Katalogu muzikor i Ozzy Osbourne dhe grupit të tij “Black Sabbath“ është ngjitur ndjeshëm në klasifikimet muzikore të Britanisë pas vdekjes tre ditë më parë të yllit të rrymës muzikore “Heavy Metal”.
Kënga e famshme e Black Sabbath, “Paranoid”, e cila arriti vendin e katërt në vitin 1970, është rikthyer në Top 40 (në vendin e 32-të) për herë të parë pas gati 45 vitesh, njoftoi “Official Charts Company”.
“The Ultimate Collection” i “Black Sabbath” është rikthyer në klasifikimin e albumeve, duke u ngjitur me 129 pozicione në vendin e 22-të.
Është njëra nga gjashtë daljet muzikore të Black Sabbath dhe Osbourne që gjenden këtë javë në top 200, përfshirë albumin “Paranoid” (1970) në vendin e 52-të, përmbledhjen e hiteve të Osbourne nga viti 2014 “Memoirs Of A Madman” në vendin 60-të, “Prince Of Darkness” në vendin 71 dhe albumin “Mob Rules” të Sabbath në vendin 107-të.
Oyyz Ozbourne, vdiq të martën, në moshën 76 vjeç. Ai vuante nga sëmundja e Parkinsonit dhe nga disa probleme të tjera shëndetësore vitet e fundit, përfshirë disa ndërlikime nga një kolaps në vitin 2019. /atsh/ KultPlus.com
Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, Miranda Priestly dhe Andrea “Andy” Sachs janë rikthyer për të pushtuar rrugët e New Yorkut. Ato luhen, sigurisht, nga aktoret legjendare Meryl Streep dhe Anne Hathaway. Meryl Streep u fotografua gjatë xhirimeve të filmit shumë të pritur “The Devil Wears Prada 2” më 23 korrik.
Mes aktorëve që janë parë duke xhiruar është edhe Stanley Tucci, që rikthehet në rolin e tij si Nigel Kipling. Po ashtu në kast janë Simone Ashley, Pauline Chalamet dhe Helen J. Shen. Tracie Thoms dhe Tibor Feldman gjithashtu rikthehen, ndërsa disa fytyra të reja i janë bashkuar filmit, përfshirë Kenneth Branagh, që do të luajë bashkëshortin e Mirandës, si dhe Lucy Liu, Justin Theroux, B.J. Novak, Pauline Chalamet, Rachel Bloom dhe Patrick Brammall.
Filmi origjinal i vitit 2006, një klasik kulti për satirën e tij të mprehtë mbi botën e pamëshirshme të modës, përfundoi me largimin e Andy nga revista Runway për një punë në një gazetë në New York. Tani, fansat do të kenë mundësinë të shohin se ku janë Miranda dhe Andy në një peizazh mediatik tërësisht të ndryshuar. Në vazhdim, Miranda përballet me një konkurrencë të ashpër për të ardhura nga reklamat, dhe për çudi, përballë saj është ish-asistentja e saj me gjuhë të mprehtë, Emily Charlton (Emily Blunt), e cila tani është një ekzekutive e fuqishme në industrinë e modës.
Së fundmi, Hathaway shkaktoi një “stuhi” në internet pasi ndau një foto të vetes si Andy në vitin 2025, e veshur me një kostum me vija dhe një buzëqeshje të ndritshme. Imazhi, i shënuar me “Andy Sachs 2025 #dwp2”, u bë menjëherë viral.
David Frankel, regjisori i filmit të parë, është rikthyer në regji, duke punuar me skenarin e Aline Brosh McKenna, e cila shkroi edhe origjinalin. Producentet Wendy Finerman dhe Karen Rosenfelt janë pjesë e ekipit, ndërsa 20th Century Studios planifikon ta publikojë filmin më 1 maj 2026./Glamour/KultPlus.com
Në Irlandë, qyteti bregdetar i Galway çdo verë shndërrohet në një skenë të hapur të artit dhe krijimtarisë ndërkombëtare. Galway International Arts Festival (GIAF), është një ndër ngjarjet më të mëdha kulturore në Evropë dhe një pikë takimi për artistë, krijues dhe spektatorë nga mbarë bota.
Me një program të pasur prej mbi 200 aktivitetesh të shpërndara në harkun e dy javëve, festivali që nga data 14 korrik deri më 27 korrik, ofron një përvojë të gjithanshme që përfshin teatër, muzikë, arte pamore, instalacione bashkëkohore, performanca rrugore dhe ngjarje letrare. Nëpër rrugët me kalldrëm të qytetit, galeritë intime dhe sallat historike të teatrit, publiku përjeton një përzierje të veçantë të traditës dhe risisë, të kulturës lokale dhe asaj globale, përcjellë KultPlus.
Ky festival jo vetëm që sjell në skenë emra të njohur ndërkombëtarë, por shërben edhe si një platformë për të promovuar talentet e reja, duke krijuar ura mes brezave dhe stileve të ndryshme artistike. GIAF është një reflektim i shpirtit krijues të Galway, një qytet i vogël për nga përmasat, por i madh në ndikim kulturor.
Atmosfera gjatë festivalit është e gjallë, me mijëra vizitorë që mbushin kafenetë, sheshet dhe baret e qytetit, duke ndarë pasionin për artin dhe kulturën. Në një botë gjithnjë e më të ndarë, Galway International Arts Festival mbetet një shembull i fuqisë bashkuese të artit dhe një kujtesë se kultura është zemra e çdo komuniteti./KultPlus.com
”Oasis” do të kthehet në Londër për të luajtur koncertin e tyre të parë atje, pas më shumë se 16 vitesh.
