Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 August 2025Main stream

Guvernatori Sejko: Inflacioni në objektivin 3% deri në mesin e 2026-s

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Inflacioni i çmimeve të konsumit në Shqipëri ka shënuar një rritje të lehtë dhe të pritshme gjatë tremujorit të dytë të vitit, duke arritur në 2,3%, nga 2,1% në tremujorin e parë. Megjithatë, inflacioni vijon të mbetet nën objektivin prej 3%, deklaroi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Në konferencën për mediet sot, Sejko tha se rritja e inflacionit u ndikua kryesisht nga: çmimet e ushqimeve dhe rritja e qirave, ndërsa pjesa tjetër e artikujve të shportës së konsumit ka pasur ecuri të qëndrueshme.

Guvernatori bëri të ditur se, inflacioni bazë u rrit nga 2,4% në 2,6%, për shkak të rritjes së pagave dhe qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit.

“Këto tendenca janë në përputhje me pritjet tona, edhe pse inflacioni ka rezultuar pak më i ulët se parashikimet fillestare”, tha Sejko, duke shtuar se ky rezultat lidhet me uljen e marzheve të fitimit të bizneseve, ofertën pozitive në treg, dhe rënien më të shpejtë të inflacionit në Eurozonë.

Banka e Shqipërisë parashikon rikthim në objektivin 3% të inflacionit në 2026-n.

“Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, inflacioni do të rikthehet në objektivin 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Kjo ecuri do të mbështetet nga: Balancimi më i mirë mes kërkesës dhe ofertës për mallra dhe shërbime, stabilizimi i inflacionit në tregjet ndërkombëtare, kurs më i qëndrueshëm i këmbimit dhe pritje më të qarta dhe të ankoruara për inflacionin në vend”, deklaroi Sejko.

/r.e/

The post Guvernatori Sejko: Inflacioni në objektivin 3% deri në mesin e 2026-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sejko: Ekonomia po rritet me ritme të qëndrueshme, turizmi dhe investimet, motorë të zhvillimit

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi sot se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme pozitive gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, mbështetur nga turizmi, investimet dhe eksportet.

Guvernatori Sejko, në konferencën për mediet sot, pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës, bëri të ditur se, “sipas të dhënave nga INSTAT, aktiviteti ekonomik është zgjeruar me 3,4% në tremujorin e parë, ndërsa informacionet indirekte sugjerojnë ritme të ngjashme rritjeje edhe për tremujorin e dytë”.

“Rritja është mbështetur nga zgjerimi i turizmit, konsumit, investimeve dhe eksporteve, duke nxitur zhvillimin e sektorëve të ndërtimit dhe shërbimeve”, u shpreh Sejko, teksa evidentoi se, ndërkohë, sektorët e bujqësisë dhe industrisë kanë shënuar rënie gjatë tremujorit të parë, duke reflektuar ndikimin e faktorëve sezonalë dhe strukturorë.

Guvernatori vuri në dukje se politika monetare, është një faktor kyç në ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit.

Ai theksoi se politika monetare e kujdesshme dhe e qëndrueshme e Bankës së Shqipërisë ka luajtur një rol kyç në përmirësimin e kushteve të financimit për sektorin privat.

Sejko njoftoi se, normat e interesit për kreditë janë ulur, yield-i i bonove të thesarit është stabilizuar, pritjet për inflacionin janë normalizuar, ndërkohë, që kursi i këmbimit është mbajtur në nivele të qëndrueshme përmes ndërhyrjeve të kujdesshme në tregun valutor.

Këto zhvillime, tha Guvernatori, kanë kontribuar në krijimin e një mjedisi financiar të favorshëm, karakterizuar nga: Likuiditet i bollshëm; Prime të ulëta rreziku; Bilance të shëndosha të sektorit bankar dhe qasje pozitive ndaj kreditimit

Sipas tij, kredia për sektorin privat vazhdon rritjen.

“Kredia për sektorin privat ka vijuar të rritet edhe në tremujorin e dytë, me një normë vjetore rritjeje prej 15,4%, duke mbështetur nevojat e bizneseve për investime dhe të familjeve për konsum dhe banesa. Parashikimet e skenarit bazë sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në Shqipëri pritet të vijojë rritjen në horizontin afatmesëm, me ritme solide dhe pranë potencialit të tij”, theksoi Sejko.

Guvernatori tha se “rritja ekonomike do të vijojë të nxitet nga: Zgjerimi i konsumit dhe investimeve, rritja e mëtejshme e turizmit dhe eksporteve të shërbimeve dhe shtimi i punësimit dhe rritja e pagave”.

/r.e/

The post Sejko: Ekonomia po rritet me ritme të qëndrueshme, turizmi dhe investimet, motorë të zhvillimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Banka e Shqipërisë: Norma bazë e interesit për lekun mbetet në nivelin 2,5%

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mërkurën që ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, në nivelin 2,5%.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp tha se, “Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe mbajtjen e inflacionit në kontroll”, teksa vuri në dukje se turizmi, investimet dhe eksportet po mbështesin rritjen e ekonomisë.

