Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 19 August 2025Main stream

Teleskopi “Webb” zbulon një hënë të re rreth Uranit

19 August 2025 at 22:31

NJU JORK, 19 gusht /ATSH/ – Teleskopi Hapësinor “James Webb” ka zbuluar një hënë shumë të vogël që rrotullohet rreth Uranit, sipas “AP”- së.

NASA njoftoi se objekti i ri qiellor është vetëm rreth 10 kilometra i gjerë dhe u pa me kamerën infra të teleskopit.

Shkencëtarët besojnë se kjo hënë ka mbetur e fshehur për kaq gjatë për shkak të madhësisë së vogël dhe dritës së zbehtë, madje as sonda “Voyager 2”, gjatë fluturimit të saj pranë Uranit rreth 40 vite më parë, nuk arriti ta dallonte.

Deri tani Uranit i njiheshin “28 hëna”, shumica të vogla dhe pranë planetit.

Me këtë zbulim, numri i tyre shkon në 29.

Hëna e re ende nuk ka marrë emër, por si traditë, hënat e Uranit pagëzohen me personazhe nga Shekspiri dhe Aleksandër Popi.

Sipas ekspertëve, ky zbulim sugjeron se rreth Uranit mund të fshihen edhe shumë hëna të tjera të vogla. /Ad.Ab./

 

 

The post Teleskopi “Webb” zbulon një hënë të re rreth Uranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Roboti i shtatzënisë në Kinë, e ardhmja e lindjes ka mbërritur!

19 August 2025 at 21:34

PEKIN, 19 gusht /ATSH/ – Në një hap të jashtëzakonshëm të shkencës dhe teknologjisë, shkencëtarët kinezë po zhvillojnë robotin e parë humanoid me një mitër artificiale, i aftë të rrisë embrionet njerëzore jashtë trupit të njeriut, sipas revistës “Newsweek”.

Lindjet priten të ndodhin në vitin 2026 dhe “nënat” robotë do të përdorin lëng amniotik sintetik, tuba që imitojnë kordonin umbilikal dhe inteligjencë artificiale për të monitoruar zhvillimin e fetusit për vetëm rreth 14 000 dollarë për çdo lindje.

I prodhuar nga “Kaiwa Tech” dhe i drejtuar nga Dr. Zhang Qifeng në Guangzhou, ky inovacion synon të ndihmojë çiftet e prekura nga infertiliteti, të shmangë lindjet në mënyra surrogate dhe të hapë horizonte të reja në shkencën riprodhuese.

Por nuk mungonjnë polemikat.

Shkencëtarët po punojnë ende mbi metoda të sigurta për fertilizim dhe lindje, ndërsa ekspertët ligjorë përpiqen të përcaktojnë të drejtat prindërore, kufijtë etikë dhe statusin e fëmijëve të rritur në laborator.

A është ky fundi i lindjes natyrale, apo një mrekulli për miliona njerëz? /Ad.Ab./

The post Roboti i shtatzënisë në Kinë, e ardhmja e lindjes ka mbërritur! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Rusia dorëzon trupat e 1 000 ushtarëve ukrainas

19 August 2025 at 20:43

MOSKË, 19 gusht /ATSH-DPA/ – Rusia ka kthyer trupat e 1 000 ushtarëve ukrainas, tha sot kryenegociatori rus Vladimir Medinsky.

“Në këmbim, Ukraina dorëzoi trupat  e 19 ushtarëve rusë”, shtoi Medinsky në komente të publikuara në Telegram.

Kievi konfirmoi se i kishte marrë trupat.

Lufta e nisur nga Rusia, tashmë në vitin e saj të katërt, ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra ushtarëve nga të dyja palët.

Pas bisedimeve në Stamboll në maj, janë zhvilluar disa shkëmbime të të burgosurve gjatë muajve të fundit.

Moska ka premtuar gjithashtu të kthejë trupat e mijëra ushtarëve.

Rusia tha se kishte kthyer 7 000 trupa përpara dorëzimit të fundit, ndërsa pretendoi se Ukraina kishte transferuar më pak se 100 gjithsej. Moska e paraqet këtë si dëshmi se Ukraina ka pësuar humbje shumë më të larta në fushëbetejë.

Sipas Shtabit të Koordinimit të Ukrainës për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës, ata duhej të ishin liruar më herët sipas marrëveshjes së Stambollit për shkëmbimin e ushtarëve të plagosur rëndë  /Ad.Ab./

 

The post MOSKË – Rusia dorëzon trupat e 1 000 ushtarëve ukrainas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Netanyahu kritikon Macron për “nxitje të antisemitizmit”

19 August 2025 at 20:01

JERUZALEM, 19 gusht /ATSH-AFP/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i dërgoi sot një letër presidentit francez Emmanuel Macron, duke e akuzuar se me vendimin për të njohur shtetin palestinez po nxit antisemitizmin.

