Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 July 2025Main stream

SOFT NEWS – Italia merr mbrapsht mozaikun antik të vjedhur gjatë L2B

21 July 2025 at 19:48

ROMË, 21 korrik  /ATSH – DPA/  – Një mozaik dymijëvjeçar, i cili ishte vjedhur nga një oficer nazist, është kthyer në Itali më shumë se 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Mozaiku do të vendoset në një ekspozitë në qytetin antik të Pompeit, pranë Napolit, i cili u mbulua nga hiri vullkanik në vitin 79 pas Krishtit, pas shpërthimit të Vezuvit, bëri të ditur drejtori i zonës arkeologjike, Gabriel Zuchtriegel.

“Çdo artefakt i vjedhur që kthehet është si një plagë që shërohet”, u shpreh Zuchtriegel.

Mozaiku i punuar me imtësi paraqet një burrë dhe një grua me veshje romake në një pozë intime në një dhomë gjumi.

Sipas muzeut, mozaiku ka të ngjarë të vijë nga rajoni rreth vullkanit Vezuv dhe mund të ketë zbukuruar dikur dyshemenë e një dhome gjumi. Mendohet se punimi  është krijuar në shekullin I para ose pas Krishtit.

Sipas forcës së karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, mozaiku ka përfunduar në mënyrë të paligjshme në zotërim të një anëtari të Wehrmacht-it gjatë pushtimit gjerman të Italisë.

Mozaiku u rikthye në Itali në shtator përmes konsullatës së Përgjithshme italiane në qytetin gjerman jugperëndimor të Shtutgartit.

Pas armëpushimit mes Italisë dhe forcave aleatëve në shtator 1943, Wehrmacht-i gjerman pushtoi pjesë të mëdha të vendit. Ky pushtim 20-mujor u shënua nga dhuna, ndërsa një numër i madh veprash arti dhe objektesh kulturore u zhdukën nga koleksionet publike apo vendet arkeologjike. /Ad.Ab./

 

The post SOFT NEWS – Italia merr mbrapsht mozaikun antik të vjedhur gjatë L2B appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – BM, Franca dhe 23 vende të tjera deklaratë të përbashkët për përfundimin e luftës në Gazë

21 July 2025 at 18:45

LONDËR, 21 korrik /ATSH/ – Një grup prej 25 vendesh, përfshirë Britaninë e Madhe , Francën dhe disa vende të tjera evropiane, publikuan sot një deklaratë të përbashkët që rrit presionin ndaj Izraelit, duke thënë se lufta në Gaza “duhet të përfundojë tani”, sipas AP.

Ministrat e Jashtëm të vendeve si Australia, Kanadaja dhe Japonia thanë se “vuajtjet e civilëve në Gaza kanë arritur intensitete të reja”.

Ata dënuan “ndihmën me pikatore me dhe vrasjet çnjerëzore të civilëve, përfshirë fëmijët, që përpiqen të plotësojnë nevojat më bazike për ujë dhe ushqim”.

Deklarata e përshkroi si “tronditëse” vdekjen e më shumë se 800 palestinezëve që po kërkonin ndihma, sipas të dhënave të publikuara nga ministria e Shëndetësisë në Gaza dhe zyra për të Drejtat e Njeriut e OKB-së.

“Modeli i shpërndarjes së ndihmave nga qeveria izraelite është i rrezikshëm, nxit pasiguri dhe i mohon dinjitetin njerëzor popullsisë së Gazës”, thuhet në deklaratë.

“Mohimi i ndihmës thelbësore humanitare për popullsinë civile nga ana e qeverisë izraelite është i papranueshëm. Izraeli duhet të përmbushë detyrimet e tij sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare”, shton  më tej deklarata.

Popullsia e Gazës, prej më shumë se 2 milionë palestinezësh, përballet me një krizë humanitare katastrofike dhe mbështetet pothuajse tërësisht në ndihmën e kufizuar që lejohet të hyjë në territor.

Shumë njerëz janë zhvendosur disa herë gjatë këtij konflikti. /Ad.Ab./

The post FOKUS – BM, Franca dhe 23 vende të tjera deklaratë të përbashkët për përfundimin e luftës në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Bisedat private të Albert Einstein botohen si libër

21 July 2025 at 18:18

BERLIN, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Regjistrimet e marra në vitet e fundit të jetës së Albert Einstein po botohen si libër, rreth 20 vjet pasi u zbuluan, si transkriptime të bisedave telefonike që fizikanti i zhvilloi midis viteve 1953 dhe 1955, njoftoi sot shtëpia botuese “Heyne Verlag”.

Regjistrimet janë bërë nga Johanna Fantova, e cila konsiderohet si mikesha e ngushtë e Einstein-it. Ato përshkruajnë ngjarjet nga një vit e gjysmë para vdekjes së shkencëtarit në moshën 76-vjeçare.

