Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 August 2025Albeu

Inteligjenca Artificiale po përmbys industrinë e reklamave

By: V K
17 August 2025 at 08:55

E ardhmja mund të jetë një botë ku IA krijon reklamat, i targeton dhe i lexon vetë. Ndërkohë, ekspertët e reklamave në Kanë duhet ta shijojnë festën, sa ende vazhdon, shkruan The Economist

Industria e reklamave di ta shesë veten më mirë se çdo gjë tjetër.

Kjo aftësi u shfaq qartë në ceremoninë vjetore të ndarjes së çmimeve në Cannes Lions International Festival of Creativity, një nga ngjarjet më prestigjioze në botë për reklamën, marketingun dhe krijimtarinë tregtare, që nisi më 16 qershor.

“Reklama jo vetëm që zgjeron kufijtë krijues, por tregon ndikimin e prekshëm që mund të ketë krijimtaria mbi biznesin dhe shoqërinë”, deklaroi një zyrtar i lartë i festivalit.

Çmimet u ndanë me solemnitet për fushata që promovonin birrën, çokollatën dhe madje edhe Fondacionin e Herpesit në Zelandën e Re.

Por një industri, që vlerëson krijimtarinë njerëzore, po përballet me një tronditje të madhe nga Inteligjenca Artificiale (IA).

Mark Zuckerberg, drejtuesi i Meta, ka premtuar se së shpejti markat do të mund të “na tregojnë çfarë objektivi duan të arrijnë, sa duan të paguajnë për çdo rezultat, dhe pastaj ne bëjmë gjithçka tjetër”.

Ndërkohë, Sam Altman nga OpenAI, beson se; “95% e asaj që sot ekspertët e marketingut e kërkojnë nga agjencitë, strategët dhe profesionistët krijues, do të realizohet lehtësisht, pothuajse menjëherë dhe me kosto minimale nga IA”.

Teknologjia e ka përmbysur industrinë e reklamave edhe më parë këtë shekull, kur buxhetet kaluan nga televizioni, gazetat dhe media tradicionale drejt gjigantëve dixhitalë si Google dhe Meta.

Por tani që IA po hyn në pjesën krijuese të industrisë, dikur e konsideruar e paprekshme nga automatizimi, po nis një revolucion i ri.

Kush do të dalë në krye dhe a do të arrijnë ekspertët në Kanë të ruajnë stilin e jetës luksoze që i ka karakterizuar deri tani?

Festat në jahte dhe pritjet buzë pishinave lënë të kuptohet se tregu i reklamave është në gjendje të mirë.

Sipas WPP Media, një blerës i madh reklamash, shpenzimet globale për reklama po rriten me ritëm të qëndrueshëm dhe pritet të kenë rreth 6% rritje në vit për tre vitet e ardhshme.

 

 

Megjithatë, kjo rritje është e përqendruar dhe po bëhet gjithnjë e më shumë e tillë.

Katër shitësit më të mëdhenj të reklamave – Google, Meta, ByteDance dhe Amazon – përbënin më shumë se gjysmën e tregut global vitin e kaluar, nga pak më shumë se një e treta në 2019.

Tetë nga dhjetë shitësit më të mëdhenj të reklamave janë kompani teknologjike.

Në Kanë, kompanitë teknologjike shfaqën forcën e tyre me struktura luksoze përgjatë bregdetit, duke e kthyer Croisette në një paradë të dominimit dixhital.

IA po forcon edhe më tej kontrollin

Algoritmet e mësimit automatik përmirësojnë ndjeshëm saktësinë e targetimit të reklamave: sistemi Advantage+ i Metës pretendon se rrit kthimin nga shpenzimet për reklama me 22%, ndërsa Performance Max i Google rrit shitjet me mbi 10%.

Google ka nisur testimet me reklama të pozicionuara në mënyrë dinamike brenda kërkimeve të realizuara përmes IA, të cilat pohon se janë edhe më efektive.

Kërkesat që përdoruesit i bëjnë Inteligjencës Artificiale janë dy deri në tre herë më të gjata sesa kërkimet tradicionale, ç`ka i mundëson kompanisë jo vetëm të kuptojë çfarë po kërkojnë njerëzit, por edhe pse.

“IA është teknologjia me ndikimin më të madh në rezultatet e biznesit në njëzetë vitet e fundit, thotë Sean Downey, drejtues i lartë i Google.

Kompani të tjera po përdorin IA për të matur më saktë efektin e reklamave. Alembic, një startup, përdor algoritmet e gjurmimit të kontakteve të zhvilluara gjatë pandemisë së COVID-19, për të ndjekur nëse konsumatorët që kanë parë një reklamë blejnë më vonë produktin.

Duke analizuar miliarda rreshta të dhënash, nga transmetimet televizive te vizitat në faqe web, kompania zbuloi se sponsorizimi nga Delta Airlines i ceremonive të medaljeve në Lojërat Olimpike të vitit të kaluar, dha kthimin më të lartë të investimit krahasuar me çdo fushatë tjetër të kompanisë.

Pasi kanë dominuar pjesën e targetimit dhe matjes, kompanitë teknologjike besojnë tani se mund të krijojnë edhe vetë reklamat, një fushë që deri më tani u përkiste agjencive të specializuara.

Në Kanë, TikTok prezantoi mjete të fuqizuara nga IA, që gjenerojnë reklama video nga teksti apo foto.

