Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2025Main stream

Krujë/ Babai përplas aksidentalisht me makinë vajzën e tij, ndërron jetë e mitura

By: Rovena
23 July 2025 at 17:56

Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të mërkurë në Krujë, në zonën e Qerekës. Babai ka përplasur aksidentalisht me makinë në ambientet e biznesit, vajzën e tij 4 vjeçe.

E mitura është dërguar me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk mundi që t’u mbijetonte plagëve të marra.

“Më datë 23.07.2025, në zonën e Qerekës, automjeti me drejtues shtetasin A. S., dyshohet se në ambientet e biznesit të tij, aksidentalisht ka përplasur vajzën e tij të mitur, rreth 4 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë në spital”, njofton policia.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe dokumentimin e plotë të rastit./abcnews.al

BE kërcënon SHBA-në me tarifa ndëshkuese prej 100 miliardë eurosh

By: Rovena
23 July 2025 at 17:41

Bashkimi Evropian kërcënon me tarifa ndëshkuese ndaj SHBA-së nëse nuk arrihet marrëveshja tregtare. Bashkimi Evropian po përgatit vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj produkteve amerikane, me vlerë gati 100 miliardë euro, nga uiski e deri te avionët Boeing – nëse presidenti amerikan, Donald Trump nuk arrin një marrëveshje tregtare me BE-në deri në fund të javës së ardhshme.

Komisioni Evropian njoftoi të mërkurën se do të bashkojë dy lista me produkte amerikane të përgatitura më parë, duke përfshirë mallra me vlerë 21 miliardë euro (përfshirë produkte shpendësh dhe alkool) dhe 72 miliardë euro të tjera (makina dhe aeroplanë). Nëse shtetet anëtare miratojnë propozimin në një votim që pritet së shpejti, tarifat do të hyjnë në fuqi më 7 gusht.

Olof Gill, përfaqësuesi tregtar i Komisionit Evropian, deklaroi se BE-ja synon ende të arrijë një marrëveshje, por po përgatitet për çdo skenar. Ai shtoi se bashkimi i dy listave do t’i bëjë kundërmasat më të qarta dhe më të forta.

Pas kërcënimeve të Trumpit për tarifa prej 30 për qind mbi të gjitha importet nga BE-ja, Brukseli po forcon qëndrimin e tij. Gjermania, që më parë favorizonte një marrëveshje të shpejtë për të hequr tarifat ekzistuese, tani mbështet përdorimin e “Instrumentit Kundër Detyrimit” (ACI), i cili lejon BE-në të përgjigjet me tarifa dhe ndalim të shërbimeve, një goditje e rëndë për sektorin amerikan të teknologjisë.

Industria evropiane e makinave është goditur rëndë nga tarifat, me kompanitë Stellantis dhe Volvo që raportojnë humbje të mëdha. Presidenti francez Macron dhe kancelari gjerman Merz kanë kërkuar prej kohësh një reagim më të fortë të BE-së ndaj presionit amerikan.

Megjithatë, disa ekspertë kritikojnë vonesën e BE-së në përgjigje dhe sugjerojnë se situata mund të zgjidhet vetëm përmes një takimi personal midis Trump dhe liderëve evropianë. Kërcënimi i tarifave evropiane vjen para një samiti të rëndësishëm me Kinën, ku BE-ja do të përpiqet të balancojë marrëdhëniet tregtare, ndërsa eksportet kineze drejt Evropës vazhdojnë të rriten dhe sfidat për industrinë gjermane përkeqësohen nga ndalimet e eksportit të metaleve të rralla nga Kina.

Automjeti gjendet i përmbysur në oborrin e një banese/ Humb jetën gruaja në Dibër

By: Rovena
23 July 2025 at 17:10

Një aksident me pasojë vdekje ka ndodhur mesditën e sotme në orën 15:00 tek Ura e Luznis në fshatin Hotesht të Dibrës.

Një automjet është gjetur i përmbysur në oborrin e një banese. Gazetarja e ABC News, Xhoana Çallaku raporton se si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur çifti Hajri Çera dhe Arta Çera.

Kjo e fundit është dërguar në gjendje të rëndë me helikopter për në spitalin e Traumës, por ka ndërruar jetë gjatë rrugës, si pasojë e plagëve të marra./abcnews.al

Modelet e Inteligjencës Artificiale sfidojnë gjimnazistët në Olimpiadën e Matematikës, OpenAI dhe Google me medalje ari

By: Rovena
23 July 2025 at 16:43

Modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale po konkurrojnë përkrah nxënësve të shkollave të mesme në olimpiadat ndërkombëtare të matematikës dhe në disa raste, edhe po triumfojnë. Si Google, ashtu edhe OpenAI kanë arritur të zgjidhin pesë nga gjashtë problemet e paraqitura nga Olimpiada Ndërkombëtare e Matematikës për të rinj, duke pretenduar secili medaljen e artë.

Nëse suksesi do të vlerësohej sipas rendit kronologjik të publikimit, atëherë OpenAI do të cilësohej fituese. Studiuesi Alexander Wei njoftoi në platformën X rezultatin mbresëlënës të modelit të avancuar të kompanisë: “Jam i lumtur të ndaj me ju që modeli ynë gjuhësor i ‘mendimit’ ka fituar medaljen e artë në garën më të vështirë të matematikës për inteligjencën artificiale.”

