Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 6 August 2025Main stream

SHTRIGA N’PASQYRË

6 August 2025 at 09:57

Poezi nga: Sarah Morgan Bryan Piatt
Përktheu: Zef Zorba

Pa da m’thotë nana,
Se n’at pasqyre s’asht mire m’u kqyrë
Ajo ka frikë se kam me pa,
Nji shtrigë të vogël,
Që mue m’ka ngja,
Që me i’gojë t’kuqe do t’përshperisë,
Çka s’duhet të dij: Fjalët e dashnisë,

T’kota shqetësimet e nanës time,
Nji zog n’fluturime
Nji erë tuj lujtun
Ose mendimi,
O i’trandofille çue n’shej kujtimi,
Me një za t’amël do t’më përshpërisë
Çka s’duhet të dij:
Fjalët e dashnisë.

(Përkthyer nga Zef Zorba në vitin 1947, në burg)

The post SHTRIGA N’PASQYRË appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Hrushovi për Shqipërinë: Hoxha, Shehu dhe Balluku përdornin metodat e Stalinit për asgjësimin e njerëzve të ndershëm

4 August 2025 at 11:29

Të shkruara në kohën e reflektimit dhe të distancimit të tij nga Stalini, në kujtimet e Hrushovit [Nikita Khrushchev], zë një vend të rëndësishëm edhe kapitulli për Shqipërinë. Në Kujtimet botuar në gjuhën shqipe, përkthyera nga Nikolla Sudar, nuk ka asnjë informacion për kohën dhe rrethanat kur Nikita Hrushov i mbajti këto kujtime.

Përgatiti: Belina Budini

Kur Enver Hoxha mbahej në fije të perit!

Në kujtimet e tij Nikita Hrushov flet jo pak për procesin e demokratizimit, nismëtar i të cilit në fakt ka qenë edhe vetë në Bashkimin Sovjetik, edhe pse brenda idesë komuniste për botën. Për sa i përket Shqipërisë, ai shkruan se në këtë vend kjo çështje mori një kthesë të veçantë.

“Bashkëpunëtorë të ambasadës sonë atëherë, më kanë treguar se aktivi i partisë për Tiranën u zhvillua nën një tension shumë të madh. Kjo mbledhje zgjati disa ditë dhe Enver Hoxha mbahej në fije të perit. Atë e kritikuan rëndë, madje u hodh ideja që të zëvendësoheshin Hoxha, Shehu dhe Beqir Balluku, e tërë kjo trojkë. Nuk më kujtohet se kush tjetër nga drejtuesit partiakë iu nënshtrua kritikës në aktivin e partisë për Tiranën. Por, unë po i kushtoj vëmendje këtij fakti, sepse, me sa u duk, ai do të kishte rëndësi vendimtare për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe të Partisë së Punës së Shqipërisë. Megjithatë, Hoxha e kaloi lumin. Edhe ai, edhe Shehu, edhe Beqir Balluku mbetën në udhëheqje, ndonëse kjo ngjarje i trembi për vdekje”.

Përveç kësaj, Hrushovi shkruan se ata ishin të tronditur në të gjitha drejtimet, sepse e quanin veten autoritete dhe udhëheqës të pakritikueshëm, që irritoheshin me ata njerëz që kishin guxuar të ngrinin zërin në aktiv dhe të tronditnin autoritetin e tyre dhe që madje jo vetëm e kishin tronditur, por siç shprehet Hrushovi, “gati sa nuk i kishin rrëzuar nga postet e tyre drejtuese”.

Si do të “gllabërohej” Shqipëria?!

Për sa i përket çështjes së përfshirjes së Shqipërisë në Jugosllavi, Hrushovi kujton se “kur akoma ekzistonin marrëdhëniet shumë të mira midis Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë dhe Tito gëzonte besim absolut te Stalini, më kujtohet se në prezencën time Stalini diktoi një telegram për Titon, ku flitej se marrëdhëniet e mëtejshme reciproke me Shqipërinë, duhet të synonin që ajo të futej në përbërjen e Federatës Ballkanike. Ky telegram u dërgua. Sigurisht që në Shqipëri për këtë çështje askush nuk dinte gjë. Stalini e kishte bërë të vetën idenë e krijimit të Federatës Ballkanike dhe shpesh e shfaqte këtë mendim në rrethin tonë”.

Më tej, në kujtimet për këtë çështje, Hrushovi shkruan se ajo kishte filluar të konkretizohej aq shumë, saqë për selinë e qeverisë së re të Federatës Ballkanike, ku do të bënte pjesë edhe Shqipëria e vogël, që ende nuk dinte gjë, kishte nisur të ndërtohej një pallat afër Beogradit.

“Kur unë isha në Beograd, e pashë atë vend. Atje ishin ndërtuar shumë konstruksione betonarmeje, por më pas gjithçka u braktis. Përfshirja e Shqipërisë në përbërje të Jugosllavisë, nuk ishte në kundërshtim me idenë e Stalinit për krijimin e Federatës së Shteteve Ballkanike. Kur u ndërprenë marrëdhëniet miqësore me Jugosllavinë dhe Stalini filloi ta urrejë Titon, ideja e Federatës Ballkanike u varros”.

Kur flet për marrëdhëniet e mëtejshme me Jugosllavinë, Hrushovi megjithatë përmend si rastin më ekstrem të politikës antijugosllave, pikërisht Shqipërinë. Një gjë e tillë sigurisht që i kishte pëlqyer për një farë kohe Bashkimit Sovjetik, i cili madje e kishte inkurajuar këtë politikë të palës shqiptare. Por, Hrushovi mendonte se ky pozicionin i Shqipërisë u bë dëmtues, kur Bashkimi Sovjetik dhe ai vetë, vendosi të ndërmerrte hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve sovjetiko-jugosllave. Shqipëria ishte i vetmi vend që, siç kujton Hrushovi, u bë pengesë për normalizimin e këtyre marrëdhënieve.

“Udhëheqësit e shtetit shqiptar dhe të Partisë së Punës, i pritën shumë keq propozimet tona dhe u përpoqën të vërtetojnë se jugosllavët janë njerëz të pandreqshëm, se ata nuk janë komunistë. E tëra kjo shprehej me një duf keqdashës. Veçanërisht u zemërua Enver Hoxha. Ai ka karakter të ashpër dhe kur flet për atë që nuk i pëlqen, fytyrën sikur ia kap ngërçi dhe gati sa nuk kërcet dhëmbët”.

Megjithatë, Shqipëria në fund e pranoi propozimin e BRSS-së dhe Hrushovi thotë se kjo ndodhi, ngaqë Bashkimi Sovjetik i bindi ata, por se e panë që nuk kishte rrugëdalje tjetër. Kur flet më tej për marrëdhëniet mes BRSS-së dhe Jugosllavisë, në politikë dhe në ekonomi, Hrushovi kujton se një gjë e tillë shkaktoi një neveri edhe më të madhe në Shqipëri.

“Në ato kohëra ne mbanim qëndrimin e shokut më të madh në moshë: po ç’të bësh, kur ata nuk e kuptojnë? Por, do të rriten dhe do ta kuptojnë se në të vërtetë, këtu nuk ka asgjë shqetësuese. Dhe ne e sqaruam pozicionin tonë, në mënyrë që shqiptarët të na kuptonin sa më mirë”.

Sipas tij, marrëdhëniet e BRSS-së me Shqipërinë, nuk ishin thjesht vëllazërore, por marrëdhënie të barabarta. Raportet e të madhit me të voglin, sipas tij, lindin kur vjen puna te dhënia e ndihmës. Dhe në këtë rast ishte Bashkimi Sovjetik, shoku i madh që “kishte harxhuar mjete të shumta për të ndihmuar Shqipërinë”.

Meritat për ushtrinë!

Ndërsa vendeve të tjera BRSS-ja u jepte ndihmë me kushte favorizuese, ndaj Shqipërisë Hrushovi shkruan se ndihma është realizuar kryesisht nëpërmjet rrugës së dhurimit. Ai shkruan se ishte Bashkimi Sovjetik, ai që mori përsipër mbajtjen e ushtrisë shqiptare me uniforma, me ushqime, me armatime, me municione dhe të gjitha këto gratis. Sigurisht, një arsye për këtë kishte dhe është pikërisht ajo që imagjinohet. Pakti i Atlantikut Verior ishte krijuar dhe Shqipëria kishte një pozicion të favorshëm strategjik në Detin Mesdhe, të cilin, siç shkruan Hrushovi, Bashkimi Sovjetik e konsideronte si bazë të vendeve socialiste në këtë det.

“Shtrohej pyetja: A ishte e nevojshme që ne të mbanim atje ushtrinë tonë apo, të krijonim një ushtri të fortë shqiptare? Realisht Shqipëria mund të mbante një ushtri të vogël në numër, e cila nuk do të ishte në gjendje t’i bënte ndonjë përshtypje kundërshtarit. Vetë ajo praktikisht nuk prodhonte armatim. Prandaj vendosëm ta ndihmojmë materialisht për krijimin, brenda mundësive, të një ushtrie shqiptare të madhe në numër … Kur filluan të ashpërsoheshin marrëdhëniet e BRSS-së me Perëndimin, pas luftës, një konflikt ushtarak nuk ishte mundësi e përjashtuar”.

Falë pozicionit të vet Shqipëria përbënte një kërcënim serioz për veprimtarinë e bllokut ushtarak të NATO-s në Detin Mesdhe.

“Prandaj, në atë kohë ne u morëm vesh me shqiptarët për të ngritur tek ata një bazë nëndetësesh. Kështu u miratua vendosja atje e 12 nëndetëseve. Merreni me mend, ky ishte një përqendrim ushtarak mjaft i fuqishëm- 12 nëndetëse në detin Mesdhe. Me një përqendrim të tillë, duhet të përballeshin kundërshtarët tanë. Këto nëndetëse ne donim t’ia jepnim Shqipërisë. Marinarët tanë arritën atje me të gjitha pajisjet zhytëse dhe riparuese, për t’i trajnuar ushtarakët vendës dhe, sapo të krijohej njësia shqiptare e nëndetëseve, t’u dorëzoheshin atyre këto mjete. Një hap i tillë dëshmon besimin e madh, por unë do të thoja, edhe dashurinë e madhe që tregonim ne për miqtë shqiptarë. Delegacionet shqiptare vinin te ne, të kryesuara në disa raste nga Enver Hoxha dhe Mehemet Shehu. Midis nesh u krijuan marrëdhëniet më të mira, pa folur tashmë për popullin e thjeshtë shqiptar”.

Shqipëria, një ekonomi mizerabël

Hrushovi shkruan në kujtimet e tij se Shqipëria ishte një vend aq i varfër, sa nuk kishte asgjë në kuptimin e rezervave që mund të ngjallte interesin e Bashkimit Sovjetik. Prandaj, marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve, ishin kryesisht në interes të Shqipërisë.

“Madje edhe ajo sasi mizerabël nafte, të cilën Shqipëria filloi ta nxjerrë me ndihmën tonë, po vetë ne ia blinim … Kjo ishte naftë e një cilësie aq të ulët, saqë ishte e pamundur ta nxirrje në tregun perëndimor dhe BRSS-ja e bleu atë sasi nafte për të shlyer furnizimet e tyre”.

Madje, ai shton se një gjë të tillë e bënin sepse po të mos e merrte Bashkimi Sovjetik, askush tjetër nuk do ta blinte këtë naftë, gjë që do të thoshte se duhej të hiqej dorë nga nxjerrja e naftës.

“Pastaj, ne u kemi dhënë shqiptarëve edhe traktorë. Territori i tyre është i vogël dhe ka pak tokë të punueshme. Por, ne donim që të ndihmonim për ta ngritur ekonominë shqiptare në nivelin bashkëkohor, për ta bërë Shqipërinë një xhevahir, i cili të joshte botën myslimane, veçanërisht Lindjen e Afërme dhe Afrikën, drejt komunizmit. Ja cilat ishin në thelb synimet tona dhe politika që ndiqnim atje”.

Mandej, ai nuk lë pa përmendur radiostacionin, të cilin propozuan ta ndërtonin në Shqipëri dhe portin e madh që arriti të ndërtohej.

Kujtimet e Nikita Hrushovit, për vizitën e tij në Shqipëri

“Disa herë shqiptarët na ishin lutur për të dërguar nga ana jonë një delegacion partiak dhe shtetëror të nivelit më të lartë. U vendos që një delegacion të tillë ta kryesoja unë dhe ne u nisëm për në Shqipëri. Para se të niseshim, i informuam miqtë shqiptarë, se nuk dëshironim që publikisht, në praninë tonë, të adresohej ndonjë kritikë ndaj Jugosllavisë dhe udhëheqjes së saj. Në atë periudhë, Shqipëria mbante marrëdhënie shumë të acaruara me Jugosllavinë dhe zhvillonte kundër saj një duel të hapur edhe në shtyp. Unë isha i mendimit se kjo gjë po sillte dëm. Prandaj, e shqyrtuam mes nesh dhe njoftuam Enver Hoxhën se nuk dëshironim që gjatë kohës së qëndrimit të delegacionit tonë në Shqipëri, të vazhdohej konflikti në shtyp midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Ne i paralajmëruam që edhe nëpër mitingje, të mos na përfshinin në diskutime të tilla! Gjatë kohës së vizitës sonë, nëpër mitingje dhe nëpër mbledhje të tjera, shqiptarët iu shmangën kritikës ndaj Jugosllavisë. Por, dukej qartë se e përballonin me vështirësi. Në biseda me dyer të mbyllura shqiptarët përpiqeshin të na bindnin se me jugosllavët nuk mund të kishte pajtim, se ata nuk janë komunistë e plot gjëra të tilla. Ne nuk u mirëkuptuam dot me ta, ndonëse edhe nuk i përkrahnim të gjitha gjërat që ndodhnin në Jugosllavi … Gjatë kohës së qëndrimit tonë në Shqipëri, shqiptarët u sollën si miq dhe midis nesh, nuk lindi asnjë fërkim …! Atje kaluam disa ditë, pamë kryeqytetin e tyre, vizituam edhe qytete të tjera, fshatra dhe porte. Kudo vumë re një qëndrim jashtëzakonisht entuziast ndaj Bashkimit Sovjetik, ndaj popullit tonë, ndaj partisë sonë, si nga ana e punonjësve shqiptarë, ashtu edhe nga ana e Hoxhës dhe e Shehut. Unë nuk konstatova ndonjë re të zezë që të mund të errësonte diellin e miqësisë, nën të cilin ne dëshironim t’i gëzoheshim jetës dhe të ndërtonim marrëdhënie vëllazërore midis BRSS-së dhe Shqipërisë. Midis nesh nuk lindën mosmarrëveshje …! Gjithçka e re, e ndërtuar atje, ishte realizuar me ndihmën tonë, me kredinë tonë, nga specialistët dhe punëtorët tanë …! Shqipëria është një vendi vogël. Por, populli i saj, i kufizuar numerikisht, jeton në një vend interesant gjeografik, ku ndërthuren kontradikta të ndryshme të Evropës, prandaj të shumtë janë edhe kundërshtarët e saj”.

Nëndetëset

Nikita Hrushov tregon edhe një episod nga konflikti i fundit i Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë.

“Ne i dhamë asaj 12 nëndetëse, siç kam thënë dhe kur marrëdhëniet tona u acaruan. Ne vendosëm t’i merrnim të tëra nëndetëset, si edhe pajisjet që i shoqëronin ato. Shqiptarët e kundërshtuan këtë gjë. Më duket se në tri nëndetëse ekuipazhi ishte tërësisht shqiptar, në një apo dy ishte i përzier. Ne mundëm të heqim tetë apo nëntë nëndetëse dhe tri apo katër mbetën në Shqipëri. Madje, prisnim edhe veprime agresive nga ana e shqiptarëve, prandaj kur i tërhoqëm nëndetëset, anijet tona luftarake, nuk më kujtohet se sa, ndodheshin afër brigjeve të Shqipërisë për të ndërhyrë po ta lypte nevoja. Në rast se autoritetet shqiptare do të përpiqeshin t’i mbanin nëndetëset tona me forcë, atëherë anijet tona luftarake, do t’i kërcënonin ata”.

Ai i mbyll kujtimet për Shqipërinë, duke shtuar se ky episod shënoi edhe prishjen e plotë me Shqipërinë.

Hrushovi për Enver Hoxhën: “Karakter i ashpër”!

Duke folur për refuzimin që i bënë udhëheqësit e shtetit shqiptar dhe të Partisë së Punës së Shqipërisë, propozimeve të Bashkimit Sovjetik për normalizimin e marrëdhënieve sovjetiko-jugosllave, Nikita Hrushov shkruan në kujtimet e tij se pala shqiptare, shprehu një duf keqdashës.

“Veçanërisht u zemërua Enver Hoxha. Ai ka karakter të ashpër dhe kur flet për atë që nuk i pëlqen, fytyrën sikur ia kap ngërçi dhe gati sa s’kërcet dhëmbët”.

Në kujtimet e tij për Shqipërinë, Nikita Hrushov flet edhe për atë që ai e quan trojka e udhëheqësve shqiptarë dhe që përbëhej nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Beqir Balluku. Hrushovi shkruan se Tito i kishte treguar se drejtuesi kryesor i Partisë Komuniste të Shqipërisë, kishte qenë një shok shumë i mirë, të cilin e njihnin dhe e mbështesnin jugosllavët dhe që vinte nga radhët e klasës punëtore dhe ishte ky organizatori i vërtetë i Partisë Komuniste të Shqipërisë.

“Por, Hoxha, Shehu dhe Balluku organizuan një komplot kundër tij, madje flitej se personalisht Shehu e kishte mbytur këtë njeri. Pa kaluar shumë kohë, ne u informuam edhe për raste të tjera të llahtarshme: dikë e mbytën dhe dikë tjetër e vranë fshehurazi. Atje zbatohej një sistem i tillë: nëse dikush gabonte dhe këtë e konstatonin Hoxha, Shehu dhe Balluku, atëherë të tre bashkë jepnin ndëshkimin. Mjaftonte që të tre të ishin të një mendje se ky njeri ishte i dëmshëm dhe ata e gjenin mënyrën sesi ta zhduknin fshehurazi, prandaj ky njeri zhdukej pa vonesë. E tëra kjo i ngjante shumë mënyrës që zbatonte Stalini. Nëpërmjet Berias dhe personave të tjerë të tillë, ai arriti të asgjësonte shumë njerëz të ndershëm”.

The post Hrushovi për Shqipërinë: Hoxha, Shehu dhe Balluku përdornin metodat e Stalinit për asgjësimin e njerëzve të ndershëm appeared first on Telegrafi.

Falsifikimi i kujtesës: Historia si mjet i propagandës komuniste

30 July 2025 at 15:46

Nga: Anna Zofia Cichocka, historiane
Përktheu: Agron Shala

Që në momentin kur bolshevikët morën pushtetin në Rusi në vitin 1917, historia – si shkencë e së kaluarës – u shkatërrua. Ajo u shndërrua në një mjet politik, tërësisht të kontrolluar nga autoritetet komuniste dhe në një vegël të propagandës komuniste. Historia iu nënshtrua plotësisht ideologjisë marksist-leniniste dhe ishte Partia Komuniste ajo që vendoste gjithmonë se cili interpretim i kësaj ideologjie ishte i saktë. Kjo krijoi mundësinë për të manipuluar dhe rishkruar vazhdimisht historinë, sipas nevojave dhe ndjesive politike të regjimit sovjetik dhe në çdo moment të caktuar. Rezultati ishte një manipulim dhe falsifikim masiv i së kaluarës.

Ideologjia marksist-leniniste përcaktonte se forca lëvizëse e historisë ishte lufta e klasave që përbënte një marshim të pandalshëm drejt fitores së pashmangshme dhe globale të komunizmit. Teza e pashmangshmërisë legjitimonte shtetin e parë komunist, krijimi i të cilit paraqitej si një pikë kthese në historinë e njerëzimit. Ajo gjithashtu shërbente për të justifikuar politikat kriminale të bolshevikëve në Rusi dhe në territoret e pushtuara prej tyre. Grushti i shtetit me të cilin bolshevikët përmbysën në mënyrë efektive Republikën e sapokrijuar Ruse – e dalë nga rrënojat e regjimit carist – paraqitej si “Revolucioni i madh socialist i tetorit” i masave punëtore kundër shfrytëzuesve.