Pas një serie koncertesh në Heaton Park të Mançesterit, grupi, i udhëhequr nga vëllezërit Gallagher, Liam dhe Noel, do të ngjitet sot në skenë në stadiumin ”Wembley” të Londrës.
Grupi rock njoftoi turneun e tyre të ribashkimit shumë të pritur në gusht të vitit të kaluar, pasi Noel u largua në vitin 2009 pas një përleshjeje prapa skenës në festivalin ”Rock en Seine” në Paris.
Ata tani do të kthehen për të performuar në stadiumin ”Wembley” për herë të parë që nga 12 korriku 2009, kur performuan gjatë turneut të tyre ”Dig Out Your Soul”.
Me pesë netë të planifikuara, grupi postoi oraret e hyrjes dhe të skenës në llogarinë e tyre në Instagram me një ndarje orë pas ore të mbrëmjes, duke filluar me hapjen e portave në orën 17:00 (16:00 GMT).
Nata do të fillojë me grupin rock ”Cast”, i ndjekur nga këngëtari Richard Ashcroft.
”Oasis” do të ngjitet në skenë për një set dyorësh në orën 20:15.
Grupi nisi turneun e tyre botëror ”Oasis Live ’25” më 4 korrik në stadiumin ”Principality” në Cardiff, duke marrë vlerësime me pesë yje nga kritikët në ”The Guardian”, ”The Telegraph” dhe ”The Times”.
Grupi gjithashtu ka dominuar listat e albumeve në Mbretërinë e Bashkuar, me tre albume në pesë vendet e para.
Ndërsa fansat ishin të entuziazmuar nga ribashkimi, disa u indinjuan pasi disa bileta standarde në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë u rritën nga 148 paund në 355.
Ky debat e shtyu qeverinë dhe organin mbikëqyrës të konkurrencës në Mbretërinë e Bashkuar të zotoheshin të shqyrtonin përdorimin e çmimeve dinamike.
Pas koncertit të tyre të fundit në Londër më 3 gusht, grupi do të zhvendoset në veri në stadiumin ”Murrayfield” të Edimburgut përpara se të performojë në ”Croke Park” të Dublinit.
Grupi do të shkojë më pas në Japoni, Korenë e Jugut, Amerikën e Jugut, Australi dhe Amerikën e Veriut./ atsh/ KultPlus.com
Romani “Frankenstein” i Mary Shelley, i botuar për herë të parë në vitin 1818, konsiderohet si një nga veprat themelore të letërsisë gotike dhe të zhanrit fantastiko-shkencor. Ky tregim i fuqishëm mbi një shkencëtar që guxon të sfidojë natyrën dhe të krijojë jetë jashtë normave njerëzore, për të përfunduar i ndëshkuar nga pasojat e zgjedhjeve të tij, ka frymëzuar dhjetëra adaptime në teatër, film dhe televizion. Në qendër të veprës qëndron jo vetëm tmerri i krijesës së bërë nga njeriu, por edhe dilemat morale, përgjegjësia ndaj jetës dhe vetmia ekzistenciale.
Në versionin e ri filmik që pritet të lansohet në nëntor 2025 në Netflix, regjisori Guillermo delToro e rikthen këtë histori të njohur përmes një lenteje të errët dhe vizualisht të pasur, karakteristike për stilin e tij. I bazuar drejtpërdrejtë në romanin origjinal të Shelley, adaptimi i del Toros synon të qëndrojë besnik ndaj temave filozofike dhe emocionale të veprës, duke thelluar ndjeshmërinë e krijesës dhe dramën tragjike të krijuesit të saj, shkencëtarit Victor Frankenstein, përcjellë KultPlus.
Me aktorë të talentuar si Oscar Isaac, Jacob Elordi, Mia Goth etj., ky film nuk paraqet thjesht një histori horror, por një rrëfim të thellë mbi humbjen, veten, besimin dhe kufijtë e humanitetit. Del Toro i jep jetë këtij miti letrar me një qasje bashkëkohore, pa e humbur lidhjen me rrënjët klasike të tregimit.
Ky adaptim pritet të jetë një ndër risjelljet më të denja të romanit, duke e paraqitur “Frankenstein” si një histori të përjetshme që vazhdon të sfidojë kohën dhe ndërgjegjen njerëzore./KultPlus.com
Më 25 korrik 1975, pikërisht 50 vite më parë, u ngjit për herë të parë në skenën e Broadway në Teatrin Shubert një nga produksionet më revolucionare dhe të dashura të teatrit muzikor, “A Chorus Line”.
Me regji nga Michael Bennett dhe koreografi të bashkëndarë mes tij dhe Bob Avian, kjo vepër solli një frymë të re në skenën amerikane, duke zhvendosur vëmendjen nga yjet tradicionalë drejt jetëve, ëndrrave dhe pasigurive të vetë interpretuesve të ansamblit, balerinëve që zakonisht qëndronin në sfond.
E zhvilluar fillimisht përmes një serie punëtorish të mbajtura me vetë aktorët, muzikali u dallua për strukturën intime, rrëfimin autobiografik dhe qasjen inovative ndaj narrativës skenike. Rezultati ishte një sukses i menjëhershëm, një hit kritik dhe komercial që do të mbante rekordin si produksioni më jetëgjatë i Broadway për shumë vite me radhë, përcjellë KultPlus.
“A Chorus Line” u nominua për 12 çmime Tony dhe fitoi 9 prej tyre, duke përfshirë ato për Muzikalin më të Mirë, Regjinë më të Mirë dhe Koreografinë më të Mirë. Përveç kësaj, në vitin 1976 fitoi edhe një nga çmimet më prestigjioze të letërsisë dramatike amerikane: Çmimin Pulitzer.