Megjithatë, sipas gazetës italiane Corriere della Sera, OpenAI nuk ka qenë zyrtarisht pjesëmarrëse në këtë kompeticion, për dallim nga Google. Kompania e njohur mori pjesë për të dytin vit radhazi në mënyrë të certifikuar, përmes modelit të saj të logjikës artificiale, DeepMind. Vitin e kaluar ajo fitoi medaljen e argjendtë.

“Këtë vit kemi qenë pjesë e një programi pilot, ku rezultatet e modeleve tona janë vlerësuar dhe certifikuar zyrtarisht nga koordinatorët e Olimpiadës Ndërkombëtare të Matematikës, në përputhje me kriteret që përdoren për nxënësit,” thuhej në deklaratën zyrtare të ekipit të Google.

Megjithëse asnjë nga modelet nuk konkurroi kokë më kokë me nxënësit pjesëmarrës, performanca e tyre në këtë olimpiadë konsiderohet një tregues domethënës i aftësisë së modeleve gjuhësore për të zgjidhur detyra të arsyetimit të thellë, përtej gjenerimit të tekstit.

Nga gjuha natyrore tek logjika matematikore

Të dy modelet, ai i OpenAI dhe Gemini Deep Think i Google, i zgjidhën problemet brenda afatit kohor prej 4.5 orësh dhe u vlerësuan sipas standardeve të njëjta me pjesëmarrësit njerëzorë. Për këtë arsye, Gemini do të marrë një certifikim zyrtar për arritjen e tij.

Ndryshe nga disa modele të tjera të zhvilluara nga kompani më të vogla, të cilat kërkuan ndërhyrje për të thjeshtuar pyetjet e paraqitura në gjuhë natyrore, modelet e OpenAI dhe Google ishin në gjendje të kuptonin dhe zgjidhnin problemet në mënyrë autonome, pa asistencë njerëzore.

Ky është një përparim i dyfishtë: jo vetëm që AI-të po zgjidhin probleme të ndërlikuara matematikore, por edhe i përpunojnë ato përmes gjuhës natyrore – një arritje e rëndësishme për zhvillimin e teknologjisë së arsyetimit të avancuar.

Sipas Junehyuk Jung, profesor i matematikës në Universitetin Brown dhe anëtar i njësisë DeepMind të Google, ky është një hap më pranë ditës kur inteligjenca artificiale do të mund të zgjidhë probleme matematikore që ende i mbeten sfidë njerëzimit.

Kur fitorja nuk është gjithmonë e AI-së

Por jo çdo garë përfundon me sukses për modelet e AI. Javën e kaluar, OpenAI humbi me pak diferencë në një kompeticion të ngjashëm, AtCoder World Tour Finals 2025 Heuristic, një garë ndërkombëtare në fushën e programimit dhe optimizimit, e zhvilluar në Tokio.

Fitues doli programuesi polak Przemysław “Psyho” Dębiak, i cili u shpreh: “Njerëzimi fitoi (për momentin!). Jam i rraskapitur… mezi jam gjallë.”

Gara konsistonte në një problem të vetëm optimizimi që duhej zgjidhur brenda 600 minutash. Dëbiak fitoi me një epërsi të ngushtë prej 9.5% ndaj modelit të OpenAI, që ende nuk është i disponueshëm për publikun.

Për këtë model të quajtur OpenAIAHC, gara përfundoi me një medalje argjendi, një rezultat mbresëlënës që mund të jetë paralajmërim për një fitore të ardhshme, ashtu si ndodhi me Google në olimpiadën e matematikës./abcnews.al

Situatë jashtë kontrollit në disa qytete, Franca vendos kufizime për fëmijët

By: Rovena
22 July 2025 at 23:30

Për shkak të një vale të re dhune të lidhur me trafikun e drogës që ka tronditur Francën, disa qytete kanë vendosur shtetrrethim për të miturit gjatë natës.

Qyteti më i fundit që ka marrë këto masa është Nîmes, në jug të vendit, ku fëmijët nën 16 vjeç nuk do të lejohen në rrugë nga ora 21:00 deri në 06:00. Autoritetet kanë theksuar se kjo masë është marrë për t’i mbrojtur ata nga dhuna dhe për të ulur tensionet. Policia do të shtojë praninë e saj në terren.

Kryetari i bashkisë së Nîmes, Jean-Paul Fournier, tha se situata ka arritur një pikë “të papërballueshme”, duke shtuar se trafikantët e drogës kanë krijuar një “klimë frike dhe terrori”. Zëvendësi i tij, Richard Schieven, theksoi se kufizimet janë të nevojshme për të mbrojtur fëmijët që nuk janë të përfshirë në trafik, si dhe ata të moshës 12-13 vjeç që shpesh shfrytëzohen nga bandat.

Në këtë qytet janë shënuar disa incidente të dhunshme gjatë muajit të fundit, përfshirë të shtëna me armë dhe një 19-vjeçar të gjetur të djegur në periferi.

Nîmes nuk është qyteti i vetëm që ka marrë masa të tilla. Në Béziers, 120 kilometra në jugperëndim, ka qenë në fuqi një shtetrrethim për fëmijët nën 13 vjeç që nga viti i kaluar dhe këtë mars u zgjeroa për ata nën 15 vjeç në disa zona. Megjithatë, dhuna vazhdon. Gjatë fundjavës së kaluar, disa të rinj sulmuan policinë me fishekzjarrë, sipas mediave lokale.