Fundin e muajit të kaluar, Macron deklaroi se Franca do të njihte zyrtarisht një shtet palestinez gjatë një takimi në OKB në shtator, duke marrë menjëherë kundërshtim nga Izraeli.

Në letër, Netanyahu shkroi se antisemitizmi është “rritur” në Francë pas njoftimit dhe e akuzoi Macronin se “hedh benzinë mbi këtë zjarr antisemitik” dhe se vendimi i tij shpërblen Hamasin, duke vështirësuar lirimin e pengjeve dhe duke inkurajuar urrejtjen ndaj hebrenjve francezë.

Ai e ftoi Macronin të veprojë kundër antisemitizmit dhe të zëvendësojë “dobësinë me vendosmëri” deri më 23 shtator, festa e Vitit të Ri Hebre.

Sipas një vlerësimi, të paktën 145 nga 193  shtetet anëtare të OKB-së e kanë njohur ose planifikojnë të njohin shtetin palestinez, përfshirë Australinë, Britaninë e Madhe dhe Kanadanë.

Australia njoftoi këtë muaj se do të njohë Palestinën në shtator. Netanyahu sulmoi edhe kryeministrin australian Anthony Albanese, duke e quajtur “politikan të dobët që tradhtoi Izraelin dhe braktisi hebrenjtë australianë”.

Kriza diplomatike mes dy vendeve u përshkallëzua pasi Australia anuloi vizën e politikanit izraelit të djathtë ekstreme Simcha Rothman, ndërsa në kundërpërgjigje ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, u hoqi vizat përfaqësuesve australianë pranë Autoritetit Palestinez. /Ad.Ab./

 

The post IZRAEL – Netanyahu kritikon Macron për “nxitje të antisemitizmit” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Unitet BE-SHBA për Ukrainën

19 August 2025 at 19:13

Qeveria BERLIN, 19 gusht /ATSH – DPA/ – Qeveria gjermane beson se takimi i Ukrainës në Uashington ishte një takim historik që arriti të rikonstruktoje qeverinë amerikane me pozicionet evropiane, thanë sot burime qeveritare.

Takimi i djeshëm në Shtëpinë e Bardhë, ku morën pjesë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqës evropianë, e ktheu dinamiken e takimit të javës së kaluar në Alaskë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, thanë burimet.

Ai gjithashtu rezultoi në dakordësinë e presidentit Putin për të marrë pjesë në një takim bilateral me Zelenskn gjatë një telefonate me presidentinTrump, duke testuar më tej seriozitetin e Rusisë për negociatat e paqes.

Burimet thanë se qeveria gjermane ishte e qartë se planifikon të marrë pjesë në garantimet e sigurisë për Ukrainën pas një traktati paqeje, por theksuan se një vendim mbi kontributin e saj të saktë do të merret vetëm pasi të jetë sqaruar kuadri i gjerë i garantimeve.

Raportohet se ishte rënë dakord midis udhëheqësve evropianë në Uashington që garantimet e sigurisë duhet të jenë gjithëpërfshirëse, duke përfshirë çështje të sigurisë ushtarake, armatimin dhe monitorimin e Ukrainës, si dhe mbështetjen politike për vendin. /Ad.Ab./

The post BERLIN – Unitet BE-SHBA për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – BM-ja ndihmon Ukrainën për zgjedhjet pas luftës

19 August 2025 at 18:30

LONDËR, 19 gusht /ATSH-DPA/ – Organi mbikëqyrës i zgjedhjeve në Britaninë e Madhe  ka rënë dakord të ndihmojë homologët e tij ukrainas në planifikimin e zgjedhjeve pas luftës.

Marrëveshja e bashkëpunimit do të shohë Komisionin Zgjedhor të ndajë me Kievin praktikat më të mira mbi sigurinë kibernetike dhe edukimin e votuesve kur ukrainasit të shkojnë sërish në votime.

Aktualisht, zgjedhjet në Ukrainë janë pezulluar për shkak të ligjit ushtarak që është vendosur pas pushtimit rus në shkurt 2022.

“Organizimi i zgjedhjeve të rregullta që fitojnë besimin dhe sigurinë e publikut është thelbësor për një demokraci të shëndetshme dhe të lirë”, tha drejtori ekzekutiv i komisionit, Vijay Rangarajan.

“Ne jemi krenarë që mirëpresim kolegët dhe miqtë tanë nga Ukraina në Mbretërinë e Bashkuar dhe të nënshkruajmë këtë marrëveshje bashkëpunimi. Ka shumë gjëra që mund të mësojmë nga njëri-tjetri dhe forcimi i lidhjeve mes nesh do të na ndihmojë të ndajmë përvojë dhe dije gjatë viteve që vijnë. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim Ukrainën ndërsa përgatitet për zgjedhjet e ardhshme pas luftës”, shtoi ai.

Memorandumi i mirëkuptimit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Ukrainës, i nënshkruar në Londër, do të mundësojë që dy organizatat të ndajnë informacione për të ndihmuar autoritetet ukrainase në planifikimin e zgjedhjeve pas luftës.

