Reuters gjatë fundjavës se India do të vazhdojë të blejë naftë nga Rusia pavarësisht kërcënimeve të Trump.

The post Importet e naftës ruse/ Trump vendos 25% tarifa shtesë ndaj Indisë appeared first on Albeu.com.

Zjarr masiv në pyllin me pisha në fshatin Gjinoqarë/ Era favorizon flakët, terreni i thyer vështirëson izolimin e vatrës

By: M C
6 August 2025 at 18:06

Një vatër zjarri ka përfshirë pasditen e sotme pyllin me pisha dhjetravjeçare në fshatin Gjinoqarë, bashkia Patos.

Flakët janë favorizuar edhe nga era e fortë dhe si pasojë janë përhapur masivisht. Gjithashtu ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse është e pa mundur për shkak se terreni është shumë i thyer.

Alket Halimi, shef i zjarrfikëseve në Bashkinë Patos thotë se në vëndngjarje janë 4 automjete zjarrfikëse të Patosit dhe Mallakastrës, por ndërhyrja është e pamundur.

Po ashtu po luftohet me mjete rrethanore, teksa ndihmojnë zjarrfikëset edhe banorë të zonave apo struktura të bashkisë.

The post Zjarr masiv në pyllin me pisha në fshatin Gjinoqarë/ Era favorizon flakët, terreni i thyer vështirëson izolimin e vatrës appeared first on Albeu.com.

NATO miraton dërgimin e armëve, Rusia bombardon kampin turistik ukrainas

By: M C
6 August 2025 at 17:45

NATO ka filluar koordinimin e dërgesave të rregullta të armëve në Ukrainë, pasi Holanda tha se do të ofrojë pajisje të mbrojtjes ajrore, municione dhe ndihmë tjetër ushtarake me vlerë 500 milionë euro.

Suedia njoftoi gjithashtu të martën se do të kontribuojë me 275 milionë dollarë në një përpjekje të përbashkët së bashku me fqinjët e saj nordikë, Danimarkën dhe Norvegjinë për të siguruar mbrojtje ajrore, armë antitank, municione dhe pjesë këmbimi me vlerë 500 milionë dollarë.

Dy dërgesa pajisjesh, shumica e të cilave të blera në Shtetet e Bashkuara, priten këtë muaj, megjithëse paketa nordike pritet të mbërrijë në shtator. Pajisjet furnizohen bazuar në nevojat prioritare të Ukrainës në fushën e betejës. Aleatët e NATO-s më pas i gjejnë armët dhe municionet dhe i dërgojnë ato.

“Paketat do të përgatiten me shpejtësi dhe do të lëshohen rregullisht”, tha NATO të hënën.

Sistemet e mbrojtjes ajrore kanë nevojë më të madhe. Kombet e Bashkuara kanë thënë se bombardimet e pamëshirshme të Rusisë në zonat urbane pas vijës së frontit kanë vrarë më shumë se 12,000 civilë ukrainas.

Ushtria e Rusisë po bën gjithashtu përparim të ngadaltë, por të kushtueshëm përgjatë vijës së frontit prej 1,000 kilometrash (620 milje). Aktualisht, ajo po zhvillon një operacion për të marrë qytetin lindor të Pokrovskut, një qendër logjistike, rënia e së cilës mund t’i lejojë asaj të depërtojë më thellë në Ukrainë.

Sakaq, të paktën dy persona u vranë në një sulm me bombë ruse në një kamp pushimi në jug të Ukrainës. Dymbëdhjetë persona të tjerë u plagosën në sulmin pranë qytetit të Zaporizhias, njoftoi guvernatori Ivan Fedorov në Telegram. Ai nuk e specifikoi vendndodhjen e saktë. Ndër ndërtesa të tjera, u dëmtuan nëntë vila të vogla pushimi.