Në Limoges, autoritetet kishin vendosur kufizime për fëmijët nën 13 vjeç gjatë pushimeve të verës. Por, pas trazirave me mbi 100 persona, kryebashkiaku Émile Roger Lombertie deklaroi se këto masa nuk kishin dhënë rezultat dhe theksoi se mungesa e policisë i kishte bërë këto kufizime “të pavlefshme”.

Franca po përballet gjithashtu me një rritje të dhunës të lidhur me drogën jashtë Marsejës, e njohur si qendra e luftës mes bandave. Sipas Ministrisë së Brendshme, gjatë vitit 2024, 110 persona janë vrarë dhe mbi 300 janë plagosur në incidente të lidhura me trafikun e drogës.

Për të përballuar këtë krizë, qeveria franceze ka miratuar një ligj të ri që parashikon burgje me siguri maksimale për bosët e drogës, krijimin e një prokurorie të dedikuar, fuqizimin e hetuesve dhe mbrojtjen e posaçme për informatorët.

Ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin, njoftoi se 17 trafikantë të rrezikshëm janë transferuar tashmë në burgun me siguri të lartë në Vendin-le-Vieil, në veri të Francës.

Në pranverë, disa sulme me armë dhe zjarr në burgje u lidhën me hakmarrje të bandave për goditjen e qeverisë ndaj trafikut të drogës. Me rritjen e tensioneve, autoritetet pritet të ndërmarrin masa të tjera për të përballuar situatën.

Aksident në Fushë-Arrëz/ Makina del nga rruga, merr para tre persona në afërsi të një lokali

By: Rovena
22 July 2025 at 22:57

Rreth orës 22:30, në hyrje të qytetit të Fushë-Arrëzit, 31-vjeç Fatjon Rukaj, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke përplasur 3 shtetase që ndodheshin në pjesën e jashtme të një lokali.

‘’Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë shtetaset B. V., V. Gj., ndërsa shtetasja F. B., është dërguar për mjekim më të specializuar në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën’’, njofton policia.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit./abcnews.al

Letonia dërgon mijëra dronë në Ukrainë

By: Rovena
22 July 2025 at 22:46

Letonia ka dërguar tashmë 1300 dronë në Kiev dhe nuk ka asnjë plan për të ndaluar këtë mbështetje të rëndësishme ushtarake. Ministri i Mbrojtjes, Andris Spruds, njoftoi përmes rrjetit social X se një tjetër dërgesë me dronë është tashmë në rrugë drejt Ukrainës.

Ai theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Letonisë për të ndihmuar në mbrojtjen e vendit nga agresioni.

Por kjo nuk është vetëm një ndihmë e përkohshme. Sipas deklaratës së ministrit, gjatë këtij viti Ukraina pritet të marrë në total rreth 12 mijë dronë, të cilët kanë një vlerë të përgjithshme mbi 17 milionë euro.

Ky kontribut i konsiderueshëm teknologjik dhe ushtarak është pjesë e përpjekjeve më të gjera ndërkombëtare për të fuqizuar kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës në luftën e saj.

Kjo ndihmë tregon jo vetëm solidaritetin e Letonisë me Ukrainën, por edhe rëndësinë që kanë teknologjitë moderne si dronët në konfliktet bashkëkohore, duke ofruar mbështetje strategjike në terren dhe duke ndihmuar në sigurimin e informacionit të vlefshëm për forcat ukrainase.

Trump paralajmëron Iranin: Mund t’ju godasim sërish nëse është e nevojshme

By: Rovena
22 July 2025 at 22:31

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se SHBA mund të sulmojnë përsëri objektet bërthamore të Iranit, nëse situata e kërkon një veprim të tillë. Kjo deklaratë erdhi pas pranimit të ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili konfirmoi për Fox News se tre instalacione bërthamore ishin dëmtuar rëndë nga sulmet ajrore amerikane të zhvilluara në qershor.

“Sigurisht që janë dëmtuar, siç kam thënë më parë. Dhe do ta bëjmë përsëri, nëse është e nevojshme!”, shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social, duke iu përgjigjur komenteve të Araghchit.

Sulmet amerikane të datës 22 qershor goditën tri qendra bërthamore në Fordow, Natanz dhe Isfahan, gjatë një konflikti 12-ditor mes Izraelit dhe Iranit.

Trump e karakterizoi këtë goditje si një shkatërrim të plotë të kapaciteteve bërthamore të Iranit, por një raport i mëvonshëm nga inteligjenca amerikane sugjeroi se dëmi ishte vetëm i përkohshëm dhe se programi i Iranit ishte vonuar me disa muaj. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë e quajti këtë raport “krejtësisht të pasaktë”.

Në të njëjtën kohë, Irani ka njoftuar se do të rinisë bisedimet me vendet evropiane për programin e tij bërthamor. Takimi është planifikuar për të premten në Stamboll, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, konfirmoi se bisedimet do të fokusohen në heqjen e sanksioneve dhe çështjet që lidhen me programin bërthamor civil të Iranit.