Einstein (1879-1955), i cili u arratis nga Gjermania naziste drejt Shteteve të Bashkuara  të Amerikës në vitin 1933, thuhet se i ndante momentet e tij në mërgim me Fantovën përmes telefonit. Fantova, e cila e kishte takuar fillimisht në Gjermani dhe më pas ishte shpërngulur edhe ajo në SHBA, i ka transkriptuar bisedat me miratimin e tij, sipas botuesit.

Manuskripti 62-faqësh në gjuhën gjermane u zbulua rastësisht në vitin 2004 në bibliotekën “Firestone “të Universitetit Princeton, ku Fantova  punonte si kuratore. Materialet kishin qëndruar të paarkivuara për një kohë të gjatë.

Tani, këto shënime ditari do të botohen për herë të parë në një edicion të komentuar me zbulime shtesë më 24 shtator. Titulli i librit nga Peter von Becker është: “Jam një magnet për të gjithë maniakët. transkriptet e Einsteinit, jeta e tij, dashuria e fundit, trashëgimia e tij”.

Në këtë ditar, Einsteini, I cili revolucionarizoi fizikën me “Teorinë e Relativitetit “ ndan mendimet e tij për politikën, shkencën, jetën e përditshme dhe dashurinë. /Ad.Ab./

The post SOFT NEWS – Bisedat private të Albert Einstein botohen si libër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Erdogan: Ka përparim në shitjen e avionëve “Eurofighter” për vendin

21 July 2025 at 17:33

STAMBOLL, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi sot se ka pasur përparim në bisedimet për shitjen e avionëve luftarakë “Eurofighter” për Turqinë.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Anadolu”, Erdogan tha se si “Gjermania ashtu edhe Turqia kanë një qëndrim pozitiv për këtë çështje. “Jam i bindur se do t’i marrim avionët shumë shpejt”, u shpreh ai gjatë kthimit nga një vizitë në Qipro.

Turqia ka shprehur dëshirën për të blerë 40 avionë luftarakë “Eurofighter”. Megjithatë, për shkak se Gjermania është pjesë e projektit të përbashkët evropian që prodhon këta avionë, eksporti i tyre nuk mund të realizohet pa miratimin e qeverisë gjermane.

Gjatë një vizite të enjten e kaluar në Britaninë e Madhe, kancelari gjerman Friedrich Merz u shpreh se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, por  ai tha se “jemi në rrugën drejt një vendimi të mirë që mundëson edhe miratimin përkatës të eksportit”. /Ad.Ab./

 

The post TURQI – Erdogan: Ka përparim në shitjen e avionëve “Eurofighter” për vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Kremlini nuk e përjashton një takim mes Putinit dhe Trumpit në shtator

21 July 2025 at 16:49

MOSKË, 21 korrik /ATSH/ – Kremlini deklaroi sot se nuk e përjashton mundësinë e një takimi mes presidentit Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump, nëse të dy liderët ndodhen në të njëjtën kohë në Pekin në muajin shtator, sipas “Reuters”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se Putin do të vizitojë Kinën për të marrë pjesë në aktivitetet që shënojnë 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, por tha se Moska nuk ka ende dijeni  nëse Trump planifikon të shkojë në kryeqytein kinez

“E dini që po përgatitemi për një udhëtim në Pekin, presidenti ynë po përgatitet për këtë udhëtim. Por nuk kemi dijeni  nëse presidenti Trump do të shkojë atje, në Pekin”,  tha Peskov kur u pyet nëse dy liderët mund të takohen, përfshirë mundësinë e një formati trepalësh me presidentin kinez Xi Jinping.

“Nëse ndodh që (Trump) të jetë atje, atëherë, sigurisht, nuk mund të përjashtohet që të shtrohet çështja për arsyeshmërinë e mbajtjes së një takimi” u tha Peskov gazetarëve.

Gazeta “The Times” njoftoi javën e kaluar se Kina po përpiqet të organizojë një samit mes  të dy presidentëve, Trump dhe Putin. /Ad.Ab./

The post RUSI – Kremlini nuk e përjashton një takim mes Putinit dhe Trumpit në shtator appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 20 July 2025Main stream

SOFT NEWS – A është ndërtuar nga njerëzit piramida më e vjetër në botë?

20 July 2025 at 07:34

KARDIF, 20 korrik /ATSH/ – Ndërkohë që Guinnes rendit zyrtarisht piramidën me shkallë të Djoserit në Egjipt (rreth vitit 2 630 para Krishtit) si piramidën më të vjetër në botë, një studim i publikuar disa kohë më parë  pretendon se një shtresë e piramidës Gunung Padang në Indonezi është ndërtuar 25 000 vite para Krishtit, edhe pse më vonë janë ngritur dyshime nëse struktura është ndërtuar nga njeriu, sipas revistës ”Archaeological Prospection”.

