Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 August 2025Main stream

Gjermani – Pesë avionë luftarakë “Eurofighter” në Poloni për një periudhë disa javore

4 August 2025 at 22:49

VARSHAVË, 4 gusht /ATSH-DPA/ – Forcat ajrore gjermane do të vendosin pesë avionë luftarakë “Eurofighter” në Poloni për për një periudhë disa javore.

Që nga dita e nesërme, avionët do të veprojnë nga baza ushtarake Minsk Mazowiecki, në lindje të Varshavës, konfirmoi një zëdhënës i forcave ajrore.

Rreth 150 ushtarë nga Bundeswehr (ushtria gjermane) janë tashmë në terren.

Polonia është një mbështetëse kyçe, politike dhe ushtarake e Ukrainës që prej fillimit të agresionit rus më shumë se tre vite më parë. Ajo gjithashtu luan rol qendror si nyje logjistike për ndihmën ushtarake të perëndimit ndaj Kievit.

Polonia  e konsideron veten të kërcënuar nga Rusia dhe po zhvillon aktualisht një program të gjerë riarmatimi.

Që nga prilli, forcat ajrore gjermane kanë ndihmuar ushtrinë polake në monitorimin e hapësirës ajrore të Polonisë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e kishte paralajmëruar këtë vendim që në janar.

Komanda e lartë e ushtrisë polake njoftoi në platformën X se avionët do të mbështesin mbrojtjen e hapësirës ajrore në krahun lindor të NATO-s.

“Ky është një tjetër shembull i bashkëpunimit mes aleatëve dhe i përkushtimit të tyre të vërtetë ndaj sigurisë së Evropës Qendrore dhe Lindore”, thuhet në deklaratë. /Ad.Ab./

 

 

The post Gjermani – Pesë avionë luftarakë “Eurofighter” në Poloni për një periudhë disa javore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Rusia tërhiqet nga traktati për çarmatimin bërthamor

4 August 2025 at 22:15

MOSKË, 4 gusht /ATSH-DPA/ – Rusia deklaroi sot se nuk do të respektojë më një traktat kyç për çarmatimin bërthamor, disa vite pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tërhoqën nga marrëveshja.

Ministria e Jashtme ruse njoftoi se Moska po i jep fund moratoriumit me të cilin kishte respektuar Traktatin për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) që kur SHBA-ja doli nga traktati në vitin 2019.

Presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar me një përgjigje “simetrike” ndaj vendimit të SHBA-së për të vendosur raketa në Gjermani duke filluar nga viti 2026.

Sipas Kremlinit, armët për këtë përgjigje ruse kanë qenë gati për përfundim që një vit më parë.

Traktati INF, i nënshkruar në vitin 1987 nga udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev dhe presidenti amerikan Ronald Reagan, parashikonte eliminimin e të gjitha raketave balistike dhe raketave lundruese tokësore me rreze të shkurtër (500–1,000 km) dhe rreze të mesme (1,000–5,500 km).

SHBA u tërhoq nga traktati në 2019, duke akuzuar Rusinë për shkelje të marrëveshjes.

Sipas ushtrisë gjermane, vendosja e armëve bërthamore amerikane në Gjermani ka për qëllim të shërbejë si mjet frenimi ndaj vendosjes nga Rusia të raketave Iskander me mbushje bërthamore në Kaliningrad, enklavë ruse që ndodhet afër kufirit me Poloninë dhe ka rreze të mjaftueshme për të goditur qytete gjermane. /Ad.Ab./

 

The post MOSKË – Rusia tërhiqet nga traktati për çarmatimin bërthamor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 4 August 2025Main stream

SHBA – Zëvendëskancelari gjerman: Duhet rritur presioni ndaj Izraelit dhe Hamasit

4 August 2025 at 21:54

UASHINGTON, 4 gusht /ATSH-DPA/ – Zëvendëskancelari gjerman Lars Klingbeil bëri sot thirrje që qeveria e tij të ndjekë një qasje të ekuilibruar ndaj konfliktit në Gaza, ndërsa presioni ndërkombëtar rritet mbi Izraelin për shkak të situatës së rëndë humanitare në territorin palestinez.

“Është e qartë se presioni duhet të rritet nga të dyja palët”, tha Klingbeil, i cili është edhe si ministër i financave, për transmetuesin gjerman “Welt TV” gjatë një vizite në Uashington.

“Ne kemi nevojë për zgjidhje humanitare. Duhet të sigurohemi që dërgesat e ushqimit të arrijnë, që situata mjekësore të përmirësohet. Dhe duhet të sigurohemi që më në fund të arrihet një armëpushim”.

Klingbeil theksoi se ishte e rëndësishme që Berlini të deklaronte qartë se grupi ekstremist palestinez Hamas është përgjegjës për përshkallëzimin e konfliktit në Gaza, duke vënë në dukje se debati aktual po jepte përshtypjen se duhej vendosur “nëse do të vuash me palën palestineze apo me palën izraelite”.

“Megjithatë, ishte gjithashtu e rëndësishme të theksohej se Izraeli mban një nivel tepër të lartë përgjegjësie në dritën e situatës”, shtoi ai.

