Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 August 2025Main stream

Rusia kufizon thirrjet në “WhatsApp” dhe “Telegram” për të luftuar kriminelët

14 August 2025 at 14:35

MOSKË, 14 gusht /ATSH- Rusia njoftoi sot kufizime në thirrjet e aplikacioneve WhatsApp dhe Telegram, duke thënë se kjo ishte e nevojshme për të luftuar kriminalitetin, sipas “France24”.

“Për të luftuar kriminelët, po merren masa për të kufizuar pjesërisht thirrjet në këto aplikacione të huaja të mesazheve, WhatsApp dhe Telegram”, tha organi mbikëqyrës i komunikimit “Roskomnadzor”.

“Aplikacionet e mesazheve janë bërë shërbimet kryesore zanore të përdorura për mashtrim dhe zhvatje, si dhe për përfshirjen e qytetarëve rusë në aktivitete subversive dhe terroriste”, shtoi organi mbikëqyrës.

Shërbimet ruse të sigurisë kanë thënë shpesh se Ukraina po përdorte Telegram për të rekrutuar njerëz ose për të kryer akte sabotimi në Rusi.

Moska kërkon që të ofrohet akses në të dhëna me kërkesë nga forcat e rendit, jo vetëm për hetimet e mashtrimit, por edhe për hetimin e aktiviteteve që Rusia i përshkruan si terroriste.

“Qasja në thirrjet e aplikacioneve te huaja do të rikthehet pasi ata të fillojnë të zbatojnë legjislacionin rus”, tha Ministria Digjitale e Rusisë.

Në një deklaratë, Telegram tha se po lufton në mënyrë aktive keqpërdorimin e platformës së saj, duke përfshirë thirrjet për sabotim ose dhunë, si dhe mashtrimin dhe se eleminon miliona përmbajtje të dëmshme çdo ditë.

Që nga nisja e ofensivës së saj në Ukrainë, Rusia ka kufizuar në mënyrë drastike lirinë e shtypit dhe lirinë e fjalës në internet.

“WhatsApp është privat, i enkriptuar nga fillimi në fund dhe sfidon përpjekjet e qeverisë për të shkelur të drejtën e njerëzve për komunikim të sigurt, prandaj Rusia po përpiqet ta bllokojë atë për mbi 100 milionë rusë”, tha një zëdhënës i WhatsApp në pronësi të Meta-s.

Më shumë se 100 milionë banorë në Rusi përdorin WhatsApp për mesazhe dhe thirrje. //a.i/

The post Rusia kufizon thirrjet në “WhatsApp” dhe “Telegram” për të luftuar kriminelët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Putin: Trump po bën përpjekje të sinqerta për paqen

14 August 2025 at 14:15

MOSKË, 14 gusht /ATSH/- Presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi përpjekjet e administratës Trump për të ndaluar luftën në Ukrainë dhe la të kuptohej se Moska dhe Uashingtoni mund të arrijnë një marrëveshje mbi kontrollin e armëve bërthamore gjatë takimit të tyre nesër në Alaskë, sipas CNN.

Para se të udhëtonte për në Alaskë për t’u takuar me presidentin amerikan, Putini kryesoi një takim me zyrtarë të lartë rusë për t’i informuar ata mbi gjendjen e negociatave me SHBA-në për Ukrainën.

“Administrata aktuale amerikane… po bën përpjekje mjaft energjike dhe të sinqerta për të ndaluar armiqësitë, për të ndaluar krizën dhe për të arritur marrëveshje që janë me interes për të gjitha palët e përfshira në këtë konflikt”, tha Putin.

Në fjalimin e tij të shkurtër, Putin tha se takimi me SHBA-në synon të krijojë kushte afatgjata për paqe midis vendeve tona, si dhe në Evropë dhe në botë në tërësi.

Ai sugjeroi se kjo paqe më e gjerë mund të arrihej nëse, në fazat e ardhshme të diskutimeve me SHBA-në, arrihej një marrëveshje në fushën e kontrollit mbi armët sulmuese strategjike, duke iu referuar armëve bërthamore.

SHBA-ja dhe Rusia ranë dakord të kufizojnë arsenalet e tyre të armëve bërthamore -sipas traktatit të ri START – i cili hyri në fuqi në vitin 2011.

Sipas marrëveshjes, të dy vendet kishin shtatë vjet për të përmbushur kufizimet e përcaktuara në numrin e armëve bërthamore me rreze ndërkontinentale.

Afati i traktatit, përfundon në shkurt të vitit 2026.//a.i/

The post MOSKË – Putin: Trump po bën përpjekje të sinqerta për paqen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – BBC: Territoret ukrainase të shkatërruara nga lufta në “zemër” të takimit Trump-Putin

14 August 2025 at 12:45

LONDËR, 14 gusht /ATSH/- Spekulimet kanë qarkulluar nëse takimi Trump-Putin do të rezultojë në ndryshimin me forcë dhe në thelb të hartës së Ukrainës, sipas BBC.

Rusia ka pretenduar territore të gjera të Ukrainës që nga viti 2014, kur presidenti Vladimir Putin bëri lëvizjen e tij të parë.

Në atë kohë, brenda pak muajsh, Moska kreu pushtimin dhe aneksimin relativisht pa gjakderdhje të gadishullit të Krimesë.

Por, kjo u pasua nga një lëvizje separatiste e mbështetur nga Rusia në rajonin lindor të Donbasit – konkretisht dy rajonet e njohura si Donetsku dhe Luhansku.

Një luftë zieu atje për tetë vjet.

Ukraina humbi rreth 14 000 ushtarë dhe civilë gjatë kësaj periudhe.

Por, në shkurt të vitit 2022, Putini nisi pushtimin e tij në shkallë të plotë.

Trupat ruse arritën shpejt në periferi të Kievit dhe pushtuan sipërfaqe të mëdha të jugut, duke përfshirë pjesë të mëdha të dy provincave të tjera, Zaporizhia dhe Kherson.

Lufta ka qenë në vazhdim që atëherë. Rusia tani kontrollon më pak territor – nga rreth 27% në pranverën e vitit 2022 në rreth 20%, aktualisht.

Në lindje, forcat ruse po avancojnë, por shumë ngadalë dhe me kosto të madhe.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se, tani është i nevojshëm armëpushimi pa kushte.