Sot, një gjysmë shekulli më vonë, “A Chorus Line” mbetet një vepër që frymëzon breza të tërë artistësh, një himn për pasionin, përpjekjen dhe shpirtin e atyre që jetën ia kushtojnë artit skenik./KultPlus.com
Sot, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i uron ditëlindjen një prej figurave më të rëndësishme të operës shqiptare, këngëtarit, regjisorit dhe pedagogut Nikolin Gurakuqi, i cili prej më shumë se katër dekadash ka kontribuar me pasion dhe përkushtim në zhvillimin e artit skenik shqiptar.
Rrugëtimi i tij artistik nisi në vitin 1979 në skenën e TKOB-së, fillimisht si korist, për të vijuar më pas si solist në një sërë rolesh të spikatura. Ndër rolet që kanë lënë gjurmë në karrierën e tij përmenden: Gjergj Arianiti në operën “Skënderbeu”, Mateo në “Paja”, Komandanti në “Borana”, Deloja në “Nëna e trimave”, Il Marchese në “La Traviata”, Don Bartolo në “Il barbiere di Siviglia”, Colline në “La Bohème”, Ferrando në “Il trovatore” dhe shumë të tjera.
Ai ka interpretuar gjithashtu edhe jashtë vendit, në skena në Francë dhe Itali. Pas një specializimi në Francë në vitet ’92-’93, Nikolin Gurakuqi iu përkushtua me sukses edhe regjisë, duke sjellë në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare një frymë të re interpretimi, një vizion bashkëkohor dhe një ndjeshmëri të thellë dramatike.
Ka realizuar mbi 80 produksione operistike në TKOBAP, Universitetin e Arteve, qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj, në Itali, Greqi, Kosovë. Disa nga veprat më të njohura që mbajnë firmën e tij regjisoriale janë: “Tosca”, “Il signor Bruschino”, “Carmen”, “Aida”, “Falstaff”, “Il trittico”, “Manon Lescaut”, “Otello”, “Rigoletto”, “Një ballo me maska”, “Goca e Kaçanikut” e shumë të tjera.
Përveç regjisë, Gurakuqi është gjithashtu autor i skenografive, artikujve dhe botimeve që analizojnë regjinë dhe interpretimin në opera. Veçanërisht vihet në dukje libri i tij i fundit, “Mbi regjinë dhe aktrimin e kënduar në teatrin muzikor”, një botim unik që hedh dritë mbi regjinë operistike nga një këndvështrim profesional dhe të thelluar.
Si pedagog dhe mentor i dhjetëra artistëve të rinj, ai ka ndikuar në formimin e shumë brezave të këngëtarëve lirikë shqiptarë, duke mbështetur emra tashmë të afirmuar si Josif Gjipali, Armand Likaj, Aurel Thëllimi, Dorina Selimaj, por edhe artistë të rinj në ngjitje si Bledar Domi.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin shqiptar, Nikolin Gurakuqi është nderuar me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh”, dhe është vlerësuar edhe nga shtypi ndërkombëtar si një artist me kulturë të gjerë europiane.
Në këtë ditë të veçantë të 70-vjetorit, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i shpreh mirënjohjen më të thellë për gjithçka ka dhënë dhe vazhdon të japë për artin shqiptar dhe për gjurmën e pashlyeshme që ka lënë në historinë e operës në vendin tonë./KultPlus.com
Franca, djepi i elegancës, vendlindja e parfumit, modës dhe artit, është më shumë se një shtet, është një ide, një ndjenjë, një frymë që lëviz përmes shekujve. Në rrugicat e Parisit, midis godinave të ndërtuara me hijeshi të përjetshme dhe dritës që prek fasadat si një furçë piktori, lindi një prej emrave më të njohur të luksit botëror, Louis Vuitton.
Louis Vuitton, më shumë sesa një markë, është simbol i mjeshtërisë franceze, i udhëtimit, i ëndrrës së bukur që mbështillet me pëlhura të zgjedhura.
Por rrugët e kulturës nuk janë kurrë njëkahëshe. Ato përthithin ndikime, frymëzohen edhe nga horizonte të largëta. E largët në gjeografi por e afërt në shpirt me artin francez, Japonia u bë një reflektim i bukur i pasionit të Louis Vuitton për formën, simbolikën dhe perfeksionin.
Shumë ndjekës të markës Louis Vuitton mund të mos jenë në dijeni se kanavaca e saj ikonike me monograma u frymëzua fillimisht nga emblemat tradicionale japoneze ‘mon’ që në vitin 1896. Kjo lidhje e hershme kulturore midis Francës dhe Japonisë, ndonëse shpesh e lënë në hije, është duke u rikthyer në qendër të vëmendjes në vitin 2025, me një seri ngjarjesh dhe ekspozitash që festojnë këtë bashkëpunim të gjatë kreativ.
Më e njohur për publikun është dashuria e hershme e Pharrell Williams, aktualisht Drejtor Kreativ për Linjën e Meshkujve në Louis Vuitton, për Japoninë. Marrëdhënia e tij e ngushtë me stilistin e njohur japonez Nigo ka kulmuar së fundmi me koleksionin Vjeshtë/Dimër 2025 të Louis Vuitton, një bashkëpunim që përforcon lidhjen mes shtëpisë franceze të modës dhe kulturës japoneze.