Bolshevikët fabrikuan versionin e tyre të historisë kombëtare dhe asaj botërore. Ata zgjidhnin prej saj vetëm ato ngjarje apo figura që shërbenin për të justifikuar vazhdimësinë e një procesi njëdrejtimësh historik. Ngjarjet dhe figurat që kishin (sipas interpretimit bolshevik) karakter revolucionar dhe që përfaqësonin “progresin” në etapa të ndryshme të historisë, paraqiteshin në mënyrë pozitive: nga Lufta e Gladiatorëve deri te Revolucioni Francez, nga Spartaku deri te pararendësit e shekullit XIX të komunizmit.

Lexo po ashtu: Totalitarizmi dhe virtyti i gënjeshtrës

Nga tradita ruse, përzgjidheshin ata që kishin luftuar kundër autokracisë cariste, si dekabristët apo Aleksandër Herzeni. Në thelb, në propagandën sovjetike BRSS-ja përfaqësonte vetë progresin – që do të thotë se gjithçka që i shërbente interesave të tij ishte progresive, dhe gjithçka që e kundërshtonte ishte reaksionare.

Këto parime ndiqeshin përmes eliminimit të përmbajtjes së “pasaktë” – që nga botimet historike e deri te tekstet shkollore. Pati edhe zëvendësime të emrave të rrugëve. Si pjesë e planit të Leninit për propagandën monumentale, u shkatërruan monumentet e heronjve para-revolucionarë dhe u zëvendësuan me të rinjtë që përkujtonin ngjarjet e lidhura me “revolucionin”. Këto ishin shpesh karikatura, të ndërtuara me shpejtësi dhe të lehta për t’u çmontuar nëse heronjtë e rinj binin nga piedestali. Kjo ishte, në mënyrë më të gjerë, një simbolikë e politikës historike të bolshevikëve.

Kalendari i festave zyrtare u ndryshua për të nxjerrë në pah ngjarjet e lidhura me grushtin e shtetit bolshevik. Për një kohë, historia – si lëndë – u zhduk nga shkollat. Kjo skemë u kopjua më pas edhe në vendet e tjera komuniste, përfshirë vendet e nënshtruara nga BRSS-ja.

Edhe historia e vetë Partisë Komuniste u manipulua. Pas vdekjes së Leninit, Josif Stalini eliminoi kundërshtarët dhe mori kontrollin e plotë të shtetit sovjetik. Kundërshtarët e tillë u zhdukën nga librat e historisë së Partisë. Propagandistët dhe historianët e frikësuar mezi arrinin të mbanin ritmin me ndryshimet. Që nga vitet ‘30 të shekullit XX e tutje, ishte vetë Stalini ai që diktonte versionin “e saktë” të historisë së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (bolshevikëve), e cila nuk ishte më një parti “leniniste”, por një parti “leniniste-staliniste”. Me rritjen e kultit të individit në BRSS, roli i Stalinit në Revolucion u ekzagjerua gjithnjë e më shumë.

Stalini gjithashtu u lavdërua si pasardhësi i despotëve që kishin ndërtuar fuqinë e perandorisë ruse në të kaluarën: Ivani i Tmerrshëm, Pjetri i Madh dhe Katerina e Madhe. Në vitet ’30 të shekullit XX, në propagandën dhe kulturën sovjetike u shfaq një nacionalizëm rus në rritje. Doli se edhe carët mund të ishin “reaksionarë” ose “progresistë”, për aq kohë sa i shërbenin fuqisë së shtetit dhe përfaqësonin përfitimet e autokracisë. Burimet e krenarisë kombëtare u kërkuan në historinë e Rusisë para-revolucionare. Motivi i një “Rusie të fortë” u paraqit në fjalimet e Stalinit. Patriotizmi sovjetik dhe ai rus u bënë një.

Historia e Partisë Komuniste e Bashkimit Sovjetik (bolshevikëve) u botua në vitin 1938. Ajo synonte të përfundonte një herë e përgjithmonë të gjitha debatet rreth historisë së Partisë, si dhe të çështjeve të tjera historike. Autorësia e veprës anonime, me kalimin e kohës iu atribuua Stalinit i cili e emëroi veten si historiani më i shquar.

Kjo e ashtuquajtur “bibël e stalinizmit”, plot me gënjeshtra dhe maskime, përcaktonte në mënyrë të prerë versionin e vetëm “të ligjshëm” të së kaluarës. U bë teksti i detyrueshëm shkollor, si për qytetarët e BRSS-së ashtu edhe për vendet e tjera të nënshtruara prej tij në vitet që do të pasonin. Gjatë kësaj periudhe, ajo kishte mbi 300 botime, u përkthye në më shumë se 60 gjuhë dhe pati një tirazh prej mbi 40 milionë kopjesh. Kursi i shkurtër paraqiste një skemë të thjeshtuar të zhvillimit botëror, e cila reduktohej në një varg formacionesh: shoqëria primitive, skllavëria, feudalizmi, kapitalizmi dhe socializmi. Kjo ishte mënyra e vetme se si duhej të përshkruhej historia – madje edhe në ato vende ku formacionet e tilla nuk kishin ekzistuar kurrë. Ai vendoste kultin e Vladimir Leninit dhe dishepullit të tij më të devotshëm, Stalinit, si udhëheqësit gjenialë dhe të pagabueshëm të Partisë Komuniste, duke ekzagjeruar rolin e Stalinit në organizimin e Partisë Bolshevike, Revolucionin e Tetorit dhe shtetin sovjetik.

Në të njëjtën kohë, drejtuesit realë të revolucionit ose injoroheshin, ose përshkruheshin si tradhtarë. Prej atëherë, historianët ishin të detyruar të citojnë të gjitha këto “zbulime”. Faktet e bazuara në dokumente nuk kishin më rëndësi, dhe arkivat përfunduan gjithsesi nën kontrollin e policisë politike. Çdo largim nga interpretimi zyrtar rrezikonte represion. Historia përfundimisht u nacionalizua. Filozofi i shquar, Leszek Kołakowski, e quajti këtë “një tekst të përsosur të kujtesës së falsifikuar”, përmes së cilës “partia duhej të ushtronte pushtet mbi mendjet dhe të shkatërronte si mendimin kritik, ashtu edhe kujtesën shoqërore për të kaluarën e vet”.

Pas nënshkrimit të Paktit Molotov-Ribentrop me Gjermaninë Naziste në vitin 1939, propaganda ofroi argumente historike për ta justifikuar atë. Gjithashtu, e gjithë përmbajtja anti-gjermane u zhduk gjithashtu nga botimet historike. Gjermania u paraqit si djep i marksizmit, dhe krahasimet e Hitlerit me Napoleonin u ndaluan.

Sulmi i Rajhut të Tretë ndaj Bashkimit Sovjetik në vitin 1941 u pasua nga një kthesë tjetër në propagandën sovjetike. Ideologjia marksiste u zbeh në favor të temave kombëtare dhe patriotike. Sloganet komuniste rezultuan të padobishme për të nxitur ndjenjën e identifikimit me atdheun dhe gatishmërinë për të bërë sakrifica. Lufta kundër Hitlerit u përshkrua si “Lufta e madhe patriotike”, një referencë ndaj traditës së mbrojtjes kundër pushtimit të Napoleonit në vitin 1812. Në fjalimet e tij, Stalini përmendte komandantë të mëdhenj: Aleksandër Nevskin, Dmitri Donskoin, Aleksandër Suvorovin dhe Mihail Kutuzovin.

U krijuan urdhra që i referoheshin faqeve të lavdishme të historisë ushtarake të perandorisë, duke theksuar kështu vazhdimësinë midis forcave të armatosura historike të Rusisë dhe Ushtrisë së Kuqe të kohës. U vu në dukje roli i fesë ortodokse në historinë e kombit dhe të shtetit, si rezultat i një ndryshimi taktik të qëndrimit ndaj Kishës Ortodokse. Shteti i financoi bujarisht filmat historikë. Filmi i Ajzenshtajnit, Aleksandër Nevski, i cili ishte hequr nga ekranet pas Paktit me Hitlerin për shkak të temave “anti-gjermane”, u shfaq sërish. Vetë Stalini e hoqi nga skenari skenën e vdekjes së Aleksandrit, duke thënë: “Një princ kaq i mirë nuk mund të vdesë”!

Propaganda sovjetike falsifikoi për vite të tëra pamjen e Luftës së Dytë Botërore. Pushtimi sovjetik i Polonisë në vitin 1939 u përshkrua si “çlirimi i popujve vëllazërorë”, ndërsa aneksimi i shteteve baltike në vitin 1940, si “fitorja e revolucionit socialist” dhe “drejtësi historike”. Sipas propagandës sovjetike, Lufta e Dytë Botërore zgjati nga viti 1941 deri në vitin 1945, duke shmangur të vërtetën e papërshtatshme të aleancës me Hitlerin.

Nuk u përmendën represionet sovjetike në territoret e pushtuara nga BRSS-ja, si deportimet në thellësi të BRSS-së të estonezëve, finlandezëve, lituanezëve, letonezëve, polakëve, rumunëve, ukrainasve, hebrenjve dhe të tjerëve, si dhe rrethanat që lidhen me Masakrën e Katinit të vitit 1940 e cila iu atribuua gjermanëve. Edhe ndihma materiale e Perëndimit për BRSS-në, gjatë luftës, ishte një temë e ndaluar.

Pas fitores në Luftën e Dytë Botërore, shovinizmi i madh rus dhe kulti i Stalinit si “udhëheqësi gjenial”, arritën kulmin dhe përmasat e karikaturës. Propaganda sovjetike e ndërthurte këtë me marksizmin, duke krijuar një lloj përzierjeje hibride. Një nga shfaqjet e këtij fenomeni ishte pretendimi se të gjitha shpikjet kryesore në historinë e teknologjisë ishin vepër e rusëve.

Kjo tezë pasqyrohej në zërat e Enciklopedisë së madhe sovjetike, e botuar për herë të parë në vitin 1949. Mohimi i këtyre “të vërtetave” stigmatohej si shenjë e “kozmopolitizmit” dhe poshtërim ndaj Perëndimit. Antisemitizmi ishte gjithashtu një veçori e propagandës së kohës, pasojë e së cilës ishte heshtja rreth Holokaustit.

Pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953, u bë sërish e qartë ajo që historiani i parë marksist rus, Mihail Pokrovski, kishte thënë: “Historia është politikë e projektuar mbrapsht”. Në vitin 1956 u mbajt Kongresi i XX i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Udhëheqësi i ri, Nikita Hrushovi, mbajti një fjalim, “Mbi kultin e individit dhe pasojat e tij”, në një seancë të mbyllur.

Ai e dënoi Stalinin për ndërtimin e kultit ndaj vetes, si edhe për represionet ndaj anëtarëve të partisë (ndërsa viktimat e tjera të krimeve masive u anashkaluan), për deportimet e popujve dhe për gabimet e bëra gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfshirë besimin ndaj Hitlerit. Që nga ai moment, fitorja në Luftën e Dytë Botërore filloi të paraqitej në propagandë si rezultat i përpjekjes kolektive të popullit dhe ushtrisë, dhe si meritë e komandantëve të cilët tani riktheheshin në vlerë.

Kjo çoi në botimin e shumë kujtimeve të komandantëve të Ushtrisë së Kuqe, si Ivan Konev dhe Georgij Zhukov. Hrushovi kritikoi Kursin e shkurtër, duke vënë në pikëpyetje mënyrën si paraqitej Stalini në këtë vepër. Ai theksoi nevojën për një tekst të ri marksist për shkolla, të bazuar në fakte, për historinë e Partisë dhe për një rikthim te parimet leniniste. Si pasojë, u rehabilituan shumë aktivistë të Partisë të përjashtuar nga Stalini.

Duke fajësuar Stalinin, Hrushovi e lau veten dhe bashkëpunëtorët e tjerë të tiranit, duke i çliruar nga përgjegjësia për krimet në të cilat kishin marrë pjesë. Gënjeshtrat historike shërbyen si një mjet në luftën për pushtet dhe garantonin vazhdimësinë e sistemit. Në këtë version, despoti ishte fajtor, ndërsa vetë sistemi mbetej në thelb i drejtë. Autoriteti i Stalinit paraqitej si një devijim i përkohshëm nga komunizmi i cili, sipas Hrushovit, duhej të kthehej në shinat e duhura – me vetë atë si pasuesin e vërtetë të Leninit.

I njëjti mekanizëm u përdor më pas nga pasardhësit e tjerë të udhëheqjes sovjetike, dhe teza se partia dhe populli nuk kishin dijeni për abuzimet e Stalinit me pushtetin, mbeti në fuqi deri në fundin e ekzistencës së BRSS-së. Ky manipulim çon në tezën e rreme se stalinizmi nuk mund të barazohet me një sistem komunist që në thelb është legjitim. Kritika ndaj Stalinit vazhdoi edhe gjatë Kongresit të XXII të Partisë në vitin 1961. As epoka e Hrushovit nuk ishte pa gjurmë të kultit të individit. Tani ishte vetë Hrushovi ai që paraqitej si pasardhësi i vetëm legjitim i Leninit. Tekstet e reja shkollore e ekzagjeronin rolin e tij në “revolucionin” bolshevik, në luftë dhe në periudhën pas saj.

Pasardhësi i Hrushovit, Leonid Brezhnevi, gjithashtu ndërtoi një kult rreth vetes. Ndër të tjera, u ekzagjerua roli i tij në “Luftën e madhe patriotike”. Episodi i vogël i pjesëmarrjes së tij në luftë filloi të përshkruhej gjerësisht dhe të lavdërohej në poezi dhe këngë. Brezhnevi vuante nga barra e urdhrave. Kjo bënte pjesë në një politikë më të gjerë të mitologjizimit të mëtejshëm të luftës së viteve 1941-1945 dhe idealizimit të Ushtrisë së Kuqe në histori, art dhe hapësirën publike. Kujtesa e luftës ishte një element i rëndësishëm në edukimin e brezit të ri gjatë kësaj periudhe. Festimet e Ditës së Fitores më 9 maj, të rikthyera në vitin 1965, u bënë festa e dytë më e rëndësishme publike pas përvjetorit të revolucionit. Nga viti 1967 filloi rehabilitimi gradual dhe i pjesshëm i Stalinit.

Mihail Gorbaçovi, udhëheqësi i fundit i BRSS-së që erdhi në pushtet në vitin 1985, në thelb mbrojti shumë nga gënjeshtrat e propagandës komuniste. Ai e përshkroi “revolucionin” bolshevik si një zgjedhje të lirë të popullit. Duke promovuar sloganin e “kthimit te leninizmi”, ai foli për karakterin e keq të Stalinit dhe përgjegjësinë e tij për përndjekjen e komunistëve. Kolektivizimin e justifikoi si të domosdoshëm dhe në mënyrë të përsëritur e minimizoi numrin e viktimave. Ai mbrojti aleancën e BRSS-së me Hitlerin, si dhe ndërhyrjen sovjetike në vendet e bllokut lindor. Në të njëjtën kohë, politika e “glasnostit” (hapjes) që ai shpalli, krijoi kushtet për një proces shoqëror nga poshtë për të plotësuar “zonat bosh” të historisë.

Gënjeshtrat ishin një nga themelet kryesore të sistemit komunist. Manipulimi i historisë shërbente për të ruajtur pushtetin e elitave sunduese. Shpesh, ai merrte forma primitive. Simbolike është, për shembull, “zhdukja” e shefit të NKVD-së, Nikolai Jezhov, nga një fotografi e vitit 1937 me Stalinin pasi ky i fundit nuk e pëlqeu më, apo fshirja e faqes së Enciklopedisë së madhe sovjetike që kishte emrin dhe portretin e Lavrenti Berias, kreut të policisë politike, dhe zëvendësimi i saj me një hyrje të titulluar “Deti i Beringut” – pas ekzekutimit të tij në vitin 1953.

Autoritetet komuniste organizuan gjithashtu fushata të gjera dhe cinike propagandistike, duke përfshirë gjithë aparatin shtetëror. Për shembull, kur në vitin 1990 BRSS-ja më në fund e pranoi Masakrën e Katinit, Gorbaçovi njëkohësisht urdhëroi krijimin e një kundërpeshe propagandistike ndaj krimeve sovjetike kundër qytetarëve polakë. Si kundërpeshë do të shërbenin vrasjet e supozuara të ushtarëve sovjetikë gjatë Luftës Polako-Bolshevike (1919-1921). Jo vetëm deri para kolapsit të Bashkimit Sovjetik, por edhe në Rusinë e sotme historia mbeti – dhe vazhdon të mbetet – një mjet i dobishëm politik. Disa nga këto falsifikime përsëriten ende në Rusi dhe janë pjesë e politikës së saj historike. /Telegrafi/

The post Falsifikimi i kujtesës: Historia si mjet i propagandës komuniste appeared first on Telegrafi.

Thesaret e humbura të Woody Guthriet, të shpëtuara nga IA-ja

30 July 2025 at 11:36

Nga: Dave Simpson / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Me dëbimet masive të emigrantëve nëpër Amerikë – pa përmendur raportimet për njerëz të lidhur me pranga ose që detyrohen të gjunjëzohen dhe të hanë “si qen” – Nora Guthrie është e zhgënjyer meqë, për këtë çështje, nuk ka pasur më shumë zhurmë nga muzikantët.

“Kam dalë në protesta në çdo fundjavë,” thotë vajza 75-vjeçare e kantautorit Woody Guthrie dhe themeluese e Arkivit “Woody Guthrie”. “Dhe, e kam pyetur veten: ‘Ku janë këngët që mund të këndojmë për këtë?’”

Në kërkim të një kënge që i përshtatet momentit, ajo iu rikthye këngës Deportee [Të dëbuar], të cilën babai i saj e shkroi në vitin 1948 si reagim ndaj një aksidenti ajror në Kaliforni ku u vranë katër amerikanë dhe 28 punëtorë emigrantë meksikanë të cilët po dëboheshin. “Disa ditë më vonë, vetëm amerikanët u përmendën me emër, ndërsa të tjerët u quajtën ‘të dëbuar,” shpjegon vajza e Norës, Anna Canoni – e cila së fundmi ka marrë detyrën e presidentes së publikimeve “Woody Guthrie” – në një telefonatë të përbashkët nga Nju-Jorku. “Woody lexoi për këtë ngjarje në New York Times dhe të njëjtën ditë shkroi tekstin.”

Lexo po ashtu:
Kënga që bashkon dhe “ndan” amerikanët
Woody Guthrie, ikona e folkut amerikan

Fillimisht një poezi, kënga (shpesh me nën-titullin Plane Wreck at Los Gatos / Rrëzimi i aeroplanit në Los Gatos) u bë e njohur nga këngëtarët e folkut, Martin Hoffman dhe Pete Seeger, dhe që atëherë është interpretuar edhe nga artistë si Bruce Springsteen dhe Joni Mitchell. Por, tani, falë përparimeve në teknologjinë e restaurimit të audios, përmes inteligjencës artificiale [IA], më në fund mund të dëgjojmë versionin origjinal të Guthriet të incizuar në shtëpi – dhe është befasuese se sa fuqishëm flet për mënyrën se si punëtorët emigrantë demonizohen edhe sot. Ai këndon: “Bien si gjethe të thata që kalben mbi dheun tim”, “dhe quhen vetëm ‘të dëbuar’.” Këngëtari Billy Bragg pohon: “Kur ICE [Agjencia për Emigracionin dhe Doganat në ShBA] po mbledh njerëz nëpër fusha, kjo këngë është më aktuale se kurrë.”

Fillimisht e publikuar si një singël, Deportee gjendet gjithashtu në Woody at Home, Vol 1 dhe 2, një koleksion i ri me 22 këngë nga incizimet e fundit të Guthriet (përfshirë 13 këngë që nuk ishin dëgjuar më parë), të realizuara në shtëpi në vitet 1951 dhe 1952 – vetëm disa muaj para se të shtrohej për herë të parë në spital për shkak të sëmundjes neurodegjenerative të Hantingtonit që çoi në vdekjen e tij në vitin 1967, në moshën 55-vjeçare.