“Analiza e informacionit të disponuar sugjeron se ekonomia shqiptare, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten, ndërsa parametrat kryesorë të stabilitetit makroekonomik, monetar e financiar të vendit janë përmirësuar më tej. Në veçanti, inflacioni ka vijuar të qëndrojë në nivele të ulëta, duke shënuar një rritje të lehtë drejt objektivit në tremujorin e dytë. Po ashtu, tregjet financiare kanë qenë përgjithësisht të qeta dhe kreditimi ka ardhur në rritje”, tha Sejko.

“Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1,5%; dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3,5%”, u shpreh Guvernatori.

Guvernatori deklaroi se vendimet e politikës monetare do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin për stabilitetit të çmimeve, qëndrueshmëri të politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit në vend, si dhe me zhvillimet potenciale në tregjet ndërkombëtare dhe partnerët tanë të huaj tregtarë.

/r.e/

The post Banka e Shqipërisë: Norma bazë e interesit për lekun mbetet në nivelin 2,5% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parandalimi i Murtajës Afrikane, 886 monitorime në stabilimentet me derra

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Për të garantuar shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, veterinerët e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) janë të angazhuar çdo ditë të vitit në monitorimin e fermave blegtorale në të gjithë vendin.

Në kuadër të masave parandaluese dhe kontrollit të Murtajës Afrikane të Derrave (MAD), gjatë periudhës janar–qershor 2025, janë kryer 886 monitorime në stabilimente me derra në të gjithë territorin.

Sipas ekspertëve, monitorimet shërbejnë: Për identifikimin në kohë të rasteve të dyshimta, për rritjen e ndërgjegjësimit të mbarështuesve mbi rëndësinë e biosigurisë si dhe për edukimin mbi njohjen e shenjave klinike të kësaj sëmundjeje të rrezikshme.

“Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme të veterinerëve tanë, është bërë e mundur të menaxhohet përhapja e MAD me profesionalizëm dhe të minimizohen dëmet në ferma,” thuhet në njoftimin e AKVMB-së.

AKVMB bën të ditur se vijon të jetë në gatishmëri për të mbështetur fermerët dhe për të siguruar mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe zinxhirit ushqimor në tërësi.

/a.f/

The post Parandalimi i Murtajës Afrikane, 886 monitorime në stabilimentet me derra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijojnë regjistrimet në Shkollën Profesionale të Shërbimeve në Korçë

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Shkolla Profesionale e Shërbimeve në Korçë vijon regjistrimet për vitin e ri shkollor, duke ofruar programe të ndryshme që kombinojnë arsimimin teorik me aftësimin praktik, veçanërisht në sektorë strategjikë për ekonominë vendase.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha se, drejtimet kryesore në këtë shkollë përfshijnë bujqësinë, veterinarinë dhe turizmin.

“Në sektorin e bujqësisë dhe veterinarisë, të rinjtë pajisen me njohuri dhe aftësi për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorëve të bujqësisë dhe blegtorisë. Ndërsa në degët Hoteleri-Turizëm, Ekonomi-Biznes dhe Dizajn-Modë; janë fushat me kërkesë të lartë në tregun e punës”, tha Denaj.

Denaj vuri në dukje se, “shkollat profesionale si kjo në Korçë janë çelësi për të ndërtuar një forcë punëtore të kualifikuar dhe të gatshme për tregun modern të punës”.

Regjistrimet janë të hapura deri më 30 shtator dhe realizohen në platformën e-albania, përmes shërbimit “Regjistrohu në klasën e dhjetë”.

/a.f/

The post Vijojnë regjistrimet në Shkollën Profesionale të Shërbimeve në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema e investimeve, financim deri në 5 milionë lekë për mekanikë bujqësore

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Për të dytin vit radhazi në ndihmë të bujqësisë dhe zhvillimit rural, Qeveria po aplikon Skemën Kombëtare të Investimeve që mbështet fermerët me financim grant për investime në mekanizimin e bujqësisë.

Përmes kësaj skeme mbështeten fermerët për blerjen e traktorëve, makinerive dhe pajisjeve moderne për mekanizimin dhe përmirësimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale.

Aplikimi i mekanizimit dhe teknologjive të reja në bujqësi i ndihmon fermerët të rrisin produktivitetin dhe cilësinë e punës së tyre.

Sipas Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, vitin e kaluar kërkesat më të larta për financim përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, ishin për blerjen dhe përmirësimin e mjeteve dhe mekanikës bujqësore.

Qeveria përmes kësaj skeme financon 50% të vlerës totale të faturave tatimor, deri në 5 milionë lekë për subjekt.

Ky investim mbështet fermerët në modernizimin e bujqësisë dhe blegtorisë, për realizimin e punës në mënyrë më efikase dhe të sigurt, për të përmirësuar jetën dhe prodhimin e tyre

Skema Kombëtare e Investimeve 2025, përmbledh nëntë masa, që përfshin gjithë bujqësinë që nga mbjellja e fidanëve të pemëve frutore deri në përpunimin e fruta-perimeve. Këtu përmblidhen mekanika, blegtoria, ndërtimi i stallave, bletaria.

Aplikimet për të përfituar nga kjo skemë janë hapur më 30 korrik dhe do të vazhdojnë deri më 30 shtator 2025.

