Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 July 2025Main stream

FIFA dënon Serbinë/ Federata Serbe e Futbollit dënohet me 50 mijë franga zvicerane

By: Rovena
25 July 2025 at 23:42

Federata Serbe e Futbollit u ndëshkua nga FIFA me gjobë financiare dhe mbyllje të pjesshme të tribunave të stadiumit për ndeshjen e radhës. Dënimi është 50 000 franga zvicerane dhe mbyllje e 15 për qind të stadiumit për sfidën kundër Anglisë, që do të luhet në Beograd në 9 shtator, që do të thotë se kombëtares serbe do t’i mungojnë më shumë se 8 000 tifozë në këtë përballje.

Dënimi nga ana e FIFA-s për Serbinë erdhi pas sjelljes së gabuar të tifozëve në duelin ndaj Andorrës të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror, në 10 qershor. Federata Serbe paralajmëroi tifozët që të sillen mirë ndaj Anglisë, ndryshe mund të ndodhë që sfida kundër Shqipërisë në Beograd në 11 tetor mund të luhet edhe pa tifozë fare.

Më parë, edhe Shqipëria u dënua me 161 500 franga zvicerane gjobë dhe me mbyllje të 20 për qind të kapacitetit të stadiumit për ndeshjen ndaj Letonisë./abcnews.al

Pse doktori mbron Veliajn?/ Avokati Petraj: Berisha nuk do zgjedhje në Bashkinë e Tiranës, s’është i përgatitur

By: Rovena
25 July 2025 at 23:38

Në një intervistë për “Edicioni i Fundit” në ABC News, avokati Edmond Petraj analizoi situatën aktuale politike duke u ndalur te dorëheqja e mundshme e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe raportet brenda Partisë Demokratike.

Sipas Petraj, nuk ka asnjë vendim gjyqësor të formës së prerë apo ndonjë arsye ligjore që ta detyrojë Veliajn të japë dorëheqjen vendimi mbetet politik dhe personal.

Ai shtoi se Sali Berisha po e mbron Veliajn për të forcuar narrativën kundër kryeministrit si “diktator” dhe për të shmangur zgjedhje në Tiranë, për të cilat, sipas Petrajt, PD nuk është e përgatitur.

Avokati vlerësoi gjithashtu se mungon një nismë e brendshme për largimin e Berishës nga drejtimi i PD-së, duke theksuar se, në mungesë të një reagimi të qartë, ai do të vazhdojë të udhëheqë partinë, pavarësisht mosnjohjes së zgjedhjeve.

“Nuk ka një vendim të formës së prerë dhe një arsye që Veliaj të japë dorëheqjen. Nuk janë bërë pezullime. Jemi në një situatë që varet vetëm nga Veliaj, do apo nuk do ai që të japë dorëheqjen. Berisha e merr në mbrojtje Veliajn, sepse kërkon që të formalizojnë portretin si diktator të kryeministrit. Është një element që Berisha nuk do zgjedhje në Bashkinë e Tiranës për momentin sepse nuk është i përgatitur dhe do të ishte një goditje e dytë, pas zgjedhjeve.

Kjo është ajo marrëdhënie për të cilën mendoj unë. Berisha nuk do të japë dorëheqjen, nuk i njeh zgjedhjet pavarësisht se do të hyjë në Kuvend. Kërkon të justifikojë humbjen. Besoj se pjesa e nenit Basha nuk është funksionale, sepse nëse nuk ka një shkëndijë të brendshme brenda PD, Berisha nuk ikën. Deri tani nuk ka asnjë person brenda PD që të ngrejë një grup deputetësh apo anëtarësh të kryesisë që kërkojnë largimin e Berishës. Nëse ikën Berisha, PD ikën fund, nëse nuk do të ishte Berisha nuk do të mblidhnin aq vota. Nëse nuk ka një reagim të brendshëm PD, ai do të vazhdojë, por PD nuk i njeh zgjedhjet”, tha avokati Petraj./abcnews.al

 

Temperaturat në Greqi arrijnë në gati 46 gradë Celsius

By: Rovena
25 July 2025 at 22:58

Vala e të nxehtët në Greqi, që nisi të hënën, tani pritet të zgjasë më shumë se një javë, teksa shërbimi i motit tha se vendi u përball me temperatura afër 46 gradë Celsius më 25 korrik.