“Ai ishte futur në listën e zezë [gjatë periudhës së McCarthyt, për shkak të aktivizmit], kështu që nuk mund të performonte më dhe nuk lejohej të dilte në radio,” thotë Nora. “Hantingtoni po depërtonte në trupin dhe mendjen e tij. Këto incizime janë një përpjekje e fundit për të nxjerrë këngët nga vetja, sepse ndjente se diçka nuk po shkonte siç duhet.”

Angazhimi i Guthriet për punëtorët emigrantë dhe drejtësinë sociale buronte nga përvoja personale. I lindur në një familje të klasës së mesme në Okemah të Oklahomës, ai ishte vetëm 14 vjeç kur familja e tij humbi shtëpinë dhe më pas jetoi përmes periudhës së thatësirës, depresionit të madh ekonomik, Luftës së Dytë Botërore dhe ngritjes së fashizmit. “Ai u detyrua të migrojë nga Oklahoma në Kaliforni,” thotë Bragg. “E dinte çfarë do të thotë të humbësh shtëpinë, të mbetesh pa asgjë, të jetosh në rrugë. ‘Okit [oklahomasit]’ nuk ishin aspak ndryshe nga punëtorët meksikanë – dhe përçmoheshin po aq.”

Duke performuar me sloganin “Kjo makinë vret fashistët” të shkruar mbi kitarën vet, Woody Guthrie pati debutimin më 1940, me Dust Bowl Ballads apo atë që Anna i quan “këngë të drejtpërdrejta për njerëz të goditur rëndë.”

Ai shkroi himnin e tij më të famshëm, This Land Is Your Land – një version i ri i të cilit hap albumin Woody at Home me strofa shtesë – pas një udhëtimi rrugor, siç thotë edhe teksti, “nga Kalifornia në ishullin e Nju-Jorkut”.

“Woody e shkroi këtë këngë sepse ishte vërtet shumë i irrituar që dëgjonte gjithandej këngën God Bless America [Zoti bekoftë Amerikën] të Irving Berlinit,” thotë Billy Bragg. “E bezdiste tmerrësisht. Unë madje kam parë dorëshkrimin origjinal të këngës dhe, në krye, Woody e kishte titulluar fillimisht God Blessed America for You and Me [Zoti e bekoftë Amerikën për mua e për ty], që më bën të mendoj se ai ka të drejtë të quhet kantautor alternativ – një lloj pank-rokeri.”

Nga fillimi i viteve ‘30 e deri në vitet ’50 të shekullit XX, Guthrie shkroi një numër të pabesueshëm prej tre mijë këngësh, nga të cilat incizoi më shumë se 700. Incizimet Woody at Home u bënë në apartamentin me qira të familjes në Bruklin me një pajisje primitive që ia kishte dhuruar publikuesi i tij, me qëllim që t’i shiste këngët tek artistët e tjerë. Ndërsa gruaja e tij punonte jashtë, këngëtari gjithnjë e më i sëmurë arriti të incizojë 32 bobina shiriti, duke u kujdesur ndërkohë për të tre fëmijët. Në këto incizime dëgjohen trokitjet në derë dhe madje edhe zëri i Norës kur ishte foshnjë, bashkë me mesazhe të shkurtra të incizuara si bisedë.

“Ai shkruante mbi divan, ndërsa ne fëmijët i hidheshim mbi kokë,” thotë Anna. “Shkruante mbi letra dhuratash apo letra kuzhine. Disa nga thëniet më të bukura të Woodyt i kemi gjetur në letra, si ajo që i shkroi Alan Lomaxit në vitin 1948: ‘Një këngë popullore është për atë që nuk është në rregull dhe si ta rregullosh.’ Ndonjëherë kishte kohë vetëm për një titull. Gjithçka i dilte aq shpejt, saqë duhej ta hidhte menjëherë në letër.”

Woody at Home përmban këngë të panjohura më parë për racizmin (Buoy Bells From Trenton), fashizmin (I’m a Child Ta Fight) dhe korrupsionin (Innocent Man), por gjithashtu shpalos edhe gjerësinë e repertorit të Guthriet. Ka këngë për dashurinë, për Jezus Krishtin, për atomet … madje, edhe për Albert Einsteinin të cilin e kishte takuar dhe udhëtuar me tren. Norës i duket qesharake që babai i saj kishte shkruar “jo më pak se pesë këngë për larjen e enëve.”

Guthrie shkroi Old Man Trump, i njohur gjithashtu si Beach Haven Race Hate, për qiradhënësin e tyre, Fred Trump – babai i Donald Trumpit – dhe politikat e tij segreguese për strehim. Woody at Home përfshin edhe një këngë tjetër për të: Backdoor Bum and the Big Landlord. “Është në fakt historia e një njeriu që ka gjithçka, por nuk jep asgjë; dhe një tjetri që s’ka asgjë, por jep gjithçka,” thotë Nora. “Pjesa ime e preferuar është kur pronari arrin në Parajsë me ar. E dërgojnë në Ferr dhe ai thotë: ‘Më sillni menaxherin tuaj. Do ta blej këtë vend dhe do t’ju nxjerr jashtë.’ Arroganca dhe ndjenja e epërsisë janë të pabesueshme, por kjo e përshkruan qartë një personazh që të gjithë njohim. Ne kemi jetuar në ndërtesat e Trumpit. E dimë shumë mirë kush janë.”

Familja u zhvendos në Kuins ku, kur Nora ishte 11 vjeçe, hapi derën për një kantautor kureshtar 19-vjeçar me emrin Robert Zimmerman. Bob Dylani i ardhshëm kishte lexuar autobiografinë e Guthriet, Bound for Glory. “Isha pak e mërzitur sepse po shikoja [programin televiziv] American Bandstand dhe më duhej të hapja derën,” thotë ajo. “Ishte një djalë që dukej pluhurosur dhe i çuditshëm. Ia përplasa derën dhe u ktheva të shikoja televizor. Por, ai vazhdoi të trokiste.”

Filmi biografik për Dylanin, A Complete Unknown (2024), dramatizon takimet ikonike të vitit 1961 midis adoleshentit që do të bëhej legjendë dhe idhullit të tij të sëmurë e të shtruar në spital. Nora e pëlqen filmin, por thekson: “Babai im nuk ishte i vetëm në një dhomë, siç paraqitet në film. Ai ishte në një pavijon me 40 pacientë, në një spital psikiatrik, sepse atëherë nuk kishte pavijone të veçanta për njerëzit me sëmundjen e Hantingtonit. Kishte një dhomë me diell anash, ku Bobi e takonte, i sillte stilolapsa dhe cigare. Sa më kujtohet mua, Bobi jo vetëm që Woodyt ia këndonte këngët e veta” – Dylan më pas incizoi një homazh shumë të prekshëm, Song to Woody – “por, i këndonte edhe këngët e babait tim për të. Nuk mund ta theksoj sa duhet se sa i mirë ishte Bobi, por ai e kuptonte që Woodyt i duhej të dëgjonte çfarë kishte arritur.”

Në atë kohë, gjendja e Guthriet ishte shumë e rënduar. “Për shkak të sëmundjes së Hantingtonit, unë nuk e pata një baba në kuptimin tradicional të fjalës,” thotë Nora. “Ai nuk mund të fliste apo të mbante biseda të gjata si kjo që po bëjmë tani. Nuk kishim as kontakt fizik, sepse me Hantingtonin trupi është gjithmonë në lëvizje. Duhej t’ia mbaje krahët që të mund ta përqafoje. Nëse dilnim ndonjëherë për të ngrënë jashtë, njerëzit na shikonin sikur të ishte i dehur – dhe kjo më dhembte.” Nora u bë kujdestarja e Woodyt dhe, përmes përkushtimit të saj të palodhur për ruajtjen e trashëgimisë së tij, ka vazhduar të kujdeset për të që atëherë.

“Kjo ndodhi krejt rastësisht,” shpjegon ajo, duke treguar se kishte kaluar 10 vite si balerinë profesioniste kur – në vitin 1991 – menaxheri i Woodyt, që po tërhiqej nga puna, e thirri për të rregulluar disa kuti me dokumente. “Një nga gjërat e para që nxora ishte një letër nga John Lennoni,” thotë ajo, duke sjellë letrën e kornizuar, dërguar familjes në vitin 1975, për ta parë unë. Në të shkruhet: “Woody jeton, dhe kjo më gëzon.” Zbulimi tjetër ishin tekstet origjinale të This Land Is Your Land. “Ishte një thesar i vërtetë.”

Dhe, ende ka shumë për të zbuluar. Pasardhësit e tij shpresojnë të frymëzojnë kantautorët – dhe protestuesit e rinj të sotëm në të njëjtën mënyrë siç Woody frymëzoi Dylanin, Springsteenin dhe shumë të tjerë. “Ne e shohim veten si ata që mbajnë qymyrin ndezur,” thotë Anna. “Ne e mbajmë flakën e Woodyt gjallë në mënyrë që, sa herë dikush dëshiron të ndez zjarrin brenda vetes, Woody do të jetë aty – i nxehtë dhe i gatshëm.” /Telegrafi/

 

The post Thesaret e humbura të Woody Guthriet, të shpëtuara nga IA-ja appeared first on Telegrafi.

Shkrim i vitit 1534: “Shqipëria: Një provincë e fuqishme e Evropës”!

29 July 2025 at 13:45

Sebastian Franck (1499-c.1543) ishte humanist, teolog, botues dhe gjeograf gjerman. I lindur në Donauvert të Bavarisë, ai studioi teologji në Ingolshtat dhe Hajdelberg dhe u konvertua në protestantizëm nën ndikimin e Martin Lutherit. Franck kujtohet si një përkrahës i madh i lirisë së mendimit. Nga viti 1535 deri më 1539 drejtoi një shtypshkronjë në Ulm. Ndër botimet e tij ishte edhe një libër për gjeografinë e botës i titulluar Weltbuch: Spiegel und Bildnis des ganzen Erdbodens [Libri i Botës: Pasqyrë dhe imazh i gjithë planetit], botuar në Tybingen më 1534. Kjo vepër përmban një tekst për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit, i marrë nga botimi i dytë (botuar në Ulm më 1542). Bëhet fjalë për një tekst tipik të epokës, i ndikuar fuqimisht nga Schedelsche Weltchronik [Kronika e Nurembergut] e Hartmann Schedel (1493) dhe nga Historia natyrore e Plini Plakut, ndërsa tregon se sa pak dihej ende për rajonin perëndimor të Ballkanit në shekullin e gjashtëmbëdhjetë.

Nga: Sebastian Franck[1]
Përktheu në anglisht (nga gjermanishtja): Robert Elsie
Përktheu në shqip (nga anglishtja): Agron Shala

Për Epirin në Rajonin e Evropës (Plini, Libri 4, Kreu 1)

Epiri, një krahinë e Evropës, ka një gjatësi prej 300 kalërimesh nga Lindja në Perëndim.[2] Ai kufizohet në Veri me Maqedoninë, në Lindje me Ahajën deri në lumin Akelou, dhe në Perëndim me Detin Jon. Teopompi shkruan për këtë rajon se përfshinte rreth 24 popuj. Ka tokë të begatë dhe pjellore përgjatë bregdetit, dhe dikur kishte shumë qytete dhe kala të fortifikuara, por krahina u shkatërrua si pasojë e një kryengritjeje të këtyre popujve kundër romakëve dhe, siç vëren Polibi, 70 qytete epirote u shkatërruan dhe u fshinë nga sipërfaqja nga Emili Pauli, me urdhër të perandorit, pas disfatës së maqedonasve dhe mbretit të Persisë. Nga këto qytete, 150 mijë njerëz u shitën në skllavëri të përhershme. Aty ndodhet një mal i quajtur Tomarur [Tomorr], i pasur me ujë dhe me 100 burime. Në rrethinat e Epirit ndodhen shumë krahina të tjera të bukura, si: Albania [Shqipëria], Iliria, Kroacia, Nistria (Istria) dhe Karnia (Kvarneri).

Shqipëria: Një provincë e fuqishme e Evropës

Njerëzit në Shqipëri lindin me flokë të bardhë, pasi është një krahinë e ftohtë që ballafaqohet me Azinë. Kjo tokë ka qen aq të mëdhenj endacakë saqë janë në gjendje të sulmojnë dhe të vrasin dema të egër dhe elefantë. Për këtë, lexo te Plini, Libri 8, dhe Isidori, Libri 9. Këta njerëz kanë sy shumëngjyrësh e të ndritshëm, ashtu që shohin më mirë natën sesa ditën. Solini është mahnitur nga kjo. Shqipëria ishte pak a shumë pjesë e Maqedonisë dhe i përkiste asaj. Brenda saj ndodhen qytetet e famshme të Didrachiumit [Durrachium = Durrës] dhe Apolonisë. Gjuha e këtij populli nuk kuptohet as nga grekët e as nga vendët (sllavët). Në Lindje shtrihet deti dhe në Perëndim ndodhet Iberia. Është një krahinë malore dhe banorët e saj dikur ishin barinj. Ishin njerëz të thjeshtë saqë nuk dinin ç’ishte paraja. Nuk dinin të numëronin më shumë se njëqind. Rrinin të mbyllur mes vetes. Nuk kishin njohuri për peshë apo masa, dhe nuk dinin të punonin fare tokën. Ishin të përgatitur vetëm për luftë, dhe adhuronin Diellin dhe Hënën. Kjo tokë ka gjarpërinj të mëdhenj, akrepa dhe merimanga vdekjeprurëse. Straboni thotë se ata kishin 26 gjuhë. Fillimisht u nënshtruan nga persët, pastaj nga maqedonasit, dhe më pas nga romakët në kohën e Trajanit. Sot është pushtuar nga turqit.

Iliria – një tokë e vendëve (sllave)

Pas rajonit të Shqipërisë shtrihen popujt ilirë, në Perëndim dhe në Veri. Ne tani i quajmë ata vendë [sllavë]: disa quhen boshnjakë, disa dalmatë, disa nistrianë, disa kroatë dhe disa kranjanë [karnolianë]. Boshnjakët ndodhen në brendësi drejt Hungarisë në Veri. Të tjerët, të vendosur përgjatë bregdetit, shtrihen deri te burimet e Timanit. Kjo krahinë e konsideron herezinë manikeane si pjesë të krishterimit. Domethënë, për ta çdo gjë varet nga origjina – e mira vjen nga e mira dhe e keqja nga e keqja [!?]. Ata nuk e pranojnë autoritetin e Kishës Romake. Nuk e pranojnë Krishtin si të njëjtë me Atin dhe, ndonëse janë të pavarur, e konsiderojnë veten të krishterë. Manastiret e tyre ndodhen në vende të largëta, në vende të largëta dhe toka të shkreta. Nëse një grua sëmuret, është zakon që ajo të shkojë te këta burra të shenjtë dhe të premtojë se do t’u shërbejë. Kur shërohet, qëndron me ta për një vit në bashkësinë monastike, së bashku me burrin e saj i cili gjithashtu i shërben Zotit. Këto rajone nuk kanë armë dhe nuk mund të mposhten nga anatema. Për Ilirinë, shih Plinin, Libri 3, Kreu 21.

Dalmacia, Sllavonia, Liburnia, Kroacia

Dalmacia është një krahinë e Evropës pranë territoreve të vendëve (sllave), e vendosur ndërmjet Hungarisë dhe Maqedonisë. Ajo tani quhet Sllavoni. Sipër saj, në skajin e fundit ndodhet Liburnia, ndërsa në fillim është Dalmacia, që tani quhet Kroaci. Edhe kjo mund të konsiderohet një provincë e Sllavonisë. Është një vend me njerëz të egër dhe grabitqarë. Për Liburninë, shih Plinin, Libri 3, Kreu 22. /Telegrafi/

__________
[1] Pjesë nga: Sebastian Franck, Weltbuch: spiegel vnd bildtnis des gantzen Erdtbodens, von Sebastiano Franco Wördensi in vier bücher, nämlich in Asiam, Aphricam, Europam vnd Americam gestelt (Ulm 1542), fq. 89r-90v. Me ndihmën e mirëseardhur nga Xhavit Muslija (Rotenturm, Zvicër). Përkthyer nga gjermanishtja e hershme re e lartë nga Robert Elsie.
[2] Një “kalërim” (gjermanisht Pferderitt, latinisht equidium) ishte një masë ekuivalente me një të gjashtëmbëdhjetën e një miljeje franceze.

The post Shkrim i vitit 1534: “Shqipëria: Një provincë e fuqishme e Evropës”! appeared first on Telegrafi.

Imazhet e “Hotel ‘Kalifornisë’” së vërtetë

29 July 2025 at 11:41

Nga: Deborah Nicholls-Lee / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitin 1974, duke kërkuar më shumë autonomi krijuese dhe një tingull më të fuqishëm roku, grupi The Eagles ndërpreu bashkëpunimin me producentin e tyre në Londër dhe u kthyen në qytetin e tyre të lindjes, në Los Anxhelos të Kalifornisë. Aty, në “Record Plant Studios” – të themeluar nga inxhinieri legjendar i zërit, Gary Kellgren, dhe biznesmeni i zgjuar Chris Stone – ata gjetën një alternativë radikale. Në këtë ambient të relaksuar, ku përmbushej çdo aspekt i jetës së një ylli – nga suitat e hotelit deri te vaskat me hidromasazh – ata incizuan albumin e tyre të famshëm, Hotel California.

Edhe kur The Eagles sillnin atmosferën festive brenda studios, menaxherët nuk shqetësoheshin. Siç thotë Stone në një libër të ri të botuar nga [Shtëpia Botuese] Thames & Hudson: “Sa më gjatë t’i mbanim aty, aq më shumë para fitonim”. Me muzikantë që – pasi futeshin aty – mezi shkëputeshin nga ambienti i studios, nuk ishte çudi që brenda një viti pas publikimit të këngës Hotel California, nisën të qarkullonin thashethemet se “Record Plant” ishte “Hotel ‘Kaliforia’ e vërtetë”.

Chris Stone jashtë studios “Record Plant”

Libri Buzz Me In – Inside the Record Plant Studios, nga gazetarët veteranë të muzikës, Martin Porter dhe David “Mr Bonzai” Goggin, rrëfen historinë e një prej studiove më të suksesshme të incizimit në ShBA gjatë viteve të saj më dekadente; që nga fillimet (më 1968) në Nju-Jork – ku u incizua Electric Ladyland e Jimi Hendrixit – deri te versionet e “egra” në Kaliforni, në Los Anxhelos dhe Sosalito ku incizuan legjendat e muzikës rok si Fleetwood Mac, The Who dhe The Eagles.

Buzz Me In, i emërtuar sipas fjalëkalimit për të hyrë në studion në Los Anxhelos, e fton publikun në një botë rokënroli të cilën pak vetë e kanë parë. I shoqëruar nga një listë dëgjimi me incizimet ikonike të studios, libri mbështetet në kujtimet dhe arkivat e Stoneit, nga fotografitë prapa skenave, si dhe mbi 100 intervista me artistë, producentë dhe stafin e studios që kontribuuan në suksesin e “Record Plant”-it.

Inxhinieri i zërit Gary Kellgren me Jimi Hendrixin

Në vitet ’70 të shekullit XX, Porter dhe Goggin patën qasje më të afërt se shumica në botën sekrete prapa dyerve të studios. “M’u deshën vite të tëra për të kuptuar se ishte një kohë vërtet e veçantë”, i thotë Porteri, BBC-së. Dyzet vjet më vonë, një figurë që doli në pah si i mbijetuar i asaj periudhe të çmendur ishte Chris Stone.

“Chris Stone ishte shumë i rëndësishëm në industrinë muzikore dhe tregonte histori të shkëlqyera”, thotë Porter, i cili besonte se kujtimet e Stoneit nga dekada më e egër e “Record Plant”-it ishin material për një libër. Por, ai vazhdonte të refuzonte, duke këmbëngulur: “Historia vdes me mua, Porter”. Por, në dy vitet e fundit të jetës së tij (vdiq në vitin 2016), ai ndryshoi mendje dhe i bashkoi Porterin me Gogginin, mikun dhe publicistin e tij të ngushtë, për ta ndihmuar në realizimin e këtij projekti.

“Record Plant” ishte studio e veçantë. “Artistët më të mëdhenj donin të shkonin aty”, i thotë Goggini, BBC-së. Studioja ishte pararojë e teknologjisë më të fundit (“më shumë kanale incizimi, altoparlantë më të mëdhenj …”) dhe krijoi një ambient që ishte krejt ndryshe nga studiot tradicionale.

