Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 July 2025Main stream

SLLOVAKI – Fico: Synojmë marrëveshje për ndërprerjen e furnizimeve me gaz rus

12 July 2025 at 14:24

PRAGË, 12 korrik /ATSH/Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico deklaroi sot se vendi synon të arrijë deri të martën një marrëveshje me Komisionin Evropian dhe partnerët e BE-së për të siguruar garanci që nuk do të ketë pësoja nga ndërprerja e furnizimit me gaz rus si dhe për paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë, sipas Reuters.

Sllovakia ka bllokuar paketën e 18-të të sanksioneve për shkak të mosmarrëveshjes me një propozim të veçantë të Komisionit që parashikon ndërprerjen e të gjitha importeve të gazit rus nga viti 2028.

Sipas Sllovakisë, kjo mund të shkaktojë mungesa, rritje të çmimeve dhe tarifave të tranzitit si dhe pretendime për dëmshpërblim nga furnizuesi rus ”Gazprom”. /Ad.Ab./  a.jor.

 

The post SLLOVAKI – Fico: Synojmë marrëveshje për ndërprerjen e furnizimeve me gaz rus appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOLUMBI – Arrestohet një nga drejtuesit e dyshuar të “Ndrangheta”-s

12 July 2025 at 13:40

BOGOTA, 12 korrik /ATSH/ – Autoritetet kolumbiane njoftuan se kanë kapur një drejtues të dyshuar të mafies italiane “Ndrangheta” në Amerikën Latine, i akuzuar për drejtimin e dërgesave të kokainës dhe për menaxhimin e rrugëve të trafikut të paligjshëm drejt Evropës, sipas AP.

Policia e identifikoi të dyshuarin si Giuseppe Palermo, i njohur edhe me emrin “Peppe”, një shtetas italian i kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar të Interpol-it në 196 shtete.

”Ai u arrestua në rrugë në kryeqytetin kolumbian, Bogota, gjatë një operacioni të koordinuar mes autoriteteve kolumbiane, italiane dhe britanike, si dhe agjencisë së zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian, Europol”, sipas një raporti zyrtar.

”Palermoja besohet se është pjesë e një prej bërthamave më të forta dhe më të lidhura të mafies ‘Ndrangheta”, tha kreu i policisë kolumbiane, Carlos Fernando Triana, në një postim në platformën X.

“Ndrangheta”, një nga organizatat kriminale më të fuqishme dhe më të fshehta të Italisë, ka shtrirë ndikimin e saj edhe jashtë vendit dhe akuzohet gjerësisht për importimin e kokainës në Evropë.

”I dyshuari jo vetëm që drejtonte blerjen e dërgesave të mëdha të kokainës në Kolumbi, Peru dhe Ekuador, por kontrollonte gjithashtu edhe rrugët detare dhe tokësore që përdoren për transportimin e drogës drejt tregjeve evropiane”, shtoi Triana./   /Ad.Ab./  a.jor.

The post KOLUMBI – Arrestohet një nga drejtuesit e dyshuar të “Ndrangheta”-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Lavrov: Koreja e Veriut mbështet plotësisht qëllimet e pushtimit të Ukrainës

12 July 2025 at 13:39

MOSKË, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov vlerësoi sot aleancën ushtarake me Korenë e Veriut, gjatë një vizite në këtë vend të mbyllur diktatorial.

“Miqtë tanë koreanë kanë riafirmuar mbështetjen e tyre të pakushtëzuar për të gjitha objektivat e operacionit special ushtarak dhe veprimet e udhëheqjes dhe ushtrisë ruse”, tha Lavrov, duke përdorur termin që Kremlini përdor për pushtimin e Ukrainës e që ka nisur prej më shumë se tre vitesh.

Koreja e Veriut e ka mbështetur luftën e Rusisë kundër Ukrainës duke i dërguar Moskës armë dhe ushtarë.

Bisedimet e ministrit Lavrov me homologen e tij koreano-veriore, Choe Son Hui, në qytetin portual Wonsan u zhvilluan në sfondin e raportimeve mediatike për një dërgim të ri të ushtarëve koreanoveriorë në Rusi.

Ushtarë nga Koreja e Veriut janë dislokuar në rajonin perëndimor rus të Kurskut, për të rimarrë pjesë të zonës që ishin zënë nga trupat ukrainase.

