UTA Arad do ta dërgojë Mevlan Zekën në FIFA, pasi sulmuesi u largua dhe nuk u kthye te klubi rumun
Rasti i Mevlan Zeka (31 vjeç), lojtar i UTA Arad, ka hyrë në një fazë të re, me klubin që pritet ta padisë lojtarin në FIFA, për mungesë të paarsyeshme tash e një muaj.
I transferuar si lojtar i lirë këtë afat kalimtar, sulmuesi nuk dëshiron të kthehet në ekip, duke përmendur arsye personale. Golashënuesi më i mirë në Superligën e Kosovës me 22 gola sezonin e kaluar me FC Suharekën, ku ishte kapiten, u nis drejt Gjakovës pas kampit të parë stërvitor me ekipin dhe nuk u kthye më.
Kohët e fundit, Zeka ka ndërprerë çdo komunikim me klubin, ndërsa drejtuesit e Aradit synojnë ta denoncojnë në FIFA.
Në vend të tij, komunikimin e ka marrë përsipër menaxheri i futbollistit, sipas GSP.ro, i cili po përpiqet ta “largojë” atë, pa asnjë kosto, te një ekip tjetër në Kosovë, ku Zeka është stërvitur prej disa javësh.
UTA kishte shfaqur interes për sulmuesin që në pranverë, pas paraqitjeve të tij mbresëlënëse në kampionatin e Kosovës. Zyrtarët e klubit rumun vepruan shpejt për ta transferuar, duke hequr dorë nga opsione të tjera në sulm.
Shenjat e para të pakënaqësisë u shfaqën që në fillim të përgatitjeve. Një ditë pas kthimit nga kampi stërvitor, Zeka kërkoi leje dy ditore për të shkuar në Kosovë, për të qenë pranë bashkëshortes së tij pas një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Drejtori i përgjithshëm Alexandru Meszar e miratoi kërkesën, por e paralajmëroi se ishte prapa në përgatitje, pasi fillimi i sezonit ishte një javë larg.
“Duket se bisedimet nuk do të shkojmë mirë, e kemi njoftuar, kështu që do të shkojmë në FIFA, sepse nuk duam të krijojmë një precedent. Ne kërkojmë që kontrata të respektohet, ne u mbështetëm në shërbimet e tij, hoqëm dorë nga sulmues të tjerë për ta transferuar atë, të cilët tani nuk janë më të disponueshëm në treg”.
“Ai duhet të respektojë kontratën siç bëjmë ne. Nëse nesër të gjithë lojtarët kërkojnë të largohen për arsye personale, çfarë do të ndodhë? Nëse nuk paguan, do të përfundojmë në FIFA. Kërkesa jonë është që ai të kthehet dhe të paguajë dëmshpërblim”, deklaroi drejtuesi i UTA, Alexandru Meszar për GSP.ro. /Telegrafi/
The post UTA Arad do ta dërgojë Mevlan Zekën në FIFA, pasi sulmuesi u largua dhe nuk u kthye te klubi rumun appeared first on Telegrafi.