Në fund të viteve 1960-’70, “Record Plant Studios” tërhiqte muzikantët më të mëdhenj të botës

Ajo u jepte artistëve më shumë liri nga shtëpitë diskografike, duke krijuar një model të ri pune që më vonë u eksportua në mbarë botën. Njeriu nxitës i kësaj rruge të re ishte Kellgreni. Ai ishte “argëtues”, “kreativ” dhe “inovativ”, thotë Porter. “Ai dinte të përdorte miksetën, të prodhonte tinguj të shkëlqyer, por gjithashtu dinte të krijonte një atmosferë feste – një hapësirë ku artistët dëshironin të krijonin, të qëndronin, e të shoqëroheshin”.

Kur në vitin 1969 dyshja hapi një studio simotër në Los Anxhelos (dhe një tjetër në Sosalito më 1972), ata fuqizuan konceptin origjinal duke krijuar një lloj “rok-hoteli”, me xhakuzi për grupin, dhoma me tavane me pasqyre dhe – në frymën e kohës – një sërë drogash të paligjshme për t’i mbajtur sa më gjatë aty artistët klientë. “Pasqyrat ishin të integruara në miksetë dhe asistentët udhëzoheshin të kujdeseshin që çdo mëngjes të kishte një brisk të pastër dhe një pip”, thotë Porter.

Festat me yje ishin legjendare: Ftesa për hapjen e studios së Los Anxhelos në vitin 1969 ishte në formën e një tulle

Nuk është për t’u habitur që “Record Plant” tërhiqte rokerët më të egër, përfshirë bateristin me temperament shpërthyes të grupit The Who, Keith Moon, i cili shfaqet në libër në vitin 1976 përballë panelëve shumëngjyrësh për absorbimin e zërit në studion e Los Anxhelosit. Gjatë një sesioni të vështirë me vokale, ai theu një llambë në tavan sa herë që gabohej një notë – derisa studioja mbeti në errësirë.

Ndërsa Stone sillte zgjuarsinë e biznesit, Kellgreni ishte forca kreative: një karakter i paparashikueshëm që kaloi pjesën më të madhe të viteve ’70 të shekullit XX nën ndikimin e drogës dhe që vdiq tragjikisht si i ri, në vitin 1977. Ishte ai që mendoi ftesat në formë tulle për hapjen e studios në Los Angjelos, që ua dërguan yjeve të rokut anembanë, duke shkaktuar rrëmujë në zyrat postare. Natën e hapjes, ftesat iu dorëzuan një muratori të veshur me smoking, i cili i çimentoi për të krijuar një “mur fame” që binte në sy.

Duke punuar përkrah producentit Bill Szymczyk, The Eagles kaluan nëntë muaj në “Record Plant LA” duke punuar në albumin Hotel California, kënga e të cilit fliste për një vend ku mund të “dilje kur të doje”, por “nuk mund të largoheshe kurrë”. John Lennon ishte një shembull i kësaj: ai e kishte kthyer studion në shtëpinë e vet për pjesën më të madhe të pesë viteve, duke shfrytëzuar mundësinë për të improvizuar me Mick Jaggerin ose për të ftuar Elton Johnin për ndonjë këngë të re. Pikërisht aty Lennoni kaloi fazën e tij të famshme të “fundjavës së humbur”, dhe në vitin 1980 nënshkroi një autograf për recepsionisten e “Record Plant”-it në Nju-Jork – vetëm pak minuta para se të vritej.

Tavani me mozaik xhamash mund të ketë frymëzuar vargun “Tiffany-twisted” në Hotel California

“Record Plant” dhe festat legjendare tërhiqnin yje të panumërt; ofronin gjithçka që dëshironin dhe i mbanin të mbërthyer në magjinë e studios. Në librin Buzz Me In, Ken Caillat – producent i albumit Rumours të grupit Fleetwood Mac – përshkruan përvojën e grupit në studion e Sosalitos si “të droguar” dhe “klaustrofobike”. Në një jehonë të vargut të famshëm, ai thotë: “Pati ditë kur ndihesha sikur nuk mund të largohesha kurrë”. “Record Plant” nuk kishte asnjë skrupull në përmbushjen e çdo dëshire, me qëllim që të shiste kohë incizimi. Kur Hendrixi pritej në studion e Nju-Jorkut, mbi miksetë vendosej një tas me xhointa që rishtas ishin mbështjellë.

Në Sosalito, pranë shtratit të Sly Stoneit u instalua një bombol gazi për qeshje; në mensën e studios së Los Anxhelosit, Glenn Frey i The Eagles grumbulloi një borxh prej 50 mijë dollarësh duke luajtur fliper. Edhe Stevie Wonder, i njohur për jetën e tij të pastër, “harxhonte 175 dollarë në orë në Studion C [LA], vetëm duke luajtur hokej në tavolinë”. Kultura e studios ndihej qysh para se të hyje brenda.

John Lennon në “Record Plant” me Mick Jaggerin dhe Yoko Onon

Albumi Hotel California arriti statusin platin në dhjetor 1976, dhe kënga që mban titullin e albumit – me përzierjen magjepsëse të rokut, kantrit dhe ndikimeve latine, përfshirë hyrjen me kitarë në stilin flamengo – kryesoi klasifikimet në ShBA në majin pasues. Ngjashmëritë midis tekstit të këngës dhe studios ishin të qarta për Kellgrenin. “O Zot, po shkruajnë për ‘Record Plant’-in” – i tha ai producentit Jimmy Robinson.

“Era e ngrohtë e kolitës [kabanis] që ngrihet në ajër” i ngjante tymit të marihuanës që mbushte studiot; ndërsa “fytyra e bukur” në recepsion mund t’i referohej Rose Mannit e cila drejtonte vizitorët përgjatë një korridori të hapur në ajër të pastër që çonte në një labirint korridoresh si ai i përshkruar në strofën e parë të këngës.

Mendja e saj “e turbulluar nga xhamat [Tiffany]” mund të ishte frymëzuar nga tavani prej mozaiku në dhomën e kontrollit në Sosalito, ose ndoshta nga 125 dritaret me xhama të dekoruar në “Kështjellë” – një vilë në Holivud e blerë nga “Record Plant” në vitin 1975, ku Kellgren shpresonte të krijonte një “pallat roku”, me kulla që ngjanin me hotelin “Beverly Hills” të paraqitur në kopertinën e albumit.

Keith Moon, bateristi i grupit The Who, një herë theu të gjitha llambat në tavanin e studios në Los Anxhelos

Disa punonjës të “Record Plant”-it ishin të bindur se roja i natës, Michael Gately – ai që hapte derën pas fjalëkalimit – ishte “njeriu i natës” në këngë; “dhomat e zotërisë” i referoheshin dhomave me jehonë pranë Studios C; parkingu i rrethuar i studios ishte “oborri” ku stafi pëlqente të festonte. Dhe, a mund të ishte “shpirti” i vitit “1969” një aludim për natën e hapjes së studios me plot yje?

Thashethemet se “Record Plant”-i ishte “Hotel ‘Kalifornia'” e vërtetë, u përhapën edhe më shumë nga vetë Kellgren i cili e kuptonte se krijimi i mitit ishte i mirë për biznesin dhe, siç thotë Goggin, “sigurisht nuk u përpoq që ta ndalte”. Provat ishin bindëse. “Shampanja rozë me akull” mund të ishte thjesht metaforë për ekstravagancën e “Record Plant”-it, por “pasqyrat në tavan” ishin krejt të vërteta. Kishte një pasqyrë mbi kabinën e vokaleve në Studion C, në çdo dhomë të pasme të studios, dhe – më e rëndësishmja – mbi shtratin madhështor me temë detare, një hapësirë e frekuentuar nga The Eagles që kishte një ndarje të fshehtë poshtë dyshemesë nga ku Kellgren vëzhgonte seancat e incizimit.

Shumë vargje në këngën kryesore të albumit kanë ngjashmëri të qarta me studiot e “Record Plant”-it

Megjithatë, The Eagles i shmangën këto spekulime. “Kjo është një këngë për anën e errët të Ëndrrës Amerikane dhe për teprinë në Amerikë – gjë për të cilën kishim përvojë”, i tha Don Henley gazetarit Gayle King në një intervistë për CBS në vitin 2007.

“Ka aq shumë ngjashmëri,” i thotë Porteri, BBC-së. “Shumë nga vargjet dhe atmosfera e kohës ishin të frymëzuara nga vendi ku u shkrua kënga”. Kjo pyetje i drejtohet edhe Chris Stoneit në libër. “Ishte ‘Record Plant’-i ‘Hotel California’ e vërtetë”? Përgjigjja e tij: “Ne ishim gjithçka që klientët tanë donin të ishim”. /Telegrafi/

The post Imazhet e “Hotel ‘Kalifornisë’” së vërtetë appeared first on Telegrafi.

Loja e rrezikshme e rivalitetit global për inteligjencën artificiale

29 July 2025 at 09:39

Nga: Julian Gewirtz / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjatë një bisede telefonike me Donald Trumpin, disa ditë para inaugurimit të tij në vitin 2025, Sam Altman, drejtori ekzekutiv i OpenAI-së, i tha presidentit të porsazgjedhur të ShBA-së se gjatë mandatit të tij do të arrijnë inteligjencën e përgjithshme artificiale [IPA/AGI] në nivel njerëzor. Altman e ka paraqitur këtë arritje si pjesë të një gare ekzistenciale për inteligjencën artificiale [IA/AI] midis ShBA-së dhe Kinës.

Dëshira për të fituar këtë garë shpjegon shumëçka nga veprimet e qeverisë amerikane – që nga kontrollet e eksportit ndaj Kinës të administratës Biden, te projekti gjigant i qendrës së të dhënave Stargate me vlerë prej 500 miliardë dollarësh, e deri te plani i veprimit të cilin Trumpi e publikoi javën e kaluar për të përshpejtuar zhvillimin e IA-së.

Të dy vendet po investojnë fuqishëm në këtë teknologji. Por, të paktën, në pamje të jashtme, duket se kanë qëllime të ndryshme. Përderisa udhëheqësit amerikanë e kanë prioritet zhvillimin e modeleve më inteligjente të mundshme, politikanët kinezë janë më të përqendruar në zbatimin e gjerë të IA-së.

Duke përdorur zhargonin e Luginës së Silikonit [Silicon Valley], Partia Komuniste Kineze [PKK] duket shumë më pak e “fiksuar pas IPA-së” sesa homologët e tyre amerikanë. Megjithëse laboratorët kryesorë kinezë, si DeepSeek, Zhipu dhe Stepfun shprehin ambicien për të arritur inteligjencën artificiale në nivel të aftësive njerëzore, zyrtarët më të lartë të qeverisë kineze pothuajse nuk e përmendin IPA-në.

Së pari, qeveria kineze nuk ka një term zyrtar që përmbledh saktësisht atë që Altman dhe të tjerët kuptojnë me IPA-n. Termi që përdoret në Kinë është tongyong rengong zhineng, përkthimi i saktë i të cilit është “inteligjencë artificiale me qëllim të përgjithshëm”. Kjo sugjeron një sistem të aplikuar në shumë fusha, jo domosdoshmërisht në inteligjencën në nivel njerëzor.

Gjithashtu, qeveria kineze nuk po ndërmerr hapa të dukshëm për të ndërtuar infrastrukturën fizike të nevojshme për IPA. Ka qenë e ngadaltë në ndërtimin e “superklasterëve” të çipave kompjuterikë që po ndërtohen nga kompanitë amerikane të teknologjisë së lartë.

Në vend të kësaj, Xi Jinping ka theksuar rëndësinë e aplikimit praktik të IA-së. Ai ka deklaruar vazhdimisht se sektori i IA-së në Kinë duhet të jetë “i orientuar fuqishëm drejt aplikimeve”. Nga robotika industriale deri te produktet si Manus, një agjent i avancuar i IA-së, kjo tashmë po bëhet realitet.

Megjithatë, Xi ka përqafuar haptazi qëllimin për të “arritur dhe tejkaluar” ShBA-në në shkencë dhe teknologji, përfshirë edhe IA-në. Atëherë, pse jo edhe me IPA-në?

Një shpjegim është se kontrollet amerikane të eksportit e kanë penguar seriozisht aftësinë e Kinës për të siguruar fuqinë e nevojshme llogaritëse për modelet e ardhshme të IA-së. Një tjetër mundësi është se zyrtarët kinezë mund ta shohin IPA-në si një koncept abstrakt dhe jo të afërt, duke preferuar të përqendrohen në qëllime më të prekshme. Nëse Lugina e Silikonit gabon dhe inteligjenca artificiale në nivel njerëzor mbetet ende e paarritshme, atëherë përqendrimi i Kinës në aplikime do të duket largpamës.

Megjithatë, ekziston një shpjegim i tretë, më shqetësues, për qasjen e Kinës: PKK-ja, e njohur për fshehtësinë e saj të përhershme, mund të jetë duke fshehur interesin e saj për IPA-n. Kjo nuk do të ishte një dukuri e re: Kina ka ndërmarrë ndërtimin më të madh të armëve bërthamore që nga Lufta e Ftohtë, por nuk e pranon publikisht përmasën e këtij zgjerimi. PKK-ja mund të ketë frikë nga një reagim më i ashpër i politikës amerikane nëse do ta shpallte haptazi interesin e saj për IPA-n.

Kjo do të thotë se, edhe nëse ShBA-ja dhe Kina duken sikur po zhvillojnë gara të ndryshme në fushën e IA-së, konkurrenca e drejtpërdrejt mbetet e ashpër. Qoftë nëse Xi dyshon te IPA, ndjehet i kufizuar, apo fsheh synimet e veta, ekziston një rrezik i madh nga të dyja palët për një “befasi teknologjike” – kur një rival fiton papritur një aftësi teknologjike, kjo mund të rrisë rrezikun e konfliktit.

Nëse afati i Altmanit është i saktë dhe ShBA-ja arrin shpejt IPA-në në nivel njerëzor, duke e befasuar Pekinin, atëherë Kina mund të frikësohet nga një humbje e pakthyeshme strategjike. Ajo mund të veprojë për ta rikuperuar këtë epërsi përmes një sërë mjetesh pushteti – duke përfshirë operacione të ofensivës kibernetike, shtrëngim ekonomik, presion diplomatik apo madje edhe forcë ushtarake.

Përndryshe, nëse udhëheqësit e Kinës po fshehin përpjekjet e tyre për IPA-në, atëherë ShBA-ja mund të përballet me një tronditje të pakëndshme dhe të ndërmarrë veprime për të rivendosur ekuilibrin.

Këta skenarë nxjerrin në pah një të vërtetë thelbësore strategjike: veçmas, si përshkallëzimi i rivalitetit ShBA-Kinë ashtu edhe shpërthimi i risive në API janë ngjarje që ndryshojnë botën. Por, së bashku, njëkohshmëria dhe ndërthurja e tyre krijojnë një rrezik të paprecedentë.

Përballë kësaj situate, politikanët anembanë botës janë të papërgatitur për të menaxhuar këto zhvillime të kombinuara strategjike dhe teknologjike. Shumë prej tyre e kanë të vështirë të qëndrojnë të përditësuar me zhvillimet në IA, e lëre më të përgatiten për pasojat e risive gjeopolitike. Por, që tani ata duhet të fillojnë me përgatitjet, për të zbutur këto rreziqe. Vitet që do vijnë do të jenë shumë më të rrezikshme sesa e kuptojnë shumica e investitorëve dhe vendimmarrësve të kësaj teknologjie. /Telegrafi/

The post Loja e rrezikshme e rivalitetit global për inteligjencën artificiale appeared first on Telegrafi.

SHKON ANIJA IME

29 July 2025 at 09:23

Poezi nga: Giosuè Carducci
Përktheu: Maksim Rakipaj

Velat e zeza anija ime shpalos,
Të zezat vela nga ky det i egër plak.
Një plagë që dhëmb kam këtu, në gjoks
E ti dëfrehesh tek e bën të rrjedhë gjak.
Dhe si era, zemra jote, e pabesa,
Gjithmonë kahje ndryshon e fryn furishëm.
Tendos anija ime velat e zeza,
Të zezat vela nga ky det i stuhishëm.

 

The post SHKON ANIJA IME appeared first on Telegrafi.

Jam shkrimtare nga Ballkani – pse njerëzit supozojnë se di vetëm për luftë dhe tragjedi?

27 July 2025 at 11:30

Nga: Ana Schnabl / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Mora pjesë në një konferencë të shkrimtarëve amerikanë në Teksas, pak para se bota të futej në izolim për shkak të Kovidit-19. Midis paneleve dhe ndërlidhjes me të tjerët, kalova kohën duke shëtitur në panairin e librave, duke shfletuar titujt dhe duke bombarduar botuesit me pyetje.

“Sa vepra të përkthyera keni në katalogët tuaj? Si i zbuloni autorët që janë jashtë ShBA-së? Dhe, si e vlerësoni cilësinë e shkrimit në gjuhët të cilat ju nuk i flisni”?

Nuk isha thjesht kureshtare – isha në një mision. Doja të dija çfarë lloj veprash tërhiqnin botuesit amerikanë dhe nëse puna ime mund të zgjonte interesimin e tyre. Nuk u përpoqa të fsheh ambicien time.

Lexo po ashtu nga Ana Schnabl:
Dikur të këqijtë e Holivudit ishin rusë ose kinezë, tani jemi ne – njerëzit nga Ballkani
Melania Trump nuk shfaq asnjë interes për atdheun e saj, Slloveninë – dhe për këtë jam mirënjohëse

Një përgjigje më ka mbetur në mendje, ngulitur si një ferrë. Erdhi nga një përfaqësues i një prej shtëpive më të mëdha botuese në ShBA. Pasi shpjegova prej nga isha, duke përdorur fjalën kyçe si “republika veriore e ish-Jugosllavisë” dhe “jo një zonë lufte për momentin”, ai ofroi këtë këshillë:

“Mendo për histori dhe për tema specifike për kulturën tënde dhe për historinë e vendit”.

“Pra”, shtova me hezitim, “jo një histori, bie fjala, për një grua që la karrierën në financë, që ndahet nga burri dhe merret me qeramikë”?

“Epo, nëse ajo histori gjithashtu eksploron çështjet kulturore ose historike, atëherë po”.

Ndjeva një thumb të bezdisë, por e falënderova me edukatë dhe u largova. Papritmas, një kafe dhe një cigare ndiheshin si të domosdoshme.

Në vitet që pasuan, fillova ta kuptoj se pse fjalët e tij më acaruan kaq shumë. Ato zbuluan një model – një model që vazhdon të më frustrojë.

Për autorët nga Ballkani, nga kombet e tjera evropiane dhe nga vendet e botës historia dhe kultura e të cilëve janë mister për lexuesit e Amerikës së Veriut, rruga drejt përkthimit në anglisht – dhe botimit nga botues amerikanë apo britanikë – shpesh varet nga përmbushja e një kushti të pashkruar: vepra jonë duhet të paraqesë kontekstin politik ose kulturor të rajonit tonë, ose të paktën të mbështetet në ngjarje kyçe historike. Që të ketë sukses, duhet të ketë vlerë shpjeguese ose ilustruese – në mënyrë ideale, me një dozë didaktike.

“Lexuesit amerikanë kanë nevojë të mësojnë për vendin”, ka thënë botuesi.

Në pamje të parë, kjo pritshmëri duket e padëmshme – madje e arsyeshme. Në fund të fundit, autorët, kudo, përfshirë ata nga Ballkani, reflektojnë mbi rrethanat e tyre të menjëhershme politike dhe kulturore. Letërsia ka qenë gjithmonë një mjet për të pasqyruar, analizuar dhe kritikuar shoqërinë.

Por, nënkuptimi më i thellë i kësaj pritshmërie është më shqetësues. Ajo mbështetet në një besim të heshtur se Ballkani është një vend më pak i vlefshëm – një rajon që përgjithmonë zien me potencialin për tragjedi. Siç e tha botuesi, me sinqeritet: “Të trajtosh diçka problematike nga pikëpamja kulturore ose historike – ose më mirë, traumatike – do të ishte më me interes”.