Delegacioni ukrainas zhvilloi disa takime në Britaninë e Madhe sipas komisionit, mbi çështje si dezinformimi, ndërhyrjet e huaja, siguria fizike dhe siguria kibernetike, si dhe diskutime mbi rregullimin e financimit politik.

“Konsideroj se nënshkrimi i memorandumit mes institucioneve tona është një moment historik që do të nxisë bashkëpunimin tonë dhe, përmes shkëmbimit të përvojave dhe marrjes së praktikave më të mira, do të ndihmojë në forcimin e vlerave demokratike në Ukrainë,” tha kryetari i komisionit ukrainas, Oleh Didenko.

“Ndërsa përgatitemi për zgjedhje sfiduese pas luftës, vendosja e bashkëpunimit dhe njohja me procese të rëndësishme si votimi jashtë vendit dhe lufta kundër dezinformimit do të na mundësojnë të përgatitemi në mënyrë efektive dhe efikase për zgjedhjet më të vështira në historinë e vendit tonë”, përfundoi  Didenko.

 

 

The post LONDËR – BM-ja ndihmon Ukrainën për zgjedhjet pas luftës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump përjashton dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë

19 August 2025 at 17:47

UASHINGTON, 19 gusht / ATSH/ – Presidenti Donald Trump ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë në intervistën e tij të parë pas takimit të djeshëm në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe udhëheqësit evropianë, sipas “The Guardian”.

“Ju kam dhënë sigurinë time, dhe unë jam president”, tha sot Trump për “Fox News” në programin “Fox & Friends” gjatë një interviste telefonike kur u pyet nëse forcat amerikane mund të dërgoheshin për të mbrojtur Ukrainën nga një tjetër pushtim rus.

Presidenti amerikan theksoi përsëri se Ukraina nuk do të pranohej në NATO gjatë mandatit të tij, por shtoi se Kievi do të merrte ende garanci sigurie. Ai sugjeroi se këto garanci do t’i merrnin përpara aleatët evropianë.

Trump tha se Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe janë disa nga vendet që po shqyrtojnë dërgimin e trupave të tyre për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës. /Ad.Ab./

 

 

The post SHBA – Trump përjashton dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANALIZË – “The Guardian”: Trump u ka dhënë fund gjashtë luftërave, a është e vërtetë kjo?

19 August 2025 at 17:03

UASHINGTON, 19 gusht /ATSH/ – Teksa mburrej me kredencialet e tij si i ashtuquajturi “kryepaqebërës” gjatë bisedimeve lidhur me luftën në Ukrainën në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan  Donald Trump bëri dy pretendime të mëdha; ai dëshiron marrëveshje paqeje në vend të armëpushimit, dhe se ka përfunduar gjashtë luftra që kur u bë president, komenton “The Guadian”.

Por në nxitimin e tij për të arritur një marrëveshje paqeje në Ukrainë, Trump po luan lirshëm me të vërtetën.

Trump dhe administrata e tij kanë pretenduar se kanë ndihmuar në zgjidhjen e konflikteve mes Izraelit dhe Iranit, Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës, Kamboxhias dhe Tajlandës, Indisë dhe Pakistanit, Serbisë dhe Kosovës, dhe Egjiptit e Etiopisë.

Megjithatë, pretendimi për t’i zgjidhur këto konflikte është “i zbukuruar” dhe në disa raste kundërshtohet nga dhuna e vazhdueshme në vende si Republika Demokratike e Kongos, ku rebelët e mbështetur nga Ruanda nuk respektuan një afat për arritjen e një marrëveshjeje paqeje sot në Doha.

Në Iran, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën sulme me armë bunker-shkatërruese kundër objektivave ushtarake dhe bërthamore, përpara se ta detyronin Iranin të pranonte një armëpushim.

India ka mohuar që Trump të ketë luajtur ndonjë rol në arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi me Pakistanin për t’i dhënë fund disa ditëve të sulmeve mbi territorin e kontestuar të Kashmirit në maj.

Egjipti dhe Etiopia nuk kanë asnjë marrëveshje për të zgjidhur rrënjën e konfliktit të tyre, një digë mbi lumin Nil, e ndërtuar nga Etiopia, që do të devijonte ujin nga Egjipti.

Dhe Serbia ka mohuar se kishte ndonjë plan për të ndjekur një luftë me Kosovën, megjithëse  presidenti Trump mori meritën për parandalimin e saj.

Sa i përket armëpushimeve, me pranimin e vet Trump shpesh i ka kërkuar ato në këto konflikte. Tani, ai ka kërkuar ta rishkruajë historinë, duke ushtruar presion mbi Ukrainën.

Deklarata e presidentit Trump se ai nuk po kërkonte armëpushim në Ukrainë erdhi pas një takimi me presidentin Putin në Alaskë të premten e kaluar, ku presidenti rus fillimisht kërkoi që Ukraina të dorëzonte kontrollin mbi territorin në juglindje të vendit përpara se të negocionte një armëpushim.

