Izraeli zgjeron ofensivën, godet qendrën e fundit të ndihmës në Gaza
Izraeli ka intensifikuar sulmet në Rripin e Gazës, duke ndërmarrë një ofensivë të re ajrore dhe tokësore që përfshin qytetin Deir al-Balah – një nga zonat e fundit të mbetura si qendër e ndihmës humanitare për popullsinë palestineze në krizë të thellë.
Sipas The Guardian, ky sulm vjen menjëherë pas një prej ditëve më vdekjeprurëse të luftës 21-mujore, gjatë së cilës të paktën 85 palestinezë u vranë të dielën teksa përpiqeshin të siguronin ushqim. Incidenti është përshkruar si një tjetër episod tragjik në një konflikt që po shndërrohet në një kasaphanë të përditshme.
Agjencia Botërore e Ushqimit (WFP), një organ i OKB-së, bëri të ditur se shumica e viktimave ishin të mbledhur pranë gardhit kufitar me Izraelin, ku prisnin shpërndarjen e miellit nga një autokolonë humanitare. Ata u qëlluan nga tanket dhe snajperët izraelitë, sipas raportimeve nga terreni.
Përgjigja ndërkombëtare ndaj këtyre ngjarjeve ka qenë e ashpër. Të hënën, Britania dhe 24 shtete të tjera publikuan një letër të përbashkët, duke dënuar vrasjen e qindra civilëve që kërkonin ndihmë dhe duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të konfliktit.
“Është tronditëse që mbi 800 palestinezë janë vrarë gjatë përpjekjeve për të marrë ndihma humanitare. Refuzimi i ndihmës thelbësore nga qeveria izraelite për popullsinë civile është i papranueshëm. Izraeli duhet të respektojë detyrimet që i imponon e drejta ndërkombëtare humanitare,” thuhet në deklaratë.
Dëshmitarë në Gaza kanë raportuar për bombardime të mëdha ajrore gjatë natës në Deir al-Balah – një qytet që deri tani kishte shpëtuar nga përplasjet më të ashpra të luftës dhe që ishte kthyer në strehë për mijëra palestinezë të zhvendosur.
Sipas The Guardian, ushtria izraelite më parë kishte shmangur ndërhyrjen tokësore në këtë zonë për shkak të dyshimeve se grupi Hamas mund të mbajë atje disa nga pengjet izraelite. Vlerësohet se rreth 20 nga afërsisht 50 pengjet ende të mbetura në Gaza janë gjallë.
Përkundër këtyre shqetësimeve dhe raporteve të mediave izraelite që sugjeronin se Hamasi mund të ishte pranë një marrëveshjeje armëpushimi, ofensiva e re u nis. Ajo u shoqërua me urdhra për evakuimin e detyruar të 50 deri në 80 mijë njerëzve nga Deir al-Balah, duke lënë rreth 88% të territorit të Gazës nën urdhra largimi./abcnews.al