Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 16 July 2025Main stream

Studimi: Të luash një instrument mban trurin të ri

16 July 2025 at 22:29

Të luash një instrument muzikor e mban trurin të ri dhe ngadalëson rënien e perceptimit të të folurit që zakonisht ndodh me moshën. Kjo demonstrohet nga një studim i botuar në revistën PLOS Biology nga Akademia Baycrest për Kërkim dhe Edukim (Kanada) dhe Akademia Kineze e Shkencave.

Studiuesit përdorën imazhe me rezonancë magnetike funksionale për të matur aktivitetin e trurit të 25 muzikantëve të moshuar, 25 të moshuarve që nuk luanin një instrument dhe 24 të rinjve jo-muzikantë, të cilëve iu kërkua të dëgjonin dhe të identifikonin rrokjet e maskuara nga tinguj të zhurmshëm.

Rezultatet tregojnë se muzikantët e moshuar kanë më pak vështirësi me njohjen e të folurit sesa bashkëmoshatarët e tyre jo-muzikantë, truri i të cilëve është i mbingarkuar për të kompensuar rënien njohëse të lidhur me moshën.

Në përgjithësi, muzikantët e moshuar treguan aktivitet dhe lidhshmëri në zona të trurit të ngjashme me atë të të rinjve jo-muzikantë.

Në përgjithësi, gjetjet mbështesin hipotezën se praktika muzikore rrit rezervën njohëse, duke kompensuar rënien e lidhur me moshën dhe duke ruajtur integritetin dhe arkitekturën funksionale të rrjeteve nervore.

“Një stil jetese pozitiv i ndihmon të moshuarit të përballojnë më mirë plakjen njohëse dhe nuk është kurrë vonë për të filluar dhe për të ruajtur një hobi të kënaqshëm si të mësuarit për të luajtur një instrument,” komenton Lei Zhang i Akademisë Baycrest për Kërkim dhe Edukim.

“Ashtu si një instrument i akorduar mirë nuk ka nevojë të luhet më fort për t’u dëgjuar, truri i muzikantëve të moshuar mbetet i akorduar në mënyrë të përsosur falë viteve të trajnimit,” shton Yi Du i Akademisë Kineze të Shkencave.

“Studimi ynë tregon se kjo përvojë muzikore forcon rezervën konjitive, duke ndihmuar trurin të shmangë lodhjen e zakonshme të lidhur me moshën tipike të atyre që përpiqen të kuptojnë të folurit në mjedise të zhurmshme”, shton ai.

Gjermania vazhdon eksportet ushtarake drejt Izraelit përkundër kritikave në rritje

16 July 2025 at 21:10

Sipas shifrave zyrtare të publikuara, Gjermania ka vazhduar eksportet e saj ushtarake drejt Izraelit në muajt e fundit pavarësisht shenjave shqetësuese të gjenocidit në Gaza.

Qeveria gjermane konfirmoi se ka miratuar pajisje ushtarake dhe armë me vlerë 250,5 milionë euro për Izraelin midis 1 janarit 2024 dhe 26 qershorit 2025. Sipas shifrave zyrtare, licencat e miratuara të eksportit kanë arritur në 161,1 milionë euro në vitin 2024 dhe 28 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2025.

Qeveria i publikoi këto shifra në përgjigje të një pyetjeje parlamentare nga Partia e Majtë e opozitës, e cila bën thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të eksporteve të armëve për Izraelin.

Gjermania ka qenë prej kohësh mbështetëse e fortë e Izraelit, me udhëheqës politikë që vazhdimisht përmendin përgjegjësinë historike të vendit ndaj Izraelit të rrënjosur në të kaluarën naziste të Gjermanisë dhe Holokaustin.

Eksportet e armëve në Izrael u pezulluan për një kohë të shkurtër vitin e kaluar kur Nikaragua ngriti padi kundër Gjermanisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke akuzuar Gjermaninë për bashkëpunim në gjenocidin në Gaza.