Ndërkohë vitin e kaluar nga 404 aplikime në Skemën Kombëtare të Investimeve 2024, 305 kërkesa janë për mekanikë bujqësore.

Për mekanikën bujqësore vlera mesatare për fermerë shkon 30 deri 36 mijë euro ku 50 % financohet grant nga Skema e Investimeve. Ndërsa pjesa tjetër do të paguhet nga fermeri, fond të cilin fermeri mund ta marri kredi në bankë duke përdorur Fondin e Garancisë Sovrane ku shteti mbështet 80% të kolateralit.

/a.f/

The post Skema e investimeve, financim deri në 5 milionë lekë për mekanikë bujqësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 5 August 2025Main stream

BERZH 30 milionë euro për modernizimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Një investim strategjik për modernizimin e infrastrukturës hekurudhore shqiptare po bëhet realitet falë mbështetjes së Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bashkimit Evropian (BE) dhe Bankës Evropiane të Investimeve (BEI).

Projekti përfshin rindërtimin dhe elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, një segment i rëndësishëm i Korridorit VIII Panevropian.

BERZH në një njoftim për shtyp bën të ditur se, ka miratuar një kredi sovrane prej 30 milionë euro për kompaninë shtetërore Hekurudha Shqiptare, duke plotësuar një kredi tjetër prej 30 milionë euro nga BEI dhe 60 milionë euro në formë grantesh dhe asistence teknike nga BE përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Projekti përfshin: Rindërtimi dhe elektrifikimi i rreth 34 kilometrave hekurudhë; Përmirësimi i infrastrukturës së stacioneve; Rritje e efikasitetit dhe sigurisë në transport; dhe Zhvillimin e një lidhjeje të parë hekurudhore të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut

Ky projekt pritet të sjellë përfitime të rëndësishme ekonomike, mjedisore dhe sociale, duke zhvendosur trafikun nga rruga në hekurudhë, duke reduktuar ndjeshëm emetimet e karbonit, dhe duke përmirësuar lëvizshmërinë rajonale dhe ndërkufitare.

Petrit Malaj, ministër i Financave tha se, “Ky projekt shënon një moment historik transformues për infrastrukturën tonë. Ai do të luajë një rol jetësor në integrimin afatgjatë të Shqipërisë në rrjetin evropian të transportit.”

Ndërsa Donald Mishaxhiu, drejtues rajonal i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, deklaroi se, “Ky investim pasqyron mbështetjen tonë të vazhdueshme për transformimin hekurudhor të Shqipërisë. Së bashku me partnerët tanë, ne po ndihmojmë në ndërtimin e një rrjeti modern, të qëndrueshëm dhe të lidhur transporti që do t’u sjellë dobi brezave të ardhshëm”.

Ky projekt vjen në vazhdën e angazhimit të BERZH-it për Shqipërinë, pas investimeve të mëparshme në linjat Tiranë–Durrës dhe Vorë–Hani i Hotit, dhe është plotësisht në përputhje me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe objektivat e Tranzicionit të Gjelbër të BERZH-it.

/a.f/

The post BERZH 30 milionë euro për modernizimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Investimeve, 50% grant për ndërtimin e serrave diellore të reja

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nëpërmjet Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR), ka hapur aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025, e cila ofron mbështetje financiare deri në 50% grant për ndërtimin e serrave diellore të reja.

Skema synon të nxisë prodhimin bujqësor të qëndrueshëm dhe të rrisë konkurrueshmërinë në tregun vendas dhe ndërkombëtar. Mbështetja financiare për ndërtimin e serrave varion sipas llojit të kulturës.

Sipas AZHBR-së, Skema Kombëtare e Investimeve 2025, ofron për fermerët deri në 15 milionë lekë/ha për serrat e prodhimit të perimeve; Deri në 8 milionë lekë/ha për prodhimin e rrushit për tavolinë dhe deri në 4 milionë lekë/ha për prodhimin e luleshtrydheve.

Këto grante përfshijnë gjithashtu investime në sisteme moderne ujitjeje, duke synuar efikasitet më të lartë në përdorimin e ujit dhe prodhim më cilësor.

Përveç grantit, aplikantët mund të përfitojnë edhe nga Kredia e Butë, me interes vetëm 2%, si dhe me garanci sovrane deri në 70% të kolateralit, duke mundësuar kështu financim të plotë për investimin.

Aplikimet janë të hapura deri më 30 shtator 2025 dhe përfshijnë gjithsej 9 masa mbështetëse për sektorin bujqësor.

/a.f/

The post Skema Investimeve, 50% grant për ndërtimin e serrave diellore të reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

BSH vendos kufi për transfertat SEPA, jo më shumë se 3 euro për hyrjet

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektrregulloren që vendos bazat për nivelin e tarifave që bankat dhe institucionet e pagesave do të aplikojnë, pas anëtarësimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Projektrregullorja “Mbi tarifat e pagesave ndërkufitare në zonën SEPA dhe kushtet e transparencës” parashikon që tarifat e aplikuara nga Operatorët e Shërbimeve të Pagesave (banka ose institucione financiare jobanka të pagesave dhe parasë elektronike) për pagesat SEPA dalëse nuk mund të tejkalojnë kufijtë e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë për vlerat korresponduese të pagesave vendase në Euro që procesohen përmes sistemeve të saj dhe përcaktohen në kuadrin rregullator të këtyre sistemeve.

