Anëtarët e shtatë grupeve kriminale do të gjykohen nga Gjykata e Posaçme, shtatë muaj pasi SPAK mbylli hetimet dhe rreth një vit e gjysmë pasi organi i akuzës nisi përndjekjen e krerëve dhe anëtarëve të këtyre bandave. Dosja mori emrin “Revanshi”, pas operacionit të Prokurorisë së Posaçme.
Pjesë e këtyre 7 grupeve kriminale, veç njerëzve të botës së krimit, u evidentuan dhe emra zyrtarësh policorë, si ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri apo dhe politikanë si ish-deputeti socialist, Arben Ndoka, e vëllai i deputetit Eduard Ndreca, Armando Ndreca.
Në maj të vitit që lamë pas me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ranë në pranga 20 persona, 14 prej tyre në Shqipëri dhe 6 të tjerë jashtë vendit, 2 në Itali, 1 në Gjermani, 1 në Spanjë dhe 2 në Belgjikë.
Ky megaoperacion aso kohe erdhi pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionet sekrete “Sky” dhe “EncroChat”.
Falë zbërthimit të këtyre bisedave u bë i mundur edhe zbulimi i aleancave dhe planeve sekrete të grupit të Ervis Martnajt, i cili në aleancë me grupin e drejtuar nga ish-deputeti socialist, Arben Ndoka rekrutonin vrasës me pagesë të cilët vepronin kryesisht në zonën e Fushë-Krujës dhe në zonën e Burrelit.
SPAK bëri me dije se ish-deputeti socialist drejtonte një grup të fuqishëm kriminal në zonën e Lezhës dhe kishte lidhur aleancë me Ervis Martinaj për vrarë të fortin e Nikës, Durim Bamin dhe Fatmir Hysenin, i konsideruar një ndër vrasësit më të rrezikshëm me pagesë nga Vlora dhe i njohur me nofkën “Doqja”.
“Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi Ervis Martinaj, i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi Arben Ndoka. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit.
Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale Ervis Martinaj, kontakton shtetasin Viktor Imerin, i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit Fatmir Hyseni.
Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, vijnë edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe A.Avdyli, të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë Ervis Martinaj dhe Arben Ndokën, në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e Durim Bami, etj.
Emiljano Shullazi kontakton me të hetuarin Tesilvan Basho, të cilit i kërkon vrasjen e Durim Bamit. Po kështu Emiljano Shullazi, siguron informacione për lëvizjet e Durim Bamit dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit Arben Ndoka”, thuhej në komunikatën zyrtare të Prokurorisë së Posaçme.
Ndërkohë, organi i akuzës zbardhi dhe aktivitetin kriminal të grupit të Niklës, që drejtohej pikërisht nga Durim Bami dhe pas lidhjes së aleancës me “Klanin Duka”, u interesua veçanërisht për elemiminimin e Ervis Martinaj, Arben Ndokës dhe njerëzve të tyre.
“Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi Durim Bami, i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka.
Grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami, bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit Ervis Martinaj, dhe që drejtohet nga shtetasit Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni, persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale”, thuhej në njoftimin zyrtar të SPAK.
Ndërkohë sa i përket ish-Policit të Qarkut të Lezhës, u njoftua se ai drejtonte aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve në Lezhë sepse ishte kryepolic i qarkut, si dhe në bashkëpunim me shtetasin e skeduar për disa ngjarje kriminale Preng Gjini, lejonte lojërat e fatit.
Në kuadër të këtij megaoperacioni vitin e kaluar u sekuestruan pasuri me vlerë mbi 4.5 milion euro, përfshirë para cash, ora të shtrenjta, makinat të blinduara dhe florinj.
The post 7 muaj nga “kopsitja” e dosjes për 7 grupe kriminale, “Revanshi” kalon për gjykim! Kush janë bosët që akuzohen bashkë me Ervis Martinaj appeared first on Albeu.com.