Sipas burimeve ukrainase, sulmet me dronë dhe artileri ruse gjatë natës dëmtuan gjithashtu biznese dhe një shtëpi në rajonin fqinj të Dnipropetrovskit. Sulmet synuan gjithashtu qytete në jug të Ukrainës përgjatë Danubit. Sipas raporteve të medias, një zjarr i madh u vu re edhe nga qyteti rumun i Tulceas në deltën e Danubit.

The post NATO miraton dërgimin e armëve, Rusia bombardon kampin turistik ukrainas appeared first on Albeu.com.

Netanyahu miraton planin për pushtimin e plotë të Gazës/ Shefi i ushtrisë izraelite kundërshton vendimin e kryeministrit

By: M C
6 August 2025 at 17:27

Pas një takimi me dyer të mbyllura që zgjati mbi tre orë dhe që u drejtua nga kryeministri Benjamin Netanyahu, u vendos paraprakisht miratimi i planit për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës.

Në takim morën pjesë Ministri i Mbrojtjes Israel Katz dhe Ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer.

Pavarësisht miratimit politik, shefi i ushtrisë izraelite, gjeneralmajor Eyal Zamir, shprehu kundërshtime të forta ndaj planit, duke theksuar rrezikun për jetën e pengjeve izraelite, të cilët besohet se mbahen në disa zona të banuara nga civilët në Gaza.

Ai propozoi një alternativë operative që konsiston në rrethimin e zonave të caktuara, me qëllim detyrimin e Hamasit të çarmatoset dhe të lirojë pengjet pa një ofensivë të përgjithshme.

Sipas burimeve të brendshme, Netanyahu refuzoi kategorikisht propozimet e gjeneralit Zamir dhe e kritikoi atë ashpër për zbulimin e planeve të tij për dorëheqje në mediat lokale. Klima e tensionuar mes drejtuesve të shtetit dhe të ushtrisë ka marrë jehonë të madhe në mediat izraelite.

Ministri i Mbrojtjes Katz u përpoq të ulë tensionet me një deklaratë pajtuese, duke theksuar se “në një takim të mbyllur, shefi i ushtrisë ka të drejtën dhe detyrimin të shprehet lirshëm”.

Mbledhje vendimtare nesër

Vendimi përfundimtar pritet të merret nesër pasdite (7 gusht), në orën 18:00, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku do të prezantohen edhe plane të reja operative të përgatitura nga ushtria në përputhje me kërkesat e Netanyahut.

Reagimi i opozitës dhe protestat publike

Vendimi për pushtimin e plotë të Gazës është kundërshtuar fuqishëm nga opozita, veçanërisht nga lideri Yair Lapid, i cili paralajmëroi për pasoja të rënda humanitare dhe ndërkombëtare.

“Një pushtim i tillë do të sjellë humbje të mëdha në radhët e ushtrisë dhe civilëve, dhe rrezikon jetën e pengjeve që mund të ekzekutohen nga Hamasi ose të humbin jetën nga zjarri i ushtrisë apo mungesa e ndihmës,” u shpreh Lapid për radion shtetërore.

Mbrëmjen e djeshme, qindra protestues u mblodhën në qendër të Tel Avivit, në një demonstratë të organizuar nga të afërmit e pengjeve. Slogani kryesor i protestës ishte: “Pushtimi i Gazës do të thotë dënim me vdekje për pengjet”.

The post Netanyahu miraton planin për pushtimin e plotë të Gazës/ Shefi i ushtrisë izraelite kundërshton vendimin e kryeministrit appeared first on Albeu.com.

Paralajmëron sinoptikani: Bëhuni gati, ja deri kur do të zgjasë vala ‘afrikane’

By: M C
6 August 2025 at 17:10

Ndryshimet klimatike kanë bërë që shprehja “gusht e gunë” të mos gjejë më zbatim në Shqipëri. Kjo pasi, duke nisur nga fundjava, vendi ynë do të goditet nga një tjetër valë e të nxehtit afrikan me temperatura 40 gradë në hije.

