Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 July 2025Main stream

Dogji 3,5 hektarë kullota në Konispol, vihet në hetim 70-vjeçari

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Policia e Sarandës ka proceduar penalisht një 70-vjeçar pasi dyshohet se ndezi zjarr për pastrimin e tokës, por flakët i dolën jashtë kontrollit dhe dogjën rreth 3,5 hektarë kullotë dhe një stallë me bagëti të imta.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i veprimeve hetimore për dokumentimin e rasteve të zjarrvënieve dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet procedurale në Prokurori, për shtetasin: F. M., 70 vjeç, banues në fshatin Markat, Konispol”.

Sipas policisë, “nga hetimet paraprake dyshohet se ky shtetas, më datë 26.07.2025, rreth orës 09:00, ka ndezur zjarr me qëllim pastrimin e një pjese toke kullotë në malin e fshatit Markat dhe, si pasojë e përhapjes së flakëve nga era e fortë, është djegur një sipërfaqe prej 3,5 hektarësh me barishte dhe shkurre. Zjarri është përhapur edhe në territorin e banuar të fshatit, ku ka shkaktuar djegien e një stalle me bagëti të imta (10 krerë dele) dhe një koteci me shpendë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/

The post Dogji 3,5 hektarë kullota në Konispol, vihet në hetim 70-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Rritja e çmimeve të referencës, goditje ndaj shtresës së mesme dhe të rinjve

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha sot se rritja e çmimeve të referencës për pasuritë e paluajtshme nga qeveria do ta bëjë edhe më të pamundur blerjen e një apartamenti dhe do të rrisë më tej koston e jetesës.

Nga selia e Partisë së Lirisë, Blushi u shpreh se “qeveria rrit në heshtje çmimet e referencës për pasuritë e paluajtshme, pa konsultim publik, duke vendosur një taksë të re të fshehur mbi qytetarët më të varfër të Europës”.

“Një tjetër grabitje e pastër që do e bëjë edhe më të pamundur blerjen e një apartamenti dhe do rrisë më tej koston e jetesës”, tha Blushi.

Blushi nënvizoi më tej se “rritja tinëzisht e çmimeve të referencës për pasuritë e paluajtshme është goditja e radhës ndaj shtresës së mesme dhe të rinjve që e kanë të pamundur sot të blejnë një shtëpi”.

“Kjo nuk është thjesht keqqeverisje, por një bandë shtetërore që po djeg vendin për të ruajtur pushtetin e vet kriminal përmes farsës dhe terrorit elektoral të 11 majit”, tha Blushi.

Blushi u ndal gjithashtu edhe tek situata nga zjarret në vend.

“Nga Veriu në Jug, mbi 12 mijë hektarë pyje, kullota, pemishte dhe prona publike janë kthyer në hi. Nga një përllogaritje e përafërt mbi bazën e kostos së ripyllëzimit, vlerës së lëndës drusore të djegur, kostos së degradimit të tokës dhe të tjera, dëmi ekonomik nga zjarret deri më tani rezulton përafërsisht 80 milionë euro, vlerë e cila rritet çdo ditë”, tha Blushi.

/m.q/r.e/

The post PL: Rritja e çmimeve të referencës, goditje ndaj shtresës së mesme dhe të rinjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kompanitë me mbi 100 punonjës do të kenë departament inovacioni

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në Qendrën për Inovacion dhe Teknologji “NEST”, një strukturë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që u shërben edhe universiteteve dhe sipërmarrjes, nga ku u prezantua edhe një start up-i të rinjsh shqiptarë për financimin e sektorit të ndërtimit.

Në fjalën e tij Rama theksoi sërish se kantieret e ndërtimit do të kenë kamera dhe do të monitorohen 24 orë në 24.