Programi bërthamor i Iranit u kufizua ndjeshëm pas marrëveshjes së vitit 2015 (JCPOA), por pësoi një goditje të rëndë pas tërheqjes së SHBA-ve në vitin 2018. Nga ai moment, Irani ka rritur gradualisht aktivitetet bërthamore, përfshirë pasurimin e uraniumit në nivele që janë shumë të afërta me ato të nevojshme për prodhimin e armëve bërthamore. Iranit i ka qëndruar besnik pretendimit se programi i tij është për qëllime civile, ndërkohë që shtetet perëndimore kanë shprehur shqetësim për mundësinë e një eskalimi të tensioneve./abcnews.al

Numri i viktimave nga dhuna në jug të Sirisë arrin në mbi 1.300

By: Rovena
22 July 2025 at 22:04

Numri i viktimave nga përleshjet njëjavore në provincën Suveida, e banuar kryesisht me druzë, në jug të Sirisë, ka kaluar shifrën prej 1.300.

Kështu deklaroi Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriutm grup monitorues teksa ky grup po vazhdon të konfirmojë vdekjet që ndodhën para se të hynte në fuqi armëpushimi gjatë fundjavës së kaluar.

Vëzhguesi tha se në mesin e viktimave përfshihen 933 pjesëtarë druzë, 533 nga ta luftëtarë dhe 300 civilë, si dhe 196 që “u ekzekutuan pa gjyq nga personeli i mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme”.

Shifra e re përfshin gjithashtu 423 pjesëtarë të forcave të sigurisë së qeverisë dhe 35 beduinë sunitë, tre prej tyre civilë që, sipas Vëzhguesit me seli në Britani, “u ekzekutuan nga luftëtarë druzë”.

Sipas monitoruesit, edhe 15 pjesëtarë të forcave qeveritare u vranë në sulmet ajrore izraelite.

Përleshjet njëjavore, që nisën më 13 korrik, fillimisht përfshinë luftëtarë druzë dhe fise beduine sunite, por forcat qeveritare ndërhynë në anën e këtyre të fundit, sipas dëshmitarëve, ekspertëve dhe Vëzhguesit sirian.

Një armëpushim ka hyrë në fuqi më 20 korrik, pasi luftëtarët beduinë dhe fisnorë u tërhoqën nga qyteti Suveida dhe grupet druze rimorën kontrollin. Ndërkaq, forcat qeveritare janë dislokuar në pjesë të kësaj province.

Të martën, Kombet e Bashkuara njoftuan për zhvendosjen e stafit dhe familjarëve të tyre nga Suveida, duke shtuar se kanë dorëzuar një dërgesë të re ndihmash pranë Gjysmëhënës së Kuqe Siriane, ndihmë që ka për destinacion Suveidën.

Yesterday — 22 July 2025Main stream

Përfshihet nga flakët një banesë në Korçë/ Lëndohet i zoti i shtepisë

By: Rovena
22 July 2025 at 21:21

Zjarr në një banesë në zonën e quajtur “Rruga e Ersekës” në qytetin e Korçës.

Mësohet se i zoti i shtëpisë ka mbetur i lënduar lehtë ndërsa zjarri ka nisur në ambientet e brendshme të banesës.

Zjarrfikësja ndodhet në vendngjarje për fikjen e zjarrit ndërsa ka mbërritur dhe policia për zbardhjen e rrethanave. I lënduari u mor nga ambulanca për tu çuar drejt spitalit të Korçës./abcnews.al

Vatër zjarri në Kukës, terreni i vështirë dhe era favorizojnë flakët

By: Rovena
22 July 2025 at 21:02

Një vatër e madhe zjarri u shfaq pak orë më parë në pyjet e fshatit Mëmëz të Kukësit. Era po favorizon përhapjen e saj ndërkohë që retë e tymit kanë mbërritur mbi qytetin e Kukësit.

Në vendngjarje janë angazhuar grupe pune me punonjës të shërbimit zjarrfikës, pyjeve, banorë të zonës etj.

Terreni nuk lejon futjen e mjeteve zjarrfikëse ndaj dhe përpjekjet për izolimin dhe shuarjen e saj po bëhen me pompa shpinë dhe mjete rrethanore.

Ende nuk ka informacion për  shkakun, por deri tani zjarri ka përshkuar disa hektarë me pyje dushku./abcnews.al

“Drejtësia në Shqipëri, lojë statistikash”, Minxhozi: Turp! 6 vite SPAK dhe asnjë pikë në horizont për 21 Janarin

By: Rovena
22 July 2025 at 20:47

Në emisionin “Real Story” në ABC News, analisti Skënder Minxhozi ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si po zhvillohet drejtësia në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një “lojë statistikash” dhe një sistem të ngadalshëm dhe burokratik.

Minxhozi u shpreh se, në rastin e akuzave ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish-presidentit Ilir Meta, drejtësia duket se po bëhet gjithnjë e më personale dhe ka humbur fokusin nga akuza e saktë.

Ai ka kritikuar gjithashtu mungesën e përparimit në hetimet për ngjarjen e 21 Janarit, duke theksuar se është turp që, pas gjashtë vitesh nga krijimi i SPAK, kjo çështje ende nuk ka marrë drejtimin e duhur në gjykatë. Minxhozi e ka cilësuar sistemin aktual të drejtësisë si burokratik dhe të papërshtatshëm për të adresuar çështjet e rëndësishme për shoqërinë.