Aleatët evropianë gjithashtu kanë këmbëngulur në ndalimin e luftimeve. Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se kjo është ajo që ai është përpjekur të arrijë.

Por, në prag të samitit të tij në Alaskë me Putinin, presidenti Trump ka folur për shkëmbime territoriale. Kjo ka shkaktuar tronditje në të gjithë Kievin dhe Evropën.

Nuk është aspak e qartë se për çfarë territori e ka fjalën Trump, apo se si mund të realizohen këto shkëmbime, duke pasur parasysh se i gjithë territori i përket ligjërisht Ukrainës.

Territori i Ukrainës që nga gushti i vitit 2025

Rusia ka kërkuar të zgjerojë kontrollin e saj mbi të gjithë Luhanskun dhe Donetskun.

Disa raporte sugjerojnë se Putini po kërkon që Ukraina të dorëzojë territorin e mbetur që kontrollon në të dy rajonet.

Por, kjo do të nënkuptonte që Kievi të hiqte dorë nga vendet për të cilat dhjetëra mijëra ushtarë ukrainas kanë vdekur duke u përpjekur t’i mbrojnë – qytete si Kramatorsk dhe Slovyansk, dhe një vijë e fortifikuar e frontit që mbron territorin ukrainas në veri dhe perëndim.

Për Kievin, një lëshim i tillë do të ishte një pilulë e hidhur për t’u gëlltitur. Për Moskën, humbjet e së cilës kanë qenë edhe më katastrofike, do të shihej si fitore.

Zelensky tha të martën se Ukraina nuk mund të largohej nga Donbasi – pasi Moska do ta përdorte rajonin si një trampolinë për të sulmuar pjesën tjetër të vendit.

Në ditët e fundit, forcat ruse duket se po avancojnë drejt qytetit, Dobropillya. Por ende nuk është e qartë nëse kjo shënon një lëvizje të rëndësishme strategjike apo thjesht një përpjekje për t’i treguar Trump se Moska po mbizotëron.

Po në lidhje me Zaporizhian dhe Khersonin, të pushtuara në vitin 2022?

Këtu, Rusia po ofron të ndalojë ofensivën e saj dhe të bllokojë vijat e frontit.

Por, a do të ishte Rusia e gatshme të jepte ndonjë pjesë të territorit mbrapsht?

Të hënën, Trump foli në mënyrë të paqartë për “pronën bregdetare” – me sa duket një referencë për një pjesë të kësaj vije bregdetare, përgjatë Detit të Azovit ose Detit të Zi.

Por, e gjithë kjo është pjesë e urës tokësore strategjikisht të rëndësishme të Putinit që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar.

Është e vështirë të shihet udhëheqësi rus duke rënë dakord të heqë dorë nga ndonjë prej territoreve të pushtuara.

Ashtu si Donetsku dhe Luhansku, Putini i konsideron këto vende si pjesë të Rusisë dhe i aneksoi ato në mënyrë të paligjshme – tre vjet më parë – në katër referendume që konsiderohen gjerësisht – si një mashtrim.

Për Ukrainën dhe Evropën, shkëmbimet territoriale – në këtë fazë shumë të hershme të bisedimeve – janë një nisje e papranueshme.

Një diskutim rreth kufijve të ardhshëm mund të fillojë përfundimisht, por vetëm kur lufta të ketë mbaruar dhe siguria e Ukrainës të jetë garantuar. //a.i/

 

The post KOMENT – BBC: Territoret ukrainase të shkatërruara nga lufta në “zemër” të takimit Trump-Putin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA heq përkohësisht disa sanksione ndaj Rusisë përpara takimit Trump-Putin në Alaskë

14 August 2025 at 11:29

UASHINGTON, 14 gusht /ATSH-DPA/- Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi dje në mbrëmje vendimin që pezullon përkohësisht disa sanksione ndaj Rusisë, duke hapur rrugën për takimin e planifikuar të së premtes midis presidentit Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin në Alaskë.

Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) e Thesarit tha se përjashtimi mbulon transaksionet që janë – zakonisht të rastësishme dhe të nevojshme për pjesëmarrjen – ose mbështetjen e takimeve në Shtetin e Alaskës midis Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeverisë së Federatës Ruse.

“Pauza do të mbetet në fuqi deri më 20 gusht”, shtoi OFAC.

Uashingtoni ka vendosur një gamë të gjerë sanksionesh ndaj zyrtarëve dhe kompanive ruse gjatë viteve të fundit – kryesisht për shkak të luftës së agresionit të Moskës kundër Ukrainës.

Këto masa mund të kenë penguar udhëtimin në Alaskë për ata që janë përfshirë në bisedime.

OFAC tha se nuk do të lirohen asetet e bllokuara. Vendimi nuk specifikoi se cilët individë ose subjekte preken. //a.i/

The post UASHINGTON – SHBA heq përkohësisht disa sanksione ndaj Rusisë përpara takimit Trump-Putin në Alaskë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZË – Të paktën 89 palestinezë të vrarë në sulmet e fundit izraelite

14 August 2025 at 09:35

GAZË, 14 gusht /ATSH-DPA/- Të paktën 89 palestinezë janë vrarë në sulme të ndryshme izraelite në Rripin e Gazës, thanë sot burimet mjekësore.

Agjencia palestineze e lajmeve WAFA raportoi gjithashtu dhjetëra vdekje në zonën e sulmuar që në orët e para të mëngjesit. Rreth gjysma e viktimave thuhet se janë regjistruar në Qytetin e Gazës.

Shtatë persona u vranë në veriperëndim të Qytetit të Gazës – në vendin e shpërndarjeje së ndihmës humanitare.

Shtatë persona të tjerë, përfshirë pesë fëmijë, vdiqën pas një sulmi ajror në Qytetin e Gazës.

Një person tjetër thuhet se u vra në një sulm me dron në Rripin verior të Gazës.

Sulmet vijnë ndërsa forcat izraelite përgatiten të nisin një operacion për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës.

Plani ka shkaktuar një protestë ndërkombëtare, me udhëheqësit që paralajmërojnë për pasoja shkatërruese humanitare për territorin e shkatërruar nga lufta.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se ushtria nuk ishte në dijeni të ndonjë viktime të shkaktuar nga zjarri i ushtrisë në zonën e korridorit Netzarim.