Edhe pse u desh kohë që ky dislokim të njihej zyrtarisht, në fund të qershorit televizioni shtetëror i Koresë së Veriut, KCTV, transmetoi pamje ku udhëheqësi Kim Jong Un vendoste flamurin koreano-verior mbi një arkivol duke nderuar me gjasë ushtarë që humbën jetën në luftën në Ukrainë.

Në kryeqytetin koreano-verior, Phenian, Lavrov falënderoi Korenë e Veriut për ndihmën dhe shpalli se në Kursk do të ngrihet një memorial për ushtarët koreanoveriorë të rënë ne Ukrainë./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

 

The post RUSI – Lavrov: Koreja e Veriut mbështet plotësisht qëllimet e pushtimit të Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Gjykata urdhëron administratën Trump të ndalojë arrestimet e emigrantëve pa shkak të besueshëm

12 July 2025 at 11:40

LOS ANXHELES, 12 korrik /ATSH/ – Një gjykatëse federale mori dje vendimin se Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka kryer ndalime dhe arrestime gjatë kontrolleve të emigracionit në Los Anxheles pa pasur dyshime të arsyeshme dhe urdhëroi që të ndalohen ndalimet që bazohen vetëm mbi racën, gjuhën e folur apo profesionin e personave, sipas CNN.

Gjykatësja e Distriktit, Maame Ewusi-Mensah Frimpong, e emëruar nga ish-presidenti Joe Biden, urdhëroi që DHS të hartojë udhëzime të qarta për oficerët, për të përcaktuar “dyshimin e arsyeshëm” pa u mbështetur tek raca apo etnia e dukshme, gjuha apo theksi, “prania në një vend të caktuar”  apo “lloji i punës që dikush bën”.

Vendimi erdhi pasi Unioni Amerikan për Liritë Civile (ACLU)  në Kaliforninë Jugore paditi javën e kaluar administratën Trump në emër të pesë personave dhe disa organizatave që mbrojnë të drejtat e emigrantëve, duke pretenduar se DHS, i cili mbikëqyr Shërbimin e Emigracionit dhe Doganave (ICE), kanë kryer arrestime antikushtetuese dhe ka penguar të ndaluarit të kenë qasje te avokatët e tyre.

Vendimi është i kufizuar vetëm në juridiksionin e Qarkut Qendror të Kalifornisë, që përfshin Los Anxhelesin dhe rrethinat.

Në vendimin e saj, Frimpong shkroi se gjykata duhej të vendoste nëse paditësit mund të provonin që administrata Trump ”po kryen patrullime lëvizëse pa dyshime të arsyeshme dhe po mohon qasjen te avokatët”.

Gjykatësja shtoi se administrata ”dështoi” të japë informacion mbi bazën ligjore të arrestimeve të kryera./   /Ad.Ab./  a.jor.

The post SHBA – Gjykata urdhëron administratën Trump të ndalojë arrestimet e emigrantëve pa shkak të besueshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Rusia lëshon 623 dronë dhe raketa kundër Ukrainës

12 July 2025 at 09:53

KIEV, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Rusia kreu një valë sulmesh me raketa dhe dronë gjatë natës në Ukrainën perëndimore, duke goditur zona larg vijës së frontit, njoftuan sot mediet dhe zyrtarë ukrainas.

Sipas tyre, numri i kombinuar i dronëve dhe raketave ishte 623.

Sipas gazetës “The Kyiv Independent” ka pasur shpërthime në qytetin Lviv, pranë kufirit me Poloninë, dhe në Chernivtsi, afër kufirit me Rumaninë.

Gjithashtu, transmetuesi publik “Suspilne” njoftoi për një shpërthim të fuqishëm në qytetin veriperëndimor të Lutskit.

”Në Lviv, një ndërtesë u përfshi nga flakët pas sulmeve”, bëri të ditur kryebashkiaku Andriy Sadovyi përmes një postimi në Telegram.

”Forcat ajrore ukrainase kishin paralajmëruar më herët për raketa balistike dhe dronë që po vinin nga Rusia drejt perëndimit”, raportoi “The Kyiv Independent”.

Sipas burimeve zyrtare, dronë u panë gjithashtu duke iu afruar rajoneve Ternopil dhe Volyn.

Polonia, fqinja perëndimore e Ukrainës, ngriti avionë luftarakë për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore gjatë sulmeve, njoftuan Forcat e Armatosura Polake në platformën X./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post KIEV – Rusia lëshon 623 dronë dhe raketa kundër Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA vendos sanksione ndaj liderëve të Kubës

12 July 2025 at 09:25

UASHINGTON, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio mori dje vendimin për kufizime udhëtimi ndaj presidentit kuban, Miguel Díaz-Canel lidhur me rolin e tij në shtypjen e protestave masive në vitin 2021.