Vëzhguesi Kombëtar në Athinë tha se temperatura më e lartë u regjistrua në rajonin Mesinia, ku u shënua 45.8 gradë Celsius.

Në Athinë, në disa pjesë u regjistruan temperatura deri në 42 gradë. Zyrtarët sërish kanë modifikuar orët kur vizitorët mund të vizitojnë Akropolin – vendin kryesor arkeologjik në Greqi, me qëllim të sigurisë së vizitorëve dhe stafit.

Akropoli mbetet i mbyllur për vizitorë nga mesdita deri në orën 17:00, pra në orët më të nxehta të ditës.

Agjencia greke për motin, ka modifikuar njoftimin e saj, duke thënë se temperaturat do të nisin të bien pas 28 korrikut. Paraprakisht, kjo agjenci kishte parashikuar se gjatë fundjavës temperaturat do të uleshin.

Po ashtu, kjo agjenci tha se do të ketë erëra nga veriu të premten, duke rritur rrezikun për zjarre.

Një zjarr që shpërtheu gjatë kësaj jave shkatërroi mbi 1.130 hektarë tokë pyjore pranë fshatit Feneos. Ndërkaq, të premten për shkak të një zjarri në afërsi të qytetit Kilkis, në veri të Greqisë, autoritetet evakuuan një universitet, shtëpi dhe biznese.

Të shtunën, temperaturat në Greqi pritet të arrijnë në 44 gradë Celsius. Në Shqipërinë fqinje janë dhjetë zjarre aktive, përfshirë një në Delvinë, afër kufirit me Greqinë.

Një tjetër zjarr në Kakavijë, afër pikëkalimit kufitar me Greqinë, u vu nën kontroll të enjten.

Ndërkaq, Kosova po ashtu po përballet me temperatura të larta dhe të premten në Klinë u regjistrua temperatura më e lartë prej 42.5 gradë Celsius./REL

SPAK aksion kundër trafikut të drogës/ Kontrolle në disa qytete, lëshohen 5 masa sigurie

By: Rovena
25 July 2025 at 22:27

Një operacion me urdhër të SPAK është zhvilluar në disa qytete ku janë ushtruar disa kontrolle dhe janë lëshuar masa sigurie për  5 persona. Mësohet se masë sigurie është caktuar edhe për dy persona të njohur të botës së krimit që mbahen të izoluar për vepra të rënda penale.

Bëhet fjalë për të penduarin e drejtësisë Erion Alibejn dhe për Plaurent Dervishin që po gjykohet për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në 2019.

Masa e dytë e sigurisë iu është komunikuar në burgun 313 atje ku mbahen të izoluar. Ndërsa në pranga kanë përfunduar 3 persona, mes të cilëve vëllezërit Artur dhe Ervin Hoxhosmani, si dhe shtetasi Ermir Ndrejaj.

Sipas prokurorisë aktiviteti kriminal është zbuluar pas zbërthimit të aplikacionit Sky ECC dhe Enchro Chat dhe ka dyshime të jetë kryer gjatë viteve 2020-2021. Mësohet se personat e dyshuar trafikonin kokaine nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të atyre të Bashkimit Europian./abcnews.al

OKB: Pothuajse një e treta e banorëve të Gazës nuk po hanë për ditë të tëra

By: Rovena
25 July 2025 at 22:17

Pothuajse një e treta e banorëve të Gazës “nuk po hanë për ditë të tëra”, tha agjencia për ndihmë ushqimore e Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se kriza ka arritur “në nivele dëshpëruese”.

Programi Botëror i Ushqimit më herët kishte paralajmëruar për një “rrezik kritik nga uria” në Gazën e shkatërruar nga lufta, ndërkaq po intensifikohen kritikat ndërkombëtare ndaj veprimeve të Izraelit.

“Pothuajse një në tre persona nuk po hanë për ditë të tëra. Kequshqyerja është në rritje me 90.000 gra dhe fëmijë që kanë nevojë urgjente për trajtim”, tha Programi Botëror për Ushqim.