Sipas ndryshimeve të propozuara, “Për funksionimin e sistemit AIPS EURO për shlyerjen e transfertave vendase për klientë në Euro”, komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat në sistemin euro do të ulet nga 6 euro në 4 euro.

Ndërkohë, totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0,02% e vlerës së transferuar. Ashtu siç ndodh me transfertat në Lekë, edhe rregullorja për transfertat në Euro do të stimulojë përdorimin e kanaleve elektronike për kryerjen e transfertave, duke parashikuar komisione të përgjysmuara për veprimet që kryhen nëpërmjet këtyre kanaleve.

Komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat kombëtare në monedhën europiane, të kryera nëpërmjet e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 2 euro. Ndërsa totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0,01% e vlerës së transferuar.

Ndërkohë, komisionet maksimale që bankat mund të aplikojnë, pavarësisht shumës së transfertës, propozohen të jenë të njëjta si në rregulloren aktuale: përkatësisht 50 euro për transfertat e kryera në degë dhe 25 euro për ato të nisura nëpërmjet kanaleve elektronike.

Këto nivele tavan do të aplikohen edhe për transfertat në nisje në zonën SEPA. Ndërsa, për tarifat e pagesave SEPA hyrëse, nëse aplikohen nga institucioni i përfituesit të pagesës, ato duhet të reflektojnë kostot përkatëse të ofruesit të shërbimeve të pagesave. Këto tarifa, në asnjë rast, nuk mund të kalojnë vlerën 3 euro për transaksion.

/r.e//a.f/

The post BSH vendos kufi për transfertat SEPA, jo më shumë se 3 euro për hyrjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Takim pune me arkitektë për standardizimin e objekteve bujqësore sipas normave të BE-së

iTIRANË, 4 gusht /ATSH / Ekspertë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bashkë me ekspertë të huaj dhe arkitektë dhe studio arkitekturore, diskutuan në Tiranë rreth identifikimit të sfidave dhe përcaktimin e hapave të mëtejshëm në drejtim të hartimit të stallave blegtorale dhe objekteve bujqësore sipas standardeve të Bashkimit Europian për fermat blegtorale.

Ky takim shënoi një hap konkret drejt modernizimit të infrastrukturës bujqësore dhe blegtorale në vend, duke theksuar rëndësinë që ka arkitektura në zhvillimin rural, mirëqenien e kafshëve dhe përgatitjen për sfidat mjedisore dhe ekonomike të së ardhmes.

Gjatë takimit u trajtuan çështje që kanë të bëjnë me: Boshllëqet aktuale në projektimin e objekteve bujqësore; Sfidat praktike dhe ato rregullatore që hasin arkitektët dhe fermerët dhe nevoja për krijimin e një strukture përfaqësuese të aktorëve të përfshirë në këtë fushë.

MBZHR dhe Giz Albania vijon të fuqizojë dialogun ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, duke nxitur shkëmbimin e ideve dhe zgjidhjeve të përbashkëta në fushën e zhvillimit rural dhe bujqësisë së qëndrueshme.

1 nga 5

/r.e//a.f/

The post Takim pune me arkitektë për standardizimin e objekteve bujqësore sipas normave të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MAS hap konsultimin publik për Planin e Veprimit të Arsimit Digjital 2025–2030

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hapur procesin e konsultimit publik për projektvendimin “Për miratimin e Planit të Veprimit të Arsimit Digjital 2025–2030, duke përfshirë standardet për arritjen e kompetencës digjitale”, një dokument strategjik që synon të transformojë sistemin arsimor shqiptar përmes digjitalizimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Dokumenti përcakton një vizion të qartë për arsimin digjital në Shqipëri deri në vitin 2030, të mbështetur në dokumente strategjike kombëtare si Strategjia Kombëtare e Arsimit dhe Agjenda Digjitale.

Plani synon: Zhvillimin e kompetencave digjitale për nxënësit dhe mësuesit; Zgjerimin e rrjetit të SMARTlab-eve në shkollat bazë dhe të mesme; Furnizimin me 5500 laptopë për shkollat publike, me mbështetjen e Bankës Botërore, CEB dhe IPA III; Zgjerimin e lidhjes broadband dhe Wi-Fi me shpejtësi të lartë në të gjitha institucionet arsimore; Krijimin e mekanizmave monitorues për të ndjekur progresin e digjitalizimit në arsim; Rritjen e përfshirjes sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të gjelbër në sistemin arsimor.

Ky plan kontribuon gjithashtu në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Europian, në veçanti në fushën e arsimit dhe shoqërisë digjitale.

