Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 July 2025Main stream

VIDEO/ Avionët “Canadair” vijojnë operacionet për shuarjen e zjarrit në Shashicë

26 July 2025 at 17:24

SHQIPËRI- Dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair, nga Italia dhe Kroacia, janë përfshirë në operacionin për shuarjen e një zjarri të fuqishëm në zonën malore të Shashicës.

Për shkak të terrenit të vështirë dhe përmasave të mëdha të flakëve, ndërhyrja tokësore ka qenë e kufizuar.

Avionët kanë kryer hedhje të vazhdueshme uji mbi vatrat aktive, ndërsa në terren po vijojnë operacionet nga zjarrfikësit vendas, ushtria dhe mbrojtja civile.

 Autoritetet mbeten në gatishmëri për të frenuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit, ndërsa vlerësimi i dëmeve është ende në proces.

Kamboxhia kërkon ‘armëpushim të menjëhershëm’ me Tajlandën

26 July 2025 at 17:18

Ambasadori i Kamboxhias në OKB bëri thirrje për një armëpushim “të menjëhershëm dhe pa kushte” me Tajlandën, pasi mosmarrëveshja midis dy vendeve hyri në ditën e tretë. Deri më tani, të paktën 30 persona janë vrarë, përfshirë civilë, dhe mijëra të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një takim urgjent me dyer të mbyllura në New York, me të 15 anëtarët që u bënë thirrje palëve të ulin tensionet, të tregojnë përmbajtje dhe ta zgjidhin mosmarrëveshjen në mënyrë paqësore.
“Ne gjithashtu bëjmë thirrje për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjes”, tha Chhea Keo.

Ai iu përgjigj akuzave se Kamboxhia sulmoi Tajlandën, duke pyetur se si një vend i vogël pa forcë ajrore mund të sulmonte një vend shumë më të madh me një ushtri tre herë më të madhe se ajo, duke theksuar: “Ne nuk e bëjmë këtë.”

Por kryeministri në detyrë i Tajlandës, Phumtham Wechayachai, tha se Kamboxhia mund të jetë fajtore për krime lufte për shkak të vdekjes së civilëve dhe dëmeve të shkaktuara në një spital.

Ai tha se Tajlanda kishte ushtruar “përmbajtje dhe durim maksimal përballë provokimeve dhe agresionit” nga Kamboxhia.

Tensionet mbi një zonë kufitare të diskutueshme shpërthyen në luftime pasi një shpërthim mine tokësore përgjatë kufirit plagosi pesë ushtarë tajlandezë.

Kufiri prej 800 kilometrash midis Tajlandës dhe Kamboxhias është kontestuar për dekada, por konfrontimet e kaluara kanë qenë të kufizuara dhe të shkurtra.

Shpërthimi i fundit i madh në vitin 2011 la 20 të vdekur. 

Orban: Nuk do ta mbështes buxhetin e BE-së nëse nuk i zhbllokon të gjitha fondet e pezulluara

26 July 2025 at 16:44

Qeveria e Hungarisë nuk do ta mbështesë buxhetin e ri 7-vjeçar të BE-së nëse Brukseli nuk i zhbllokon të gjitha fondet e pezulluara, tha sot kryeministri Viktor Orban.

Në 15 vitet e fundit, udhëheqësi nacionalist është përplasur me Brukselin për politikat e tij mbi migracionin dhe atë që kritikët e shohin si “shkatërrim” të demokracisë në Hungari. BE-ja ka pezulluar miliarda euro fonde të caktuara për Hungarinë, ndërsa një mosmarrëveshje për shtetin e së drejtës vazhdon.

“Miratimi i buxhetit të ri 7-vjeçar kërkon unanimitet dhe derisa të marrim fondet e mbetura (të ngrira), nuk do të ketë as një buxhet të ri të BE-së”, tha Orban në një fjalim në një universitet veror, në qytetin rumun, Baile Tusnad.

Ai gjithashtu kritikoi BE-në për mbështetjen e Ukrainës dhe akuzoi Brukselin se po planifikon të instalojë një “qeveri pro-Ukrainës dhe pro-Brukselit” në Hungari në votimin kombëtar të vitit të ardhshëm.

Ai tha gjithashtu se udhëheqja aktuale e BE-së e ka futur bllokun në një rrugë që do të çonte në një luftë tregtare që Evropa “nuk mund ta fitonte”.