Në një studim të udhëhequr nga Danny Hilman Natawidjaja nga Instituti Indonezian i Shkencave dhe i publikuar në revistën ”Archaeological Prospection”,  thuhet se ”bërthama e piramidës përbëhet nga shkëmb andezit i punuar me përpikëri” dhe se ”ndërtimi më i hershëm i saj ka të ngjarë të ketë filluar si një kodër vullkanike natyrore e më pas është skalitur dhe ndërtuar arkitektonikisht përreth saj”.

”Ky studim hedh dritë mbi aftësi të avancuara të ndërtimit që datojnë që nga periudha e fundit akullnajore. Ky zbulim sfidon besimin tradicional se qytetërimi njerëzor dhe teknikat e avancuara të ndërtimit nisën vetëm me shfaqjen e bujqësisë rreth 11 000 vite më parë”, shkruhet në revistë.

Studiuesit gjithashtu pretendojnë se ndërtuesit “duhet të kenë pasur aftësi të jashtëzakonshme ndërtimi”, por një arkeolog britanik ka hedhur poshtë studimin, duke thënë se është “i befasuar që është ndërtuar në këtë formë”.

Flint Dibble nga Universiteti i Cardiff-it i tha revistës ”Nature” se nuk ka prova të qarta që shtresat e varrosura janë ndërtuar nga njerëzit.

“Materialet që rrëshqasin nga kodrat kanë tendencë të orientohen natyrshëm,” tha ai, duke shtuar se nuk ka prova për punim apo ndonjë gjurmë që të tregojë se janë të krijuara nga njeriu.

Ndërkohë, Bill Farley, arkeolog në Southern Connecticut State University, tha se kampionët e dheut 27 000-vjeçar të marrë në Gunung Padang, ndonëse të datuar saktë, nuk përmbajnë gjurmë të aktivitetit njerëzor, siç janë qymyr druri ose fragmente kockash.

“Jemi shumë të hapur për studiues nga e gjithë bota që dëshirojnë të vijnë në Indonezi dhe të zhvillojnë një program kërkimor në Gunung Padang”, iu përgjigj kritikave Natawidjaja.

Ndërkohë, bashkëredaktori i revistës “Archaeological Prospection” ka konfirmuar se është hapur një hetim mbi publikimin e këtij studimi./   /Ad.Ab./

 

The post SOFT NEWS – A është ndërtuar nga njerëzit piramida më e vjetër në botë? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

SEUL – Akuza të reja ndaj ish-presidentit Yoon Suk Yeol

19 July 2025 at 14:09

SEUL, 19 korrik  /ATSH-DPA/ – Një ekip prokurorësh të posaçëm ka akuzuar ish-presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol për shpërdorim të autoritetit zyrtar, njoftoi sot Yonhap News.

Kjo është aktakuza e tretë ndaj Yoon-it, pas atyre të ngritura në janar dhe mars, në lidhje me shpalljen e ligjit të luftës, më 3 dhjetor, që shkaktoi krizën më të rëndë politike në dekada për vendin.

Sipas agjencisë, Yoon akuzohet se ka shkelur të drejtat e anëtarëve të kabinetit, ka hartuar me efekt prapaveprues shpalljen e ligjit të luftës, ka urdhëruar fshirjen e të dhënave nga telefonat e kriptuar si dhe vepra të tjera.

Ndaj tij rëndon gjithashtu akuza për tradhti ndaj shtetit, për të cilën ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor.

Javën e kaluar, një gjykatë në Seul rinovoi urdhrin e paraburgimit, duke përmendur rrezikun që Yoon të shkatërrojë prova nëse lirohet.

Ai do të qëndrojë në burg derisa të jepet vendimi përfundimtar.

Ish-presidenti i ka mohuar të gjitha akuzat./   /Ad.Ab./

The post SEUL – Akuza të reja ndaj ish-presidentit Yoon Suk Yeol appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – Trupat qeveritare dislokohen në Sweida, pas dhunës së përgjakshme

19 July 2025 at 13:23

DAMASK, 19 korrik /ATSH-DPA/ – Forcat qeveritare siriane nisën sot dislokimin e tyre në provincën jugore të Sweidas, pas disa ditësh dhune të përgjakshme sektare, bëri të ditur një zyrtar.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Nour al-Din al-Baba tha se kjo kishte për qëllim mbrojtjen e popullsisë civile.

“Forcat e sigurisë do të përdorin të gjitha kapacitetet e tyre për të ndalur sulmet, përleshjet dhe për të rikthyer stabilitetin në provincë”, shtoi ai, sipas televizionit shtetëror sirian “al-Ekhbariya”.

Sweida është përfshirë nga përleshje të ashpra mes fraksioneve druze dhe beduinëve sunitë, me raportime për mizori ndaj civilëve.

Presidenca siriane shpalli sot një armëpushim “të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës” në Sweida.

Në një deklaratë, presidenca u bëri thirrje të gjitha palëve që të angazhohen plotësisht ndaj armëpushimit dhe të ndalin menjëherë luftimet në të gjithë provincën me shumicë druze.