Me “traumatike” a po imagjinonte ai mizoritë e Luftës së Dytë Botërore apo luftërat jugosllave? Mos po përfytyronte një rajon të zhytur në varfëri, pabarazi dhe tradita patriarkale? Ndoshta ai supozonte se shoqëritë ballkanike janë në mënyrë të veçantë të prira ndaj dhunës apo trishtimit. Ndoshta shpresonte për histori nga zhgënjimi post-socialist, duke ushqyer nocionin se ende po përpunojmë “traumën” e socializmit jugosllav.

Nuk mund ta them me siguri. Ajo që di është kjo: ai nuk do të kishte interes për një version ballkanik të Vitit tim të pushimit dhe relaksimit [My Year of Rest and Relaxation]. Një roman për një protagoniste nga Ballkani – që thjesht është e rraskapitur nga kapitalizmi, e përqendruar te vetja, e zemëruar ose moralisht e paqartë – nuk do të përmbushte kriteret e duhura.

Mjerisht, për të, me shumë gjasë do ta kishte anashkaluar romanin hibrid të shkrimtares sllovene Nataša Kramberger, e cila mori përsipër një fermë në Shtajer të Sllovenisë pas kthimit nga Berlini. Dhe, dyshoj se do t’i interesonin tregimet e shkurtra të kroates Luiza Bouharaoua, të cilat përshkruajnë ankthin dhe gëzimet e brezit të mijëvjeçarit – ndonëse në nuancat e Adriatikut. As poezia e poetes maqedonase Kalia Dimitrova, e cila pëlqen t’i referohet Kaprit dhe Berlinit, por rrallë Shkupit.

Që një vepër nga një autor ballkanik të ketë sukses, protagonisti i saj duhet të jetë viktimë – një viktimë e qartë dhe e padiskutueshme. Botuesit preferojnë histori që nxjerrin dhembshuri, zemërim moral, zemërthyerje ose, në mënyrë ideale, të tria bashkë.

Me pak fjalë, pritet që ne shkrimtarët ballkanikë t’u qasemi temave universale – dhimbjes, tjetërsimit, dashurisë, humbjes – përmes prizmit të ngushtë rajonal. Dhe, ajo lente duhet të përfshijë një kthesë të paparashikueshme ekzotike.

Për të qenë të qartë, Ballkani është një rajon specifik me kompleksitete unike kulturore, politike dhe historike. Shkrimtarët nga ky vend kanë shumëçka për të thënë për këto gjëra, dhe shumë prej tyre e bëjnë këtë në mënyrë të shkëlqyer. Por, nëse përkthimet në anglisht synojnë të zgjerojnë njohuritë për “atë vendin e Ballkanit”, botuesit duhet të jenë të gatshëm të angazhohen për historitë të cilat sfidojnë perceptimet ekzistuese.

Pyetja nuk është nëse shkrimtarët ballkanikë duhet të pasqyrojnë kontekstin e tyre. Shpesh e bëjmë, natyrshëm. Pyetja është nëse botuesit do të dëgjojnë larminë e zërave që dalin nga rajoni – apo do të vazhdojnë të privilegjojnë rrëfimet të cilat me përpikëri i përforcojnë supozimet e tyre.

Në fund të fundit, Ballkani ka shumëçka më shumë sesa traumë, tragjedi apo tregime të përshtatshme për të nxjerrë mësime. Ka edhe thjesht histori të shkruara në mënyrë të jashtëzakonshme për gratë që dikur punonin në financa, që lanë burrat dhe hapën një punishte qeramike. Disa botues nga Amerika e Veriut dhe Britania tashmë i kanë mbështetur plotësisht historitë e tilla, siç tregon çmimi International Booker për Georgi Gospodinovin, dhe në këtë mënyrë kanë përmbushur misionin për të sjellë zërat nga qoshet e ndryshme të botës te një audiencë globale – jo si ambasadorë të gjeografisë së tyre, por si tregimtarë në të drejtën e tyre. Por, shumë të tjerë ende nuk e kanë bërë këtë. /Telegrafi/

 

 

The post Jam shkrimtare nga Ballkani – pse njerëzit supozojnë se di vetëm për luftë dhe tragjedi? appeared first on Telegrafi.

Pikat e ushqimit të Izraelit nuk janë thjesht kurthe vdekjeje – ato janë alibi për urinë në Gazë

27 July 2025 at 09:58

Në sistemin e shpërndarjes së ndihmave të Fondacionit Humanitar të Gazës, shohim një përpjekje për të shkatërruar një shoqëri të tërë.

Nga: Alex de Waal / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur uria masive përfshin një komunitet, ndodh diçka e rrallë dhe e tmerrshme. Uria nuk është vetëm një fenomen biologjik i trupit që tretet. Është gjithashtu grahma e fundit e një shoqërie. Uria është pamja e njerëzve që kërkojnë ushqim në një grumbull plehrash. Është një grua që gatuan fshehurazi, duke fshehur ushqimin nga kushërinjtë e saj të uritur. Është një familje që shet bizhuteritë e gjyshes për një vakt të vetëm, me fytyra bosh dhe pa emocione, me shikim të përhumbur. Ky është degradimi, poshtërimi, turpi – dhe, po, çnjerëzimi – që ndodh kur qeniet njerëzore përplasen si kafshë për ushqim.

Ky është realiteti të cilin asnjë statistikë nuk mund ta mbërthejë. Dhe, metodat për matjen e emergjencave ushqimore dhe për vlerësim – “uria” duke qenë më e rënda – dështojnë kur shoqëria shpërbëhet në këtë mënyrë.

Por, ashtu si një mjek me përvojë që mund të diagnostikojë ethet pa pasur nevojë të dërgojë mostra gjaku në laborator, punonjësit humanitarë që kanë një përvojë, ata të cilët panë thellësitë e vuajtjes njerëzore në Biafra në 1969 ose në Etiopi në 1984, i njohin këto simptoma kur i shohin.

Dhe, ata i shohin sot në Gazë.

Kthehuni te deklaratat e Fondacionit Humanitar të Gazës [FHG] – organizata e mbështetur nga ShBA-ja dhe Izraeli që filloi operimin në maj – dhe hyni në një botë tjetër. FHG-ja paraqet veten si një operacion profesional, plot dhembshuri, i dizajnuar për shekullin XXI. Do të shihni imazhe rendi dhe efikasiteti, dhe një njoftim krenar se ajo shpërndau më shumë se dy milionë vakte dje nga katër “qendra të sigurta të shpërndarjes”.

Dhe, përkrah fotografive të atyre fëmijëve të uritur, të grave që shemben nga uria, ka edhe fotografi të të rinjve të shëndetshëm. Për dallim nga pamjet e filmuara nga gazetarët palestinezë, të përpjekjeve të dëshpëruara për pak ndihma të mbetura përmes OKB-së, FHG-ja ka imazhe të shpërndarjeve të rregullta, të punonjësve të saj që mbajnë për dore fëmijët palestinezë.

Zëdhënësit izraelitë këmbëngulin se Kombet e Bashkuara kanë qindra kamionë me ushqim brenda perimetrit të Gazës që refuzojnë t’i shpërndajnë.

Por, ajo pamje me ngjyra nuk qëndron as përballë një vështrimi më të thjeshtë. Ka katër arsye pse ky është, në rastin më të mirë, një improvizim nga amatorët, dhe në rastin më të keq një mbulesë për krimin e urisë masive që po vazhdon.

Së pari, shifrat thjesht nuk përputhen. Në prill, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së llogariti rezervat ushqimore të mbetura në Gazë pas 18 muajsh rrethimi dhe lufte dhe dy muajsh bllokade totale nga Izraeli. Ajo vlerësoi se qasja në ushqim do të binte në vetëm gjysmën e asaj që nevojitet për të mbajtur gjallë jetën – në një moment mes majit dhe korrikut. Kjo do të thotë që përpjekja për ndihma duhet të mbulojë të gjitha nevojat ushqimore të Gazës. Dy milionë vakte në ditë janë më pak se gjysma e asaj që nevojitet. Racionet e FHG-së mund ta kenë ngadalësuar marshimin drejt urisë, por jo shumë.

Së dyti, nuk mund të lehtësohet uria vetëm me shifra. Sistemi i FHG-së është si të qëndrosh buzë një pellgu të madh dhe të ushqesh peshqit duke hedhur thërrime buke. Kush arrin të hajë nga këto racione?

Uria godet pakicën e pambrojtur. Matësi që përdor OKB-ja për të përcaktuar kur pasiguria e rëndë ushqimore arrin nivelin e urisë është kur 20 për qind e familjeve përballen me mungesë ekstreme ushqimi. Uria godet më të dobëtit, jo më të fortët.

Gjatë dekadave, programet humanitare kanë gjetur mënyrat më të mira për të ndihmuar më të varfrit, si gratë pa bashkëshort që kujdesen për disa fëmijë dhe ndoshta edhe prindër të moshuar. Është kilometri i fundit i shpërndarjes së ndihmës ai që ka rëndësi.

FHG-ja operon katër pika të shpërndarjes së racioneve. Tri ndodhen në skajin jugor të Gazës, në rrënojat e Rafahut, dhe një në Gazën qendrore. Të gjitha ato ndodhen në zona ushtarake. Ato hapen për periudha të shkurtra dhe me njoftim të shkurtër. Për të marrë këto racione, njerëzit duhet të dalin në rrënoja – gati për të vrapuar drejt portave në momentin e lajmërimit, duke kaluar mes postblloqeve ushtarake të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit [IDF]. Ata e dinë se e vetmja mënyrë që ushtarët e IDF-së kanë për të kontrolluar turmat është arma e zjarrit – edhe kur nuk qëllojnë për të vrarë.

Kur FHG-ja flet për “vendet e sigurta të shpërndarjes”, ajo i referohet mënyrës se si kontrollon paketat e saj deri në momentin e dorëzimit, jo mënyrën se si i dorëzon ato në mënyrë të sigurt për më nevojtarët. Dhjetëra njerëz që kërkojnë ndihmë vriten çdo ditë duke u përpjekur që të arrijnë këto pika.

Si do t’i bashkohet kësaj rrëmuje një nënë e lodhur me fëmijë të uritur, ose persona të moshuar apo me aftësi të kufizuara? Si do të kalojnë jo vetëm postet ushtarake, por edhe banditët që për veten duan të vjedhin ushqimet më të vlefshme ose për t’i shitur në treg? FHG-ja nuk ka asnjë ide se kush po i ha racionet. Ajo nuk ka një formulë për të ushqyer më të varfrit. Është ligji i xhunglës.

Së treti, ndihma duhet të jetë e përshtatur për njerëzit që në të vërtetë kanë nevojë. Në krye të listës janë ushqimet e specializuara për kujdes për fëmijët e kequshqyer të cilët nuk mund të hanë vakte të zakonshme, si Plumpy’Nut, një ushqim terapeutik i gatshëm për përdorim.

Kutia e racioneve e FHG-së zakonisht përmban miell, makarona, tahini, vaj gatimi, oriz dhe qiqra ose thjerrëza. Asnjë ushqim për foshnje. Asnjë Plumpy’Nut. Dhe, nuk ka infermierë apo specialistë të ushqyerjes në komunitet që të ofrojnë kujdes terapeutik për fëmijët e uritur.

Mendoni për një nënë të dëshpëruar që është thjesht në fund të zinxhirit ushqimor: si do t’i gatuajë racionet që merr? Si do të gjejë ujë të pastër? Izraeli e ka reduktuar furnizimin me ujë në një pjesë të vogël të nevojës, dhe po bombardon impiantet e fundit të shkripëzimit. Çfarë mund të përdoret për të bërë zjarr? Pa energji elektrike apo gaz për gatim, ajo mund të djegë mbeturinat për të ngrohur ushqimin.

Dhe, së fundi dhe më domethënësja, një operacion vërtet humanitar mbështet njerëzit e prekur, duke respektuar dinjitetin e atyre në nevojë, duke punuar me komunitetet. FHG-ja, në thelb, bën të kundërtën: ajo poshtëron dhe minon.

Shkatërrimi shoqëror që po shohim, degradimi i qenieve njerëzore, nuk është një efekt anësor i dëmit që po shkakton Izraeli. Ky është elementi qendror i krimit: shkatërrimi i shoqërisë palestineze. Qeveria e Izraelit nuk shfaq asnjë shenjë se i intereson, qoftë edhe pak, nëse palestinezët jetojnë apo vdesin. Ajo thjesht dëshiron të shmangë stigmën e akuzës për urinë dhe gjenocidin, dhe FHG-ja është alibia e saj aktuale. Të mos masht. /Telegrafi/

 

The post Pikat e ushqimit të Izraelit nuk janë thjesht kurthe vdekjeje – ato janë alibi për urinë në Gazë appeared first on Telegrafi.

Putini po përgatitet për një tjetër pushtim

25 July 2025 at 09:10

Rritja e shpenzimeve për mbrojtje nuk mjafton. Aleanca ka nevojë për një strategji me pesë pika për ta ndalur Rusinë.

Nga: Rebekah Koffler, ish-analiste e inteligjencës ushtarake strategjike pranë Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes të ShBA-së dhe autore e librit Manuali i Putinit [Putin’s Playbook, Regnery 2021] / The Daily Telegraph (titulli: Putin is preparing for another invasion while Nato is fatally distracted)
Përkthimi: Telegrafi.com

Në samitin më të fundit të NATO-s në Hagë, aleanca njoftoi se vendet anëtare kanë vendosur një objektiv të ri për të shpenzuar pesë për qind të PBB-së për mbrojtje dhe siguri deri në vitin 2035. Pjesërisht, kjo ka të ngjarë të jetë nxitur nga ndërgjegjësimi se diplomacia lëvizëse e të dërguarit të Trumpit, Steve Witkoff, dhe denoncimet e Evropës ndaj Vladimir Putinit, nuk do të jenë të mjaftueshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Megjithatë, kryesorja është se vendet anëtare po vetëdijesohen për nevojën për të frenuar Rusinë nga një sulm ndaj një vendi të NATO-s – gjë që, sipas sekretarit të përgjithshëm të aleancës, Mark Rutte, Rusia mund të jetë e gatshme ta bëjë brenda pesë vjetëve.

Si analiste e inteligjencës ushtarake, e specializuar në mënyrën e të menduarit të Putinit dhe në strategjinë ushtarake ruse, pajtohem me vlerësimin e Ruttes për gatishmërinë e Rusisë për një fushatë tjetër ofensive ushtarake brenda pak vitesh. Jam më pak e bindur se një vend i NATO-s do të jetë objektivi i radhës i Kremlinit, përveçse nëse aleanca ndërhyn drejtpërdrejt në Ukrainë duke vendosur trupat në fushëbetejë. Megjithatë, ajo që NATO bën ose nuk bën në vitet e ardhshme, mund të jetë vendimtare për të përcaktuar nëse Putini do të përcaktohet të sulmojë një tjetër shtet post-sovjetik – si Moldavinë.

Problemi qëndron në faktin se nuk kryejnë punë vetëm rritja e shpenzimeve për mbrojtje dhe fushat e lidhura me sigurinë. Paratë dhe teknologjia – shtyllat e stilit perëndimor të luftës – nuk i parandalojnë dhe nuk i fitojnë vetë luftërat. Strategjia është ajo që e bën këtë. Dhe, një strategji e suksesshme duhet të bazohet në një njohje të thellë të mënyrës së luftës së kundërshtarit, duke adresuar elementët kryesore të planifikimit të tij ushtarak.

Në shtator të vitit 2013, pak muaj para pushtimit të Krimesë nga Putini, i informova shkurtimisht anëtarët e NATO-s për strategjinë luftarake të Rusisë. Për fat të keq, nuk u zhvillua asnjë kundër-strategji nga Pentagoni dhe homologët e tij në NATO. Prandaj, ndodhën pushtimet e Putinit.

E zhvilluar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Ruse dhe shpesh e quajtur “luftë asimetrike”, strategjia e Rusisë huazon shumëçka nga veprat klasike të strategut britanik Sir Basil Liddell Hart. Ai mbështeste metodat e tërthorta për të luftuar kundërshtarin – në vend të aplikimit të drejtpërdrejtë të forcës. Pika kyçe e kësaj qasjeje është shmangia e zonave të forta të armikut dhe përqendrimi në shfrytëzimin e dobësive dhe pikave të cenueshme të tij.

Natyrisht, lufta në Ukrainë është shndërruar pikërisht në atë lloj konflikti që Rusia po përpiqet të shmangë. Por, kjo nuk do të thotë se Kremlini e ka ndryshuar rrënjësisht qasjen ndaj konfliktit – veçanërisht kur përballet me kundërshtarë të rinj.

Meqenëse ushtritë e NATO-s janë superiore në aspektin teknologjik, ndaj forcave ruse, Moska e di se duhet të mbështetet në ndërmarrjen e nismës strategjike gjatë periudhës fillestare të çdo lufte të ardhshme. Ajo nuk do të kërkojë përsëritje të asaj që ka ndodhur në Ukrainë.

Për rrjedhojë, planifikuesit rusë parashikojnë të minojnë qasjen e NATO-s të bazuar në rrjete për zhvillimin e luftës duke ndërprerë “zinxhirin e vrasjes” të forcave të saj – procesin që mundëson vendimmarrjen ushtarake për të zbuluar, shënjestruar dhe shkatërruar kundërshtarët. Kjo mund të arrihet duke goditur, ndoshta paraprakisht, sistemet C4ISR (komanda, kontrolli, komunikimi, kompjuterët, inteligjenca, vëzhgimi dhe zbulimi) dhe sistemet hapësinore nga të cilat varen forcat e NATO-s.

Prandaj, vendet anëtare të NATO-s duhet të bëjnë më shumë sesa të shpenzojnë para. Ato duhet të kuptojnë se cilat janë, sipas rusëve, dobësitë e aleancës dhe të ndërmarrin veprime për t’ia hequr Kremlinit shtysën për t’i shfrytëzuar ato.

Ekzistojnë pesë fusha kryesore që kërkojnë veprim:

1. Sigurimi i infrastrukturës hapësinore
Rusia ka një arsenal të fuqishëm armësh kundër hapësirës, të dizajnuara për të degraduar ose shkatërruar satelitët amerikanë dhe të aleatëve. Ky arsenal përfshin sistemet që bllokojnë sinjalin GPS, laserët, interceptorët orbitalë dhe raketat kundër-satelitore. Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të ShBA-së paralajmëroi – në Vlerësimin Vjetor të Kërcënimeve për vitin 2025 – se Rusia po trajnon forcat e saj hapësinore, po vendos armë të reja kundër-satelitore dhe tashmë po përdor luftën elektronike për të ndikuar ndaj burimeve perëndimore. Moska po zhvillon gjithashtu një satelit të ri që pritet të mbajë një armë bërthamore si një kapacitet kundër-satelitor.

2. Fortifikimi i infrastrukturës kritike ndaj sulmeve kibernetike
Rusia ka një nga arsenalet më shkatërrimtarëve të armëve kibernetike në botë, një doktrinë të sofistikuar dhe me ekspertizë të avancuar. Vlerësimi i Kërcënimeve për vitin 2025 paralajmëroi për suksesin e përsëritur të Rusisë në komprometimin e objektivave të ndjeshme, për qëllime të mbledhjes së inteligjencës. Ka shumë të ngjarë që Moska të ketë tashmë qasje në infrastrukturën kritike në ShBA dhe në Evropë. Ajo ka përvojë të veçantë dhe të dëshmuar në integrimin e sulmeve kibernetike me operacione ushtarake në kohë lufte.

3. Vendosja e protokolleve më të forta për mbrojtjen e kabllove të komunikimit nën det
Drejtoria Kryesore e Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë ka një program shumë sekret kërkimesh në thellësi detare, i njohur si GUGI. Ka shumë të ngjarë që Moska ta ketë vënë këtë ekspertizë në praktikë, me disa operacione të dyshuara sabotimi të kabllove nënujore në Detin Baltik – që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Një rrezik i ngjashëm vlen edhe për tubacionet e energjisë. Në tetor të vitit 2022, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar pranoi se një fregatë e Marinës Mbretërore ishte vendosur në Detin e Veriut për të ndihmuar forcat norvegjeze në mbrojtjen e tubacioneve të gazit – pas shpërthimit të Nord Stream-it në Baltik.

