Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 July 2025Main stream

E mërkurë zie/ Përgjaken rrugët e Shqipërisë, 6 viktima vetëm në 24 orë

By: Rovena
23 July 2025 at 23:27

Një re zie ka mbuluar Shqipërinë këtë të mërkurë, 23 korrik 2025, teksa gjashtë jetë u shuan brenda vetëm 24 orëve në aksidente tragjike.

Një turiste nga Holanda humbi tragjikisht jetën në plazhin e Filikurit në zonën e Potamit në Himarë pasi u rrëzua nga lartësia. 23-vjeçarja holandeze rreshqiti aksidentalisht. Shoku i saj u përpoq ta mbajë, por nuk ka mundur, duke bërë që ajo bjerë nga një lartësi prej rreth 30 metrash.

Mesditën e kësaj të mërkure një aksident i rëndë ndodhi në Bulqizë, ku humbën jetën dy persona, Desta Gjeta dhe Burhan Gjoka. Kurse një fëmijë i mitur mbeti i plagosur dhe u ndodhet te Spitali i Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërkohë një aksident tjetër u shënua në Dibër. Tek Ura e Luznis në fshatin Hotesh, një makinë u gjet e përmbysur në oborrin e një banesë, ku për pasojë ndërroi Arta Çera dhe mbeti i plagosur bashkëshorti i saj, Hajri Çera.

Një tragjedi ndodhi në Krujë. Ku një vajzë e mitur, rreth moshës 4-vjeçare u përplas aksidentalisht me makinë nga babai i saj, në afërsi të biznesit të tyre. E mitura u çua menjëherë në spital, por fatkeqësisht nuk mundi që t’u mbijetonte plagëve.

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve ka ndodhur në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, në afërsi të fshatit Piraj, mbrëmjen e kësaj të mërkure.

Një autoveturë u përplas me një trailer me targa serbe dhe më pas ka përfunduar jashtë rruge, duke u rrëzuar në një kanal. Si pasojë e përplasjes, një grua e moshuar që udhëtonte si pasagjere në autoveturë ka humbur jetën në vend, ndërsa tre pasagjerë të tjerë, mes tyre edhe një fëmijë, si dhe drejtuesi i mjetit, kanë mbetur të plagosur./abcnews.al

SHBA miraton shitje ushtarake për Ukrainën, në fokus mbrojtja ajrore dhe teknologjia e dronëve

By: Rovena
23 July 2025 at 22:39

Shtetet e Bashkuara kanë dhënë miratimin për një paketë të re shitjeje ushtarake drejt Ukrainës, me një vlerë prej 322 milionë dollarësh. Marrëveshja përfshin raketa për mbrojtje ajrore si dhe automjete taktike, me qëllim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kievit përballë sulmeve të vazhdueshme nga Rusia.

Kjo ndihmë vjen në një kohë kur Ukraina ka nisur të zbatojë një strategji të re mbrojtjeje, e përqendruar te zhvillimi dhe përdorimi i dronëve interceptorë mjete ajrore pa pilot të destinuara për të ndaluar dhe asgjësuar objektiva ajrore armike.

Pavarësisht se forcat ukrainase disponojnë sisteme të avancuara si bateria raketore Patriot, përdorimi i tyre është i kufizuar për shkak të kostos së lartë dhe numrit të kufizuar. Një raketë e vetme Patriot arrin një çmim mbi 3 milionë dollarë, çka i bën ato më pak të përshtatshme për përdorim të shpeshtë pa ndikuar në rezervat strategjike.

Në kontrast, dronët interceptorë ofrojnë një alternativë më të lirë dhe më të qëndrueshme, si në aspektin financiar ashtu edhe në aspektin operacional. Investimi në këtë teknologji synon të zgjerojë mbulimin ajror të Ukrainës me mjete më të aksesueshme dhe të përshtatura për luftën moderne.

Yesterday — 23 July 2025Main stream

Uri masive në Gazë, 10 të vdekur për 24 orë

By: Rovena
23 July 2025 at 21:51

Kriza humanitare në Gazë po thellohet mes sulmeve të vazhdueshme izraelite dhe bllokadës së ndihmave. Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se 10 persona kanë vdekur nga uria në 24 orët e fundit në enklavë. E para njoftimit, mbi 100 organizata kanë kërkuar ndërhyrje urgjente ndërkombëtare për të ndalur urinë dhe për të siguruar një armëpushim të përhershëm. Por me paralajmërimin e organizatave humanitare nuk është pajtuar Qeveria e Izraelit.

Të paktën dhjetë persona kanë vdekur nga uria në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, ka njoftuar të mërkurën Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Munir al – Boursh, situata është alarmante.