“Do të vijojnë gradualisht të rriten temperaturat e ajrit si pasojë e kësaj vale të të nxehtit, duke bërë që fundjava të jetë ajo e cila do të ketë temperaturat më të larta për sa i përket kësaj jave, duke bërë që në dy qarqet Elbasan dhe Berat pritet që temperaturat të jenë në vlerat 40 gradë të matura në hije.” – tha Hakil Osmani.

Vala e të nxehtit do të prekë edhe bashkitë e tjera, përfshi edhe Tiranën.

“Po ashtu, me temperatura të larta do të jenë kryeqyteti, Shkodra, Gjirokastra, po ashtu në vlerën 39 gradë. Edhe ultësira do të luhatet në vlerat 36–38 gradë.”

Kjo valë e të nxehtit do të vijojë deri në mesin e javës tjetër.“Do të vijojë kjo valë e të nxehtit edhe përtej javës që vjen, duke bërë që maksimalet të luhaten 39–40 gradë në zona të izoluara. Temperaturat e larta do të zgjasin deri në 7 ditë.”

Sipas sinoptikanëve, muaji gusht po shënon temperatura 6 gradë mbi normalen, duke bërë që vendi të jetë i përfshirë nga ditë të tëra të nxehti.

The post Paralajmëron sinoptikani: Bëhuni gati, ja deri kur do të zgjasë vala ‘afrikane’ appeared first on Albeu.com.

Në pritje të ndihmave gjejnë vdekjen, përmbyset kamioni, 20 të vdekur në Gaza

By: M C
6 August 2025 at 16:58

Të paktën 31 palestinezë kanë humbur jetën në të gjithë Rripin e Gazës, dhe 20 të tjerë u vranë pasi katër kamionë me ndihma u përmbysën mbi një turmë njerëzish.

Mes viktimave të sulmeve izraelite ishin edhe 10 persona që po kërkonin ndihma, të vrarë në zona të ndryshme të territorit, pavarësisht njoftimit të ushtrisë izraelite për “pauza taktike” në luftime për të lejuar shpërndarjen e ndihmave.

Incidenti ndodhi në Gazën qendrore, ku një numër i madh palestinezësh ishin mbledhur në kërkim të ushqimeve dhe furnizimeve bazë, mes një krize humanitare gjithnjë e më të rëndë.

Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmoud Bassal, tha se dhjetëra njerëz u plagosën ndërsa qindra civilë po prisnin ndihmë, raportoi agjencia e lajmeve AFP.

“Pavarësisht lejimit të kufizuar të disa kamionëve me ndihma kohët e fundit, pushtimi pengon qëllimisht kalimin dhe shpërndarjen e sigurt të këtyre ndihmave”, tha Zyra Qeveritare për Media në një deklaratë.

“Kjo i detyron shoferët të lundrojnë në rrugë të mbipopulluara me civilë të uritur që kanë pritur me javë të tëra për nevojat më themelore. Kjo shpesh rezulton në turma të dëshpëruara që mbushin kamionët dhe sekuestrojnë me forcë përmbajtjen e tyre.”

Ngjarja vjen në një kohë kur organizatat humanitare paralajmërojnë për përhapjen e urisë dhe sëmundjeve në të gjithë enklavën palestineze, ndërsa numri i viktimave nga uria dhe kequshqyerja vijon të rritet si pasojë e kufizimeve të ashpra të vendosura ndaj ndihmave.

The post Në pritje të ndihmave gjejnë vdekjen, përmbyset kamioni, 20 të vdekur në Gaza appeared first on Albeu.com.

Meta aksion pastrimi, WhatsApp mbyll 6.8 milionë llogari: Merreshin me mashtrime

By: D Marku
6 August 2025 at 16:56

“WhatsApp ka mbyllur 6.8 milionë llogari të lidhura me mashtrues që synojnë njerëz në mbarë botën në gjysmën e parë të këtij viti”, kështu thuhet në njoftimin e Meta-s.

Shumë prej tyre ishin të lidhur me qendra mashtrimi të drejtuara nga kriminelë të organizuar në Azinë Juglindore, të cilët shpesh përdornin punë të detyruar në operacionet e tyre.