Kjo agjenci tha se 470.000 persona pritet të përballen me “uri katastrofike” – kategoria më kritike sipas Klasifikimit të Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore të OKB-së – në periudhën ndërmjet majit dhe shtatorit të këtij viti.

“Ndihma ushqimore është mënyra e vetme që njerëzit të kenë qasje në ushqim, pasi çmimet ushqimore janë rritur shumë”, tha Programi Botëror për Ushqim.

“Njerëzit po vdesin për shkak të mungesës së ndihmës humanitare”.

Grupet e ndihmës kanë paralajmëruar për rritjen e numrit të fëmijëve të kequshqyer në Gazë.

Izraeli kufizon në minimumin e mundshëm futjen e ushqimit në Gazë, si dhe e mbikëqyr shpërndarjen e mëvonshme të tij. Izraeli kontrollon të gjitha pikat e hyrjes në Rripin e Gazës dhe rrjedhimisht edhe rrugët e transportit për ndihmat humanitare.

Izraeli e justifikon kufizimin e ndihmave duke pretenduar se Hamasi – grupi i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – i plaçkit ato./REL

Yesterday — 25 July 2025Main stream

Shefja e BE njofton se do të bisedojë me Trump për tarifat

By: Rovena
25 July 2025 at 21:14

Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se do të zhvillojë bisedime me presidentin amerikan, Donald Trump, në Skoci në lidhje me tensionet transatlantike sa i përket tarifave, teksa ka mbetur vetëm një javë deri në afatin e fundit për negociata.

Në përpjekje për të ulur deficitin tregtar për vendin e tij, Trump ka premtuar se do të vendosë tarifa ndëshkuese ndaj dhjetëra vendeve nëse ato nuk arrijnë marrëveshje me Uashingtonin deri më 1 gusht.

Bashkimi Evropian – që po përballet me një tarifë të përgjithshme prej 30 për qind – po kërkon një marrëveshje me administratën e Trumpit, ndërkohë që po përgatit edhe masa hakmarrëse në rast se bisedimet dështojnë.

“Pas një telefonate të mirë me presidentin e SHBA-së, jemi pajtuar të takohemi të dielën në Skoci për të diskutuar marrëdhëniet tregtare transatlantike dhe mënyrat për t’i mbajtur ato të forta”, shkroi von der Leyen në platformën X.

Takimi në nivel të lartë vjen pas për disa ditë ka pasur sinjale se Komisioni Evropian dhe administrata amerikane po afron drejt një marrëveshjeje, por Trump të premten vuri në dyshim këtë skenar.

Duke folur për gazetarët teksa largohej nga Shtëpia e Bardhë për në Skoci, Trump vlerësoi se kishte “50-50” shanse për të arritur një marrëveshje me bllokun prej 27 shtetesh.

Të 27 vendet e BE-së i kanë dhënë Komisionit Evropian mandatin që të përqendrohet në përpjekjet drejt një marrëveshjeje që do të shmangte tarifat e rënda amerikane.

Në fillim të këtij muaji, zyrtarët e BE-së po ashtu shprehën besimin se ishin në prag të një marrëveshjeje, para se Trump të kërcënonte me rritjen e tarifave në 30 për qind.

Në rast se bisedimet dështojnë, vendet anëtare të BE-së miratuan të enjten një paketë masash hakmarrëse ndaj mallrave amerikane në vlerë prej 109 miliardë dollarësh, e cila do të zbatohet në faza duke filluar nga 7 gushti.

Që nga nisja e fushatës së tarifave, administrata e Trumpit ka arritur pesë marrëveshje, përfshirë ato me Britaninë, Japoninë dhe Filipinet./REL

Portofoli i identitetit dixhital dhe BE/ Eksperti i çështjeve bankare: Ligji në mënyrë direkte do të frenojë aktet kriminale

By: Rovena
25 July 2025 at 20:52

Ligji për identitetin digjital pritet të ketë një ndikim të ndjeshëm në sigurinë financiare dhe në luftën kundër krimeve ekonomike në vend. Eksperti i çështjeve bankare, Roland Tashi, në një intervistë për emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, theksoi se ky ligj nuk shërben vetëm për të rregulluar standarde të reja, por vepron edhe si një mekanizëm frenues ndaj akteve kriminale.