4. Mbrojtja ndaj spiunazhit rus
Nuk ka shumë nevojë të thuhet se Rusia fut rregullisht spiunët e vet në mbarë Evropën dhe se rekruton vendasit për të vjedhur sekretet ushtarake, politike dhe ekonomike. Por, Moska gjithashtu ka arritur të fusë operativë të inteligjencës për të kryer operacione destabilizuese, duke shënjestruar infrastrukturën kritike. Disa vlerësime sugjerojnë se këto operacione sabotimi janë katërfishuar në periudhën 2023-2024. Janë kryer shumë arrestime, përfshirë në Gjermani, në Poloni dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Por, aleanca duhet të ketë një qasje më proaktive – duke neutralizuar dhe ndërprerë operacionet e spiunazhit rus përpara se ato të shkaktojnë dëm.

5. Të sigurohet epërsia në potencialin total luftarak
Duke kaluar në një gjendje përgatitjeje lufte – disa vite para pushtimit të Ukrainës – Rusia tani prodhon më shumë municion në tre muaj sesa Evropa në një vit të tërë. Rritja e prodhimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore, tankeve, dronëve dhe municioneve është jetike për NATO-n, në mënyrë që të arrijë Rusinë dhe të rimbushë arsenalet e saj të shteruara.

Megjithatë, armët nuk qëllojnë vetë. Aleanca duhet të rekrutojë, trajnojë dhe të pajisë një forcë luftarake të mjaftueshme për të ndryshuar përllogaritjen e Putinit për vendimmarrje. Moska ka mobilizuar në mënyrë të hapur dhe të fshehtë gjatë të gjithë luftës në Ukrainë. Dhe, të martën, në Dumën shtetërore u paraqit një projektligj që parashikon shërbimin ushtarak me rekrutim të përhershëm gjatë gjithë vitit. Nëse miratohet dhe nënshkruhet nga Putini, ligji do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

Në Evropë, vetëm disa vende kanë shërbim të detyrueshëm ushtarak, dhe deri tani shumica e të tjerëve nuk e kanë në plan ta rikthejnë këtë. Por, në një luftë konsumimi, si ajo që Rusia po zhvillon në Ukrainë, pala që ka më shumë burime njerëzore është në pozicion më të favorshëm për të fituar.

Lajmi i mirë është se aleanca ka ende kohë për t’u organizuar dhe për të parandaluar një pushtim tjetër. Do të ishte tragjike nëse NATO dështon të ndërmarrë veprime tani – veçanërisht duke pasur parasysh çmimin kolosal që Ukraina po paguan për t’u mbrojtur kundër rusëve. NATO ia ka një borxh të madh të gjithë ukrainasve të vrarë dhe familjeve të tyre – të zhvillojë një kundër-strategji të qëndrueshme ndaj manualit të Putinit. /Telegrafi/

 

The post Putini po përgatitet për një tjetër pushtim appeared first on Telegrafi.

Perandoria e lashtë që krijoi botën moderne!

24 July 2025 at 13:45

Historia e Kartagjenës nga Eve MacDonald ofron një pasqyrë magjepsëse mbi këtë qytetërim, i cili shpeshherë errësohet padrejtësisht nga lavdia romake.

Nga: Daisy Dunn, studiuese / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Napoleoni është goxha i pazakontë në historinë perëndimore, kjo për faktin sepse u identifikua me Hanibalin e pamëshirshëm dhe jo me armikun e tij romak, Skipion Afrikanin [Scipio Africanus]. Interesimi i francezit për kartagjenasin shkonte në kufijtë e obsesionit. Ai lexoi çdo libër që mundi të gjente për të, përfshirë historitë latine të Livit, ndërsa mbajti shënime të shumta. Gjatë bisedave, ishte në gjendje që me lehtësi të përfshinte shembuj nga jeta e Hanibalit, ndërsa kur kaloi Alpet në vitin 1800, e dinte saktësisht se në gjurmët e kujt po ecte. Hanibali ishte më shumë se një njeri: ishte, si Napoleoni, një perëndi.

Hanibali nuk ishte i panjohur për mitizimin e vetvetes. Emri i tij nënkuptonte “ai që është i favorizuar nga Ba’ali”: Ba’al Hamoni ishte zoti kryesor i kartagjenasve, të cilët nga qyteti pranë Tunizit (në Tunizinë e sotme), në shekujt III dhe II Para Krishtit, arritën kulmin e fuqisë së tyre globale. Hanibali kishte një aurë pavdekësie dhe gjithashtu besonte se gëzonte mbrojtjen e Melkartit – ekuivalentit fenikas të Herkulit. Melkarti shpesh barazohej me vetë Diellin. Një vetëbesim i tillë për kredencialet hyjnore, mund të ushqejë vetëm dëshirën për të rrezikuar.

Hanibali ishte i zgjuar, karizmatik dhe i drejtë. Sipas librit gjithëpërfshirës të [studiueses] Eve MacDonald, Kartagjena: Një histori e re e një perandorie të lashtë [Carthage: A New History of an Ancient Empire], suksesi i tij si komandant “bazohej tek ushtarët dhe besnikëria e tyre ndaj tij.” Gjenerali ishte i njohur për shpërndarjen e plaçkave ndërmjet ushtarëve – një ushtri profesionale e përbërë nga territore të ndryshme, përfshirë Afrikën e Veriut, Iberinë, Greqinë dhe Italinë – dhe për pagesa të mëtejshme. Romakët, natyrisht, e përçmonin atë si armikun e pamposhtshëm. Shprehja Hanibal ad portas [Hanibali është te portat] u bë e përhapur gjatë Luftërave Punike ndërmjet këtyre dy fuqive të lashta, duke mishëruar frikën dhe njëkohësisht admirimin që ai ngjallte tek armiqtë.

Por, a e ka errësuar fama e Hanibalit qytetërimin që ai përfaqësonte? Kjo është një nga pyetjet që MacDonald, pedagoge e historisë së lashtë në Universitetin e Kardifit, shtjellon në [librin] Kartagjena. Ajo sugjeron se fakti që burimet greke dhe romake, të shkruara menjëherë pas kohës së Hanibalit, përqendrohen aq shumë tek ai, “ka tendencë për të shtrembëruar dëshmitë tona për Kartagjenën rreth jetës dhe aventurave të një njeriu të vetëm.” Si pasojë e kësaj, interesi më i gjerë historik për këtë rajon “humbet në etjen për vepra të guximshme të ushtarëve të mëdhenj.” Obsesioni i Napoleonit është një shembull tipik. Pra, historia e MacDonaldit nuk është një rishkrim sa është një zgjerim. Nëntitulli [i librit] mund të ishte: “Kush ishin kartagjenasit?”

Banorët e qytetit të lashtë ishin të përkushtuar ndaj një jete të rehatshme. Burrat – për të cilët dimë shumë më tepër sesa për gratë – mbanin tunika të gjata dhe vathë në veshë të shpuar. Bazuar në dëshmitë e Aristofanit, komedianit grek, mund të hamendësojmë se shumica prej tyre ishin bërë synet. Që nga shekulli i tretë Para Krishtit, pjesëtarët më të pasur të shoqërisë kishin banjo me depozita uji brenda shtëpive të veta. Ata hanin mirë, sidomos peshk dhe një lloj qulli me drithëra, vezë, dhallë dhe mjaltë. Mishi konsumohej kryesisht pas flijimeve fetare. Një banket shumë i hershëm, mbetjet e të cilit u zbuluan së fundmi në qytetin e dikurshëm kartagjenas të Utikës (afër qytetit modern të Bizertës), përmbante dhi, dem, derr, kalë, madje edhe breshkë dhe qen.

Arkitektët e qyteteve kartagjenase i kushtonin vëmendje edhe rritjes dhe mbajtjes së kafshëve. MacDonald, e cila mbështetet mirë në përvojën e saj në arkeologji, përshkruan stallat për kuajt dhe hapësirat brenda mureve të dyfishta – të “kazamateve” të Kartagjenës – për rritjen e elefantëve. Para se Hanibali të udhëhiqte famshëm 37 prej tyre nëpër Alpe, Pirro, mbreti i Epirit, solli 20 të tillë në Itali, përpara fushatës së tij për të dëbuar kartagjenasit nga Sicilia. Pasi i panë elefantët në veprim, kartagjenasit mbetën të mahnitur dhe i përdorën gjatë pushtimeve të tyre në Gadishullin Iberik. Këto kafshë ofronin mbrojtje të pakrahasueshme gjatë tërheqjes në një kalim lumi, ku u përballën me një fis armiqësor kelt. Nuk ka një konsensus se cilës specie i përkisnin elefantët që përdorën kartagjenasit, por me shumë gjasa ishin një përzierje e elefantëve afrikanë dhe aziatikë.

Kartagjenasit nuk do të ishin kaq të famshëm po të mos kishin luftuar me Romën. Dhe, mbase romakët nuk do të kishin krijuar perandorinë e tyre të qëndrueshme po të mos ishte Kartagjena – të cilën e shkatërruan pa mëshirë në vitin 146 Para Krishtit, pas një rrethimi të gjatë. Vështirësia për historianët modernë është se, duke e vendosur Kartagjenën në hartë, romakët hodhën hije mbi virtytet e saj.

Ky është një shembull tipik i historisë së shkruar nga fitimtarët. Ambicia e MacDonaldit për të rrëfyer historinë e Kartagjenës, nga një perspektivë kartagjenase, pengohet nga mungesa e burimeve të shkruara. Kjo është e pashmangshme dhe e pritshme. Asnjë historian i botës antike nuk duhet të kritikohet për boshllëqet në burime; ajo që ka rëndësi është mënyra se si orientohemi në këto boshllëqe.

MacDonald i ndërthur materialet në mënyrë të admirueshme dhe arrin të krijojë një portret thellë të shtresuar të një kulture që shpesh ka lënë lexuesit me përshtypjen për një shoqëri të çuditshme dhe të dhunshme. Ajo ka një qasje veçanërisht të ndjeshme në interpretimin e fenomeneve, si flijimi i fëmijëve. Një faltore në natyrë, e zbuluar në Kartagjenë, përmban mijëra urna me mbetje të djegura të foshnjave, fëmijëve të vegjël dhe kafshëve. Kjo njihet si tophet – nga emri hebraik i një lugine në Jerusalem, ku thuhej se filistinët “flijonin fëmijët e vet me anë të zjarrit.” Shkrimtarët grekë dhe romakë shkruan me neveri për fëmijët kartagjenas të cilët hidheshin në gropa të mbushura me flakë.

A u sakrifikuan fëmijët si lutje për mirëqenien e qytetit? Apo bëhet fjalë për mbetjet e foshnjave që kishin vdekur nga shkaqet natyrore? Shumica ishin shumë të vegjël kur vdiqën, dhe e dimë se shkalla e vdekshmërisë së foshnjave ishte e lartë. MacDonald vë në dukje mbishkrimet mbi stelat e ngritura pranë urnave, dhe veçanërisht fjalët: “Sepse ai/ajo dëgjoi zërin tonë.” Kjo goxha shumë tingëllon si një ofertë hyjnore për përmbushjen e një premtimi ose si përgjigje ndaj një lutjeje. Përderisa mbetet e paqartë se çfarë ndodhte saktësisht, është interesante të vërehet, siç bën MacDonald, se faltoret e ngjashme janë zbuluar në Maltë, Sardenjë, Sicili dhe gjetkë në Afrikën e Veriut.

MacDonald është më e përcaktuar në rrëzimin e miteve në shqyrtimin e themelimit të Kartagjenës. Sipas legjendës së zhvilluar në Eneidën e Virgjilit, qyteti u themelua nga Dido (e njohur nga kartagjenasit si Elisa), e cila iku nga qyteti fenikas i Tiros (në Libanin e sotëm) për të shpëtuar nga vëllai i saj tiranik, Pigmalioni. Pasi zbarkoi në bregun pranë Tunizit, Didoja kërkoi një copë tokë të madhe sa lëkura e një demi. Kërkesa iu aprovua, dhe ajo preu lëkurën në shirita të hollë, të cilët i vendosi njëri pas tjetrit për të rrethuar një sipërfaqe të konsiderueshme për qytetin e saj të ri. Kalaja e Kartagjenës do të njihej më pas si Birsa, nga fjala greke për “lëkurë demi.”

Është një histori interesante dhe, sipas MacDonaldit, lidhet me konceptin e njohur të “përdorimit të demit për të lëruar tokën, si mënyrë për të përcaktuar kufijtë.” Kjo tingëllon e besueshme. Një gjë që autorët e lashtë e kishin përshkruar saktë është se Kartagjena u themelua në shekullin IX Para Krishtit dhe se kishte prejardhje fenikase. Mbetja më e hershme me mbishkrim, e gjetur në Kartagjenë – mbi një varëse floriri vendosur në një varr – daton nga ajo periudhë dhe përmend madje një “Pigmalion.” Datimi me radiokarbon mbështet më tej datën e themelimit në shekullin IX Para Krishtit.

MacDonald shkruan qartë dhe me sinqeritet, dhe ka bërë një hyrje të këndshme dhe të lehtë për t’u përvetësuar mbi Kartagjenën. Libri i saj nuk është i mbushur me prozë elegante apo përshkrime dramatike. Kësaj i afrohemi vetëm në faqet hyrëse, që rrëfejnë shkatërrimin përfundimtar të Kartagjenës dhe në një përshkrim të pasojave të Betejës së Kanës kur “në mëngjes lartësohej avulli nga trupat ende të ngrohtë të të vdekurve dhe të plagosurve.” Disa lexues do të parapëlqejnë një qasje më informuese sesa atmosferike, dhe ka shumëçka për të thënë për gjërat që na jepen troç. Megjithatë, pati momente kur ndjeva se MacDonald mund të ishte më e lirshme. Nëse nga Hanibali mund të nxjerrim një mësim për autorët, ai është se triumfi varet nga rreziku. /Telegrafi/

 

 

 

 

The post Perandoria e lashtë që krijoi botën moderne! appeared first on Telegrafi.

Abdylhamidi II dhe Lord Salisbury

24 July 2025 at 11:32

Nga: Hasan Bello

Pozita e Britanisë në shekullin XIX ishte më e fuqishme se ajo e ShBA-së sot. Ambasadorët britanikë kishin një peshë shumë të madhe në arenën ndërkombëtare. Kur përmendeshin “Fuqitë e Mëdha”, menjëherë të vinte ndërmend Anglia, Franca dhe Rusia. Për këtë arsye, drejtuesit e shtetit osman përpiqeshin të mbanin marrëdhënie sa më të mira jo vetëm me ambasadorët, por edhe me diplomatët e niveleve të tjera. Një nga praktikat e Abdylhamidit II ishte “komprometimi” i tyre me dhurata.

Në vitin 1878 rusët dolën fitues me Perandorinë Osmane dhe kishin vendosur shtabin e tyre në një lagje të njohur të Stambollit (Yeşilköy). Ishin ditët kur perandoria kishte më shumë se kurrë nevojë për Mbretërinë e Bashkuar. Sulltani dëshironte t’i dhuronte Mr. Sandisonit, Sekretarit të Parë të Ambasadës Britanike në Stamboll, një kuti cigaresh e zbukuruar me bizhuteri të shtrenjta. Por, Sandisoni nuk mund të pranonte këtë dhuratë pa dijeninë dhe miratimin e ambasadorit. Prandaj, në mënyrë të sjellshme e refuzoi. Më pas shkoi në Ambasadë dhe pyeti eprorin e vet, ambasadorin britanik, Henry Layard, se çfarë duhej të bënte. Ky i fundit i shkroi menjëherë ministrit të Jashtëm, Lord Salisbury, duke i thënë se nuk mund ta pranonin këtë “dhuratë” pa dijeninë dhe miratimin e tij.

Pas përshëndetjeve formale në letrën zyrtare, Salisbury iu përgjigj kështu pyetjes së ambasadorit:

“It depends on service which is expected.

(“Kjo varet nga shërbimi që pritet.”)

Me fjalë të tjera: “Përpara se të marr një vendim, dua të di se për çfarë shërbimi është menduar t’i bëhet kjo dhuratë.”

Ky ishte niveli i ndjeshmërisë dhe ndershmërisë së diplomatëve britanikë dhe një nga arsyet pse Mbretëria e Bashkuar për disa shekuj ishte kthyer në mbretëreshën e deteve.

The post Abdylhamidi II dhe Lord Salisbury appeared first on Telegrafi.

Gruaja që ndryshoi mënyrën si i shohim shimpanzetë – dhe vetë qenien njerëzore

23 July 2025 at 11:56

Nga: Myles Burke / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Më 14 korrik 1960, plot 65 vjet më parë këtë javë, një grua e re angleze, pa formim shkencor apo kualifikime formale, zbriti nga një varkë në Rezervatin Natyror Gombe në Tanzani, për të nisur një studim që do të shndërrohej në një qasje pioniere në vëzhgimin e shimpanzeve të egra. Zbulimet e saj nuk revolucionarizuan jo vetëm kuptimin tonë mbi sjelljen e kafshëve, por riformësuan edhe mënyrën se si e përkufizojmë veten si qenie njerëzore.

Edhe pse ishte vetëm 26 vjeçe në atë kohë, Jane Goodall kishte ëndërruar prej kohësh të studionte dhe të jetonte me kafshët. “Mesa duket, qëkur isha rreth një vjeçe e gjysmë apo dy vjeçe, studioja insektet, çfarëdo gjëje, dhe kjo gradualisht u zhvillua dhe u rrit, e pastaj lexova librat si Doktor Doulitël dhe Tarzani, dhe atëherë vendosa që Afrika duhej të ishte qëllimi im”. i tha ajo prezantuesit Terry Wogan, në emisionin e tij në BBC më 1986.

Pasi përfundoi shkollën, Goodall ndoqi një kurs sekretarie në kohën kur punonte si kameriere dhe asistente në prodhimet filmike – për të financuar ëndrrën e fëmijërisë. Deri në vitin 1957, më në fund kishte kursyer mjaftueshëm para për të udhëtuar dhe për të vizituar një shoqe në Nairobi të Kenisë. Gjatë qëndrimit atje, ajo arriti të organizonte një takim me paleoantropologun e njohur keniano-britanik, profesorin Louis Leakey – me shpresën për të biseduar me të për kafshët. Leakey, sekretarja e të cilit sapo ishte larguar, u impresionua aq shumë nga vendosmëria e qetë e Goodallit dhe njohuritë e saj të gjera, të fituara nga vetë ajo për faunën afrikane, saqë i ofroi një punë si asistente e tij në muzeun e historisë natyrore.

Leakey u bë më pas mentori i saj. “Ishte ai që tha: ‘Jam duke kërkuar dikë që të studiojë shimpanzetë, për shkak të dritës që sjell sjellja e tyre në kuptimin e sjelljes njerëzore në kohët më të hershme’”, i tha ajo Woganit. Leakey e pa mungesën e një formimi akademik shkencor si përparësi, jo si pengesë, duke besuar se vëzhgimet e saj nuk do të kufizoheshin nga teoritë e gatshme shkencore.

Goodall nuk ishte e vetme në udhëtimin drejt Rezervatit Gombe. Për të përmbushur rregullat e kohës të sigurisë koloniale, nëna e saj, Vanne, udhëtoi me të si shoqëruese. “Fillimisht nuk më lejonin të isha vetëm”, i tha ajo BBC-së. “Qeveria britanike, ashtu siç ishte atëherë, tha: ‘Jo, është pothuajse amorale që një vajzë e re të dalë vetëm në xhungël’. Kështu që më duhej të zgjidhja një shoqëruese, dhe nëna ime qëndroi me mua për tre muaj”.

Muajt e parë ishin jashtëzakonisht të vështirë, si për Goodallin ashtu edhe për nënën e saj, të cilat fituan malarien ndërsa qëndronin në një tendë ushtarake të përdorur më parë. Edhe kur Goodall ishte mjaftueshëm e shëndetshme për të hyrë në rezervat, mund të shkonte vetëm me një shoqërues lokal – dhe shpesh, sapo shimpanzetë dëgjonin hapat që afroheshin, fshiheshin menjëherë në shkurre. Por, ndërsa ajo mësoi shtigjet e pyllit dhe u ambientua me lëvizjen përmes terrenit të dendur, “autoritetet vendosën që, mirë, isha e çmendur, por isha në rregull”, ka thënë ajo.

Pasi nisi të ecën vetëm nëpër kodrat me pyje, ajo filloi të shihte primatët e pakapshëm përmes dylbive nga një majë që mbikëqyrte dy lugina. Ishte koha kur Jane Goodall filloi të ndiqte një qasje të pazakontë dhe të thellë. Çdo ditë ajo afrohej përherë e më shumë drejt zonës së ushqimit të tyre, me shpresën se do të mund të ulej mes shimpanzeve dhe t’i studionte nga afër në habitatin e tyre natyror.

