Guvernatori Sejko: Shkëmbimi pagesave i njëvlershëm me vendet e BE-së
TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se tashmë vendi ka shënuar një hap të rëndësishëm në modernizimin e sistemit të pagesave duke e bërë atë të njëvlershëm me vendet e Bashkimit Evropian.
Në një intervistë për mediet, Sejko ndau detaje lidhur me zhvillimet më të fundit në sistemet e pagesave në vend, të cilat janë një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të pagesave dhe njëkohësisht formalizimit të ekonomisë shqiptare.
“Projekti “Open Banking”, i cili tashmë ka përfunduar teknikisht, SEPA që pritet të bëhet operacional më 7 tetor 2025, së bashku me pagesat e menjëhershme “Instant Payment”, do të sjellin reduktimin e përdorimit të parasë fizike dhe rritjen e digjitalizimit në ekonominë shqiptare”, tha Guvernatori.
Sejko u shpreh se, këto zhvillime të rëndësishme përfaqësojnë një kriter garancie pasi në aspektin e integrimit financiar dhe shkëmbimit të pagesave vendi ynë do të konsiderohet i njëvlershëm me vendet e Bashkimit Evropian.
“Banka e Shqipërisë po punon intensivisht që më 7 tetor bankat të jenë gati për funksionimin e plotë në skemën SEPA. Vetëm në vitin e parë pas implementimit, ekonomia shqiptare pritet të përfitojë rreth 20 milionë euro në kursime, shifër që do të vijojë të rritet me kalimin e kohës. Vlen për tu theksuar se përtej kursimeve, do të rritet edhe siguria e transaksioneve”, deklaroi ai. /j.p/
The post Guvernatori Sejko: Shkëmbimi pagesave i njëvlershëm me vendet e BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.