Sipas tij, ligji është në përputhje të plotë me praktikat europiane dhe garanton të njëjtin nivel mbrojtjeje si për qytetarët e vendeve të BE-së.

Tashi vuri në dukje gjithashtu rolin kritik që kanë bankat dhe institucionet në verifikimin e identitetit, sidomos në një kohë kur Inteligjenca Artificiale ka rritur rreziqet për mashtrime financiare.

“Ligji ka një efekt shumë të madh. Çdo ligj përveç se rregullon standarde për një pjesë të re, ligji në mënyrë direkte do të frenojë aktet kriminale. Ligji është i përshtatu me gjithë europën dhe do të jetë aq i mbrojtur saç e kanë të mbrojtur të gjithë qytetarët e Europës. Rrjeti bankar në të gjithë Shqipërinë është i shpërndarë në të gjithë vendin, dhe kanë aftësinë të kuptojnë nëse dokumenti është real apo është i falsifikuar. Inteligjenca Artificiale ka rritur mundësinë për mashtrime financiare. Nëse s’do të jenë bankat dhe institucionet, iku koha ku punonjësit mjaftoheshin vetëm me një ID, pasi është gjëja më e thjeshtë për t’u kuptuar dhe falsifikuar”, tha eksperti i çështjeve bankare, Roland Tashi./abcnews.al

Ligji për identitetin dixhital/ Silvana Pershqefa: Kërkohen masa të rrepta dhe përfshirje më e madhe

By: Rovena
25 July 2025 at 20:23

Ligji i ri për identitetin dixhital po ngjall diskutime mes ekspertëve të sigurisë dhe përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale.

Gjatë një interviste në emisionin “Sheshi i Dollarit”, Silvana Pershqefa nga sektori i mbrojtjes së të dhënave personale dhe ekspertja e sigurisë kibernetike Oltjana Beci, hodhën dritë mbi sfidat dhe mundësitë që sjell ky ligj.

Ato theksuan nevojën për standarde të qarta të BE-së dhe përfshirje më të gjerë të institucioneve, si dhe siguruan se Shqipëria do të ndjekë praktikat më të avancuara evropiane për mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë digjitale.

“Është e vërtetë që është konceptuar në idenë e një aplikacioni i cili nuk mban vetëm të dhëna personale, por edhe të dhëna civile, të dhëna në raport me studimet etj. Kjo kërkon masa të rrepta organizative, ku duhen vendosur standarde të BE që ligji i rekomandon. Do doja që të kishte një përfshirje më të madhe me komisionerit, si me sektorin privat dhe publik që janë palë të përfshira”, tha përfaqësuesja e sektorit të mbrojtjes së të dhënave personale, Silvana Pershqefa.

“Në Shqipëri do të zbatohen të gjitha teknikat dhe procedurat që do të dalin nga BE. Është pak e vështirë që në një ligj të përcaktohen pak palët që do të përfshihen, ligji e ka për pacaktuar që projektligji do të jetë në përputhje me të dhënat personale, në përputhje me aktet ligjore dhe nën ligjore”, shtoi ekspertja e sigurisë kibernetike, Oltjana Beci./abcnews.al

Përmbyset varka me emigrantë/ Viktima dhe të zhdukur në brigjet e Libisë

By: Rovena
25 July 2025 at 19:27

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën pasi një varkë me emigrantë u përmbys në brigjet e Libisë.

Varka ishte nisur për në Evropë dhe mbante dhjetëra njerëz kur u përmbys rreth orës 2 të mëngjesit të së premtes pranë qytetit libian lindor të Tobrukut, sipas Marëan al-Shaeri, zëdhënësit për media të administratës së përgjithshme të rojës bregdetare në qytet.

Al-Shaeri konfirmoi se të gjitha viktimat e deritanishme ishin shtetas egjiptianë.

Ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin të gjallë dy anëtarë të ekuipazhit sudanez, por një i tretë ende mungon.

Nuk dihet ende shkaku i përmbysjes se varkës dhe as sa persona janë te zhdukur.

Libia është një pikë dominuese tranziti për emigrantët që ikin nga lufta dhe varfëria në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Incidentet e tilla pranë bregdetit të vendit kanë qenë të zakonshme.