Rubio tha se ”SHBA po kufizon vizat për figurat kryesore të regjimit kuban, presidentin Díaz-Canel, ministrin e Forcave të Armatosura Revolucionare, Alvaro López Miera, ministrin e Brendshëm, Lazaro Álvarez Casas dhe të afërmit e tyre lidhur me përfshirjen  e tyre  në brutalitetin e regjimit kuban ndaj popullit të Kubës”.

Këto sanksione do të prekin edhe familjarët e afërt të këtyre liderëve.

“Departamenti i Shtetit gjithashtu shtoi ndërtesën e kontrolluar nga regjimi ‘Torre K’ në listën e kufizimeve për Kubën, për të penguar që dollarët amerikanë të financojnë shtypjen nga regjimi kuban”, shkroi Rubio në një postim në platformën X.

“Ndërkohë që populli kuban vuan nga mungesa e ushqimit, ujit, ilaçeve dhe energjisë elektrike, regjimi shpërdoron paratë për të pasuruar njerëzit e vet të brendshëm”, shtoi Rubio.

Ministri i Jashtëm kuban, Bruno Rodríguez reagoi në X, duke thënë se “SHBA ka kapacitetin të vendosë sanksione udhëtimi kundër liderëve revolucionarë dhe të zhvillojë një luftë të gjatë dhe të pamëshirshme ekonomike kundër Kubë, por nuk ka kapacitetin të thyejë vullnetin e këtij populli apo të drejtuesve të tij”.

Në korrik të vitit 202, në disa qytete u mbajtën protesta për liri dhe kundër shtypjes dhe keqmenaxhimit politik.

Pas protestave masive, qindra demonstrues u dënuan me burg./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

 

The post UASHINGTON – SHBA vendos sanksione ndaj liderëve të Kubës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Danimarka masa të ashpra kundër imazheve “deepfake”

11 July 2025 at 22:40

KOPENHAGË, 11 korrik /ATSH/ – Qeveria daneze do të ashpërsojë masat kundër krijimit dhe shpërndarjes së imazheve të rreme “deepfake” të gjeneruara nga inteligjenca artificiale – duke ndryshuar ligjin e të drejtave të autorit – për të garantuar që çdo individ të ketë të drejtën mbi trupin, tiparet dhe zërin e tij, sipas “The Guardian”.

Qeveria daneze tha se do të forcojë mbrojtjen kundër imitimeve digjitale të identitetit të njerëzve – në atë që besohet të jetë ligji i parë i këtij lloji në Evropë.

Pas një marrëveshjeje të gjerë mes partive politike, Ministria e Kulturës planifikon të paraqesë një propozim për konsultim para pushimeve të verës dhe më pas ta dorëzojë për miratim në vjeshtë.

“Projektligji dërgon një mesazh të qartë se të gjithë kanë të drejtë mbi trupin, zërin dhe tiparet e tyre, gjë që duket se nuk mbrohet nga ligji aktual kundër IA-së gjenerative”, tha ministri danez i Kulturës, Jakob Engel-Schmidt.

Kjo masë, që besohet të ketë mbështetjen e rreth 90% deputetëve, vjen mes zhvillimeve të shpejta të teknologjisë së IA-së – e cila e ka bërë më të lehtë se kurrë krijimin e një imazhi, videoje ose audioje të rreme që imiton dikë tjetër. /Ad.Ab./ /a.i/

 

The post Danimarka masa të ashpra kundër imazheve “deepfake” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 11 July 2025Main stream

BEJRUT – Presidenti Aoun: Libani nuk ka në plan të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin

11 July 2025 at 21:54

BEJRUT, 11 korrik /ATSH/ – Libani nuk ka në plan të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin për momentin, dhe synimi kryesor i Bejrutit është të arrijë një “gjendje pa lufte” me fqinjën e tij jugor, tha sot presidenti i vendit, sipas AP.

Komentet e presidentit Joseph Aoun erdhën ndërkohë që administrata Trump po përpiqet të zgjerojë marrëveshjet Abraham të nënshkruara në vitin 2020, ku Izraeli arriti marrëveshje historike me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin.