“Kam përshtypjen se drejtësia po i drejtohet një loje statistikash me Veliajn dhe Metën të marrë peng pa akuza. Se si mund ta burgosësh tjetrin që në shkurt e ta komunikosh akuzën në mbarim. Rasti i Veliajt është një qëndrim krejt mbi rreshtat dhe duket se ka kaluar në një gjë personale. Unë nuk mendoj se këto raste do t’i bënte më të mira ose jo Amerika, thjesht shtyn përpara proceset. Drejtësia e re më të madhe historike dhe një obligim moral edhe ndaj shqiptarëve do të kishte dosjet e përgjakura, të cilat ende vijon të mos i prekë. Është turp që pas 6 vitesh SPAK, ne nuk kemi asnjë pikë në horizont për 21 Janarin dhe nuk kemi asnjë shenjë se kur kjo çështje do të shkojë për gjykim. Nuk e dimë se kur do të thirren dëshmitarët dhe kur do të shkojë për gjykim. Është një drejtësi burokratike,” tha analisti Minxhozi./acbnews.al

Irani nuk heq dorë nga programi bërthamor

By: Rovena
22 July 2025 at 19:28

Irani nuk ka ndërmend të ndalë programin e tij bërthamor, përfshirë pasurimin e uraniumit, tha ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.

Në një intervistë për mediat e huaja theksoi se pasurimi i uraniumit është momentalisht i pezulluar për shkak të dëmeve të rëndësishme që ka shkaktuar, por shtoi se Irani është i gatshëm të angazhohet në bisedime për një zgjidhje të favorshme për të dyja palët.

“Nëse palët janë të gatshme të kërkojnë një marrëveshje që është në interes të të dyja palëve, unë jam gati të angazhohem me to,” u shpreh Araghchi. Ai shtoi se Irani është i hapur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të dëshmuar se programi bërthamor është tërësisht paqësor.

Në këmbim të angazhimeve të tilla, ministri iranian kërkoi që sanksionet ndaj Iranit të hiqen.

“Irani nuk ka asnjë qëllim për të zhvilluar armë bërthamore dhe presim që në këmbim të këtij angazhimi, ata të heqin sanksionet,” tha Araghchi, duke shtuar se një marrëveshje e tillë do të ishte e dobishme për të dyja palët.

Këto komente erdhën teksa Irani është gati të rifillojë bisedimet për programin e tij bërthamor me Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar në Stamboll./abcnews.al

Kina nis ndërtimin e hidrocentralit më të madh në botë

By: Rovena
22 July 2025 at 19:13

Kina ka filluar ndërtimin e një prej projekteve më të mëdha energjetike në historinë e saj: një hidrocentral monumental në lumin Yarlung Tsangpo, i cili kalon përmes territorit tibetian. Ky projekt është cilësuar nga kryeministri Li Qiang si “projekti i shekullit” dhe pritet të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në furnizimin me energji të vendit.

Lajmi u bë i njohur gjatë një ceremonie zyrtare të zhvilluar të shtunën në rajon, duke nxitur një rritje të tregjeve kineze për shkak të pritshmërive të larta që shoqërojnë këtë megaprojekt. Ai është pjesë e Planit të 14-të Pesëvjeçar të Kinës, i cili u paraqit për herë të parë në vitin 2020.

Sipas agjencisë shtetërore Xinhua, hidrocentrali do të ndërtohet në pjesën e poshtme të lumit dhe do të përfshijë pesë stacione kaskadë, duke prodhuar rreth 300 milionë megavat orë energji elektrike çdo vit. Ky projekt ka një kosto të përllogaritur prej 1.2 trilionë juanësh (afërsisht 124 miliardë paund), dhe është shumë më i madh se diga e “Tri Grykave”, që kushtoi 254 miliardë juanë dhe prodhon 88 milionë MWh në vit.

Pavarësisht rëndësisë dhe përmasave të projektit, ende nuk janë dhënë informacione të detajuara mbi afatet apo fazat e ndërtimit, ndërsa shifrat e fundit tejkalojnë ato që u parashikuan në vitin 2020.

Megjithatë, ky projekt ka sjellë edhe shqetësime ndërkombëtare. India, Bangladeshi, grupe tibetiane dhe organizata mjedisore kanë ngritur alarmin për pasojat e mundshme. Lumi Yarlung Tsangpo, që në Indi njihet si Brahmaputra dhe në Bangladesh si Jamuna, është një burim jetik për miliona njerëz në rajon. Shtetet e prekura shprehin shqetësimin se diga mund të ndikojë në rrjedhën e ujit dhe në sasinë e tij, duke rrezikuar furnizimin me ujë për një popullsi të madhe.

Në një intervistë për BBC, Neeraj Singh Manhas, një këshilltar për Azinë Jugore, paralajmëroi se Kina mund ta përdorë këtë ujë si një mjet presioni, duke e bllokuar ose devijuar sipas interesave të veta. India ka shprehur zyrtarisht shqetësimet e saj që prej dhjetorit, dhe i ka ribërë ato gjatë takimeve të ndryshme dypalëshe.

Përveç shqetësimeve ndërkombëtare, grupet tibetiane kanë theksuar mungesën e transparencës për sa i përket zhvendosjes së mundshme të popullsisë dhe ndikimit që mund të ketë ky projekt në zonat e shenjta të budizmit në rajon. Protestat kundër ndërtimit të hidrocentraleve në këtë zonë janë bërë gjithashtu të shpeshta, me arrestimin e qindra protestuesve në vitin 2023 për një projekt të ngjashëm në lumën Yangtze.

Po ashtu, mjedisoreve u shqetëson ndikimi i mundshëm në biodiversitet dhe rreziqet gjeologjike të zonës, si rrëshqitjet e dheut dhe aktivitetet sizmike. Autoritetet kineze kanë mbrojtur projektin, duke theksuar se ai do të krijojë vende pune, do të nxisë zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe do të sigurojë një furnizim të qëndrueshëm me energji për të ardhmen. Kryeministri Li Qiang deklaroi gjatë ceremonisë se është e domosdoshme të mbahet parasysh ruajtja e ekosistemit për të shmangur dëmtimet mjedisore.