“Numri i vdekjeje nga uria dhe kequshqyerja po rritet në shkallë alarmante. Këta nuk janë thjesht numra janë thirrje për ndihmë, një lutje njerëzore për botën që të veprojë para se të jetë vonë”, ka theksuar al- Boursh.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë u dha pak kohë pasi mbi 100 organizata humanitare dhe të drejtave të njeriut u bënë thirrje qeverive të ndërmarrin veprime urgjente për të ndalur përhapjen e urisë në Gazë.

Organizatat kërkuan gjithashtu armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, si dhe heqjen e të gjitha pengesave për shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Në deklaratën e nënshkruar nga 111 organizata, përfshirë “Mercy Corps”, Këshillin Norvegjez për Refugjatët dhe “Refugees International”, paralajmërohet se uria në Gazë po përhapet me shpejtësi të madhe, ndërkohë që ndihmat jetike, si ushqimi, uji dhe barnat, qëndrojnë të pashpërndara pranë kufirit, pasi organizatave humanitare u ndalohet të veprojnë.

“Derisa rrethimi i qeverisë izraelite po i lë të uritur banorët e Gazës, punonjësit e ndihmave po bashkohen me ta në radhët për ushqim, duke rrezikuar të qëllohen. Furnizimet kanë mbaruar plotësisht dhe organizatat humanitare po shohin kolegët dhe partnerët e tyre teksa rraskapiten para syve të tyre”, thuhet në reagimin e organizatave.

E zëdhënësi i Qeverisë izraelite, David Mencer, në reagimin e tij ka thënë se deklarata e organizatave humanitare është e rreme dhe s’përkon me realitetin në terren.

“Çdoherë që ka krizë të urisë në Gazë, ajo është e orkestruar nga Hamasi. Ata po përpiqen të parandalojnë shpërndarjen e ushqimit duke plaçkitur kamionët me ndihma”, ka deklaruar zëdhënësi i qeverisë izraelite.

Pavarësisht kësaj, ofensiva izraelite nuk ka ndaluar duke shkaktuar vdekjen e 21 palestinezeve në orët e hershme të së mërkurës. Në sulmin e fundit izraelit në enklavë raportohet se shumica e të vdekurve ishin gra dhe fëmijë.

Bombardimet goditën një shtëpi në pjesën veriperëndimore të qytetit të Gazës, duke lënë të vrarë të paktën 12 persona, bazuar në raportin nga spitali Shifa, në të cilin ishin trajtuar trupat e viktimave. Një tjetër sulm ka goditur një ndërtesë banimi në zonën Tal al-Hawa në veri të Gazës, duke vrarë të paktën gjashtë persona.

Mes të vdekurve ishin tre fëmijë dhe dy gra. Tetë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Sulmi i tretë ka goditur një tendë në lagjen Naser të qytetit të Gazës në orët e vona të së martës, ku mbetën të vrarë tre fëmijë, theksohet në njoftim.

Sipas ushtrisë izraelite, forcat e saj kanë goditur rreth 120 caqe në të gjithë Gazën gjatë 24 orëve të fundit, duke përfshirë celula militante, tunele dhe ndërtesa të minuara.

Rusia dhe Ukraina zhvillojnë bisedime në Turqi

By: Rovena
23 July 2025 at 21:13

Rundi i tretë i bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës janë takuar mbrëmjen e 23 korrikut në Stamboll, me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan, që u ka bërë thirrje palëve që t’i japin fund sa më shpejt që të jetë e mundur “luftës së përgjakshme”, që ka nisur mbi tre vjet më parë.

“Qëllimi ynë është që t’i jepet fund luftës së përgjakshme sa më shpejt që të jetë e mundur. Qëllimi përfundimtar është një armëpushim që do t’i hapte rrugë paqes”, tha Fidan në nisje të negociatave.

Turqia, e cila ka raporte të mira me të dy fqinjët e saj në Detin e Zi, ka furnizuar Ukrainën me dronë dhe nuk i është bashkuar Perëndimit në sanksionimin e Moskës.

Ministri Fidan falënderoi liderët rus dhe ukrainas, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, për shfaqjen e “vullnetit për të mbajtur këto bisedime”, si dhe presidentin amerikan Donald Trump, për thirrjet e tij për t’i dhënë fund luftës.

Ai tha se raundi i parë dhe i dytë i bisedimeve, të cilët gjithashtu u zhvilluan në Stamboll, arritën “rezultate të rëndësishme”.

“Jemi të gëzuar që kemi parë realizimin e këmbimit të të burgosurve”, tha ai.