Në vitin 2025, kjo marrëdhënie shekullore po nderohet zyrtarisht në World Expo Osaka Kansai, ku LVMH sponsorizon Pavijonin Francez. Brenda tij ndodhet një instalacion imersiv, i dizajnuar nga arkitekti japonez Shohei Shigematsu i studios së njohur OMA. Pjesë e këtij hapësire është edhe skulptura “Katedralja” e Auguste Rodin, që qëndron përballë një ushtrie prej 85 valixhesh ikonike Louis Vuitton, të vendosura në një ambient zanor të krijuar në bashkëpunim me Institutin Francez për Kërkime dhe Koordinim në Akustikë/Muzikë (IRCAM). Ky kompozim muzikor eksploron “dridhjet intime të savoir-faire francez”.
Një tjetër atraksion vizual në pavijon është video-instalacioni “Trunk Sphere” nga artisti japonez Daito Manabe, i cili krijon një udhëtim shqisor përmes projektimeve në muret e hapësirës ekspozuese.
Dialogu ndërkulturor vazhdon edhe jashtë pavijonit, në Muzeun e Artit Nakanoshima në Osaka, ku është hapur ekspozita “Visionary Journeys”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 17 shtator 2025. Kuruar nga historiania e modës dhe artit Florence Müller, ekspozita ofron një rikthim ndryshe në historinë e Louis Vuitton, përfshirë fragmente origjinale të kanavacës me monograma të frymëzuara nga artizanati japonez, si dhe pjesë të tjera arkivore të rralla.
Sezoni i pasur kulturor përmbyllet me publikimin e dy botimeve të reja nga Louis Vuitton Editions, të zhvilluara posaçërisht për këtë rast:
“Fashion Eye Osaka”, një eksplorim i qytetit nga fotografi Jean-Vincent Simonet, i cili përqafon estetikën urbane me ngjyra dhe shpërthime vizuale.
“City Guide Osaka”, një udhëzues i detajuar mbi qytetin, me përshkrime nga kritiku i njohur i ushqimit François Simon dhe artisti vendas Verdy.
Ndërsa të gjitha këto nisma zhvillohen paralelisht, një detaj bëhet gjithnjë e më i qartë, pa Japoninë, ndoshta nuk do të kishim Louis Vuitton që njohim sot, apo atë të së nesërmes./Cultured/KultPlus.com
Një kitarë e dhuruar nga Jimmy Page i ”Led Zeppelin” si çmim konkursi më shumë se 50 vjet më parë mund të shitet për 50 000 stërlina (67 460 dollarë) në ankand.
Kitara elektrike ”Gretsch Chet Atkins 6120” e vitit 1957 ishte çmimi i një konkursi të mbajtur nga revista ”New Musical Express”.
Në një intervistë Page deklaroi se e bleu kitarën në Nashville, SHBA, për 200 stërlina në vitin 1972.
Kitara pritet të shitet midis 30 000 dhe 50 000 paund në ankandin ”Gardiner Houlgate” në Corsham, Angli.
“Page duhet të jetë i çmendur që dhuron një kitarë kaq fantastike. Është lloji i instrumentit që çdo kitarist ëndërron ta ketë, por që nuk mund ta përballojë kurrë”, theksojnë adhuruesit e kitarës./ atsh/ KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nisur shpërndarjen e librave nëpër komunat e vendit, duke vazhduar mbështetjen për rrjetin e bibliotekave publike dhe shkollore.
Kontigjenti i ri përfshin 87 tituj dhe 1097 ekzemplarë të përzgjedhur nga fondi i Shtëpisë Botuese “Rilindja”, me literaturë të rekomanduar që u shërben sidomos nxënësve të nivelit parauniversitar, përcjellë KultPlus.
Pjesë e kësaj shpërndarjeje janë edhe dy botime të veçanta me vlerë të madhe historike e kulturore:
Kujtesa e Kosovës: Rrëfime të 100 pleqve e plakave të Kosovës
Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe
Bibliotekat e Suharekës dhe Rahovecit janë të parat që kanë pranuar këtë kontigjent, ndërsa në ditët dhe javët në vijim, shpërndarja do të vazhdojë në komunat e tjera.
Librat e Shtëpisë Botuese “Rilindja” do të dërgohen nga bibliotekat komunale në bibliotekat e shkollave, për të kontribuar në pasurimin dhe përmirësimin e koleksioneve ekzistues./KultPlus.com
Jam duke dashur një tjetër grua, dhe jam duke e dashur me gjithë atë qetësi që ti kurrë s’ma dhurove. Tashmë, e kuptoj që dashuria është kjo, të vësh në rresht ditë lumturie jo domosdo të pushtuara me luftime të pareshtura. Ajo është e hijshme dhe e palëkundshme, magjia e qëndrueshmërisë së saj është kaq mahnitëse sa s’mund ta përshkruaj. Me ty, kurrë s’ia dola mbanë ta njoh këtë magji. Jam mirë, ajo ka marrë ndër duar frerët e jetës sime, mendjen time dhe bëri të puqet gjithçka, i dha rregull dhe kuptim shtëpisë sime, ishte vendi ku shpëtova veten. Ka ditë të diellta dhe të gjithë më thonë se jam një burrë i rinuar, e kështu ndihem, më duket se do mund të haja edhe retë. Dal më herët nga puna se ndonjëherë mallohem fort për të dhe dua ta shoh, shihemi çdo ditë, por vetëm kur jam me të nuk mendoj për kurrgjë dhe besoj se mund të shpëtoj botën, prandaj, kuptomë kur çdo herë rend ta përqafoj sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk të dua më dhe as ti nuk më do mua, por po të shkruaj, sepse kur takohemi e shoh si më vëren dhe po ashtu mund të shoh veten teksa të vështroj ty. Unë, Sofi, nuk të dua më, por ti mbetesh dashuria e jetës sime. Ekziston një e vetme dashuri në jetë dhe ne e kemi njohur, e kemi dashur dhe pastaj ndalëm së ndjeri mungesën e saj, por ti mbetesh dashuria e jetës sime. E vështirë t’ua shpjegosh të tjerëve, por unë lëshohem krejt kur të shoh, ndryshoj sy dhe zemër, bëhem i moçëm, zgjat një grimëkohë, sepse unë dhe as ti s’mund t’ia lejojmë vetes më shumë. Sidoqoftë, ky çast, është gjithherë aty, sidomos kur të telefonoj për të ditur si je, ai çast është gjithherë aty, sepse ti je dashuria e jetës sime, mospërputhja, luftërat, kokëfortësitë, unë me ty dhe për ty të gjitha këto do më duhet t’i duroja. Nëse më duhet të përshkruaj dashurinë, unë flas për të, por nëse ndonjëherë më kërkojnë të them diçka që shkon përtej dashurisë, do të flisja për ty, sepse ti reziston pavarësisht meje që reshta së dashuruari ty prej kohësh./KultPlus.com
Edicioni i nëntë i Zâ Fest nisi midis artit, historisë dhe muzikës.