Në maj, presidenti sirian Ahmad al-Sharaa tha gjatë një vizite në Francë se vendi i tij po zhvillon bisedime indirekte me Izraelin për të parandaluar që aktivitetet ushtarake përgjatë kufirit të tyre të dalin jashtë kontrollit. Bisedimet për paqe midis Izraelit dhe Sirisë janë shtuar pas rrëzimit nga pushteti të presidentit Bashar Assad në dhjetor.

Aoun shtoi në komentet e shpërndara nga zyra e tij se vetëm shteti libanez do të ketë armë në të ardhmen, dhe vendimin nëse Libani do të hyjë në luftë apo jo do ta marrë qeveria libaneze.

“Paqja është gjendja e mungesës së luftës dhe kjo është ajo që ka rëndësi për ne në Liban për momentin,” citohet të ketë thënë Aoun për vizitorët të premten. Ai shtoi gjithashtu se “çështja e normalizimit (me Izraelin) nuk përfshihet në politikën e jashtme aktuale të Libanit”. /Ad.Ab./

 

The post BEJRUT – Presidenti Aoun: Libani nuk ka në plan të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Zelensky konfirmon rifillimin e dërgesave të armëve nga SHBA

11 July 2025 at 21:06

KIEV, 11 korrik /ATSH -DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se i janë premtuar dërgesa të reja armësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës  dhe aleatët evropianë.

“Sipas të gjitha raporteve  kanë rifilluar dërgesat e (pezulluara) të armëve”, tha  Zelensky sot në një  videomesazh.

Për javën e ardhshme janë planifikuar bisedime mbi mbështetjen ushtarake, ndër të tjera, me të dërguarin e posaçëm amerikan Keith Kellogg.

“Ne gjithashtu po përgatisim paketa të reja armësh nga Evropa”, tha Zelensky. Ai gjithashtu pret “masa të forta” lidhur me sanksione të reja kundër Rusisë.

Javën e kaluar, SHBA vendosi përkohësisht një ndalim të pjesshëm të dërgesave të armëve që tashmë ishin premtuar per Ukrainën. /Ad.Ab./

 

The post UKRAINË – Zelensky konfirmon rifillimin e dërgesave të armëve nga SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MODË – Giorgio Armani feston 91- vjetorin e lindjes

11 July 2025 at 20:20

ROMË, 11 korrik /ATSH/ – Giorgio Armani, themeluesi i shtëpisë “ikonë” italiane të modës që mban emrin e tij, festoi  sot 91-vjetorin e lindjes me një mesazh që konfirmon rikthimin e tij në shtator, pas një problemi shëndetësor që e detyroi të mungonte në sfilatat e modës në Milano dhe Paris, sipas “Reuters”.

Ishte hera e parë që Armani mungonte në një nga ngjarjet e tij të modës.

Muajin e kaluar, kompania njoftoi se ai po shërohej në shtëpi, pa dhënë detaje të tjera mbi gjendjen e tij shëndetësore. Ndërkohë, agjencitë italiane të lajmeve raportuan se ai kishte kaluar disa ditë në spital.

“Në javët e fundit, e kam ndier fort përqafimin e atyre që kanë menduar për mua”,  tha Armani në një letër të hapur të botuar nga disa gazeta italiane. Ai shprehu mirënjohje ndaj familjes, kolegëve, punonjësve, medias dhe njerëzve në rrjetet sociale.

“Sot, në 91-vjetorin tim, dua t’ju falënderoj të gjithëve për afërsinë që më keni treguar. Nuk ishte e lehtë për mua që të mos e dëgjoja duartrokitjen tuaj drejtpërdrejt. Ju falënderoj nga zemra dhe shihemi përsëri në shtator,” shtoi ai.

Java e ardhshme e modës në Milano është planifikuar të zhvillohet nga data 23 deri më 29 shtator. /Ad.Ab./

Top of Form

Bottom of Form

 

The post MODË – Giorgio Armani feston 91- vjetorin e lindjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Irani mund të rikuperojë uraniumin e pasuruar nga objekti bërthamor i goditur nga SHBA

11 July 2025 at 18:53

UASHINGTON, 11 korrik /ATSH/ – Izraeli beson se rezervat e uraniumit të pasuruar, të groposura thellë në një objekt bërthamor iranian që u godit nga ushtria amerikane, janë potencialisht të rikuperueshme, tha një zyrtar i lartë izraelit, sipas AP.