“Udhëheqja aktuale e BE-së do të jetë gjithmonë e fundit që nënshkruan marrëveshje me SHBA-në dhe gjithmonë marrëveshjet më të këqija”, shtoi Orban, duke kërkuar një ndryshim në udhëheqjen e bllokut.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të takohet nesër me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në Skoci – ndërsa zyrtarët dhe diplomatët e BE-së thanë se prisnin të arrinin një marrëveshje tregtare kornizë këtë fundjavë.

Këtë muaj, Komisioni Evropian propozoi një buxhet të BE-së prej 2 trilionë eurosh për vitin 2028 deri në vitin 2034, me fokus në konkurrencën ekonomike dhe mbrojtjen.

Debatet për buxhetin janë ndër më të vështirat në politikën e BE-së, duke nxjerrë në pah mosmarrëveshjet politike dhe ekonomike midis vendeve anëtare.

Orban, i cili fitoi katër zgjedhjet e fundit, do të përballet me një rival të ri të ashpër të opozitës në vitin 2026, partia “Tisza” e të cilit ka një epërsi të fortë ndaj partisë në pushtet “Fidesz” në shumicën e sondazheve, në një kohë kur ekonomia ka ngecur.

Yesterday — 25 July 2025Main stream

Ministri i Jashtëm i Italisë: Do ta njohim Palestinën, nëse ajo njeh Izraelin

25 July 2025 at 15:00

Italia mbështet zgjidhjen me dy popuj, dy shtete, por njohja e shtetit të ri palestinez duhet të ndodhë njëkohësisht me njohjen e shtetit të Izraelit nga ana e tij, deklaroi  ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.

“Ne jemi të interesuar për paqen, jo për fitoren e njërit mbi tjetrin dhe ne jemi vendi në botë që ka mirëpritur numrin më të madh të refugjatëve nga Gaza”, theksoi ai, në hapje të Këshillit Kombëtar të “Forza Italia”-s.

“Nuk mund të pranojmë më masakra dhe uri”, theksoi ai.

“Ka ardhur koha për një armëpushim të menjëhershëm. Ne jemi miq të Izraelit, por ia kemi thënë Izraelit këtë”, shtoi Tajani.

Ndërkohë, Franca do ta njohë Palestinën si shtet, postoi presidenti Emmanuel Macron në platformën X të enjten në mbrëmje.

“Në përputhje me angazhimin e saj historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca të njohë shtetin e Palestinës”, shkroi Macron.

“Do ta shpall solemnisht këtë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator të këtij viti”, theksoi ai.

“Paqja është e mundur”, shkroi ai më tej.

Ai tha se u takon francezëve ta demonstrojnë këtë së bashku me izraelitët, palestinezët dhe partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë.

Rrëzohen nga skela e pallatit, tre punëtorë humbin jetën në Itali

25 July 2025 at 14:41

Tre punëtorë, të gjithë rreth të pesëdhjetave, humbën jetën në një aksident në Via San Giacomo dei Capri, në zonën Vomero të Napolit.

Mediat italiane ranë nga skelat ndërsa po kryenin punime rinovimi në një ndërtesë gjashtëkatëshe.

Të tre ndërruan jetë në vendngjarje.

Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes/abcnews.al

Zhdukja e Jan Prengës/ Apeli i Posaçëm lë në fuqi vendimin, burgim i përjetshëm kopshtarit për Festim Bexhdilin

25 July 2025 at 11:34

TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së parë burgim i përjetshëm për Festim Bexhdilin për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Festim Bexhdili ishte kopshtari i kompleksit, “Golden” në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit.

Sipas fotove nga kamerat e sigurisë, Prenga mendohet se u dhunua derisa humbi jetën. Asgjësimi i trupit dyshohet se u bë në fshatin Pjezë, shumë pranë kompleksit.

Për ngjarjen u arrestuan Bajram Hajri, Leonard Hajri, Olsi Turja, Elton Hajri, Festim Bexhdili dhe Ardian Doçaj.

Sipas hetuesve, familja Prenga zhvilloi edhe negociatat me rrëmbyesit dhe një pjesë e kokainës u dorëzua, por ndërkohë Jan Prenga kishte humbur jetën.

Njoftimi i Apelit të Posaçëm: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Dhimitër Lara (anëtar),  më datë 25.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 63/5 akti, datë 08.11.2024 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 16, datë 20.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me të pandehurin F.B. – disponuar mbi ankimet e paraqitura ndaj vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

– Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht.