“Shpresa jonë për këtë raund të tretë negociatash është që palët të zhvillojnë konsultime thelbësore dhe të orientuara drejt rezultateve mbi memorandumet që kanë shkëmbyer”, tha Fidan.

Ai shtoi gjithashtu se nëse arrihet një armëpushim, Turqia ka “infrastrukturën e nevojshme për një mekanizëm për ta monitoruar atë”.

Palët janë takuar në Stamboll në maj dhe qershor dhe janë pajtuar vetëm për këmbimin e të burgosurve dhe trupave të ushtarëve të vrarë.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, i dha Rusisë 50 ditë kohë që t’i japë fund luftës, në të kundërtën tha se Moska do të përballet me sanksione. Por, Kremlini nuk ka dhënë sinjale se ka vullnet për kompromis.

“Askush nuk pret një rrugë të lehtë. Do të jetë shumë e vështirë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet për pritjet e tij për bisedimet.

Ukraina tha se shpreson që të dy vendet do të diskutojnë për lirimin e të burgosurve dhe të nisin punën për një takim mes Zelenskyt dhe Putinit.

Të dy palët kanë qëndrime krejtësisht të ndryshme për përfundimin e konfliktit.

Rusia ka kërkuar që Ukraina të tërhiqet nga katër rajonet ukrainase që Moska pretendon se i ka aneksuar në shtator të vitit 2022 një kërkesë që Kievi e ka cilësuar si të papranueshme.

Ukraina ka përjashtuar çdo negociatë për territorin para një armëpushimi dhe ka thënë se kurrë nuk do të njohë pretendimet e Rusisë mbi territoret e pushtuara përfshirë Krimenë, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014.

Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha në lindje dhe jug të Ukrainës dhe ka lënë të vrarë dhjetëra mijëra ushtarë dhe civilë.

“Berisha i lirë pavarësisht akuzave”, Meçe: Veliaj këmbëngul në pafajësi. Rama i fokusuar te hallet e qytetit

By: Rovena
23 July 2025 at 20:58

Në një analizë të drejtpërdrejtë në emisionin “Real Story” në ABC News, analisti Arben Meçe komentoi zhvillimet më të fundit që lidhen me përballjen ligjore të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe solli në vëmendje raste të tjera të ngjashme në skenën politike shqiptare.

Meçe theksoi se ndryshe nga rasti i Jamarbër Malltezit, i cili ndodhet në fazë gjykimi për një vepër penale, apo Sali Berishës, që ndonëse përballet me akuza të rënda është ende i lirë, Veliaj po kalon një proces ku ka të drejtë të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë, ndërsa vazhdon të deklarojë pafajësinë e tij.

Sipas Meçes, situata ndaj Veliajt është kthyer në një përplasje mes ligjit dhe perceptimit publik, ku shumë qytetarë shohin një lloj ndëshkimi nga ana e kryeministrit Rama, një ide që ai e hodhi poshtë, duke argumentuar se Rama po qëndron jashtë këtij procesi dhe është i përqendruar në menaxhimin e punëve të qytetit.

“Jamarbër Malltezi e kishte kaluar fazën e deklarimit të veprës penale dhe ishte në gjykim. Berisha është me vepër penale sot dhe është i lirë. Veliaj ka të drejtë të kërkoj ndryshimin e masës së sigurisë. Erion Veliaj të gjitha deklaratat e i ka që unë jam i pafajshëm, ai nuk e pranon fajësinë. Ne jemi në një pistë ligjore dhe në një debat politik për Erion Veliajn. Jo më shumë se sa një orë më parë dy miqtë më takojnë dhe më thonë pse Edi Rama po dënon Erion Veliajn. Sepse kanë këtë perceptim, ndërkohë që Rama nuk është i përfshirë fare. Rama qëndron në distancë dhe është i fokusuar që të zgjidhë hallet që ka qyteti. Sali Berisha po paralizohet sepse prodhoi VKM dhe prodhuan korrupsion dhe normalisht duhet të pranojë që të japë dorëheqjen”, tha analisti./abcnews.al

Sheinbaum: Pothuajse 75 mijë meksikanë janë kthyer vullnetarisht nga SHBA

By: Rovena
23 July 2025 at 19:42

Pothuajse 75 mijë meksikanë janë kthyer vullnetarisht në vendlindje nga Shtetet e Bashkuara në gjashtë muajt që kur Donald Trump nisi mandatin e dytë presidencial.

Kështu deklaroi presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, më 23 korrik.

Pasi Trump mori detyrën e presidentit në janar, Qeveria meksikane nisi një program të quajtur “Meksika të përqafon”, duke ofruar mbështetje për bashkëvendësit që dëshirojnë të kthehen.