Ndërkohë, agjencia që ndërtoi bombat amerikane “bunker buster” të përdorura për të goditur dy objekte të tjera bërthamore tha se ende po pret të dhëna për të përcaktuar nëse ato municione arritën objektivat  e tyre.

Të dyja këto zhvillime shtojnë këndvështrime të reja mbi dëmet nga sulmet e muajit të kaluar, kur Shtetet e Bashkuara te Amerikes u përfshinë në luftën e Izraelit për të eliminuar kërcënimin që Irani të zhvillojë një armë bërthamore. Irani thotë se programi i tij është paqësor.

Presidenti Donald Trump këmbëngul se sulmet amerikane “shkatërruan plotësisht” tre objektet bërthamore iraniane që u goditën. Vlerësime ndërkombëtare dhe një vlerësim fillestar I shërbimeve amerikane të zbulimit kanë qenë më të kujdesshme, me Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së që në një raport paraprak tha se sulmet shkaktuan dëme të konsiderueshme në objektet Fordo, Natanz dhe Isfahan, por nuk i shkatërruan plotësisht ato.

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, u ka thënë më pas ligjvënësve amerikanë skeptikë se sulmet ushtarake amerikane shkatërruan objektin e vetëm të konvertimit të metaleve në Iran, një pengesë për programin bërthamor që do të kërkojë vite për t’u kapërcyer, dhe se komuniteti i inteligjencës ka vlerësuar që shumica dërrmuese e uraniumit të pasuruar të Iranit ka të ngjarë të mbetet ende e groposur nën rrënojat e Isfahanit dhe Fordos.

Zyrtari foli me gazetarët në kushte anonimiteti për të ndarë vlerësime izraelite që nuk ishin bërë publike më parë.

Izraeli beson se uraniumi i pasuruar i Iranit ishte shpërndarë në tre objektet dhe nuk ishte lëvizur, tha zyrtari izraelit. Ekspertë të çarmatimit bërthamor dhe të mosshpërndarjes kanë paralajmëruar se iranianët mund të kishin lëvizur rezervat diku më të sigurt teksa Izraeli i godiste objektet bërthamore muajin e kaluar dhe shtohej pritshmëria që edhe ushtria amerikane të ndërhynte.

Uraniumi i pasuruar në Isfahan potencialisht mund të rikuperohet nga iranianët, por për ta arritur do të duhej një përpjekje shumë e vështirë, tha zyrtari izraelit. /Ad.Ab./

The post IZRAEL – Irani mund të rikuperojë uraniumin e pasuruar nga objekti bërthamor i goditur nga SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NORVEGJI – Fituesja e Çmimit Nobel: Irani po më kërcënon me “eliminim fizik”

11 July 2025 at 17:40

OSLO, 11 korrik /ATSH-DPA/ – Fituesja iraniane e Çmimit Nobel për Paqen, Narges Mohammadi, i ka thënë komitetit norvegjez të  Nobelit për kërcënimet shqetësuese  me jetë ndaj saj.

Aktivistja për të drejtat e njeriut I tha kryetarit të komitetit, Jørgen Watne Frydnes, gjatë një “telefonate urgjente” se kishte marrë kërcënime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për “eliminim fizik” nga agjentë të regjimit iranian, njoftoi sot komiteti.

Mohammadi u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2023. Ajo e mori këtë çmim për luftën e saj kundër shtypjes së grave dhe dënimit me vdekje në Iran, si dhe për përkushtimin ndaj të drejtave të njeriut dhe lirisë.

Komiteti Nobel tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” për kërcënimet  ndaj Mohammadit, por edhe për të gjithë iranianët që shprehin mendime kritike ndaj regjimit iranian.

Në deklaratë, Frydnes u bëri thirrje autoriteteve iraniane që “të mbrojnë jo vetëm jetën e tyre, por edhe lirinë e tyre të  shprehjes”.

Së fundmi, Mohammadi, së bashku me aktivisten iraniane të të drejtave të njeriut Shirin Ebadi, e cila është gjithashtu fituese e Çmimit Nobel për Paqen, ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Iranit. /Ad.Ab./

 

The post NORVEGJI – Fituesja e Çmimit Nobel: Irani po më kërcënon me “eliminim fizik” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

ITALI – Meloni: Kompanitë pro-ruse të përjashtohen nga rindërtimi i Ukrainës

10 July 2025 at 22:29

ROMË, 10 korrik /ATSH/ – Italia u shpreh se kompanitë që kanë ndihmuar në financimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës duke bërë biznes me këtë vend, duhet të përjashtohen nga rindërtimi i Ukrainës, sipas “Reuters”.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha më herët se pjesëmarrësit në konferencën e  mbajtur në Romë – për rimëkëmbjen e Ukrainës kishin premtuar më shumë se 10 miliardë euro – për të ndihmuar vendin e shkatërruar nga lufta.

