Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 4 August 2025Main stream

BSH vendos kufi për transfertat SEPA, jo më shumë se 3 euro për hyrjet

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektrregulloren që vendos bazat për nivelin e tarifave që bankat dhe institucionet e pagesave do të aplikojnë, pas anëtarësimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Projektrregullorja “Mbi tarifat e pagesave ndërkufitare në zonën SEPA dhe kushtet e transparencës” parashikon që tarifat e aplikuara nga Operatorët e Shërbimeve të Pagesave (banka ose institucione financiare jobanka të pagesave dhe parasë elektronike) për pagesat SEPA dalëse nuk mund të tejkalojnë kufijtë e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë për vlerat korresponduese të pagesave vendase në Euro që procesohen përmes sistemeve të saj dhe përcaktohen në kuadrin rregullator të këtyre sistemeve.

Sipas ndryshimeve të propozuara, “Për funksionimin e sistemit AIPS EURO për shlyerjen e transfertave vendase për klientë në Euro”, komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat në sistemin euro do të ulet nga 6 euro në 4 euro.

Ndërkohë, totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0,02% e vlerës së transferuar. Ashtu siç ndodh me transfertat në Lekë, edhe rregullorja për transfertat në Euro do të stimulojë përdorimin e kanaleve elektronike për kryerjen e transfertave, duke parashikuar komisione të përgjysmuara për veprimet që kryhen nëpërmjet këtyre kanaleve.

Komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat kombëtare në monedhën europiane, të kryera nëpërmjet e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 2 euro. Ndërsa totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0,01% e vlerës së transferuar.

Ndërkohë, komisionet maksimale që bankat mund të aplikojnë, pavarësisht shumës së transfertës, propozohen të jenë të njëjta si në rregulloren aktuale: përkatësisht 50 euro për transfertat e kryera në degë dhe 25 euro për ato të nisura nëpërmjet kanaleve elektronike.

Këto nivele tavan do të aplikohen edhe për transfertat në nisje në zonën SEPA. Ndërsa, për tarifat e pagesave SEPA hyrëse, nëse aplikohen nga institucioni i përfituesit të pagesës, ato duhet të reflektojnë kostot përkatëse të ofruesit të shërbimeve të pagesave. Këto tarifa, në asnjë rast, nuk mund të kalojnë vlerën 3 euro për transaksion.

/r.e//a.f/

The post BSH vendos kufi për transfertat SEPA, jo më shumë se 3 euro për hyrjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Takim pune me arkitektë për standardizimin e objekteve bujqësore sipas normave të BE-së

iTIRANË, 4 gusht /ATSH / Ekspertë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bashkë me ekspertë të huaj dhe arkitektë dhe studio arkitekturore, diskutuan në Tiranë rreth identifikimit të sfidave dhe përcaktimin e hapave të mëtejshëm në drejtim të hartimit të stallave blegtorale dhe objekteve bujqësore sipas standardeve të Bashkimit Europian për fermat blegtorale.

Ky takim shënoi një hap konkret drejt modernizimit të infrastrukturës bujqësore dhe blegtorale në vend, duke theksuar rëndësinë që ka arkitektura në zhvillimin rural, mirëqenien e kafshëve dhe përgatitjen për sfidat mjedisore dhe ekonomike të së ardhmes.

Gjatë takimit u trajtuan çështje që kanë të bëjnë me: Boshllëqet aktuale në projektimin e objekteve bujqësore; Sfidat praktike dhe ato rregullatore që hasin arkitektët dhe fermerët dhe nevoja për krijimin e një strukture përfaqësuese të aktorëve të përfshirë në këtë fushë.

MBZHR dhe Giz Albania vijon të fuqizojë dialogun ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, duke nxitur shkëmbimin e ideve dhe zgjidhjeve të përbashkëta në fushën e zhvillimit rural dhe bujqësisë së qëndrueshme.

1 nga 5

/r.e//a.f/

The post Takim pune me arkitektë për standardizimin e objekteve bujqësore sipas normave të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MAS hap konsultimin publik për Planin e Veprimit të Arsimit Digjital 2025–2030

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hapur procesin e konsultimit publik për projektvendimin “Për miratimin e Planit të Veprimit të Arsimit Digjital 2025–2030, duke përfshirë standardet për arritjen e kompetencës digjitale”, një dokument strategjik që synon të transformojë sistemin arsimor shqiptar përmes digjitalizimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Dokumenti përcakton një vizion të qartë për arsimin digjital në Shqipëri deri në vitin 2030, të mbështetur në dokumente strategjike kombëtare si Strategjia Kombëtare e Arsimit dhe Agjenda Digjitale.

Plani synon: Zhvillimin e kompetencave digjitale për nxënësit dhe mësuesit; Zgjerimin e rrjetit të SMARTlab-eve në shkollat bazë dhe të mesme; Furnizimin me 5500 laptopë për shkollat publike, me mbështetjen e Bankës Botërore, CEB dhe IPA III; Zgjerimin e lidhjes broadband dhe Wi-Fi me shpejtësi të lartë në të gjitha institucionet arsimore; Krijimin e mekanizmave monitorues për të ndjekur progresin e digjitalizimit në arsim; Rritjen e përfshirjes sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të gjelbër në sistemin arsimor.

Ky plan kontribuon gjithashtu në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Europian, në veçanti në fushën e arsimit dhe shoqërisë digjitale.