Meta e bëri njoftimin ndërsa WhatsApp nxori masa të reja kundër mashtrimit për të njoftuar përdoruesit për aktivitete të mundshme mashtruese, siç është shtimi i një përdoruesi në një bisedë në grup nga dikush që nuk është në listën e tij të kontakteve.

Masa goditëse synon një taktikë gjithnjë e më të zakonshme në të cilën kriminelët rrëmbejnë llogaritë e WhatsApp ose shtojnë përdorues në biseda në grup duke promovuar skema të rreme investimi dhe mashtrime të tjera.

Meta tha se WhatsApp “zbuloi dhe mbylli llogaritë në mënyrë proaktive përpara se qendrat e mashtrimit të ishin në gjendje t’i vinin ato në funksionim”.

Në një rast, WhatsApp punoi me Meta-n dhe OpenAI-në, zhvilluesin e ChatGPT, për të penguar mashtrimet e lidhura me një grup kriminal kamboxhian që ofronte para në dorë për pëlqime në postimet në mediat sociale për të promovuar një skemë piramidale të rreme të qirasë së skuterëve.

Thuhej se mashtruesit kishin përdorur ChatGPT për të krijuar udhëzimet e lëshuara viktimave të mundshme.

Zakonisht, mashtruesit do të kontaktonin fillimisht objektivat e mundshëm me një mesazh teksti përpara se ta zhvendosnin bisedën në mediat sociale ose aplikacionet e mesazheve private.

The post Meta aksion pastrimi, WhatsApp mbyll 6.8 milionë llogari: Merreshin me mashtrime appeared first on Albeu.com.

Mblidhet Këshilli Mbikqyrës i BSH-së, guvernatori Sejko: Ekonomia shqiptare pritet të rritet, norma bazë e interesit 2 % nuk ndryshon

By: D Marku
6 August 2025 at 16:36

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar raportin e politikës monetare për tremujorin e tretë të vitit, duke nxjerrë në pah njëseri zhvillimesh pozitive për ekonominë shqiptare.

Sipas Guvernatorit Gent Sejko, analiza e fundit tregon se pagat në vend kanë vijuar të rriten, ndërsa parametrat e stabilitetit ekonomik dhe financiar janë përmirësuar ndjeshëm.

Inflacioni ka qëndruar në nivele të ulëta, por ka shënuar një rritje të lehtë gjatë dy muajve të fundit, duke u afruar me objektivin tonë,” – u shpreh z. Sejko.

Po ashtu, kreditimi është rritur, dhe tregjet financiare janë karakterizuar nga stabilitet dhe qetësi.

 

Banka vlerëson se qasja e qëndrueshme ndaj objektivit ligjor për stabilitetin e çmimeve ka krijuar kushte të favorshme monetare për të ruajtur kontrollin e inflacionit dhe për të mbështetur rritjen e qëndrueshme të ekonomise

Sipas përditësimit të fundit të projeksioneve të Bankës së Shqipërisë, pritshmëritë për të ardhmen mbeten pozitive:

Ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet me ritme pranë potencialit.

Inflacioni pritet të rikthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2026.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm, duke mos kërkuar ndryshime të menjëhershme në normat e interesit apo ndërhyrje shtesë në treg.

Fjala e plotë e guvernatorit të BSH, Gent Sejko

Sot, më 6 gusht 2025, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e tretë.

Analiza e informacionit të disponuar sugjeron se ekonomia shqiptare, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten, ndërsa parametrat kryesorë të stabilitetit makroekonomik, monetar e financiar të vendit janë përmirësuar më tej. Në veçanti, inflacioni ka vijuar të qëndrojë në nivele të ulëta, duke shënuar një rritje të lehtë drejt objektivit në tremujorin e dytë. Po ashtu, tregjet financiare kanë qenë përgjithësisht të qeta dhe kreditimi ka ardhur në rritje.