Meta prezantoi funksione të reja, si personalizimi automatik i përmbajtjes për audienca të ndryshme në dhjetë gjuhë.

Në fillim të qershorit, Kalshi, kompania amerikane që lejon baste të ligjshme mbi ngjarje ekonomike dhe politike, transmetoi një reklamë televizive me efekte speciale të realizuar përmes IA së Google.

Reklama u krijua për 48 orë, me vetëm 2,000 dollarë buxhet, nga një regjisor që tha me krenari se “isha me pizhame gjatë gjithë xhirimeve”.

Drejtuesit e agjencive këmbëngulin se nuk do të zëvendësohen nga inxhinierë me pizhame. Modelet e IA, të ndërtuara për të dhënë përgjigjen më të pritshme dhe të mundshme, nuk janë të përshtatshme për krijimin e fushatave që tërheqin vërtet vëmendjen.

Në një botë ku çdo kompani mund të krijojë reklama të mira, agjencitë thonë se do të jetë më e rëndësishme se kurrë të realizohen përmbajtje që bien në sy.

Mjetet DIY (nga anglishtja, Do It Yourself) të Meta dhe TikTok duket se synojnë më shumë bizneset e vogla, sesa markat e mëdha që përdorin agjenci.

Disa agjenci kanë kaluar nga pagesa me orë në tarifa fikse, për të mbrojtur të ardhurat, ndërsa IA po redukton orët e nevojshme për të krijuar një fushatë marketingu.

Klientët mund të paguajnë më pak për krijimin e reklamave, por shumë prej tyre po riinvestojnë kursimet te agjencitë: një drejtuese marketingu e një marke globale thotë se thjesht po blen më shumë hapësirë reklamash me paratë e kursyera.

Investitorët nuk janë aq të bindur. Katër nga pesë grupet e mëdha të agjencive kanë parë rënie të vlerës së aksioneve që nga fillimi i vitit të kaluar. WPP është në kërkim të një drejtuesi të ri.

Omnicom dhe Interpublic planifikojnë të bashkohen deri në fund të vitit për të ulur kostot. Publicis ka shmangur rënien kryesisht duke bindur tregun se ka investuar mjaftueshëm në IA për t’u mbrojtur.

Nga robotët, për robotët

IA mund ta ndryshojë industrinë e reklamës edhe në mënyra më të çuditshme. Me kalimin e kërkimeve nga motorët klasikë te chatbot-et e fuqizuar nga IA, reklamuesit duhet të kuptojnë si t’i bëjnë markat e tyre të rekomandohen nga sisteme si ChatGPT apo Gemini i Google.

Disa po krijojnë tashmë përmbajtje promocionale jo për njerëzit, por për modelet e mëdha gjuhësore (LLM), që përpunojnë informacion në internet.

Evertune, një tjetër startup, analizon mënyrën se si chatbot-ët i perceptojnë markat, duke u bërë dhjetëra mijë pyetje për kategori të ndryshme produktesh.

Kur pyeten për të rekomanduar një markë çarçafësh, për shembull, modelet bien dakord për tre markat kryesore, por pastaj ndahen ndjeshëm në preferenca. (Chatbot-ët e Meta preferojnë markën Mellanni; Casper pëlqehet nga shumica e modeleve, përveç Gemini).

Këto dallime shpjegohen me të dhënat me të cilat modelet janë trajnuar: Google dhe ChatGPT përdorin përmbajtje të licencuar nga Reddit, ndërsa modeli i Meta bazohet më shumë në materialin nga platformat e veta sociale.

Për të ndikuar LLM-të, duhen ndikuar burimet e tyre, që do të thotë të ndërtohet një bazë të fortë ndjekësish online.

Për grupet e mëdha të agjencive, kjo do të thotë se metodat klasike të marrëdhënieve me publikun (PR) vazhdojnë të jenë jetike.

Marrëdhëniet me publikun janë ndër mjetet më të fuqishme që mund të përdorni”, thotë Brian Stempeck, drejtues i Evertune.

Por ka edhe teknika të tjera. LLM-të kanë vështirësi të lexojnë grafikët, ndaj ato duhet të përkthehen në tekst.

Gjithashtu, IA “gëlltit” me kënaqësi përshkrime të hollësishme produktesh, që për njerëzit do të ishin të mërzitshme: një njeri ndoshta nuk do të lexonte kurrë listën e gjatë të përbërësve të një produkti, por një model gjuhësor po, duke bërë të mundur që ta rekomandojë produktin.

Ndërsa “agjentët” e fuqizuar nga IA përdoren gjithnjë e më shumë për të kryer detyra në emër të njerëzve, reklamuesit do të duhet të kuptojnë si t’i ndikojnë këta “ndihmës” dixhitalë.

Google së fundmi prezantoi një agjent blerjesh, që mund të njoftojë përdoruesin kur çmimi i një produkti bie nën një nivel të caktuar. Së shpejti, këta agjentë mund të marrin vendime më të ndërlikuara blerjeje.

Shitësit e reklamave online po diskutojnë tashmë, sa duhet të tarifojnë kur reklamat shihen nga një agjent, në vend të njeriut.

E ardhmja mund të jetë një botë ku IA krijon reklamat, i targeton dhe i lexon vetë. Ndërkohë, ekspertët e reklamave në Kanë duhet ta shijojnë festën, sa ende vazhdon./ Monitor.al

The post Inteligjenca Artificiale po përmbys industrinë e reklamave appeared first on Albeu.com.