Konsultimi do të zgjasë 20 ditë pune, nga data 5 gusht deri më 1 shtator 2025, dhe do të zhvillohet përmes portalit zyrtar të Regjistrit Elektronik për Konsultime Publike:
www.konsultimipublik.gov.al

MAS fton të gjithë qytetarët, ekspertët e fushës, organizatat jofitimprurëse, institucionet publike dhe të gjitha palët e interesuara të japin komentet dhe sugjerimet e tyre, me qëllim përmirësimin e përmbajtjes së këtij dokumenti të rëndësishëm që synon ndërtimin e një sistemi arsimor modern, të aksesueshëm dhe të përshtatur me nevojat e epokës digjitale.

/r.e//a.f/

The post MAS hap konsultimin publik për Planin e Veprimit të Arsimit Digjital 2025–2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bizneset shqiptare më afër mundësive financiare përmes platformës “Akses në Financë”

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Bizneset shqiptare, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), tashmë kanë në dispozicion një burim të ri informacioni dhe orientimi për skemat financiare: platformën “Akses në Financë”, të menaxhuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

AIDA njofton se, platforma, e aksesueshme në www.aida-smefinance.gov.al, ofron një pasqyrë të plotë të granteve, kredive, garancive dhe nismave të tjera financiare që ofrohen nga institucione publike, organizata ndërkombëtare, banka dhe donatorë vendas e të huaj.

Synimi kryesor i kësaj platforme është të shërbejë si një portë unike për informimin dhe aksesin në financë, duke lehtësuar qasjen e bizneseve në fondet e nevojshme për zhvillim, zgjerim apo rikuperim pas vështirësive ekonomike.

AIDA bën të ditur se iniciativa u mundësua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në mbështetje të qeverisë shqiptare, me fokus në zbutjen e ndikimeve negative të krizës së COVID-19 ndaj sektorit privat.

AIDA fton të gjithë donatorët, institucionet financiare dhe bankat që operojnë në Shqipëri të dërgojnë informacion mbi skemat e tyre financiare në adresën: info@aida.gov.al, në mënyrë që ato të publikohen dhe të jenë lehtësisht të aksesueshme për komunitetin e biznesit.

/r.e//a.f/

The post Bizneset shqiptare më afër mundësive financiare përmes platformës “Akses në Financë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skulptura “Kalorësi i Babunjës” rikthehet në Shqipëri pas ekspozitës në Vjenë

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Akademia e Shkencave njoftoi se, skulptura unike prej bronzi, “Kalorësi i Babunjës”, është rikthyer sot në Shqipëri pas dy muajsh ekspozimi në një nga institucionet muzeale më prestigjioze të Europës,  Muzeun e Historisë Natyrore në Vjenë.

Vepra 2600-vjeçare, e zbuluar në vitin 2018 pranë Apolonisë (Babunjë, Lushnjë), qëndroi e ekspozuar në “Sallën e Artë” të muzeut nga data 13 maj deri më 31 korrik 2025, ku u vlerësua gjerësisht nga publiku dhe ekspertët ndërkombëtarë.

Sipas ASH-së, ekspozita u organizua nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë, në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe vetë muzeun austriak.

Ajo u çel me një konferencë shkencore ndërkombëtare, ku morën pjesë mbi 120 studiues nga mbarë bota. Shqipëria u përfaqësua nga akad. Adem Bunguri, prof. Neritan Ceka, prof. Bashkim Lahi dhe prof. asoc. Eduard Shehi.

Pas suksesit të ekspozitës, “Kalorësi i Babunjës” është rikthyer në Tiranë dhe do të vendoset për ekspozim të përhershëm në Muzeun Arkeologjik, pjesë e Institutit të Arkeologjisë pranë ASHSH.

1 nga 3

/r.e//a.f/

The post Skulptura “Kalorësi i Babunjës” rikthehet në Shqipëri pas ekspozitës në Vjenë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paketa e Maleve, Musabelliu: Mbi tre mijë aplikime për shprehje interesi 

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Nga zonat më malore të veriut të Shqipërisë e deri në skajin më jugor të saj, interesi i qytetarëve për të përfituar nga “Paketa e Maleve” është i lartë.

Prej tri javësh qytetarët po shprehin interes për të marrë në pronësi tokën në mënyrë që më pas të zhvillojnë në projekt biznesi.

Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, u shpreh se, “janë 3175 shprehje interesi që kanë ardhur në këtë platformë. Janë të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë por zonat me kërkesë më të madhe janë ato zona ku edhe ka pasur mungesë të titujve të pronësisë. Përgjithësisht në veri dhe në juglindje të vendit”.

Gjatë një interviste televizive, ai bëri të ditur hapat që po ndiqen për zbatimin e Paketës së Maleve.

“Hapi i radhës është përcaktimi i zonave me përparësi zhvillimi, gjë që do të bëhet nga ana e bashkive, pra secila bashki do të shpallë zonat me përparësi zhvillimi në territorin e vet. Bashkitë po punojnë për shpalljen e këtyre zonave. Kur të shpallen zonat, qytetarët që kanë shprehur interes do të duhet të dorëzojnë kërkesat e tyre pranë bashkive”, tha ai.

Pasi të jenë miratuar “zonat për zhvillim”, do të nisë aplikimi real i qytetarëve, ku duhet të dorëzojnë edhe një sërë dokumentesh për të përfituar pronën.