Kjo u bë pasi administrata Trump shtoi bastisjet, ndalimet dhe dëbimet e migrantëve që nuk kanë dokumente qëndrimi.

Sheinbaum tha se 45 mijë qytetarë që kanë zgjedhur të kthehen kanë marrë një formë ndihme, pa dhënë detaje se për çfarë lloj ndihme bëhet fjalë.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Meksikës, rreth 12 milionë shtetas meksikanë jetojnë jashtë vendit, shumica dërrmuese në Shtetet e Bashkuara.

Të martën, Sheinbaum i bëri thirrje Uashingtonit të kthejë në atdhe meksikanët që rrezikojnë të përfundojnë në qendrat e ndalimit në SHBA, ku grupet për të drejtat e njeriut kanë raportuar se ata përballen me shkelje dhe trajtim jo të duhur.

SPAK i komunikon akuzat Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës/ Në total për këtë dosje janë marrë të pandehur 30 persona

By: Rovena
23 July 2025 at 18:50

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është marrë sot zyrtarisht i pandehur nga SPAK.

Akuzat i janë komunikuar në ambientet e paraburgimit të Durrësit, ndërsa bashkëshortes së tij Xoxa statusi i të pandehurit i është njoftuar në SPAK.

Të pandehur për këtë dosje janë: Erion Veliaj, Ajola Xoxa, Klotilda Bushka, Mirton Lika, Ina Goxhaj, Flutur Xhani, Valmir Xoxa, Erald Simixhiu,Elman Abule, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Sokol Kryeziu, Fation Baçi, Frosina Bollo.

Gjithsej të pandehur për këtë dosje janë 30 persona, duke përfshirë disa biznesmenë së bashku me kompanitë e tyre.

Kryebashkiaku akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje e sendeve te palejuara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. E pandehur u mor edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. /abcnews.al

VIDEO/ Ekstradohet Denis Bajroviç, pritet në Tiranë nga RENEA

By: Rovena
23 July 2025 at 18:46

Një tjetër i shumëkërkuar nga SPAK, është ekstraduar të mërkurën nga Dubai për t’u përballur me drejtësinë Shqiptare. Bëhet fjalë për  për Denis Bajroviç (Bajri), ndaj të cilit GJKKO ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për vrasje me paramendim në bashkëpunim, grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

Denis Brajoviç mbërriti nën masa të rrepta sigurie në RINAS ku iu dorëzua Drejtorisë së Burgjeve, ndërsa është shoqëruar nga forcat speciale për në paraburgimin 313.

Denis Brajoviç, u arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, në muajin shkurt 2024, rreth 7 muaj pasi SPAK e shpalli atë në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.

37-vjeçari dyshohet se është autori i vrasjes së Gjin Boriçit, më 9 Gusht të vitit 2020. Arrestimi i Brajoviç, u bë falë shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tirana dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe. Roli i 37-vjeçarit në ngjarjen për të cilën akuzohet u zbulua pas zbërthimit të aplikacionit SKY ECC, nga ku rezultoi se porositës i vrasjes së Boriçit ishte Ervis Martinaj.

Konkretisht ky i fundit përmes biznesmenit Pëllumb Gjoka i kishte kërkuar Behar Bajrit, gjithashtu i arrestuar në operacionin Metamorfoza, të ekzekutonte Gjin Ndoj Boriçin.

Kështu Behar Bajri i cili edhe pse rezulton të ketë patur marrëdhënie shoqërore me Boriçin, i jep porosi Denis Brajoviçit për të finalizuar ekzekutimin. Në këmbim të vrasjes së tij, Ervis Martinaj do të realizonte vrasjen e Kleant Musabelliut, ngjarje kjo që nuk u krye. Për ekzekutimin e Musabelliut ishte i interesuar biznesmeni Gjoka, pasi kishte tentuar ta vriste këtë të fundit në vitin 2017.

Krujë/ Babai përplas aksidentalisht me makinë vajzën e tij, ndërron jetë e mitura

By: Rovena
23 July 2025 at 17:56

Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të mërkurë në Krujë, në zonën e Qerekës. Babai ka përplasur aksidentalisht me makinë në ambientet e biznesit, vajzën e tij 4 vjeçe.

E mitura është dërguar me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk mundi që t’u mbijetonte plagëve të marra.