Bayern Munich fiton Superkupën e Gjermanisë, mund në finale Stuttgartin (VIDEO)

By: V K
17 August 2025 at 08:28

Bayern Munich, e ka nisur me trofe sezonin e ri, duke fituar Superkupën e Gjermanisë. Bavarezët mundën 1-2 Stuttgartin në finalen e luajtur në “MHP Arena”.

Bavarezët gjetën golin e avantazhit në minutën e 17-të, me të zakonshmin Harry Kane.

Anglezi dërgoi topin në rrjetë me një goditje të fortë në kufijtë e zonës së rreptësisë. Pjesa e parë u mbyll 0-1 për bavarezët.

Në minutën e 76-të, Luis Diaz shënon golin e parë me fanellën e Bayern. Kolumbiani shënoi me kokë, pas krosimit perfekt të Serge Gnabry.

Vendasit ngushtuan shifrat me golin e Leweling në minutën e 93-të.

Bayern fiton përfundimisht 1-2. Një fitore kjo me plot meritë për ekipin e drejtuar nga Vincent Kompany, që e nis sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.

 

The post Bayern Munich fiton Superkupën e Gjermanisë, mund në finale Stuttgartin (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Samiti në Alaskë/ Vladimir Putin kërkoi rajone kyçe të Ukrainës në këmbim të paqes

By: V K
17 August 2025 at 07:58

Presidenti rus Vladimir Putin, ka kërkuar kontrollin e rajoneve lindore të Ukrainës si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, gjatë një takimi të mbajtur me presidentin amerikan Donald Trump në Alaska, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Mësohet se Putin ka shprehur gatishmërinë për të hequr dorë nga territore të tjera të pushtuara nga trupat ruse në Ukrainë, në këmbim të njohjes ndërkombëtare të kontrollit mbi Donetskun dhe Luhanskun – dy provinca lindore që ndodhen pjesërisht nën kontrollin e forcave ruse që nga viti 2014.

Në vijim të bisedimeve, Trump ka planifikuar një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Uashington, të hënën.

Ai ka lënë të hapur mundësinë për një samit trepalësh midis tij, Putin-it dhe Zelenskyy-t, për të avancuar drejt një marrëveshjeje paqeje.

Ndërkohë që disa media sugjerojnë se Trump mbështet një marrëveshje të tillë, Zelensky ka deklaruar më parë se nuk do të pranojë asnjë dorëzim formal territori ndaj Moskës.

Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, përfshirë pjesën më të madhe të provincës Donetsk.

Takimi në Alaska, megjithëse i profilit të lartë, përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete ose shpallje për një armëpushim.

The post Samiti në Alaskë/ Vladimir Putin kërkoi rajone kyçe të Ukrainës në këmbim të paqes appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
17 August 2025 at 07:45

Sot, më 17 gusht 2025, dollari amerikan. blihet me 82 lekë dhe shitet me 83.5 lekë.

Euro. blihet me 96.2 lekë dhe shitet 97.4 lekë.

Franga zvicerane. këmbehet në blerje me 101.5 lekë, ndërsa në shitje me 103 lekë.

Paundi britanik, blihet me 111 lekë dhe shitet me 112.5 lekë.

Dollari kanadez, sot në blerje këmbehet me 59.3 lekë, ndërsa në shitje me 61 lekë.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Parashikimi i motit për ditën e sotme, 17 Gusht 2025/ Kthjellime, vranësira dhe reshje shiu

By: V K
17 August 2025 at 07:30

Ditën e sotme vendi ynë, do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti do të jetë me kthjellime dhe alternime vranësirash mesatare deri të dendura, të cilat do të shfaqen nga mesdita deri në orët e vona të pasdites.

Vranësirat pritet të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit, kryesisht në zonat kodrinore-malore.

Në intervale të shkurtra kohore, në mënyrë të izoluar, mund të shfaqen shtrëngata dhe reshje breshëri në zonat malore.

Era do të fryjë kryesisht nga verilindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi mesatare rreth 5 m/s, ndërsa përgjatë bregdetit dhe zonave luginore era do të arrijë deri në 8 m/s.

Deti parashikohet i qetë, me valëzim që varion nga 1 deri në 2 ballë.

 

The post Parashikimi i motit për ditën e sotme, 17 Gusht 2025/ Kthjellime, vranësira dhe reshje shiu appeared first on Albeu.com.

Horoskopi 17 Gusht, ja çfarë kanë parashikuar yjet për ju

By: M C
16 August 2025 at 23:48

Dashi
Të lindur më: 21 Mars – 19 Prill
Në marrëdhëniet dashurore sot do ndiheni të mbështetur dhe do keni mundësi të shprehni ndjenjat tuaja më hapur, ndërsa beqarët mund të njohin dikë interesant në një ambient të papritur. Në punë, mund të përballeni me sfida të vogla, por përkushtimi juaj do të vlerësohet nga eprorët. Shëndeti do jetë i mirë, por mos e teproni me aktivitetet fizike. Financat janë të qëndrueshme, por shmangni shpenzimet e panevojshme për të ruajtur balancën.