Gjithashtu, u konfirmua se forcat e sigurisë kanë nisur vendosjen në disa zona të provincës për të siguruar zbatimin e armëpushimit.

“Presidenca u bën thirrje të gjithëve të hapin rrugën për shtetin sirian dhe institucionet e tij që të zbatojnë këtë ndalim të përleshjeve me përgjegjësi, në mënyrë që të forcohet stabiliteti dhe të ndalet gjakderdhja”, thuhej më tej në deklaratë./   /Ad.Ab./

The post SIRI – Trupat qeveritare dislokohen në Sweida, pas dhunës së përgjakshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Mattarella & Meloni: Italia nuk do ta harrojë kurrë Borsellinon

19 July 2025 at 12:34

ROMË, 19 korrik /ATSH-ANSA/ – Masakra e Via D’Amelio ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë italiane dhe vdekja e Paolo Borsellinos dhe e punonjësve të tij të sigurisë u urdhërua nga mafia për të minuar institucionet demokratike dhe për të vazhduar në mënyrë subversive planin e frikësimit, deklaroi sot presidenti italian, Sergio Mattarella.

“Demokracia ishte më e fortë. Vrasësit dhe nxitësit e tyre u mundën dhe u dënuan. Në këtë ditë përkujtimi, emocioni për jetët e humbura mizorisht dhe afërsia me familjet e viktimave mbetet po aq intensive sa 33 vite më parë. Ndjenja e mirënjohjes ndaj atyre shërbëtorëve të shtetit që, me përkushtim dhe sakrificë, luftuan kancerin e mafias, duke mbrojtur lirinë dhe ligjshmërinë, duke i mundësuar shoqërisë të përgjigjet, është e përjetshme’’, theksoi ai.

“Tridhjetë e tre vjet pas masakrës së Via D’Amelio, ne kujtojmë Paolo Borsellinon, një njeri që sakrifikoi jetën e tij për të vërtetën, për drejtësinë, për Italinë’’, shkroi në X kryeministrja italiane, Giorgia Meloni duke theksuar se si kjo kujtesë do të çohet përpara çdo ditë.

“Shembulli i tij jeton tek ata që çdo ditë, shpesh larg vëmendjes, luftojnë për një Itali më të drejtë, të lirë nga mafia, nga korrupsioni, nga frika. Nuk ka liri pa drejtësi, nuk ka shtet pa ligjshmëri’’, shtoi ajo.

“Shumë magjistratëve, oficerëve të zbatimit të ligjit dhe shërbëtorëve të shtetit që zgjodhën guximin, madje edhe me koston e jetës së tyre, u detyrohemi mirënjohje dhe respekt. Ata kanë hapur një shteg që nuk mund të harrohet. Kjo dëshmi është ende e fortë. Dhe ne do ta çojmë përpara çdo ditë, me respekt, me vendosmëri, me dashuri për kombin tonë. Në kujtim të Paolo Borsellinos dhe të atyre që nuk e ulën kurrë kokën”, përfundon Meloni./ /Ad.Ab/

The post FOKUS – Mattarella & Meloni: Italia nuk do ta harrojë kurrë Borsellinon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Zelensky: Rusia kreu mbi 300 sulme ajrore gjatë natës

19 July 2025 at 11:37

KIEV, 19 korrik  /ATSH-DPA/ – Forcat ruse kanë kryer më shumë se 300 sulme me dronë dhe mbi 30 sulme me raketa ndaj qyteteve ukrainase gjatë natës, bëri të ditur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Telegram.

Zelensky publikoi foto që tregonin dëmet në një bllok banimi në Odessa, pranë Detit të Zi, ku sipas raportimeve zyrtare, një person ka humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur.

Sipas tij, rajonet Dnipropetrovsk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhia janë goditur nga sulmet, ndërsa infrastruktura kritike është shkatërruar në Sumy, duke lënë mijëra familje pa energji elektrike.

“Në qiell ka ende dronë”, tha Zelensky, duke shtuar se mbrojtja ajrore ukrainase po i rrëzon dhe se shërbimet emergjente janë në veprim.

Në qytetin Pavlohrad të rajonit Dnipropetrovsk, një bllok banimi dhe objekte infrastrukturore të rëndësishme janë dëmtuar rëndë. Zelensky e përshkroi situatën si shumë të rëndë.

Guvernatori ushtarak rajonal Serhiy Lysak e quajti një “natë ferri” dhe tha se ishte sulmi më i rëndë deri më tani ndaj qytetit, i cili ndodhet në lindje të Dnipro-s.

“Një shpërthim pas tjetrit. Terroristët rusë sulmuan me raketa dhe dronë”, shkroi ai në Telegram.

Numri i sulmeve ishte ndjeshëm më i lartë se ditët e fundit, ndërsa Moska nuk u ndikua aspak nga një raund i ri sanksionesh të Bashkimit Evropian të miratuara të premten.

