SOFT NEWS – Balenat dhe delfinët angazhohen shpesh në ”takime lozonjare”
SIDNEJ, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Balenat dhe delfinët shpesh angazhohen në ”takime lozonjare” dhe miqësore në natyrë, sipas një studimi të publikuar nga studiues të universitetit ”Griffith” në Australi.
Studimi, i udhëhequr nga kërkuesi për balenat, Olaf Meynecke nga programi “Whales & Climate”, analizoi 199 takime mes 19 specieve të balenave me mustaqe dhe delfinëve në 17 vende, duke përdorur foto e video nga rrjetet sociale dhe pamje përmes dronëve.
Rreth një e katërta e ndërveprimeve u vlerësuan si pozitive dhe të ndërsjella.
Balenat, të njohura për shoqërueshmërinë e tyre, janë parë teksa shtriheshin në brinjë, tregonin barkun ose afroheshin ngadalë te delfinët. Shpesh delfinët nisnin kontaktin, zakonisht pranë kokës së balenës.
“Supozimi është se delfinët qëndrojnë brenda fushës së shikimit të balenave për t’u parë. Kafshët mund të perceptojnë njëra-tjetrën përmes tingujve, por duket se kontakti vizual është gjithashtu i rëndësishëm”, tha Meynecke.
”Delfinët janë parë gjithashtu duke shëtitur pranë balenave, duke u kënaqur nga vala e presionit, në mënyrë të ngjashme me mënyrën si njerëzit argëtohen duke bërë sërf”, tha studiuesi.
Delfinët priren gjithashtu të qëndrojnë pranë gjatë lojërave të balena ose kur janë të pranishëm të vegjlit, duke i vëzhguar nga afër, por pa u përfshirë në to.
“Ashtu si njerëzit, këto qenie inteligjente kanë nevojë për faza kreativiteti”, tha Meynecke, duke sugjeruar se këto ndërveprime mund të jenë një formë loje shoqërore dhe argëtimi. /Ad.Ab./
The post SOFT NEWS – Balenat dhe delfinët angazhohen shpesh në ”takime lozonjare” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.