Aplikimi real i qytetarëve me dokumentacionin përkatës që do të nisë pas shpalljes së zonave me përparësi zhvillimi nuk do të ketë afat, të gjithë qytetarët që mund të përfitojnë nga ky ligj do të mund të aplikojnë dhe përfitojnë për sa kohë ligji të jetë në fuqi dhe s’do ketë afat kufizues.

“Do të dorëzojnë një genplan të sipërfaqes që ata duan të zhvillojnë së bashku me planin e biznesit se si duan ta zhvillojnë dhe dokumentacionin që mbështetet faktin që janë zotërues të asaj prone. Pastaj bashkia bën verifikimin nëse prona plotëson kriteret për t’u dhënë në përdorim, më pas miratohet lista e zotëruesve faktikë”, thotë Musabelliu.

Ai bëri të ditur se, “qëllimi është dhënia e tokës në pronësi për ta zhvilluar për ekonominë malore dhe do ta kenë të gjithë ata që do të plotësojnë kriteret për të marrë pronën. Por lehtësitë i përfitojnë vetëm 500 të parët”.

Për 500 të parët për 10 vite nuk do të ketë taksë të ndikimit në infrastrukturë, taksë të pasurisë së paluajtshme, TVSH dhe tatimi mbi fitimin.

Fokusi i “Paketës së Maleve” do të jetë në veri, një hap që vlerësohet për të frenuar shpopullimin dhe për të nxitur punësimin.

/r.e//a.f/

The post Paketa e Maleve, Musabelliu: Mbi tre mijë aplikime për shprehje interesi  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Keqtrajtimi i kafshëve futet në Kodin Penal, dënime deri në 3 vite burg për dhunë apo braktisje të tyre

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Për herë të parë në Shqipëri keqtrajtimi dhe braktisja e kafshëve parashikohet të jetë vepër penale, me ndëshkime që shkojnë deri në 3 vite burgim.

Drafti i ri i Kodit Penal, i cili është hedhur për konsultim publik, përfshin një kapitull të posaçëm për mbrojtjen e kafshëve, duke adresuar raste të braktisjes, dhunës dhe trajtimeve çnjerëzore ndaj tyre.

Sipas nenit 944, braktisja e një kafshe nga pronari, në rrethana që rrezikojnë jetën ose shëndetin e saj, do të konsiderohet vepër penale dhe do të dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vite.

Ndërkohë, neni 943 parashikon dënime për dëmtimin e përhershëm ose të përkohshëm të kafshëve shtëpiake që jetojnë nën kontrollin e njeriut, përfshirë edhe akte me natyrë seksuale ndaj tyre. Edhe kjo vepër dënohet me gjobë ose deri në 3 vite burg. Nëse nga keqtrajtimi vjen ngordhja e kafshës, dënimi rritet me 50%.

Për herë të parë, vendoset përgjegjësi penale edhe për mungesën e kontrollit ndaj kafshëve në hapësira publike. Sipas nenit 945, nëse një kafshë (si p.sh. qen) shkakton dëmtime fizike ndaj një personi për shkak të mosvendosjes së maskës mbrojtëse ose mungesës së kontrollit nga pronari, ky i fundit mund të dënohet me gjobë ose deri në 6 muaj burg. Dënimi rritet nëse pasojat janë më të rënda.

Neni 946 ndalon dhe ndëshkon me gjobë ose deri në 3 muaj burg çdo person që promovon, organizon apo drejton ndeshje ndërmjet kafshëve që u shkaktojnë atyre vuajtje apo torturë. Për trajnimin ose dhënien e kafshëve për këto qëllime, parashikohet burgim deri në 6 muaj, ndërsa vendosja e basteve dënohet me deri në 2 muaj burg.

Sipas nenit 947, kur veprat penale ndaj kafshëve kryhen me mizori, egërsi, për qëllime fitimi, në prani të fëmijëve, me armë apo mjete të rrezikshme, ose nëse shpërndahen pamjet në rrjete sociale apo media, dënimi rritet me deri në 50%.

Ky draft përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së të drejtave të kafshëve dhe përmirësimit të standardit ligjor dhe moral të shoqërisë shqiptare në raport me trajtimin e tyre.

/r.e/

The post Keqtrajtimi i kafshëve futet në Kodin Penal, dënime deri në 3 vite burg për dhunë apo braktisje të tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ligji i ri për bashkëpronësinë, standarde në administrimin e hapësirave të përbashkëta

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Shqipëria ka hyrë në një epokë të re të administrimit të banesave kolektive me hyrjen në fuqi të Ligjit “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”, i miratuar më 3 korrik dhe i publikuar në Fletoren Zyrtare.

Ky ligj zëvendëson rregulloren e vitit 2009, e cila shpesh kishte mbetur vetëm në letër.

Ligji i ri sjell një qasje të detyrueshme dhe të organizuar për administrimin e pallateve, duke i dhënë fund situatës ku shumë ndërtesa ishin të pambuluara nga ndonjë formë menaxhimi. Risia kryesore është se çdo ndërtesë me më shumë se një pronar duhet të ketë një administrator, individ ose shoqëri e certifikuar nga bashkia dhe një strukturë funksionale të bashkëpronësisë.

Sipas ligjit, tashmë çdo hapësirë e përbashkët si shkallët, ashensorët, bodrumet, fasadat apo tarracat, do të regjistrohen si pasuri në bashkëpronësi në dokumentacionin kadastral, duke i dhënë fund abuzimeve dhe interpretimeve të ndryshme mbi pronësinë.