“Vishja të njëjtat rroba me të njëjtën ngjyrë çdo ditë dhe mendoj se gjëja më e rëndësishme ishte që kurrë nuk e teprova”, i tha ajo BBC-së në programin Witness History në vitin 2014. “Kurrë nuk përpiqesha të afrohesha shumë. Prisja pranë një peme me fruta, ku e dija se do të vinin shimpanzetë, dhe kur largoheshin, nuk i ndiqja. Të paktën jo në fillim, sepse ndihesha se po e sforcoja fatin. Kështu, gradualisht filluan të më pranonin si të padëmshme”.

Ndërsa majmunët humbnin frikën ndaj saj, Goodall ishte në gjendje të ulej me orë të tëra, duke vëzhguar me durim sjelljen e tyre dhe sistemin e tyre të ndërlikuar shoqëror dhe deri atëherë të panjohur. Ajo zbuloi se shimpanzetë nuk ishin vegjetarianë, siç ishte besuar më parë, por se hanin gjithçka dhe se komunikonin me njëri-tjetrin për të gjuajtur mish. Ajo pati mundësinë të vëzhgonte afërsinë e lidhjeve familjare dhe se si individualiteti i çdo kafshe ndikon në sjelljen e tyre.

“Në shoqërinë e shimpanzeve, një femër mund të çiftohet me të gjithë meshkujt, ose mund të shkëputet dhe të mbahet vetëm nga njëri – dhe meshkujt kanë lidhje shumë të afërta mes vete”, i tha ajo Woganit. “Ata patrullojnë kufijtë e territorit të komunitetit, mbajnë të huajt larg, sjellin femra të reja si ‘gjak i ri’ dhe të gjithë sillen si baballarë të dashur, të duruar, të butë dhe mbrojtës ndaj të gjithë këlyshëve brenda atij komuniteti”.

Në vend që të përdorte një sistem numerik për subjektet e saj, siç ishte zakon në projektet kërkimore, Goodall u dha atyre emra, duke njohur personalitetin unik të çdo kafshe: një mashkull shimpanze e quajti David Greybeard. Ishte pikërisht duke e vëzhguar David Greybeardin kur ajo e vërejti, për herë të parë, duke krijuar dhe përdorur vegla ata – veprimtari që deri atëherë mendohej se ishte ekskluzivisht njerëzore. Në fakt, në atë kohë, krijimi i veglave – që kërkon mendim abstrakt për të parashikuar përdorimin e një mjeti në një situatë të ardhshme – konsiderohej një tipar përcaktues i qenies njerëzore.

“[Shimpanzetë] përdorin më shumë objekte të ndryshme, si mjete, sesa çdo krijesë tjetër – përveç vetes sonë. Për shembull, një degëz të vogël nga e cila i heqin gjethet – kështu e modifikojnë – për të ngrënë termite”, i tha ajo Woganit. “Një shkop të gjatë nga i cili heqin lëkurën për t’u ushqyer me një specie milingonash shumë të egra që kafshojnë, dhe ata i përtypin. Fletët për të pirë ujë nga një vrimë e vogël kur nuk arrijnë me buzë, ose për të fshirë gjakun nga trupi. Dhe, armë: gurë të cilët i hedhin, degë të mëdha të cilët i përdorin për frikësim ose për goditje”.

Në atë kohë, kjo ide ishte revolucionare dhe sfidonte dekada të tëra të mendimit konvencional shkencor. Që atëherë, studimet kanë përjetuar dëshmi të përdorimit të veglave në mbarë botën shtazore – nga oktapodi indonezian që përdor guaskat e hedhura të kokosit, nga njerëzit, si mburojë ndaj grabitqarëve, e deri te sorrat e Kaledonisë së Re që përkulnin degëzat dhe telat me sqepin për të krijuar grepa për të nxjerrë larvat nga lëvorja e pemëve.

Ndërsa Goodall rrinte e heshtur duke vëzhguar shimpanzetë, filloi të kuptojë se sa të ngjashme ishin lidhjet e tyre familjare dhe komunikimi joverbal me ato të njerëzve. “Nëse shimpanzetë takohen pas një ndarjeje, ata kapen për dore, përqafohen, puthen”, tha ajo. Kjo gjë e përbashkët me njerëzit shtroi “pyetje të reja për mënyrën se si po i rrisim fëmijët tanë në Perëndim”, i tha ajo Woganit.

“Epo, nëse e lëmë një fëmijë të qajë natën, nëse e lëmë për orë të gjata në karroce, nëse e çojmë në një qendër të kujdesit ditor ku ka lëvizje të vazhdueshme të personelit, mund të rrisim një fëmijë shumë inteligjent. Por, nga përvoja jonë me shimpanzetë që kanë pasur rritje të vështira, ka të dhëna që tregojnë se ai fëmijë, kur të rritet, mund të ketë vështirësi në krijimin e marrëdhënieve të afërta me të tjerët – mund ta ketë më të vështirë përballimin e situatave stresuese. Kjo është shumë e rëndësishme”, tha ajo.

Goodall kuptoi thellësisht se si sjelljet rituale dhe emocionet e shimpanzeve ngjajnë me ato të njerëzve. Dhe, ashtu si te njerëzit, edhe tek ata impulset shkatërruese dhe të dhunshme mund të çojnë në vrasje brutale. “Pas dhjetë vjetëve të parë zbuluam se, megjithëse shimpanzetë ishin shumë të ngjashëm me ne në sjelljen e tyre miqësore, ata ishin gjithashtu si ne në faktin që mund të bëheshin shumë agresivë. Zbuluam se në disa rrethana mund të ndodhte kanibalizmi dhe ndërveprimet midis komuniteteve – që në një farë mënyre i ngjajnë një forme primitive të luftës njerëzore”, tha ajo.

Në vitin 1962, me inkurajimin e Leakeyt, edhe pse nuk kishte një diplomë baçelor, ajo filloi studimet e doktoratës të bazuara në zbulimet e saj shumë të detajuara. Po atë vit, Shoqata Kombëtare Gjeografike [National Geographic Society] dërgoi fotografin dhe kineastin e njohur holandez të jetës së egër, Hugo van Lawick, për të dokumentuar punën e saj – që u përmblodh në dokumentarin e vitit 1965, Zonja Gudël dhe shimpanzetë e egra [Miss Goodall and the Wild Chimpanzees]. Me narracionin e lexuar nga Orson Welles, filmi ndihmoi që zbulimet e saj të bëheshin të njohura për publikun e gjerë. Van Lawick u bë burri i saj i parë dhe, në vitin 1967 – një vit pasi ajo fitoi titullin doktor – ata sollën në jetë një djalë të cilin e quajtën Hugo, por e thërrisnin Grub. Ata ndërtuan për të një strehë mbrojtëse, që t’i mundësonin Goodallit të qëndronte pranë tij dhe ta mbante atë të sigurt, ndërkohë që vazhdonte punën në terren.

“Shimpanzetë janë gjuetarë ashtu si ne”, i tha ajo Woganit. “Gjuajnë në mënyrë bashkëpunuese, gjuajnë gjitarë të përmasave mesatare. Ka pasur raste të dokumentuara kur kanë gjuajtur fëmijë njerëzorë, njësoj siç njerëzit kanë gjuajtur shimpanzetë. Dhe, kështu, kur djali ishte ende shumë i vogël dhe ende nuk ecte, ai qëndronte në një lloj verande të rrethuar, dhe gjithmonë duhej të kishte njerëz me të”.

Kërkimi i guximshëm i Goodallit në primatologji solli prova se njerëzit nuk janë të ndarë nga pjesa tjetër e mbretërisë shtazore, por se Homo Sapiensi dhe shimpanzetë ndajnë një paraardhës të përbashkët. Studimet që prej atëherë kanë treguar se shimpanzetë janë jashtëzakonisht të afërt, në aspektin gjenetik, me njerëzit – ndajnë rreth 98.6 për qind të ADN-së tonë.

“Kjo është thelbësorja”, ka thënë Goodall. “Sjelljet që shohim sot te njeriu dhe te shimpanzetë ka shumë gjasa të kenë qenë të pranishme edhe te paraardhësi ynë i përbashkët. Dhe, për këtë arsye, mund ta imagjinojmë njeriun e Epokës së Gurit që kishte marrëdhënie të gjata e miqësore me anëtarët e familjes, që përdorte degëza të vogla për të ngrënë, dhe që përqafohej me të tjerët. Më pëlqen ta mendoj kështu”. /Telegrafi/

 

The post Gruaja që ndryshoi mënyrën si i shohim shimpanzetë – dhe vetë qenien njerëzore appeared first on Telegrafi.

Djali im nga brezi Z e bën çajin në mikrovalë … dhe nuk është i vetmi

23 July 2025 at 09:53

Nga: Georgina Fuller / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Një nga gjërat e para që bëjmë kur vjen vjehrra ime irlandeze është, sigurisht, që ta vëmë çajnikun në zjarr. Ajo është gjithashtu e vetmja për të cilën nxjerrim çajnikun e madh dhe mbulesën për ta mbajtur të ngrohtë, por fatkeqësisht kjo traditë duket se është harruar krejtësisht nga fëmijët e mi.

Djali im 16-vjeçar i brezit Z, Charlie, përdor mikrovalën për gjithçka, përfshirë – tmerr i madh – për të bërë një filxhan çaj. Dhe, sipas një sondazhi të ri, nuk është i vetmi.

Sipas një ankete të Uswitch-it me dy mijë britanikë, thuajse dy të tretat e personave nën tridhjetë vjeç e bëjnë çajin në mikrovalë. Nuk e kuptoj se pse brezi Z – ajo gjeneratë misterioze dhe e pakuptueshme e lindur mes viteve 1997 dhe 2012 – shmang çajnikun dhe preferon të hedhë një qese çaji në një filxhan me ujë të ftohtë dhe ta ngrohë në mi-kro-ueh-vei, siç e ripagëzoi Nigella Lawson.

Duket qartë se nuk ka të bëjë me kursimin e kohës apo të mundit. “Ngrohja me mikrovalë mund të krijojë temperaturë të pabarabartë”, thotë Dr. Tim Bond nga Paneli Këshillues për Çajin. Ai gjithashtu thekson se “ngrohja e një filxhani me ujë në mikrovalë zgjat rreth dy minuta e 40 sekonda – dukshëm më gjatë se 48 sekondat që duhen për të zier të njëjtën sasi uji në aparatin për ta vluar ujin [kettle]”. Edhe më shumë nëse, si djali im, përdorin një nga ato gotat e tmerrshme të Sports Direct.

Dhe, nuk është as çështje shijeje: një çaj i përgatitur në mikrovalë është “i sheshtë, me shije vlimi”, thotë Bond, dhe ofron “ekstraktim të paqëndrueshëm të përbërësve bioaktivë të çajit, të pasur me elemente të dobishme për shëndetin dhe mirëqenien”. Pra, s’është as më i shëndetshëm.

Kemi dëgjuar debatet nëse qumështi duhet hedhur i pari apo i fundit (i fundit, sigurisht), por për brezin Z, e vetmja pyetje është se sa kohë duhet ta lësh në mikrovalë.

Djali im thotë se ka frikë se aparati për vlimin e ujit mund të bëhet shumë i nxehtë për t’u përdorur dhe, sipas tij, mund të “vlojë së tepërmi”. Mikrovala, mendon ai, është një zgjidhje më e sigurt. Nuk kam energji t’ia shpjegoj që uji në mikrovalë mund të bëhet “super i nxehtë” dhe të shpërthejë sapo ta lëvizësh filxhanin.

Nuk mund të mos mendoj se ngrohja e çajit në mikrovalë nuk është thjesht një çmenduri nga TikTok-u (edhe pse influencuesit amerikanë kaluan një fazë duke xhiruar veten duke “bërë çaj anglez” në këtë mënyrë), apo një akt i vogël rebelimi i brezit Z, por më shumë një rast i fobisë nga çajniku.

Kur Charlie ishte tetë vjeç, e lashë atë dhe motrat/vëllezërit e tij në kujdesin e babait tim të gjeneratës “Bumer”. Charlie e dogji dorën te soba dhe që atëherë ka qenë pak i trembur nga pajisjet e kuzhinës, përfshirë edhe çajnikun. E, megjithatë, është krejt i gatshëm të përdorë NutriBullet-in disa herë në ditë për të bërë lëngë proteinash …

Mund ta dëshmoj me siguri se sa i neveritshëm është çaji i bërë në mikrovalë. Në Ditën e Nënës, fëmijët e mi, shumë të ëmbël, ofruan të më sillnin mëngjesin pranë shtratit. Bashkë me një fetë tosti të djegur dhe një grumbull gjalpi të vendosur pa kursim, ishte edhe një filxhan me diçka që dukej si llum me ngjyrë gri-kafe, me qesen e çajit që pluskonte sipër. Tmerr.

“Duket shumë mirë, faleminderit zemrat e mia”, u thashë, përpara se të shkoja fshehurazi në banjë për ta derdhur.

Më kujtohet një kohë kur kisha tre fëmijë nën moshën pesë vjeç dhe rrallë arrija të përfundoja një çaj të ngrohtë, kështu që shpesh përdorja mikrovalën për ta ngrohur përsëri – por, vetëm pasi e kisha bërë siç duhet në fillim. Një herë gjeta një filxhan në mikrovalë që qartazi kishte qëndruar aty për disa ditë dhe kishte marrë erë të keqe.

Ekspertët thonë se mënyra më e mirë për të bërë një filxhan çaj është të derdhësh ujë të valuar mbi qesen e çajit dhe ta lësh të qëndrojë për tre deri në pesë minuta pa e përzier, përpara se të shtosh pak qumësht.

Shpresoj që, me kalimin e kohës, fëmijët e mi do të kuptojnë si duhet dhe që kurrë nuk do ta detyrojnë gjyshen e tyre të pijë një çaj të bërë në mikrovalë. Vetëm mund të imagjinoj se sa e tmerruar do të ishte. Me shumë gjasë, do ta pështynte menjëherë në filxhanin e saj prej porcelani. /Telegrafi/

 

The post Djali im nga brezi Z e bën çajin në mikrovalë … dhe nuk është i vetmi appeared first on Telegrafi.

VARRET E TË PARËVE

22 July 2025 at 09:38

Poezi nga: Yiannis Ritsos
Përktheu: Agim Mato

Duhet t’i ruajmë të vdekurit tanë me çdo kusht, nga frika
se një ditë prej ditësh
do t’i çvarrosin të huajt dhe do të na i marrin. Atëhere
pa mbrojtjen e tyre
rreziku do të ishte i dyfishtë. Si mund të rrojmë
pa shtëpitë, mobiljet, pronat dhe mbi të gjitha
pa varret e gjyshërve luftëtarë e të mënçur? Le të kujtojmë
se si spartanët grabitën fshehurazi nga Tegjeu eshtrat e
Orestit. Do të duhej
që armiqtë të mos e dinin ku i kemi varrosur. Po si mund
ta dimë se cilët janë armiqtë tanë,
kur dhe nga do të shfaqen?
Jo, nuk duhen varre madhështore, zbukurime që bien në sy –
gjëra që
tërheqin vëmendjen dhe cmirën e të tjerëve. Të vdekurve
këto as që u hyjnë në punë – radhë radhë, të urtësuar e të
heshtur, tashmë nuk duan kujdes,
as pijen e preferuar të mjaltit, blatimet e lavdet e kota.
Shumë më mirë do të qe një gur i xhveshur, një vazo lulesh,
një shenjë e fshehtë ose asgjë.
Ndoshta është më e sigurt t’i mbajmë brënda vetes, po të qe
e mundur
dhe shumë më mirë akoma as vet të mos e dinim ku pushojnë.
Kush mund ta dijë si do të rrokullisen punën në ditët tona?
mundet që vet ne t’i çvarrosim, t’i flakim tutje, në një ditë
të bukur.

The post VARRET E TË PARËVE appeared first on Telegrafi.

Shenjat që tregojnë se Stevie Nicks dhe Lindsey Buckingham po ribashkohen!

20 July 2025 at 09:59

Nga: James Hall / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

[Albumi] Rumours [Thashethemet] kanë qenë gjithmonë gjaku që i jep jetë [grupit] Fleetwood Mac – që nga titulli i albumit të tyre të vitit 1977 që shiti 40 milionë kopje, deri te rrjeti marramendës i marrëdhënieve intime mes anëtarëve të grupit.

Dy figurat kyçe, Stevie Nicks dhe Lindsey Buckingham, mund të jenë tashmë 77, respektivisht 75 vjeç, por ish-të dashurit kanë nxitur sërish valë të reja thashethemesh me një sërë postimesh enigmatike në rrjetet sociale. Gati gjashtë dekada pas formimit të versionit origjinal të grupit, drama psikologjike vazhdon. Dhe, kjo ndjesi, çuditërisht është ngushëlluese.

Çfarë ndodhi? Të enjten pasdite, Nicks postoi në Instagram pesë fjalë të shkruara në një stil të çrregullt, të shoqëruara nga tri pika: And if you go forward … [Dhe nëse ti ecën para …]. Një pjesë e zjarrtë e 2.2 milionë ndjekësve të saj u entuziazmua menjëherë, duke i njohur fjalët si pjesë të këngës Frozen Love [Dashuria e ngrirë] nga viti 1973, e cila u përfshi në albumin Buckingham Nicks – i vetmi album i përbashkët i tyre përpara se të bashkoheshin me [grupin] Fleetwood Mac një vit më vonë.

Një orë më pas, emocionet arritën kulmin. Buckingham – me të cilin Nicks ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të ndërlikuar dhe të tensionuar – postoi një frazë të ngjashme në llogarinë e tij në Instagram: I’ll meet you there [Do të të pres atje] – pjesa e dytë e vargut që Nicks kishte postuar pak më parë.

Dhe, kështu nisi një valë emocionesh dhe spekulimesh. “Buckingham Nicks më 2025 nuk mëtohej të ishte karta ime e bingos”, shkroi një adhurues. “Marrëdhënie 60-vjeçare është e pabesueshme”, tha një tjetër. Një i tretë, duke supozuar se po paralajmërohej një turne i përbashkët, shkroi: “Mos ma bëni këtë! Do t’i shes që të gjitha për një biletë në rreshtin e parë – që tani”!

Pra, çfarë po ndodh? Ashtu siç padyshim kishin planifikuar të dy ata, këtë askush nuk e di. Një kontakt imi më lidhi me menaxherin e Buckinghamit, por ai nuk tha asgjë. Janë katër mundësi. E para është ajo që supozon adhuruesi i gatshëm të shesë pasurinë – që ata do të nisin një turne së bashku. Nicks, e cila tërhoqi një turmë të madhe në Hajd-Park të Londrës verën e kaluar, ka një turne të madhe në ShBA që fillon muajin tjetër, ndërsa Buckingham nuk ka plane të njohura. Është krejtësisht e mundur.

Mundësia e dytë është një ribashkim më i gjerë i [grupit] Fleetwood Mac. Frozen Love ishte kënga që e shtyri bateristin Mick Fleetwood të ftonte Buckinghamin të bashkohej me grupin në vitin 1974 (dhe ai pranoi vetëm nëse do të pranonte edhe partneren e tij muzikore dhe të dashurën e tij, Nicks). Ishte pikërisht Fleetwood ai që nisi gjithçka të mërkurën, kur postoi një video të shkurtër ku dëgjonte Frozen LoveInstagram. “Magji atëherë, magji tani”, shkroi ai.

Fleetwood Mac organizoi për herë të fundit një turne në 2019, me Neil Finnin nga [grupi] Crowded House që zëvendësoi Buckinghamin – i cili u largua pas një mosmarrëveshjeje të raportuar mbi datat e turneut. Megjithatë, vdekja e Christine McViesë në vitin 2022 mund të ketë mbyllur këtë kapitull: Nicks i tha revistës Mojo, vitin e kaluar, se “nuk ka asnjë shans” që grupi të ribëhet pa McVien. Mundësia e tretë është se s’po ndodh asgjë. Është thjesht një armëpushim mes ish-të dashurve të vjetër.

