LDK do të dorëzojë në Prokurorinë Speciale vendimin e Gjykatës Supreme
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë të ditur se nesër, më 16 korrik, do të dorëzojë në Prokurorinë Speciale të Kosovës vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme lidhur me çështjen e arkave fiskale.
“Nesër (e mërkurë), në orën 11:30, Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzon në Prokurorinë Speciale, vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme. E dorëzojmë këtë vendim si dëshmi në 17 kallëzimet penale që i kemi ngritur paraprakisht më datën 8 maj 2025,” thuhet në njoftimin e partisë.
Ky vendim i Gjykatës Supreme vjen pasi ka shfuqizuar udhëzimin administrativ të lëshuar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, me të cilin ishin pezulluar për 60 ditë shitjet dhe abonimet e arkave fiskale.
Udhëzimi administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronike fiskalë, ishte publikuar në gazetën zyrtare më 16 prill, një ditë pasi ishte miratuar nga ministri në detyrë, i cili është gjithashtu i betuar si deputet i legjislaturës së re pas zgjedhjeve të shkurtit.
“Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”, tha Supremja.
Ajo tha se për të ishte “i pakontestueshëm fakti” se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve më 27 mars, ministri Murati figuron si deputet i Kuvendit të Kosovës.
“Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Për pasojë, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”, thuhet në vendim.
The post LDK do të dorëzojë në Prokurorinë Speciale vendimin e Gjykatës Supreme appeared first on Telegrafi.