“Ne do ta vendosim si kusht që kantierët e ndërtimit do të kenë kamera dhe do të monitorohen 24 orë në 24. Kjo gjë padiskutim do t’ju vlejë edhe juve në ndjekjen e punëve dhe në praktikën tuaj, por është shumë e vlefshme për të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë dhe garantimin e projektit dhe diku në një nga mjediset këtu do të shikoni që përmes një programi monitorimi me inteligjencën artificiale mund të ndiqet kantieri nga lart dhe mund të shikohet dhe korrektësia e punës në raport me projektin, jo thjesht në perimetër”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se gjithashtu po “përfundon edhe Qendra e Monitorimit me dronë të integruar që së bashku me satelitët do të na japë mundësi të ndjekim në kohë reale të gjitha zhvillimet në territor”.

Rama tha se do të vendoset që kompanitë me mbi 100 punonjës të kenë një departament të inovacionit që merret me të gjithë pjesën e teknologjisë. Kjo sipas Ramës do të përgatisë bizneset për integrimin në BE.

“Do ju sugjeroja që të shikoni pak disa gjëra që bëhen në këtë godinë për të pasur një sasi të nevojës që kompanitë tuaja, përgjithësisht këtu janë kompani të mëdha, të angazhojnë edhe një ekip për kërkimin dhe inovacionin. Është i domosdoshëm. Duket sikur është një para e hedhur kot, por është para e hedhur më plot se çdo gjë tjetër dhe ne do ta vendosim për të gjitha kompanitë që kanë mbi 100 punonjës do ta vendosim, që të jetë e detyrueshme që të kenë një departament të inovacionit që të merret me gjithë pjesën e teknologjisë dhe do t’i bëjë shërbimin më të mirë çdo kompanie dhe do të na përgatisë për atë që na pret në aspektin e biznesit privat në momentin që të anëtarësohemi në BE, ku do t’ju sugjeroja të informoheni sa më shumë se çfarë do të ndodhë.

“Do të jetë një sfidë shemë e madhe për kompanitë tona që t’i mbijetojën atij tregu, jo e pamundur, por e vështirë. Sa më shumë të përgatitemi sot, aq më të lehtë do ta kemi kur të bëhemi pjesë e komunitetit evropian dhe në aspektin e biznesit”, tha Rama.

/m.q/

The post Rama: Kompanitë me mbi 100 punonjës do të kenë departament inovacioni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Apeli i GJKKO-së lë në fuqi masat e sigurisë për kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi sot vendimin për masën e sigurimit detyrim për t’u paraqitur për kreun e Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri.

Ky i fundit kishte ankimuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjithashtu Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi edhe masën e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik.

Kujtojmë se SPKA ka marrë të pandehur Myzyrin për shkelje të barazisë në tendera në lidhje me procedurë prokurorimi për mirëmbajtjen e aksit rrugor rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit.

/m.q/

The post Apeli i GJKKO-së lë në fuqi masat e sigurisë për kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Ndryshimet në Kodin Penal, e zhysin sistemin juridik në mjedis pasigurie

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot se ndryshimet e paraqitura nga qeveria për Kodin Penal janë bërë pa asnjë konsultim publik.

Në një deklaratë për mediet nga selia blu, kreu i PD-së tha se ndryshimet e shpeshta e zhysin sistemin juridik në një mjedis pasigurie.

Sipas Berishës “stabiliteti i ligjit është kushti madhor i sigurisë juridike, e cila përbën dimensionin më cilësor të shtetit ligjor”.

Berisha tha se “duke përmbysur në mënyrë të vazhdueshme ligjet, ti vetë sistemin e zhyt në një mjedis pasigurie, sistemin juridik”.

“Do t’ju jap një shembull, ky është kodi i tretë në 30 vite. Në vitin 1995, u miratua Kodi i parë Penal. Në vitin 2014, me ndihmën e Euralius, u hartua Kodi Penal që është sot në fuqi. Dhe pa u mbushur 10 vite apo fiks në 10 vite, del nga shpellat e mafies, pa asnjë konsultim, një tekst tjetër i ri i Kodit Penal”, tha Berisha.

Berisha nënvizoi se “kodet plotësohen me veprat penale që krijohen, me praktikat që duhet të zbatohen, por të ndryshosh kod çdo 10 vite do të thotë se interesa tepër të mprehta të detyrojnë të ndërmarrësh një akt të tillë”.