Zâ Fest është një festival që prej vitesh bashkon zërat më të veçantë të rajonit në një dialog të gjallë mes traditës dhe modernes.
Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, për të nëntin vit radhazi, ky festival mbetet një shembull i diplomacisë kulturore, ku kultura bëhet ura që lidh komunitetet, nxit përfshirjen dhe forcon identitetin evropian të Shqipërisë.
Pikërisht në këtë frymë, një nga pikat kulmore të mbrëmjes së parë ishte hapja e ekspozitës “Me rrojt pa ik?” një koleksion nomad me 15 piktura nga artistë të rinj të rajonit adriatiko-jonian, që trajtojnë sfidat dhe ëndrrat e rinisë sot.
Një prej tyre, Ema Bregu nga Shqipëria, solli një qasje të guximshme mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.
Pas një nate të mbushur me tregime, dokumentarë dhe muzikë, festa vazhdon.
Dy netë të bukura presin qytetarët sot dhe nesër në Kalanë e Shkodrës, me muzikë e atmosferë që vetëm Zâ Fest mund t’i sjellë.
Edhe kryeparlamentarja, Elisa Spiropali ftoi qytetarët që ta ndjekin këtë festival.
“Mos e humbisni Zâ Fest sot dhe nesër, në Kalanë e mrekullueshme të Shkodrës”, shkroi Spiropali në rrjetet sociale.
Këtë verë, Panairi i Artit në Aspen rikthehet me edicionin e tij të dytë, me përmasa dyfish më të mëdha. Me pothuajse 40 galeri pjesëmarrëse, eventi mbetet ende më i vogël krahasuar me shumë nga homologët e tij në industrinë e artit, por themeluesit po luajnë me idenë e një formati të qëllimshëm, më të vogël dhe më të përzgjedhur, për të tërhequr koleksionistët e pasur dhe të rafinuar të Aspenit.
Por nuk është vetëm madhësia ajo që i jep këtij panairi avantazh. Aspen Art Fair ka braktisur ambientet e zakonshme të qendrave të konventave, duke zgjedhur në vend të tyre Hotel Jerome, një ndërtim nga vitet 1880 që ka pritur vizitorë që nga koha e etheve të argjendit në Colorado.
“Më pëlqen ta quaj ‘kamp veror i panairit të artit’,” thotë bashkë-themeluesja Becca Hoffman, e cila më parë ka drejtuar panairin e parë të madh të artit në Aspen, “Intersect”, përpara se të niste një iniciativë të re së bashku me themeluesin e Galerisë Hexton, Bob Chase, vitin e kaluar. “Kemi planifikuar ecje në natyrë, zhytje në ujë të ftohtë dhe disa diskutime shumë interesante.”
Në axhendën e këtij edicioni përfshihen gjithashtu vizita në shtëpitë e koleksionistëve dhe një seri darkash që pritet të tërheqin si emra të njohur të botës së artit ashtu edhe donatorë gjatë kohëzgjatjes së panairit, nga 29 korriku deri më 2 gusht. Brenda hotelit historik Jerome, ekspozuesit do të variojnë nga galeritë e konsoliduara te ato të reja, me një spektër të gjerë nga tregu sekondar, dizajni dhe arti bashkëkohor i sapo krijuar.
Ndër galeritë që rikthehen nga viti i kaluar janë Perrotin, Galerie Gmurzynska dhe Southern Guild, ndërsa për herë të parë marrin pjesë emra të njohur si Marianne Boesky Gallery, Sean Kelly dhe Vielmetter. Galeritë do të ekspozojnë punët e tyre në dhomat e hotelit Jerome, duke sjellë ndër mend panaire të dashura të artit amerikan si Gramercy International Art Fair në New York.
Këtë vit, një nga suitat pritet të jetë qendra e diskutimeve në panair. Këshilltarja Wendy Cromwell ka kuruar ekspozitën e saj të veçantë me një përzierje dizajni, pikturash dhe qeramike, bazuar mbi romanin e suksesshëm të Miranda July, “All Fours”, dhe veprën klasike të Virginia Woolf-it të vitit 1929, “A Room of One’s Own”.