Me ndërtimin e kësaj megadige, Kina do të forcojë pozitat e saj si prodhuesja më e madhe e energjisë hidroelektrike në botë, me një projekt që pritet të jetë më i madh se çdo hidrocentral tjetër deri tani. Ai do të shfrytëzojë një rënie prej 2 kilometrash të lumit brenda një segmenti 50-kilometërsh, duke kaluar nëpër një kanion të thellë./abcnews.al

Doktori nuk pyet për statut, Mërtiri: Sindroma e një lideri që nuk ndryshon, praktikisht sot Berisha është i shkarkuar

By: Rovena
22 July 2025 at 18:42

Analisti Ergys Mërtiri ka bërë një koment të drejtpërdrejtë dhe kritik lidhur me situatën e brendshme në Partinë Demokratike dhe figurën e liderit historik të saj, Sali Berisha. Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Mërtiri analizoi zhvillimet e fundit politike në PD, duke theksuar se Berisha ka qenë gjithmonë në qendër të vendimmarrjes, edhe kur formalisht nuk ka qenë në krye të partisë.

Sipas tij, Berisha ka ndërtuar një model të qëndrueshëm kontrolli personal mbi strukturat e PD-së dhe nuk ka treguar asnjë shenjë vullneti për t’u tërhequr nga skena politike, madje edhe në kushtet kur, sipas statutit të vetë partisë, ai konsiderohet i shkarkuar.

“Berisha ka qenë dhe do që të jetë i përjetshëm edhe kur vendosi Bashën kryetar ka qenë gjithmonë pas perdes. Berisha po tregohet qartë që është një lider që nuk pranon që të ikë nga politika në asnjë mënyrë, ai pranon të jetë edhe kur shkatërron partinë e vet. Nuk mund të ketë nen statuti që e largon, kur nuk e largojnë kushtet reale, nuk ka nen që e largon.”

Mërtiri solli në vëmendje edhe paradokset në qëndrimet e Berishës, të cilat sipas tij ndryshojnë në varësi të rrethanave politike, si dhe mungesën e reformës dhe modernizimit në parti për gati katër dekada. Ai theksoi se Partia Demokratike sot ndodhet në një krizë të thellë identiteti dhe funksionaliteti, pikërisht për shkak të qëndrimit të gjatë të një lideri të vetëm në krye.

“Statuti u fut në vitin 2021 kur futi Lulzim Bashën, dhe këtë gjë e tha me idenë që lideri i ardhshëm të mos ankohej për vjedhjen e zgjedhjeve, kurse tani që është vetë thotë që Bashës nuk ia vodhën dhe mua mi vodhën. Berisha nuk largohet edhe sikur zgjedhjet të ishin më të mirat që janë bërë ndonjëherë. Këto janë thjeshte sebepe, sepse statuti e thotë qartë. Praktikisht sot Berisha është i shkarkuar sipas statutit.  Berisha në 35 vite ka thënë që do e modernizojë partinë dhe këtë gjë nuk e ka bërë në 35 vite. Kjo është sindroma e një lideri që nuk ndryshon, ndërkohë që gjërat dhe koha ka ndryshuar. Këtu tregon që kjo parti ka një problem të madh reformimi, dhe sigurisht që nuk mund të reformohet kur mban për 35 vite të njëjtin lider. Kjo parti është zhytur në një pikë ku pikësëpari ka humbur arsyen.”

Në vijim, analisti trajtoi edhe tendencën e Berishës për të etiketuar si “armiq” apo “të shitur” çdo figurë që del jashtë rrethit të tij të ngushtë, përfshirë edhe persona apo institucione që në të kaluarën kanë qenë në favor të Partisë Demokratike. Si shembull, Mërtiri përmendi kryetarin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, për të cilin tha se ka marrë disa vendime që kanë përmbushur kërkesat e PD-së, por që gjithsesi është bërë objekt sulmesh nga Berisha.

“Berisha bën atë që ka bërë gjithmonë, akuzon këdo që i del përpara, këdo që nuk është në oborrin e tij dhe e konsideron të shitur. Në fakt Celibashi më shumë ka qenë në krah të PD, në çdo vendim që ka marrë. Celibashi hoqi votimin elektronik vetëm se e kërkoi PD. Po, Berisha këtë gjë ka bërë gjithmonë, ka sulmuar gjithmonë ata që i kanë shërbyer.”/abcnews.al

Princi George feston 12-vjetorin me një fotografi të re nga Pallati Kensington

By: Rovena
22 July 2025 at 17:58

Në nder të ditëlindjes së 12-të të Princit George, Pallati Kensington ka publikuar një fotografi të re të tij, ku ai shfaqet me një buzëqeshje të ngrohtë.

Portreti, i realizuar më herët gjatë vitit nga fotografi Josh Shinner, është shpërndarë në rrjetet sociale, i shoqëruar me një urim të shkurtër dhe të ëmbël nga prindërit e tij, Princi dhe Princesha e Uellsit: “Gëzuar 12-vjetorin princ George!”

Si djali i madh i çiftit mbretëror dhe i dyti në linjën e trashëgimisë për fronin britanik, George vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes publike që në fëmijërinë e hershme.