Ligji parashtron përgjegjësitë e administratorit që do të ketë rol të qartë dhe detyrime ligjore, duke përfshirë:
• Mirëmbajtjen dhe riparimet;
• Pastrimin dhe kontratat me furnitorë;
• Mbledhjen e kuotave mujore të banorëve;
• Përfaqësimin ligjor të pallatit dhe raportimin vjetor të shpenzimeve.

Kontrata me administratorin do të ketë afat minimal prej tre vitesh, për të siguruar stabilitet dhe shmangur rotacionet e shpeshta për motive personale.

Ligji përcakton gjithashtu krijimin e asamblesë së bashkëpronarëve, me kompetenca për të vendosur me shumicë votash për çështje të rëndësishme si buxheti, punimet e mëdha, apo edhe shkarkimi i administratorit në rast mosfunksionimi.

Po ashtu, për herë të parë, shoqëritë ndërtuese janë të detyruara ligjërisht të administrojnë ndërtesën deri në momentin e dorëzimit përfundimtar të pronës dhe dhënies së certifikatës së shfrytëzimit. Ato duhet të përfshijnë në kontratat e shitjes edhe aktin e bashkëpronësisë dhe rregulloren e administrimit, dokumente që regjistrohen në Kadastër.

Një tjetër element i rëndësishëm i ligjit është roli i bashkive, të cilat do të:
• Certifikojnë administratorët;
• Mbikëqyrin procesin e administrimit;
• Mbajnë dhe përditësojnë “librin e bashkëpronësisë”;
• Vendosin gjoba në rast shkeljesh që dëmtojnë jetesën kolektive.

Të gjitha të dhënat e bashkëpronësisë do të jenë të aksesueshme përmes platformës e-Albania, duke rritur transparencën dhe ulur burokracinë.

Ky ligj i ri synon të forcojë bashkëjetesën urbane, të mbrojë vlerën e pronës së përbashkët dhe të sigurojë cilësi më të mirë jetese për qytetarët. Ai shënon një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të jetës në komunitet dhe krijimit të një kulture të re qytetarie në ndërtesat kolektive.

/r.e/

The post Ligji i ri për bashkëpronësinë, standarde në administrimin e hapësirave të përbashkëta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nisin regjistrimet në arsimin profesional, Denaj: Drejtimi bujqësor siguron punësim të sigurt

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Të rinjtë që mbarojnë klasën e 9-të kanë tani një mundësi të artë për të ndërtuar një karrierë të qëndrueshme dhe të suksesshme në sektorin bujqësor, përmes arsimit profesional në një nga tre drejtimet më të kërkuara në treg: bujqësi, veterinari dhe teknologji ushqimore.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri me dije se tashmë kanë nisur regjistrimet në arsimin profesional, teksa i ftoi nxënësit të zgjedhin arsimin profesional bujqësor për punësim të sigurt.

“Nxënësit mund të regjistrohen në një nga shkollat profesionale bujqësore që janë në 5 qarqe të vendit: Shkolla profesionale “Rakip Kryeziu”, Fier; Shkolla profesionale “Mihal Shahini”, Cërrik; Shkolla e mesme profesionale Kamëz; Shkolla Profesionale Shërbime, Korçë; Shkolla profesionale “Ndre Mjeda”, Bushat dhe shkolla profesionale “Charles Telford Erickson”, Golem”, tha Denaj.

Ministrja i ftoi të rinjtë të investojnë në dije për t’u bërë pjesë e zhvillimit të bujqësisë së qëndrueshme në Shqipëri, teksa njoftoi se, regjistrimi bëhet lehtësisht përmes portalit e-Albania, në shërbimin “Regjistrohu në klasën e dhjetë”.

/r.e/

The post Nisin regjistrimet në arsimin profesional, Denaj: Drejtimi bujqësor siguron punësim të sigurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dollari forcohet, euroja humb pikë në këmbim me lekun

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Dollari amerikan ka shënuar të premten një rritje të lehtë në kursin e këmbimit kundrejt lekut, ndërsa euroja ka humbur pikë në tregun valutor vendas, krahasuar me një ditë më parë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan (USD) u forcua me 0,24 lekë, duke u këmbyer sot me 85,45 lekë. Në të kundërt, euroja (EUR) ka pësuar një rënie prej 0,03 lekësh, duke u këmbyer me 97,44 lekë.

Rënie më të theksuar ka pësuar poundi britanik (GBP), i cili humbi 0,39 lekë dhe u këmbye me 112,34 lekë. Edhe franga zvicerane (CHF) dhe jeni japonez (JPY) shënuan ulje të lehta në vlerë, respektivisht me 0,04  lekë dhe 0,06 lekë, krahasuar me ditën e enjte.

Në tregun e metaleve të çmuara, ari ka humbur 333,11 lekë për ons, duke u këmbyer me 281.434,21 lekë, ndërsa argjendi ka zbritur me 22,91 lekë, në vlerën 3116,20 lekë për ons.

