Gjatë edicionit të 16-të të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar, u përmbyll me sukses iniciativa më e re profesionale Anibar Pro – Genesis.
Në këtë ngjarje të veçantë u duartrokit progresi dhe potenciali i talentëve të rinj në industrinë e animacionit.
Kjo nismë francezo-kosovare, e realizuar në bashkëpunim me Institutin Francez në Kosovë dhe e mbështetur nga Ministria Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe Ambasada Franceze në Kosovë, është kthyer në një shtyllë të rëndësishme të misionit të festivalit për fuqizimin e krijuesve të rinj dhe zhvillimin e industrive kreative në rajon.

Gjatë pesë ditëve të festivalit i cili mbajt në Pejë, 18 animatorë te rinj prezantuan konceptet e filmave të tyre para një audience ndërkombëtare të përbërë nga producentë, studio dhe mentorë, në kuadër të Genesis Pitching Sessions. Programi profesional përfshiu gjithashtu punëtori, panele diskutimi dhe aktivitete rrjetëzimi me fokus në ndërmarrësi, mentorim dhe tregim etik.
Drejtori Ekzekutiv i Anibar, Vullnet Sanaja, vlerësoi ndikimin e programit Genesis dhe ndau vizionin e tij për të ardhmen, duke theksuar se kjo iniciativë ishte vetëm faza e parë e një rruge të gjatë që do të vazhdojë me më shumë mundësi për zhvillim, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për krijuesit e rinj.
Momenti kulmor i ngjarjes erdhi kur anëtarët e jurisë – Olivier Catherin, Corinne Destombes dhe Manon Messiant, figura të njohura të animacionit evropian, shpallën dhjetë projektet e
përzgjedhura që do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre nën përkujdesje profesionale:
● Albana Hajdini – Stick With Me
● Alisa Fejza – Fading Echoes
● Bleona Brahimi – Inside the Box
● Diellza Franca – At Hana’s
● Erza Qorrolli – Engji
● Finesa Peja – Cice!
● Kaltrina Berisha – Imagine if You Can’t Imagine the Imaginable
● Leonita Thaqi – Liminal
● Rina Lasku – No More Dirt
● Yll Avdiu – As the Forest Whispers

Të përzgjedhur për origjinalitetin, vizionin dhe potencialin e tyre artistik, këta krijues të rinj do të përfitojnë nga mentorim i strukturuar, punëtori dhe masterklasa me producentë e ekspertë të animacionit. Secili prej tyre do të lidhet me një nga producentët që takuan gjatë Genesis, duke siguruar kështu udhëzim të vazhdueshëm për zhvillimin e mëtejshëm të projekteve të tyre.
Me përfundimin e edicionit të parë, Anibar Pro – Genesis është pozicionuar si një shtyllë e fuqishme në kuadër të festivalit. Më shumë se një platformë për përzgjedhje të projekteve, ky program shndërrohet në një inkubator të qëndrueshëm kreativ që ndërton ura mes animatorëve te rinjë në Kosovë dhe tregut ndërkombëtar.
Ndërsa perdet mbyllen për këtë edicion, një gjë është e qartë: zërat e këtyre të rinjve sapo kanë nisur të dëgjohen. Gjenerata e re e animatorëve është këtu, dhe e ardhmja e tyre duket premtuese.
The post Përzgjidhen projektet e dhjetë animatorëve të rinj – përfundon me sukses edicioni i parë i iniciativës Anibar Pro – Genesis appeared first on Telegrafi.