Ndërkohë, vetëm disa dhoma (ose kate) më tutje, spikasin pikturat me ngjyrosje të zhytura të artistit dhe shkrimtarit Oliver Jeffers me galerinë “Praise Shadows”, si dhe në kopshtin e hotelit, falë Marianne Boesky Gallery, instalacionet sureale të vëllezërve Haas me interpretimet e tyre të veçanta të ndriçuesve rrugorë. Me një atmosferë të përzgjedhur, program të pasur kulturor dhe pjesëmarrje të galerive më të njohura ndërkombëtare, Panairi i Artit në Aspen po konsolidohet si një nga ngjarjet më të veçanta të verës në botën e artit bashkëkohor./Cultured/KultPlus.com
Gjatë fazës përmbyllëse të gërmimeve arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës, janë identifikuar mbetjet skeletore të një mashkulli të ri, të pozicionuar brenda një muri të periudhës së antikitetit të vonë, së bashku me skeletin e një kali të zbuluar në afërsi.
Struktura në fjalë i përket një faze më të hershme fortifikimi, ndoshta e shek VI e.s , e cila më pas është dëmtuar dhe ripërdorur si bazament për ndërtimet mesjetare.
Pamela Llapaj, drejtuesja e gërmimeve, tha se kanë gjetur një mur të antikitetit të vonë, që ka qenë një nga fortifikimet më të hershme, i cili është prishur dhe përdorur si themel për muret e mesjetës më pas.
“Përveç gjetjeve të qeramikës, kemi pasur edhe një skelet njeriu të vendosur brenda në mur dhe një skelet kali”, tha Llapaj, raporton TopChannel.
Siç raporton ky medium, skeleti i njeriut është zbuluar i shtrirë diagonalisht, me bustin brenda murit dhe këmbët që dilnin jashtë tij. Pak më larg, por në të njëjtin nivel dhe kontekst ndërtimor, është zbuluar skeleti i një kali.
Pozicioni i skeletit ngre hipoteza për një formë të pazakontë varrimi, ndoshta me funksion ritual apo simbolik, tipik për figura ushtarake të kohës.
“Për momentin gërmimet mbyllen, por janë shumë interesante sepse po gjejmë themele më të hershme, faza jetese dhe fortifikimi për të cilat nuk dihet asgjë, dhe ndoshta studimet e mëvonshme do të sjellin më shumë informacion për këto periudha të panjohura të historisë sonë”, citohet të ketë thënë drejtuesja e gërmimeve, Pamela Llapaj.
Ky zbulim pason punën e mëparshme të arkeologut Damian Komata, i cili kishte identifikuar një pjesë muri brenda galerisë së kalasë.
Lapaj tha se Komata “kishte gjetur pikërisht një mur brenda galerisë dhe ne vijuam gërmimet, duke gjetur pjesën tjetër të murit”.
Edhe pse konkluzionet përfundimtare do të varen nga analizat e mëtejshme antropologjike dhe stratigrafike, vetë fakti që një individ, ndoshta luftëtar, dhe kali i tij janë gjetur në këtë pozicion, e pasuron mozaikun historik të zonës dhe nxit pyetje të reja mbi zakonet dhe praktikën funerale të kohës.
Gjetjet e këtij sezoni pritet të kontribuojnë në ndriçimin e një periudhe disi të errët e ende pak të njohur të historisë.
Një mozaik erotik, i vjedhur nga një kapiten nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, është kthyer në sitin antik të Pompeit.
Mozaiku i vogël, që paraqet një burrë të shtrirë në një divan duke u shërbyer nga një grua me veshje të pakët, mund të ketë zbukuruar dyshemenë e një dhome gjumi në një vilë romake, tha Parku Arkeologjik i Pompeit në një deklaratë.
Kur Pompei u shkatërrua nga shpërthimi i Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit, ndërtesat, mijëra banorë dhe ky mozaik u mbuluan nga shtresa të hirit.
Kjo mbulesë e ruajti në mënyrë të përkryer qytetin për më shumë se 1,600 vjet, duke e bërë atë një nga sitet më të rëndësishme arkeologjike në botë, pasi ofron një pamje të paçmueshme mbi jetën e përditshme romake.
Pavarësisht se daton nga fundi i shekullit të 1 para Krishtit deri në shekullin e 1 pas Krishtit, mozaiku është ende me ngjyra të gjalla dhe të gjitha pllakat janë të paprekura, përcjellë KultPlus.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë zona të Pompeit ishin tashmë zbuluar. Ky mozaik, sipas pjesëtarëve të parkut arkeologjik, u vodh nga një kapiten i Wehrmacht, që mbikqyrte zinxhirin ushtarak të furnizimit të Gjermanisë në Itali gjatë luftës.
Ai ia dhuroi atë një qytetari gjerman pa emër, të cilit trashëgimtarët i kontaktuan policinë italiane duke pyetur se si mund ta kthenin.
Një njësi specialiste e policisë italiane, përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit, më pas investigoi prejardhjen e mozaikut, duke e lidhur tentativisht atë me zonën e shkatërruar nga Vezuvio, megjithëse mungonin disa informacione mbi zbulimin e tij.
“Çdo artefakt i plaçkitur që kthehet është një plagë që shërohet, prandaj shprehim mirënjohjen tonë për Punën e Njësisë së Mbrojtjes. Plaga nuk qëndron aq shumë në vlerën materiale të veprës, por në vlerën e saj historike, një vlerë që cenohet rëndë nga trafiku i paligjshëm i antikiteteve,” tha Gabriel Zuchtriegel, drejtori i Parkut Arkeologjik të Pompeit, në një deklaratë.
“Nuk e dimë prejardhjen e saktë të artefaktit dhe me gjasë as nuk do ta dimë kurrë,” shtoi ai, duke theksuar se parku do të kryejë teste të mëtejshme për të rindërtuar historinë e mozaikut sa më shumë që të jetë e mundur.
Mozaiku do të ekspozohet përkohësisht në një muze në Pompei për shikim publik.