Zyrtarët gjermanë më vonë rifilluan eksportet duke argumentuar se kishin marrë garanci me shkrim nga Izraeli në lidhje me pajtueshmërinë me ligjin ndërkombëtar. Ata gjithashtu përmendën kërcënimin e paraqitur nga Irani si justifikim tjetër për rifillimin e dërgesave të armëve.

Që kur Izraeli nisi fushatën e tij ushtarake në Gaza në vitin 2023, më shumë se 58.000 palestinezë janë vrarë dhe mbi 100.000 të tjerë janë plagosur, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Izraeli aktualisht përballet me një padi për gjenocid në GJND për veprimet e tij në Gaza, ku të paktën 1,9 milion palestinezë mbeten të zhvendosur dhe vuajnë nga mungesa të mëdha ushqimi, furnizimesh mjekësore dhe artikujsh të tjerë thelbësorë.

Greqia përgatitet për temperatura ekstreme, termometri pritet të arrijë në 43 gradë Celsius

16 July 2025 at 20:28

Greqia po përgatitet për një valë të re dhe më intensive të të nxehtit, e cila pritet të sjellë temperatura ekstreme dhe rrezik të shtuar nga zjarret.

Sipas gazetës ditore ‘To Vima’, parashikimet tregojnë se temperaturat nga e diela deri të paktën të martën mund të arrijnë deri në 43 gradë Celsius, me mundësi të zgjatjes deri të mërkurën.

Meteorologu Giorgos Tsatrafilia tha se temperaturat prej 39-40 gradë Celsius priten në ditët para fundjavës, para se vala e të nxehtit të arrijë kulmin.

Ai gjithashtu paralajmëroi se popullatat vulnerabël, veçanërisht në zonat urbane me ventilim të dobët dhe mungesë të mjeteve për freskim, mund të përjetojnë vështirësi të mëdha gjatë kësaj vale e të nxehtit ekstrem.

Itali, mbi tetë milionë persona nuk presin të shkojnë me pushime

16 July 2025 at 19:54

Këtë verë, 8.4 milionë italianë do të anashkalojnë pushimet, dhe 69% e tyre po zgjedhin ta bëjnë këtë për arsye ekonomike, shkruan fanityfair.it.

Çmimet marramendëse, inflacioni dhe vështirësia për të kursyer janë shkaqet kryesore të këtij vendim, sipas një sondazhi të porositur nga facile.it dhe Emg Different.

Të dhënat pasqyrojnë ato të një studimi më të gjerë nga ETUC, Konfederata Evropiane e Sindikatave, bazuar në të dhënat e Eurostat.

I kryer duke përdorur të dhënat e vitit 2023, ai nxori në pah se si numri i punëtorëve evropianë që nuk mund të përballojnë pushimet është rritur në 41 milionë (një milion më shumë se një vit më parë), përfshirë 7 milionë italianë.

“Kjo është rritja e tretë radhazi e fenomenit të ‘varfërisë së pushimeve’, dhe do të thotë se sot 15% e të gjithë punëtorëve në Evropë po heqin dorë nga koha e lirë me familjet e tyre, ndërsa drejtuesit ekzekutivë, të cilët fitojnë mbi 100 herë më shumë se paga mesatare , po pushojnë në vendpushime luksoze”, thekson konfederata e sindikatave.

Ngërçi për mandatin e deputetit/ Shabani i përgjigjet Lapajt: Tiku bëhu burrë!

16 July 2025 at 19:16

TIRANË- Bëhet zyrtar divorci mes Lapajt dhe Shabanit, pasi daja i kreut të Nismës “Thurje” paralajmëron KQZ se mandati i deputetit i takon atij. Lapaj akuzon ashpër Endri Shabanin dhe thotë se mandati do qëndroje brenda fisit te vet.

Formalisht në listën e mbyllur mandati i shkon vajzës së tezes së Lapajt, por ky i fundit djeg përfundimisht mundësinë për të hyrë në shtator në Kuvend.

Kreu i Nismës “Thurje” , Endri Shabani ka reaguar duke i bërë thirrje Adriartik Lapajt të bëhet burrë.

Ai thekson se Adriatik Lapaj “mund të jetë mësuar të përvetësojë punën e të tjerëve, por pa votat e Nismës Thurje, apo pa votat e mia, ai nuk do të ishte bërë kurrë deputet”.