– U shpall në Tiranë, sot më datë 25.07.2025./abcnews.al

Trump nënshkruan urdhër ekzekutiv që lehtëson largimin e të pastrehëve nga rrugët

25 July 2025 at 11:26

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të reformuar politikën e vendit për të pastrehët, duke e bërë më të lehtë për qytetet dhe shtetet të largojnë njerëzit e pastrehë nga rrugët dhe t’i vendosin ata në programe trajtimi.

Urdhri, i publikuar të enjten, synon të adresojë atë që administrata e quajti “endacakëri endemike, sjellje të çrregullta, konfrontime të papritura dhe sulme të dhunshme”.

Trump i ka dhënë udhëzim Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi që të “përmbysë precedentët gjyqësorë dhe të ndërpresë marrëveshjet e pajtimit” që i ndalojnë qeveritë shtetërore dhe lokale të shtrijnë në institucione individët që paraqesin rrezik për veten ose të tjerët.

Urdhri deklaroi se shumica e njerëzve që jetojnë në rrugë vuajnë nga varësia nga droga, sëmundje mendore ose të dyja, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Urdhri udhëzon agjencitë të sigurojnë që njerëzit “që kampojnë në rrugë dhe shkaktojnë çrregullime publike” të zhvendosen në qendra trajtimi ose në ambiente të tjera të përshtatshme.

“Transferimi i këtyre individëve në mjedise institucionale afatgjata për trajtim human është mënyra më e provuar për të rivendosur rendin publik”, thuhet në urdhër.

Bondi është udhëzuar gjithashtu të punojë me sekretarin e Shëndetësisë dhe atë të Shërbimeve Njerëzore, Strehimit dhe Zhvillimit Urban, si dhe Transportit, për të përcaktuar përparësitë e granteve federale për juridiksionet që zbatojnë ligjet që ndalojnë kampingun urban, përdorimin e drogës në ambiente të hapura, bredhjen dhe pushtimin e ndërtesave, si dhe të gjurmojnë vendndodhjet e abuzuesve seksualë.

I akuzuar për vrasje/ Pas ekstradimit nga Dubai, Gjykata e Posaçme lë në burg Denis Bajrin

25 July 2025 at 10:26

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e arrestit ne burg për Denis Bajrin, i akuzuar për disa vepra penale, mes tyre dhe vrasje.

37-vjeçari dyshohet se është autori i vrasjes së Gjin Boriçit, më 9 Gusht të vitit 2020.

Arrestimi i Bajrit, u bë falë shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tirana dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe. Roli i 37-vjeçarit në ngjarjen për të cilën akuzohet u zbulua pas zbërthimit të aplikacionit SKY ECC, nga ku rezultoi se porositës i vrasjes së Boriçit ishte Ervis Martinaj.

Konkretisht ky i fundit përmes biznesmenit Pëllumb Gjoka i kishte kërkuar Behar Bajrit, gjithashtu i arrestuar në operacionin Metamorfoza, të ekzekutonte Gjin Ndoj Boriçin.

Kështu Behar Bajri i cili edhe pse rezulton të ketë patur marrëdhënie shoqërore me Boriçin, i jep porosi Denis Brajoviçit për të finalizuar ekzekutimin. Në këmbim të vrasjes së tij, Ervis Martinaj do të realizonte vrasjen e Kleant Musabelliut, ngjarje kjo që nuk u krye. Për ekzekutimin e Musabelliut ishte i interesuar biznesmeni Gjoka, pasi kishte tentuar ta vriste këtë të fundit në vitin 2017/abcnews.al

 

Tensionet Tajlandë-Kamboxhia mbeten të larta pas përleshjeve kufitare

25 July 2025 at 09:45

Tensionet mbeten të larta përgjatë kufirit Tajlandë-Kamboxhia pas përleshjeve të fundit vdekjeprurëse pranë zonës së Tempullit Ta Muen Thom, por sot nuk janë raportuar luftime të reja.

Inteligjenca ushtarake e Tajlandës pretendoi se ka vrarë të paktën 24 kamboxhianë, kryesisht ushtarë, në sulme ajrore dhe granatime artilerie, megjithëse autoritetet kamboxhiane ende nuk e kanë konfirmuar këtë.