“Dhe këtë kur e ndërmerr në mënyrë pothuaj të fshehtë, pa asnjë konsultim paraprak me faktorët kryesorë, me avokatët, me gjyqtarët, me prokurorët, me shoqërinë civile, me mediet, me deputetët, por del sikur e nxjerr nga shpella dhe e paraqet atë, tregon se nuk ke asgjë të përbashkët aty për interesat e shtetit ligjor, as të qytetarit, mbrojtjes së jetës dhe pronave të qytetarëve, por përkundrazi ke interesat shtetit mafioz, karteleve të drogës që të imponojnë të ndërmarrësh një hap të tillë në sekret të plotë”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe te propozimi për lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm.

“Është kodi që vrasësit serialë i nxjerr nga dënimi i përjetshëm dhe u jep një shans të dytë, në një kohë kur në të gjitha ligjet, dhe sot në ligjet e vendeve demokratike të botës, ata marrin dënimin me vdekje. Dhe në qoftë se pyeten qytetarët sot, janë të gatshëm të votojnë për rivendosjen e dënimit me vdekje. Kodi është kryekëput infrastrukturë ligjore e narkoshtetit të instaluar”, u shpreh Berisha.

/m.q/r.e/

The post Berisha: Ndryshimet në Kodin Penal, e zhysin sistemin juridik në mjedis pasigurie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prefekti Jole: 100 forca të angazhuara për shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Në Parkun Kombëtar të Prespës vijon që të jetë ende aktive vatra e zjarrit. Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole në një prononcim për mediet sot tha se në total janë angazhuar 150 forca për shuarjen e flakëve.

Jole theksoi se falë edhe uljes së temperaturave dhe angazhimit të sotëm do të mund të neutralizohet vatra e zjarrit në një kohë më të shpejtë.

Prefekti nënvizoi se në total në gjithë qarkun e Korçës janë angazhuar rreth 1000 mijë forca për shuarjen e vatrave të zjarrit me të cilat u përball ky qark ditët e fundit.

“Që para dy ditësh kemi marrë njoftim nga stacioni i pikës kufitare Goricë për një vatër zjarri të shfaqur këtu në Parkun kombëtar të Prespës, edhe falë një reagimi shumë të shpejtë të strukturave vendore të stafit të Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, u bë e mundur që të ketë një mobilizim me reagueshmëri të lartë edhe të shpejtë në mënyrë që të ndikonin pozitivisht që në momentet e para.

Sot është dita e dytë që organizohet aksionin që në orën pesë të mëngjesit. Në total janë angazhuar rreth 150 forca, edhe unë dua të përfitoj nga rasti në fakt të falenderoj gjithë ekipet e angazhuara në këtë drejtim, jo vetëm këtu në rastin e Pustecit, por në të katër rastet që është prekur qarku jonë ditët e fundit, ku në totalin e tyre janë angazhuar rreth 1000 forca, edhe afërsisht 100 mjete. Kjo ka bërë të mundur që sot të kemi aktive në qark vetëm vatrën në Parkun Kombëtar të Prespës. Por që besoj që falë organizimit të sotëm, edhe në një farë mënyre, edhe favorizimi që kemi patur nga ulja e temperaturave, të kemi mundësinë që ta neutralizojmë sa më herët, edhe të evitojmë riskun e përshkrimit të sipërfaqeve të tjera të gjelbra në Parkun Kombëtar të Prespës”, tha prefekti.

Jole tha se deri tani në Parkun Kombëtar të Prespës janë djegur rreth 7 hektarë bimësi.

“Janë diku tek 7 ha të bimësisë të prekur. Besojmë që puna e sotme dhe nesër të bëjë të mundur që edhe kjo vatër të neutralizohet”, tha Jole.

/r.e/

The post Prefekti Jole: 100 forca të angazhuara për shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 27 July 2025Main stream

Rama ndan pamjet: Shkodra po merr frymë lirisht pas lirimit të hapësirave publike

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Në të gjithë vendin po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në qytetin e Shkodrës. Rama thekson se “Shkodra ka nisur të marrë frymë lirisht pas lirimit të hapësirave publike dhe bashkëpunimit me bizneset, të cilat kanë kuptuar rëndësinë po edhe interesin reciprok të kësaj përpjekjeje që do të vijojë”.

Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Gjatë gjithë muajit korrik lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror.

Lirimi i hapësirave në qytete dhe plazhet publike në të gjithë vendin, si edhe i hapësirave të përbashkëta mes pallateve, pritet të sjellë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve, si edhe një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë.

/m.q/j.p/

The post Rama ndan pamjet: Shkodra po merr frymë lirisht pas lirimit të hapësirave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Stakohet linja Bulqizë-Krastë, Balluku: Dëme të konsiderueshme në sistemin energjetik nga zjarret

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Linja e transmetimit të energjisë Bulqizë-Krastë është stakuar për arsye sigurie për shkak të përhapjes së flakëve në afërsi të saj.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi sot se “për arsye sigurie kemi qenë të detyruar të stakojmë nënstacione apo linja transmetimi, në afërsi të vatrave të zjarrit, por duke u kujdesur edhe për shërbim të pandërprerë për të gjithë qytetarët”.

Balluku tha se “rasti më i fundit është në zonën e Bulqizës, ku zjarri i është afruar linjës 35 kV Bulqizë – Krastë. Për efekt sigurie u stakua linja”.

Sipas Balluku pa tension janë nënstacionet Krastë, Batër dhe HEC-et e zonës në fjalë.

Balluku nënvizoi se “dëmet e shkaktuara në sistemin energjetik nga situata e zjarreve në të gjithë territorin, deri tani janë të konsiderueshme, por të përballueshme nga operatorët në terma të shërbimit”.

/m.q/j.p/

The post Stakohet linja Bulqizë-Krastë, Balluku: Dëme të konsiderueshme në sistemin energjetik nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkia thirrje qytetarëve: Raportoni zaptimet e hapësirave publike në “Tirana Ime”

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Bashkia e Tiranës i bën apel qytetarëve që të kontribuojnë për një qytet më të pastër dhe të aksesueshëm për të gjithë, duke raportuar çdo rast zaptimi të hapësirave publike në aplikacionin “Tirana Ime”.

Përmes këtij aplikacioni, qytetarët mund të njoftojnë menjëherë për ndërtimet pa leje mbi trotuare, në lulishte apo në hyrje pallatesh – problematika që shpesh pengojnë lëvizjen e lirë dhe cenojnë hapësirën publike.

Në rubrikën “Raporto”, çdo përdorues mund të dërgojë informacion të detajuar, të shoqëruar me foto dhe vendndodhjen e saktë. Pas verifikimit në terren nga strukturat përkatëse të bashkisë, merren masat e nevojshme për lirimin e hapësirës.

“Ke hasur ndonjë hapësirë publike të zaptuar që pengon lëvizjen e qytetarëve? Ka ndonjë ndërtim pa leje në trotuare, lulishte apo në hyrje pallatesh? Aplikacioni “Tirana Ime” është krijuar nga Bashkia e Tiranës për të ndihmuar qytetarët të raportojnë problematikat në qytet”, njoftoi IMT në rrjetet sociale.

Në rubrikën “Raporto” mund të raportohet menjëherë një zaptim i hapësirës publike duke shtuar foto dhe vendndodhje. Strukturat përkatëse do ta verifikojnë në terren dhe do të marrin masat e nevojshme.

/m.q/j.p/

The post Bashkia thirrje qytetarëve: Raportoni zaptimet e hapësirave publike në “Tirana Ime” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në Bulqizë dhe Mirditë vijojnë operacionet për shuarjen e flakëve

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Në fshatrat e Mirditës dhe Bulqizës vijon puna për shuarjen e vatrave të zjarrit.

Ministria e Mbrojtjes ndau foto të efektivëve të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcës Tokësore dhe Bazës së Mbështetjes për Emergjencat Civile të Komandës Mbështetëse, gjatë operacioneve për shuarjen e flakëve, të dislokuar në Mirditë dhe Bulqizë.