Më tej, Endri Shabani thekson se në vend që Lapajt ta sulmonte, do duhet ta falënderonte pasi pa ndihmën e Nisëm Thurje nuk do mund të fitonte kurrë mandatin e deputetit

Reagimi i Shabanit: 

𝐊𝐞𝐪𝐚𝐫𝐝𝐡𝐣𝐞 𝐩ë𝐫 𝐓𝐢𝐤𝐮𝐧!

Ndjej keqardhje nga deklarata e nxituar e Tikut ku më shpall mua armikun e klasës. Duhet ta kisha menduar se pas Arlindit dhe Agronit, kisha mbetur vetëm unë nga fronti i të rinjve.

Gjithësesi për interes publik, dua të sqaroj tre gjëra.

𝐄 𝐩𝐚𝐫𝐚, 𝐦𝐚𝐧𝐝𝐚𝐭𝐢 𝐢 𝐤𝐨𝐚𝐥𝐢𝐜𝐢𝐨𝐧𝐢𝐭 𝐍𝐢𝐬𝐦𝐚 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩ë𝐫𝐢𝐚 𝐁ë𝐡𝐞𝐭 𝐧𝐮𝐤 𝐤𝐚 𝐪ë𝐧ë 𝐤𝐮𝐫𝐫ë 𝐢 𝐀𝐝𝐫𝐢𝐚𝐭𝐢𝐤𝐮𝐭. Tiku mund të jetë mësuar të përvetësojë punën e të tjerëve, por pa votat e Nismës Thurje, apo pa votat e mia, ai nuk do të ishte bërë kurrë deputet!!!

Në këto zgjedhje për të marrë një mandat në Tiranë duheshin 13500 vota. Adriatiku ka marrë 6436 vota. Kështuqë, ato 7000 votat e tjera janë marrë nga kandidatë të tjerë.

Pra nëse nuk do ishim në koalicion, Shqipëria Bëhet do ishte jashtë Parlamentit. Kështuqë në vend që të më sulmojë Tiku duhet të më falenderojë!

𝐄 𝐝𝐲𝐭𝐚, 𝐙𝐞𝐪𝐢𝐫𝐢 𝐞 𝐤𝐚 𝐧𝐝𝐢𝐡𝐦𝐮𝐚𝐫 𝐓𝐢𝐤𝐮𝐧 𝐭ë 𝐛ë𝐡𝐞𝐭 𝐛𝐮𝐫𝐫ë. Në këto zgjedhje ka patur vetëm një njeri që ka shpallur publikisht një angazhim përballë aktivistëve dhe votuesve, dhe ai është lideri i koalicionit.

Me zë dhe me figurë, në disa media, Adriatik Lapaj është zotuar publikisht, se nëse fitonim vetëm një mandat, ai mandat nuk do t’i takonte atij. Kjo deklaratë shërbente për të motivuar aktivistët që të punonin për interesin e përbashkët, dhe jo për të bërë Tikun deputet. Pas zgjedhjeve Adriatiku e drodhi, dhe kjo nuk u pëlqye nga shumë prej nesh, përfshi këtu edhe Zeqirin.

Duke besuar që “burri mbahet nga fjala” Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të mbajë fjalën dhe t’ia kalojë mandatin dikujt tjetër nga partia e tij.

𝐄 𝐭𝐫𝐞𝐭𝐚, 𝐧ë𝐬𝐞 𝐓𝐢𝐤𝐮 𝐧𝐮𝐤 𝐦𝐛𝐚𝐧 𝐩ë𝐫𝐠𝐣𝐞𝐠𝐣ë𝐬𝐢 𝐩ë𝐫 𝐯𝐣𝐞𝐫𝐫𝐢𝐧 𝐞 𝐭𝐢𝐣, 𝐩ë𝐫𝐬𝐞 𝐝𝐮𝐡𝐞𝐭 𝐭ë 𝐦𝐛𝐚𝐣 𝐮𝐧ë 𝐩ë𝐫𝐠𝐣𝐞𝐠𝐣ë𝐬𝐢 𝐩ë𝐫 𝐝𝐚𝐣ë𝐧 𝐭𝐢𝐦? Prej kohësh kemi pranuar që përgjegjësia është individuale.