“Ata nuk po i japin drejtësi kësaj në shumë vende”, tha Klingbeil në lidhje me përgjegjësinë e Izraelit. “Veprimet e Hamasit duhet të shihen veçmas nga gjendja e vështirë e popullsisë civile palestineze”, theksoi Klinbeil

Ai  përsëriti se Partia e tij Social Demokrate, partneri i vogël në qeverinë e koalicionit të kancelarit konservator Friedrich Merz, nuk ishte në favor të njohjes së shpejtë të një shteti palestinez. Në vend të kësaj, ai tha se “është e rëndësishme të përqendrohemi së pari në një armëpushim dhe të ndihmojmë popullsinë”. /Ad.Ab./

 

The post SHBA – Zëvendëskancelari gjerman: Duhet rritur presioni ndaj Izraelit dhe Hamasit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMSTERDAM – Holanda e para në financimin e armëve për Ukrainën përmes NATO-s

4 August 2025 at 21:30

AMSTERDAM, 4 gusht /ATSH/ – Holanda do të jetë kontribuesi i parë në mekanizmin e ri të financimit të NATO-s për armatimin e Ukrainës, të quajtur “Lista e kërkesave prioritare të Ukrainës” (PURL), me një pagesë prej 500 milionë eurosh (rreth 578 milionë dollarë), njoftoi sot ministria holandeze e Mbrojtjes, sipas Reuters.

Ukraina ka nevojë për më shumë mbrojtje ajrore dhe municione tani. Si aleati i parë i NATO-s, Holanda do të dërgojë një paketë armësh amerikane me vlerë 500 milionë euro (përfshirë pjesë dhe raketa të sistemit Patriot), deklaroi ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, në një postim në X.

“Kjo ndihmon Ukrainën të mbrohet vetë dhe pjesën tjetër të Evropës nga agresioni rus”, shtoi ai.

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes të Holandës, thuhet se edhe shtete të tjera kanë premtuar financime sipas këtij mekanizmi të ri.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi muajin e kaluar se SHBA-ja do të furnizojë me armë Ukrainën, por këto do të paguhen nga aleatët evropianë. Megjithatë, ai nuk dha detaje se si do të funksionojë kjo skemë.  /Ad.Ab./

 

The post AMSTERDAM – Holanda e para në financimin e armëve për Ukrainën përmes NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Ministri gjerman i Financave kërkon tarifë më të ulët për çelikun

4 August 2025 at 19:24

UASHINGTON, 4  gusht/ATSH-DPA/  – Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, shpreson të negociojë një përjashtim për eksportet e çelikut gjatë vizitës së tij në Uashington, ku zhvilloi sot bisedime  me sekretarin amerikan të Thesarit, Scott Bessent, vetëm disa ditë para se të hyjnë në fuqi tarifat e reja të SHBA-së ndaj importeve nga Bashkimi Evropian.

Klingbeil tha se planifikon të diskutojë një rregullore kuotash për eksportet e çelikut, e cila mund të lejojë që sasi të caktuara të këtij metali të tregtohen mes të dyja palëve me një tarifë më të ulët, ose edhe pa tarifë fare.

“Do të ishte shumë e rëndësishme për industrinë gjermane të çelikut, për shumë vende pune në Gjermani”, u tha ai gazetarëve në Uashington.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën një marrëveshje tregtare në fund të muajit të kaluar për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë për tarifat, e cila u nxit nga presidenti Donald Trump.

Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Trump dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shumica e importeve nga BE-ja drejt SHBA-së do të përballen me një tarifë prej 15% duke filluar nga data 7 gusht. Ndërkohë, tarifat mbi mallra të caktuara si alumini dhe çeliku do të mbeten në nivelin 50%.

Klingbeil shprehu zhgënjim lidhur me negociatat që çuan në marrëveshjen e shpallur më 27 korrik.

“Mendoj se ishim shumë të dobët. Nuk mund të jemi të kënaqur me rezultatin që u arrit,” tha ministri, i cili është gjithashtu edhe  zëvendëskancelar i Gjermanisë. /Ad.Ab./

The post SHBA – Ministri gjerman i Financave kërkon tarifë më të ulët për çelikun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LITUANI – Ministri i Financave emërohet të drejtojë qeverinë teknike

4 August 2025 at 18:43

VILNUS, 4 gusht /ATSH / – Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, pranoi sot dorëheqjen e kryeministrit Gintautas Paluckas dhe të gjithë qeverisë së tij, duke emëruar ministrin e Financave, Rimantas Sadzius, si drejtues të qeverisë së përkohshme, sipas “Euronews”

Presidenti ka deri në 15 ditë për të propozuar një kandidat të ri për postin e kryeministrit për miratim nga parlamenti (Seimas). Deri atëherë, Sadzius do të udhëheqë qeverinë teknike.

Paluckas njoftoi dorëheqjen të enjten e kaluar, pas hapjes së dy hetimeve paraprake nga autoritetet ligjzbatuese mbi aktivitetet e tij të biznesit, që shkaktuan shqetësime publike në rritje. Ai e konfirmoi  sot vendimin gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të qeverisë .