Demi
Të lindur më: 20 Prill – 20 Maj
Sot do ndjeni nevojën të jeni më të afërt me partnerin, duke sjellë harmoni dhe mirëkuptim në marrëdhënie; beqarët mund të marrin një ftesë surprizë. Në aspektin profesional, do të ketë mundësi për bashkëpunime të reja që mund të sjellin përfitime afatgjata. Kujdesuni për shëndetin, pasi lodhja mund të ndikojë në energjinë tuaj gjatë ditës. Financat janë në një periudhë të qëndrueshme, por është mirë të planifikoni shpenzimet për javët në vazhdim.

Binjakët
Të lindur më: 21 Maj – 20 Qershor
Dashuria sot merr ngjyra të reja, ku komunikimi i sinqertë do të forcojë lidhjet ekzistuese, ndërsa beqarët mund të nisin një njohje të re përmes miqve të tyre. Në punë, kreativiteti juaj do të vlerësohet, ndaj mos hezitoni të shprehni idetë tuaja. Shëndeti kërkon vëmendje ndaj ushqimit dhe pushimit, pasi stresi mund t’ju lodhë lehtë. Në aspektin financiar, mund të merrni një lajm të mirë ose një pagesë të vonuar.

Gaforrja
Të lindur më: 21 Qershor – 22 Korrik
Marrëdhëniet sentimentale sot janë të qëndrueshme, me mundësi për biseda të thella dhe mirëkuptim të ndërsjellë, ndërsa beqarët mund të ndjejnë nevojën për të reflektuar mbi dëshirat e tyre. Në punë, një projekt i ri mund të kërkojë më shumë përkushtim, por rezultatet do jenë të kënaqshme. Kujdesuni për shëndetin mendor përmes meditimit ose relaksit. Financat janë të mira, por është e këshillueshme të shmangni investimet e rrezikshme sot.

Luani
Të lindur më: 23 Korrik – 22 Gusht
Në dashuri, emocionet janë të forta dhe ndjenjat e sinqerta do të sjellin afërsi me partnerin, ndërsa beqarët mund të ndihen tërheqës për dikë të veçantë. Në ambientin e punës, do të keni mundësi të shfaqni aftësitë tuaja, sidomos nëse bashkëpunoni me të tjerët. Shëndeti është i qëndrueshëm, por kujdesuni të mos e teproni me ushqimet e rënda. Financat mund të përmirësohen falë një marrëveshjeje të re ose një fitimi të vogël.

Virgjëresha
Të lindur më: 23 Gusht – 22 Shtator
Sot do ndjeni ngrohtësi dhe përkujdesje në marrëdhëniet tuaja, ndërsa beqarët mund të krijojnë lidhje të reja në rrethin social. Në punë, një detyrë e rëndësishme do të kërkojë vëmendje të veçantë dhe përpikëri, ndaj mos nxitoni me vendimet. Shëndeti është i mirë, por relaksohuni më shumë në orët e mbrëmjes për të shmangur lodhjen. Financat janë stabël, por mos u tërhiqni nga blerjet impulsive.

Peshorja
Të lindur më: 23 Shtator – 22 Tetor
Në dashuri, dita premton afërsi dhe mirëkuptim me partnerin, ndërsa beqarët mund të njihen me dikë që do t’u zgjojë interesin. Në punë, do të keni mundësi të zgjidhni një problem të vjetër falë këmbënguljes suaj. Kujdesuni për shëndetin e përgjithshëm dhe merrni pak kohë për veten. Financat janë të qëndrueshme, por një planifikim i mirë do t’ju ndihmojë të shmangni surpriza të pakëndshme.

Akrepi
Të lindur më: 23 Tetor – 21 Nëntor
Sot do ndiheni më të lidhur emocionalisht me partnerin dhe do ndani momente të bukura, ndërsa beqarët mund të tërhiqen nga dikush me këndvështrime të ngjashme. Në aspektin profesional, pritet një përmirësim apo njohje që do t’ju motivojë të ecni përpara. Shëndeti është në nivel të mirë, por mos harroni të hidratoheni dhe të ushqeheni rregullisht. Në financa, është koha për të nisur kursime ose për të rishikuar buxhetin personal.

Shigjetari
Të lindur më: 22 Nëntor – 21 Dhjetor
Sot në dashuri vlerësoni më shumë mbështetjen nga partneri dhe ndjeni siguri, ndërsa beqarët mund të kenë një takim të këndshëm që hap mundësi të reja. Në punë, një detyrë e përfunduar me sukses do të sjellë vlerësime dhe mundësi të avancimit. Shëndeti kërkon vëmendje ndaj aktivitetit fizik, ndaj mos e lini pas dore lëvizjen. Financat janë të sigurta, por shmangni huazimet ose shpenzimet e panevojshme.

Bricjapi
Të lindur më: 22 Dhjetor – 19 Janar
Në marrëdhënie, sot mund të përjetoni një moment të rëndësishëm që forcon lidhjen, ndërsa beqarët do të kenë mundësi të tregojnë veten përpara dikujt që i tërheq prej kohësh. Në aspektin profesional, do të përballeni me sfida, por do të dilni fitues falë vendosmërisë. Kujdesuni për shëndetin duke balancuar punën dhe pushimin. Financat janë të mira, por është koha të mendoni për investime afatgjata.