Zelensky përsëriti thirrjen e tij ndaj aleatëve të Ukrainës për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore.

Ai theksoi nevojën për objekte për prodhimin e përbashkët të armëve, investime në prodhimin e dronëve dhe furnizimin me sisteme mbrojtëse ajrore.

“Të gjitha këto do të shpëtojnë jetë dhe janë veçanërisht të nevojshme për Ukrainën tani”, shtoi ai.

Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt 2022./ /Ad.Ab./

The post UKRAINË – Zelensky: Rusia kreu mbi 300 sulme ajrore gjatë natës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Kundërshtohet në masë ndalimi i partisë së ekstremit të djathtë AfD

19 July 2025 at 10:57

BERLIN, 19 korrik /ATSH-DPA/ – Gjermanët kundërshtojnë gjerësisht ndalimin e partisë së djathtë ekstreme ”Alternativa për Gjermaninë” (AfD) me një shumicë prej 52% kundër dhe vetëm 27% në favor, sipas një sondazhi të ri përfaqësues të publikuar sot nga instituti i sondazheve ”Allensbach”.

Sipas studiuesve, arsyet për këtë kundërshtim janë të ndryshme.

Thirrjet për të nisur procedurat për ndalimin e partisë u shtuan pasi shërbimi federal i zbulimit të brendshë federale e klasifikoi AfD-në si një “organizatë të konfirmuar ekstremiste të djathtë”, çka i jep më shumë kompetenca për ta monitoruar atë.

Megjithatë, ky klasifikim është pezulluar përkohësisht, pasi AfD-ja e ka çuar çështjen në gjykatë.

Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë është autoriteti përfundimtar në çdo vendim për ndalimin e një partie. Një kërkesë për ndalim mund të bëhet vetëm nga qeveria federale ose nga njëra prej dy dhomave të parlamentit.

AfD-ja, e njohur për retorikën e saj kundër emigrantëve, kundër myslimanëve, euroskeptike dhe nacionaliste, ka qenë një pikë përplasjesh në politikën gjermane për më shumë se një dekadë.

Në vitet e fundit, ajo ka fituar terren duke përfituar nga pakënaqësitë ekonomike dhe shqetësimet publike në rritje për emigracionin, dhe është tashmë partia më e madhe opozitare në Gjermani./   /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Kundërshtohet në masë ndalimi i partisë së ekstremit të djathtë AfD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Barrack: Siria dhe Izraeli kanë rënë dakord për armëpushim

19 July 2025 at 09:26

UASHINGTON, 19 korrik /ATSH-DPA/ – Siria dhe Izraeli kanë rënë dakord për një armëpushim, sipas të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Sirinë, Thomas Barrack.

Përplasjet mes beduinëve sunitë dhe komunitetit druz janë përshkallëzuar në ditët e fundit, kryesisht në qytetin Suvejda, ku shumica e popullsisë është druze.

Ushtria siriane është vendosur në zonë dhe mbi 500 persona kanë humbur jetën nga dhuna.

Izraeli ndërmori të mërkurën sulme ajrore ndaj disa objektiva ve në Damask, duke deklaruar se qëllimi ishte mbrojtja e pakicës druze, të cilët i cilësoi si aleatë.

Shumë pjesëtarë të komunitetit druz shërbejnë vullnetarisht në ushtrinë izraelite.

Barrack tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti sirian Ahmed al-Sharaa, me mbështetjen e sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio, kishin rënë dakord për një armëpushim që është “përqafuar” nga Turqia, Jordania dhe vendet fqinje.

“U bëjmë thirrje druzëve, beduinëve dhe sunitëve të ulin armët dhe, së bashku me pakicat e tjera, të ndërtojnë një identitet të ri dhe të bashkuar sirian, duke ndërtuar paqe dhe mirëqenie me fqinjët e tyre”, tha Barrack./   /Ad.Ab./

 

The post SHBA – Barrack: Siria dhe Izraeli kanë rënë dakord për armëpushim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump padit WSJ-në në lëvizjen më të fundit ligjore kundër medias amerikane

19 July 2025 at 09:12

UASHINGTON, 19 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump paditi dje në mbrëmje gazetën ”Wall Street Journal” (WSJ) për një artikull që ajo publikoi lidhur me një letër të dyshuar nga Trump drejtuar të dënuarit për sulme seksuale, Jeffrey Epstein.

WSJ raportoi se një letër me firmën e Trump ndodhej në një album që Epstein kishte marrë në 50-vjetorin e tij, në vitin 2003.

Sipas WSJ, letra ishte shtypur brenda konturit të një gruaje të zhveshur.

Trump e quajti artikullin e gazetës ”të pavërtetë, dashakeq dhe shpifës”, në një postim në rrjetin e tij social.

Padia, e ngritur kundër botuesit të WSJ, Dow Jones, kompanisë mëmë “News Corp”, pronarit Rupert Murdoch, drejtorit ekzekutiv Robert Thomson dhe dy gazetarëve, kërkon të paktën 10 miliardë dollarë dëmshpërblim.