Kandidati i ri për kryeministër do të propozohet nga Partia Socialdemokrate, grupi më i madh në parlament.  Kandidati  kryesor është ish-kryetari i bashkisë së Jonavës dhe ish-ministri i Ekonomisë, Mindaugas Sinkevicius, pavarësisht se në maj 2024 u dënua me gjobë dhe ndalim 3-vjeçar për ushtrim detyre për shkak të një skandali abuzimi me detyrën, dënim që u konfirmua edhe në apel në shtator.

Kandidatët e tjerë të mundshëm janë ish-eurodeputeti dhe ish-ministri i Mbrojtjes Kombëtare Juozas Olekas, ministrja e Sigurisë Sociale dhe Punës Inga Ruginiene, si dhe kryetari i qarkut të Vilnusit, Robert Duchnevic. /Ad.Ab./

 

The post LITUANI – Ministri i Financave emërohet të drejtojë qeverinë teknike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Londra nuk do ta njohë Palestinën ndërkohë që Hamasi është ende në pushtet

4 August 2025 at 17:26

LONDËR, 4 gusht /ATSH-DPA/ – Zyra e kryeministrit britanik Keir Starmer nuk pranoi të thotë nëse Britania e Madhe do të njohë shtetin palestinez përderisa Hamasi mbetet në pushtet, pasi kjo organizatë militante raportohet të ketë përshkruar shtetësinë si “një nga frytet e 7 tetorit”.

Po ashtu, qeveria nuk u shpreh qartë nëse lirimi i të gjithë pengjeve izraelite është kusht për njohje, por këmbënguli se ato duhet të lirohen “pa kushte dhe menjëherë”.

Shqetësime janë ngritur mbi planet e Britanisë së Madhe  për të njohur shtetin palestinez, pas deklaratës së anëtarit të Hamasit, Ghazi Hamad, i cili tha se “frytet e 7 tetorit” kishin bërë që bota të “hapte sytë ndaj çështjes palestineze”.

I pyetur sot nëse një vendim i tillë pa një armëpushim do të motivonte Hamasin të mbajë pengjet izraelite, zëdhënësi zyrtar i Starmerit tha se qeveria do të vlerësojë situatën në shtator.

“Kryeministri ka qenë absolutisht i qartë se, më 7 tetor, Hamasi kreu masakrën më të rëndë në historinë e Izraelit”, tha ai. “Çdo ditë që nga ajo ditë, ai tmerr vazhdon… siç tha ministri i Jashtëm (David Lammy) këtë fundjavë.  Hamasi me të drejtë konsiderohet grup i përjashtuar që nuk mund të ketë rol në të ardhmen e Gazës”.

Kur u pyet nëse shteti palestinez mund të njihet ndërkohë që Hamasi mban ende pengje, zëdhënësi tha: se “do të bëjmë një vlerësim përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, për të parë sa janë përmbushur hapat që kemi parashtruar”.

“Kemi qenë shumë të qartë që Hamasi nuk mund të ketë asnjë rol në qeverisjen e ardhshme të Gazës … gjithashtu, duhet të çarmatoset dhe të lirojë të gjitha pengjet.”

Lidhur me faktin nëse ky hap mund të ndërmerret ndërsa Hamasi mbetet në pushtet, zyrtari tha se qeveria ishte e qartë se “Hamasi nuk është populli palestinez”.

 “Është një e drejtë e patjetërsueshme e popullit palestinez të ketë njohje, sipas kushteve dhe hapave që kemi parashtruar më herët.” “Gjithashtu kemi qenë të qartë se nuk mund të jetë një grup terrorist si Hamasi që të ketë të drejtën të vendosë veton mbi njohjen e Palestinës”. /Ad.Ab./

The post BM – Londra nuk do ta njohë Palestinën ndërkohë që Hamasi është ende në pushtet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

BM – Lammy: Të papranueshme pretendimet e Iranit për uraniumin

2 August 2025 at 15:00

LONDËR, 2 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm britanik, David Lammy deklaroi se nuk i pranon pretendimet e Iranit se vendi po pasuron uranium për qëllime akademike.

Përfaqësues nga Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca zhvilluan javën e kaluar bisedime me Iranin për të thyer ngërçin lidhur me programin bërthamor të këtij vendi.

Teherani pohon se mbetet i hapur ndaj diplomacisë, megjithëse së fundmi ka pezulluar bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).

Një shqetësim thelbësor për fuqitë perëndimore u theksua kur IAEA-ja raportoi në maj se rezervat e uraniumit të pasuruar deri në 60% të Iranit, shumë afër nivelit të nevojshëm për armë

“Liderët e tyre nuk mund të më shpjegojnë, dhe kam pasur shumë bisedimeme ta, pse u duhet uranium i pasuruar në nivelin 60%.“,  tha Lami në një intervistë për gazetën “The Guardian”.

“Nëse shkoj në Sellafield apo Urenco në Cheshire, nuk ka më shumë se 6% uranium. Irani thotë se është për përdorim akademik, por unë nuk e pranoj këtë”, shtoi ai.