Ujori
Të lindur më: 20 Janar – 18 Shkurt
Sot marrëdhëniet sentimentale janë të mbushura me pasion dhe mirëkuptim, ndërsa beqarët mund të ndihen të frymëzuar nga një bisedë e veçantë. Në punë, pritet një ditë produktive ku idetë tuaja do të marrin vëmendjen e kolegëve. Shëndeti është i mirë, por mos harroni të bëni pushime të shkurtra gjatë ditës. Financat janë të stabilizuara, megjithatë është mirë të shmangni shpenzimet e tepërta.

Peshqit
Të lindur më: 19 Shkurt – 20 Mars
Sot në dashuri do të ndjeni harmoni dhe qetësi në marrëdhënie, ndërsa beqarët mund të afrohen me dikë që i ka pëlqyer prej kohësh. Në punë, dëshira për perfeksion mund t’ju bëjë më të fokusuar dhe të arrini rezultate të mira. Kujdesuni për shëndetin emocional dhe mos u stërngarkoni me përgjegjësi. Financat janë të qëndrueshme, por planifikoni me kujdes për të shmangur shpenzime të papritura.

The post Horoskopi 17 Gusht, ja çfarë kanë parashikuar yjet për ju appeared first on Albeu.com.

Manaj feston me fitore debutimin, nuk ka minuta për lojtarin tjetër të Kombëtares

By: M C
16 August 2025 at 23:33

Al Sharjah e ka nisur me fitore kampionatin në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Rei Manaj luajti nga minuta e parë, ndërsa skuadra e tij fitoi 1 me 3 në transfertën e Diba Al Fujairah.

Sfida e vlefshme për javën e parë u mbyll me barazim 1-1 në pjesën e parë. Golat e fitores erdhën në pjesën e dytë.

Manaj luajti të plotë neshjen në qendër të sulmit. Në këtë takim nuk pati minuta për Feta Fetain.

The post Manaj feston me fitore debutimin, nuk ka minuta për lojtarin tjetër të Kombëtares appeared first on Albeu.com.

Pranoi se ka nxitur përçarje, qeveria serbe i heq mandatin ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën, Igor Popoviç

By: M C
16 August 2025 at 23:28

Qeveria e Serbisë ka bërë të ditur se ia ka përfunduar mandatin Igor Popoviçit, i cili mbante pozitën e ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën. Vendimi duket se është i vlefshëm prej 13 gushtit, por aty nuk janë ofruar më shumë arsyetime.

Popoviç ishte i angazhuar në sektorin për mbrojtje juridike në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Ky vendim është marrë disa ditë pasi ai e ka pranuar fajësinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Dënimi prej gjashtë muajsh burgim, i marrë më 8 gusht, i është zëvendësuar me gjobë prej 3.000 eurosh, dhe ndalim të hyrjes në Kosovë për dy vjet.

Ndonëse ai e ka pranuar fajësinë në gjykatë duke thënë se nuk i është ushtruar presion, Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka thënë të nesërmen se Popoviç e ka nënshkruar marrëveshjen me prokurorët në Kosovë “nën presion dhe pa vullnetin e tij”.

Autoritetet e Kosovës e kanë hedhur poshtë këtë pretendim. Ai është ndaluar nga autoritetet e Kosovës më 18 korrik, pas një fjalimi që ka mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit, përgjatë së cilit e ka përshkruar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste”.

Zyrtarët në Kosovë kanë thënë se nuk do të tolerojnë që të fyhet dhe përdhoset historia dhe lufta e udhëhequr nga UÇK-ja. UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende. Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte./ REL

The post Pranoi se ka nxitur përçarje, qeveria serbe i heq mandatin ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën, Igor Popoviç appeared first on Albeu.com.

Aksident në Vlorë, makina përplas të miturën

By: M C
16 August 2025 at 23:03

Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Lungomare të Vlorës, ku një automjet tip Mercedes ka përplasur një vajzë të mitur.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe ambulanca, të cilat i kanë dhënë ndihmën e parë vajzës dhe më pas e kanë transportuar drejt spitalit.

Ende nuk dihet dinamika e aksidentit, teksa drejtuesi është shoqëruar në ambientet e komisariatit.

The post Aksident në Vlorë, makina përplas të miturën appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 16 August 2025Albeu

Ndërron jetë në moshën 89-vjeçare Pippo Baudo, figurë e rëndësishme e televizionit italian

By: M C
16 August 2025 at 22:45

Pippo Baudo ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Mediat italiane bëjnë me dije se lajmi është konfirmuar nga këshilltari i tij ligjor dhe miku i ngushtë, Giorgio Assumma. Baudo ishte prezantues, mbajtës rekordi i Festivalit të Muzikës Sanremo (13 edicione) dhe një zbulues talentesh.

Ai ishte pjesë e televizionit për shumë vite dhe ishte një figurë e rëndësishme dhe e dashur për italianët por edhe për shqiptarët. Baudo lindi më 7 qershor të vitit 1936 në Militello. Ai e filloi karrierën e tij në RAI në fillim të viteve 1960. Në vitin 1968, ai drejtoi për hetë të Festivalin e Sanremos. Për 60 vite Baudo ishte aktiv dhe dha një kontribut te madh për ekranin ku edhe u shndërrua në ikonë.

The post Ndërron jetë në moshën 89-vjeçare Pippo Baudo, figurë e rëndësishme e televizionit italian appeared first on Albeu.com.

