KORE E JUGUT – Arrestohet ish-presidenti Yoon Suk Yeol
SEUL, 9 korrik /ATSH /- Një gjykatë e Koresë së Jugut urdhëroi sot arrestimin e ish-presidentit Yoon Suk Yeol – pas akuzave që lidhen me vendosjen për një kohë të shkurtër të ligjit të luftës në dhjetor, dhe duke pranuar pretendimin e një prokurori të posaçëm se ai përbën rrezik për shkatërrimin e provave, sipas “Reuters”.
Nam Se-jin, një gjyqtar i lartë në Gjykatën Qendrore të Distriktit të Seulit, lëshoi urdhrin e arrestit ndaj Yoon, me arsyetimin se ekziston rreziku që ai të shkatërrojë provat në këtë çështje.
Yoon u shkarkua zyrtarisht nga detyra në prill, për shkak të përpjekjes së tij për të përmbysur qeverisjen civile, më 3 dhjetor -që përfshinte dërgimin e ushtarëve të armatosur në parlament.
Ish-presidenti dhe avokatët e tij morën pjesë në seancë dhe mohuan të gjitha akuzat, përpara se ai të dërgohej në Qendrën e Paraburgimit në Seul, në Uiwang, në jug të kryeqytetit, për të pritur vendimin e gjykatës.
Më herët, gjykatat refuzuan një urdhërarresti – të kërkuar nga prokurorët – pasi Yoon fillimisht kishte refuzuar të paraqitej për t’u marrë në pyetje – duke deklaruar më pas, se ishte i gatishëm për t’iu përgjigjur thirrjeve të ardhshme. /Ad.Ab./ /a.i/
The post KORE E JUGUT – Arrestohet ish-presidenti Yoon Suk Yeol appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.