Lammy paralajmëroi se zhvillimi i armëve bërthamore nga Irani mund të çojë në përshkallëzim të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën sulme kundër impianteve bërthamore iraniane në qershor./  /Ad.Ab./

The post BM – Lammy: Të papranueshme pretendimet e Iranit për uraniumin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HAPËSIRË – NASA: Katër astronautë ulen në ISS

2 August 2025 at 14:21

NJU JORK, 2 gusht /ATSH-DPA/ – Katër astronautë kanë mbërritur në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) pas një udhëtimi 15-orësh në një kapsulë SpaceX, njoftoi sot NASA.

Misioni komandohet nga astronautja amerikane Zena Cardman. Anëtarët e tjerë të ekuipazhit janë Michael Fincke i SHBA-së, astronautja japoneze Kimiya Yui dhe kozmonauti rus Oleg Platonov.

Ata u nisën një ditë më parë në bordin e një rakete Falcon 9 të operuar nga kompania hapësinore SpaceX e miliarderit të teknologjisë Elon Musk, nga porti hapësinor Cape Canaveral në Florida.

Ky është misioni i 11-të i rregullt me ekuipazh i SpaceX në ISS.

Ekuipazhi do të qëndrojë në bordin e postit orbital, të vendosur afërsisht 400 kilometra mbi Tokë, për disa muaj, duke kryer një sërë eksperimentesh shkencore.

Aktualisht në stacion ndodhen 11 astronautë.

Por të sapoardhurit ndërrohen me katër astronautë të tjerë që kanë qenë atje që nga marsi.

Ata janë planifikuar të kthehen në Tokë në ditët e ardhshme. /Ad.Ab./

 

The post HAPËSIRË – NASA: Katër astronautë ulen në ISS appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – ”And Just Like That”, sezoni i tretë i rikthimit të ”Sex and the City”, do të jetë i fundit

2 August 2025 at 13:39

LONDËR, 2 gusht /ATSH/ – ”And Just Like That”, vazhdimi i serialit të viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000 ”Sex and the City”, do të mbyllet pas sezonit të tretë, njoftoi HBO, sipas BBC.

Regjisori dhe skenaristi i njohur amerikan, Michael Patrick King shpjegoi në Instagram se ndërsa po shkruante episodin e fundit, ”u bë e qartë se ky mund të ishte një moment i mrekullueshëm për ta mbyllur”.

I emërtuar sipas frazës së famshme të personazhit kryesor Carrie Bradshaw, seriali komedi-dramë ndjek romancat e tre prej katër personazheve origjinale, teksa jetojnë të 50-at e tyre në Nju Jork.

Finalja me dy pjesë nuk është transmetuar ende.

Sarah Jessica Parker, që luan Carrie-n, ndau një montazh fotosh nga të dy sezonet dhe tha se personazhi ”ka dominuar jetën time profesionale për 27 vjet”, por tani ”ky kapitull është i mbyllur”.

Ajo shtoi se ”And just like that” ishte ”gëzim, aventurë dhe puna më e bukur, krahas talenteve më të jashtëzakonshme”.

”Do të më duhet shumë kohë për ta harruar”, shkroi Parker.

”Shpresoj që këto dy episode të fundit t’ju pëlqejnë po aq sa na pëlqyen neve”, shtoi ajo.

Kristin Davis (Charlotte York në serial) tha se “jam thellësisht e trishtuar”.

Fansat shpresonin për një tjetër serial apo spin-off, por King deklaroi se ”rrëfimi në vazhdim i universit të ‘Sex and the City’ po përfundon”.

Shikueshmëria ka rënë gjatë tre sezoneve.

”Episodi i parë u ndoq nga 1,1 milionë familje amerikane, ndërsa të fundit kishin më pak se gjysmën e këtij numri”, sipas Samba TV.

Seriali gjithashtu është kritikuar, veçanërisht për përpjekjet për të diversifikuar kastin.

Revista ”Elle” tha se kjo përpjekje “dështoi”, ndërsa ”The Guardian” e cilësoi si “mbikompensim i rëndë” që tentonte të shlyente mungesën e ndjeshmërisë racore në origjinalin.

Në sezonin e fundit, personazhi Che Diaz – i quajtur “personazhi më i keq në televizion” nga ”The Daily Beast”, u zëvendësua nga një tjetër që punon në BBC./ /Ad.Ab./

The post KINEMA – ”And Just Like That”, sezoni i tretë i rikthimit të ”Sex and the City”, do të jetë i fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Hyjnë në fuqi regullat e reja të transparencës për modelet e IA-së

2 August 2025 at 13:04

BRUKSEL, 2 gusht  /ATSH-DPA/ – Rregullat e reja të transparencës për modelet e inteligjencës artificiale  (IA) me përdorim të përgjithshëm, si ChatGPT dhe Gemini, hynë sot në fuqi në të gjithë Bashkimin Evropian, si pjesë e Aktit për Inteligjencën Artificiale të miratuar vitin e kaluar.