“Ne duam të punojmë me Ukrainën për të siguruar që subjektet që kanë kontribuar në financimin e makinerisë së luftës ruse të mos përfitojnë nga rindërtimi”, tha Meloni gjatë një konference për shtyp.

“Rruga për ne është e qartë, të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën dhe nga ana tjetër të rrisim presionin ndaj Rusisë, mbi të gjitha përmes sanksioneve”, shtoi Meloni.

Bashkimi Evropian ka miratuar një sërë sanksionesh kundër Moskës që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022.

Një deklaratë e Ministrisë italiane të Financave tha se ministri i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti e kishte diskutuar çështjen e ndalimit të kompanive pro-ruse gjatë një takimi dypalësh me homologun e tij ukrainas, Serhii Marchenko. /Ad.Ab./ /a.i/

The post ITALI – Meloni: Kompanitë pro-ruse të përjashtohen nga rindërtimi i Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – OKB: Gaza furnizohet me karburant, për herë të parë pas 130 ditësh

10 July 2025 at 22:25

NJU JORK, 10 korrik /ATSH– DPA/ – Kombet e Bashkuara kanë dorëzuar karburant në Rripin e Gazës për herë të parë pas më shumë se katër muajsh, ndërsa fushata ushtarake e Izraelit në këtë territor vazhdon të marrë çdo ditë jetë njerëzish, sipas burimeve palestineze.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric tha se në Gaza u dorëzuan 75 000 litra karburant, në një zonë të shkatërruar nga lufta dhe ku qindra mijëra njerëz kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare.

“Një ekip i Kombeve të Bashkuara ka dërguar rreth 75,000 litra karburant në Gazë, dërgesa e parë e tillë pas 130 ditësh, tha sot zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric në Nju Jork.

“Kjo sasi nuk është e mjaftueshme për të mbuluar as edhe një ditë të nevojave për energji. Karburanti po mbaron dhe shërbimet do të ndërpriten nëse vëllime shumë më të mëdha nuk dërgohen menjëherë”, u tha Dujarric gazetarëve.

Karburanti është jetik për të furnizuar me energji gjeneratorët e spitaleve, furrave të bukës dhe objekteve të tjera esenciale në Gazë, e cila mbetet nën bllokadë izraelite.

Dujarric paralajmëroi për pasojat e mungesës së vazhdueshme të karburantit, duke theksuar se brenda disa ditësh, mungesa e karburantit mund të ndërpresë furnizimin me ujë të pijshëm për rreth 44 000 fëmijë”, tha ai. /Ad.Ab./ /a.i/

The post NJU JORK – OKB: Gaza furnizohet me karburant, për herë të parë pas 130 ditësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – OKB: Numri i viktimave civile në Ukrainë në nivelin më të lartë në tre vjet

10 July 2025 at 21:58

NJU JORK, 10 korrik /ATSH-DPA/ – Numri i civilëve ukrainas të vrarë ose të plagosur nga sulmet ruse arriti nivelin më të lartë gjatë muajit qershor – krahasuar me tre vitet e fundit, sipas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Misioni i Monitorimit të të Drejtave të Njeriut i OKB-së në Ukrainë bëri të ditur se gjatë muajit të kaluar u vranë 232 civilë dhe u plagosën 1 343 të tjerë.

Hera e fundit që numri i viktimave ishte më i lartë ka qenë në maj të vitit 2022, menjëherë pas fillimit të luftës.

Numri i të vrarëve gjatë qershorit ishte gjithashtu më i larti në gati një vit.

Më shumë se gjysma e viktimave civile ishin në zona larg vijës së frontit, kryesisht si pasojë e sulmeve me raketa dhe dronë në thellësi të territorit të kontrolluar nga Ukraina, thuhet në raport. /Ad.Ab./ /a.i/

The post NJU JORK – OKB: Numri i viktimave civile në Ukrainë në nivelin më të lartë në tre vjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AUSTRI – Wadephul: Gjermania në kontakt me talebanët vetëm në nivel teknik

10 July 2025 at 20:30

VJENË, 10 korrik /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, shprehu sot  kundërshtimin e tij ndaj rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me liderët talebanë të Afganistanit  edhe pse qeveria e re gjermane ka përmendur mundësinë e bashkëpunimit me regjimin – për të lehtësuar dëbimet.

