Britania dhe OpenAI lidhin partneritet për të forcuar pozitat në garën globale të inteligjencës artificiale
Qeveria britanike ka njoftuar të hënën një marrëveshje strategjike me OpenAI – kompania që qëndron pas ChatGPT – për të përforcuar bashkëpunimin në kërkimin mbi sigurinë e inteligjencës artificiale (AI) dhe për të eksploruar mundësi investimi në infrastrukturën teknologjike të Mbretërisë së Bashkuar, përfshirë qendrat e të dhënave.
“Inteligjenca artificiale do të jetë vendimtare për transformimet që synojmë në të gjithë vendin – qoftë në shëndetësi, në krijimin e mundësive të reja apo në nxitjen e rritjes ekonomike,” deklaroi Sekretari i Shtetit për Teknologjinë, Peter Kyle. Ai shtoi se roli i kompanive si OpenAI është thelbësor për ta bërë këtë realitet, dhe se ky partneritet do të krijojë më shumë hapësira për zhvillimin e punës kërkimore të OpenAI në Britani.
Marrëveshja vjen në një moment kur Britania synon të zërë një vend qendror në fushën e AI-së, përballë konkurrencës në rritje nga SHBA, Kina dhe India – vende që po udhëheqin zhvillimin teknologjik dhe po rrisin presionin ndaj vendeve evropiane për të mos mbetur prapa.
Qeveria britanike ka premtuar një investim prej 1 miliard funte për të përmirësuar kapacitetet kompjuterike në shërbim të zhvillimit të inteligjencës artificiale. Objektivi është që, brenda pesë viteve të ardhshme, kapaciteti publik për përpunimin e të dhënave të rritet 20 herë.
Partneriteti me OpenAI, e cila bashkëpunon ngushtë me Microsoft – një lidhje që më parë ka tërhequr vëmendjen e autoritetit britanik të konkurrencës – pritet të përfshijë zgjerimin e pranisë së saj në Londër dhe angazhimin në fusha të ndjeshme si drejtësia, mbrojtja, siguria kombëtare dhe arsimi.
Drejtuesi i OpenAI, Sam Altman, në të njëjtën deklaratë vlerësoi qeverinë britanike për qasjen e saj proaktive, duke theksuar se ishte ndër të parat që njohu rëndësinë strategjike të AI-së përmes “Planit të Veprimit për Mundësitë e AI-së” – një iniciativë e promovuar nga Kryeministri Keir Starmer me synimin për ta kthyer Britaninë në një superfuqi të AI-së.
Teknologjia, sipas qeverisë laburiste, përfaqëson një mjet kyç për të rritur produktivitetin ekonomik në një periudhë ku ekonomia nuk ka arritur ende stabilitetin e dëshiruar. Sipas vlerësimeve zyrtare, AI mund të rrisë produktivitetin me 1.5% çdo vit – një përmirësim që përkthehet në 47 miliardë paund shtesë për ekonominë britanike çdo vit gjatë një dekade./abcnews.al