Fillimisht nuk ishin të disponueshme detaje të mëtejshme mbi sulmet e tjera.

Sulme të shumta ajrore izraelite u raportuan gjatë mëngjesit të djeshëm, veçanërisht në Qytetin e Gazës, ku u goditën disa ndërtesa.

Banorët shprehën shqetësim se sulmet mund të ishin një përgatitje për ofensivën e premtuar tokësore.

Incidente vdekjeprurëse janë raportuar vazhdimisht pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave – të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një organizatë private e mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja.

GHF filloi operacionet në brezin bregdetar të bllokuar në maj – pas një ndalese gati tre-mujore izraelite për shpërndarjen e ndihmave.

Lufta filloi më 7 tetor 2023, kur Hamasi dhe grupe të tjera militante islamike palestineze kryen një sulm në shkallë të gjerë ndaj Izraelit, duke vrarë rreth 1 200 njerëz dhe duke marrë më shumë se 250 pengje në Gaza.

“Që atëherë, më shumë se 61 700 palestinezë janë vrarë në territor”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Shifrat, të cilat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, nuk bëjnë dallim midis civilëve dhe luftëtarëve.

Megjithatë, organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara i konsiderojnë shifrat kryesisht të besueshme.

Ministria tha se mbi 1 850 njerëz janë vrarë ndërsa përpiqeshin të mblidhnin ndihma gjatë luftës.

Në shumë raste, civilët duhet të kalojnë zonat aktive të luftimeve për të arritur në pikat e shpërndarjes. //a.i/

The post GAZË – Të paktën 89 palestinezë të vrarë në sulmet e fundit izraelite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Qipro përjeton valën përvëluese të të nxehtit, me temperatura deri në 45 gradë Celsius

14 August 2025 at 09:25

ATHINE, 14 gusht /ATSH-DPA/-  Qiproja po përjeton një valë përvëluese të të nxehtit, me temperaturat e brendshme që pritet të arrijnë sot deri në 45 gradë Celsius.

Observatori Meteorologjik në Lefkara, i vendosur rreth 20 kilometra larg bregdetit, regjistroi temperaturën më të lartë prej 46,1 gradë Celsius.

Departamenti Meteorologjik i Qipros ka lëshuar një paralajmërim për temperatura ekstreme të larta – si për zonat e brendshme ashtu edhe për rajonet më të larta malore.

Kushtet do të jenë më të tolerueshme përgjatë bregdetit falë flladeve të detit, ku temperaturat maksimale pritet të arrijnë në rreth 38 gradë Celsius.

Temperaturat parashikohet të ulen gradualisht nga e premtja, duke u kthyer në mesataret sezonale prej rreth 36 gradë Celsius, deri të dielën. //a.i/

The post METEO – Qipro përjeton valën përvëluese të të nxehtit, me temperatura deri në 45 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Zjarri në ishullin e Kiosit mbetet kërcënimi më i madh

14 August 2025 at 09:08

ATHINË, 14 gusht /ATSH-DPA/- Greqia ka raportuar një përmirësim të lehtë në situatën e zjarreve në Greqi, por zyrtarët thane sot se rreziku nuk ka mbaruar ende.

Zjarrfikësit, vullnetarët dhe banorët vendas vazhdojnë të luftojnë me zjarre të shumta në të gjithë vendin. Zonat më të prekura përfshijnë rajonet përreth qytetit portual të Patras, ishujt e Kiosit dhe Zakinthosit, dhe një shtrirje terreni pranë kufirit me Shqipërinë.

“Shuarja e zjarreve nga ajri filloi herët në mëngjes pasi ekipet tokësore punuan gjatë gjithë natës”, tha një oficer i lartë i shërbimit të zjarrfikësve.

Kushtet ndryshojnë sipas rajonit. Në Zakinthos, zjarri tani është nën kontroll, ndërsa shqetësimet mbeten të larta në Kios.

“Fronti i zjarrit atje është aktualisht sfida jonë më e madhe”, tha Kostas Tsingas, kreu i shoqatës së oficerëve të zjarrfikësve.

“Në zonën e Patras, qyteti i tretë më i madh i Greqisë, situata është përmirësuar gjithashtu”, sipas mediave lokale.

Të mërkurën, tymi i dendur detyroi evakuimin e një spitali dhe një shtëpie kujdesi.

Deri mëngjesin e sotëm, nuk ka patur asnjë front aktiv zjarri, por ekipet mbeten në vend pasi vatrat e nxehta mund të rindizen shpejt. //a.i/

The post GREQI – Zjarri në ishullin e Kiosit mbetet kërcënimi më i madh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 13 August 2025Main stream

PODGORICË – Mali i Zi përfshihet nga zjarri, raportohet një i vdekur

13 August 2025 at 14:39

PODGORICË, 13 gusht /ATSH/- Një ushtar malazez ka vdekur dhe një tjetër është plagosur rëndë kur cisterna e tyre e ujit u përmbys ndërsa luftonin me zjarret në kodra, në veri të kryeqytetit, sipas “France 24”.

“Ekipet e zjarrfikësve, të ndihmuara nga personeli ushtarak, luftuan me një zjarr masiv rreth Podgoricës për të dytën ditë me radhë kur kamioni u përmbys”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

“Ushtria malazeze po kryen një hetim për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e aksidentit”, sipas deklaratës së Ministrisë së Mbrojtjes.

Avionë me bomba uji dhe më shumë se 100 punonjës të Mbrojtës u  angazhuan për të vënë nën kontroll zjarre të shumta, pasi flakët shkatërruan disa shtëpi dhe detyruan dhjetëra evakuuime.

Kushtet e nxehta po shkaktonin gjithashtu një zjarr të madh pyjor në bregdetin Adriatik të vendit.

Disa vende të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë dhe Kroacinë fqinje, po luftojnë gjithashtu me zjarret e shkaktuara nga temperaturat e larta ndërsa një valë e të nxehtit ka përfshirë Evropën.