Kjo vjen pasi ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, tha se po kërkon të zhvillojë bisedime me talebanët, të cilët morën sërish pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021 – për t’i dhënë Gjermanisë mundësinë të kthejë mbrapsht personat e dënuar për krime.

Por ministri i Jashtëm Wadephul, gjatë një takimi me homologët e tij austriak dhe izraelit në Vjenë, theksoi se kontaktet e Gjermanisë me talebanët ishin vetëm të natyrës teknike dhe se Berlini vazhdonte të refuzonte të njihte liderët talebanë si drejtues zyrtarë të qeverise në Afganistan.

Ai shtoi se kjo vlen edhe për Ministrinë e Brendshme.

Ndërkohë, Wadephul shprehu shqetësim për situatën humanitare në Afganistan nën sundimin e talebanëve, veçanërisht për gratë dhe vajzat.

Gjermania e pezulloi dëbimin e qytetarëve afganë pas marrjes së pushtetit nga talebanët, por pas një serie sulmesh të përgjakshme të kryera nga migrantë gjatë dy viteve të fundit, përfshirë nga shtetas afganë, disa kanë kërkuar që dëbimet të rifillojnë. /Ad.Ab./ /a.i/

 

 

 

The post AUSTRI – Wadephul: Gjermania në kontakt me talebanët vetëm në nivel teknik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KORE E JUGUT – Arrestohet ish-presidenti Yoon Suk Yeol

SEUL, 9 korrik /ATSH /- Një gjykatë e Koresë së Jugut urdhëroi sot arrestimin e ish-presidentit Yoon Suk Yeol – pas akuzave që lidhen me vendosjen për një kohë të shkurtër të ligjit të luftës në dhjetor, dhe duke pranuar pretendimin e një prokurori të posaçëm se ai përbën rrezik për shkatërrimin e provave, sipas “Reuters”.

Nam Se-jin, një gjyqtar i lartë në Gjykatën Qendrore të Distriktit të Seulit, lëshoi urdhrin e arrestit ndaj Yoon, me arsyetimin se ekziston rreziku që ai të shkatërrojë provat në këtë çështje.

Yoon u shkarkua zyrtarisht nga detyra në prill, për shkak të përpjekjes së tij për të përmbysur qeverisjen civile, më 3 dhjetor -që përfshinte dërgimin e ushtarëve të armatosur në parlament.

Ish-presidenti dhe avokatët e tij morën pjesë në seancë dhe mohuan të gjitha akuzat, përpara se ai të dërgohej në Qendrën e Paraburgimit në Seul, në Uiwang, në jug të kryeqytetit, për të pritur vendimin e gjykatës.

Më herët, gjykatat refuzuan një urdhërarresti – të kërkuar nga prokurorët – pasi Yoon fillimisht kishte refuzuar të paraqitej për t’u marrë në pyetje – duke deklaruar më pas, se ishte i gatishëm për t’iu përgjigjur thirrjeve të ardhshme. /Ad.Ab./ /a.i/

 

 

The post KORE E JUGUT – Arrestohet ish-presidenti Yoon Suk Yeol appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Finlanda dhe Lituania do të fillojnë prodhimin e minave tokësore

BRUKSEL, 9 korrik /ATSH/ – Lituania dhe Finlanda pritet të fillojnë prodhimin vendas të minave tokësore vitin e ardhshëm – për furnizimin e tyre, por edhe për Ukrainën – për shkak të asaj që e shohin si kërcënim ushtarak nga Rusia, thanë zyrtarë nga këto dy vende anëtare të NATO-s për “Reuters”.

Të dy vendet, që kufizohen me Rusinë, kanë shpallur synimin për t’u tërhequr nga Konventa e Otavës – që ndalon përdorimin e këtyre minave, dhe zyrtarët thanë se prodhimi mund të nisë sapo të përfundojë procesi gjashtëmujor i tërheqjes.

Tre shtete të tjera të NATO-s dhe Bashkimit Evropian – Polonia, Letonia dhe Estonia – po ashtu po e braktisin këtë traktat, duke përmendur shqetësimet në rritje të sigurisë për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Vendimi në Finlandë dhe Lituani për të nisur prodhimin e këtyre minave – erdhi si rezultat i shqetësimeve në rritje – se ambiciet ushtarake të Rusisë mund të shtrihen përtej Ukrainës, dhe mes zotimeve të shteteve të NATO-s për të rritur shpenzimet për mbrojtje, në përputhje me kërkesat e presidentit amerikan, Donald Trump.