Arti erotik është zbuluar më parë në Pompei. Arkeologët zbuluan një shtëpi të vogël të mbushur me afreske të hollësishme dhe ndonjëherë provokuese, në tetor 2024. Një tjetër shtëpi me afreske të guximshme u hap për publikun në janar 2023 pas një periudhe 20-vjeçare mbylljeje. Ndërsa një afresk tjetër, që paraqet një skenë erotike nga miti grek i Ledës dhe rosës, u zbulua në vitin 2018./CNN/KultPlus.com
Një burim i ri premtues energjie po ngjall entuziazëm në mesin e shkencëtarëve dhe investitorëve në mbarë botën, hidrogjeni natyror, i njohur ndryshe si “hidrogjeni i bardhë”. I prodhuar natyrshëm nën tokë përmes reaksioneve gjeologjike, ky lloj hidrogjeni po shihet si alternativa më premtuese për energjinë e pastër të së ardhmes.
Ndryshe nga hidrogjeni “jeshil” dhe “blu”, të cilët kërkojnë procese komplekse dhe të kushtueshme për t’u prodhuar, hidrogjeni i bardhë është i pranishëm në thellësitë e Tokës dhe mund të shfrytëzohet pa ndotje të konsiderueshme. Sipas një studimi të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS) të vitit 2024, nëntoka e Tokës mund të përmbajë nga 1 miliard deri në 10 trilion tonë hidrogjen natyror, me një vlerësim mesatar prej 5.6 trilion tonësh, përcjellë KultPlus.
Megjithëse shumica e këtij hidrogjeni është ndoshta shumë e thellë ose në zona të paarritshme për t’u shfrytëzuar ekonomikisht, edhe vetëm 2% e tij do të mjaftonte për të përmbushur kërkesën globale për rreth 200 vjet.
Interesi për këtë burim ka nisur të rritet ndjeshëm. Deri më sot, rreth 60 kompani janë duke eksploruar mundësitë për nxjerrjen e tij dhe investimet janë rritur në mbi 1 miliard dollarë, sipas gjeokimistit francez Eric Gaucher, i cili udhëheq një grup ekspertësh të krijuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).
E vetmja zonë ku hidrogjeni i bardhë po përdoret aktualisht është fshati Bourakébougou në Mali, ku u zbulua rastësisht në vitin 1987 gjatë hapjes së një puse për ujë. Që atëherë, ai përdoret për të prodhuar energji elektrike për komunitetin lokal.
Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Hidrogjeni është i vështirë për t’u zbuluar dhe për t’u magazinuar, ndërsa disa rezervuarë mund të përmbajnë gjithashtu metan, i cili nëse lirohet, mund të zvogëlojë përfitimet klimaterike të hidrogjenit të bardhë. Për më tepër, ka ende paqartësi nëse hidrogjeni i bardhë gjenerohet mjaftueshëm shpejt për t’u konsideruar një burim i rinovueshëm në shkallë të gjerë.
Sipas profesor Laurent Truche nga Universiteti Grenoble Alpes, “ritmi i prodhimit natyror të hidrogjenit është disa herë më i ngadaltë sesa kërkesa e mundshme industriale.”
Megjithatë, entuziazmi për këtë burim të ri është i krahasueshëm me fillimet e epokës së naftës në 1859, kur Edwin Drake zbuloi për herë të parë “arin e zi” në Pensilvani. Tani, eksploruesit e shekullit XXI shpresojnë se “ari i bardhë” do të luajë një rol të ngjashëm në tranzicionin drejt një të ardhmeje me më pak karbon./BBC/KultPlus.com
Autori dhe dokumentaristi malazez Velibor Çoviq ishte në qendër të një ngjarjeje të veçantë kulturore në Pejë, ku u shfaq për herë të parë në Kosovë dokumentari i tij “Isha vetëm 10 vjeç”, dhe u promovua libri “Besa dhe burrëria”.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të programit kulturor të Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë, “Në rrugëtim: nga Dita e Pavarësisë deri te Dita e Shtetësisë”, dhe solli në vëmendje një prej kapitujve më të ndjeshëm të historisë së re të rajonit, vitin 1999, kur Mali i Zi hapi dyert për më shumë se 100 mijë refugjatë nga Kosova, pa dallim feje apo përkatësie etnike.
Filmi dokumentar, i cili trajton përjetimet e fëmijëve të zhvendosur dhe dimensionin njerëzor të solidaritetit malazez gjatë kohës së luftës, është shpërblyer me çmim të posaçëm në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Njujork, për “kontribut të jashtëzakonshëm në filmin dokumentar”, duke u vlerësuar si një dëshmi e vlerave universale njerëzore në mes të trashëgimisë së dhimbshme të luftës.
Ndërkohë, libri “Besa dhe burrëria” mbledh rrëfime reale dhe intervista, përfshirë edhe atë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, me titull “Nga refugjate në presidente”, e cila përmes fjalës së saj sjell një kujtim të gjallë dhe mirënjohës për mikpritjen e treguar nga qytetarët e Malit të Zi në kohën kur shumë familje shqiptare po iknin nga lufta.
Aktiviteti kulturor në Pejë nuk ishte vetëm një promovim kulturor, por një thirrje për reflektim mbi vlerat që i tejkalojnë kufijtë dhe kohën, si besa, burrëria dhe humanizmi./ KultPlus.com
Këngëtarja legjendare britanike e xhazit, Dame Cleo Laine, e njohur për diapazonin e saj të jashtëzakonshëm vokal dhe karrierën artistike, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare.