Sipas këtyre rregullave, zhvilluesit duhet të bëjnë publike se si funksionojnë modelet e tyre dhe çfarë të dhënash janë përdorur për trajnimin e tyre.

Modelet veçanërisht të avancuara, të cilat konsiderohen me rrezik të mundshëm për publikun, duhet gjithashtu të dokumentojnë masat e sigurisë.

Inteligjenca artificiale me përdorim të përgjithshëm i referohet sistemeve që mund të përdoren për një gamë të gjerë funksionesh, si gjenerimi i tekstit, analizimi i gjuhës apo programimi.

Qëllimi i ligjit është edhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të autorit. Zhvilluesit duhet të raportojnë burimet e të dhënave që kanë përdorur për trajnim dhe nëse kanë përdorur metoda automatike për të mbledhur të dhëna nga interneti.

Ata janë gjithashtu të detyruar të paraqesin masat e marra për të mbrojtur pronën intelektuale dhe të caktojnë pika kontakti për mbajtësit e të drejtave.

Megjithatë, disa shoqata që përfaqësojnë autorë, artistë dhe botues e kanë kritikuar ligjin duke thënë se nuk shkon mjaftueshëm larg.

Në një deklaratë të përbashkët, nisma gjermane “Initiative Urheberrecht”, një grup avokues për të drejtat e autorit, theksoi se rregullat janë të pafuqishme pa një kërkesë për të emëruar grupet specifike të të dhënave ose domenet.

Ndërsa individët mund të padisin ofruesit e AI sipas ligjit të ri, zbatimi nga Zyra Evropiane e AI-së do të nisë më vonë. Kjo zyrë do të mbikëqyrë modelet e reja nga gushti i vitit 2026 dhe modelet e lëshuara para datës 2 gusht 2025 duke filluar nga gushti i vitit 2027.

Shkeljet mund të rezultojnë në gjoba deri në 15 milionë euro (17,1 milionë dollarë) ose 3% të xhiros vjetore globale.

Për të lehtësuar përputhshmërinë, Komisioni Evropian ka publikuar gjithashtu udhëzime vullnetare dhe një kod sjelljeje.

Google, zhvilluesi i modelit Gemini, ka deklaruar se ka ndërmend ta nënshkruajë këtë kod, por ka paralajmëruar se rregullorja mund të pengojë inovacionin. /Ad.Ab./

 

The post BRUKSEL – Hyjnë në fuqi regullat e reja të transparencës për modelet e IA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Ukraina godet infrastrukturën ruse në një valë të re sulmesh me dronë

2 August 2025 at 12:23

MOSKË, 2 gusht /ATSH-DPA/ – Ukraina ka ndërmarrë sërish gjatë natës sulme me dronë në rajone të ndryshme të Rusisë, duke shkaktuar shpërthime në impiante të përpunimit të naftës, sipas raporteve në rrjetet sociale.

Autoritetet në rajonet e prekura të Samarës, Penzës dhe Ryazanit konfirmuan sulmet me dronë dhe thanë se mbetje nga drone të rrëzuar kishin goditur zona industriale, megjithëse nuk u raportuan dëme ose të lënduar zyrtarisht.

Një video e publikuar në rrjetet sociale pretendohet të tregojë një shpërthim masiv në një impiant nafte pranë qytetit të Samarës, i cili ndodhet buzë lumit Vollga.

Për shkak të kërcënimit nga dronët, autoritetet në rajonin e Samarës pezulluan përkohësisht operacionet fluturuese në aeroportin lokal.

Në Ryazan, një tjetër impiant nafte raportohet se është goditur.

Guvernatori Pavel Malkov konfirmoi një sulm, por nuk dha më shumë detaje, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos ndajnë imazhe që mund të ndihmojnë armikun.

Në rajonin e Penzës, thuhet se është goditur një fabrikë që prodhon komponentë për sistemet drejtuese të raketave.

Nuk pati konfirmim zyrtar nga autoritetet për këtë sulm.

Në Moskë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi sot  se më shumë se 100 dronë ukrainas ishin rrëzuar.

Si zakonisht, deklarata e ministrisë nuk përmendi viktima apo dëme materiale në rajonet e prekura.

Gjatë më shumë se tre vjetëve të pushtimit rus, zyrtarët ukrainas kanë deklaruar se sulmet e tyre me dronë synojnë të prishin logjistikën ushtarake të Rusisë pas vijës së frontit duke goditur depot e karburantit, magazinat e municioneve dhe infrastrukturën transportuese. /Ad.Ab./

The post MOSKË – Ukraina godet infrastrukturën ruse në një valë të re sulmesh me dronë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Dëbimi nga SHBA-ja i emigrantëve çon në braktisjen e kafshëve të pafajshme

2 August 2025 at 11:02

FLORIDA, 2 gusht /ATSH/ – Kafshët shtëpiake po braktisen dhe po dorëzohen në vende për strehimin e tyre, ndërsa pronarët po përballen me goditjen e presidentit amerikan, Donald Trump kundër imigracionit, sipas “Independent”.