Autoritetet paralajmëruan se temperaturat do të rriten deri në 41 gradë Celsius në disa pjesë të gadishullit, me parashikime për nxehtësi ekstreme për pjesën më të madhe të javës. //a.i/

The post PODGORICË – Mali i Zi përfshihet nga zjarri, raportohet një i vdekur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Autoritetet vazhdojnë të luftojnë me zjarret ndërsa temperaturat arrijnë në 40 gradë Celsius

13 August 2025 at 10:49

PARIS, 13 gusht /ATSH/- Zjarri më i madh në Francë i regjistruar në 75 vite, i cili ka djegur një sipërfaqe më të madhe se Parisi, do të digjet për disa ditë të tjera edhe pse është vënë nën kontroll, thanë sot autoritetet, sipas “Independent”.

“Më shumë se 2 000 zjarrfikës dhe 500 automjete zjarrfikëse vazhdojnë të jenë të vendosura në rajonin e Aude, së bashku me personelin e ushtrisë”, thanë zyrtarët.

Një grua ka vdekur dhe 13 persona, përfshirë 11 zjarrfikës janë plagosur, që kur zjarri shpërtheu pranë fshatit Ribaute në Francën jugore.

Avionët me cisterna uji kanë ndihmuar gjithashtu në përballimin e flakëve, të cilat kanë djegur më shumë se 17,000 hektarë tokë.

Autoritetet thanë se rrugët në zonë ishin shumë të rrezikshme për shkak të linjave të rrëzuara të energjisë elektrike dhe rreziqeve të tjera.

Tymi nga zjarret dhe sipërfaqe të mëdha toke të djegura nxjerrin në pah shkallën e shkatërrimit në të gjithë rajonin.

Banorëve u është kërkuar të mos kthehen në shtëpi ndërsa operacionet vazhdojnë, me 17 vende të përkohshme strehimi të hapura.

“Fshatrat në rajonin e Corbieres mbeten në gatishmëri të lartë”, sipas mediave franceze.

Zyrtarët thanë se ky është zjarri më i madh në Francë që nga viti 1949.

Kryeministri francez François Bayrou e quajti atë një “katastrofë në një shkallë të paparë”.

Gjatë një vizite në rajonin Aude, Bayrou tha se zjarri ishte i lidhur me ngrohjen globale dhe thatësirën.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se të gjitha burimet e vendit ishin mobilizuar – ndersa u bëri thirrje njerëzve të tregonin kujdes maksimal. //a.i/

The post FRANCË – Autoritetet vazhdojnë të luftojnë me zjarret ndërsa temperaturat arrijnë në 40 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Patra përfshihet nga zjarri masiv, nisin evakuuimet

13 August 2025 at 10:27

ATHINE, 13 gusht /ATSH-ANA/- Një zjarr i ri shpërtheu dje në zonën Sychaina, në veri të Patras.

Policia po evakuon banorët nga Kamina dhe Tsoukaleika, në Akai.

Në 24 orët e fundit, Greqia ka përjetuar 82 zjarre, ndërsa 59 janë vënë nën kontroll menjëherë dhe 23 të tjerë janë ende aktivë.

Zëdhënësi i Brigadës së Zjarrfikësve Vassilis Varthakogiannis tha në një konferencë emergjente se forcat e zjarrfikësve iu përgjigjën dje 106 zjarreve, pasi disa fronte aktive zjarri kanë vazhduar që nga e hëna.

Brigada e Zjarrfikësve po lufton për të shuar zjarret që po shpërthejnë në shumë zona të Greqisë.

Zjarrfikësit, vullnetarët dhe avionët kanë luftuar pa u lodhur që nga mëngjesi i djeshëm për të mbrojtur njerëzit, për të shpëtuar shtëpitë dhe për të vënë nën kontroll zjarret.

Roja Bregdetare kreu dje dy operacione në Kios dhe Akai për të shpëtuar qytetarët në rrezik nga zjarret.

Në Kios, është duke u zhvilluar një operacion për të shpëtuar njerëzit nga plazhet e Limnia dhe Agia Markella në Volissos.//a.i/

 

The post GREQI – Patra përfshihet nga zjarri masiv, nisin evakuuimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Izraeli hedh poshtë akuzat e OKB-së se forcat e tij kanë abuzuar seksualisht me palestinezët

13 August 2025 at 08:52

NJU JORK, 13 gusht /ATSH/- Shefi i OKB-së e paralajmëroi Izraelin se Kombet e Bashkuara kanë “informacion të besueshëm” për dhunë seksuale dhe shkelje të tjera nga forcat izraelite kundër palestinezëve të ndaluar, të cilat ambasadori i Izraelit në OKB i hodhi poshtë si “akuza të pabaza”, sipas AP.

Sekretari i përgjithshëm Antonio Guterres tha në një letër drejtuar ambasadorit Danny Danon se ishte “thellësisht i shqetësuar” për shkeljet e raportuara kundër palestinezëve nga ushtria dhe forcat e sigurisë izraelite në disa burgje, një qendër paraburgimi dhe një bazë ushtarake.

Guterres tha se po i njoftonte forcat izraelite se ato mund të listoheshin si abuzues në raportin e tij të ardhshëm mbi dhunën seksuale në konflikt – për shkak të shqetësimeve të konsiderueshme për modelet e formave të caktuara të dhunës seksuale që janë dokumentuar vazhdimisht nga Kombet e Bashkuara.

Danon, i cili shpërndau letrën dhe përgjigjen e tij, tha se akuzat “ishin të mbushura me botime të njëanshme”.

“OKB duhet të përqendrohet në krimet tronditëse të luftës dhe dhunën seksuale të Hamasit dhe lirimin e të gjithë pengjeve”, tha ai.

Danon po i referohej sulmit të papritur të grupit militant në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku rreth 1 200 persona u vranë dhe rreth 250 u morën peng.

Autoritetet izraelite thanë se gratë u përdhunuan dhe u abuzuan seksualisht. //a.i/

 

The post TEL AVIV – Izraeli hedh poshtë akuzat e OKB-së se forcat e tij kanë abuzuar seksualisht me palestinezët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Mirror”: Zbuloni Rivierën Shqiptare – nga hotelet luksoze buzë detit deri te gjiret e izoluara 

13 August 2025 at 07:34

LONDËR, 13 gusht /ATSH/- Me kasolle buzë detit, rërë të bardhë të valëzuar dhe ujëra bruz, destinacioni evropian është krahasuar me ishullin e bukur të Azisë Jugore – që është një “hit” për turistët.

Plazhet me rërë të bardhë e të pastër dhe ujërat kristalore në Rivierën Shqiptare konsiderohen nga ekspertët e udhëtimit si “Maldivet e Evropës”, shkruan Matt Jackson në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.