“Më datë 23.07.2025, në zonën e Qerekës, automjeti me drejtues shtetasin A. S., dyshohet se në ambientet e biznesit të tij, aksidentalisht ka përplasur vajzën e tij të mitur, rreth 4 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë në spital”, njofton policia.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe dokumentimin e plotë të rastit./abcnews.al

BE kërcënon SHBA-në me tarifa ndëshkuese prej 100 miliardë eurosh

By: Rovena
23 July 2025 at 17:41

Bashkimi Evropian kërcënon me tarifa ndëshkuese ndaj SHBA-së nëse nuk arrihet marrëveshja tregtare. Bashkimi Evropian po përgatit vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj produkteve amerikane, me vlerë gati 100 miliardë euro, nga uiski e deri te avionët Boeing – nëse presidenti amerikan, Donald Trump nuk arrin një marrëveshje tregtare me BE-në deri në fund të javës së ardhshme.

Komisioni Evropian njoftoi të mërkurën se do të bashkojë dy lista me produkte amerikane të përgatitura më parë, duke përfshirë mallra me vlerë 21 miliardë euro (përfshirë produkte shpendësh dhe alkool) dhe 72 miliardë euro të tjera (makina dhe aeroplanë). Nëse shtetet anëtare miratojnë propozimin në një votim që pritet së shpejti, tarifat do të hyjnë në fuqi më 7 gusht.

Olof Gill, përfaqësuesi tregtar i Komisionit Evropian, deklaroi se BE-ja synon ende të arrijë një marrëveshje, por po përgatitet për çdo skenar. Ai shtoi se bashkimi i dy listave do t’i bëjë kundërmasat më të qarta dhe më të forta.

Pas kërcënimeve të Trumpit për tarifa prej 30 për qind mbi të gjitha importet nga BE-ja, Brukseli po forcon qëndrimin e tij. Gjermania, që më parë favorizonte një marrëveshje të shpejtë për të hequr tarifat ekzistuese, tani mbështet përdorimin e “Instrumentit Kundër Detyrimit” (ACI), i cili lejon BE-në të përgjigjet me tarifa dhe ndalim të shërbimeve, një goditje e rëndë për sektorin amerikan të teknologjisë.

Industria evropiane e makinave është goditur rëndë nga tarifat, me kompanitë Stellantis dhe Volvo që raportojnë humbje të mëdha. Presidenti francez Macron dhe kancelari gjerman Merz kanë kërkuar prej kohësh një reagim më të fortë të BE-së ndaj presionit amerikan.

Megjithatë, disa ekspertë kritikojnë vonesën e BE-së në përgjigje dhe sugjerojnë se situata mund të zgjidhet vetëm përmes një takimi personal midis Trump dhe liderëve evropianë. Kërcënimi i tarifave evropiane vjen para një samiti të rëndësishëm me Kinën, ku BE-ja do të përpiqet të balancojë marrëdhëniet tregtare, ndërsa eksportet kineze drejt Evropës vazhdojnë të rriten dhe sfidat për industrinë gjermane përkeqësohen nga ndalimet e eksportit të metaleve të rralla nga Kina.

Automjeti gjendet i përmbysur në oborrin e një banese/ Humb jetën gruaja në Dibër

By: Rovena
23 July 2025 at 17:10

Një aksident me pasojë vdekje ka ndodhur mesditën e sotme në orën 15:00 tek Ura e Luznis në fshatin Hotesht të Dibrës.

Një automjet është gjetur i përmbysur në oborrin e një banese. Gazetarja e ABC News, Xhoana Çallaku raporton se si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur çifti Hajri Çera dhe Arta Çera.

Kjo e fundit është dërguar në gjendje të rëndë me helikopter për në spitalin e Traumës, por ka ndërruar jetë gjatë rrugës, si pasojë e plagëve të marra./abcnews.al

Modelet e Inteligjencës Artificiale sfidojnë gjimnazistët në Olimpiadën e Matematikës, OpenAI dhe Google me medalje ari

By: Rovena
23 July 2025 at 16:43

Modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale po konkurrojnë përkrah nxënësve të shkollave të mesme në olimpiadat ndërkombëtare të matematikës dhe në disa raste, edhe po triumfojnë. Si Google, ashtu edhe OpenAI kanë arritur të zgjidhin pesë nga gjashtë problemet e paraqitura nga Olimpiada Ndërkombëtare e Matematikës për të rinj, duke pretenduar secili medaljen e artë.

Nëse suksesi do të vlerësohej sipas rendit kronologjik të publikimit, atëherë OpenAI do të cilësohej fituese. Studiuesi Alexander Wei njoftoi në platformën X rezultatin mbresëlënës të modelit të avancuar të kompanisë: “Jam i lumtur të ndaj me ju që modeli ynë gjuhësor i ‘mendimit’ ka fituar medaljen e artë në garën më të vështirë të matematikës për inteligjencën artificiale.”

