UASHINGTON, 11 korrik /ATSH/ – Izraeli beson se rezervat e uraniumit të pasuruar, të groposura thellë në një objekt bërthamor iranian që u godit nga ushtria amerikane, janë potencialisht të rikuperueshme, tha një zyrtar i lartë izraelit, sipas AP.
Ndërkohë, agjencia që ndërtoi bombat amerikane “bunker buster” të përdorura për të goditur dy objekte të tjera bërthamore tha se ende po pret të dhëna për të përcaktuar nëse ato municione arritën objektivat e tyre.
Të dyja këto zhvillime shtojnë këndvështrime të reja mbi dëmet nga sulmet e muajit të kaluar, kur Shtetet e Bashkuara te Amerikes u përfshinë në luftën e Izraelit për të eliminuar kërcënimin që Irani të zhvillojë një armë bërthamore. Irani thotë se programi i tij është paqësor.
Presidenti Donald Trump këmbëngul se sulmet amerikane “shkatërruan plotësisht” tre objektet bërthamore iraniane që u goditën. Vlerësime ndërkombëtare dhe një vlerësim fillestar I shërbimeve amerikane të zbulimit kanë qenë më të kujdesshme, me Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së që në një raport paraprak tha se sulmet shkaktuan dëme të konsiderueshme në objektet Fordo, Natanz dhe Isfahan, por nuk i shkatërruan plotësisht ato.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, u ka thënë më pas ligjvënësve amerikanë skeptikë se sulmet ushtarake amerikane shkatërruan objektin e vetëm të konvertimit të metaleve në Iran, një pengesë për programin bërthamor që do të kërkojë vite për t’u kapërcyer, dhe se komuniteti i inteligjencës ka vlerësuar që shumica dërrmuese e uraniumit të pasuruar të Iranit ka të ngjarë të mbetet ende e groposur nën rrënojat e Isfahanit dhe Fordos.
Zyrtari foli me gazetarët në kushte anonimiteti për të ndarë vlerësime izraelite që nuk ishin bërë publike më parë.
Izraeli beson se uraniumi i pasuruar i Iranit ishte shpërndarë në tre objektet dhe nuk ishte lëvizur, tha zyrtari izraelit. Ekspertë të çarmatimit bërthamor dhe të mosshpërndarjes kanë paralajmëruar se iranianët mund të kishin lëvizur rezervat diku më të sigurt teksa Izraeli i godiste objektet bërthamore muajin e kaluar dhe shtohej pritshmëria që edhe ushtria amerikane të ndërhynte.
Uraniumi i pasuruar në Isfahan potencialisht mund të rikuperohet nga iranianët, por për ta arritur do të duhej një përpjekje shumë e vështirë, tha zyrtari izraelit. /Ad.Ab./
The post IZRAEL – Irani mund të rikuperojë uraniumin e pasuruar nga objekti bërthamor i goditur nga SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.