Çështja është thelbësore për renditjen e hapave drejt një paqeje përfundimtare në Ukrainë.

Putini dëshiron të vendosë se cilin territor do të mbane Rusia ndërsa luftimet ende vazhdojnë, ndërsa Kievi ka kërkuar një armëpushim përpara se të merren vendime mbi pretendimet territoriale.

Në takimet dje me liderët europianë, Trump tha  se nuk po kërkonte arritjen e armëpushimit.

“Nëse shikoni gjashtë marrëveshjet që unë zgjidha këtë vit, ata ishin të gjithë në luftë. Nuk bëra asnjë armëpushim”, deklaroi Trump, duke i thënë Zelenskyt, “Nuk mendoj se ju duhet armëpushimi”.

Por historia e tij flet ndryshe. Më 10 maj, pas shpërthimit të dhunës mes Indisë dhe Pakistanit, Trump njoftoi se “pas një nate të gjatë bisedimesh të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte kënaqësinë të njoftonte se India dhe Pakistani kishin rënë dakord për një rmëpushim të plotë dhe të menjehershëm. Urime të dy vendeve për përdorimin e arsyes së shëndoshë dhe zgjuarsisë së madhe”.

Më 26 korrik, presidenti Trump tha se po i telefononte liderët e Tajlandës dhe Kamboxhias për të bërë thirrje për një armëpushim pas tre ditësh luftimesh kufitare. “Telefonata me Kamboxhian ka përfunduar, por pres të rikthehem për një thirrje lidhur me ndalimin e luftës dhe armëpushimin në bazë të asaj që Tajlanda ka për të thënë”, shkruante  ai. “Po përpiqem ta thjeshtoj një situatë komplekse”!

Për Izraelin dhe Iranin,  presidenti Trump kishte shkruar gjithashu se “ishtë plotësisht një  dakordësi mes Izraelit dhe Iranit që do të kishte armëpushim të plotë dhe total”.

Televizioni amerikan, “MSNBC”, publikoi një përmbledhje të deklaratave të Trump duke bërë thirrje për armëpushim në Ukrainë në javët dhe ditët përpara takimeve të tij me Putinin dhe më pas Zelensky.

Por Trump, në kërkim të një fitoreje të shpejtë, ka rishkruar historinë e tij teksa afrohet më pranë një plani të miratuar nga Putini për t’i dhënë fund një konflikti që ka rezultuar shumë më i vështirë për t’u zgjidhur sesa kishte menduar dikur.  /Ad.Ab./

 

The post ANALIZË – “The Guardian”: Trump u ka dhënë fund gjashtë luftërave, a është e vërtetë kjo? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA -Trump: Do të jetë një “situatë e vështirë” nëse Putin nuk pranon planin e paqes

19 August 2025 at 17:01

LONDËR, 19 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se avionët amerikanë mund të ndihmojnë në mbrojtjen e Ukrainës nëse arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, por pranoi se ishte e mundur që presidenti rus Vladimir Putin të refuzojë një plan paqeje.

Ai tha se do të ishte një “situatë e vështirë” nëse Putini nuk pajtohet me kushtet e paqes, por theksoi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhet të tregojë fleksibilitet, duke përfshirë heqjen dorë nga shpresat për të rikthyer Krimenë apo për t’u anëtarësuar në NATO.

Komentet e presidentit amerikan erdhën ndërkohë që kryeministri britanik Keir Starmer zhvilloi bisedime me anëtarët e “koalicionit të vullnetshmëve”, shtetet e gatshme të kontribuojnë për të garantuar sigurinë e Ukrainës nëse arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund pushtimit rus.

Gjatë një telefonatesot, anëtarët e grupit diskutuan mundësinë e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, ndërsa planifikuesit nga këto shtete do të takohen me homologët e tyre amerikanë “në ditët e ardhshme”, mes përpjekjeve për të ngritur “garanci të forta sigurie”, sipas zyrës së  kryeministrit Starmer.

“Shpresoj që presidenti Putin të sillet mirë, dhe nëse jo, do të jetë një situatë e vështirë. Dhe shpresoj që Zelensky, presidenti Zelensky, të bëjë atë që duhet të bëjë. Ai duhet të tregojë pak fleksibilitet”. I tha presidneti Trump Fox News”.

Britania e Madhe dhe Franca janë zotuar të dërgojnë forca në Ukrainë për të penguar presidentin   Putinin të nisë një sulm të ri ndaj fqinjit të tij, nëse arrihet një marrëveshje për përfundimin e luftës.

Trump tha se ata ishin “të gatshëm të vendosin njerëz në terren” dhe shtoi se “ishin  të gatshëm t’i ndihmonin me shumë gjëra, veçanërisht ndoshta nga ajri, sepse askush nuk kishte pajisje të tilla si ne”.