“Kjo padi është ngritur… në emër të të gjithë amerikanëve që nuk do të tolerojnë më abuzimet e mediave të rreme”, shkroi Trump.

Trump sulmon shpesh median dhe ka ndërmarrë më parë veprime ligjore ndaj saj./   /Ad.Ab./

The post SHBA – Trump padit WSJ-në në lëvizjen më të fundit ligjore kundër medias amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Policia arreston një libian të dyshuar për krime lufte

18 July 2025 at 15:55

POTSDAM, 18 korrik /ATSH-DPA/ – Policia federale në Gjermani ka arrestuar një shtetas libian, i cili kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë.

”I dyshuari u ndalua në aeroportin e Berlin Brandenburgut pas një kërkese nga Gjykata Ndërkombëtare Penale”, tha  sot një zëdhënës i zyrës së prokurorit Publik të Brandenburgut.

Gjykata në Hagë konfirmoi arrestimin.

Khaled Mohamed Ali El Hishri dyshohet për krime të rënda lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, tortura dhe përdhunim.

Gjykata tha se Ali dyshohet se ka qenë anëtar i administratës së burgut ”Mitiga”, ku, sipas aktakuzës, mbaheshin mijëra të burgosur.

Ai ka keqtrajtuar personalisht të burgosurit midis viteve 2015 dhe 2020 ose se ka dhënë urdhra për ta bërë këtë.

I dyshuari  aktualisht ndodhet  ende në Gjermani dhe do të transferohet në Gjykatën e Hagës./  /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Policia arreston një libian të dyshuar për krime lufte appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – DASH u kërkon ambasadave amerikane të frenojnë komentet ndaj zgjedhjeve në vendet e huaja

18 July 2025 at 14:00

UASHINGTON, 18 korrik /ATSH/ – Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) po tërhiqet nga komentet apo kritikat për zgjedhje të ndryshme jashtë SHBA-së, përveç se kur ka një interes të qartë dhe bindës të politikës së jashtme amerikane për ta bërë këtë, sipas AP.

Në udhëzimet e reja të lëshuara dje në mbrëmje për të gjitha ambasadat dhe konsullatat e SHBA-së jashtë vendit, DASH-i tha se këto zyra duhet të përmbahen nga lëshimi i deklaratave që përmendin ndonjë ideologji të veçantë dhe se ajo që mund të thonë duhet të jetë në përputhje me qëndrimin e deklaruar të presidentit Donald Trump se ”SHBA-ja do të respektojë sovranitetin e të gjitha kombeve të huaja”.

“Në përputhje me theksin e administratës mbi sovranitetin kombëtar, departamenti do të komentojë publikisht mbi zgjedhjet vetëm kur ka një interes të qartë dhe bindës të politikës së jashtme të SHBA-së për ta bërë këtë”, sipas kabllogramit, një kopje e të cilit u pa nga Associated Press.

Për shume dekada, Departamenti i Shtetit ka lëshuar deklarata shumë kritike ose ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve të caktuara, veçanërisht në vendet autoritare.

Kjo po ndryshon, pasi administrata Trump ka theksuar një qasje të politikës së jashtme “Amerika e para” të përqendruar në interesat e SHBA-së.

”Kur është e përshtatshme të komentojmë për zgjedhjet e huaja, mesazhi ynë duhet të jetë i shkurtër, i përqendruar në përgëzimin e kandidatit fitues dhe, kur është e përshtatshme, në shënimin e interesave të përbashkëta të politikës së jashtme”, thuhej në kabllogram.

Në dokument, i cili u nënshkrua nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe u raportua për herë të parë nga ”Wall Street Journal”, theksohej se ”mesazhet duhet të shmangin shprehjen e mendimeve mbi drejtësinë ose integritetin e një procesi zgjedhor, legjitimitetin e tij ose vlerat demokratike të vendit në fjalë”.

Në të kaluarën, komentet amerikane që vinin në pikëpyetje ose kritikonin zgjedhjet brenda vendit shpesh kanë mbështetur gjetjet nga grupe të ndryshme të monitorimit të zgjedhjeve, të tilla si Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ose institucione me bazë në SHBA si qendra ”Carter”, Instituti Kombëtar Demokrat dhe Instituti Ndërkombëtar Republikan.

Kabllogrami i Departamentit të Shtetit tha se amplifikimi i gjetjeve të grupeve të jashtme ose denoncimi i parregullsive zgjedhore mund të bëhet vetëm me lejen e zyrtarëve të lartë në Uashington./   /Ad.Ab./

The post SHBA – DASH u kërkon ambasadave amerikane të frenojnë komentet ndaj zgjedhjeve në vendet e huaja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Merz: Duhet ta pranojmë Brexit-in, pavarësisht dëshirave

18 July 2025 at 13:44

LONDËR, 18 korrik /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi se do të kishte votuar ”jo” në referendumin e Brexit-it nëse do të ishte britanik, por, sipas tij, duhet ta pranojmë që Britania e Madhe nuk është më pjesë e Bashkimit Evropian.

