Dita Botërore e Trurit
TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Dita Botërore e Trurit është një ngjarje globale e kujdesit shëndetësor që shënohet më 22 korrik të çdo viti, duke synuar ndërgjegjësimin për sëmundjet e trurit.
Në këtë ditë, organizata dhe komunitete të ndryshme lokale dhe globale mblidhen duke bërë thirrje për një kujdes më të madh shëndetësor, edukimin dhe kërkimin shkencore mbi kushtet neurologjike.
Ky është viti i 12-të që kremtohet Dita Botërore e Trurit. Këtë vit organizohet fushata historike kushtuar promovimit të “Shëndetit të trurit për të gjitha moshat”. Nisma e këtij viti bazohet në sukseset e fushatave të mëparshme, duke përforcuar angazhimin për shëndetin e trurit si një aspekt themelor i mirëqenies individuale dhe shoqërore.
Këto janë pesë mesazhet e Dites Botërore të Trurit nga Federata Botërore e Neurologjisë:
Ndërgjegjësimi: Çrregullimet neurologjike janë shkaku kryesor i nje jete të kaluar me aftësi të kufizuara dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjeve.
Edukimi: Shëndeti i trurit duhet të ketë prioritet gjatë gjithë jetës, nga fëmijëria deri në pleqëri.
Parandalimi: Parandalimi i çrregullimeve neurologjike fillon herët, me zgjedhje të një stili jetese të shëndetshëm si ushtrimet e rregullta, ushqimi i ekuilibruar, gjumë cilësor, menaxhimin e stresit, kontrollin e faktorëve të rrezikut vaskular dhe angazhimin social.
Aksesi: Qasja e barabartë në kujdesin neurologjik, diagnostikim dhe terapi është thelbësore për të gjithë, pavarësisht nga statusi socio-ekonomik.
Ndikimi: Një kornizë globale për shëndetin e trurit duhet të fokusohet në vlerësimin e rrezikut, ndërhyrjet e hershme, zbutjen e rrezikut mjedisor dhe kujdesin e barabartë neurologjik. /j.p/
The post Dita Botërore e Trurit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.