Megjithatë, sipas gazetës italiane Corriere della Sera, OpenAI nuk ka qenë zyrtarisht pjesëmarrëse në këtë kompeticion, për dallim nga Google. Kompania e njohur mori pjesë për të dytin vit radhazi në mënyrë të certifikuar, përmes modelit të saj të logjikës artificiale, DeepMind. Vitin e kaluar ajo fitoi medaljen e argjendtë.

“Këtë vit kemi qenë pjesë e një programi pilot, ku rezultatet e modeleve tona janë vlerësuar dhe certifikuar zyrtarisht nga koordinatorët e Olimpiadës Ndërkombëtare të Matematikës, në përputhje me kriteret që përdoren për nxënësit,” thuhej në deklaratën zyrtare të ekipit të Google.

Megjithëse asnjë nga modelet nuk konkurroi kokë më kokë me nxënësit pjesëmarrës, performanca e tyre në këtë olimpiadë konsiderohet një tregues domethënës i aftësisë së modeleve gjuhësore për të zgjidhur detyra të arsyetimit të thellë, përtej gjenerimit të tekstit.

Nga gjuha natyrore tek logjika matematikore

Të dy modelet, ai i OpenAI dhe Gemini Deep Think i Google, i zgjidhën problemet brenda afatit kohor prej 4.5 orësh dhe u vlerësuan sipas standardeve të njëjta me pjesëmarrësit njerëzorë. Për këtë arsye, Gemini do të marrë një certifikim zyrtar për arritjen e tij.

Ndryshe nga disa modele të tjera të zhvilluara nga kompani më të vogla, të cilat kërkuan ndërhyrje për të thjeshtuar pyetjet e paraqitura në gjuhë natyrore, modelet e OpenAI dhe Google ishin në gjendje të kuptonin dhe zgjidhnin problemet në mënyrë autonome, pa asistencë njerëzore.

Ky është një përparim i dyfishtë: jo vetëm që AI-të po zgjidhin probleme të ndërlikuara matematikore, por edhe i përpunojnë ato përmes gjuhës natyrore – një arritje e rëndësishme për zhvillimin e teknologjisë së arsyetimit të avancuar.

Sipas Junehyuk Jung, profesor i matematikës në Universitetin Brown dhe anëtar i njësisë DeepMind të Google, ky është një hap më pranë ditës kur inteligjenca artificiale do të mund të zgjidhë probleme matematikore që ende i mbeten sfidë njerëzimit.

Kur fitorja nuk është gjithmonë e AI-së

Por jo çdo garë përfundon me sukses për modelet e AI. Javën e kaluar, OpenAI humbi me pak diferencë në një kompeticion të ngjashëm, AtCoder World Tour Finals 2025 Heuristic, një garë ndërkombëtare në fushën e programimit dhe optimizimit, e zhvilluar në Tokio.

Fitues doli programuesi polak Przemysław “Psyho” Dębiak, i cili u shpreh: “Njerëzimi fitoi (për momentin!). Jam i rraskapitur… mezi jam gjallë.”

Gara konsistonte në një problem të vetëm optimizimi që duhej zgjidhur brenda 600 minutash. Dëbiak fitoi me një epërsi të ngushtë prej 9.5% ndaj modelit të OpenAI, që ende nuk është i disponueshëm për publikun.

Për këtë model të quajtur OpenAIAHC, gara përfundoi me një medalje argjendi, një rezultat mbresëlënës që mund të jetë paralajmërim për një fitore të ardhshme, ashtu si ndodhi me Google në olimpiadën e matematikës./abcnews.al

Situatë jashtë kontrollit në disa qytete, Franca vendos kufizime për fëmijët

By: Rovena
22 July 2025 at 23:30

Për shkak të një vale të re dhune të lidhur me trafikun e drogës që ka tronditur Francën, disa qytete kanë vendosur shtetrrethim për të miturit gjatë natës.

Qyteti më i fundit që ka marrë këto masa është Nîmes, në jug të vendit, ku fëmijët nën 16 vjeç nuk do të lejohen në rrugë nga ora 21:00 deri në 06:00. Autoritetet kanë theksuar se kjo masë është marrë për t’i mbrojtur ata nga dhuna dhe për të ulur tensionet. Policia do të shtojë praninë e saj në terren.

Kryetari i bashkisë së Nîmes, Jean-Paul Fournier, tha se situata ka arritur një pikë “të papërballueshme”, duke shtuar se trafikantët e drogës kanë krijuar një “klimë frike dhe terrori”. Zëvendësi i tij, Richard Schieven, theksoi se kufizimet janë të nevojshme për të mbrojtur fëmijët që nuk janë të përfshirë në trafik, si dhe ata të moshës 12-13 vjeç që shpesh shfrytëzohen nga bandat.