“Lituania do të jetë në gjendje të furnizojë edhe vende të tjera, përfshirë Ukrainën”, tha Vincas Jurgutis, kreu i shoqatës së industrisë së mbrojtjes së Lituanisë.

Finlanda gjithashtu mund të furnizojë mina tokësore për Ukrainën.  /Ad.Ab/ /a.i/

The post FOKUS – Finlanda dhe Lituania do të fillojnë prodhimin e minave tokësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Izraeli refuzon të tërheqë trupat nga korridori kyç në Gazë

JERUZALEM, 9 korrik /ATSH/ – Ndërsa Izraeli dhe Hamasi po i afrohen një marrëveshjeje për armëpushim, Izraeli ka bërë të ditur se dëshiron të mbajë trupat në korridorin jugor të Rripit të Gazës, një kusht që mund të rrezikojë bisedimet, sipas AP.

Një zyrtar izraelit tha se një nga çështjet e pazgjidhura në negociata është dëshira e Izraelit për të mbajtur forcat e tij në territor – gjatë një armëpushimi 60-ditor – përfshirë në aksin lindje-perëndim që Izraeli e quan korridori Morag.

Zyrtari foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste me mediet për negociatat.

Ruajtja e një pranie ushtarake në korridorin Morag është një element kryesor i planit izraelit – për të nxitur qindra mijëra palestinezë drejt jugut – një zonë e ngushtë përgjatë kufirit me Egjiptin – në atë që Izraeli e ka cilësuar si një “qytet humanitar”.

Kritikët e shohin këtë lëvizje si një hap drejt zhvendosjes së detyruar të pjesës më të madhe të popullsisë së Gazës – e cila numëron rreth 2 milionë banorë, dhe si pjesë e planeve të qeverisë izraelite për të ruajtur kontrollin e përhershëm mbi territorin.

Hamasi, i cili ende mban dhjetëra pengje dhe refuzon kërkesat e Izraelit për dorëzim, kërkon që Izraeli të tërheqë të gjitha trupat e tij – si pjesë e çdo armëpushimi të përhershëm.

Hamasi ka kundërshtuar me vendosmëri çdo prani të qëndrueshme izraelite brenda Gazës. /Ad.Ab./ /a.i/

 

The post TEL AVIV – Izraeli refuzon të tërheqë trupat nga korridori kyç në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Takimi Trump-Netanyahu prioritet lirimit të pengjeve izraelite dhe armëpushimit në Gazë

UASHINGTON,  9 korrik /ATSH/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot se takimi i tij me presidentin amerikan Donald Trump ishte përqendruar në lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë, ndërkohë Izraeli ka vazhduar me bombardimet ndaj territorit palestinez mes përpjekjeve për të arritur një armëpushim, sipas “Reuters”.

“Me presidentin amerikan, Donald Trump diskutuam gjithashtu pasojat dhe mundësitë që ofron “fitorja e madhe që arritëm ndaj Iranit”, tha Netanyahu në platformën X – duke iu referuar luftës ajrore, muajin e kaluar ku SHBA-ja iu bashkua sulmeve izraelite kundër objekteve bërthamore të Iranit.

Kjo është vizita e tretë e Netanyahu-t në SHBA që nga kthimi i Trump më 20 janar.

Presidenti Trump deklaroi më herët për gazetarët se megjithëse nuk e konsideronte të përfunduar fushatën e Izraelit në enklavën palestineze, negociatorët ishin “pa dyshim duke punuar” për arritjen e një armëpushimi.

Trump u takua dje me Netanyahu-n  për herë të dytë brenda dy ditësh për të diskutuar situatën në Gazë, ndërsa i dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witcoff bëri me dije se Izraeli dhe Hamasi po i afroheshin një marrëveshjeje për armëpushim – pas 21 muajsh lufte.

“Një delegacion nga Katari, i cili pret bisedimet indirekte mes negociatorëve izraelitë dhe grupit palestinez Hamas, u takua me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë përpara vizites së Netanyahu-t”, raportoi” Axios” . /Ad.Ab./ /a.i/

The post SHBA – Takimi Trump-Netanyahu prioritet lirimit të pengjeve izraelite dhe armëpushimit në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