Gjatë një karriere të gjatë që nisi në vitet 1950, Laine u bë këngëtarja e parë britanike që fitoi një çmim Grammy në kategorinë e xhazit. Ajo performoi me emra të mëdhenj të muzikës si Ray Charles dhe Frank Sinatra, por bashkëpunimi i saj më i rëndësishëm ishte me bashkëshortin, kompozitorin dhe muzikantin John Dankworth, me të cilin themeloi edhe qendrën artistike, “The Stables në Buckinghamshire”, transmeton KultPlus.
Në një deklaratë, “The Stables” u shpreh: “Jemi thellësisht të trishtuar për lajmin e ndarjes nga jeta të një prej themeluesve dhe Presidentes së Përjetshme, Dame Cleo Laine.”
Laine, e lindur si Clementina Dinah Campbell më 28 tetor 1927 në Southall, Middlesex, ishte vajza e një veterani xhamajkan të Luftës së Parë Botërore dhe e një fermereje nga Swindon. Ajo filloi të këndonte që në moshën 3-vjeçare dhe u tërhoq nga shkolla në moshën 14-vjeçare për të punuar, ndërsa ëndërronte një karrierë në skenë.
Në vitin 1951, pas shumë refuzimesh, mori një audicion me grupin Johnny Dankworth Seven. Pas performancës së saj, trompisti Jimmy Deuchar u shpreh: “Ajo i ka të gjitha.” Pikërisht në atë moment, nisi rruga drejt një karriere të jashtëzakonshme.
Me një vokal të jashtëzakonshëm dhe aftësinë për të interpretuar gjithçka, nga Schoenberg deri te këngët satirike të Spike Milligan, Cleo Laine u bë një nga zërat më të njohur të Britanisë. Një kritik dikur shkroi se “ajo është një nga dy kontributet më të mëdha të Britanisë në xhaz, tjetri është xhini.”
Në vitin 1983 fitoi çmimin Grammy për regjistrimin live në Carnegie Hall, ndërsa gjatë viteve mori disa nominime të tjera si në xhaz ashtu edhe në muzikën klasike. Ajo u nderua me titullin OBE në vitin 1979 dhe u shpall Dame në vitin 1997, një titull që, siç u shpreh vetë, e pranoi “për xhazin”.
Pas vdekjes së John Dankworth në vitin 2010, vetëm pak orë para një koncerti për 40-vjetorin e The Stables, Dame Cleo vazhdoi të performonte, shpesh në skenë me fëmijët e saj, Jacqui dhe Alec, të dy muzikantë.
Edhe në të nëntëdhjetat e saj, ajo nuk u tërhoq plotësisht nga skena. “Dua të vazhdoj derisa zëri të më dridhet,” pati thënë. “Kënga është ajo që më mban gjallë, në të vërtetë.”
Dame Cleo Laine do të kujtohet si një artiste e rrallë që tejkaloi kufijtë e zhanrit dhe frymëzoi breza të tërë me talentin, pasionin dhe përkushtimin e saj ndaj artit./KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nisur sot shpërndarjen e librave nëpër komunat e Kosovës, duke vazhduar në këtë mënyrë mbështetjen për rrjetin e bibliotekave publike dhe shkollore.
Institucioni nëpërmjet rrjetit social “Facebook” ka bërë me dije se kontingjenti i ri përfshin 87 tituj, me 1 097 ekzemplarë të përzgjedhur nga fondi i shtëpisë botuese “Rilindja”, me literaturë të rekomanduar që u shërben sidomos nxënësve të nivelit parauniversitar.
“Pjesë e kësaj shpërndarjeje janë edhe dy botime të veçanta me vlerë të madhe historike dhe kulturore: “Kujtesa e Kosovës: Rrëfime të 100 pleqve e plakave të Kosovës” dhe “Kujtesa e Kosovës: rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, thuhet në njoftim.
Në njoftim tutje thuhet se Bibliotekat e Suharekës dhe e Rahovecit janë të parat që kanë pranuar këtë kontingjent, ndërsa në ditët dhe javët në vijim shpërndarja do të vazhdojë në komunat e tjera.
Po ashtu theksohet se librat e shtëpisë botuese “Rilindja” do të dërgohen nga bibliotekat komunale në bibliotekat e shkollave për të kontribuar në pasurimin dhe përmirësimin e koleksioneve ekzistues.
Pak para se të fillojë Sunny Hill Festival, një prej ngjarjeve më të mëdha muzikore në Kosovë dhe rajon, Dukagjin Lipa ka reaguar në rrjetin social “Instagram” lidhur me kërkesat e shumta për bileta falas, ndryshe siç i quan ai, “belesh”.
Përmes disa storjeve në Instagram, drejtuesi i festivalit ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj atyre që kërkojnë hyrje pa pagesë në festival, edhe përkundër mundësive të tyre financiare.
“ASNJO prej jush nuk jeni rast social. Çdo të Premte hipni në aeroplan për Evropë, për qejf, eksportoni kesh jashtë Kosovës, e kur vjen puna me ble bileta për festival – ju doket shpenzim,” ka shkruar ai, duke potencuar se një vikend në Prishtinë ofron përjetime që nuk i ofron asnjë qytet evropian për të njëjtin çmim.
Ai gjithashtu ironizon faktin se në vend që të ftojnë miqtë evropianë për të përjetuar Kosovën, njerëzit shpenzojnë energji për të kërkuar bileta “belesh”, duke harruar që për çdo gjë tjetër në Evropë paguajnë plotësisht.
Ndërkaq, fjalia “Krejt Kosovën nuk e nxen n’VIP!!!” shpreh qartë kërkesat e shumta të qytetarëve për të qenë pjesë e zonës VIP, dhe nervozën e drejtuesit të festivalit, lidhur me këto kërkesa.