STOKHOLM, 29 korrik /ATSH/- Negociatorët tregtarë kinezë dhe amerikanë përfunduan sot takimin e tyre dyditor në Stokholm – pa një rezolutë për të parandaluar rritjen e tarifave në nivele ultra të larta që formuan një bllokadë efektive në tregtinë midis dy ekonomive më të mëdha në botë, sipas CNN.
Por këshilltarët tregtarë të Trump dhe homologët e tyre kinezë shprehën një notë optimiste.
Pa një marrëveshje, SHBA-ja dhe Kina janë gati të vendosin sërish tarifa historike ndaj importeve të njëra-tjetrës duke filluar nga 12 gushti.
Megjithatë, duke folur me gazetarët nga Stokholmi, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent dhe ambasadori amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer thanë se takimi dyditor ishte “konstruktiv” dhe sugjeruan se një marrëveshje për të zgjatur pauzën 90-ditore te tarifave të arritur në mesin e majit, ishte e mundshme.
“Vetëm për të zbutur retorikën, takimet ishin shumë produktive”, tha Bessent.
Ata thanë se ende nuk është marrë një vendim nëse do të zgjatet pauza e tarifave të jashtëzakonshme të secilit vend, sepse presidenti Donald Trump duhet ta marrë këtë vendim.
“Lidhur me një pauzë të mundshme, ne do të kthehemi në Uashington, do të flasim me presidentin Trump, nëse kjo është diçka që ai dëshiron të bëjë”, tha Greer.
“Sigurisht, që është në diskutim e sipër”, shtoi ai.
“Sapo zhvillova një bisedë telefonike me Scott Bessent. Ai pati një takim shumë të mirë me negociatorët e Kinës”, tha sot Trump duke folur me gazetarët.
“Dhe duket se ata do të më informojnë nesër, dhe ne ose do ta miratojmë ose jo, por ai u ndje shumë mirë në takim”, shtoi Trump.
Ai tha gjithashtu se planifikon të takohet me presidentin kinez, Xi Jinping deri në fund të këtij viti.
Li Chenggang, përfaqësuesi i Tregtisë Ndërkombëtare për Ministrinë Kineze të Tregtisë, u tha sot gazetarëve pas përfundimit të bisedimeve – se të dyja palët do të vazhdonin përpjekjet për zgjatjen e pauzës tarifore.
Bessent tha se deklarata e Li nuk duhet të merret si një konfirmin i një marrëveshjeje për zgjatjen e tarifave.
“Zëvendësministri kinez tha se ne kishim rënë dakord për një pauzë. Nuk kemi rënë dakord. Asgjë nuk është rënë dakord derisa të flasim me presidentin Trump”, tha Bessent, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse kishte një marrëveshje për të zgjatur afatin e 12 gushtit.
“Presidenti ka diskrecionin për të ndryshuar normën në varësi të rrethanave që kemi”, tha Greer.
Në maj, Kina ra dakord të ulë tarifat për mallrat amerikane nga 125% në 10%, ndërsa SHBA-ja ra dakord të ulë tarifat për mallrat kineze nga 145% në 30%.
Greer tha se tarifat ndaj mallrave kineze të dërguara në SHBA mund të rriten me rreth 34% shtesë – nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 12 gusht – nën nivelin maksimal prej 145%.
“Vetëm pse takimi përfundoi pa një marrëveshje, nuk do të thoshte se nuk do të arrihet një marrëveshje para afatit të 12 gushtit”, theksoi Bessent. //a.i/
00000000000000
Zyrtarët amerikanë dhe kinezë përfunduan sot bisedimet dyditore në Stokholm – që synonin trajtimin e mosmarrëveshjeve ekonomike afatgjata dhe tërheqjen nga një luftë tregtare në përshkallëzim midis dy ekonomive më të mëdha në botë, sipas “Reuters”.
Ndërsa nuk u njoftoi ndonjë progres, negociatori kryesor tregtar i Kinës, Li Chenggang tha se të dy palët ranë dakord për një marrëveshje për të zgjatur pauzën e tarifave – një pezullim 90-ditor të tarifave – të arritur në mesin e majit, pa specifikuar se kur dhe për sa kohë mund të hyjë në fuqi një zgjatje e tillë.
Zëvendësministri kinez i Tregtisë, Li Chenggang tha se vendi i tij dëshiron që marrëveshja e vazhdueshme e tarifave midis dy palëve, e cila parashikon tarifa prej 30% për mallrat e dërguara nga Kina në SHBA, të vazhdojë. //a.i/
The post STOKHOLM – SHBA-ja dhe Kina përfundojnë bisedimet dyditore, pauza e tarifave mbetet në fuqi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.