Sipas projektit të emigrantëve të zhdukur të drejtuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, të paktën 434 emigrantë janë raportuar të vdekur dhe 611 të zhdukur pranë Libisë në tetë muajt e fundit./abcnews.al

Situatë alarmante në Delvinë, 62 efektivë në terren për shuarjen e zjarreve në fshatin Palavli

By: Rovena
25 July 2025 at 19:20

Situata në Delvinë ka arritur në një nivel kritik për shkak të zjarreve të përhapura që kanë rrezikuar jetën dhe pronat e banorëve.

62 efektivë të Repartit Gjirokastër, pjesë e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, Forca Tokësore, janë angazhuar në operacionet për emergjencat civile për shuarjen e zjarreve në fshatin Palavli, Bashkia Delvinë./abcnews.al

EMRI/ Aksident i rëndë në Sarandë, një 27-vjeçar dërgohet me helikopter te Trauma

By: Rovena
25 July 2025 at 19:16

Një aksident i rëndë është shënuar në qytetin e Sarandës. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Janaq Kumi”, ku mjeti “Citroen” me targa AB122NO, i drejtuar nga Danjel Veizi, i ka prerë rrugën, pas një manovre të gabuar, mortorit “Yamaha” TMax me targa CB876, që drejtohej nga Aurel Gumeni, 27 vjeç. S

i pasojë ky i fundit ka mbetur i plagosur. Pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Sarandës, për shkak të politraumave, është nisur me helikopter drejt Tiranës.

I shkaktoi 7 miliard dëm buxhetit/ Dosja “Buka” kalon për gjykim çështjen ndaj Arben Ahmetajt

By: Rovena
25 July 2025 at 19:10

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e prokurorisë dhe kaloi për gjykim dosjen në ngarkim të Arben Ahmetajt që është marrë I pandehur për shpërdorim detyre.

Ahmetaj akuzohet se në kundërshti me ligjin privatizoi shoqërinë Buka sha duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej 7 miliardë lekë. Prokuroria ka veçuar dosjen ndaj disa ish-zyrtarëve të ministrisë dhe biznesmenit Lirim Fezollari që ka përfituar nga privatizimi në kohën që Ahmetaj mbante postin e ministrit të Financave.

Nga hetimet ka rezultuar se Ahmetaj dhe Fezollari, kishin marrëdhënie përtej komunikimit institucional, nga e cila ka arritur të privatizojë aksionet e shoqërisë “Buka Sha”./abcnews.al

Kryeministri Rama ndan pamje nga Kepi i Rodonit: Rikthejmë hapësirat publike në bregdetin e Durrësit

By: Rovena
25 July 2025 at 17:56

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook se vijon procesi i lirimit të plazheve publike, këtë herë në zonën e Kepit të Rodonit.

Rama thekson se po rikthehen hapësirat publike për qytetarët dhe pushuesit, duke garantuar akses të barabartë dhe kushte dinjitoze për të gjithë përgjatë vijës bregdetare të Durrësit.

“Kepi i Rodonit – Lirimi i plazheve publike përgjatë bregdetit të Durrësit. Rikthejmë hapësirat publike për qytetarët dhe pushuesit, duke garantuar akses të barabartë dhe kushte dinjitoze për të gjithë”, ka shkruar kryeministri Rama.

/abcnews.al

VIDEO/ Zjarret në Delvinë nuk kanë të ndalur, vijon ndërhyrja nga ajri

By: Rovena
25 July 2025 at 17:35

Zjarret në Delvinë po përhapen me shpejtësi, duke rrezikuar dhe banesat. Në luftë me flakët janë në terren forcat zjarrfikësve, ndërkohë që vazhdon ndërhyrja nga ajri.

Sipas raportimeve nga forcat operacionale në zonë, situata paraqitet shumë e vështirë dhe e rrezikshme.

Ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar evakuimin e banorëve të tre fshatrave./abcnews.al

Tentuan të trafikonin armë drejt Anglisë/ SPAK mbyll hetimet dhe çon për gjykim gjashtë të pandehur

By: Rovena
25 July 2025 at 16:53

Tentuan të trafikonin armë drejt Anglisë, Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar gjykim 6 të pandehur. Ata akuzohen për trafikim të armeve të mbetur në tentativë dhe grup i strukturuar kriminal.