Daymi Blain, e cila drejton misionin e shpëtimit “Adopto dhe shpëto një jetë”, në jug të Floridës, thotë se “kjo është e gjitha që po marrim tani: kafshë shtëpiake me pronarë të deportuar dhe të ndaluar. Askush nuk kërkon asgjë tjetër”, tha ajo për “The Washington Post”.

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë me të gjitha këto, por mund t’ju them se kafshët janë ato që paguajnë çmimin”, shtoi ajo.

Strehëzat e kafshëve po mbipopullohen ndërsa kafshët shtëpiake humbasin shtëpitë e tyre me pronarët e tyre të ndaluar ose të deportuar.

Grupet e mirërritjes së kafshëve në të gjithë SHBA-në thonë se po merren me një rritje të thirrjeve për të strehuar kafshë shtëpiake, me pronarë të ndaluar nga autoritetet e imigracionit ose që janë larguar nga vendi me dëshirën e tyre.

Nevoja në rritje për hapësirë vjen ndërsa strehimoret e kafshëve janë përhapur gjithnjë e më pak pas pandemisë, pasi ato përballen me mungesën e stafit dhe uljen e adoptimeve.

Disa kafshë mund të eutanazohen sepse nuk ka vend për to.

“Të gjitha shpëtuesit si ne mendojmë dhe katastrofat”, tha Jean Harrison në “Big Fluffy Dog Rescue” në Nashville për “The Post”.

“Unë planifikoj përmbytjet. Unë planifikoj sezonin e tornadove dhe uraganeve që po vijnë. Nuk më shkoi ndërmend se duhej të isha e përgatitur për një ardhje të madhe kafshësh shtëpiake të zhvendosura nga emigrantët e deportuar”, thekson ajo.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare i tha “The Post” se zbatimi imigracionit dhe doganave të SHBA-së “nuk  sekuestron pronën”, por nuk sqaroi hollësira të mëtejshme.

Lucero, një qen i ri, u braktis pranë një stacioni benzine pasi pronari i saj, një shofer kamioni, u arrestua.

Një çift qensh pastorë gjermanë, Lolita dhe Bruno, me gjashtë këlyshë, u dorëzuan të gjithë nga një burrë që ishte gati të deportohej, pas një çerek shekulli në SHBA.

Mbetet e paqartë se sa kafshë kanë humbur shtëpitë e tyre pasi asnjë agjenci qeveritare nuk mban përgjegjësi./ /Ad.Ab./

 

 

 

The post FOKUS – Dëbimi nga SHBA-ja i emigrantëve çon në braktisjen e kafshëve të pafajshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – 21 palestinezë të vrarë këtë mëngjes, 12 po kërkonin ushqim

2 August 2025 at 10:25

GAZA, 2 gusht /ATSH-ANSA/ – Njëzet e një palestinezë u vranë këtë mëngjes nga zjarri izraelit në Rripin e GAZA-s.

Midis tyre, 12 persona duke kërkuar ushqim dhe tre gra. Agjencia palestineze e lajmeve Wafa e raportoi këtë në faqen e saj të internetit, duke cituar burime mjekësore.

Dymbëdhjetë trupa mbërritën në Spitalin Al-Shifa, në perëndim të Qytetit të Gazës, nga zona e shpërndarjes së ushqimit në korridorin Netzarim.

Në qytetin Al-Zawayda, në Rripin qendror të Gazës, Hamed Ibrahim al-Qarnawi, gruaja e tij dhe tre fëmijët e tyre u vranë kur një aeroplan izraelit shënjestroi shtëpinë e tyre.

Në zonën industriale në veri të Khan Yunis, tre anëtarë të familjes Samour u vranë dhe të tjerë u plagosën nga një bombë e hedhur nga një dron izraelit mbi tendat në kampin lokal të refugjatëve.

Dy gra u vranë në bombardimin e një tendë në veriperëndim të Khan Yunis: Rana Ramzi Yahya Abu Hamra dhe nëna e saj, Hanaa Abu Hamra./ /Ad.Ab./

The post GAZA – 21 palestinezë të vrarë këtë mëngjes, 12 po kërkonin ushqim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RAMALLAH – Wadepul: Situata në Gaza e padurueshme

2 August 2025 at 09:39

RAMALLAH, 2 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul e quajti situatën në Rripin e Gazës si të padurueshme, ndërsa premtoi pesë milionë euro të tjera (5,7 milionë dollarë) ndihmë dhe dënoi sjelljen e Izraelit atje, duke thënë se kjo mund të çojë në izolimin e tij të mëtejshëm diplomatik.

“Ajo që do të jetë vendimtare është se sa shpejt do të përmirësohet situata në Gaza”, tha Johann Wadephul për transmetuesin publik gjerman ARD në programin e tij të lajmeve të natës.

“Situata duhet të përmirësohet në thelb për njerëzit në Rripin e Gazës. E gjithë bota po shikon dhe kjo kërcënon ta vendosë Izraelin në një pozicion gjithnjë e më të vështirë”, tha diplomati më i lartë gjerman.

Gjatë vizitës së tij në Izrael, Wadephul theksoi presionin e madh mbi situatën.

“Ne kemi nevojë urgjente për një armëpushim dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve”, tha ai.