Monedha kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollari amerikan USD 85.45 +0.24
Euroja EUR 97.44 -0.03
Poundi Britanik GBP 112.34 -0.39
Franga Zvicerane CHF 104.74 -0.04
Jeni Japonez (100) JPY 56.80 -0.06
Dollari Australian AUD 54.85 -0.09
Dollari Kanadez CAD 61.59 +0.05
Korona Suedeze SEK 8.70 -0.03
Korona Norvegjeze NOK 8.25 -0.01
Korona Daneze DKK 13.06 0.00
SDR SDR 115.78 -0.22
Ari (OZ 1) XAU 281434.21 -333.11
Argjendi (OZ 1) XAG 3116.20 -22.91
Juani Kinez (onshore) CNY 11.85 +0.01
Juani Kinez (offshore) CNH 11.84 +0.02
Lira Turke TRY 2.11 +0.01

/r.e//a.f/

The post Dollari forcohet, euroja humb pikë në këmbim me lekun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Raporti i UNDP, Shqipëria ngjitet në kategorinë e “Zhvillimit Njerëzor Shumë të Lartë”

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Shqipëria ka shënuar një arritje të rëndësishme në Indeksin e Zhvillimit Njerëzor (HDI), duke u ngjitur për herë të parë në kategorinë e “Zhvillimit Njerëzor Shumë të Lartë”, sipas raportit të fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Vlera e HDI-së për Shqipërinë në vitin 2023 është 0.810, një përmirësim i dukshëm që e rendit vendin në pozicionin e 71-të nga 193 vende, duke reflektuar përparim në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe të ardhurave kombëtare.

Ky rezultat vjen në një kohë kur globalisht, ritmi i përmirësimit të zhvillimit njerëzor po ngadalësohet, duke arritur nivelet më të ulëta në 35 vitet e fundit.

UNDP bën të ditur se, pavarësisht kësaj tendence, Shqipëria tregon rezistencë dhe progres të qëndrueshëm, sidomos në krahasim me mesataren rajonale të Evropës dhe Azisë Qendrore (HDI: 0.818).

Raporti i UNDP për vitin 2023 thekson gjithashtu rolin në rritje të Inteligjencës Artificiale (IA) në zhvillimin global.

Sipas të dhënave të raportit: 60% e njerëzve besojnë se IA do të ndikojë pozitivisht në punësim, duke krijuar role të reja; Vetëm 13% shprehin frikë nga humbja e vendeve të punës dhe në vendet me zhvillim të ulët dhe mesatar, 70% presin që IA të rrisë produktivitetin dhe 2/3 e popullsisë synojnë ta përdorin në sektorët kyç, si arsim dhe shëndetësi.

UNDP nënvizon se përfitimet e teknologjisë vijnë kur IA zhvillohet me një qasje njerëzore, duke u fokusuar në: Bashkëpunim mes njeriut dhe IA-së, jo konkurrencë; Përfshirje aktive të njerëzve në zhvillimin e teknologjive dhe modernizim të sistemeve arsimore dhe shëndetësore për epokën digjitale.

Përballë këtij realiteti të ri global, sfida për Shqipërinë është të orientojë politikat e zhvillimit drejt epokës digjitale, duke ruajtur ritmin e përmirësimit të jetesës dhe duke integruar IA-në në mënyrë të zgjuar në shërbim të qytetarëve.

/e.xh//r.e//a.f/

The post Raporti i UNDP, Shqipëria ngjitet në kategorinë e “Zhvillimit Njerëzor Shumë të Lartë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Integrimi në BE, Denaj drejton takimin e dytë të Komitetit Drejtues të projektit “EU GoAL”

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj drejtoi sot takimin e dytë të Komitetit Drejtues të projektit “EU GoAL”, një iniciativë që mbështet përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të kapitujve 11 (Bujqësia dhe Zhvillimi Rural) dhe 13 (Peshkimi), si pjesë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Në takim morën pjesë zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo, drejtori i Politikave të Zhvillimit në MBZHR, Irfan Tarelli, zëvendësdrejtoresha e Agjencisë Italiane për bashkëpunim dhe Zhvillim, AICSTirana, Letizia Fischioni, si dhe përfaqësuesi i CIHEAM Bari, Fabrizio Contento.

Ministrja Denaj vlerësoi progresin e deritanishëm të projektit dhe theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi teknik dhe institucional për të përmbushur kriteret që lidhen me fushat kyçe të bujqësisë dhe zhvillimit rural.

“Diskutuam prioritetet për orientimin e mëtejshëm të asistencës teknike që ofron ‘EU GoAL’, në përputhje me vizionin tonë për “Bujqësinë 2030”, u shpreh ministrja Denaj.

Projekti “EU GoAL” luan një rol të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të Ministrisë së Bujqësisë dhe strukturave të saj vartëse, duke ndihmuar harmonizimin e politikave bujqësore dhe peshkimit me acquis communautaire të BE-së.

e.xh//r.e//a.f/

The post Integrimi në BE, Denaj drejton takimin e dytë të Komitetit Drejtues të projektit “EU GoAL” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

10 produkte të regjistruara “Specialitet tradicional i garantuar”

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Dhjetë produktet e para autoktone janë regjistruar si marka të mbrojtura pasi kanë kaluar procesin e verifikimit të përputhshmërisë për treguesit gjeografikë, emërtimin e origjinës dhe traditës, duke marrë kështu logon kombëtare dhe prezantimin e tyre në treg si “Specialitet Tradicional i Garantuar”.

Këto produkte janë tashmë të regjistruara në markën e cilësisë dhe dallohen përmes logove zyrtare të cilësinë në ambalazhin e tyre.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me programin gjerman për zhvillimin e qendrueshëm rural në Shqipëri, po punojnë për certifikimin e produkteve shqiptare “Specialitet Tradicional i Garantuar”.

Ekspertët shprehen se, jo çdo produkt është thjesht ushqim. Disa mbartin kujtesën e vendit prej nga vijnë, traditën e prodhimit dhe lidhjen me tokën që i dha jetë.