Sipas njësisë së sigurisë së Rajonit të Dytë të Ushtrisë së Tajlandës, viktimat kanë ndodhur midis të enjtes dhe të premtes në mëngjes gjatë sulmeve që kanë shkatërruar gjithashtu tri mortaja 100-milimetërshe, raportoi media tajlandeze “Khaosod English”.

Zyrtarët kamboxhianë thanë sot se një murg është vrarë dhe pesë civilë janë plagosur në granatimet e artilerisë tajlandeze në provincën Oddar Meanchey.

Të enjten, Ministria e Shëndetësisë e Tajlandës tha se të paktën 14 persona u vranë, përfshirë një fëmijë, pas sulmeve ajrore dhe raketore njëditore midis Tajlandës dhe Kamboxhias, por zyrtarët pretendojnë se situata kufitare është “qetësuar”.

Qetësia e raportuar përgjatë kufirit vjen ndërsa kryeministri malajzian Anwar Ibrahim foli me homologët e tij, atë tajlandez Phumtham Wechayachai dhe kamboxhian Hun Manet, duke u kërkuar palëve ndërluftuese të shpallin një “armëpushim të menjëhershëm”.

Pas sulmeve, pati zhvendosje të njerëzve në të dyja anët e kufirit.

Të dyja palët mbyllën gjithashtu shkollat.

Përplasja e fundit ndodhi një ditë pasi një ushtar tajlandez humbi këmbën në një shpërthim mine tokësore. Ushtria e Tajlandës akuzoi trupat kamboxhiane se qëlluan në një bazë ushtarake tajlandeze në një zonë pranë Tempullit të lashtë Ta Muen Thom, i cili shtrihet në territorin e diskutueshëm në jug të provincës Surin të Tajlandës.

Kamboxhia dhe Tajlanda kanë ulur marrëdhëniet diplomatike në nivelin e tyre më të ulët në dekada pasi tensionet midis dy vendeve filluan të rriten që nga 28 maji, kur trupat shkëmbyen zjarr pranë kufirit, duke rezultuar në vdekjen e një ushtari kamboxhian.

Dy fqinjët e Azisë Juglindore kanë një kufi të diskutueshëm që shtrihet përgjatë provincës Preah Vihear të Kamboxhias dhe provincës verilindore Ubon Ratchathani në Tajlandë.

“El Nacional”: Eksploroni perlën e Mesdheut, Shqipërinë

25 July 2025 at 07:48

Nëse dëshironi të udhëtoni dhe zbuloni vende që ende nuk janë prekur nga turizmi masiv, ju rekomandojme destinacionin evropian, Shqipërinë, shkruan Alba Solé Ingla në një artikull të botuar në revistën katalanase “El Nacional.cat”.

Shqipëria është e rrethuar nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Vendi jetoi i izoluar nga bota nën regjimin diktatorial deri në vitet 1990.

Plazhe parajsore

Ky vend ballkanik po fiton titullin si parajsa e panjohur e Mesdheut.

Riviera Shqiptare shtrihet nga veriu në jug të vendit. Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit.

Një nga zonat më të famshme të plazhit në jug të vendit është Ksamili – me rërën e tij të bardhë dhe ujërat e kristalta që magjepsin çdo vizitor.

Shumica e plazheve në Shqipëri janë private, dhe për t’i shijuar ato, duhet të merrni me qira një shezlong dhe një ombrellë dielli. Çmimi zakonisht është midis 5 dhe 8 euro gjatë gjithë ditës; komoditeti ia vlen!

Ksamili ndodhet pranë ishullit grek, Korfuzit dhe është i njohur si për turistët vendas ashtu edhe për ata ndërkombëtarë, veçanërisht nga Italia.

Ksamili është vendi ideal për të eksploruar atraksione të tjera shqiptare, siç është Syri i Kaltër – një atraksion turistik popullor, me ujëra bruz që mund të shihet nga një thellësi mbi 50 metra.

Gjithashtu, ju mund të vizitoni Parkun Natyror të Butrintit, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ecje malore dhe fshatra magjepsës

Nëse jeni adhurues të maleve, janë me fat, sepse Shqipëria veriore është gjithashtu një parajsë për alpinistët.

Shqipëria është një nga vendet më malore në botë, me dy të tretat e territorit të saj të mbuluara nga male. Prandaj, mos e humbisni Thethin.

Ky fshat, i vendosur në zemër të Alpeve Shqiptare, ju lejon të zbuloni thelbin e vërtetë të banorëve të tij.

