Britania e Madhe njoftoi të martën se është e gatshme të njohë një shtet palestinez në muajin shtator, përveç nëse qeveria izraelite ndërmerr hapa të rëndësishëm për t’i dhënë fund “situatës së tmerrshme” në Gaza dhe të përmbush disa kushte.
Vendimi i kryeministrit britanik, Keir Starmer, vjen pas shembullit të Francës, ku presidenti Emmanuel Macron konfirmoi synimin e vendit të tij për ta njohur shtetin palestinez dhe, në këtë mënyrë, të inkurajojë edhe partnerët e tjerë që të veprojnë njësoj.
Reuters ka analizuar njoftimin e Starmerit, i nxitur nga zemërimi në rritje shkaku i urisë dhe shkatërrimit të Gazës gjatë luftës së Izraelit kundër militantëve të Hamasit, si dhe pozicionet e vendeve të tjera mbi njohjen e shtetit palestinez.
Çfarë tha Starmer?
Kryeministri britanik përsëriti se “nuk ka barazi midis Izraelit dhe Hamasit dhe se kërkesat tona ndaj Hamasit mbeten të njëta: duhet të lirohen të gjitha pengjet, të pranojnë një armëpushim, të pranojnë se nuk do të kenë rol në qeverisjen e Gazës dhe të çarmatosen”.
Starmer tha se Britania do të bëjë hapin përkatës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përveç nëse Izraeli ndërmerr hapa të dukshëm për të lejuar më shumë ndihma humanitare në Gaza, deklaron qartë se nuk do të aneksojë Bregun Perëndimor dhe angazhohet për një proces paqeje afatgjatë që synon një “zgjidhje me dy shtete” – një shtet palestinez që bashkëjeton në paqe përkrah Izraelit.
Ai tha se qeveria e tij do të bëjë një vlerësim në muajin shtator mbi “sa larg kanë shkuar palët në përmbushjen e këtyre hapave”, por shtoi se askush nuk do të ketë të drejtë vetoje mbi këtë vendim.
Pse e ndërmori këtë hap Starmer?
Qeveritë e njëpasnjëshme britanike kanë deklaruar se do ta njohin zyrtarisht një shtet palestinez kur të vijë momenti i duhur, por asnjëherë nuk kanë vendosur një afat kohor apo nuk kanë përcaktuar qartë kushtet e nevojshme.
Starmer tha se vendimi është marrë në një kohë kur situata në terren në Gaza është shumë e rëndë dhe kur perspektiva për një zgjidhje me dy shtete është në rrezik të madh, transmeton Telegrafi.
Një numër gjithnjë e më i madh deputetësh nga Partia Laburiste e Starmerit kanë kërkuar prej tij që të njohë shtetin palestinez për të ushtruar presion mbi Izraelin.
Si mund të ndikojë kjo në marrëdhëniet SHBA-Britani e Madhe?

Starmer ka qenë në përpjekje për të ndërtuar marrëdhënie të ngrohta me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe Britania rrallëherë ka devijuar nga qëndrimi i SHBA-së në çështjet e politikës së jashtme. Dy liderët u takuan të hënën në Skoci, por Trump tha se nuk kishin diskutuar planin britanik gjatë atij takimi.
I pyetur të hënën nëse ishte dakord me pozicionin e mëhershëm të Starmerit për shtetësinë palestineze si një hap konkret drejt paqes së qëndrueshme, Trump tha se “nuk kam problem që ai merr një qëndrim. Unë tani dua që njerëzit të kenë ushqim – ky është prioriteti numër një. Ka shumë njerëz që po vuajnë shkaku i urisë”.
Pas njoftimit të Francës, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e hodhi poshtë plotësisht planin, duke e quajtur “një vendim të pamatur që i shërben vetëm Hamasit”.
Si reagoi Franca ndaj vendimit të Britanisë?
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, shkroi në platformën X se Britania po “i bashkohet vrullit të nisur nga Franca për njohjen e shtetit të Palestinës”.
Le Royaume-Uni se joint aujourd’hui à l’élan créé par la France pour la reconnaissance de l’Etat de Palestine.
Ensemble, par cette décision capitale et nos efforts conjugués, nous enrayons le cycle infini de la violence et rouvrons la perspective de la paix dans la région.
Une…
— Jean-Noël Barrot (@jnbarrot) July 29, 2025
Së bashku, përmes këtij vendimi vendimtar dhe përpjekjeve tona të përbashkëta, po i japim fund ciklit të pafund të dhunës dhe po rihapim perspektivën për paqe në rajon,” tha Barrot. “Asgjë nuk mund ta pengojë një ide të drejtë dhe të qartë,” shtoi ai.
Cili ka qenë qëndrimi i Britanisë ndaj Izraelit që nga 7 tetori?
Në fillim të luftës në Gaza në tetor të vitit 2023, kur Starmer ishte ende në opozitë, ai e mbështeti plotësisht të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur.
Por, qëndrimi i tij ka ndryshuar gjatë viteve, duke u bërë më i ashpër ndaj Izraelit, veçanërisht që nga zgjedhja si kryeministër pak më shumë se një vit më parë.
Qeveria e tij hoqi dorë nga kundërshtimi i administratës së mëparshme ndaj urdhrave të arrestit të lëshuara nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe pezulloi shitjen e disa armëve për Izraelin.
Muajin e kaluar, Britania vendosi sanksione ndaj dy ministrave të ekstremit të djathtë në qeverinë izraelite, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, duke i akuzuar për nxitje të vazhdueshme të dhunës kundër palestinezëve.
Kush tjetër e ka njohur shtetin e Palestinës?

Vitin e kaluar, Irlanda, Norvegjia dhe Spanja e njohën një shtet palestinez me kufijtë që ishin para luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967, kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin Lindor.
Megjithatë, ato gjithashtu e pranuan se këta kufij mund të ndryshojnë në një marrëveshje përfundimtare, dhe se vendimet e tyre nuk e cenojnë bindjen se Izraeli ka të drejtë themelore për të ekzistuar në paqe dhe siguri.
Rreth 144 nga 193 shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara e njohin Palestinën si shtet, përfshirë Rusinë, Kinën dhe Indinë.
Por, vetëm një numër i vogël nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian e kanë bërë këtë – kryesisht shtete ish-komuniste, si dhe Suedia dhe Qiproja.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi njohjen de facto të shtetit sovran të Palestinës në muajin nëntor të vitit 2012, duke e ngritur statusin e saj nga “entitet” në “shtet jo-anëtar”.
Kush mund të jetë në radhë?
Vendimi i Starmerit mund të ushtrojë presion mbi vende të tjera të mëdha si Gjermania, Australia, Kanadaja dhe Japonia që të ndjekin të njëjtën rrugë.
Gjermania tha të premten se nuk planifikon ta njohë shtetin palestinez në një afat të shkurtër, duke theksuar se prioritet është arritja e “përparimit të vonuar prej kohësh” drejt zgjidhjes me dy shtete – Izraeli dhe një shtet palestinez që bashkëjetojnë në paqe.
Ministri i Jashtëm i Italisë tha se njohja duhet të ndodhë njëkohësisht me njohjen e Izraelit nga një shtet i ri palestinez.
“Një shtet palestinez që nuk e njeh Izraelin do të thotë se problemi nuk do të zgjidhet,” tha Antonio Tajani në një takim në Romë. /Telegrafi/
The post Pse Britania po e njeh një shtet palestinez? appeared first on Telegrafi.