Zgjedhjet e 11 majit, Berisha: Qeveria, promovime dhe inaugurime në shkelje flagrante të Kodit
TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për mediat denoncoi sërish atë që e cilëson si “farsën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit”.
Berisha tha se qeveria përdori gjysmë miliardi euro për aktivitete që të ndikonte tek qytetarët.
“Njëri nga aspektet më kriminale të farsës elektorale 11 maj 2025, ishte përdorimi i ngjarjeve, prokurimeve të cilat tejkalojnë mbi gjysmë miliardi euro për qëllime elektorale për të ndikuar votën e qytetarëve shqiptarë.
“Në periudhën janar gjer në 11 Maj, periudhë në të cilën ligji elektoral, neni 91/3 i tij ndalon prokurimet, ndalon ngjarjet, aktivitetet, organizimin e tyre, aktivitetet që mund të kenë ndikim në zgjedhje dhe sipas raportit të OSBE-ODIHR, pikërisht në këtë periudhë u organizuan 4500 veprimtari kombëtarë dhe ndërkombëtare, përfshirë ‘Giro d’Italia’, 7 milionë euro një organizate private ditën e votimit dhe një ditë para zgjedhjeve”, tha Berisha.
Berisha tha më tej se bashkitë e vendit kanë prokuroruar tërësisht për qëllime elektorale në total 57 milionë euro.
Sipas Berishës nga këto “rreth 14 milionë para xhepi të themi, blerje të përqendruara. 32 milionë bashkitë të ndryshme dhe Fondi shqiptar i grabitjes apo plaçkitjes, apo i zhvillimit siç quhet, ka përdorur për qëllime elektorale 10 milionë euro”.
Kreu i PD-së akuzoi edhe drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanin si “bashkëfajtor në farsën elektorale”.
“Këtu kemi më poshtë tenderat e bashkive të vendit, të cilat nuk kanë respektuar asnjë ligj, as kushtetutën, por kanë bërë gjithçka që të ndikojnë në elektoratin e tyre në veprimtari kriminale antiligjore dhe për këtë njeriu i dytë më përgjegjës për farsën elektorale Altin Dumani, thotë se nuk kemi të dhëna, fakte dhe prova, sepse për Dumanin ligji është letër e vdekur, dokumentet zyrtare janë letra pa vlerë, mbasi ai është një fanatik i verbër, një avokat i verbër i krimit elektoral të qeverisë dhe bashkëfajtor në farsën elektorale”, tha Berisha.
Berisha gjithashtu publikoi sipas tij rastet e abuzimit me fondet publike si dhe të promovimeve nga qeveria, për përfitime elektorale.
Sipas Berishës u bënë promovime dhe inaugurime në shkelje flagrante të kodit dhe parimeve ndërkombëtare.
/m.q//a.f/
The post Zgjedhjet e 11 majit, Berisha: Qeveria, promovime dhe inaugurime në shkelje flagrante të Kodit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.