Thethi është një fshat i vogël që për vite me radhë mbeti i izoluar – falë vendndodhjes së tij të largët dhe një rruge – praktikisht e pa-aksesueshme për shumicën e turistëve.

Në ditët e sotme, është më e lehtë të shkosh atje, dhe shumë turistë udhëtojnë atje për të bërë ecje malore – nga Valbona në Theth.

Nëse nuk keni dëshirë të bëni shëtitje të gjata, ju rekomandojmë gjithashtu të vizitoni dy qytete mahnitëse, Gjirokastrën dhe Beratin.

Gjirokastra, është një qytet i bukur me një qendër historike – që është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, një kështjellë spektakolare dhe një pazar ku do të humbisni mes dyqaneve të vogla.

Berati, më pak se dy orë larg nga kryeqyteti, Tirana, njihet si “qyteti i një mbi një dritareve”.

I vendosur pranë lumit Osum, Berati është qyteti më i vjetër në Shqipëri dhe shquhet për qendrën e tij historike – të përbërë nga tre lagje të vjetra që ruajnë arkitekturën osmane dhe bizantine në ndërtesa, xhami dhe kisha të shumta.

Gjithashtu, Berati është shpallur pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Gastronomia shqiptare

Kuzhina shqiptare është një ndërthurje unike e ndikimeve turke, ballkanike dhe mesdhetare.

Nga mishi dhe peshku i pjekur në skarë me çmime jashtëzakonisht të përballueshme deri te gjirotë greke, kuzhina shqiptare magjeps çdo vizitor.

Pjata më tipike shqiptare, byreku, mund të jetë një nga më të njohurat midis vizitorëve të huaj dhe vendasve.

Evropa nën kërcënimin e valës së të nxehtit ekstrem

25 July 2025 at 07:35

Zjarri pyjor që shpërtheu mbrëmë në qytezën Pioppo pranë Palermos në ishullin e Siçilisë akoma vazhdon të jetë aktiv, pavarësisht se brigadat zjarrfikëse kanë luftuar për shuarjen e tij që mbrëmë.

Ekipet zjarrfikëse kanë qenë të angazhuar pa ndërprerje për ta vënë nën kontroll zjarrin në Pioppo, por në disa momente flakët janë afruar në mënyrë të rrezikshme pranë zonave të banuara, duke shkaktuar shqetësim në komunitetet përreth.

Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me vegjetacion të dendur, ndërsa për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta, përhapja e tij ka qenë e shpejtë dhe e vështirë për t’u frenuar.

Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për kujdes dhe janë në gatishmëri për evakuime të mundshme nëse situata përkeqësohet. Ende nuk raportohet për të lënduar, por dëmet në mjedis pritet të jenë të konsiderueshme.

Deri më tani, zjarret që kanë përfshirë një pjesë të kontinentit evropian si pasojë e valës ekstreme të të nxehtit, kanë djegur një sipërfaqe sa madhësia e Luksemburgut.

Që nga muaji prill, temperaturat rekord po vazhdojnë të përkeqësojnë situatën me zjarret në pjesë të ndryshme të Evropës. Shumë pjesë të Evropës akoma janë në gjendje alarmi për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme nga zjarret dhe valët e të nxehtit.

Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje, që nga fillimi i vitit janë djegur gjithsej 237.153 hektarë tokë, me 1.250 zjarre të zbuluara deri tani. Vitin e kaluar u regjistruan vetëm 861 zjarre.

Shkencëtarët vlerësojnë se rreth 2.300 njerëz humbën jetën për shkak të temperaturave të larta në 12 qytete evropiane gjatë valës së të nxehtit nga 12 qershori deri më 2 korrik.

Parashikimi i motit/ Si do variojnë temperaturat përgjatë ditës

25 July 2025 at 07:15

Dita e Premte do të shënojë edhe kulmin e kësaj vale afrikane në territorin shqiptar duke ngjitur termometrin deri në 43 gradë C.

Përsa i përket kushteve atmosferike, mot i kthjellët dhe i nxehtë do të dominojë në të gjithë territorin e vendit. Orët e pasdites do të sjellin kalime vranësirash të lehta në zonat malore përgjatë shtrirjes Lindore.

Pritet që vlera më të larta të shënohen përkatësisht në Qarqet: Shkodër, Titanë, Elbasan, Berat dhe Gjirokastër ku termometri pritet të shënojë nga 42 – 43 gradë C.