Tre persona vepronin në Shqipëri dhe tre të tjerët në Britaninë e Madhe, që në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin krijuar një grup kriminal me qëllim trafikimin e armëve drejt ishullit britanik.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal Nr. 60/1 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:

1. Adulla Hoxhaj, i akuzuar për kryerjen e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. “Trafikim i armëve dhe i municionit”, e mbetur në tentativë, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/a/1-22 dhe 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin, 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”

ii. “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal

iii. “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në banesë dhe në sasi të mëdha, të parashikuar nga neni 278/7 në lidhje me paragrafin 4 të kësaj dispozite të Kodit Penal, të cilat i janë sekuestruar në banesë gjatë momentit të ekzekutimit të masës së sigurimit personal më datë 1.8.2024

iv. “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”, e parashikuar nga neni 279/1 të Kodit Penal, të cilat i janë sekuestruar në banesë gjatë momentit të ekzekutimit të masës së sigurimit personal më datë 1.8.2024.

2. Almir Gjidiaj, i akuzuar për kryerjen e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. “Trafikim i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/a/1-22 dhe 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me menin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,

ii. “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.

3. Admir Tutaj, i akuzuar për kryerjen e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. “Trafikim i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/a/1-22 dhe 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me menin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”

ii. “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.

4. Alban Gjidiaj, i akuzuar për kryerjen e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. “Trafikim i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/a/1-22 dhe 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me menin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”

ii. “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.

5. Rifat Avdiaj, i akuzuar për kryerjen e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. “Trafikim i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/a/1-22 dhe 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me menin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”

ii. “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.

6. Bojken Turtulli, i akuzuar për kryerjen e elementëve të veprave penale të mëposhtme:

i. “Trafikim i armëve dhe i municionit”, mbetur në tentativë kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/a/1-22 dhe 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me menin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”

ii. “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.

Për kryerjen e veprimeve hetimore është bashkëpunuar ngushtësisht me autoritetet e drejtësisë britanike, Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Nga aktet e administruara për këtë procedimi penal, ka rezultuar se më datë 10.4.2023, gjatë procesit të skanimit të një mjeti tip furgon me targa britanike, KS 15 MZN janë konstatuar anomali dhe është vendosur të bëhet kontrolli fizik i tij, pranë pikës së kontrollit.

Prej këtij kontrolli rezultoi se, në brendësi të një tavoline druri që ndodhej në këtë furgon u gjet e fshehur një sasi prej 8 armësh zjarri të llojit pistoleta, 4 krehëra pistoletë dhe 201 copë fishekë të kalibrit 9 mm.

Duke iu referuar zbulimit të sasisë së armëve dhe municionit luftarak të sekuestruar, me destinacion përfundimtar, Mbretërinë e Bashkuar, si dhe mënyrës se si organizatorët kanë siguruar dhe fshirë numrat e serisë në 6 prej armëve të zjarrit, është vlerësuar se ato nuk do të përdoreshin për vetëmbrojtje.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për këtë procedim penal, është identifikuar fillimisht vetëm njëri prej personave të implikuar në kryerjen e kësaj vepre penale dhe më datë 15.6.2023, është bërë identifikimi i shtetasit, Franko Gjalpi. Në përfundim të hetimeve, dosja në ngarkim të tij është dërguar për gjykim dhe me vendimin Nr. 67, date 6.11.2024, ky i pandehur është deklaruar fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendim i cili është lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 8, datë 11.3.2025.

Organizatorët kishin gjetur një ambient të përshtatshëm dhe specialistë të fushës së mobilierisë në periferi të Tiranës, të cilët do të mundësonin fshehjen e armëve në brendësi të produkteve të drurit (për të mos u kapur nga kontrolli i strukturave të policisë dhe doganës). Ata kishin siguruar personat që do të bënin zhvendosjen e “porosive” tek kompania e transportit në Tiranë, përdorimin e gjeneraliteteve të rreme si nga dorëzuesit e porosive tek kompania e transportit, ashtu edhe nga pritësit e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.