Dhe në fakt, si njeriu që firmosi listat, dhe që i vonoi dëri në 12 të natës, Tiku ka përgjegjësinë totale që gabimisht e futi Zeqirin në listë të mbyllur, duke e zëvendësuar me Majlina Zikon. Tani më kërkon mua përgjegjësi për një çorbë që e gatoi vetë!

Zeqiri është 60 vjeç burrë, dhe nuk mund të përdoret as nga unë, por as nga Adriatiku. Ai ka dinjitetin e tij, dhe kur pa që Adriatiku po luante lojra, reagoi. Ndërkohë që unë përpiqesha të qetësoja situatën, Tiku zgjodhi rrugën e presionit. Dhe kur Zeqiri u përball me kërcënime ndaj fëmijëve të tij, vendosi të mos kthehej mbrapsh.

Të jem i sinqertë, unë nuk kam qënë dakord me sjelljen e Zeqirit, por kur shoh se si akoma pa pushtet këta janë të gatshëm të të kërcënojnë fëmijët nuk di çfarë të them.

Në fund të ditës, ne nuk po luftojmë që të zëvendësojmë ujqërit e vjetër me këlyshë të rinj që të vrasin për pushtet. Po luftojmë që politika të ketë një tjetër fytyrë: të ndershmërisë dhe fjalës së mbajtur. Dhe kjo betejë nuk do të ndalet nga ata që duan të kapin karrige, por do të fitohet nga ata që mbajnë fjalën edhe kur karrigia u kalon pranë/ abcnews.al

Sulmet izraelite ndaj Damaskut/ Reagon BE: Të gjitha palët të vetëpërmbahen

16 July 2025 at 18:55

Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa ka shprehur shqetësim për situatën në Damask – pas sulmeve izraelite ndaj kryeqytetit sirian.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Sirisë duhet të respektohen”, shkroi Costa në një postim në X.

“U bëj thirrje të gjitha palëve të vetëpërmbahen nga dhuna dhe të ulin tensionet”, shtoi ai.

Deklarata presidentit të KE-së vjen pasi ushtria izraelite bombardoi objektiva në Damask, përfshirë selinë ushtarake. Dëshmitarët okularë raportuan gjithashtu shpërthime në një vend që përfshin Ministrinë e Mbrojtjes.

Një përfaqësues ushtarak tha se një “vend ushtarak” pranë pallatit presidencial ishte goditur, gjithashtu.

Sulmet izraelite erdhën si përgjigje ndaj trazirave në Sirinë jugore, ku forcat qeveritare janë akuzuar për shtypje të dhunshme ndaj pakicës druze.

Përplasjet midis bedouinëve sunitë dhe civilëve druzë në Sirinë jugore janë përshkallëzuar ndjeshëm ditët e fundit, të përqendruara në qytetin me shumicë druze, Sweida.

Kërcënohet sërish presidentja Vjosa Osmani: Do të vras ty dhe familjen tënde

16 July 2025 at 18:12

PRISHTINË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar sërish me jetë.

Brenda policisë kanë bërë të ditur se kërcënimi i bërë ndaj të pares së shtetit është bërë përmes një emaili në gjuhen angleze.

“Kërcënimi i bërë në një zinxhir emailash, ndër të tjera përfshin kërcënim të drejtpërdrejtë me jetë ndaj Presidentes dhe familjes së saj dhe në të cilin në anglisht, shkruan: “I’ll come and shoot you… and your family too…”, që do të thotë “do të vij të të vras ty… e po ashtu familjen tënde”. Deri në këto momente nuk kemi informacione se a janë ndërmarrë hapa nga institucionet përkatëse”, tha ky burim për Klankosova.tv.

E para e shtetit është kërcënuar disa herë me jetë, por që deri më tani nuk ka pasur të arrestuar.