Temperaturat e ajrit mbeten të larta si në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 16°C vlera më e ulët në Peshkopi deri në 43°C pritet vlera maksimale në qarkun e Beratit dhe zona të izoluara të qarkut Elbasan.

Era do të fryjë e lehtë deri mesatare me shpejtësi maksimale mbi 28 km/h nga drejtimi kryesisht Perëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim të ulët.

Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju

25 July 2025 at 07:00

Dashi

Ka shume gjase qe çiftet qe kane pasur prej kohesh probleme te mendojnë te ndahen sot. Për disa do jete zgjidhja me e mire ne fakt. Beqaret serish do jene te pafat ne dashuri. Mundësitë qe do iu jepen për takime nuk do jene aspak interesante. Financat do jene te stabilizuara. Do e mbani gjithë kohës nen kontroll situatën dhe nuk do keni vështirësi.

Demi

Marrëdhënia ne çift do jete shume e mire sot. Nuk do keni për çfarë te ankoheni sepse partneri do ua plotësojë te gjitha dëshirat. Beqaret do fiksohen pas një personi dhe do harrojnë gjithçka tjetër, madje edhe te ushqehen apo te flenë. Financat do jene te mira nëse ju tregoheni te kujdesshëm me shpenzimet apo me transaksionet qe do kryeni.

Binjaket

Dite tërësisht e mbrojtur kjo e sotmja për te dashuruarit. Tensioni do mbaroje njëherë e mire dhe do filloni t’i kuptoni edhe gabimet qe keni bere. Beqaret do afrohen mjaft pas një miku te afërm dhe do e shihi nate me një sy tjetër. Ne planin financiar nuk do keni te drejte te gaboni. Dyfishojeni maturinë dhe vigjilencën qe te mos keni te papritura.

Gaforrja

Pas një periudhe jo shume te mire për jetën tuaj ne çift, me ne fund do pajtoheni me partnerin dhe do filloni tjetër etape. Beqaret do ndihmohen nga Venusi dhe do arrijnë ta gjejnë princin e tyre te kaltër. Nuk do ndihen me te vetmuar dhe nuk do vuajnë ne heshtje. Plutoni do iu mbështesë ne planin financiar dhe do i zgjidhni te gjitha problemet.

Luani

Perspektivat janë te mira sot për jetën sentimentale te te dashuruarve. Dielli dhe Merkuri do iu bëjnë me sharmante dhe do kaloni momente fantastike me partnerin. Beqaret do kenë shume kërkesa dhe nuk kane për ta gjetur as sot personin qe kane ne mendje. Me paratë nuk duhet te bëni çmenduri. Shpenzoni aq sa mundeni nëse doni te ruani qëndrueshmërinë.

Virgjeresha

Do jeni ne humor shume te mire sot ju te dashuruarit dhe do i shprehni pa fund ndjenjat ndaj partnerit. Momentet romantike gjithashtu nuk do mungojnë. Beqaret do përzgjedhin shume dhe nuk do e kenë te lehte te gjejnë personin ideal. Ne planin financiar çdo gjë do shkoje me se miri. Situata jo vetëm qe nuk do tronditet, por mund te keni edhe përmirësime te ndjeshme.

Peshorja

Do i kaloni pak nga pak vështirësitë qe iu kishin dale sot ne jetën tuaj ne çift dhe do i shihni gjerat me një sy edhe me pozitiv. partneri do tregohen me tolerant se kurrë. Beqaret do pëlqejnë dike jashtë mase, por do kenë vështirësi për ta bere për vete për shkak te konkurrencës se forte. Financat do jene shume me te mira se kohe me pare.

Akrepi

Çiftet do i kenë gjerat shume te qarta sot dhe nuk d hedhin asnjë hap te nxitur. Bashkëpunimi, toleranca dhe mirëkuptimi do mbizotërojnë gjate gjithë kohës. Beqaret do kenë një dite te zakonshme dhe pa ndonjë takim interesant. Financat nuk do jene aspak ne gjendjen me te mire. Do keni goxha vështirësi për te ruajtur ekuilibrin.

Shigjetari

Dite e animuar dhe plot surpriza kjo e sotmja për te dashuruarit. Do përjetoni emocione pa fund dhe shpesh do iu duket sikur jeni ne ëndërr. Beqaret do ndihen gati për te filluar një lidhje te qëndrueshme. Mundësitë do jete te shumta. Me financat do keni disa vështirësi te vogla, te cilat me pak durim dhe përkujdesje do arrini t’i zgjidhni.