Megjithatë, ai sugjeroi se Putini kishte pak gjasa të niste një pushtim tjetër, pasi ishte “i lodhur prej tij” pas tre vitesh lufte. /Ad.Ab./

 

The post SHBA -Trump: Do të jetë një “situatë e vështirë” nëse Putin nuk pranon planin e paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

JAPONI – Wadephul kritikon Kinën dhe Korenë e Veriut për tensionet në Indo-Paqësor

19 August 2025 at 16:18

OSAKA, 19 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul akuzoi  sot Kinën dhe Korenë e Veriut se po kërcënojnë stabilitetin ndërkombëtar përmes veprimeve agresive në rajonin Indo-Paqësor.

“Rregulli është gjithmonë që kufijtë nuk duhet të zhvendosen me forcë. As në Europë, as në Indo-Paqësor, e askund tjetër në botë”, tha Wadephul gjatë një vizite në “Flotën e 7”-të amerikane dhe një bazë detare japoneze në Jokosuka, në jug të Tokios.

Duke folur për gazetarët, Wadephul theksoi rolin jetik që kanë partneritetet e forta për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Ai e përshkroi bazën si strategjikisht të rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit në Indo-Paqësor dhe vuri në dukje se, së bashku me partnerët e ngushtë të G7-s, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara, Gjermania ndan shqetësimet mbi tensionet në rritje në rajon.

“Flota e 7”-të amerikane është vendosur në Japoni nën një pakt sigurie dypalësh të nënshkruar në vitin 1960 për të ndihmuar në mbrojtjen e vendit.

Më shumë se 26 000 ushtarë amerikanë jetojnë dhe punojnë në bazën e Jokosukës. Zona e saj e veprimit mbulon 36 vende, dhe deri në 70 anije luftarake, përfshirë një aeroplanmbajtëse dhe nëndetëse, janë të dislokuara aty në mënyrë të përhershme.

Wadephul paralajmëroi se fuqizimi ushtarak i Kinës dhe përpjekja e saj për t’u bërë lideri botëror teknologjik përmes “big data” dhe inteligjencës artificiale përbëjnë një sfidë për rajonin.

Ai i bëri thirrje Pekinit që të mos ndryshojë status quo-në në ngushticën e Tajvanit, duke theksuar se ndalimi i përdorimit të forcës, i parashikuar nga Karta e Kombeve të Bashkuara, vlen për ngushticën e Tajvanit, Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore.

Ministri i Jashtëm kritikoi gjithashtu ashpër retorikën dhe manovrat e Koresë së Veriut, të cilat sipas tij po rrisin tensionet.

“Pheniani vazhdon të zgjerojë arsenalin e tij bërthamor, të kryejë testime të raketave balistike në shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe të mbështesë luftën e Rusisë në Ukrainë me personel ushtarak, duke minuar paqen si në Indo-Paqësor ashtu edhe në Europë”, tha Wadephul.

Ai i quajti aktivitetet e Koresë së Veriut si shkelje të disa rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. /Ad.Ab./

 

The post JAPONI – Wadephul kritikon Kinën dhe Korenë e Veriut për tensionet në Indo-Paqësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

UASHINGTON – Trump parashikon lirimin e mbi 1 000 ukrainasve nga Rusia

18 August 2025 at 22:57

UASHINGTON, 18 gusht /ATSH/ – Presidenti amerikan Donald Trump tha sot se priste që presidenti rus Vladimir Putin të lironte mbi 1 000 të burgosur ukrainas menjëherë pas një takimi trepalësh me udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelensky, sipas “Reuters”.

“Mendoj se do të shihni se presidenti Putin me të vërtetë do të donte të bënte diçka gjithashtu”, tha Trump në takimin me Zelensky dhe shtatë udhëheqës evropianë, duke parashikuar disa “lëvizje vërtet pozitive” pasi u ra dakord për një takim trepalësh.

“E di që ka mbi 1 000 të burgosur dhe e di që do t’i lirojnë. Ndoshta do t’i lirojnë shumë shpejt, menjëherë, gjë që mendoj se është shumë mirë”, tha Trump. /Ad.Ab/

 

The post UASHINGTON – Trump parashikon lirimin e mbi 1 000 ukrainasve nga Rusia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Starmer: Mund të ketë progres të vërtetë në garancitë e sigurisë për Ukrainën

18 August 2025 at 22:04

UASHINGTON, 19 gusht /ATSH/ Kryeministri britanik Keir Starmer dhe udhëheqësit e tjerë evropianë kanë vazhduar të kërkojnë marrëveshje më të forta sigurie për Ukrainën – si pjesë e një pakti për përfundimin e luftës, sipas “Reuters”.

“Mendoj se mund të bëjmë një hap shumë të rëndësishëm përpara sot, një hap historik, në lidhje me sigurinë e Ukrainës dhe sigurinë në Evropë”, tha Starmer.

Forma që këto garanci do të marrin mbetet ende një temë diskutimi.