Së fundmi janë shtuar spekulimet për të ardhmen e tij arsimore, sidomos lidhur me mundësinë që ai të ndjekë gjurmët e të atit duke u regjistruar në Eton College, një shkollë private prestigjioze ku pranimet zakonisht bëhen në moshën 13-vjeçare.

Princi William dhe Princesha Catherine kanë qenë gjithnjë të kujdesshëm për t’i ofruar fëmijëve të tyre, përfshirë George-in, një jetë sa më të zakonshme në shtëpinë familjare në Adelaide Cottage. Megjithatë, roli i tij në familjen mbretërore ka qenë i pranishëm që në moshë të vogël.

George është shfaqur rregullisht në ngjarje publike, përfshirë kampionatin e tenisit në Wimbledon dhe paradën tradicionale Trooping the Colour. Gjatë festimeve të 80-vjetorit të Ditës së Fitores në Evropë, ai pati mundësinë të takonte veteranë lufte në një festë çaji, duke dëgjuar personalisht rrëfimet e tyre.

Ndërkohë, pasioni i tij për futbollin mbetet i qartë, pasi shpesh është parë duke ndjekur ndeshjet e ekipit të Aston Villa përkrah babait të tij./abcnews.al

Përdoruesit e ChatGPT dërgojnë 2.5 miliardë kërkesa në ditë

By: Rovena
22 July 2025 at 17:35

ChatGPT merr 2.5 miliardë kërkesa nga përdoruesit globalë çdo ditë, tha OpenAI.

Rreth 330 milionë prej tyre vijnë nga përdorues në SHBA, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi. Këto shifra tregojnë se sa i kudondodhur po bëhet produkti kryesor i OpenAI.

Kompania mëmë e Google, Alphabet, nuk publikon të dhëna të përditshme kërkimi, por kohët e fundit zbuloi se Google merr 5 trilionë kërkesa në vit, që mesatarisht është pak më pak se 14 miliardë kërkime ditore.

Hulumtuesit e pavarur kanë gjetur trende të ngjashme.

Neil Patel i NP Digital vlerëson se Google merr 13.7 miliardë kërkime çdo ditë, ndërsa hulumtimi nga SparkToro dhe Datos – dy kompani të marketingut dixhital – vlerëson se shifra është rreth 16.4 miliardë në ditë.

Megjithatë, ChatGPT ka treguar një rritje mbresëlënëse të shpejtë. Në dhjetor, CEO i OpenAI, Sam Altman, tha se përdoruesit dërgojnë mbi 1 miliard kërkesa në ChatGPT çdo ditë.

Sipas fjalëve të Altman, vëllimi i kërkimit të kompanisë është më shumë se dyfishuar në rreth tetë muaj.

Coca-Cola i bindet urdhrit të Trump/ Nxjerr në treg një version të ri të pijes me gaz

By: Rovena
22 July 2025 at 17:17

Coca-Cola konfirmoi të martën se do të lansojë një Coca-Cola të re të bërë me sheqer kallami, shkruan CNN.

Njoftimi vjen pas një postimi në mediat sociale nga presidenti Donald Trump javën e kaluar, në të cilin ai pretendoi se e bindi kompaninë të zëvendësonte shurupin e misrit me fruktozë të lartë, transmeton Telegrafi.

Kompania zbuloi në raportin e saj të të ardhurave se, si “pjesë e agjendës së saj të vazhdueshme të inovacionit”, do të lansojë në vjeshtë një “ofertë të bërë me sheqer kallami amerikan” si pjesë të gamës së produkteve të saj.

Disa versione të Coca-Cola-s tashmë përdorin sheqer kallami, përfshirë Coca-Cola-n e shitur në Meksikë.

“Kjo shtesë është projektuar për të plotësuar portofolin e fortë kryesor të kompanisë dhe për të ofruar më shumë zgjedhje në raste dhe preferenca”, tha Coca-Cola në një deklaratë.

Kompania mund të zbulojë më shumë detaje mbi takimin e saj të të ardhurave me analistët e Wall Street më vonë këtë mëngjes.

Javën e kaluar, Trump tha se Coca-Cola kishte “rënë dakord” të përdorte sheqer kallami në pijet e saj.

Por njoftimi i së martës zbulon se receta kryesore e Coca-Cola-s nuk po ndryshon dhe do të vazhdojë të përdorë shurup misri me fruktozë të lartë.

Në vend të kësaj, kompania do të krijojë një produkt të veçantë Coca-Cola që përfshin sheqer kallami.

Coca-Cola e prodhuar në Amerikë është bërë me shurup misri me fruktozë të lartë, një përbërës kundër të cilit sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore i Trump, Robert F. Kennedy Jr, ka mbrojtur me forcë.

Kennedy, i cili ka udhëhequr nismën për të hequr shumë përbërës artificialë dhe shumë të përpunuar nga ushqimet amerikane, e ka quajtur shurupin e misrit me fruktozë të lartë një “formulë për t’ju bërë obezë dhe diabetikë” në një episod të shtatorit të podkastit të mjeku Jordan Peterson.

Shurupi i misrit është një ëmbëlsues i zakonshëm dhe i lirë, prandaj Coca-Cola bëri ndërrimin shumë vite më parë. Por pija e mbushur me sheqer nuk është e shëndetshme, thonë ekspertët e shëndetit edhe nëse është bërë me sheqer kallami në vend të shurupit të misrit.