Bricjapi

Çiftet do kenë një dite shume te paqëndrueshme dhe here pas here te mbushur me debate. Kujdes me fjalët qe do thoni sepse po e preket partnerin ne pikat e tij te dobëta mund te shkatërroni gjithçka qe keni dertuar. Beqaret do ndihen mire edhe ashtu si janë prandaj nuk do kërkojnë me ngulm një person ne krah. Me financat çdo gjë do shkoje me se miri.

Ujori

Dite e begate kjo e sotmja për te gjithë ata qe janë ne një lidhje. Marrëdhënia me partnerin do jete e ngrohte dhe nuk do ketë asnjë te papritur te pakëndshme. Beqaret duhet te dalin neper takime, por jo t’iu besojnë te gjithë atyre qe do i joshin. Financat do kërkojnë me shume se kurrë vëmendje prej jush. Mos lejoni qe situata t’iu dale jashtë kontrollit.

Peshqit

Ambienti ne lidhjen tuaj do jete goxha i tendosur sot. Nuk do kuptoheni si duhet me atë qe keni ne krah dhe debatet here pas here do jene te zjarrta. Beqareve do iu rendoje pa fund vetmia, por nuk do kenë çfarë te bëjnë. Duhet ende durim për te gjetur personin ideal. Ne Me financat do jeni shume te kujdesshëm dhe nuk do bini pre e tundimit për te shpenzuar pa fund.

 

Before yesterdayMain stream

Trump: Lehtësimi i tarifave i mundur nëse BE-ja hap tregun për firmat amerikane

24 July 2025 at 14:50

Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha dje se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të ulin tarifat e kërcënuara për mallrat evropiane nëse Bashkimi Evropian hap më tej tregun e tij për kompanitë amerikane.

“Nëse ata bien dakord të hapin unionin për bizneset amerikane, atëherë ne do t’i lejojmë ata të paguajnë një tarifë më të ulët”, tha Trump në një aktivitet të fokusuar në inteligjencën artificiale, duke iu referuar negociatave të vazhdueshme me BE-në.
Ai shtoi se bisedime serioze ishin aktualisht duke u zhvilluar.

SHBA ka negociuar me BE-në për javë të tëra për një marrëveshje tregtare për të parandaluar që tarifat amerikane prej 30% për importet nga blloku të hyjnë në fuqi më 1 gusht.

Ndërkohë, kancelari gjerman, Friedrich Merz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron paraqitën një front të bashkuar gjatë bisedimeve në Berlin të mërkurën, duke sinjalizuar se BE është e përgatitur të përgjigjet nëse negociatat me Uashingtonin dështojnë.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Stefan Kornelius tha se të dy udhëheqësit ranë dakord të mbanin në tryezë opsionin e masave shtesë tregtare nëse bisedimet me SHBA-në dështojnë.

Ai shtoi se Merz dhe Macron ishin gjithashtu të përgatitur të hartonin instrumente të reja, nëse është e nevojshme.

Kornelius tha se Gjermania dhe Franca gjithashtu planifikojnë të koordinohen ngushtë me Italinë dhe Komisionin Evropian, ndërsa bisedimet me Uashingtonin hyjnë në fazën e tyre përfundimtare.

Dy të vdekur dhe dhjetëra të plagosur nga zjarret në Qipro

24 July 2025 at 11:42

Një zjarr i madh që po përhapet me shpejtësi pranë qytetit jugor qipriot të Limasolit ka vrarë të paktën dy persona dhe ka detyruar evakuime të banorëve.

Zjarri shpërtheu në një fshat malor rreth 20 kilometra në veri të Limasolit dhe u përhap me shpejtësi, i nxitur nga erërat e forta.

Policia tha se trupat e dy viktimave u zbuluan në një makinë të djegur në një rrugë rurale, me sa duket të bllokuar nga flakët që po përparonin.

”Gjashtëmbëdhjetë të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spitale në Limasol”, tha një zëdhënës i shërbimit të shpëtimit për transmetuesin shtetëror RIK.

Shërbimi i zjarrfikësve tha se flakët dogjën rreth 100 kilometra katrorë pyll, shkurre dhe tokë bujqësore. Dhjetëra shtëpi u shkatërruan dhe mediat lokale raportuan vdekjen e bagëtive dhe kafshëve shtëpiake.