Sipas njoftimit zyrtar të MM-së në Qafë Buall, bashkia Bulqizë zjarri është përhapur drejt zonës së Qytetit të Vjetër, fshatit Plan i Bardhë dhe drejt Krastës. Në operacionin e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 120 forca nga strukturat operacionale  dhe kanë  ndërhyrë 2 helikopterë.  Situata është më e qetë dhe nuk rrezikohen zona urbane. Janë evakuuar 6 banesa.

Në zonën e Shkopetit, njësia administrative Milot, vazhdon aktiv zjarri vatra e të cilit është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Pjesa më aktive e vatrës është përhapur në zonën e kufirit ndarës mes bashkive Kurbin-Mirditë-Mat, mbi lartësitë e fshatit Lurth, kua janë angazhuar rreth 80  forca vendore të bashkive Kurbin e Mirditë. Nuk ka rrezik për banesat.

Në fshatin Kulmë dhe fshatin Fang, bashkia Mirditë, zjarr i rënë në një sipërfaqe pyjore ka marrë përmasa të mëdha, favorizuar nga temperaturat ekstreme dhe era që fryn. Në fshatin Fang operuan forca zjarrfikëse, shërbimi pyjor, forca bashkiake dhe vullnetarë të ndihmuar dhe nga 80 forca ushtarake në total me 3mjete dhe rreth 40 forca bashkiake.

/m.q/j.p/

The post Në Bulqizë dhe Mirditë vijojnë operacionet për shuarjen e flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në Borsh, helikopteri i FA-së ndërhyn për shuarjen e flakëve

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Në zonat e Borshit, Piqerasit dhe Sasajt të bashkisë së Himarës po vijon puna për shuarjen e vatrave të zjarreve.

Që në orët e para të mëngjesit po kryhet ndërhyrja edhe nga ajri me helikopter të Forcave të Armatosura, ndërsa ekipet në terren vijojnë të punojnë për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm të vatrave.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka siguruar pamjet nga aksioni që po zhvillohet aktualisht nga ajri në zonën e Borshit ku helikopterë të FA-së po mbushin kovën me ujë në det për të shuar flakët.

Situata në terren sipas raportimeve mbetet dinamike për shkak të erërave të forta dhe të paqëndrueshme, që favorizojnë përhapjen e zjarrit.

/m.q/

The post Zjarri në Borsh, helikopteri i FA-së ndërhyn për shuarjen e flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dhunoi 18-vjeçarin në Vlorë, pezullohet nga detyra oficeri i policisë

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Një oficer policie i komisariatit të Policisë Kufitare në Dibër është pezulluar nga detyra, pasi është përfshirë në një konflikt fizik jashtë shërbimit, në qytetin e Vlorës.

Policia njoftoi sot se “pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, urdhëroi pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër”.

Sipas policisë “nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar A. I., jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit L. B., 57 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin A. B., 18 vjeç. Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe shtetasit V. B., 53 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M”.

Aktualisht sipas policisë nënkomisar A. I. ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj nënkomisar A. I., me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, bazuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, që parashikon masa për: raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës; kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.

Për këtë rast vijojnë veprimet procedurale nga oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

/m.q/j.p/

The post Dhunoi 18-vjeçarin në Vlorë, pezullohet nga detyra oficeri i policisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në zonën e mbrojtur tek Mali me Gropa, arrestohet 63-vjeçari

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 63-vjeçar si autor të dyshuar të zjarrvënies së djeshme, në zonën e mbrojtur tek Mali me Gropa.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas ngjarjes, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit B. H., 63 vjeç, banues në Fushë-Stanë”.

“Nga hetimet paraprake rezulton se ky shtetas dyshohet se gjatë punës si bari në zonë, ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullotë, në vendin e quajtur “Fushë Stanë”, në zonën e Malit me Gropa, i cili, i favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, ka sjellë si pasojë djegien e rreth 600 hektarëve tokë me kullota dhe bimësi të ndryshme, në zona të tilla si lugina e Grykës së Mullinit, Qafa e Qershisë, të cilat ndodhen brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Dajtit, që bën pjesë në Zonat e Mbrojtura Natyrore”, njoftoi policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, as me qëllim dhe as nga pakujdesia, pasi do të përballen me ligjin.