Sipas tyre, për këtë arsye ekzistojnë skemat evropiane të cilësisë: Specialitet Tradicional i Garantuar (STG); Emërtim i Mbrojtur i Origjinës (EOM); Tregues Gjeografik i Mbrojtur (TGJM)

Skemat e cilësisë janë mekanizma që garantojnë dhe promovojnë produktet bujqësore dhe ushqimore me cilësi të veçantë, origjinë të qartë gjeografike dhe metoda tradicionale prodhimi.

Këto cilësi janë më shumë se një logo. Janë dëshmi e autenticitetit, përkujdesjes dhe krenarisë që qëndron pas çdo produkti të regjistruar.

Kështu përshembull Parmigiano Reggiano; Aceto Balcamico di Modena, janë dy shembujt më të njohur në botë të produkteve që dallojnë për cilësinë, traditën dhe shijen e tyre unike. Ndërsa logo “Specialitet Tradicional i Garantuar” tashmë gjendet në etiketën e mjaltit të Bedunicës, djathit të ziem, djathit të dhisë nga Bjeshkët e Runjës, Flisë së Kukësit, etj.

/a.f//r.e/

The post 10 produkte të regjistruara “Specialitet tradicional i garantuar” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bujqësia Digjitale dhe Transformimi Rural, miratohen prioritetet

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Zyrtarë të lartë nga Qeveria e Shqipërisë, Kombet e Bashkuara dhe partnerët e zhvillimit u mblodhën sot në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për takimin e dytë të Komitetit Drejtues të programit të Bujqësisë Digjitale dhe Transformimit Rural (DART). Takimi shqyrtoi progresin e programit deri më sot dhe miratoi prioritetet për fazën e tij të ardhshme.

E bashkëkryesuar nga Anila Denaj, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, dhe Randi Davis, koordinatore rezidente në detyrë e OKB-së dhe përfaqësuese rezidente e UNDP-së, seanca riafirmoi një angazhim të përbashkët për të sjellë inovacion digjital në sektorin bujqësor të Shqipërisë dhe për të zvogëluar pabarazitë midis zonave rurale dhe urbane.

“Ky program po transformon mënyrën se si mendojmë për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Ne nuk po investojmë vetëm në teknologji, por edhe në njerëz, fermerë, të rinj dhe nëpunës publikë të cilët do të udhëheqin tranzicionin digjital të Shqipërisë në përputhje me vizionin e Bujqësisë 2030”, tha Denaj.

I zbatuar bashkërisht nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë, programi DART mbështet zhvillimin e mjeteve, shërbimeve dhe aftësive digjitale për të përmirësuar produktivitetin bujqësor, ofrimin e shërbimeve dhe mundësitë e punësimit rural veçanërisht në përputhje me objektivat e integrimit në BE.

Përfundimet kryesore të takimit ishin disa.

Sa i takon progresit në Strategjinë e Bujqësisë Digjitale, Komiteti Drejtues shqyrtoi përparimet në Strategjinë e re të Bujqësisë Digjitale të Shqipërisë, duke përfshirë aktivizimin e grupeve të punës të përbëra nga qeveria, akademia, sektori privat dhe ekspertë të shoqërisë civile. Një anketë kombëtare që mbulon mbi 800 fermerë në 9 rajone dhe një analizë e thelluar e politikave po formësojnë një strategji të përafruar me standardet e planifikimit të Shqipërisë dhe kërkesat e BE-së.

Përmirësimi i Portalit të Fermerëve: Pjesëmarrësit diskutuan ridizajnimin e Portalit kombëtar të Fermerëve, bazuar në hulumtimin dhe reagimet e përdoruesve. Karakteristikat e reja do të përfshijnë qasje në çmimet e tregut, module të mësimit elektronik dhe shërbime këshillimore të përshtatura sipas nevojave të fermerëve. Ndërtimi i Aftësive Digjitale: U ndanë plane për bashkëpunim me shkollat e TVET-së dhe qendrat e formimit profesional për të përmirësuar shkrim-leximin digjital dhe rrugët e karrierës për të rinjtë në bujqësi, pavarësisht boshllëqeve në infrastrukturë dhe kapacitete në mjediset e arsimit rural.

Plani i Punës dhe Integrimi i Buxhetit: Komiteti miratoi planin e punës DART 2025, dhe Ministria e Bujqësisë shprehu angazhimin e saj për integrimin e prioriteteve të bujqësisë digjitale në Programin Buxhetor Afatmesëm 2026–2029.

Pronësia Institucionale: Komiteti miratoi Termat e Referencës për grupet e punës të DART, të cilat do të hartojnë së bashku Strategjinë dhe Portalin e Fermerëve. Ministria u zotua për formalizimin dhe angazhimin proaktiv të këtyre grupeve.

“Për të pasur sukses, ne kemi nevojë për zgjidhje të hartuara së bashku që janë të bazuara në prova të arritshme”, shtoi Lorena Pullumbi, ndihmëspërfaqësuese e FAO-s në Shqipëri. “Ne mirëpresim një angazhim më të fortë nga institucione të tilla si Universiteti Bujqësor i Tiranës, bashkitë dhe shërbimet këshillimore lokale dhe presim me padurim përforcimin e dialogut me Delegacionin e BE-së, roli i të cilit është kyç në ankorimin e kësaj pune brenda kornizës së pranimit të Shqipërisë në BE”, tha ajo.