Wadephul tha se situata ndërkombëtare ishte përshkallëzuar deri në atë pikë sa Izraeli, për fat të keq, po e gjen veten gjithnjë e më të izoluar në skenën globale.

“Kjo nuk mund ta lërë Gjermaninë indiferente”, shtoi ai./  /Ad.Ab./

 

The post RAMALLAH – Wadepul: Situata në Gaza e padurueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

JERUZALEM – Gjermania premton miliona euro të tjera për Gazën

1 August 2025 at 15:51

JERUZALEM, 1 gusht  /ATSH-DPA/ – Gjermania do të ofrojë pesë milionë euro të tjera në ndihmë për popullsinë civile në Rripin e Gazës, tha sot  ministri i Jashtëm Johann Wadephul, në ditën e dytë të vizitës së tij në Izrael dhe Territoret Palestineze.

Wadephul tha se paratë do të shkojnë në Programin Botëror të Ushqimit të OKB-së për t’u përdorur kryesisht për “furra buke dhe mensa për t’u siguruar popullit të Gazës bukë dhe vakte të ngrohta në afat të mesëm”.

”Berlini gjithashtu planifikon të financojë një spital fushor të drejtuar nga Urdhri i Maltës për të ofruar kujdes shëndetësor bazë të nevojshëm urgjentisht në qytetin e Gazës”, shtoi ministri.

Wadephul i bëri thirrje qeverisë izraelite që të rifillojë shpejt bashkëpunimin e ngushtë me Kombet e Bashkuara dhe organizatat e saj në terren për të përmirësuar shpërndarjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës .

Stafi i OKB-së kishte “treguar qartë se është në gjendje të sigurojë furnizime të mjaftueshme për të gjithë njerëzit në Gaza nëse u lejohet ta bëjnë këtë dhe nëse mund të punojnë në siguri”, tha ai.

Ndërsa diplomati më i lartë i Gjermanisë pranoi se një pjesë e ndihmës mund të përfundojë në duart e grupit ekstremist palestinez Hamas, ai theksoi se “katastrofa humanitare në Rripin e Gazës tani është aq e madhe sa nuk është e justifikuar të krijohen pengesa të mëtejshme këtu”.

”Për më tepër, mënyra më e mirë për të parandaluar abuzimin është të lejohet sa më shumë ushqim dhe ndihmë të jetë e mundur në Rripin e Gazës”, shtoi ai.

Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, ndihma humanitare gjermane për Territoret Palestineze ka arritur në total mbi 330 milionë euro që nga fillimi i luftimeve në Gaza në tetor 2023./  /Ad.Ab./

The post JERUZALEM – Gjermania premton miliona euro të tjera për Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Gjermania i dorëzon Ukrainës sistemet “Patriot”

1 August 2025 at 15:17

BERLIN, 1 gusht /ATSH-DPA/ – Dorëzimi i dy sistemeve të mbrojtjes ajrore “Patriot” në Ukrainë mund të fillojë pasi të kapërcehet një pengesë e fundit, tha sot qeveria gjermane.

Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se parakushti kishte qenë që prodhuesi amerikan të dorëzonte sisteme të reja sa më shpejt të ishte e mundur në këmbim, në mënyrë që Gjermania të mund të vazhdonte të përmbushte detyrimet e saj ndaj NATO-s.

”Në mënyrë specifike, forcat e armatosura gjermane, ose Bundeswehr, do të dorëzojnë lëshues shtesë ‘Patriot’ në Ukrainë në ditët në vijim si hap i parë”, njoftoi ministria.

”Në një hap të dytë, ajo do të dorëzojë komponentë të tjerë të sistemit brenda dy – tre muajve të ardhshëm për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës me bateri ‘Patriot’ shtesë”, shtoi ajo.

Është rënë dakord me Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së që Gjermania do të jetë vendi i parë që do të marrë sisteme të prodhuara rishtazi të gjeneratës së fundit në një bazë të përshpejtuar në këmbim.

Gjermania planifikon të financojë marrëveshjen. Fillimisht, ishte planifikuar të bliheshin dy sisteme ”Patriot” për afërsisht 1,14 miliardë dollarë secili në SHBA dhe të dërgoheshin  direkt në Ukrainë.

Megjithatë, meqenëse ato nuk janë menjëherë të disponueshme, Bundeswehr tani do të heqë dorë fillimisht nga dy nga nëntë ”Patriot” e mbetur dhe më pas do të marrë zëvendësime nga SHBA-ja. /Ad.Ab./

The post FOKUS – Gjermania i dorëzon Ukrainës sistemet “Patriot” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BH – Gjykata e Apelit mbështet dënimin me burg kundër udhëheqësit politik serb Milorad Dodik

1 August 2025 at 13:23

SARAJEVË, 1 gusht /ATSH-AFP/ – Gjykata e Apelit e Bosnjës mbështeti sot dënimin e udhëheqësit politik serb të Bosnjës Milorad Dodik me një vit burg dhe një ndalim gjashtëvjeçar nga detyrat publike për ”mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Paqes të vitit 1995”.

