Mbështetje nga Skema Kombëtare, bletari në Kolonjë zgjeroi aktivitetin
TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Politikat mbështetëse të qeverisë adresojnë financim të drejtëpërdrejtë për zhvillimin e bletarisë, si një ndër sektorët kryesorë në ekonominë rurale që kontribuon në rritjen e të ardhurave për familjet fermere.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale historinë e familjes Saliko në Kolonjë, që ruan një traditë të hershme në bletari, e cila sot vijon nga Hyseni dhe familja e tij.
Ai mbarështon mbi 100 koshere të racave vendase, mema kolonjare, dhe raca të njohura Carnica dhe Buckfast, duke garantuar cilësi dhe qëndrueshmëri në prodhim.
Në “Bletaria Saliko” prodhohet mjaltë cilësor dhe qumësht blete, që shkon në tregun vendas, duke ndihmuar në fuqizimin e ekonomisë familjare dhe zhvillimin rural.
Denaj tha se, Hyseni është përfitues i Skemës Kombëtare të Mbështetjes për bletarinë, e cila i ka dhënë mundësi të zgjerojë aktivitetin e tij.
Ministrja informoi për instrumentet e reja të financimit që adreson qeveria për mbështetjen e fermerëve dhe bujqësisë.
“Përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, me 50% grant dhe mbështetjes nga Kredia e Butë të kombinuar me Garancinë Sovrane, çdo fermer mund të përfitojë financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolateral deri në 70%”, tha Denaj.
Bletaria është një sektor strategjik për mbrojtjen e biodiversitetit dhe sigurimin e ushqimit të qëndrueshëm.
Në Shqipëri, ky sektor ka njohur zhvillim të vazhdueshëm, duke kontribuar në përmirësimin e ekonomisë dhe ekosistemit.
Sot numërohen rreth 500,000 zgjoje bletësh në të gjithë vendin, ku vetëm në 10 vitet e fundit numri i zgjojeve është rritur me 64 %, duke ndikuar ndjeshëm në nivelin e prodhimit të mjaltit për tregun dhe për eksport. /j.p/
The post Mbështetje nga Skema Kombëtare, bletari në Kolonjë zgjeroi aktivitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.