Gjithashtu, presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se takimet duhet të vazhdonin – pasi diskutimet për garancitë e sigurisë përfshinin sigurinë e gjithë kontinentit evropian. /Ad.Ab./

The post UASHINGTON – Starmer: Mund të ketë progres të vërtetë në garancitë e sigurisë për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Olena Zelenska i shpreh mirënjohje Melania Trump në një letër të dorëzuar nga Zelensky

18 August 2025 at 21:45

UASHINGTON, 18 gusht /ATSH/ – Në një shfaqje diplomacie bashkëshortore, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i dorëzoi sot zonjës së parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump, një letër të shkruar nga bashkëshortja e tij, zonja e parë Olena Zelenska, për të shprehur mirënjohjen e saj për përpjekjet e saj për të sjellë në shtëpi fëmijët ukrainas të mbajtur në Rusi, sipas “The Times”

“Nuk është për ty, është për bashkëshorten tënde”, i tha me të qeshur Zelensky presidentit Donald Trump.

Kjo korrespondencë u shkëmbye gjatë takimit historik mes Zelensky dhe Trump, vetëm disa ditë pas samitit të presidentit amerikan me homologun e tij rus Vladimir Putin, në Alaskë – lidhur me negociatat për armëpushim në Ukrainë, të cilat përfunduan pa një marrëveshje për të siguruar paqen.

Melania Trump i shkroi një letër presidentit Putin, duke ngritur çështjen e gjendjes së vështirë të fëmijëve ukrainas që janë rrëmbyer ose prekur nga pushtimi rus. /Ad.Ab./

The post UASHINGTON – Olena Zelenska i shpreh mirënjohje Melania Trump në një letër të dorëzuar nga Zelensky appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Moska hedh poshtë dislokimin e trupave nga vendet e NATO-s në Ukrainë

18 August 2025 at 21:21

MOSKË, 18 gusht /ATSH-DPA/ – Rusia ka hedhur poshtë sërish  në mënyrë kategorike mundësinë e dislokimit të trupave nga vendet e NATO-s në Ukrainë, mes përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës.

Britania e Madhe ka sugjeruar në mënyrë të përsëritur mundësinë që trupa të huaja të dërgohen në Ukrainë pasi të arrihet paqja.

Por zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zaharova, tha në Moskë se Britania po vazhdon të kërkojë atë që ajo e quajti “një përshkallëzim” të konfliktit me skenarë të tillë dhe po i shtyn vendet anëtare të NATO-s drejt një kufiri të rrezikshëm, nga i cili nuk do të ishte larg një konflikt i madh global.

Ajo reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit britanik, Keir Starmer, i cili tha se ishte i përgatitur të dislokonte trupa të tilla. Ukraina është pro kësaj si një garanci sigurie.

“Ne përsërisim qëndrimin tonë të shprehur vazhdimisht se i mohojmë çdo skenar që parashikon dislokimin e një kontingjenti ushtarak në Ukrainë me pjesëmarrjen e shteteve të NATO-s, gjë që mund të çojë në një përshkallëzim të pakontrollueshëm të konfliktit me pasoja të paparashikueshme,” shtoi Zaharova.

Presidenti rus Vladimir Putin së fundmi deklaroi, gjatë dhe pas takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump në Alaskë javën e kaluar, se dëshiron t’i japë fund luftës.

Megjithatë, ai ka paraqitur vazhdimisht një sërë kërkesash për armëpushim dhe paqe në Ukrainë, të cilat ishin gjithashtu pjesë e diskutimeve gjatë takimit mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. /Ad.Ab./

The post RUSI – Moska hedh poshtë dislokimin e trupave nga vendet e NATO-s në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Zelensky i hapur për zgjedhje në Ukrainë, nëse ka siguri

18 August 2025 at 20:18

UASHINGTON, 18 gusht /ATSH/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha sot se ishte i hapur për të mbajtur zgjedhje në rrethana të sigurta nëse lufta me Rusinë merr fund, sipas Reuters.

“Ne duhet të punojmë në parlament sepse gjatë luftës nuk mund të kesh zgjedhje, duhet të jetë e mundur që njerëzit të kenë zgjedhje demokratike, të hapura dhe të ligjshme”,  tha Zelensky gjatë takimit me presidentin e SHBA-së Donald Trump në Zyrën Ovale,

Zgjedhjet në Ukrainë janë aktualisht të pezulluara për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme. /Ad.Ab./

The post UASHINGTON – Zelensky i hapur për zgjedhje në Ukrainë, nëse ka siguri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Trump pret Zelensky në Shtëpinë e Bardhë

18 August 2025 at 19:41

UASHINGTON, 18 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u prit sot nga homologu i tij amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa udhëheqësit evropianë mbërritën në Uashington për një takim mbi luftën në Ukrainë.

Dyshja shtrëngoi duart dhe buzëqeshi para kamerave para takimit të tyre dypalësh në Zyrën Ovale.