Po ashtu, vënia në dispozicion e mjetit të transportit dhe të komunikimit, si dhe shpërblimet respektive për çdo transport që kryej, kemi vlerësuar se numri i personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale është më i lartë se dy, duke konkluduar se ndodhemi para kryerjes së veprës penale objekt hetimi, jo në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë, por në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

Nga tërësia e hetimeve të kryera është bërë e mundur të identifikohen bashkëpunëtorët e tjerë të të pandehurit Franko Gjalpi, të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale,  më konkretisht i të pandehurve: Adulla Hoxhaj, Rifat Avdiaj, Admir Tutaj, Almir Gjidiaj, Alban Gjidiaj dhe Bojken Turtulli, të cilët kanë pasur role të përcaktuara qartë në organizimin, drejtimin dhe financimin e këtij grupi të strukturuar kriminal, me qëllim trafikimin e sigurt të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak në Mbretërinë e Bashkuar.

Hetimet e kryera, kanë evidentuar një grup të strukturuar kriminal, i ndarë në dy nëngrupe që vepronin përkatësisht në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe është arritur identifikimi i anëtarëve dhe përgjegjësisë së tyre si mëposhtë.

 

A. Grupi kriminal në Shqipëri

Drejtues: Adulla Hoxhaj

Pjesëmarrës: Rifat Hoxhaj, Bojken Turtulli, Franko Gjalpi

B. Grupi kriminal në Mbretërinë e Bashkuar 

Drejtues: Almir Gjidiaj.

Pjesëmarrës: Admir Tutaj dhe Alban Gjidiaj

Nga analizimi i të gjitha fakteve dhe rrethanave ka rezultuar e provuar se i pandehuri, Adulla Hoxhaj është drejtues i nëngrupit, i cili  ka vepruar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ai ka koordinuar veprimet me anëtarët e tjerë të grupit në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa, të pandehurit: Bojken Turtulli dhe Rifat Avdija, si dhe bashkëipandehuri Franko Gjalpi, kanë luajtur rolin e ndihmësit në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal.

Gjithashtu, ka rezultuar e provuar se i pandehuri tjetër Almir Gjidiaj, është drejtues i nëngrupit, i cili  ka vepruar në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ka koordinuar veprimet e anëtarëve të tjerë të grupit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipëri. I pandehuri Admir Tutaj, është njëri prej pritësve të porosive në Mbretërinë e Bashkuar si edhe person i besuar i të pandehurit tjetër Alban Gjidiaj, të cilët kanë patur rolin e ndihmësve në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në Shqipëri, më datat 10.4.2023 në P.K.K Port Durrës, dhe 16.06.2023 në Tiranë, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

  • 6 (gjashtë) armë zjarri të llojit pistoletë, marka “GLOCK”, me numra të fshirë me mbishkrim “Glock Austria 9 x 19”.
  • 1 (një) armë zjarri të llojit pistoletë, marka “HERSTAL”, me numër 1534 P.
  • 1 (një) armë zjarri të llojit pistoletë, marka “BROWNING”, me numër 2205.
  • 4 (katër) krehra pistolete ngjyrë e zezë
  • 201 (dyqind e një) copë fishekë kalibër 9 mm.
  • 1 650 (njëmijë e gjashtë qind e pesëdhjetë) euro
  • 31 700 (tridhjetë e një mijë e shtatëqind) lekë
  • 8 (tetë) aparate telefonash celularë etj.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në Shqipëri, më datë 1.8.2024, kryesisht në banesën e të pandehurit Adulla Hoxhaj, si dhe në banesat e të pandehurve të tjerë, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

  • 24 armë zjarri pistoletë
  • 1 automatik kallashnikov
  • pjesë të ndryshme të armëve të zjarrit (gjilpëra, susta, shul, qyt etj.,)
  • 49 krehra (karikator) të llojeve të ndryshme,
  • 2 thika
  • 409 fishekë të kalibrit të ndryshëm,
  • 1 palë pranga
  • 10 pajisje speciale optike dhe lazeri
  • 4 automjete
  • 1 motor
  • 1 palë veshje ushtarake
  • 1 helmetë e forcave speciale
  • 4 aparate celularë
  • 2 laptop
  • 1 njësi qendrore
  • 290 euro
  • 13,000 lekë
  • kartë Sim Vala (kosovare).