Izraeli përgatitet për ofensivën e re në Gaza, paralajmëron zhvendosjen e palestinezëve nga zona e luftës

By: M C
16 August 2025 at 22:38

Izraeli ka njoftuar të shtunën se po përgatitet të zhvendosë civilët palestinezë nga zonat e luftimeve në jug të Gazës, ndërsa paralajmëron një ofensivë të re ushtarake në pjesët më të populluara të territorit.

Zëdhënësi i ushtrisë, Avichay Adraee, tha se duke filluar nga e diela, do të shpërndahen tenda dhe pajisje të tjera strehimi për banorët e Gazës që do të largohen nga zonat e luftimeve drejt jugut, në atë që ushtria e cilëson si “zona të sigurta”. Pajisjet do të kalojnë nga pika kufitare e Kerem Shalom, përmes OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të ndihmës, pas kontrolleve të Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit.

Ky njoftim vjen pak ditë pasi Izraeli paralajmëroi se synon të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, qendra më e madhe urbane e enklavës me rreth 2.2 milionë banorë – një plan që ka ngritur shqetësime të forta ndërkombëtare.

Familjet e pengjeve në Izrael shpallin “ditë ndalese”

Paralelisht, familjet e pengjeve izraelite kanë bërë thirrje për një “ditë kombëtare ndalese” të dielën, për të shprehur zhgënjimin pas 22 muajsh lufte.

Ata shprehen të frikësuar se një ofensivë e re mund të rrezikojë më tej 50 pengjet e mbetur në Gaza, prej të cilëve mendohet se vetëm 20 janë ende gjallë. Publikimi i disa videove të fundit, ku pengje të dobësuar shfaqen duke folur nën presion dhe duke kërkuar ndihmë e ushqim, ka shtuar indinjatën në opinionin publik.

“Dua të besoj se ka shpresë, por ajo nuk do të vijë nga lart – do të vijë vetëm nga ne,” tha Dana Silberman Sitton, motra e Shiri Bibas dhe halla e fëmijëve Kfir e Ariel Bibas, të cilët u vranë në robëri. Deklarata u bë gjatë një proteste javore në Tel Aviv.

Një grup që përfaqëson familjet e pengjeve ka bërë thirrje për mobilizim mbarëkombëtar: “Në gjithë vendin, qindra nisma qytetare do të ndalojnë jetën e përditshme dhe do të bashkohen në kauzën më të drejtë dhe morale: kthimin në shtëpi të 50 pengjeve,” thuhet në deklaratë.

39 të vrarë nga sulmet izraelite

Ndërkohë, agjencia e mbrojtjes civile në Gaza raportoi se të paktën 39 persona u vranë të shtunën nga sulmet izraelite, ndërsa paralajmëroi se bombardimet intensive në një lagje të qytetit të Gazës po vënë në rrezik serioz jetën e civilëve që ende ndodhen aty.

The post Izraeli përgatitet për ofensivën e re në Gaza, paralajmëron zhvendosjen e palestinezëve nga zona e luftës appeared first on Albeu.com.

“Takimi me homologun rus ishte i shkëlqyer”, Trump: Mund të ketë një takim Putin-Zelensky dhe të arrijmë marrëveshje për paqe!

By: M C
16 August 2025 at 22:14

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, e ka cilësuar takimin me homologun rus Vladimir Putin si të shkëlqyer dhe shumë të suksesshëm.

Trump përmes rrjeteve sociale shprehet se takimi shkoi shumë mirë ndërsa bën me dije se ka zhvilluar dhe një telefonatë me Presidentin Zelenskyy të Ukrainës, dhe me disa udhëheqës evropianë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s.

Trump shprehet që nëse gjithçka shkon sipas plani, mund të ketë takim midis Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky dhe të arrihet marrëveshje për paqe.

“Një ditë e shkëlqyer dhe shumë e suksesshme në Alaskë! Takimi me Presidentin Vladimir Putin të Rusisë shkoi shumë mirë, po ashtu edhe një telefonatë vonë në mbrëmje me Presidentin Zelenskyy të Ukrainës, dhe me disa udhëheqës evropianë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, shumë të respektuar.

U vendos nga të gjithë se mënyra më e mirë për të përfunduar luftën e tmerrshme midis Rusisë dhe Ukrainës është të shkohet direkt drejt një marrëveshje paqeje, e cila do të përfundojë luftën, dhe jo vetëm një marrëveshje për armëpushim, e cila shpeshherë nuk mbahet.

Presidenti Zelenskyy do të vijë në Uashington, në Zyrën Ovale, të hënën pasdite. Nëse gjithçka shkon sipas planit, pastaj do të caktojmë një takim me Presidentin Putin. Potencialisht, do të shpëtohen miliona jetë njerëzish. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”, shkruan Trump.

The post “Takimi me homologun rus ishte i shkëlqyer”, Trump: Mund të ketë një takim Putin-Zelensky dhe të arrijmë marrëveshje për paqe! appeared first on Albeu.com.

Flakët në Fushë Arrëz, Pirro Vengu: Helikopterët nga Emiratet Arabe vendosën flakët nën kontroll

By: M C
16 August 2025 at 21:44

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ka reaguar përmes rrjeteve sociale në lidhje me situatën e zjarreve në zonën e Fushë Arrëzit. Vengu thekson se ndërhyrja nga ajri ishte vendimtare për vendosjen nën kontroll të flakëve.