Resortet turistike përgjatë bregdetit të Limasolit thuhet se nuk u prekën.

Autoritetet urdhëruan evakuimin e 16 fshatrave, tre kampeve dhe disa kampeve rinore ndërsa zjarri u përhap me shpejtësi.

Mediat lokale thanë se shumë banorë ikën nga shtëpitë e tyre në panik. Qiproja ka kërkuar ndihmë emergjente nga Bashkimi Evropian dhe vendet fqinje. Avionë zjarrfikës nga Spanja dhe Jordania thuhet se janë në rrugë për të ndihmuar ekipet lokale.

”New York Times” përzgjedh Dhërmiun si ndër destinacionet më të mira turistike globale

24 July 2025 at 11:05

Gazeta prestigjioze amerikane ”New York Times” ka përzgjedhur dhe Dhërmiun ndër destinacionet më të mira turistike globale.

”Një tjetër verë me temperatura përvëluese në të gjithë Evropën i ka nxitur turistët dhe vendasit të kërkojnë mënyra krijuese për të mposhtur vapën”, shkruan Gabe Castro-Root për ”New York Times”.

Kur temperaturat rriten ndjeshëm, Akropoli apo maja e Kullës Eiffel ndonjëherë mund të mbyllen, por plazhet janë të hapura dhe në formën e tyre më të mirë.

Mund të vallëzoni gjithë natën në rërë në Shqipëri, të bëni windsurf në Sardenjë ose të bëni ecje në një dunë gjigante në Francë. Ose mund të shijoni ditët e gjata të diellit arktik në Norvegji.

Por, plazhi i Dhërmiut, në Rivierën Shqiptare, tërheq adhuruesit e diellit dhe turistët e shumtë me festivale të shumta muzikore gjatë gjithë verës.

Riviera Shqiptare është vendosur si një alternativë ndaj brigjeve të mbushura me njerëz të Kroacisë dhe Greqisë, falë plazheve si Dhërmiu.

Pak më shumë se një kilometër i gjatë, me shezlongë në dispozicion dhe gjire shkëmbore të izoluara, që shpërndahen në skajin jugor të plazhit, Dhërmiu është gjithashtu një destinacion kryesor për ata që duan të festojnë, pasi zona organizon disa festivale të mëdha muzikore gjatë gjithë verës.

Kajaku dhe zhytja me maskë janë aktivitete të njohura dhe rrënojat e një aeroplani luftarak të epokës sovjetike vetëm disa qindra metra larg bregut të plazhit të afërt të Dhrimadhes janë një atraksion i veçantë për zhytësit.

Shtigjet e ecjes dhe ullishtat në zonë ofrojnë pamje panoramike të detit dhe malet Kerautine, që ngrihen në lindje, janë piktoreske si nga plazhi ashtu edhe gjatë ecjeve përgjatë rrugës dredha-dredha bregdetare.

Shpërthimi që tronditi Tiranën/ Çfarë fiksuan kamerat e sigurisë, pronari i garazhit “kyç” gojën para hetuesve

24 July 2025 at 10:24

TIRANË- Detaje të reja zbardhen nga shpërthimi me tritol në portën hyrëse të një garazhi në kryeqytet.

Gazetari i ABC News, Ervin Leka, raporton se kamerat e sigurisë kanë fiksuar një person të maskuar, i cili është afruar pranë garazhit ka hedhur lëndën plasëse dhe më pas është larguar në këmbë drejt Liqenit të Thatë, aty ku mendohen se pritej nga persona të tjerë.

Garazhi është në pronësi të Elvis Kosovës, një emër me precedent penal dhe i njohur nga Policia e Shtetit.

Sipas gazetarit Leka, Elvis Kosova është pyetur nga grupi hetimor për ngjarën, por nuk ka dhënë asnjë informacion të vlefshëm, që mund të çojë në zbardhjen e ngjarjes.

“Dëshmia e Elvis Kosovës nuk e ka ndihmuar grupin hetimor për të dhënë ndonjë pistë për problemet që ka pasur. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar një person të maskuar, i cili hedh lëndën plasëse dhe më pas është drejtuar drejt “Liqenit të Thatë”, ku mund të jetë pritur nga persona të tjerë”, raportoi Leka.

Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorit, që ka hedhur lëndën plasëse./abcnews.al

❌
❌