Merz nënshkroi dje një marrëveshje me BM-në e cila premton të ”forcojë sigurinë euroatlantike” dhe gjithashtu mund të lirojë vizitat e shkëmbimit të shkollave dhe portat elektronike të pasaportave.

Marrëveshja, që do të njihet si Traktati i Kensington-it, u nënshkrua me kryeministrin britanik Keir Starmer në muzeun V&A në Londër, dhe u nënshkrua gjithashtu nga sekretari i Jashtëm David Lammy dhe homologu i tij gjerman, Johann Wadephul.

Berlini ra dakord vitin e kaluar ta bënte lehtësimin e kontrabandës së emigrantëve në BM një vepër penale në një veprim që do t’u japë zbatuesve të ligjit më shumë kompetenca për të hetuar furnizimin dhe ruajtjen e anijeve të vogla që do të përdoren për kalimet e kanalit te La Manshit.

”Propozimet që do të nënkuptojnë sekuestrimin e anijeve të vogla janë një shenjë e qartë se ne jemi seriozë”, tha Starmer.

I pyetur nëse i mungon Britania e Madhe në zemër të BE-së, Merz i tha programit “Today” të BBC Radio 4 se “po. Ne kishim të njëjtat mendime në kaq shumë çështje politike, dhe nëse do të isha një britanik, një qytetar britanik, do të kisha votuar për të qëndruar”.

“Por kjo ka ndodhur tani dhe ne duhet ta pranojmë këtë. Ne duhet të punojmë për këtë, dhe kjo është një nga arsyet pse jam këtu sot për të nënshkruar këtë traktat me BM-në dhe Gjermaninë mbi miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë”, shtoi Merz./  /Ad.Ab./

The post BM – Merz: Duhet ta pranojmë Brexit-in, pavarësisht dëshirave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SKOCI – Trump në vizitë zyrtare, sërish takim me Starmer

18 July 2025 at 12:21

UASHINGTON, 18 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të udhëtojë në Skoci javën e ardhshme, konfirmuan zyrtarë në Uashington.

”Trump pritet të shkojë në Turnberry  dhe Aberdeen nga 25 deri më 29 korrik”, tha zëdhënësja e tij Karoline Leavitt.

“Gjatë vizitës, presidenti Trump do të takohet përsëri me kryeministrin Keir Starmer për të rafinuar marrëveshjen tregtare që u ndërmjetësua mes Shteteve të Bashkuara  të  Amerikës dhe Britanisë së Madhe”, shtoi Leavitt.

Marrëveshja me BM-në  ishte e para me një partner të madh tregtar që nga vendosja gjithëpërfshirëse e tarifave nga Trump në fillim të prillit dhe mbetet një nga të paktat deri më sot.

Leavitt konfirmoi gjithashtu udhëtimin e Trump të njoftuar më parë në BM nga 17 deri më 19 shtator.

”Gruaja e tij, Melania do ta shoqërojë atë në këtë vizitë të dytë shtetërore vërtet të pashembullt”, shtoi ajo.

”Presidenti amerikan është i nderuar dhe mezi pret të takohet me mbretin Charles III në Windsor”, tha Leavitt.

Gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë, në fund të shkurtit, Starmer i paraqiti Trump një ftesë nga mbreti Charles III për një vizitë shtetërore./  /Ad.Ab./

The post SKOCI – Trump në vizitë zyrtare, sërish takim me Starmer appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Sanksionet e reja kundër Rusisë të mirëpritura

18 July 2025 at 11:40

KIEV, 18 korrik /ATSH-ANSA-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mirëpriti paketën e 18-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë duke e quajtur atë “një vendim thelbësor dhe në kohë, veçanërisht tani që Rusia ka përshkallëzuar brutalitetin e sulmeve të saj ndaj qyteteve dhe fshatrave tona”.

“Do të doja të shprehja mirënjohjen time për presidenten e Komisionit, Ursula von der Leyen dhe të gjithë udhëheqësit e shteteve anëtare të BE-së për unitetin dhe qëndrimin e tyre parimor”, shkroi ai në X.

Zelensky falënderoi gjithashtu presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe “Danimarkën për një fillim vërtet pozitiv të presidencës së saj të BE-së”.

Shtetet anëtare të BE-së kanë rënë dakord për një paketë të 18-të sanksionesh që synon Rusinë, pas pushtimit të Ukrainës, thanë sot disa diplomatë.

Paketa e sanksioneve synon sektorët financiarë dhe të energjisë të Rusisë dhe vjen në përgjigje të refuzimit të presidentit Vladimir Putin për të rënë dakord për një armëpushim pa kushte në Ukrainë.