Të përfshirë në abuzime me tendera në UBT, Prokuroria e Posaçme dërgon për gjykim 29 të pandehur

By: Rovena
22 July 2025 at 16:54

Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim 29 të pandehur mes të cilëve, pedagogë, staf akademik dhe biznesmenë, qe akuzohen si te përfshirë  në abuzime me tenderat në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Gjatë një hetimi të zgjeruar, janë evidentuar shkelje të rënda ligjore nga disa përfaqësues të stafit akademik dhe drejtues të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT). Të pandehurit Romina Koto dhe Ilir Kapaj, në detyrën e zëvendës/rektorit, si dhe Bejo Bizhga, përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike, dyshohen për përfshirje në ideimin fiktiv të projekteve dhe sigurimin e fondeve publike pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI).

Në këtë skemë është përfshirë edhe administratori i UBT-së, Edmond Tërthorja, i cili, sipas hetimit, ka bashkëpunuar në mënyrë të paligjshme me personat e sipërpërmendur për të favorizuar operatorë ekonomikë përmes përgatitjes së specifikimeve të personalizuara për tenderat, të hartuara nga vetë subjektet fituese.

Pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI, janë konstatuar veprime të paligjshme në procedurat e prokurimit, ku komisionet përkatëse për përllogaritjen e fondit limit, përgatitjen e specifikimeve teknike dhe vlerësimin e ofertave kanë bashkëpunuar ngushtësisht dhe jashtë çdo kuadri ligjor me njësinë e prokurimit, duke deformuar garën dhe transparencën e proceseve.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar paraqiti sot (22.07.2025) kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.13/1 të vitit 2022 (i ndarë nga procedimi penal nr.13 të vitit 2022), në ngarkim të 27 personave, zyrtarë të Univeristetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe dy personave, përfaqësues të operatorit ekonomik “Krijon” sh.p.k.

  • Zyrtarët e Universitetit Bujqësor të Tiranës janë akuzuar për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal.
  • Ndërsa dy përfaqësuesit e operatorit ekonomik “Krijon” sh.p.k, akuzohen për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.

Në kuadër të këtij procedimi penal janë hetuar 9 (nëntë) procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të fondit limit 90.000.000 (nëntëdhjetë milionë) lekë.

Hetimet proaktive janë zhvilluar me metoda speciale, të cilat përfshijnë përgjimin e bisedave telefonike të zyrtarëve të UBT, vëzhgime dhe administrimin e dokumentacionit të procedurave të prokurimit me autoritet kontraktor, UBT.

Gjatë Hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të stafit akademik në UBT, të pandehurit: Romina Koto dhe Ilir Kapaj në detyrën e zëvendës/rektorit, Bejo Bizhga, me detyrë Përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike, që konsistojnë në ideimin e projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI), si edhe veprime të kundraligjshme të kryera në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, të pandehurin Edmond Tërthorja, me detyrë Administrator i UBT-së.

Këta persona kanë përgatitur të dhëna fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurrues dhe fitues në këto procedura prokurimi. Pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI, kanë vijuar veprimet e kundraligjshme të autoritetit kontraktor, në fazën e përgatitjes dhe kryerjes së procedurave të prokurimit. Komisioni që përllogariti fondin limit dhe përgatiti specifikimet teknike ka bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të paligjshme me njësinë e prokurimit dhe komisionin e vlerësimit të ofertave.

Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave nga të pandehurit: Amarildo Lleshi, Mehmet Qoshja, Altin Murto, Enkeleida Sallaku, Klara Jahollari, Agim Sefa, Arjan Buliqi, Serafin Skënderi, Ilir Kusi, Dritan Laçi, Azem Parllaku, Artur Koleci, Radion Dhromi, Blenard Spaho, Tedi Proda, Erjola Kopali, Klea Lekoçaj, Etleva Shore, Mimoza Shehu, Elvira Shtogu, Tone Vukaj, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, të pandehurin, Edmond Tërthorja, të cilët kanë krijuar kushte dhe favorizuar shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë “Krijon”sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k, “Malvina Visoka PF”.

Gjatë hetimit rezultoi se të dhënat e përgatitjes së fondit limit, specifikimet teknike, termat e referencës, si dhe hartimi i dokumenteve standarde të tenderit, janë bërë nga zyrtarët përgjegjës të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me operatorët ekonomikë fitues “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”.

Në të gjitha procedurat e prokurimit të mësipërm, operatorët ekonomikë fitues, “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”, kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara, në emër të shoqërive tregtare të tjera, që janë përdorur nga autoriteti kontraktor dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit, pa kryer asnjë studim tregu.

Janë evidentuar raste të kryerjes së procedurës së prokurimit me operator eknomik të paracaktuar fitues, për pajisje me mallra të tjera, të vëna në dispozicion të autoritetit kontraktor disa muaj para shpalljes së procedurave të prokurimit, (procedura prokurimi të zhvilluara pas administrimit më parë të këtyre paisjeve, për të cilat më pas, janë kryer procedurat fiktive të  prokurimit dhe marrje e tyre në dorëzim).

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime të në kuadër të procedimit penal nr.13 të vitit 2022, për të evidentuar çdo fakt tjetër penal,  përgjegjësinë e çdo personi tjetër, që ka vepruar me dokumentacionin e këtyre procedurave të prokurimit, si dhe fakte të tjera penale në kuadër të këtij procedimi penal.

 

❌
❌