Milorad Dodik, presidenti i entitetit serb të Bosnjës (Republika Srpska, RS), është shpallur përfundimisht fajtor për nxjerrjen e dy ligjeve në korrik 2024, të miratuara nga Parlamenti i RS, të cilat ndalojnë zbatimin në territorin e entitetit serb të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës.

“Kopja me shkrim e vendimit iu dërgua palëve më 1 gusht 2025 dhe nuk lejohet apel kundër këtij vendimi të njëjtë”, deklaroi Gjykata në një deklaratë.

Dënimi i Milorad Dodik është i pashembullt në Bosnjë, një vend i ndarë që nga fundi i luftës së viteve 1992-1995 në dy entitete, serbe dhe kroate të Bosnjës, dhe jeta politike dhe ligjet e të cilit që atëherë janë mbikëqyrur nga një Përfaqësues i Lartë Ndërkombëtar, një pozicion që aktualisht mbahet nga gjermani Christian Schmidt.

Menjëherë pas dhënies së dënimit të shkallës së parë, Milorad Dodik,  i cili nuk ishte paraqitur para Gjykatës Shtetërore në Sarajevë për të dëgjuar vendimin,  mblodhi disa mijëra mbështetës të tij në Banja Luka, kryeqytetin e Republikës Srpska, dhe e hodhi poshtë vendimin, duke pretenduar se nuk ishte “fajtor për asgjë”.

Në përgjigje të vendimit, ai gjithashtu i kërkoi parlamentit të entitetit serb të miratonte një ligj që ndalonte sistemin qendror të policisë dhe drejtësisë të vendit të vepronte në Republikën Srpska dhe u bëri thirrje serbëve që punonin në këto institucione të largoheshin.

Ky reagim çoi në hapjen e një hetimi tjetër nga zyra e prokurorit, këtë herë për “sulm ndaj rendit kushtetues”./ /Ad.Ab./

The post BH – Gjykata e Apelit mbështet dënimin me burg kundër udhëheqësit politik serb Milorad Dodik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Numri i të vdekurve nga sulmi shkatërrues rus në Kiev rritet në 31

1 August 2025 at 12:00

KIEV, 1 gusht /ATSH-DPA/ – Numri i personave të vrarë në një sulm masiv rus në Kiev një ditë më parë është rritur në 31, pasi trupa të tjerë u nxorën nga rrënojat, thane sot autoritetet.

Rreth 160 persona u plagosën në sulme, sipas forcës së mbrojtjes civile.

”Forcat ruse përdorën rreth 72 dronë në sulmet e tyre të fundit të natës në Ukrainë”, sipas Forcave Ajrore të Ukrainës.

Rreth 44 dronë u kapën, me 28 goditje të regjistruara në nëntë vende në Kharkiv, Donetsk, Dnipropetrovsk dhe Kiev. /Ad.Ab./

The post UKRAINË – Numri i të vdekurve nga sulmi shkatërrues rus në Kiev rritet në 31 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Deklarata e përbashkët e DASH dhe 14 vendeve të tjera, përfshirë Shqipërinë, mbi aktivitetin e kërcënimit shtetëror iranian në Evropë dhe Amerikën e Veriut

1 August 2025 at 11:18

UASHINGTON, 1 gusht /ATSH/ – Më poshtë është deklarata e publikuar nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Shqipërisë, Austrisë, Belgjikës, Kanadasë, Çekisë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Spanjës dhe Suedisë mbi aktivitetin e kërcënimit shtetëror iranian në Evropë dhe Amerikën e Veriut:

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Austria, Belgjika, Kanadaja, Çekia, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Spanja dhe Suedia dënojnë numrin në rritje të kërcënimeve shtetërore nga shërbimet sekrete iraniane në territoret tona respektive.

Ne jemi të bashkuar në kundërshtimin tonë ndaj përpjekjeve të shërbimeve sekrete iraniane për të vrarë, rrëmbyer dhe intimiduar njerëz në Evropë dhe Amerikën e Veriut, në shkelje të qartë të sovranitetit tonë.

Këto shërbime po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me organizatat kriminale ndërkombëtare për të synuar gazetarët, disidentët, qytetarët hebrenj dhe zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarë në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
Kjo është e papranueshme.

Ne i konsiderojmë këto lloje sulmesh, pavarësisht nga objektivi, si shkelje të sovranitetit tonë.

Ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të parandaluar që këto veprime të ndodhin dhe u bëjmë thirrje autoriteteve iraniane që t’u japin fund menjëherë aktiviteteve të tilla të paligjshme në territoret tona respektive”, përfundon deklarata e publikuar nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Shqipërisë, Austrisë, Belgjikës, Kanadasë, Çekisë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Spanjës dhe Suedisë mbi aktivitetin e kërcënimit shtetëror iranian në Evropë dhe Amerikën e Veriut./ /Ad.Ab./

The post FOKUS – Deklarata e përbashkët e DASH dhe 14 vendeve të tjera, përfshirë Shqipërinë, mbi aktivitetin e kërcënimit shtetëror iranian në Evropë dhe Amerikën e Veriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