 

Haga vijon me padrejtësitë/ Maliqi: Gjykata ka vepruar në kundërshtim me parimet e saj, atë të lirisë

16 July 2025 at 18:02

Analistja Afërdita Maliqi komentoi vendimin e gjykatës së Hagës duke e quajtur një vendim të padrejtë. Maliqi tha se Gjykata e Hagës ka marrë vendime politike dhe se nuk ka lejuar njerëzit që të marrin pjesë në ceremonitë mortore të familjarëve.

“Sot ka qenë një ditë e keqe për të gjithë ne që i kemi përjetuar të gjitha fazat në Kosovë, çfarë ka qenë roli i UÇK. Ka qenë një ditë shumë e rëndë, pavarësisht se duke ditur çfarë janë bërë këto 5 vite nuk e kam pritur që të rrëzohet mocioni i avokatëve

Kjo gjykatë ka marrë vendime politike, ka lënë njerëz në skutë. Njerëzit atje nuk i kanë lënë të marrin pjesë në varrimin e familjarëve, kjo ka ndodhur në periudhën e Millosheviçit. Procesi është ende, ka filluar të dëshmojë mbrojtja por ajo që shihet në horizont nuk është diçka e mirë.” / abcnews.al

 

Franca heq dy festa zyrtare për të kursyer para

16 July 2025 at 17:18

Franca po shqyrton eliminimin e dy festave zyrtare, ndërsa qeveria synon shkurtime të mëtejshme të shpenzimeve për të mbushur një boshllëk buxhetor, shkruan CBNC.

Kryeministri francez François Bayrou ka njoftuar një sërë shkurtime shpenzimesh , duke synuar kursime prej 43.8 miliardë eurosh (50.9 miliardë dollarë) në një përpjekje për të arritur një deficit buxhetor prej 4.6% në vitin 2026, nga deficiti prej 5.4% i këtij viti.

Ndër propozimet janë eliminimi i dy festave zyrtare, eliminimi i 3 000 vendeve të punës në sektorin publik dhe kufizimi i lehtësirave tatimore për të pasurit.

Qeveria franceze ka sugjeruar që festat publike që mund të hiqen përfshijnë të hënën e Pashkëve, e cila thotë se “nuk ka më ndonjë rëndësi fetare”, dhe 8 majin, i njohur edhe si “Dita e Fitores në Evropë”, e cila përkujton dorëzimin e Gjermanisë naziste, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.

”Këto festa ranë në një muaj plot me fundjava të gjata dhe heqja e tyre do të nxiste aktivitetin ekonomik në biznese, dyqane dhe administratë publike, duke përmirësuar kështu produktivitetin tonë”, theksoi qeveria.

Qeveria deklaroi gjithashtu se do të kërkohej një përpjekje e veçantë” nga ata që kanë kapacitetin për të kontribuar më shumë, duke propozuar një “kontribut solidariteti” nga më të pasurit.

“Sot po përjetojmë një moment të së vërtetës, një nga ato momente në historinë e një kombi ku të gjithë duhet të pyesin veten: çfarë roli jam i gatshëm të luaj në të ardhmen tonë kolektive?” tha Bayrou në një konferencë për shtypi.

Iliri kërkon…lirinë/ Avokati: Ka hetim të thelluar nga SPAK, provat po përforcohen për veprat e dyshuara!

15 July 2025 at 23:41

TIRANË– Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila vlerësoi si të ligjshëm masën e sigurisë “arrest me burg”.

Meta përmes avokatit Kujtim Cakrani, kërkon në Kushtetuese lirimin nga qelia dhe shfuqizimin e masës aktuale.

Avokati i njohur Romeo Kara, i ftuar në “Ora e Fundit” tha se të gjitha shkallët e gjyqësorit, deri tani kanë konfirmuar se arrestimi i ilir Metës ka qenë i ligjshëm.

Gjatë diskutimit në studio, avokati Kara tha se nga hetimet që po kryen SPAK, provat që rëndojnë pozitat e Ilir Metës mund të përforcohen.