/m.q/j.p/

The post Zjarri në zonën e mbrojtur tek Mali me Gropa, arrestohet 63-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tavo: U shmang përhapja e zjarrit në zona të banuara në Sasaj dhe Piqeras

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit, Bashkia Himarë është përballur me një situatë të vështirë zjarresh në zonat Borsh, Piqeras dhe Sasaj, me rrezik të lartë për banesat dhe jetën e qytetarëve.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo njoftoi sot se aktualisht ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri me helikopter të Forcave të Armatosura, ndërsa ekipet në terren vijojnë të punojnë për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm të vatrave.

Sipas Tavos, situata mbetet dinamike për shkak të erërave të forta dhe të paqëndrueshme, që favorizojnë përhapjen e zjarrit.

Tavo njoftoi se gjatë gjithë natës, në një front të gjerë dhe kompleks, të gjitha kapacitetet tona janë angazhuar në terren për përballimin e flakëve.

“Efektivët e MZSH të Bashkisë Himarë, të mbështetur nga Forcat e Armatosura, Sektori i Emergjencave Civile, Shërbimi Pyjor, si dhe Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, punuan në koordinim të plotë për të përballuar flakët, për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe për të shmangur dëmet materiale në banesa e prona”, tha Tavo.

Tavo tha se “falë përpjekjeve të palodhura, u neutralizuan dy fronte të rrezikshme në Sasaj dhe Piqeras, duke evituar përhapjen e zjarrit në zona të banuara”.

“Rreth orës 04:00 të mëngjesit, për shkak të ndryshimit të erës, një fron i fuqishëm kaloi rrugën nacionale në fshatin Borsh (lagjja Vonja – drejt Shkallës). Ndërhyrja në kohë bëri të mundur shmangien e djegies së banesave. Për arsye sigurie, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, u evakuuan rreth 40 qytetarë nga zonat më të rrezikuara”, njoftoi Tavo,

Bashkia Himarë shprehu mirënjohje ndaj Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, për gatishmërinë dhe mbështetjen e menjëhershme, veçanërisht për ndërhyrjen nga ajri me helikopterët e Forcave të Armatosura, që ka qenë vendimtare në kontrollin e fronteve aktive të zjarrit dhe në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.

/m.q/j.p/

The post Tavo: U shmang përhapja e zjarrit në zona të banuara në Sasaj dhe Piqeras appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga plazhi i Pishporos në Fier

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Me 18 kilometra vijë bregdetare ende për t’u shfrytëzuar, qyteti i Fierit ofron një potencial të vërtetë për zhvillimin e turizmit veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ajri të plazhit të Pishporos në Fier. Vija bregdetare ranore e Pishporos, mbetet një destinacion turistik ende i pazbuluar.

Plazhi i Pishporos shtrihet në një gjatësi prej 9.5 km mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorë.

Në stinën e verës plazhet ranore me shtrirje të konsiderueshme në territorin e bashkisë së Fierit, të ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.

18 kilometra në perëndim të qytetit të Fierit, shtrihet edhe plazhi i Semanit, me gjatësi 7 kilometra. Pjesë e vijës bregdetare të Fierit janë po ashtu edhe plazhi i Darzezës 13.7 kilometra dhe plazhi Ndërnënas 8 kilometra.

Ndërkohë gatimet tradicionale me prodhime vendase dhe çmime të përballueshme mbeten joshja e vizitorëve në Fier.

/m.q/j.p/

The post Rama ndan pamje nga plazhi i Pishporos në Fier appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata nga zjarret, MM: 21 vatra aktive, 1350 forca operacionale të angazhuara

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi në lidhje me situatën nga zjarret në vend në 24 orët e fundit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes janë evidentuar 45 vatra zjarri nga të cilat 21 janë ende aktive, 16 vatra nën monitorim dhe 8 janë shuar.