Pirro Vengu vlerëson bashkëpunimin mes forcave shqiptare dhe atyre të huaja, duke theksuar se kontributi ajror ishte thelbësor për të shmangur përhapjen e zjarrit dhe dëmet e mëdha në pyjet dhe zonat e banuara.

‘Një tjetër ditë në luftë me flakët nga ajri në Fushë Arrëz. Helikopterët e Forcës Ajrore dhe ata nga Emiratet e Bashkuara Arabe dominuan qiellin dhe ndihmuan forcat në tokë për të vendosur nën kontroll flakët.

Heronjtë e qiellit ulën ndjeshëm intensitetin e zjarreve, duke u ardhur në ndihmë banorëve dhe natyrës në zonën e veshur me kurorën e gjelbër’, shkruan ai.

The post Flakët në Fushë Arrëz, Pirro Vengu: Helikopterët nga Emiratet Arabe vendosën flakët nën kontroll appeared first on Albeu.com.

Aksident në Qafë Thanë, tre persona të plagosur, një në gjendje të rëndë

By: M C
16 August 2025 at 21:13

Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Qafë Thanë. Raportohet se në aksident janë përfshirë dy automjete të cilat nga përplasja kanë marrë dëmtime të shumta. Gjithashtu raporohet se nga ngjarja janë plagosur tre persona.

Fatkeqësisht një nga të plagosurit është në gjendje të rëndë dhe po lufton për jetën. Të plagosurit janë dërguar në spital dhe po marrin ndihmë mjekësore. Ende nuk dihen shkaqet e këtij aksidenti të rëndë. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e arsyes së përplases së dy mjeteve.

The post Aksident në Qafë Thanë, tre persona të plagosur, një në gjendje të rëndë appeared first on Albeu.com.

VIDEO/ Para zjarreve Delvina u godit edhe nga një tornado, ja momenti kur era e fortë dëmton kosheret e bletëve

By: M C
16 August 2025 at 20:48

Delvina pak ditë më parë ishte në një gjendje të jashtëzakonshme dhe alarmante përshkak të zjarreve. Era e fortë dhe temperaturat e larta ishin faktorë që ndikuan në përhapjen e flakëve duke e bërë të vëshirë neutralizimin e tyre.

Por Delvina para se të goditej nga zjarret mësohet se ka patur dëmtime nga era e fortë e cila për disa çaste krijoi një tornado. Ky fenomen natyror dëmtoi disa kosherë bletësh. Siç shihet edhe nga pamjet e publikuara, banorët të cilët ndodheshin në momentin e ngjarjes mbetën të habitur ndërsa era fortë kalon mes tyre dhe krijohet torndadoja.

The post VIDEO/ Para zjarreve Delvina u godit edhe nga një tornado, ja momenti kur era e fortë dëmton kosheret e bletëve appeared first on Albeu.com.

Putin ofron armëpushim në këmbim të Donbasit? Zelensky, ‘i prerë’: Asnjë lëshim territori

By: M C
16 August 2025 at 20:37

Ukraina nuk e vë në diskutim, rajoni i Donbasit nuk do t’i kalojë Rusisë!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, refuzon t’i japë kontrollin e këtij rajoni presidentit Vladimir Putin në këmbim të një shkëmbimi.

Në takimin e një dite më parë me presidentin amerikan, Donald Trump, në Alaskë, thuhet se Putin ka ofruar ndalim të luftimeve dhe ngrirje të vijës së frontit në këmbim të kontrollit mbi rajonin lindor të Ukrainës, Donbasin.

Propozimi do të ishte gjithashtu në kundërshtim me paralajmërimet e liderëve të BE-së se në çdo marrëveshje paqeje, “integriteti territorial” i Ukrainës duhet të respektohet dhe “kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”.

The post Putin ofron armëpushim në këmbim të Donbasit? Zelensky, ‘i prerë’: Asnjë lëshim territori appeared first on Albeu.com.

Përplasen dy automjete në aksin Elbasan-Cërrik, makina përfundon në kanalin me ujë, plagosen rëndë dy persona

By: M C
16 August 2025 at 20:13

Një aksident i rëndë me pasojë plagosjen e dy personave ka ndodhur pasditen e kësaj të shtune në aksin rrugor Elbasan-Cërrik në afërsi të kryqëzimit të Jagodinës.

Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën ndërsa njëra nga makinat ka përfunduar në një kanal me ujë.

Dy të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore ndërsa gjendja e tyre ende nuk dihet.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

The post Përplasen dy automjete në aksin Elbasan-Cërrik, makina përfundon në kanalin me ujë, plagosen rëndë dy persona appeared first on Albeu.com.

Vladimir Putin thyen heshtjen pas samitit në Alaskë

By: M C
16 August 2025 at 19:42

Presidenti rus Vladimir Putin tha se takimi me presidentin e SHBA-ve Donald Trump në Alaskë ishte “në kohë dhe shumë i dobishëm”.

Këto janë fjalët e tij të para pas konferencës krah Trump të premten.

“Do të doja të theksoja menjëherë se vizita ishte në kohë dhe shumë e dobishme. Ne diskutuam praktikisht të gjitha zonat e bashkëpunimit tonë, por së pari dhe mbi të gjitha, sigurisht, folëm për një zgjidhje të mundshme të krizës ukrainase në terma të drejtë”, tha Putin, sipas Kremlinit.