Konsultimi do të zgjasë 20 ditë pune, nga data 5 gusht deri më 1 shtator 2025, dhe do të zhvillohet përmes portalit zyrtar të Regjistrit Elektronik për Konsultime Publike:
www.konsultimipublik.gov.al

MAS fton të gjithë qytetarët, ekspertët e fushës, organizatat jofitimprurëse, institucionet publike dhe të gjitha palët e interesuara të japin komentet dhe sugjerimet e tyre, me qëllim përmirësimin e përmbajtjes së këtij dokumenti të rëndësishëm që synon ndërtimin e një sistemi arsimor modern, të aksesueshëm dhe të përshtatur me nevojat e epokës digjitale.

/r.e//a.f/

The post MAS hap konsultimin publik për Planin e Veprimit të Arsimit Digjital 2025–2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bizneset shqiptare më afër mundësive financiare përmes platformës “Akses në Financë”

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Bizneset shqiptare, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), tashmë kanë në dispozicion një burim të ri informacioni dhe orientimi për skemat financiare: platformën “Akses në Financë”, të menaxhuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

AIDA njofton se, platforma, e aksesueshme në www.aida-smefinance.gov.al, ofron një pasqyrë të plotë të granteve, kredive, garancive dhe nismave të tjera financiare që ofrohen nga institucione publike, organizata ndërkombëtare, banka dhe donatorë vendas e të huaj.

Synimi kryesor i kësaj platforme është të shërbejë si një portë unike për informimin dhe aksesin në financë, duke lehtësuar qasjen e bizneseve në fondet e nevojshme për zhvillim, zgjerim apo rikuperim pas vështirësive ekonomike.

AIDA bën të ditur se iniciativa u mundësua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në mbështetje të qeverisë shqiptare, me fokus në zbutjen e ndikimeve negative të krizës së COVID-19 ndaj sektorit privat.

AIDA fton të gjithë donatorët, institucionet financiare dhe bankat që operojnë në Shqipëri të dërgojnë informacion mbi skemat e tyre financiare në adresën: info@aida.gov.al, në mënyrë që ato të publikohen dhe të jenë lehtësisht të aksesueshme për komunitetin e biznesit.

/r.e//a.f/

The post Bizneset shqiptare më afër mundësive financiare përmes platformës “Akses në Financë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skulptura “Kalorësi i Babunjës” rikthehet në Shqipëri pas ekspozitës në Vjenë

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Akademia e Shkencave njoftoi se, skulptura unike prej bronzi, “Kalorësi i Babunjës”, është rikthyer sot në Shqipëri pas dy muajsh ekspozimi në një nga institucionet muzeale më prestigjioze të Europës,  Muzeun e Historisë Natyrore në Vjenë.

Vepra 2600-vjeçare, e zbuluar në vitin 2018 pranë Apolonisë (Babunjë, Lushnjë), qëndroi e ekspozuar në “Sallën e Artë” të muzeut nga data 13 maj deri më 31 korrik 2025, ku u vlerësua gjerësisht nga publiku dhe ekspertët ndërkombëtarë.

Sipas ASH-së, ekspozita u organizua nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë, në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe vetë muzeun austriak.

Ajo u çel me një konferencë shkencore ndërkombëtare, ku morën pjesë mbi 120 studiues nga mbarë bota. Shqipëria u përfaqësua nga akad. Adem Bunguri, prof. Neritan Ceka, prof. Bashkim Lahi dhe prof. asoc. Eduard Shehi.

Pas suksesit të ekspozitës, “Kalorësi i Babunjës” është rikthyer në Tiranë dhe do të vendoset për ekspozim të përhershëm në Muzeun Arkeologjik, pjesë e Institutit të Arkeologjisë pranë ASHSH.

1 nga 3

/r.e//a.f/

The post Skulptura “Kalorësi i Babunjës” rikthehet në Shqipëri pas ekspozitës në Vjenë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paketa e Maleve, Musabelliu: Mbi tre mijë aplikime për shprehje interesi 

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Nga zonat më malore të veriut të Shqipërisë e deri në skajin më jugor të saj, interesi i qytetarëve për të përfituar nga “Paketa e Maleve” është i lartë.

Prej tri javësh qytetarët po shprehin interes për të marrë në pronësi tokën në mënyrë që më pas të zhvillojnë në projekt biznesi.

Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, u shpreh se, “janë 3175 shprehje interesi që kanë ardhur në këtë platformë. Janë të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë por zonat me kërkesë më të madhe janë ato zona ku edhe ka pasur mungesë të titujve të pronësisë. Përgjithësisht në veri dhe në juglindje të vendit”.

Gjatë një interviste televizive, ai bëri të ditur hapat që po ndiqen për zbatimin e Paketës së Maleve.

“Hapi i radhës është përcaktimi i zonave me përparësi zhvillimi, gjë që do të bëhet nga ana e bashkive, pra secila bashki do të shpallë zonat me përparësi zhvillimi në territorin e vet. Bashkitë po punojnë për shpalljen e këtyre zonave. Kur të shpallen zonat, qytetarët që kanë shprehur interes do të duhet të dorëzojnë kërkesat e tyre pranë bashkive”, tha ai.

Pasi të jenë miratuar “zonat për zhvillim”, do të nisë aplikimi real i qytetarëve, ku duhet të dorëzojnë edhe një sërë dokumentesh për të përfituar pronën.