Vizitorët që kërkojnë të eksplorojnë Shqipërinë mund të zbulojnë gjithçka, nga hotelet luksoze buzë detit deri te gjiret e izoluara përgjatë vijës së gjerë bregdetare.

Dhërmiu shquhet si një nga pikat kryesore turistike të vendit, me një shtrirje rëre prej 3 miljesh, jetën e gjallë të natës dhe festivalin muzikor “Kala Fest vjetor, i krijuar për të nxitur turizmin në rajon.

Baret buzë detit ofrojnë birra për vetëm 2 dollarë, ndërsa një dhomë buzë detit kushton vetëm 30 dollarë.

Megjithatë, më në jug ndodhet Ksamili, i konsideruar si “Maldivet e Evropës” në mediet sociale.

Plazhet si Pema e Thatë janë bërë gjithashtu të njohura për turistët – falë kasolleve të ngritura në plazh.

Këto kasolle, të disponueshme me qira për më pak se 10 dollarë, janë bërë një sensacion viral në TikTok.

Një amerikane që ëndërronte të largohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Evropë zbuloi një destinacion mahnitës të ngjashëm me Maldivet – ku birrat kushtojnë vetëm 1,50 paund.

Cepee Tabibian u largua nga Teksasi për në Spanjë kur mbushi 35 vjeç, por vetëm vitin e kaluar ajo zbuloi destinacionin e bukur evropian që ajo pretendon se shumë amerikanë nuk e njohin ende.

Artikulli i botuar në CNBC, zbulon se Cepee kishte dëgjuar vlerësime pozitive për Shqipërinë përpara se të zgjidhte të kalonte një muaj në vendin ballkanik.

Cepee i kushtoi një muaj kryeqytetit, Tiranës, ndërsa eksploroi edhe vijën bregdetare të Shqipërisë.

Ndërsa Cepee pranon se Shqipëria mund të mos jetë për të gjithë, ajo këmbëngul se ky vend plotëson shumë kritere – për individët që duan të shkëmbejnë jetën në SHBA me Evropën.

Cepee e vlerësoi Shqipërinë për koston e përballueshme të jetesës dhe peizazhet mahnitëse.

“Shqipëria është një nga vendet e pakta në Evropë ku ende mund të marrësh me qira një apartament të rehatshëm për më pak se 500 dollarë në muaj. Kjo kosto e ulët jetese është një nga arsyet më të mëdha pse amerikanët po dynden atje”, shkroi ajo.

Cepee tha se shpenzimet e ushqimeve, të të ngrënit jashtë dhe kujdesit mjekësor e bëjnë Shqipërinë një mundësi tërheqëse për personat që duan të punojnë si nomadë digjitalë apo pensionistët.

Ata që kërkojnë të zbulojnë Shqipërinë mund të zhvillojnë turne nëpër Alpe, si dhe në detin Adriatik në perëndim dhe në detin Jon në jug.

“Gjatë udhëtimit tim, udhëtova me makinë përgjatë Rivierës Shqiptare dhe vizitova Sarandën, një qytet bregdetar të gjallë me një shëtitore të bukur. Ishte shtator dhe moti ishte mjaftueshëm i ngrohtë për të notuar dhe për të marrë rreze – por plazhet ishin praktikisht bosh – një kënaqësi e rrallë krahasuar me vende si Spanja apo Italia. Në një ditë të kthjellët, ju mund ta shihni Greqinë në distancë! Ishulli i Korfuzit është vetëm 30 minuta larg me target”, shtoi ajo.

“Nuk arrita të shkoja në malet veriore, por ato janë në listën time për vizitën tjetër. Fshatrat e largëta, shtigjet e ecjes dhe peizazhet e mrekullueshme e bëjnë atë një ëndërr për adhuruesit e aktiviteteve në natyrë”, tha Cepee.

Cepee, gjithashtu, vuri në dukje rritjen e turizmit në Shqipëri gjatë dekadës së fundit – pas izolimit të saj nën regjimin komunist deri në vitin 1992.  //a.i/

https://www.themirror.com/travel/woman-discovers-europes-most-overlooked-1323975

 

 

The post “Mirror”: Zbuloni Rivierën Shqiptare – nga hotelet luksoze buzë detit deri te gjiret e izoluara  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

SHBA – Trump i bindur se “shkëmbimi i territoreve” do të formësojë çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

12 August 2025 at 13:48

UASHINGTON, 12 gusht /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump paraqiti dje një paralajmërim për takimin e tij të shumë pritur me presidentin rus Vladimir Putin, duke thënë se shpreson për “biseda konstruktive”, dhe se nuk varet prej tij arritja e një marrëveshje paqeje.

Trump konfirmoi javën e kaluar se do të takohej me Putinin në Alaska, ndërsa afati i tij i vendosur që Moska të bjerë dakord për një armëpushim me Ukrainën erdhi dhe iku. Nuk është njoftuar asnjë kohë ose vend specifik për samitin e së premtes.

“Ky do të jetë një takim ku qëllimi kryesor është të vlerësohen mendimet, qëllimet ose situata e përgjithshme”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Mendoj se nëse nuk do të isha unë, ai nuk do të fliste me askënd tjetër tani”, tha Trump duke iu referuar Putinit.

Në të njëjtën kohë, Trump minimizoi idenë se bisedimet e së premtes do të rezultonin në përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Do të shohim se cilat janë parametrat dhe menjëherë pas takimit me Putinin – do të telefonoj presidentin Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë”, shtoi Trump.

Ai tha se nëse do të kishte një “marrëveshje të drejtë”, ai do t’ia përcillte Zelensky dhe udhëheqësve evropianë.

Trump nuk pranoi të ndante detaje specifike se çfarë do ta konsideronte një marrëveshje të drejtë midis Ukrainës dhe Rusisë, por sërish sugjeroi se do të kishte disa shkëmbime territoresh.

Ai mbetet i bindur se “shkëmbimi i territoreve” do të formësonte çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Trump tha se qëllimi i tij ishte të caktonte një takim të radhës midis Zelensky dhe Putinit ose midis tij, Zelensky dhe Putinit.

“Do të jem atje nëse do të kenë nevojë, por dua të caktoj një takim midis dy udhëheqësve”, tha Trump.