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon autoritetet e drejtësisë britanike, Atasheun e Sigurisë së Brendshme të Ambasadës Britanike në Shqipëri si dhe agjencitë ligjzbatuese shqiptare, të cilët na kanë mbështetur dhe ndihmuar.

“Dëgjova zërin e babit”, Vajza e madhe e 56-vjeçarit: Motra më mori në telefon dhe më tha që babi ka rënë në banjo

By: Rovena
25 July 2025 at 16:40

Pasi përcolli babanë për në banesën e fundit, me nënën dhe motrën në burg, vajza e madhe e familjes Rama në Frashër të Patosit, Kristiola Rama, tregoi për mediat se si e mori vesh lajmin.

Emigrante në Itali me tre fëmijë, Kristiola mbërriti një ditë më parë në vendlindje për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të të atit, por mësoi një tjetër version për ngjarjen, i ndryshëm  nga ai që i tregoi motra  e vogël, Emanilda.

Me një qetësi që mund të justifikohet vetëm nga tronditja e madhe, Kristiola Rama tregon se si e motra e telefonoi mbrëmjen se së martës për t’i thënë se i ati kishte ndërruar jetë. Në një moment ajo thotë se dëgjoi zërin e te atit, por e ëma e siguroi se ai kishte vdekur teksa lante trupin e të ndjerit.

“Nga ora 10 më merr motra në telefon dhe më thotë që babi kishte rënë në banjot. I thashë çfarë po thua dhe i fik telefonin. Pastaj e marr pas pesë minutash dhe më thotë mami ik se po merremi me babin, por e vishini dhe po e lanin. E fika përsëri telefonin, fillova pastaj të merrja atë kunatën time që të vinte të më tregonte këtu, sepse nuk po e besoja. Kur po e lante dëgjova një si zë, i thashë mami, babi është gjallë, jo tha. Unë jetoj në Itali, me prindërit dhe motrën kam kaluar shumë mirë, flisja përditë, i merrja në telefon. Çdo gjë ishte shumë mirë”, tregoi Kristola Rama./abcnews.al

FOTO/ Zjarri në Delvinë, Ministria e Mbrojtjes nis evakuimin e tre fshatrave

By: Rovena
25 July 2025 at 16:24

Ministria e Mbrojtjes, përmes strukturave të Mbrojtjes Civile, ka  urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz, në Bashkinë Delvinë, për shkak të rrezikut nga zjarret.

U bëhet thirrje të gjithë banorëve të respektojnë udhëzimet e emergjencave civile dhe të bashkëpunojnë me forcat e Policisë dhe autoritetet vendore, të cilat janë angazhuar për mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre.

Aktualisht, në operacion janë përfshirë edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët po veprojnë në zonën e Delvinës, ndërsa dy të tjerë janë angazhuar në operacionet ajrore në qarkun Berat-Dimal.

“E vrava se nuk më jepte para”, fqinjët përgënjeshtrojnë 26-vjeçaren: I ndjeri nuk dinte shkrim e lexim, paratë…

By: Rovena
25 July 2025 at 16:16

Fier u trondit ditën e djeshme nga zbulimi i një ngjarjeje shumë të rëndë brenda familjes Rama në fshatin Frashër. Vajza e dytë e familjes, Emanilda Rama mbyti me tel, mbrëmjen e 23 korrik rreth orës 23:00, babain e saj, 56-vjeçarin Anesti Rama.

Ngjarja fillimisht u raportua si aksidentale, ku 26-vjeçarja e ndihmuar edhe nga e ëma tentuan të fshihnin krimin. Pas zbulimit të së vërtetës nga autoritetet, 26-vjeçarja dëshmoi në polici se babain e vrau për shkak se ai nuk i jepte para dhe nuk e lejonte të argëtohej.

Por, sipas fqinjëve kjo deklaratë nuk është e vërtetë, pasi 56-vjeçari nuk dinte shkrim e lexim. Ata shtojnë se paratë që merrte nga puna në fermën blegtorale ku punonte i merrnin e bija dhe gruaja e tij në bankomat./abcnews.al

❌
❌