Ndërsa dr. Francelino Rodrigues i FAO-s dhe koordinatorja kombëtare e projektit, Arsita Mati, ndanë përditësime teknike dhe pranuan rolin e institucioneve kombëtare si SASPAC, ARDA dhe Agjencisë për Ekselencë dhe Inovacion në nxitjen e zbatimit në nivel kombëtar dhe lokal.

Takimi u mbajt në format hibrid, me pjesëmarrjen e disa ministrive duke përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MECI) dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE)  si dhe zyrat rajonale të OKB-së dhe ekipet në terren. Delegacioni i Bashkimit Evropian ishte gjithashtu i përfaqësuar, duke theksuar rëndësinë e sinergjive më të ngushta midis zbatimit të programit dhe proceseve të përafrimit me BE-në.

Në muajt në vijim, programi do të përqendrohet në ngritjen e grupeve të punës ndërinstitucionale për të udhëhequr zhvillimin e strategjisë; Avancimi i Portalit të Fermerëve përmes finalizimit të planit rrugor, seancave të bashkëdizajnimit dhe rekrutimit të ekipit të zhvillimit; Përmirësimi i programeve të trajnimit në bujqësinë digjitale për të rinjtë dhe profesionistët; Forcimi i koordinimit me qeveritë lokale dhe bashkitë, të cilat luajnë një rol jetësor në afrimin e mjeteve digjitale me komunitetet rurale.

Programi “Bujqësia Digjitale dhe Transformimi Rural” (DART) është një program trevjeçar (2024–2027) i financuar nga Dritarja e Transformimit Digjital e Fondit të Përbashkët të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) përmes kontributeve nga Bashkimi Evropian, Suedia dhe Spanja. Ky program udhëhiqet nga FAO me ILO-n, ITU dhe ministritë e Bujqësisë dhe Financave të Shqipërisë.

/e.xh//a.f//r.e/

The post Bujqësia Digjitale dhe Transformimi Rural, miratohen prioritetet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kroacia kujton Ditën e Fitores dhe të Veteranëve, FA në paradën Zagrebit

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Me rastin e 30-vjetorit të Ditës së Fitores dhe të Veteranëve, Shqipëria ishte mes të ftuarve të nderit në paradën ushtarake të organizuar në kryeqytetin kroat, Zagreb.
Me ftesë të homologut të tij kroat, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral-lejtnant Arben Kingji, mori pjesë në këtë ceremoni të rëndësishme, ku vendi ynë u përfaqësua denjësisht.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ndau në rrjete sociale aspekte nga kjo ceremoni, teksa vlerësoi pjesëmarrjen e Shqipërisë krah Forcave të Armatosura Kroate dhe aleate.
“Flamurtarët tanë marshuan krah për krah Forcave të Armatosura Kroate dhe aleate. Një simbol partneriteti të qëndrueshëm, miqësie dhe bashkëpunimi gjithnjë e më të ngushtë mes Shqipërisë dhe Kroacisë”, u shpreh Vengu.

/e.xh//a.f/

The post Kroacia kujton Ditën e Fitores dhe të Veteranëve, FA në paradën Zagrebit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Makineritë bujqësore pa TVSH, hapat për të përfituar agrobiznesi

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Agrobiznesi është i përjashtuar nga TVSH-ja për importin e makinerive dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit të tyre, pavarësisht nga vlera e investimit.

Për të përfituar përjashtim nga TVSH-ja në importin e makinerive dhe pajisjeve, subjektet agropërpunuese duhet të aplikojnë përmes e-Albanias.

Portali i qeverisë e-Albania ndau në rrjete sociale hapat që ndiqen duke aplikuar në  zgjedhjen e shërbimit “Makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e agrobiznesit, pavarësisht nga vlera e investimit”.

pas duhet të plotësohet formulari dhe të ngarkohen dokumentet e kërkuara.Kopje e planit të investimit dhe preventivi. 

Nëse aplikimi i plotëson kushtet mundësohet hedhja e autorizimit në sistem.

Autorizimi “Makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e agrobiznesit, pavarësisht nga vlera e investimit” është një autorizim që i jepet operatorit ekonomik i cili vepron në fushën e agrobiznesit. Me anë të këtij autorizimi operatori përfiton nga përjashtimi i pagesës së TVSH-së në momentin e importimit. Makineritë dhe pajisjet që përfitojnë nga ky përjashtim janë të listuara në Aneksin e bazës ligjore të mëposhtme.

E- Albania publikoi linkun ku aplikohet teksa njoftoi se, koha për marrjen e shërbimit është 15 ditë dhe dokumenti mbërrin elektronikisht tek rubrika “Dokumentet e mia” dhe në email.

https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx…

 

/e.xh//a.f/

The post Makineritë bujqësore pa TVSH, hapat për të përfituar agrobiznesi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Kombëtare, mbështetje 203 aplikimeve për ferma organike

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Bujqësia organike në Shqipëri po zhvillohet gjithmonë e më tepër, duke sjellë jo vetëm produkte cilësore në treg, por edhe fitime më të larta për fermerët.

Fermat me prodhim organik kanë mundësi të drejtpërdrejtë për rritjen e eksporteve në tregjet e BE dhe më gjerë, duke mundësuar rritjen e konkurrueshmërisë dhe modernizimin e sektorit.

Sipas të dhënave nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, në Skemën Kombëtare të mbështetjes për Bujqësinë 2025 janë shpallur përfitues me subvencione 203 fermerë për zhvillimin e fermave organike.