Një takim me udhëheqësit evropianë, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin britanik Keir Starmer, Emmanuel Macron të Francës, kryeministren italiane Giorgia Meloni, presidentin finlandez Alexander Stubb dhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte është planifikuar më vonë.

Zelensky më parë priti partnerët e tij evropianë në ambasadën ukrainase në Uashington, megjithëse mungonte kancelari  Merz.

Në një postim në Telegram, presidenti ukrainas tha se qëllimi i tij kryesor nga bisedimet është një “paqe e besueshme dhe e qëndrueshme për Ukrainën dhe Evropën”.

Ai gjithashtu përsëriti thirrjen e tij për më shumë presion mbi Rusinë.

“Presioni duhet të funksionojë dhe duhet të jetë një presion i përbashkët nga SHBA-ja dhe Evropa”, pohoi Zelensky. “Ukraina është gati për një armëpushim të vërtetë dhe krijimin e një arkitekture të re sigurie”.  /Ad.Ab./

The post UASHINGTON – Trump pret Zelensky në Shtëpinë e Bardhë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO: Dëmet nga përmbytjet në Evropë janë ulur që nga vitet 1950, rreziqet mbeten

18 August 2025 at 18:41

BERLIN, 18 GUSHT /ATSH-DPA/- Masat e mbrojtjes nga përmbytjet kanë ulur ndjeshëm dëmet ekonomike  për shkak të  përmbytjet në Evropë që nga viti 1950, bëhet e ditur sipas një studimi gjerman.

Raporti i Institutit të Potsdamit për Kërkimet e Ndikimit në Klimë, i publikuar sot, tha  se masat e adaptimit, të tilla si sistemet e paralajmërimit të hershëm, planet e emergjencës dhe përgatitjet në mënyrë  private, ulën dëmet ekonomike të shkaktuara nga përmbytjet me 63% dhe vdekjet me 52%.

Hulumtimi, i botuar në revistën “Science Advances”, u bazua në një analizë të 1 729 përmbytjeve në Evropë midis viteve 1950 dhe 2020.

Në përgjithësi, barra ekonomike nga përmbytjet është vetëm rreth një e treta e nivelit të parë në vitet 1950, zbuloi studimi.

“Mbrojtja nga përmbytjet dhe masat e tjera të adaptimit kanë kompensuar kryesisht rrezikun në rritje të përmbytjeve nga zgjerimi në fushat e përmbytjeve dhe ndryshimet klimatike në të gjithë kontinentin që nga viti 1950”, tha autori i studimit, Dominik Paprotny.

“Cënueshmëria është zvogëluar ndjeshëm, por progresi në përshtatje ka qenë më i ngadaltë në 20 vitet e fundit, duke treguar nevojën për përpjekje shtesë për të parandaluar një rritje të humbjeve nga përmbytjet nga ndryshimet klimatike në të ardhmen”, shtoi ai.

Shkencëtarët paralajmëruan se përshtatja mund të arrijë kufijtë e saj nëse ngrohja globale vazhdon të rritet, duke theksuar një numër përmbytjesh të rëndësishme në vitet e fundit që ndodhen jashtë të dhënave të studimit, siç janë përmbytjet shkatërruese të “Luginës Ahr” në Gjermani në vitin 2021.

“Është e rëndësishme të monitorohet vazhdimisht progresi në përshtatje dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike, dhe të ulen shpejt emetimet globale të gazrave serrë për të mbajtur ndikimet e ndryshimeve klimatike brenda kufijve të menaxhueshëm”, tha bashkautorja e studimit Katja Frieler. /Ad.Ab./

The post METEO: Dëmet nga përmbytjet në Evropë janë ulur që nga vitet 1950, rreziqet mbeten appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BEJRUT – Barrack: Izraeli të respektojë armëpushimin, Libani çarmatos Hezbollahun

18 August 2025 at 17:55

BEJRUT, 18 gusht /ATSH –AFP/ – I dërguari amerikan Tom Barrack i bëri thirrje sot Izraelit të respektojë angazhimet në kuadër të armëpushimit, që i dha fund luftës me Hezbollahun, pasi qeveria libaneze nisi një proces për çarmatimin e grupit militant.

“Gjithmonë ka një qasje hap pas hapi, por mendoj se qeveria libaneze e ka bërë pjesën e saj. Ata kanë ndërmarrë hapin e parë. Tani çfarë na duhet është që Izraeli të përmbushë detyrimet”, tha Barrack pas një takimi në Bejrut me presidentin libanez Joseph Aoun.

Sipas kushteve të armëpushimit, Hezbollahu duhej të tërhiqte luftëtarët e tij nga kufiri me Izraelin, ndërsa të gjitha armët të viheshin nën kontrollin e shtetit libanez. Nga ana tjetër, Izraeli duhej të tërhiqte plotësisht trupat e tij nga vendi, megjithatë ai ka mbajtur forca në pesë pika kufitare që i konsideron strategjike.

I pyetur nga gazetarët nëse pritej që Izraeli të tërhiqej plotësisht nga territori libanez dhe të ndalonte shkeljet, Barrack tha se “pikërisht ky është hapi i ardhshëm” që nevojitet.