Aplikimi real i qytetarëve me dokumentacionin përkatës që do të nisë pas shpalljes së zonave me përparësi zhvillimi nuk do të ketë afat, të gjithë qytetarët që mund të përfitojnë nga ky ligj do të mund të aplikojnë dhe përfitojnë për sa kohë ligji të jetë në fuqi dhe s’do ketë afat kufizues.

“Do të dorëzojnë një genplan të sipërfaqes që ata duan të zhvillojnë së bashku me planin e biznesit se si duan ta zhvillojnë dhe dokumentacionin që mbështetet faktin që janë zotërues të asaj prone. Pastaj bashkia bën verifikimin nëse prona plotëson kriteret për t’u dhënë në përdorim, më pas miratohet lista e zotëruesve faktikë”, thotë Musabelliu.

Ai bëri të ditur se, “qëllimi është dhënia e tokës në pronësi për ta zhvilluar për ekonominë malore dhe do ta kenë të gjithë ata që do të plotësojnë kriteret për të marrë pronën. Por lehtësitë i përfitojnë vetëm 500 të parët”.

Për 500 të parët për 10 vite nuk do të ketë taksë të ndikimit në infrastrukturë, taksë të pasurisë së paluajtshme, TVSH dhe tatimi mbi fitimin.

Fokusi i “Paketës së Maleve” do të jetë në veri, një hap që vlerësohet për të frenuar shpopullimin dhe për të nxitur punësimin.

/r.e//a.f/

The post Paketa e Maleve, Musabelliu: Mbi tre mijë aplikime për shprehje interesi  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Keqtrajtimi i kafshëve futet në Kodin Penal, dënime deri në 3 vite burg për dhunë apo braktisje të tyre

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Për herë të parë në Shqipëri keqtrajtimi dhe braktisja e kafshëve parashikohet të jetë vepër penale, me ndëshkime që shkojnë deri në 3 vite burgim.

Drafti i ri i Kodit Penal, i cili është hedhur për konsultim publik, përfshin një kapitull të posaçëm për mbrojtjen e kafshëve, duke adresuar raste të braktisjes, dhunës dhe trajtimeve çnjerëzore ndaj tyre.

Sipas nenit 944, braktisja e një kafshe nga pronari, në rrethana që rrezikojnë jetën ose shëndetin e saj, do të konsiderohet vepër penale dhe do të dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vite.

Ndërkohë, neni 943 parashikon dënime për dëmtimin e përhershëm ose të përkohshëm të kafshëve shtëpiake që jetojnë nën kontrollin e njeriut, përfshirë edhe akte me natyrë seksuale ndaj tyre. Edhe kjo vepër dënohet me gjobë ose deri në 3 vite burg. Nëse nga keqtrajtimi vjen ngordhja e kafshës, dënimi rritet me 50%.

Për herë të parë, vendoset përgjegjësi penale edhe për mungesën e kontrollit ndaj kafshëve në hapësira publike. Sipas nenit 945, nëse një kafshë (si p.sh. qen) shkakton dëmtime fizike ndaj një personi për shkak të mosvendosjes së maskës mbrojtëse ose mungesës së kontrollit nga pronari, ky i fundit mund të dënohet me gjobë ose deri në 6 muaj burg. Dënimi rritet nëse pasojat janë më të rënda.

Neni 946 ndalon dhe ndëshkon me gjobë ose deri në 3 muaj burg çdo person që promovon, organizon apo drejton ndeshje ndërmjet kafshëve që u shkaktojnë atyre vuajtje apo torturë. Për trajnimin ose dhënien e kafshëve për këto qëllime, parashikohet burgim deri në 6 muaj, ndërsa vendosja e basteve dënohet me deri në 2 muaj burg.

Sipas nenit 947, kur veprat penale ndaj kafshëve kryhen me mizori, egërsi, për qëllime fitimi, në prani të fëmijëve, me armë apo mjete të rrezikshme, ose nëse shpërndahen pamjet në rrjete sociale apo media, dënimi rritet me deri në 50%.

Ky draft përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së të drejtave të kafshëve dhe përmirësimit të standardit ligjor dhe moral të shoqërisë shqiptare në raport me trajtimin e tyre.

/r.e/

The post Keqtrajtimi i kafshëve futet në Kodin Penal, dënime deri në 3 vite burg për dhunë apo braktisje të tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ligji i ri për bashkëpronësinë, standarde në administrimin e hapësirave të përbashkëta

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Shqipëria ka hyrë në një epokë të re të administrimit të banesave kolektive me hyrjen në fuqi të Ligjit “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”, i miratuar më 3 korrik dhe i publikuar në Fletoren Zyrtare.

Ky ligj zëvendëson rregulloren e vitit 2009, e cila shpesh kishte mbetur vetëm në letër.

Ligji i ri sjell një qasje të detyrueshme dhe të organizuar për administrimin e pallateve, duke i dhënë fund situatës ku shumë ndërtesa ishin të pambuluara nga ndonjë formë menaxhimi. Risia kryesore është se çdo ndërtesë me më shumë se një pronar duhet të ketë një administrator, individ ose shoqëri e certifikuar nga bashkia dhe një strukturë funksionale të bashkëpronësisë.