Në këtë qytet janë shënuar disa incidente të dhunshme gjatë muajit të fundit, përfshirë të shtëna me armë dhe një 19-vjeçar të gjetur të djegur në periferi.

Nîmes nuk është qyteti i vetëm që ka marrë masa të tilla. Në Béziers, 120 kilometra në jugperëndim, ka qenë në fuqi një shtetrrethim për fëmijët nën 13 vjeç që nga viti i kaluar dhe këtë mars u zgjeroa për ata nën 15 vjeç në disa zona. Megjithatë, dhuna vazhdon. Gjatë fundjavës së kaluar, disa të rinj sulmuan policinë me fishekzjarrë, sipas mediave lokale.

Në Limoges, autoritetet kishin vendosur kufizime për fëmijët nën 13 vjeç gjatë pushimeve të verës. Por, pas trazirave me mbi 100 persona, kryebashkiaku Émile Roger Lombertie deklaroi se këto masa nuk kishin dhënë rezultat dhe theksoi se mungesa e policisë i kishte bërë këto kufizime “të pavlefshme”.

Franca po përballet gjithashtu me një rritje të dhunës të lidhur me drogën jashtë Marsejës, e njohur si qendra e luftës mes bandave. Sipas Ministrisë së Brendshme, gjatë vitit 2024, 110 persona janë vrarë dhe mbi 300 janë plagosur në incidente të lidhura me trafikun e drogës.

Për të përballuar këtë krizë, qeveria franceze ka miratuar një ligj të ri që parashikon burgje me siguri maksimale për bosët e drogës, krijimin e një prokurorie të dedikuar, fuqizimin e hetuesve dhe mbrojtjen e posaçme për informatorët.

Ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin, njoftoi se 17 trafikantë të rrezikshëm janë transferuar tashmë në burgun me siguri të lartë në Vendin-le-Vieil, në veri të Francës.

Në pranverë, disa sulme me armë dhe zjarr në burgje u lidhën me hakmarrje të bandave për goditjen e qeverisë ndaj trafikut të drogës. Me rritjen e tensioneve, autoritetet pritet të ndërmarrin masa të tjera për të përballuar situatën.

Aksident në Fushë-Arrëz/ Makina del nga rruga, merr para tre persona në afërsi të një lokali

By: Rovena
22 July 2025 at 22:57

Rreth orës 22:30, në hyrje të qytetit të Fushë-Arrëzit, 31-vjeç Fatjon Rukaj, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke përplasur 3 shtetase që ndodheshin në pjesën e jashtme të një lokali.

‘’Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë shtetaset B. V., V. Gj., ndërsa shtetasja F. B., është dërguar për mjekim më të specializuar në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën’’, njofton policia.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit./abcnews.al

Letonia dërgon mijëra dronë në Ukrainë

By: Rovena
22 July 2025 at 22:46

Letonia ka dërguar tashmë 1300 dronë në Kiev dhe nuk ka asnjë plan për të ndaluar këtë mbështetje të rëndësishme ushtarake. Ministri i Mbrojtjes, Andris Spruds, njoftoi përmes rrjetit social X se një tjetër dërgesë me dronë është tashmë në rrugë drejt Ukrainës.

Ai theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Letonisë për të ndihmuar në mbrojtjen e vendit nga agresioni.

Por kjo nuk është vetëm një ndihmë e përkohshme. Sipas deklaratës së ministrit, gjatë këtij viti Ukraina pritet të marrë në total rreth 12 mijë dronë, të cilët kanë një vlerë të përgjithshme mbi 17 milionë euro.

Ky kontribut i konsiderueshëm teknologjik dhe ushtarak është pjesë e përpjekjeve më të gjera ndërkombëtare për të fuqizuar kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës në luftën e saj.

Kjo ndihmë tregon jo vetëm solidaritetin e Letonisë me Ukrainën, por edhe rëndësinë që kanë teknologjitë moderne si dronët në konfliktet bashkëkohore, duke ofruar mbështetje strategjike në terren dhe duke ndihmuar në sigurimin e informacionit të vlefshëm për forcat ukrainase.

Trump paralajmëron Iranin: Mund t’ju godasim sërish nëse është e nevojshme

By: Rovena
22 July 2025 at 22:31

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se SHBA mund të sulmojnë përsëri objektet bërthamore të Iranit, nëse situata e kërkon një veprim të tillë. Kjo deklaratë erdhi pas pranimit të ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili konfirmoi për Fox News se tre instalacione bërthamore ishin dëmtuar rëndë nga sulmet ajrore amerikane të zhvilluara në qershor.

