Gjermani – Pesë avionë luftarakë “Eurofighter” në Poloni për një periudhë disa javore
VARSHAVË, 4 gusht /ATSH-DPA/ – Forcat ajrore gjermane do të vendosin pesë avionë luftarakë “Eurofighter” në Poloni për për një periudhë disa javore.
Që nga dita e nesërme, avionët do të veprojnë nga baza ushtarake Minsk Mazowiecki, në lindje të Varshavës, konfirmoi një zëdhënës i forcave ajrore.
Rreth 150 ushtarë nga Bundeswehr (ushtria gjermane) janë tashmë në terren.
Polonia është një mbështetëse kyçe, politike dhe ushtarake e Ukrainës që prej fillimit të agresionit rus më shumë se tre vite më parë. Ajo gjithashtu luan rol qendror si nyje logjistike për ndihmën ushtarake të perëndimit ndaj Kievit.
Polonia e konsideron veten të kërcënuar nga Rusia dhe po zhvillon aktualisht një program të gjerë riarmatimi.
Që nga prilli, forcat ajrore gjermane kanë ndihmuar ushtrinë polake në monitorimin e hapësirës ajrore të Polonisë.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e kishte paralajmëruar këtë vendim që në janar.
Komanda e lartë e ushtrisë polake njoftoi në platformën X se avionët do të mbështesin mbrojtjen e hapësirës ajrore në krahun lindor të NATO-s.
“Ky është një tjetër shembull i bashkëpunimit mes aleatëve dhe i përkushtimit të tyre të vërtetë ndaj sigurisë së Evropës Qendrore dhe Lindore”, thuhet në deklaratë. /Ad.Ab./
The post Gjermani – Pesë avionë luftarakë “Eurofighter” në Poloni për një periudhë disa javore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.