“Të gjitha shkallët e gjykimit nuk e gjetën se qëndron pretendimi i palës së Metës përballë prokurorisë, pasi nuk e gjykuan se ky arrestim është i paligjshëm. Me trendin e hetimit mund të përforcohen provat për veprat që ka bërë. Ka hetim të thelluar dhe po dalin prova pas provash, po dalin kartat, këto janë fakte.

Këto s’kanë dalë nga fantazitë e prokurorisë, por janë prova dhe janë dhe dëshmi. Do kemi dhe një proces të gjatë. Provat janë aty, sistemi TIMS, telefonata të përgjuara. Prokuroria e ka krijuar bindjet përtej dyshimit të arsyeshëm. Faktet dhe provat që tregojnë se ka kryer vepra të rënda, janë vepra më të rënda se ato të Berishës”, u shpreh ai.

Ai theksoi se hetimet duhet të provojnë nëse Ilir Meta ka përfituar nga kartat, që ka përdorur ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi.

“Meta do të përgjigjet nëse kartat i sollën përfitime. SPAK të marrë darët e ligjit dhe t’i sekuestrojë çdo pasuri”, theksoi ai/ abcnews.al

Shuhet zjarri në Drenovë/ Digjet 100 hektarë sipërfaqe, zjarrfikësit “luftë” për tre ditë

15 July 2025 at 23:00

SHQIPËRI- Është shuar vatra e fundit e zjarrit në Drenovë të Mallakastrës. 30 forca të ushtrisë i shkuan në ndihmë operacionit të shërbimeve zjarrfikëse dhe atyre bashkiake.

Vatra u shtri në një sipërfaqe të madhe në brendësi të pyllit me pisha dhe u punua me mjete rrethanore për shkak të terrenit të vështirë që pamundësonte ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse. Deri më tani përllogaritet një sipërfaqe prej 100 ha e përshkruar nga zjarri.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra zjarri në të gjithë vendin. Situata më e rënduar është në qarkun e Dibrës. Ende nuk është shuar zjarri në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë.

Territori i thepisur dhe era kanë ndihmuar zjarrin të përhapet, ndërsa janë djegur rreth 150 ha. Këtë të marta operacionit i janë bashkuar edhe 100 efektivë të Forcave të Armatosura.

Sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, është riaktivizuar vatra e zjarrit në vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, në Bulqizë, ku flakët janë drejtuar “Majës së Vlashes”. Në qarkun e Dibrës, vijon operacioni për izolimin e vatrës aktive prej disa ditrës edhe në fshatin Arras.

Në këtë zonë forcat po punojnë për të shmangur rrezikun për banesat, pasi era ndihmon përhapjen e flakëve drejt fshatit Shumbat të njësisë administrative Sllovë.

Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur më shumë se 292 hektarë sipërfaqe, mbi 1000 rrënjë kumbulla, qershi e ullinj.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile përsërit apelin për qytetarët që të shmangin ndezjen e zjarreve në mjedise të hapura, të raportojnë menjëherë pranë shërbimeve zjarrfikëse çdo vatër që konstatojnë./abcnews.al

 

Before yesterdayMain stream

Administrata Trump do të djegë 500 tonë ushqime që ishin blerë nga USAID

15 July 2025 at 22:28

Pothuajse 500 tonë ushqime, mjaftueshëm për të ushqyer 1.5 milion fëmijë për një javë – pritet të digjen pas muajsh mosveprimi nga administrata Trump.

Biskotat u blenë nga USAID për 800 mijë dollarë gjatë administratës së presidentit, Joe Biden dhe janë ruajtur në Dubai.

Ato ishin destinuar për fëmijët në Afganistan dhe Pakistan, shkruan theatlantic.

Por, që nga janari, një ngrirje e përgjithshme e ndihmës së huaj dhe shpërbërja e USAID-it nën Departamentin e ri për Efiçencë Qeveritare ka paralizuar përpjekjet për t’i shpërndarë ato.

Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura të brendshme, nuk u dha asnjë leje për të lëvizur ushqimin.

Deri në kohën kur Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio siguroi Kongresin në muajin maj se ndihma do të dorëzohej, urdhri për shkatërrimin e saj ishte firmosur tashmë.

Djegia do t’i kushtojë taksapaguesve edhe 130 mijë dollarë shtesë.