“Sigurisht që janë dëmtuar, siç kam thënë më parë. Dhe do ta bëjmë përsëri, nëse është e nevojshme!”, shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social, duke iu përgjigjur komenteve të Araghchit.

Sulmet amerikane të datës 22 qershor goditën tri qendra bërthamore në Fordow, Natanz dhe Isfahan, gjatë një konflikti 12-ditor mes Izraelit dhe Iranit.

Trump e karakterizoi këtë goditje si një shkatërrim të plotë të kapaciteteve bërthamore të Iranit, por një raport i mëvonshëm nga inteligjenca amerikane sugjeroi se dëmi ishte vetëm i përkohshëm dhe se programi i Iranit ishte vonuar me disa muaj. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë e quajti këtë raport “krejtësisht të pasaktë”.

Në të njëjtën kohë, Irani ka njoftuar se do të rinisë bisedimet me vendet evropiane për programin e tij bërthamor. Takimi është planifikuar për të premten në Stamboll, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, konfirmoi se bisedimet do të fokusohen në heqjen e sanksioneve dhe çështjet që lidhen me programin bërthamor civil të Iranit.

Programi bërthamor i Iranit u kufizua ndjeshëm pas marrëveshjes së vitit 2015 (JCPOA), por pësoi një goditje të rëndë pas tërheqjes së SHBA-ve në vitin 2018. Nga ai moment, Irani ka rritur gradualisht aktivitetet bërthamore, përfshirë pasurimin e uraniumit në nivele që janë shumë të afërta me ato të nevojshme për prodhimin e armëve bërthamore. Iranit i ka qëndruar besnik pretendimit se programi i tij është për qëllime civile, ndërkohë që shtetet perëndimore kanë shprehur shqetësim për mundësinë e një eskalimi të tensioneve./abcnews.al

Numri i viktimave nga dhuna në jug të Sirisë arrin në mbi 1.300

By: Rovena
22 July 2025 at 22:04

Numri i viktimave nga përleshjet njëjavore në provincën Suveida, e banuar kryesisht me druzë, në jug të Sirisë, ka kaluar shifrën prej 1.300.

Kështu deklaroi Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriutm grup monitorues teksa ky grup po vazhdon të konfirmojë vdekjet që ndodhën para se të hynte në fuqi armëpushimi gjatë fundjavës së kaluar.

Vëzhguesi tha se në mesin e viktimave përfshihen 933 pjesëtarë druzë, 533 nga ta luftëtarë dhe 300 civilë, si dhe 196 që “u ekzekutuan pa gjyq nga personeli i mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme”.

Shifra e re përfshin gjithashtu 423 pjesëtarë të forcave të sigurisë së qeverisë dhe 35 beduinë sunitë, tre prej tyre civilë që, sipas Vëzhguesit me seli në Britani, “u ekzekutuan nga luftëtarë druzë”.

Sipas monitoruesit, edhe 15 pjesëtarë të forcave qeveritare u vranë në sulmet ajrore izraelite.

Përleshjet njëjavore, që nisën më 13 korrik, fillimisht përfshinë luftëtarë druzë dhe fise beduine sunite, por forcat qeveritare ndërhynë në anën e këtyre të fundit, sipas dëshmitarëve, ekspertëve dhe Vëzhguesit sirian.

Një armëpushim ka hyrë në fuqi më 20 korrik, pasi luftëtarët beduinë dhe fisnorë u tërhoqën nga qyteti Suveida dhe grupet druze rimorën kontrollin. Ndërkaq, forcat qeveritare janë dislokuar në pjesë të kësaj province.

Të martën, Kombet e Bashkuara njoftuan për zhvendosjen e stafit dhe familjarëve të tyre nga Suveida, duke shtuar se kanë dorëzuar një dërgesë të re ndihmash pranë Gjysmëhënës së Kuqe Siriane, ndihmë që ka për destinacion Suveidën.

Before yesterdayMain stream

Përfshihet nga flakët një banesë në Korçë/ Lëndohet i zoti i shtepisë

By: Rovena
22 July 2025 at 21:21

Zjarr në një banesë në zonën e quajtur “Rruga e Ersekës” në qytetin e Korçës.

Mësohet se i zoti i shtëpisë ka mbetur i lënduar lehtë ndërsa zjarri ka nisur në ambientet e brendshme të banesës.

Zjarrfikësja ndodhet në vendngjarje për fikjen e zjarrit ndërsa ka mbërritur dhe policia për zbardhjen e rrethanave. I lënduari u mor nga ambulanca për tu çuar drejt spitalit të Korçës./abcnews.al

❌
❌