Kjo ecuri pasqyron, ndër të tjera, edhe kontributin pozitiv të politikës së kujdesshme monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Përqasja jonë konsistente ndaj objektivit ligjor të stabilitetit të çmimeve ka gjeneruar kushte monetare të përshtatshme për kontrollin e inflacionit dhe për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë.

Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se këto trende pozitive zhvillimi do të vijojnë edhe në të ardhmen. Ndonëse pasiguritë në ambientin e huaj mbeten të larta, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet me ritme pranë potencialit, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykoi se qëndrimi aktual i politikës sonë monetare mbetet i përshtatshëm.

Më lejoni t’ju ofroj, në vijim, një pasqyrë më të detajuar të opinionit tonë mbi zhvillimet ekonomike e financiare, si dhe të detajoj vendimin e politikës monetare dhe arsyet që e motivuan atë.

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi nivelin mesatar 2.3% në tremujorin e dytë të vitit, duke regjistruar një rritje të lehtë dhe të pritur krahasuar me tremujorin e parë. Megjithatë, edhe pas kësaj rritjeje, norma e inflacionit vijon të qëndrojë nën objektivin tonë prej 3%. Në këndvështrimin e artikujve të shportës së konsumit, rritja e inflacionit u diktua nga rritja më e shpejtë e çmimeve të ushqimeve dhe të qirave, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës ishte relativisht i qëndrueshëm.

Në këndvështrimin makroekonomik, ecuria e inflacionit pasqyroi rritjen e njëkohshme të inflacionit bazë dhe jobazë. Inflacioni bazë u rrit nga niveli 2.4% në tremujorin e parë në nivelin 2.6% në tremujorin e dytë, si pasojë e stabilitetit në rritje të kursit të këmbimit dhe e presionit të vazhdueshëm që rritja e shpejtë e pagave ka sjellë në inflacion. Paralelisht me të, edhe inflacioni jobazë shënoi rritje, por ajo u amortizua pjesërisht nga ngadalësimi i ritmit të rritjes së çmimeve në partnerët tanë tregtarë.

Këto tendenca kanë qenë – në tërësi – në linjë me pritjet tona. Megjithatë, niveli i inflacionit rezultoi disi më i ulët se parashikimet tona, si pasojë e reduktimit të marzheve të fitimit të bizneseve, e vijimit të goditjeve pozitive të ofertës, si dhe e rënies më të shpejtë se pritjet të inflacionit në Eurozonë.

Sipas të dhënave të Instat-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 3.4% në tremujorin e parë të vitit. Informacioni indirekt mbi zhvillimet ekonomike sugjeron për ritme të ngjashme rritjeje edhe gjatë tremujorit të dytë. Rritja ekonomike e gjysmës së parë të vitit është mbështetur nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve, si dhe i eksportit të shërbimeve. Ky profil kërkese agregate ka nxitur zgjerimin e sektorëve të ndërtimit e të shërbimeve, ndërkohë që sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë kanë vijuar të tkurren gjatë tremujorit të parë.

Në këndvështrimin makroekonomik, rritja ekonomike është mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi pozitiv për të ardhmen i familjeve dhe bizneseve, zgjerimi i të ardhurave nga turizmi, si dhe kushtet e favorshme të financimit.

Politika e kujdesshme dhe konsistente monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur një rol parësor në përmirësimin e kushteve të financimit. Lehtësimi i qëndrimit të politikës monetare gjatë katër tremujorëve të fundit ka ulur kostot e financimit të sektorit bankar dhe yield-in e bonove 12-mujore të thesarit, i cili shërben si referencë për normat e interesit të kredive. Paralelisht me të, normalizimi i pritjeve për inflacionin ka ndihmuar në kontrollin e segmentit afatgjatë të kurbës së normave të interesit dhe ka nxitur funksionimin normal të tregjeve financiare. Së fundi, rritja e prezencës së Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor ka ndihmuar në absorbimin e presioneve forcuese të kursit të këmbimit, duke mundësuar një nivel më të qëndrueshëm të tij.