Duke nënvizuar se negociatat e drejtpërdrejta të këtij lloji nuk kishin ndodhur në këtë nivel “për një kohë të gjatë”, udhëheqësi rus tha se Rusia respekton pozitën e administratës Trump sa i përket luftës në Ukrainë.

“Ne natyrisht respektojmë pozitën e administratës amerikane që sheh nevojën e një fundi të menjëhershëm për përplasjet dhe ne gjithashtu do të donim ta shihnim këtë. Neve do të na pëlqente të ecnim përpara duke zgjidhur të gjitha problemet me mjete paqësore”, u shpreh Putin.

“Biseda ishte shumë e drejtpërdrejtë dhe esenciale dhe në këndvështrimin tim, na afron me vendimet e nevojshme”, shtoi ai.

The post Vladimir Putin thyen heshtjen pas samitit në Alaskë appeared first on Albeu.com.

Ju mbajnë të hidratuar gjatë ditëve të nxehta, ja cilat janë frutat dhe perimet më të pasura me ujë

By: M C
16 August 2025 at 19:16

Shumë lloje frutash dhe perimesh janë burime natyrore të ujit dhe i sigurojnë trupit lëngje dhe elektrolite që luftojnë dehidratimin, si dhe i sigurojnë trupit lëndë ushqyese si vitamina, minerale dhe fibra.

Më poshtë janë dhjetë lloje frutash dhe perimesh që janë aleatë të mirë në freskimin e trupit gjatë vapës.

-Portokalli

Përveç vitaminës C, portokalli ka mbi 85% ujë, duke e bërë një frut të shkëlqyer për hidratim gjatë ditëve të nxehta.

-Rrushi

Rrushi është freskues, i ëmbël dhe i pasur me ujë. Mund të mbahet në frigorifer ose ngrirje për një snack të ftohtë e të shëndetshëm.

-Kastraveci

Kastraveci përmban rreth 96% ujë, duke qenë një nga perimet më hidratuese. Mund të konsumohet në sallata, smoothie ose thjesht si snack.

-Luleshtrydhet

Të ëmbla dhe të pasura me ujë (rreth 91%), luleshtrydhet janë perfekte për hidratim dhe një burim i mirë i vitaminës C.

-Pjepri

Një tjetër frut me përmbajtje të lartë uji (rreth 90%). Pjepri është gjithashtu i pasur me kalium, që ndihmon në balancimin e elektroliteve.

-Selinoja

Me 95% ujë, selinoja është shumë e ulët në kalori dhe ndihmon në hidratim, tretje dhe pastrim të trupit.

-Ananasi

Përveç përmbajtjes së ujit, ananasi ka enzima që ndihmojnë në tretje dhe është shumë freskues në smoothie apo sallata.

The post Ju mbajnë të hidratuar gjatë ditëve të nxehta, ja cilat janë frutat dhe perimet më të pasura me ujë appeared first on Albeu.com.

Oferta e Putin për ndalimin e ofensivës në Ukrainë, zbardhen kërkesat e Rusisë ndaj Zelenskyt

By: M C
16 August 2025 at 18:39

Vladimir Putin sipas BBC mësohet se ka ofruar të ndalojë ofensivën e tij dhe të “ngrijë” vijën e frontit në Ukrainë, nëse Volodymyr Zelensky pranon t’i dorëzojë kontrollin e rajonit lindor të Donetskut Rusisë.

Oferta e Putin

Shumë media gjithashtu raportojnë se Putini i ka kërkuar Ukrainës të tërhiqet më gjerësisht nga rajoni i Donbasit, i cili përbëhet nga Donetsk dhe Luhansk.

Kjo vjen pas raporteve të mëparshme që sugjeronin se Putini dëshironte që Ukraina t’i dorëzonte kontrollin në të dyja këto zona në këmbim të ndalimit të ofensivës ushtarake përgjatë vijës së frontit.

Çfarë dimë për Donbasin?

Rajoni ka qenë burim përplasjesh territoriale mes Ukrainës dhe Rusisë që prej vitit 2014. Rajoni i Donbasit është kryesisht rusishtfolës dhe, pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, forcat e saj përfaqësuese (proksi) pushtuan më shumë se një të tretën e lindjes së Ukrainës në një luftë që nuk përfundoi kurrë.

Pak para se të niste luftën, presidenti Putin njohu të gjithë Luhanskun dhe Donetskun si të pavarur nga Ukraina, jo vetëm pjesët e kufizuara të krijuara nga forcat pro-ruse të mbështetura nga Moska.

Ngrirja e vijës së frontit?

Tani, disa media, përfshirë Financial Times, Bloomberg dhe Reuters, raportojnë se Putini i ka thënë Trump-it se do të ndalonte luftimet në pjesën tjetër të vijës së frontit në Ukrainë nëse Zelensky dorëzon kontrollin e plotë të rajonit të Donbasit.

Siç tregon harta më poshtë, kjo do të kërkonte që presidenti ukrainas të dorëzonte disa pjesë të rajonit të Donbasit që Rusia ende nuk i ka marrë nën kontroll. Kjo gjithashtu do të përfshinte shumicën e Zaporizhzhias dhe Khersonit në jug – të cilat Rusia i ka pushtuar.

The post Oferta e Putin për ndalimin e ofensivës në Ukrainë, zbardhen kërkesat e Rusisë ndaj Zelenskyt appeared first on Albeu.com.

❌
❌