Sipas ligjit, tashmë çdo hapësirë e përbashkët si shkallët, ashensorët, bodrumet, fasadat apo tarracat, do të regjistrohen si pasuri në bashkëpronësi në dokumentacionin kadastral, duke i dhënë fund abuzimeve dhe interpretimeve të ndryshme mbi pronësinë.

Ligji parashtron përgjegjësitë e administratorit që do të ketë rol të qartë dhe detyrime ligjore, duke përfshirë:
• Mirëmbajtjen dhe riparimet;
• Pastrimin dhe kontratat me furnitorë;
• Mbledhjen e kuotave mujore të banorëve;
• Përfaqësimin ligjor të pallatit dhe raportimin vjetor të shpenzimeve.

Kontrata me administratorin do të ketë afat minimal prej tre vitesh, për të siguruar stabilitet dhe shmangur rotacionet e shpeshta për motive personale.

Ligji përcakton gjithashtu krijimin e asamblesë së bashkëpronarëve, me kompetenca për të vendosur me shumicë votash për çështje të rëndësishme si buxheti, punimet e mëdha, apo edhe shkarkimi i administratorit në rast mosfunksionimi.

Po ashtu, për herë të parë, shoqëritë ndërtuese janë të detyruara ligjërisht të administrojnë ndërtesën deri në momentin e dorëzimit përfundimtar të pronës dhe dhënies së certifikatës së shfrytëzimit. Ato duhet të përfshijnë në kontratat e shitjes edhe aktin e bashkëpronësisë dhe rregulloren e administrimit, dokumente që regjistrohen në Kadastër.

Një tjetër element i rëndësishëm i ligjit është roli i bashkive, të cilat do të:
• Certifikojnë administratorët;
• Mbikëqyrin procesin e administrimit;
• Mbajnë dhe përditësojnë “librin e bashkëpronësisë”;
• Vendosin gjoba në rast shkeljesh që dëmtojnë jetesën kolektive.

Të gjitha të dhënat e bashkëpronësisë do të jenë të aksesueshme përmes platformës e-Albania, duke rritur transparencën dhe ulur burokracinë.

Ky ligj i ri synon të forcojë bashkëjetesën urbane, të mbrojë vlerën e pronës së përbashkët dhe të sigurojë cilësi më të mirë jetese për qytetarët. Ai shënon një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të jetës në komunitet dhe krijimit të një kulture të re qytetarie në ndërtesat kolektive.

/r.e/

The post Ligji i ri për bashkëpronësinë, standarde në administrimin e hapësirave të përbashkëta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nisin regjistrimet në arsimin profesional, Denaj: Drejtimi bujqësor siguron punësim të sigurt

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Të rinjtë që mbarojnë klasën e 9-të kanë tani një mundësi të artë për të ndërtuar një karrierë të qëndrueshme dhe të suksesshme në sektorin bujqësor, përmes arsimit profesional në një nga tre drejtimet më të kërkuara në treg: bujqësi, veterinari dhe teknologji ushqimore.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri me dije se tashmë kanë nisur regjistrimet në arsimin profesional, teksa i ftoi nxënësit të zgjedhin arsimin profesional bujqësor për punësim të sigurt.

“Nxënësit mund të regjistrohen në një nga shkollat profesionale bujqësore që janë në 5 qarqe të vendit: Shkolla profesionale “Rakip Kryeziu”, Fier; Shkolla profesionale “Mihal Shahini”, Cërrik; Shkolla e mesme profesionale Kamëz; Shkolla Profesionale Shërbime, Korçë; Shkolla profesionale “Ndre Mjeda”, Bushat dhe shkolla profesionale “Charles Telford Erickson”, Golem”, tha Denaj.

Ministrja i ftoi të rinjtë të investojnë në dije për t’u bërë pjesë e zhvillimit të bujqësisë së qëndrueshme në Shqipëri, teksa njoftoi se, regjistrimi bëhet lehtësisht përmes portalit e-Albania, në shërbimin “Regjistrohu në klasën e dhjetë”.

/r.e/

The post Nisin regjistrimet në arsimin profesional, Denaj: Drejtimi bujqësor siguron punësim të sigurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dollari forcohet, euroja humb pikë në këmbim me lekun

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Dollari amerikan ka shënuar të premten një rritje të lehtë në kursin e këmbimit kundrejt lekut, ndërsa euroja ka humbur pikë në tregun valutor vendas, krahasuar me një ditë më parë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan (USD) u forcua me 0,24 lekë, duke u këmbyer sot me 85,45 lekë. Në të kundërt, euroja (EUR) ka pësuar një rënie prej 0,03 lekësh, duke u këmbyer me 97,44 lekë.

Rënie më të theksuar ka pësuar poundi britanik (GBP), i cili humbi 0,39 lekë dhe u këmbye me 112,34 lekë. Edhe franga zvicerane (CHF) dhe jeni japonez (JPY) shënuan ulje të lehta në vlerë, respektivisht me 0,04  lekë dhe 0,06 lekë, krahasuar me ditën e enjte.

Në tregun e metaleve të çmuara, ari ka humbur 333,11 lekë për ons, duke u këmbyer me 281.434,21 lekë, ndërsa argjendi ka zbritur me 22,91 lekë, në vlerën 3116,20 lekë për ons.