Trump: SHBA dhe BE po bëjnë progres në marrëveshjen tregtare

15 July 2025 at 21:57

Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha sot se bisedimet me Bashkimin Evropian për një marrëveshje tregtare po bëjnë progres – ndërsa paralajmëroi se tarifat prej 30% për mallrat nga blloku ishin tashmë një marrëveshje.

BE ka dërguar një ekip ekspertësh të tregtisë në Uashington për bisedime në nivel teknik, ndërsa presioni rritet për të siguruar një marrëveshje me administratën Trump – përpara se tarifat ndëshkuese të hyjnë në fuqi më 1 gusht.

“Jemi duke biseduar me BE-në dhe po bëjmë progres. Por, ne tashmë kemi një marrëveshje me BE-në. Është letra që i dërguam. Tarifa për BE-në ishte 30%. Por ne, në të njëjtën kohë, po bisedojmë”, u tha Trump sot gazetarëve.

Brukseli kërkon të shmangë tarifat prej 30% për mallrat e BE-së, të njoftuara nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili tha gjatë fundjavës se do t’i vendoste këto tarifa nëse BE-ja nuk bënte lëshime të mjaftueshme.

Republikani ka bërë thirrje për masa për të reduktuar deficitin tregtar të SHBA-së me BE-në, duke përfshirë potencialisht tarifa më të ulëta për eksportet amerikane në Evropë ose zhvendosjen e prodhimit evropian në SHBA.

Deri në kërcënimin e fundit të tarifave të Trump, zyrtarët e BE-së kishin shprehur optimizëm se një marrëveshje kornizë për të ulur tensionin në luftën tregtare ishte e arritshme, pas disa muajsh bisedimesh të vazhdueshme.

Në rast se SHBA-ja miraton tarifat e reja më 1 gusht, BE-ja ka sinjalizuar se do të hakmerret me kundërtarifa.

Shefi i NATO-s: Brazili, Kina dhe India mund të goditen rëndë nga sanksionet

15 July 2025 at 21:38

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte paralajmëroi sot se vende si Brazili, Kina dhe India mund të goditen shumë rëndë nga sanksionet nëse vazhdojnë të bëjnë biznes me Rusinë.

Deklarata e Rutte erdhi gjatë një takimi me senatorët në Kongresin e SHBA-së – një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi dërgimin e armëve të reja në Ukrainë.

Gjithashtu, Trump paralajmëroi se do të vendoste tarifa të reja “të ashpra” prej 100% për blerësit e eksporteve ruse, nëse nuk arrihej një marrëveshje paqeje brenda 50 ditësh.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte u takua dje me presidentin amerikan, Donald Trump – si pjesë e vizitës së tij dyditore në Uashington

Hetimet e SPAK/ Tedi Blushi: Divorci mes Metës dhe Kryemadhit u bë pasi u zbulua përdorimi i kartave

15 July 2025 at 21:07

TIRANË– Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i ftuar në “Real Story” tha se përdorimi i kartës nga Monika Kryemadhi ka çuar në divorcin me Ilir Metën, për shkelje të besimit dhe shkelje të ligjit.

Ai theksoi se kartat e zbuluara nga SPAK nuk janë përdorur nga Ilir Meta.

“SPAK tregon në emër të kujt janë kartat dhe kush i ka përdorur. Nuk është z. Meta fare. E thotë SPAK. SPAK thotë se kartat janë në emër të  Shatkut dhe në emër të Monika Kryemadhit.

Nuk ka asnjë kartë të Metës. Në momentin kur Meta është vënë dijeni të këtyre kartave, ai ka bërë dhe divorcin  me zonjën Kryemadhi si një tradhti e para për një shkelje ligji, dhe ndaj besimit të tij.