Zelensky bëri thirrje dje për të ushtruar më shumë presion global mbi Rusinë duke theksuar se Putini nuk po ndërmerrte hapa drejt paqes. //a.i/

 

The post SHBA – Trump i bindur se “shkëmbimi i territoreve” do të formësojë çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Administrata e Trump shqyrton riklasifikimin e marihuanës si një drogë më pak të rrezikshme

12 August 2025 at 12:25

UASHINGTON, 12 gusht /ATSH/- Presidenti Donald Trump konfirmoi dje se administrata e tij po shqyrton riklasifikimin e marihuanës si një drogë më pak të rrezikshme, sipas “Abcnews”.

Trump u tha gazetarëve se është në fazat e hershme të procesit, por shpreson të marrë një vendim për këtë çështje brenda javëve të ardhshme.

“Po shqyrtojmë riklasifikimin dhe do të marrim një vendim gjatë javëve të ardhshme dhe shpresojmë se ky vendim do të jetë i duhuri. Është një temë shumë e ndërlikuar”, tha Trump gjatë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

“Wall Street Journal” raportoi për herë të parë se Trump po shqyrtonte mundësinë e ripërcaktimit të marihuanës nga një drogë e Listës 1 në një drogë të Listës 3.

E klasifikuar si drogë e Listës 1, marihuana është e listuar së bashku me heroinën dhe LSD-në si “droga pa përdorim mjekësor – të pranuar aktualisht dhe me një potencial të lartë për abuzim”.

Në të kundërt, drogat e Listës 3 përcaktohen me “potencial të moderuar deri të ulët për varësi fizike dhe psikologjike” dhe përfshijnë ketaminën, steroidet anabolike dhe testosteronin.

Gjatë vitit të fundit të administratës së Biden, Administrata e Zbatimit të Ligjit për Drogat tha se mbështeste rekomandimin e riklasifikimit të marihuanës.

Riklasifikimi i marihuanës do të lejonte më shumë kërkime mbi drogën dhe do të ofronte përfitime tatimore për industrinë e kanabisit. //a.i/

The post SHBA – Administrata e Trump shqyrton riklasifikimin e marihuanës si një drogë më pak të rrezikshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

12 gushti, Dita Botërore Kundër Mizorisë ndaj Kafshëve

12 August 2025 at 11:49

ROMË, 12 gusht /ATSH/- Autorët e abuzimit ndaj kafshëve po përballen me dënime të rënda në Itali, duke përfshirë deri në 18 muaj burg ose gjoba deri në 30,000 euro, sipas “Skytg24”.

Fatkeqësisht, kjo lloj sjellje është më e zakonshme gjatë muajve të verës.

Dita Botërore Kundër Mizorisë ndaj Kafshëve festohet më 12 gusht.

Kjo ditë e shënuar është një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin publik për vuajtjet e kafshëve dhe për të promovuar respektin dhe mbrojtjen e tyre.

Në këtë ditë, shpesh organizohen ngjarje dhe iniciativa për të informuar dhe angazhuar njerëzit mbi temën e abuzimit ndaj kafshëve dhe të drejtave të kafshëve.

Të dhënat nga viti 2024 tregojnë një rënie të krimeve ndaj kafshëve, por një rritje të ashpërsisë së krimeve dhe të kërkesave për njohjen e rrezikut të tyre shoqëror.

ENPA – Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes së Kafshëve – shoqata më e vjetër dhe më e rëndësishme mbrojtëse në Itali, e themeluar në vitin 1871 nga Giuseppe Garibaldi – po bën thirrje për më shumë vëmendje ndaj problemit dhe lidhjes së tij me dhunën ndërpersonale.

Të dhënat në Itali:

Edhe pse të dhënat e Karabinierëve tregojnë një rënie të lehtë të krimeve ndaj kafshëve në vitin 2024 – një pamje shqetësuese shfaqet kur analizohet ashpërsia e krimeve të kryera.

Departamenti ligjor i ENPA-s regjistroi një rritje të konsiderueshme të kërkesave për njohjen e rrezikut shoqëror, nga 5% në vitin 2023 në 19,5% në vitin 2024. //a.i/

The post 12 gushti, Dita Botërore Kundër Mizorisë ndaj Kafshëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SEUL – Ushtria e Koresë së Jugut reduktohet me 20% për shkak të lindshmërisë së ulët

12 August 2025 at 10:42

SEUL, 12 gusht /ATSH/- Ushtria e Koresë së Jugut është tkurrur në rreth 450 000 ushtarë – një rënie prej 20% gjatë gjashtë viteve të fundit, sipas një raporti të Ministrisë së Mbrojtjes, raportoi BBC.

Autoritetet thonë se arsyeja kryesore e rënies është shkalla e mjerueshme e lindjeve në vend, e cila është më e ulëta në botë.

Koreja e Jugut e ka shërbimin ushtarak të detyrueshëm, kryesisht pasi vendi është ende teknikisht në luftë me fqinjën e saj të armatosur, Korenë e Veriut.

Një studim i publikuar nga studiuesit e Koresë së Jugut në korrik tha se vendi do të kishte nevojë për të paktën 500 000 ushtarë për t’u mbrojtur nga një sulm i Koresë së Veriut, e cila besohet se ka 1,3 milion anëtarë ushtarakë aktivë.

“Dallimi në madhësitë ushtarake e vendos Korenë e Jugut në një pozicion të vështirë strukturor për të patur sukses në mbrojtje”, tha studimi.

Gjithashtu, Koreja e Jugut ka nevojë për veprime vendimtare në nivel kombëtar për të mbajtur të paktën 500 000 trupa.

“Numri i divizioneve në ushtrinë e Koresë së Jugut ka rënë nga 59 në 42 që nga viti 2006 – me njësi që janë shpërbërë ose janë bashkuar me njëra-tjetrën”, sipas raportit të Ministrisë së Mbrojtjes – i bërë public nga ligjvënësja e Partisë Demokratike, Choo Mi.

Koreja e Jugut ka rritur buxhetin e saj të mbrojtjes në përgjigje të tensioneve gjeopolitike në rritje në rajon.

Buxheti i saj i mbrojtjes për vitin 2025 është më shumë se 60 trilionë won (43 miliardë dollar) – më shumë se PBB-ja e Koresë së Veriut.