Sllovakia e kishte bllokuar paketën, duke përmendur shqetësime në lidhje me importet e saj të gazit. Dje, kryeministri Robert Fico tha se kishte udhëzuar përfaqësuesit e Sllovakisë të miratonin masat.

Sllovakia, e cila më parë kishte bllokuar miratimin e kësaj pakete të re sanksionesh, e 18-ta që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, më në fund pranoi të hiqte veton e saj pasi mori garanci./ /Ad.Ab./

The post KIEV – Zelensky: Sanksionet e reja kundër Rusisë të mirëpritura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump kërkon publikimin e dëshmisë së jurisë së madhe lidhur me rastin Epstein

18 July 2025 at 09:50

UASHINGTON, 18 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump tha mbrëmë se i ka udhëzuar Prokurores së Përgjithshme të SHBA-së, Pam Bondi të paraqesë dëshmi “relevante” të lidhura me rastin e autorit të dënuar të krimit seksual Jeffrey Epstein.

“Bazuar në sasinë qesharake të publicitetit që i është dhënë Jeffrey Epstein, i kam kërkuar Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi të paraqesë çdo dëshmi relevante të Jurisë së Madhe, në varësi të miratimit të Gjykatës”, shkroi Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social.

“Ky mashtrin, i përjetësuar nga demokratët, duhet të marrë fund, menjëherë!”, tha ai .

Pak çaste më vonë, Bondi u përgjigj në X, duke shkruar se Departamenti i Drejtësisë ishte “gati të dërgonte gjykatën nesër për të zbuluar transkriptet e jurisë së madhe”.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore presidenciale vitin e kaluar, Trump premtoi të publikonte dosjet që lidhen me financierin e turpëruar, i cili vdiq në vitin 2019 në një qeli burgu në Nju Jork në atë që zyrtarisht u etiketua si vetëvrasje.

Sidomos në qarqet e krahut të djathtë të shoqërisë amerikane, vdekja e Epstein çoi në spekulime të egra pavarësisht gjetjeve zyrtare, sepse financieri kishte kontakte të shkëlqyera në shoqërinë e lartë amerikane.

Javën e kaluar, FBI-ja riafirmoi se vdekja e Epstein ishte vetëvrasje dhe tha se nuk kishte prova që implikonin individë të tjerë të profilit të lartë ose që tregonin një “listë” klientësh të fuqishëm./   /Ad.Ab./

The post SHBA – Trump kërkon publikimin e dëshmisë së jurisë së madhe lidhur me rastin Epstein appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAMASK – Al Sharaa: Siria nuk do të bjerë në kurthin e përfshirje në luftë

17 July 2025 at 16:09

DAMASK, 17 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa akuzoi sot Izraelin se po përpiqej ta përfshinte Sirinë në luftë dhe theksoi se vendi i tij nuk do të binte në këtë kurth.

“Ne, populli i Sirisë, e dimë shumë mirë se kush po përpiqet të na fusë në luftë dhe kush po punon për të na përçarë”, tha al-Sharaa në një fjalim të transmetuar në televizionin kombëtar.

“Nuk do t’u japim atyre mundësinë të ngatërrojnë popullin tonë në një luftë që shërben vetëm për të copëtuar atdheun tonë dhe për të mbjellë shkatërrim”, shtoi ai.

Al-Sharaa fajësoi Izraelin për shfrytëzimin e paqëndrueshmërisë pas ndryshimit të regjimit, duke e akuzuar atë për goditje të infrastrukturës civile dhe për përpjekjen për të penguar   rindërtimin në vend.

“Vetëm pushteti nuk garanton fitoren dhe ndezja e një lufte nuk është e njëjtë me kontrollin e rezultatit të saj. Ne jemi më të fortë se çdo përpjekje për të na copëtuar”, theksoi Al-Sharaa.

Duke iu drejtuar trazirave të brendshme në provincën jugore të Sweidës, al-Sharaa tha se qeveria kishte ndërhyrë për t’i dhënë fund përleshjeve të armatosura midis grupeve lokale.

Përleshjet midis beduinëve sunitë dhe civilëve druzë janë përshkallëzuar ditët e fundit, të përqendruara në qytetin me shumicë druze, Sweida, me trupa qeveritare siriane të vendosura në zonë.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha  dje se numri i të vdekurve nga dhuna ishte rritur në 360.

Al-Sharaa fajësoi “fraksionet e jashtëligjshme” për refuzimin e dialogut dhe nxitjen e çrregullimeve, ndërsa akuzoi Izraelin për shfrytëzimin e trazirave përmes sulmeve ndaj infrastrukturës civile për të penguar përpjekjet e paqes.

Ai gjithashtu riafirmoi vendin e komunitetit druz në shoqërinë siriane, duke nënvizuar angazhimin e shtetit për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre, dhe paralajmëroi kundër përpjekjeve për ta përfshirë atë në agjendat e huaja./  /Ad.Ab./

The post DAMASK – Al Sharaa: Siria nuk do të bjerë në kurthin e përfshirje në luftë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