Sipas kritereve që ka miratuar qeveria për subvencionet në bujqësinë organike bizneset e kësaj linje përfitojnë mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës.

Fermat organike, për vitin e parë, përfitojnë financim në vlerën 100 000 lekë, në vitin e dytë, 150 000 lekë dhe 200 000 lekë për fermë të certifikuar.

/r.e/

The post Skema Kombëtare, mbështetje 203 aplikimeve për ferma organike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dëmet nga zjarret, Denaj: Mbështetje ushqimore për blegtorinë, rivitalizim i të mbjellave

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Qeveria adreson një paketë mbështetëse për fermerët, për dëmet e shkaktuara nga zjarret në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë.

Në konferencën e përbashkët me ministrat e Mbrojtjes Pirro Vengu, atë të Brendshëm Ervin Hoxha dhe drejtorin e përgjithshëm të Emergjencave Civile, Haki Çako, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj vlerësoi ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë për marrjen e masave ndaj dëmeve të shkaktuara nga zjarret.

Denaj tha se, “zjarret kanë shkatuar dëme kryesisht në zonën e jugut të vendit, në Delvinë, në blegtori, bletari por dhe në kullota. Janë 230 koshere me bletë të dëmtuara, 8 stane, ndërsa jemi duke vlerësuar nevojën për ushqim për blegtorinë në të gjithë zonat e prekura nga zjarret”.

Ministrja bëri të ditur se, furnizimi me bazë ushqimore për blegtorinë, në zonën e prekur nga zjarret është mundësuar në kohë rekord.

“Që prej ditës së martë janë shpërndarë në Delvinë 20 tonë ushqime dhe kemi një kapacitet prej 100 tonë ushqime rezervë për t’u shpërndarë në zonat e tjera të vendit, ku paraqitet nevoja”, tha ajo, teksa u bëri apel institucioneve në terren të bëjnë përllogaritjet për nevojat e tjera që paraqiten.

Ajo shtoi se qeveria do të vijë me një paketë mbështetëse për rivitalizimin e një sipërfaqeje toke prej 29 mijë hektarësh me të mbjella.

“Është një sipërfaqje toke prej 29 mijë hektarë, po mendojmë një paketë mbështetëse për të rivitalizuar këtë pjesë me të mbjella”, tha Denaj.

/r.e/

The post Dëmet nga zjarret, Denaj: Mbështetje ushqimore për blegtorinë, rivitalizim i të mbjellave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dollari amerikan vijon të forcojë pozitat ndaj lekut, euroja dobësohet

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Dollari amerikan vijon të fitojë pikë në kursin e këmbimit me lekun, ndërsa euroja dhe monedhat e tjera të huaja u dobësuan.
Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të enjten një euro u këmbye me 97,48  lekë, duke humbur 0,06 pikë krahasuar me të mërkurën, ndërsa një dollar u këmbye me 95,21 lekë, duke fituar 0,78 pikë.
Paundi britanik u këmbye me 112,73 lekë, ose 0,14 lekë më pak se dje, ndërsa franga zvicerane zbriti me 0,18 lekë dhe këmbehet me 104,78 lekë.

Edhe këtë vit sezoni i mbarë turistik me fluks të shtuar të vizitorëve dhe emigrantëve ka sjellë rritje të ofertës valutore në treg, duke reflektuar nënçmim të monedhave kryesore të huaja, në raport me lekun.

BSH-ja vlerëson se situata në tregun valutor vijon e qetë, e karakterizuar nga luhatshmëri e ulët e kursit brenda intervaleve normal.

Monedha kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollari amerikan USD 85.21 +0.78
Euroja EUR 97.47 -0.06
Poundi Britanik GBP 112.73 -0.14
Franga Zvicerane CHF 104.78 -0.18
Jeni Japonez (100) JPY 56.86 -0.18
Dollari Australian AUD 54.94 +0.10
Dollari Kanadez CAD 61.54 +0.27
Korona Suedeze SEK 8.73 -0.02
Korona Norvegjeze NOK 8.26 -0.02
Korona Daneze DKK 13.06 -0.01
SDR SDR 116.00 +0.97
Ari (OZ 1) XAU 281767.32 +665.19
Argjendi (OZ 1) XAG 3139.11 -75.31
Juani Kinez (onshore) CNY 11.84 +0.08
Juani Kinez (offshore) CNH 11.82 +0.07
Lira Turke TRY 2.10 +0.02

/r.e/

The post Dollari amerikan vijon të forcojë pozitat ndaj lekut, euroja dobësohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria merr pjesë në samitin e OKB-së për sistemet ushqimore

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Shqipëria ishte pjesë e Samitit të OKB-së për Sistemet Ushqimore që kishte në fokus angazhimin dhe veprimet globale për sigurimin e një zinxhiri vlere konkurrues në sistemet ushqimore.

Delegacioni i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i kryesuar nga sekretari i përgjithshëm Dritan Palnikaj, përfaqësoi Shqipërinë në këtë samit, që u mbajt në kryeqytetin e Etiopisë, Adis-Abeba.

Samiti, i organizuar nga qeveria e Etiopisë dhe ajo e Italisë, solli në fokus diskutimet për forcimin e zinxhirit të vlerës, fuqizimin e tregjeve dhe garantimin e sigurisë ushqimore, si rrugë për një prodhim më të qëndrueshëm dhe ushqim më të sigurt në nivel global.

1 nga 3

/r.e/

The post Shqipëria merr pjesë në samitin e OKB-së për sistemet ushqimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