Në Korenë e Jugut, të gjithë burrat e aftë për punë duhet të shërbejnë 18 muaj shërbim ushtarak, megjithëse bëhen përjashtime të rralla.

Vendi e ka thyer vazhdimisht rekordin për shkallën më të ulët të lindjeve në botë.

Nëse ky trend vazhdon, ekspertët paralajmërojnë se popullsia e vendit prej 50 milionë banorësh mund të përgjysmohet brenda 60 vjetësh. //a.i/

The post SEUL – Ushtria e Koresë së Jugut reduktohet me 20% për shkak të lindshmërisë së ulët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE i bën thirrje Trump të mbrojë interesat e sigurisë së Evropës gjatë takimit me Putinin

12 August 2025 at 09:48

BRUKSEL, 12 gusht /ATSH/- Udhëheqësit e Bashkimit Evropian i kanë bërë thirrje sot presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të mbrojë interesat e tyre të sigurisë – gjatë takimit kyç me homologun e tij rus, Vladimir Putin, këtë javë – lidhur me luftën në Ukrainë, sipas “Abcnews”.

Mbetet e paqartë nëse do të marrë pjesë edhe Ukraina ne takimin Trump-Putin.

Presidenti Trump tha se dëshiron të shohë nëse Putini është serioz në lidhje me përfundimin e luftës, e cila tani është në vitin e saj të katërt.

Por, Trump i ka zhgënjyer aleatët e SHBA-së në Evropë duke thënë se Ukraina do të duhet të heqë dorë nga disa territore të mbajtura nga Rusia.

Ai tha gjithashtu se Rusia duhet të pranojë shkëmbimin e disa tokave, megjithëse mbetet e paqartë se çfarë mund të pritet të dorëzojë Putini.

Evropianët dhe Ukraina po tregohen vigjilente nëse Putini – i cili ka zhvilluar luftën më të madhe tokësore në Evropë që nga viti 1945 dhe ka përdorur fuqinë energjetike të Rusisë për të frikësuar BE-në – do të mund të bëjë lëshime të favorshme dhe të vendosë skicat e një marrëveshjeje paqeje pa pjesëmarrjen e tyre.

Në një deklaratë sot në mëngjes, udhëheqësit thanë se i kishin mirëpritur përpjekjet e presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Por, theksuan se rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa Ukrainën.

“Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme që sjell stabilitet dhe siguri duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar, duke përfshirë parimet e pavarësisë, sovranitetit, integritetit territorial dhe se kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”, thanë ata.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka hedhur poshtë idenë që Ukraina duhet të angazhohet dhe të heqë dorë nga toka për të siguruar një armëpushim.

Rusia ka nën kontroll të dobët katër rajone të vendit, dy në lindje të vendit dhe dy në jug.

Vendet evropiane kanë frikë se Putini do të marrë një nga rajonet nëse fiton në Ukrainë.

Trump përsëriti dje se do të kishte edhe shkëmbime territoresh.

Ai tha se kjo do të përfshinte disa elementë të këqij si për Ukrainën ashtu edhe për Rusinë.

Trump ishte gjithashtu kritik ndaj Zelensky, duke vënë në dukje se udhëheqësi i Ukrainës kishte qenë në pushtet gjatë gjithë kohës së luftës dhe tha se asgjë nuk kishte ndodhur gjatë asaj kohe.

Ai e krahasoi këtë me Putinin, i cili ka ushtruar pushtet të pakontestueshëm në Rusi për dekada të tëra.

Nuk është e qartë nëse evropianët u shqetësuan nga pohimi i Trump se ai do të udhëtonte të premten në Rusi për të takuar Putinin.

Samiti po zhvillohet në shtetin amerikan të Alaskës, i cili u kolonizua nga Rusia në shekullin XVIII – derisa Cari Aleksandër II ia shiti atë SHBA-së në një marrëveshje toke në 1867.

Evropianët do të bëjnë një përpjekje tjetër për të mbështetur Trump në kauzën e Ukrainës të mërkurën në takimet virtuale të thirrura nga kancelari gjerman Friedrich Merz.

Trump nuk konfirmoi nëse do të merrte pjesë, por tha se do të merrte idetë e të gjithëve përpara se të takohej me Putinin. //a.i/

 

The post BRUKSEL – BE i bën thirrje Trump të mbrojë interesat e sigurisë së Evropës gjatë takimit me Putinin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Franca Jugperëndimore përfshihet nga një valë e të nxehtit

11 August 2025 at 15:44

PARIS, 11 gusht /ATSH/- Një valë e të nxehtit përvëlues përfshiu sot Francën jugperëndimore, me temperatura deri në 43 gradë Celsius në rajonet, Charente dhe Aude, sipas AP.

Në Aude – një mozaik vreshtash dhe shkurresh mesdhetare – qindra zjarrfikës luftuan me flakët pas shpërthimit të një zjarri masiv që dogji 16,000 hektarë tokë, javën e kaluar.

Zyrtarët thanë se flakët janë nën kontroll, por paralajmërojnë se zjarri nuk do të shuhet plotësisht për javë të tëra.

Autoriteti kombëtar i motit, “Meteo-France” lëshoi alarmin e kuq në 12 rajone -paralajmërimi më i lartë i Francës – për shkak të nxehtësisë së jashtëzakonshme që ka përfshirë bregun e Atlantikut deri në fushat mesdhetare.

Alarmi i kuq është lëshuar tetë herë që nga viti 2004 – pas një vere të nxehtë vdekjeprurëse, një vit më parë.

Vala e të nxehtit, e dyta në Francë, filloi të premten dhe pritet të zgjasë gjithë javën – deri më 15 gusht. //a.i/

 

The post METEO – Franca Jugperëndimore përfshihet nga një valë e të nxehtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE: Takimi Trump-Putin nuk mund të vendosë për shkëmbimet e territoreve në Ukrainë

11 August 2025 at 14:41

BRUKSEL, 11 gusht /ATSH/- Ukraina dhe mbështetësit e saj evropianë këmbëngulin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia nuk mund të vendosin për shkëmbime tokash “pas shpine” gjatë samitit të planifikuar këtë javë, sipas AP.

Evropianët thanë se Moska nuk ka gjasa të heqë dorë nga kontrolli i tokës ukrainase.