Monedha kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollari amerikan USD 85.45 +0.24
Euroja EUR 97.44 -0.03
Poundi Britanik GBP 112.34 -0.39
Franga Zvicerane CHF 104.74 -0.04
Jeni Japonez (100) JPY 56.80 -0.06
Dollari Australian AUD 54.85 -0.09
Dollari Kanadez CAD 61.59 +0.05
Korona Suedeze SEK 8.70 -0.03
Korona Norvegjeze NOK 8.25 -0.01
Korona Daneze DKK 13.06 0.00
SDR SDR 115.78 -0.22
Ari (OZ 1) XAU 281434.21 -333.11
Argjendi (OZ 1) XAG 3116.20 -22.91
Juani Kinez (onshore) CNY 11.85 +0.01
Juani Kinez (offshore) CNH 11.84 +0.02
Lira Turke TRY 2.11 +0.01

/r.e//a.f/

The post Dollari forcohet, euroja humb pikë në këmbim me lekun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Raporti i UNDP, Shqipëria ngjitet në kategorinë e “Zhvillimit Njerëzor Shumë të Lartë”

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Shqipëria ka shënuar një arritje të rëndësishme në Indeksin e Zhvillimit Njerëzor (HDI), duke u ngjitur për herë të parë në kategorinë e “Zhvillimit Njerëzor Shumë të Lartë”, sipas raportit të fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Vlera e HDI-së për Shqipërinë në vitin 2023 është 0.810, një përmirësim i dukshëm që e rendit vendin në pozicionin e 71-të nga 193 vende, duke reflektuar përparim në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe të ardhurave kombëtare.

Ky rezultat vjen në një kohë kur globalisht, ritmi i përmirësimit të zhvillimit njerëzor po ngadalësohet, duke arritur nivelet më të ulëta në 35 vitet e fundit.

UNDP bën të ditur se, pavarësisht kësaj tendence, Shqipëria tregon rezistencë dhe progres të qëndrueshëm, sidomos në krahasim me mesataren rajonale të Evropës dhe Azisë Qendrore (HDI: 0.818).

Raporti i UNDP për vitin 2023 thekson gjithashtu rolin në rritje të Inteligjencës Artificiale (IA) në zhvillimin global.

Sipas të dhënave të raportit: 60% e njerëzve besojnë se IA do të ndikojë pozitivisht në punësim, duke krijuar role të reja; Vetëm 13% shprehin frikë nga humbja e vendeve të punës dhe në vendet me zhvillim të ulët dhe mesatar, 70% presin që IA të rrisë produktivitetin dhe 2/3 e popullsisë synojnë ta përdorin në sektorët kyç, si arsim dhe shëndetësi.

UNDP nënvizon se përfitimet e teknologjisë vijnë kur IA zhvillohet me një qasje njerëzore, duke u fokusuar në: Bashkëpunim mes njeriut dhe IA-së, jo konkurrencë; Përfshirje aktive të njerëzve në zhvillimin e teknologjive dhe modernizim të sistemeve arsimore dhe shëndetësore për epokën digjitale.

Përballë këtij realiteti të ri global, sfida për Shqipërinë është të orientojë politikat e zhvillimit drejt epokës digjitale, duke ruajtur ritmin e përmirësimit të jetesës dhe duke integruar IA-në në mënyrë të zgjuar në shërbim të qytetarëve.

/e.xh//r.e//a.f/

The post Raporti i UNDP, Shqipëria ngjitet në kategorinë e “Zhvillimit Njerëzor Shumë të Lartë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Integrimi në BE, Denaj drejton takimin e dytë të Komitetit Drejtues të projektit “EU GoAL”

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj drejtoi sot takimin e dytë të Komitetit Drejtues të projektit “EU GoAL”, një iniciativë që mbështet përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të kapitujve 11 (Bujqësia dhe Zhvillimi Rural) dhe 13 (Peshkimi), si pjesë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Në takim morën pjesë zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo, drejtori i Politikave të Zhvillimit në MBZHR, Irfan Tarelli, zëvendësdrejtoresha e Agjencisë Italiane për bashkëpunim dhe Zhvillim, AICSTirana, Letizia Fischioni, si dhe përfaqësuesi i CIHEAM Bari, Fabrizio Contento.

Ministrja Denaj vlerësoi progresin e deritanishëm të projektit dhe theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi teknik dhe institucional për të përmbushur kriteret që lidhen me fushat kyçe të bujqësisë dhe zhvillimit rural.

“Diskutuam prioritetet për orientimin e mëtejshëm të asistencës teknike që ofron ‘EU GoAL’, në përputhje me vizionin tonë për “Bujqësinë 2030”, u shpreh ministrja Denaj.

Projekti “EU GoAL” luan një rol të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të Ministrisë së Bujqësisë dhe strukturave të saj vartëse, duke ndihmuar harmonizimin e politikave bujqësore dhe peshkimit me acquis communautaire të BE-së.

e.xh//r.e//a.f/

The post Integrimi në BE, Denaj drejton takimin e dytë të Komitetit Drejtues të projektit “EU GoAL” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