Për rrjedhojë, tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga likuiditet i bollshëm, prime të reduktuara rreziku, bilance të shëndosha të sektorit bankar, si dhe një përqasje pozitive të tij ndaj kreditimit.

Kredia për sektorin privat vijoi të rritet më tej gjatë tremujorit të dytë. Ritmi i rritjes së portofolit të kredisë shënoi nivelin 15.4%, me një ngadalësim të lehtë krahasuar me tremujorin e parë, por duke qenë më se i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat për fonde të bizneseve e familjeve. Në veçanti, kreditimi i sektorit privat vijon të mbetet i fokusuar në mbulimin e nevojave të bizneseve për investime, si dhe të familjeve për konsum e blerje banesash.

Përditësimi i parashikimeve të skenarit bazë sugjeron se perspektiva e zhvillimeve ekonomike mbetet pozitive.

Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, me ritme solide dhe pranë potencialit. Rritja ekonomike do të nxitet nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit, dhe do të mundësojë një rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave.

Inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin tonë prej 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Kjo ecuri do të ndihmohet nga një balancim më i mirë mes kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime, nga stabilizimi i inflacionit në tregjet ndërkombëtare, nga një ecuri më e qëndrueshme e kursit të këmbimit, si dhe nga ankorimi më i mirë i pritjeve për inflacionin.

Megjithatë, panorama e rreziqeve për të ardhmen mbetet komplekse. Në veçanti, rritja e barrierave tregtare në tregjet e huaja dhe rritja e tensioneve gjeopolitike mbeten faktorë të rëndësishëm pasigurie në parashikimet ekonomike. Materializimi i skenarëve më negativë të rrezikut do të kishte pasoja potenciale negative në ecurinë ekonomike dhe nivelin e çmimeve në vend.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%;

të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%;

të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve në të ardhmen. Ai mundëson transmetimin gradual në tregjet financiare të uljes së normës bazë të interesit që ndërmorëm në fillim të muajit korrik, si dhe ofron një balancë të drejtë midis nxitjes së rritjes ekonomike në afatin e shkurtër me ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit. Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit në vend, si dhe me zhvillimet potenciale në tregjet ndërkombëtare dhe partnerët tanë të huaj tregtarë”.

The post Mblidhet Këshilli Mbikqyrës i BSH-së, guvernatori Sejko: Ekonomia shqiptare pritet të rritet, norma bazë e interesit 2 % nuk ndryshon appeared first on Albeu.com.

BKH kryen kontrolle në zyrat e “Soft & Solution” të Ermal Beqirit

By: M C
6 August 2025 at 16:34

Oficerë të BKH-së kanë ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë “Soft & Solution”, në pronësi të biznesmenit Ermal Beqirit.

Deri më tani nuk dihet nëse këto kontrolle lidhen me tenderat e përfituar nga kompania apo janë pjesë e një hetimi më të gjerë.

“Soft & Solution” mbetet një ndër përfitueset më të mëdha të kontratave publike në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Beqiri u bë i njohur për publikun në vitin 2021, kur ai ishte një inxhinier elektronik dhe drejtor i IT-së në Universitetin e Tiranës dhe u thirr si ekspert në procesin gjyqësor ndaj Ilir Metës në Gjykatën e Lartë.

Ai së bashku me një grup kolegësh, kreu ekspertizën teknike mbi videon e njohur si “Meta–Prifti”.

Ekspertiza arriti në përfundimin se videoja ishte e përpunuar dhe se përmbajtja e saj ishte nxjerrë nga konteksti dhe u përdor si provë në vendimin e Gjykatës së Lartë për shpalljen e Metës të pafajshëm./LAPSI

The post BKH kryen kontrolle në zyrat e “Soft & Solution” të Ermal Beqirit appeared first on Albeu.com.