Foto nga kopertina e albumit “Buckingham Nicks” (1973): Stevie Nicks dhe Lindsey Buckingham

Arsyeja e katërt – dhe më e mundshmja – është ribotimi dhe digjitalizimi i albumit Buckingham Nicks. Me kopertinën që paraqet një fotografi toples të çiftit me flokë të gjatë, albumi dështoi në shitje në kohën e publikimit dhe nuk është bërë kurrë i qasshëm në platformat e transmetimit në internet. Kjo do të kishte një kërkesë të jashtëzakonshme.

Më shumë se Kurt dhe Courtney apo Mick dhe Marianne, Nicks dhe Buckingham janë çifti më i famshëm në historinë e rokut. Historia e tyre ishte e mbushur me tradhti dhe marrëdhënie të ndërlikuara. U njohën në gjimnaz në Kaliforni, u bashkuan me një grup të quajtur Fritz dhe u bënë të dashur. Marrëdhënia e tyre e pasionuar dhe shpesh e trazuar zgjati deri në vitin 1976, kur u shkatërrua në mënyrë të dhimbshme – pikërisht në kohën kur Fleetwood Mac po bënin albumin Rumours. Të dy ishin shumë krenarë për të braktisur grupin. Më vonë, Nicks pati një lidhje të shkurtër me Mick Fleetwoodin – një recetë e pamundshme për harmoni brenda grupit.

Marrëdhënia e stuhishme mes Nicksit dhe Buckinghamit solli disa nga këngët më të mëdha të muzikës pop. Buckingham shkroi Go Your Own Way dhe Never Going Back Again për Nicksin. Ajo shkroi Dreams për të [Ti thua se do lirinë tënde … Por, dëgjo me kujdes tingullin e vetmisë tënde]. Siç e përshkroi më vonë Nicks: “Ai e sheh situatën nga një këndvështrim i pakëndshëm dhe plot zemërim, ndërsa unë, në mënyrën time më ëndërrimtare, them: Do t’ia dalim. Do ta kalojmë këtë”.

Deri në një farë pike, kjo është Stevie. Kënga më e fuqishme e saj për Buckinghamin ishte Silver Springs, e cila ishte menduar të përfshihej në Rumours, por përfundoi si ana B e Go Your Own Way – jin dhe jang i një marrëdhënieje në një disk të vetëm shtatë-inçësh. Teksti i këngës është prekës. E di që mund të të kisha dashur / Por, ti nuk më le, këndon Nicks, për të vazhduar: Ti kurrë nuk do të mund të largohesh nga tingulli i gruas që të ka dashur.

Një performancë në koncert e Silver Springs nga viti 1997, është një nga shfaqjet më të fuqishme dhe emocionuese në historinë e muzikës live – dhe kjo shpjegon pse ka mbi 50 milionë shikime në YouTube. Intensiteti i këngës të lë pa frymë. Gjatë këngës, Nicks e shikon vazhdimisht Buckinghamin, që ndodhet majtas saj, derisa të dy e fiksuan shikimin te njëri-tjetri dhe këndojnë drejtpërdrejt, sy më sy. Kurrë nuk do të largohesh, këndon Nicks me një intensitet të zjarrtë, dhe zemërimi i saj – edhe pas dekadash – nuk është larg sipërfaqes.

Unë e pashë [grupin] Fleetwood Mac në Dublin në vitin 2015 dhe ndërveprimi mes Nicksit dhe Buckinghamit ishte ende jashtëzakonisht i ngarkuar emocionalisht. Dukej sikur kishte ende çështje të pazgjidhura, një tension i heshtur mes dy ish-të dashurish.

Çfarëdo që të nënkuptojnë këto postime enigmatike të reja, ky është një kapitull që mbetet tërheqës. Pas gjithë kësaj kohe, ata ende po përfundojnë fjalitë e njëri-tjetrit. /Telegrafi/

The post Shenjat që tregojnë se Stevie Nicks dhe Lindsey Buckingham po ribashkohen! appeared first on Telegrafi.

Politika përballet me llogaridhënien për inteligjencës artificiale

18 July 2025 at 08:57

Nga: Robert Shrimsley / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjatë një dite të fundit të lirë për ministrat e kabinetit, Peter Kyle, sekretari për Shkencë dhe Teknologji [i Mbretërisë së Bashkuar], mbajti një prezantim mbi inteligjencën artificiale [IA], ku përfshiu edhe shembullin e një kompanie të njohur të shërbimeve financiare, që kishte pushuar mijëra punonjës nga puna – edhe pse të ardhurat e saj po rriteshin ndjeshëm.

Paralajmërimi i tij ishte se kjo prirje do të përsëritet gjerësisht. Edhe pse kursimet e tilla dhe rritja e produktivitetit do të mirëpriteshin në shërbimet publike, ndikimi i IA-së, në tregun e punës, po tërheq vëmendjen në nivelet më të larta të qeverisë. Morgan McSweeney, strategu dhe shefi i stafit të kryeministrit, foli me entuziazëm për librin Republika teknologjike [The Technological Republic] – një vepër me ton egoist, por me vlera, nga drejtori ekzekutiv dhe këshilltari ligjor i Palantir-it. Libri argumenton se IA-ja duhet të lidhet me nevojat kombëtare, duke shprehur shqetësimin se shumë nga pionierët e industrisë udhëhiqen më shumë nga interesat personale teknologjike dhe financiare, sesa nga ato shoqërore.

Figurat e larta në qeveri e krahasojnë ndikimin e mundshëm të IA-së me revolucionin e parë industrial. Megjithatë, ka shumë të panjohura për ta pranuar pa rezerva këtë paralelizëm. Vlerësimet për ndikimin e IA-së në punësim, ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra, dhe rrallë janë optimiste. Një sondazh i fundit tregoi se pozicionet e shpallura për të diplomuarit, në Mbretërinë e Bashkuar, ishin 33 për qind më pak krahasuar me vitin e kaluar, megjithëse ndikonin edhe faktorë të tjerë.

Përballë kësaj pasigurie, shpesh është më e thjeshtë të përqendrohesh te problemet e menjëhershme, si p.sh. ta vendosësh Mbretërinë e Bashkuar në anën e duhur të revolucionit të IA-së. Ministrat flasin për përparimet në shëndetësi, mbrojtje dhe arsim, si dhe për ekspertizën e kërkimit shkencor dhe të universiteteve britanike. Kyle po shqyrton gjithashtu si mund të shfrytëzohet pasuria e të dhënave, nga shërbimet publike, për të siguruar që përfitimet të mbeten në Britani.

Megjithatë, ia vlen të merret parasysh analogjia me revolucionin industrial, edhe nëse është e papërsosur. Gjatë disa dekadave, shoqëria u transformua rrënjësisht duke çuar në krijimin e një klase industriale punëtore; në një sërë reformash sociale, industriale dhe arsimore; në zgjerimin e së drejtës së votës për popullsinë e rritur; dhe, në zëvendësimin e liberalëve me një forcë të re – laburistët. Ndoshta më me rëndësi, u formua një klasë e mesme që po rritej e që u bë shtylla kurrizore e demokracisë liberale dhe kapitalizmit.

Nuk është e nevojshme ta pranosh plotësisht këtë krahasim, për të kuptuar ndikimin e thellë që do të ketë këtë herë mbi politikën demokratike. Filizat e parë të populizmit mund të gjurmohen që në zhvendosjen nga industria e rëndë, duke çuar në rënien e qyteteve dhe komuniteteve dikur krenare për prodhimin industrial. Kjo gjithashtu e ka përshpejtuar ndryshimin e laburistëve nga roli tradicional si partia e klasës së sindikalizuar punëtore.

Të gjithë mund të shohin se një tronditje po afrohet, por dimë shumë pak për natyrën e saj. Një studim qeveritar i vitit 2023 identifikoi punët më të ekspozuara ndaj IA-së. Tani është duke u zhvilluar një analizë e re e gjerë brenda të gjitha departamenteve qeveritare.

Një rënie e qëndrueshme e punësimit në profesionet fitimprurëse mund të ketë pasoja të gjera politike. Duke hartuar profesionet në rrezik, sipas zonave elektorale, anketuesi James Kanagasooriam vëren se ndikimet më të mëdha do të ndihen në zonat e pasura jugore. Kjo perspektivë – ku punonjësit me kostum janë në rrezik, ndërsa vendet për punë fizike janë më të sigurta – përmbys ndikimet e mëparshme të revolucioneve industriale dhe mund të krijojë një klasë të re humbësve ekonomikë.

Pasojat mund të përfshijnë përqendrime më ekstreme të pasurisë, më pak vende pune me paga të mira dhe ndryshime në madhësinë dhe strukturën e bazës tatimore. Studentët mund të shmangin marrjen e borxheve të mëdha për diplomat që ofrojnë të ardhura të ulëta. Ideja e një brezi të tradhtuar do të përhapet gjithnjë e më shumë. Çfarë mund të kërkojnë votuesit në terma mbrojtjeje – dhe si do të financohet ajo?

Në versionin më dramatik të parashikimeve, ky ndryshim mund të zvogëlojë klasën e mesme që ka ofruar stabilitet politik, duke zgjeruar grupin e njerëzve me pasuri dhe ndjesi përkatësie ndaj shoqërisë, e të cilët ndihen të përfaqësuar nga sistemi dhe establishmenti. Si do ta riorientonte ky ndryshim demografik politikën partiake?

Mjafton të shikosh rritjen aktuale të partive populiste, për të parë se si ndryshon politika kur zhduket kënaqësia e përbashkët – dhe kjo ndodhi para ardhjes së IA-së. E djathta tradicionale tashmë është përçarë, dhe e majta po pëson erozion. Konservatorët nuk janë më partia e të kënaqurve, dhe partia Reform UK e Nigel Farageit përqafon politikat e majta ekonomike. Ekziston një grup që po kërkon zgjidhje alternative dhe po humb besimin te shteti. Tani, imagjinoni që vetë votuesit e establishmentit – ata që nuk janë mësuar të humbasin – të kalojnë në rreshtin e të pakënaqurve.

Laburistët kanë vendosur të jenë entuziastë për IA-në, gjë që ndoshta është vendim i mençur, pasi ludizmi [lëvizja e dikurshme kundër teknologjisë] rrallë funksionon. Por, ata duhet gjithashtu të ofrojnë përgjigje për mënyrën se si të mbrojnë elektoratin nga ky tranzicion teknologjik dhe më tej.

Sfida nuk kufizohet vetëm te punët. Përparimet në të dhëna, analizë imazhesh dhe mbikëqyrje do t’i vënë udhëheqësit gjithnjë e më shumë përballë kompromiseve midis lirive civile dhe rendit publik. Dhe, teknologjia po depërton në vetë demokracinë – jo vetëm përmes përmbajtjes së rreme. Një sondazh i brendshëm i Laburistëve zbuloi se një në katër votues kishte përdorur ChatGPT-në për informacion gjatë zgjedhjeve të fundit.

Mund të ndodhë që alarmi të jetë i tepruar, dhe se IA-ja do të krijojë vende të reja pune teksa zhduk të tjerat – megjithatë, ritmi i ndryshimit është vetë thelbi i sfidës.

Por, ndryshimet e mëdha gjithmonë reflektohen në politikë. Po sikur revolta e ardhshme të vijë nga vetë establishmenti liberal? Kur fitimtarët, mbi të cilët mbështeten strukturat e shoqërisë dhe demokracisë, bëhen humbës, atëherë siguritë e vjetra mund të zhduken shumë shpejt. /Telegrafi/

The post Politika përballet me llogaridhënien për inteligjencës artificiale appeared first on Telegrafi.

KEQARDHJE PËR ÇDO VDEKJE

17 July 2025 at 10:50

Poezi nga: Jorge Luis Borges
Përktheu: Kujtim Morina

I çliruar nga kujtesa dhe shpresa,
pa kufij, abstrakt dhe pothuaj pa të ardhme
Një i vdekur nuk është një i vdekur, ai është vetë vdekja.
Si Zoti i mistikëve
për të Cilin çdo gjë që mund të thuhet, duhet të mohohet,
Një i vdekur, është i huaj kudo
përveçse në gërmadhat dhe mungesën e botës.
Ne e plaçkisim atë nga gjithçka
derisa të mos mbetet as si ngjyrë apo rrokje
Këtu është, oborri që sytë e tij nuk e shohin më
Atje, kalldrëmi ku shpresa e tij nderet në pritje.
Madje edhe ajo që mendojmë
se ai mund të jetë duke menduar.

E ndajmë si hajnat
plaçkën e ditë-netëve.

The post KEQARDHJE PËR ÇDO VDEKJE appeared first on Telegrafi.

Grupi muzikor i krijuar nga inteligjenca artificiale ka nxitur shqetësime në industrinë muzikore

16 July 2025 at 10:48

Nga: Lanre Bakare / The Guardian (titulli: An AI-generated band got 1m plays on Spotify. Now music insiders say listeners should be warned)
Përkthimi: Telegrafi.com

Ata u bënë viralë, duke pasur, brenda pak javësh, më shumë se një milion dëgjime në Spotify, por më vonë doli në pah se grupi i ri, The Velvet Sundown, ishte i krijuar nga inteligjenca artificiale [IA] – që nga muzika e tyre, imazhet promovuese deri te historia e tyre fiktive.

Ky episod ka nxitur një debat rreth autenticitetit, me ekspertë të industrisë muzikore që thonë se platformat e transmetimit, si Spotify, duhet të jenë ligjërisht të detyruara të etiketojnë muzikën e krijuar nga artistët e gjeneruar nga IA-ja, në mënyrë që dëgjuesit të marrin vendime të informuara mbi atë që po dëgjojnë.

Fillimisht, “grupi” i përshkruar si “një projekt sintetik muzikor i udhëhequr nga drejtimi krijues njerëzor”, mohoi se ishte një krijim i IA-së dhe publikoi dy albume në qershor, me titujt Floating On Echoes dhe Dust And Silence, me një tingull të ngjashëm me folk-kantrin e trupës Crosby, Stills, Nash & Young.

Situata u bë më e ndërlikuar kur një person që e përshkroi veten si një “anëtar ndihmës”, u tha gazetarëve se The Velvet Sundown kishin përdorur platformën gjenerative të IA-së, Suno, për krijimin e këngëve të tyre dhe se projekti ishte një “mashtrim artistik”.

Kanalet zyrtare të grupit, në rrjetet sociale, e mohuan këtë dhe deklaruan se identiteti i grupit është “thyer”, përpara se të lëshonin një deklaratë që konfirmonte se grupi ishte një krijim i IA-së dhe se ishte “as plotësisht njeri; as plotësisht makinë”, por se ekzistonte “diku në mes”.

Disa persona i thanë Guardian-it se situata aktuale, ku platformat e transmetimit, përfshirë Spotify-n, nuk kanë asnjë detyrim ligjor për të identifikuar muzikën e krijuar nga IA-ja, lë dëgjuesit të pavetëdijshëm për origjinën e këngëve që dëgjojnë.

Roberto Neri, drejtori ekzekutiv i Ivors Academy, ka thënë: “Grupet e krijuara nga IA-ja, si Velvet Sundown, të cilat arrijnë audienca të mëdha pa përfshirë krijues njerëzorë, ngrenë shqetësime serioze për transparencën, autorësinë dhe pëlqimin”.

Neri shtoi se, nëse “përdoret në mënyrë etike”, IA-ja ka potencialin të përmirësojë krijimtarinë muzikore, por theksoi se organizata që ai përfaqëson brengoset për ato që ai i quajti “çështje thellësisht shqetësuese” në lidhje me përdorimin e IA-së në muzikë.

Sophie Jones, drejtuese e strategjisë në Shoqatën Britanike të Industrisë Fonografike (BPI), mbështeti thirrjet për etiketim të qartë. “Ne besojmë se IA-ja duhet të përdoret për të mbështetur krijimtarinë njerëzore, jo për ta zëvendësuar atë”, tha Jones.

“Për këtë arsye, ne po i bëjmë thirrje qeverisë britanike të mbrojë të drejtën e autorit dhe të vendosë detyrime të reja për transparencë ndaj kompanive të IA-së, në mënyrë që të drejtat muzikore të mund të licencohen dhe zbatohen, si dhe të kërkohet etiketimi i qartë i përmbajtjes tërësisht të krijuar nga IA-ja”.

Liz Pelly, autore e librit Mood Machine: The Rise of Spotify and the Costs of the Perfect Playlist, tha se artistët e pavarur mund të shfrytëzohen nga personat që qëndrojnë prapa pas grupeve muzikore të krijuara me IA, të cilët mund të prodhojnë këngë të trajnuara me muzikën e tyre.

Ajo përmendi rastin e vitit 2023 kur një këngë u ngarkua në TikTok, Spotify dhe YouTube, duke përdorur zëra të gjeneruar nga IA-ja që pretendonin të ishin The Weeknd dhe Drake. Universal Music Group deklaroi se kënga ishte “përmbajtje keqpërdoruese e krijuar me IA gjeneruese” dhe u hoq pak pasi ishte publikuar.

Nuk dihet me siguri se me çfarë muzike janë trajnuar albumet e Velvet Sundown dhe kritikët thonë se kjo mungesë transparence mund të nënkuptojë se artistët e pavarur po humbasin të drejtën për kompensim.

Pelly tha: “Duhet të sigurohemi që nuk janë vetëm yjet e muzikës pop ata që mbrohen – të gjithë artistët duhet të kenë mundësinë të dinë nëse vepra e tyre është shfrytëzuar në këtë mënyrë”.

Për disa, shfaqja e grupit Velvet Sundown shihet si hapi logjik i radhës teksa muzika dhe IA-ja po kombinohen, ndërkohë që legjislacioni po përpiqet të ecën në hap me këtë ekosistem muzikor që po ndryshon me shpejtësi.

Jones tha: “Rritja e grupeve dhe muzikës së gjeneruar nga IA-ja, që futet në treg, tregon se kompanitë teknologjike kanë trajnuar modelet e tyre duke përdorur vepra krijuese – në shumicën e rasteve pa autorizim apo pagesë për krijuesit dhe mbajtësit e të drejtave – me qëllim që të konkurrojnë drejtpërdrejt me artin njerëzor”.

Neri shtoi se Mbretëria e Bashkuar ka një mundësi për të udhëhequr botën në adoptimin etik të IA-së në muzikë, por theksoi se nevojitet një kuadër i fortë ligjor që “garanton pëlqimin dhe shpërblimin e drejtë për krijuesit, si dhe një etiketim të qartë për dëgjuesit”.

“Pa këto masa mbrojtëse, IA-ja rrezikon të përsërisë të njëjtat gabime të transmetimit dixhital, ku teknologjia përfiton dhe krijuesit muzikorë lihen pas dore”, shtoi ai.

Aurélien Hérault, drejtori i inovacionit në shërbimin e transmetimit muzikor Deezer, tha se kompania përdor softuer zbulues që identifikon dhe etiketon këngët e krijuara nga IA-ja.

Ai tha: “Për momentin, mendoj se platformat duhet të jenë transparente dhe të përpiqen të informojnë përdoruesit. Për një periudhë kohe, në atë që unë e quaj ‘natyralizimi i IA-së’, ne duhet të njoftojmë qartë përdoruesit se kur është përdorur apo nuk është përdorur IA-ja”.

Hérault nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen do të hiqet etiketimi i muzikës së krijuar nga IA-ja, nëse kjo muzikë bëhet më e popullarizuar dhe muzikantët fillojnë ta përdorin si një “instrument” tjetër.

Deezer i tha së fundmi gazetës Guardian se deri në shtatë nga dhjetë dëgjime të muzikës së gjeneruar nga IA-ja, në platformën e tyre, janë mashtruese.

Aktualisht, Spotify nuk e etiketon muzikën si të gjeneruar nga IA-ja dhe është kritikuar më parë për përfshirjen në disa lista dëgjimi të muzikës së realizuar nga “artistë fantazmë” – projekte fiktive që prodhojnë muzikë nga copëzat.

Një zëdhënës i kompanisë tha se Spotify nuk i jep përparësi muzikës së krijuar nga IA. “E gjithë muzika në Spotify, përfshirë atë të gjeneruar nga IA-ja, krijohet, zotërohet dhe ngarkohet nga palë të treta të licencuara”. /Telegrafi/

 

The post Grupi muzikor i krijuar nga inteligjenca artificiale ka nxitur shqetësime në industrinë muzikore appeared first on Telegrafi.

❌
❌