Arabia Saudite nënshkruan marrëveshje për rindërtimin e Sirisë
Arabia Saudite nënshkroi marrëveshje të rëndësishme investimi dhe partneriteti me Sirinë më 24 korrik, me vlerë prej 6.4 miliardë dollarësh, për të ndihmuar në rindërtimin e infrastrukturës, telekomunikacionit dhe sektorëve kryesorë të tjerë të vendit të shkatërruar nga lufta.
Mbretëria e pasur me naftë në Gjirin Persik është një nga mbështetëset kryesore të Qeverisë e re siriane, e cila mori pushtetin pas një ofensive të udhëhequr nga islamistët që rrëzoi nga pushteti udhëheqësin e komtshëm të Sirisë, Bashar al-Assad, në dhjetor.
Duke folur në Forumit të Investimeve Siri-Arabi Saudite të mbajtur në pallatin presidencial në Damask, ministri saudit i Investimeve, Khalid Al-Falih, njoftoi për “nënshkrimin e 47 marrëveshjeve dhe memorandumeve mirëkuptimi… me një vlerë totale prej gati 6.4 miliardë dollarëve”.
Me praninë e presidentit të përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, dhe zyrtarëve të tjerë, ministri sirian i Ekonomisë, Mohammed al-Shaar, e quajti këtë forum “një hap të madh në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve tona vëllazërore”.
Falih tha se 2.9 miliardë dollarë do të dedikohen për infrastrukturë dhe do të ndërtohen tri fabrika të çimentos. Kompanitë saudite të telekomunikacionit do të investojnë rreth 1.07 miliardë dollarë “me qëllim zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike”, shtoi ai. Sektorë të tjerë, përfshirë bujqësinë dhe financat, pritet gjithashtu të përfitojnë nga marrëveshjet e mëdha.
Të enjten, ekspertët e Kombeve të Bashkuara mirëpritën heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera perëndimore, duke thënë se kjo “hap rrugë premtuese për rimëkëmbje”.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së përkohshme t’i japë prioritet rindërtimit të infrastrukturës së qëndrueshme dhe shërbimeve publike për të përmbushur gamën e gjerë të të drejtave të njeriut që janë në rrezik në Siri”, tha OKB-ja.
Lufta 14-vjeçare civile në Siri shkatërroi pjesën më të madhe të infrastrukturës së vendit, dhe udhëheqësit e rinj shpresojnë të marrin mbështetje ndërkombëtare për përpjekjet e rindërtimit, të cilat OKB-ja i vlerëson se mund të kushtojnë mbi 400 miliardë dollarë.
Në fillim të këtij muaji, presidenti amerikan, Donald Trump, formalizoi heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Sirisë, duke synuar riintegrimin e vendit në ekonominë globale.
Në maj, ai veçse kishte hequr shumicën e masave, pas thirrjeve nga Arabia Saudite dhe Turqia.
Në maj, Siria nënshkroi një marrëveshje për energji në vlerë prej 7 miliardë dollarësh me një konsorcium kompanish nga Katari, Turqia dhe SHBA-ja për të ndihmuar ringjalljen e sektorit të energjisë elektrike./REL