Gjykata Speciale zgjat paraburgimin ndaj Thaçit, gjyqtarja pretendon se mund arratiset dhe të pengojë procedurat

By: M C
6 August 2025 at 16:10

Paraburgimi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut është zgjatur pas një vendimi nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Vendimi është marrë më 5 gusht nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot e cila ka vlerësuar se mbajtja e tyre në paraburgim mbetet e domosdoshme dhe e arsyeshme, duke theksuar nevojën për të shmangur rrezikun e ndikimit mbi procesin gjyqësor, veçanërisht në rastin e Thaçit.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka thënë se ende vazhdon dyshimi ndaj Thaçit për kryerjen e veprave penale për të cilat ai është i ngarkuar.

“Veprimet e Thaçit tregojnë për këmbëngulje në përpjekjet për të penguar procedurat e DhSK-së edhe nga brenda Qendrës së Paraburgimit të DhSK-së, përfshirë përmes ndikimit të tij mbi ish-pjesëtarë të UÇK-së që i qëndrojnë besnikë dhe persona nga rrethet e tij politike, si bashkë të akuzuarit në këtë çështje”, thuhet në vendim.

Sophie Menegon dhe Luka Mishetiq që paraqesin mbrojtjen e Thaçit nuk kanë parashtruar përgjigje ndaj kërkesës së Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit. Kujtojmë se Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzën e dytë kundër Thaçit në dhjetor të vitit 2024 për pengim të drejtësisë.

The post Gjykata Speciale zgjat paraburgimin ndaj Thaçit, gjyqtarja pretendon se mund arratiset dhe të pengojë procedurat appeared first on Albeu.com.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike/ Rama: Po si mund të futet në bark i tërë trotuari deri tek bordura

By: V K
6 August 2025 at 15:59

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama, ka vijuar me postimin e radhës në rrjetet sociale për aksionin e lirimit të hapësirave publike në vend.

Kësaj radhe Rama ka ndarë pamjet e prishjes së një tende biznesi, e cila kishte zënë pothuaj gjithë trotuarin e këmbësorëve. Rama e shoqëron videon me pyetjen: “Po si mund të futet në bark i tërë trotuari deri tek bordura”?

Postimi i kryeministrit:

 

The post Aksioni për lirimin e hapësirave publike/ Rama: Po si mund të futet në bark i tërë trotuari deri tek bordura appeared first on Albeu.com.

Brenda vilës luksoze në Ksamil ku po i bënë pushimet Dua Lipa

By: D Marku
6 August 2025 at 15:45

Pas një angazhimi të madh dhe energjik në festivalin Sunny Hill, këngëtarja e njohur ndërkombëtare Dua Lipa ka nisur disa ditë të merituara pushimi në jug të Shqipërisë. Ajo ka zgjedhur të pushojë në një prej destinacioneve më luksoze dhe të preferuara të vendit, në resortin ekskluziv Kep Merli, i vendosur në bukurinë natyrore të Ksamilit.

Vila ku po qëndron Dua Lipa është vërtetë e jashtëzakonshme. Me gjashtë dhoma të rehatshme, një pishinë private përpara vilës, dhe madje edhe një plazh të vogël privat, ajo siguron jo vetëm luks dhe komoditet, por edhe një ambient të qetë dhe të sigurt për pushime relaksuese.

Kjo rezidencë është veçuar nga vilat e tjera të resortit, duke i ofruar artistes privatësinë më të madhe, një gjë shumë e rëndësishme për një personazh publik me famë botërore si ajo.

The post Brenda vilës luksoze në Ksamil ku po i bënë pushimet Dua Lipa appeared first on Albeu.com.

Zjarr në një apartament në Vlorë, panik tek banorët

By: V K
6 August 2025 at 15:29

Këtë të mërkurë, një apartament është përfshirë nga flakët në qytetin e Vlorës, duke shkaktuar panik te banorët.

Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë për të neutralizuar flakët, duke parandaluar përhapjen e tyre në banesat e tjera.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, por zjarri ka shkaktuar dëme materiale në apartamentin ku shpërtheu.

The post Zjarr në një apartament në Vlorë, panik tek banorët appeared first on Albeu.com.

❌
❌