“Na duhet angazhimi e Izraelit, na duhet një plan ekonomik për prosperitet, rindërtim dhe rigjallërim”,  shtoi diplomati amerikan, duke iu referuar nevojës për përmirësim urgjent ekonomik në Liban, i rënduar nga një sërë krizash të thella vitet e fundit.

Barrack tha se Uashingtoni “tani është në proces të diskutimit me Izraelin për qëndrimin e tij”, duke shtuar se “në javët e ardhshme do të shihet progres nga të gjitha palët.”

“Kjo do të thotë një jetë më e mirë për popullin… dhe të paktën fillimi i një rruge drejt një lloj dialogu tjetër në rajon”, përfundoi ai.

Vizita e diplomatit amerikan vjen më pak se dy javë pasi kabineti libanez i ngarkoi ushtrisë hartimin e një plani për çarmatimin e Hezbollahut deri në fund të vitit. /Ad.Ab./

 

 

The post BEJRUT – Barrack: Izraeli të respektojë armëpushimin, Libani çarmatos Hezbollahun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ALASKË – Putin i dhuron motoçikletë një amerikani gjatë takimit me Trump

18 August 2025 at 17:10

ANCHORAGE, 18 gusht /ATSH/ – Një banor  në Alaskë, ka marrë dhuratë një motoçikletë të re nga presidenti rus Vladimir Putin gjatë takimit javën e kaluar me presidentin amerikan Donald Trump në qytetin Anchorage, sipas Reuters.

Një punonjës i ambasadës ruse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dorëzoi çelësat e motoçikletës së re qytetarit Mark Warren në parkimin e hotelit në Anchorage, ku ishte strehuardelegacioni rus.

“Dua të them se kjo është një dhuratë personale nga presidenti i Federatës Ruse”, tha Andrei Ledenev, punonjës i ambasadës, teksa ia dorëzoi çelësat Warren

Warren u shfaq duke hipur mbi motorin e ri për të bërë një xhiro.

“Është si nata me ditën”, tha Warren. “Më pëlqen motori im i vjetër im, por ky është padyshim shumë më i mire. Jam pa fjalë, është e mahnitshme. Faleminderit shumë”.

Dhurata e papritur e liderit rus erdhi pasi gazetarë të televizionit shtetëror rus “Channel 1” e takuan rastësisht Warren në rrugët e Anchorage përpara takimit mes dy presidentëve.

Gazetarët ndaluan për të admiruar motorin e tij, i cili prodhohet nga kompania “Ural”, fabrika origjinale e së cilës u themelua në vitin 1941 në ish-Bashkimin Sovjetik.

Warren i tha gazetarit Valentin Bogdanov se  do të kishte vështirësi për të gjetur pjesë këmbimi për motorin e ri, sepse “uzina e prodhimit ndodhet në Ukrainë”.

“Pra, për ju, nëse ata e zgjidhin këtë konflikt këtu në Alaskë, dua të them Putin dhe Trump, do të ishte mirë?”, e pyeti Bogdanov. “Po, do të ishte mirë”, u përgjigj amerikani. /Ad.Ab./

The post ALASKË – Putin i dhuron motoçikletë një amerikani gjatë takimit me Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEHERAN – Irani do tërifillojë bisedimet me OKB-në në lidhje me programin e saj bërthamor

18 August 2025 at 16:23

TEHERAN, 18 gusht /ATSH-DPA/ – Irani planifikon të zhvillojë një raund të ri bisedimesh me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në ditët e ardhshme, tha sot në Teheran zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei.

Ai nuk specifikoi datën e saktë apo vendndodhjen e takimit.

Në korrik, Irani pezulloi bashkëpunimin me IAEA-n, duke e akuzuar organizmin se nuk dënoi sulmet izraelite dhe amerikane ndaj një objektivi bërthamor iranian.

Më 13 qershor, Izraeli bombardoi objektiva në të gjithë Iranin, duke i quajtur sulme parandaluese për të ndaluar Republikën Islamike të ndërtonte një bombë bërthamore.

Teherani, i cili vazhdimisht ka theksuar se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime civile, e mohoi akuzën dhe u kundërpërgjigj me sulme me raketa e dronë ndaj Izraelit. Pas 12 ditësh lufte, gjatë të cilave SHBA-ja përdori armët e saj  kundër objekteve bërthamore iraniane, u arrit një armëpushim.

Javën e kaluar, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Massimo Aparo, vizitoi Teheranin për herë të parë që nga fundi i luftimeve, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit të ardhshëm.

Megjithatë, Irani vazhdon të refuzojë t’i japë agjencisë akses në objektet e tij bërthamore, pasi më herët kishte dëbuar inspektorët ndërkombëtarë. /Ad.Ab./

The post TEHERAN – Irani do tërifillojë bisedimet me OKB-në në lidhje me programin e saj bërthamor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