Kjo çoi në divorc pa diskutim, patjetër, e ka sqaruar vetë z. Meta. Në momentin që është vënë në dijeni nga SPAK, që kemi zbuluar një kartë, çfarë karte ka përdorur dhe në këtë moment ai ka vendosur divorcin me zonjën Kryemadhi”, theksoi ai./abcnews.al

Pse Ilir Meta i ndryshoi avokatët? Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë tregon arsyen: Genc Gjokutaj kishte…

15 July 2025 at 20:48

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi i ftuar në “Real Story” u pyet mbi arsyet se pse Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një kohë të shkurtër vendosi të ndryshojë avokatët e tij mbrojtës. Fillimisht ishte Genc Gjokutaj, ndërsa më pas u caktua Kujtim Cakrani.

Ai tregoi arsyen se pse ndodhi kjo rokadë sa i përket mbrojtjes së Metës.

“Nuk ka asgjë enigmatike. Gjokutaj është anëtar i kryesisë së PL. Ai ishte duke u marrë me dosjen e z. Berisha ,m e cila kërkon angazhim maksimal sidomos tani që çehrja ka shkuar në gjykatës. Kjo ka qenë e vetmja arsye, të cilën e ka sqaruar si vetë zoti Meta ashtu dhe Gjokutaj”, tha ai.

Ai theksoi se Meta është rrëmbyer në mënyrë banditestke dhe nuk i është komunikuar urdhri i gjykatës së Posaçme për arrestimin e tij. Blushi theksoi se pas tre orësh që ishte në Policinë e Tiranës, Meta është njohur me vendimin e Gjykatës së Posaçme për arrestimin e tij.

“Nuk është e vërtetë që zoti Meta ka pasur tendencë për ti bërë shantazh apo presion SPAK, por e kundërta është e vërtetë. Ai edhe sot deklaron se nuk jam kundër hetimeve, por mënyra jo vetëm e rrëmbimit. E ka bërë SPAK, sepse nuk mund ti heqësh askujt lirinë me një masë ekstreme si izolimi në burg. Kur unë them SPAK dhe Policia janë e njëjta gjë.

Gjithçka që ndodhi në rrugë, mënyra se si ndodhi, ishte një strukturë, e cila ishte qartësisht strukturë banditeske, pa asnjë dokument identifikimi, pa asnjë logo policie, Nuk i ka dhënë  asnjë dokument, z.Meta, as urdhrin e arrestit, Këtë e dimë ne, sepse këtë e pohojnë dëshmitarët.

Takoni drejtorin e Policisë së Tiranës, z. Tonin Vocaj. Zoti Metës i është komunikuar urdhri i arrestit pasi ishte tre orë i ndaluar brenda drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në rastin z.Metës ka ndodhur një procedurë rrëmbimi, antiligjore dhe antikushtetuese”, tha ai./abcnews.al

“Provat ndaj Metës, janë shkresore”, Hoxha në “Real Story”: Ka shumë pak gjasa që të prishen

15 July 2025 at 20:27

TIRANË- Juristi Arbër Hoxha i ftuar në “Real Story” duke  folur për paraburgimin e ish-presidentit Ilir Meta, tha se çdo i paraburgosur ka të drejtat dhe detyrimet karshi institucionit

“Çdo i paraburgosur ka disa të drejta dhe detyrime karshi institucionit ku ai qëndron. Telefonatat janë të regjistruar me familjarë dhe të afërm, personat që janë në marrëdhënie pune me ata, në marrëdhënie me avokatin.

Nëse jam avokati i një të paraburgosuri, patjetër që duhet të flas unë në cilësinë e avokatit ose sekretarëve dhe asistentëve të zyrës”, tha Hoxha.

Ai theksoi se veprat për të cilat po hetohet Ilir Meta janë vepra të natyrës financiare. Provat theksoi ai janë prova shkresore dhe nuk kemi të bëjmë më dëshmitarë, dhe në këtë kuadër, rreziku për prishjen e tyre është shumë i vogël.

“Veprat për të cilat Meta po hetohet janë të natyrës financiare dhe duke qenë të natyrës financiare  nuk janë prova me dëshmitarë, por prova shkresa, që do të thotë se provat shkresore i kanë shumë të ulëta gjasat që të kontaminohen.

Provat e Metës kanë pak gjasa që të prishen, Prova me dëshmitarë në të tilla raste janë shumë të vogla dhe periferike”, theksoi ai/abcnews.al

 

 

❌
❌