Përpara samitit në Alaskë të premten, presidenti i SHBA-së, Donald Trump sugjeroi se një marrëveshje paqeje mund të përfshinte disa shkëmbime territoresh, por evropianët nuk shohin asnjë shenjë se Rusia mund të ofrojë diçka për shkëmbim. Evropianët dhe ukrainasit deri më tani nuk janë ftuar në samit.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen sot pas bisedimeve mbi Ukrainën midis këshilltarëve të sigurisë të SHBA-së dhe Evropës gjatë fundjavës.

Ministrat e BE-së besojnë se presidenti Vladimir Putin do të përpiqet të pretendojë një fitore politike duke e portretizuar Ukrainën si të paepur.

Shqetësimet janë rritur në Evropë dhe Ukrainë se Kievi mund të jetë nën presion për të hequr dorë nga toka ose për të pranuar kufizime të tjera të sovranitetit të tij.

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë kane hedhur poshtë idenë që Putini duhet të pretendojë çdo territor edhe para se të bjerë dakord për një armëpushim.

“Ndërsa punojmë drejt një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë, e drejta ndërkombëtare është e qartë: Të gjitha territoret e pushtuara përkohësisht i përkasin Ukrainës”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, në prag të takimit ministror.

“Një paqe e qëndrueshme do të thotë gjithashtu se agresioni nuk mund të shpërblehet”, tha Kallas.

Në vitin 2022, Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme rajonet Donetsk dhe Luhansk në lindje të Ukrainës, dhe Kherson dhe Zaporizhia në jug, edhe pse nuk i kontrollon plotësisht ato.

Ajo gjithashtu pushtoi Gadishullin e Krimesë, në vitin 2014. //a.i/

 

The post BRUKSEL – BE: Takimi Trump-Putin nuk mund të vendosë për shkëmbimet e territoreve në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Express”: Shqipëria, “Xhevahiri i Ballkanit” destinacioni më i mirë për një arratisje në bregdet

11 August 2025 at 14:30

LONDËR, 11 gusht /ATSH/- Maldivet janë një ëndërr për shumë pushues falë plazheve të tyre të pastra, ujërave të kaltra dhe temperaturave të ngrohta rreth 30 gradë Celsius, shkruan Anders Anglesey në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.

Shqipëria, e konsideruar shpesh si “Maldivet e Evropës” – falë plazheve të saj të pastra, ujërave kristalore dhe temperaturave që arrijnë në 30 gradë Celsius, është një destinacion shumë afër Britanisë së Madhe dhe tërheqëse për shumë turistë.

Ndërsa e gjejmë veten në kulmin e sezonit turistik – me hotele të rezervuara dhe bagazhe padyshim të paketuara, disa vizitorë mund të jenë duke kërkuar tashmë destinacionin e tyre të ardhshëm të udhëtimit.

Maldivet, padyshim që janë në lista të shumta dëshirash, për shkak të vijave bregdetare të pastra dhe ujërave të kaltra të oqeanit.

Megjithatë, çmimet e larta dhe kohëzgjatja e udhëtimit mund t’i dekurajojnë disa turistë nga arratisja e tyre në Oqeanin Indian.

“Booking.com” zbuloi se vitin e kaluar, turistët balancuan kufizimet buxhetore dhe dëshirat për pushime luksoze.

Platforma vuri në dukje se 62% e turistëve treguan se rritja e kostove të jetesës do të kufizonte shpenzimet e tyre të udhëtimit për vitin 2024.

“Booking.com” tha se 50% e pushuesve dëshironin të vizitonin një vend ku shpenzimet e jetesës ishin më të ulëta se në vendin e tyre të origjinës.

Vitin e kaluar, ekspertët e udhëtimeve të “Booking.com” sugjeruan që pushuesit mund të zgjidhnin plazhet magjepsëse dhe akomodimet mahnitëse buzë detit në Shqipëri.

Vendi ballkanik, i vendosur midis Malit të Zi dhe Greqisë, ofron pushime mesdhetare me një kosto shumë më të ulët krahasuar me destinacionet e tjera në rajon.

Në mënyrë specifike, “Booking.com” e përcaktoi qytetin bregdetar të Vlorës si një nga zgjedhjet e tyre kryesore për vitin 2025.

Xhevahiri i Ballkanit, Shqipëria është destinacioni më i mirë për një arratisje në plazh – falë ujërave të kristalta, maleve mbresëlënëse dhe përballueshmërisë për të gjithë turistët.

“E fshehur në jugperëndim – perla e Shqipërisë, Vlora – është pika e fillimit të Rivierës Shqiptare dhe një bazë e shkëlqyer për udhëtime rrugore për të eksploruar vijën bregdetare me diell.

Vlora është shtëpia e disa prej plazheve më të bukura të Shqipërisë, bregdeti i mahnitshëm u ofron vizitorëve plazhe të ngjashme me Maldivet.

Rreth 43% e turistëve britanikë kërkojnë pushime luksoze me më pak kosto.

Ndërsa nuk ofrohen ende fluturime direkte për në Vlorë, aeroporti më i afërt është afërsisht dy orë larg me makinë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Ekziston gjithashtu një mori fluturimesh me çmime të përballueshme që ju çojnë direkt nga Britania e Madhe në Shqipëri – sigurohuni që të eksploroni opsionet më të mira që i përshtaten nevojave tuaja.

Marrja me qira e një makine është një mundësi më e përshtatshme për të arritur në Vlorë pasi të mbërrini në Shqipëri.

Gjithashtu, shërbime transporti ofrohen nga autobusë që operojnë midis Aeroportit të Tiranës dhe Vlorës.

Por vizitorët që duan të eksplorojnë kryeqytetin, mund të marrin një autobus nga terminali i autobusëve në qendër të qytetit.

Për shkak të popullaritetit të saj, ka një mori opsionesh në dispozicion për turistët që dëshirojnë të qëndrojnë në Vlorë.

Qyteti i bukur bregdetar ofron akomodime që fillojnë nga 47,87 paund dhe hotele me pesë yje që fillojnë nga 189,06 paund nata. //a.i/

https://www.express.co.uk/travel/europe/2093038/vlore-albania-maldives-of-europe

 

 

 

 

The post “Express”: Shqipëria, “Xhevahiri i Ballkanit” destinacioni më i mirë për një arratisje në bregdet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