MM njoftoi se mbeten aktive këto vatra:

Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, vazhdon aktiv Vatra e quajtur Gropa e Madhe dhe Pllau i Gjurës mbi fshatin Gurë-Lurë Zjarri,  ku janë rreth 50 forca nga strukturat operacionale.

Në fshatin Zall Gjoçaj, bashkia Mat ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit të rënë më me një shtrirje mbi 14 km, me zhvillime në tre kahe: nga Masdeja ku përfshin sipërfaqe të konsiderueshme në pyje, në Qafa e Tollës  si dhe në vendin e quajtur Fush Kuqe ku në terren operuan rreth 46 forca nga strukturat operacoinale.

Në Qafë Buall, Bashkia Bulqizë është përhapur drejt zonës së Qytetit të Vjetër, fshatit Plan i Bardhë dhe drejt Krastës. Në operacionin e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 120 forca nga strukturat operacionale  dhe kanë  ndërhyrë 2 helikopterë.  Situata është më e qetë  dhe nuk rrezikohen zona urbane. Janë evakuuar 6 banesa

Në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë, ka vijuar operacioni me të gjitha strukturat, të ndihmuar nga 58 efektivë dhe 4 automjete zjarrfikëse të FA-së. Vartra ka midis fshatrave Borsh, Piqers. Sasaj, njësia administrative Lukovë, janë 4 vatra te shkëputura midis tyre por në lartësi dhe pa asnjë mundësi ndërhyrje me njerëz dhe mjete. Era ndihmon përhapjen me shpejtësi të flakëve. Ndërhyrje nga ajri ka në orët e para të mëngjesit.

Vatra e zjarrit që përfshiu fshatrat Kalas – Tatzat – Senicë – Vergo – Kopaçëz – Palavli, të bashkisë Dlvinë , aktualisht vazhdon aktiv zjarti  fshatin Kopaçëz në mal, ku janë angazhuar rreth 70 forca nga të gjitha strukturat operacionale, një autoa,bulancë dhe helikopteri Cougar .

Në zonën e Shmilit në fshatin Lugaxhi, bashkia Elbasan, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin në teren të rreth 50 forcave bga strukturat operacionale.

Në zonën mbrapa mali të Lisecit, Bashkia Gramsh, është izoluar në shumë pjesë vatra e zjarrit e aktivizuar që prej mbrëmjes së djeshme në terren të vështirë për ndërhyrne e forcave  operacionale. Zjarri është sipërfaqësor dhe pa dëme, sepse pylli është shumë i lartë.

Në zonën e Shkopetit, njësia administrative Milot, vazhdon aktiv zjarri vatra e të cilit është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Pjesa më aktive e vatrës është përhapur në zonën e kufirit ndarës mes bashkive Kurbin-Mirditë-Mat, mbi lartësitë e fshatit Lurth, kua janë angazhuar rreth 80  forca vendore të bashkive Kurbin e Mirditë. Nuk ka rrezik për banesat.

Në fshatin Kulmë dhe fshatin Fang,  bashkia Mirditë, zjarr i rënë në një sipërfaqe pyjore ka marrë përmasa të mëdha, favorizuar nga temperaturat ekstreme dhe era që fryn. Në fshatin Fang operuan forca zjarrfikëse, shërbimi pyjor, forca bashkiake dhe vullnetarë të ndihmuar dhe nga 80 forca ushtarake në total me 3mjete dhe rreth 40 forca bashkiake.

Në vendin e quajtur Qeramica ndërmjet fshatrave Trestenik- Vishocicë të bashkisë Devoll, është aktivizuar një vatër zjarri, e cila për shkak të erës rrezikon të përhapet, pasi vendi ku ndodhet  është e veshur me barishte e shkurre.

Në fshatin Kriçkovë, bashkia Pogradec, forcat operacionale janë në terren për vënien në kontroll të situatës.

Në Parkun Kombëtar të Prespës, fshati Lajthizë, Bashkia Pustec, është aktivizuar një vatër zjarri. Për shuarjen e zjarrit u aktivizuan  në total rreth 60 forca operacionale, ndërsa sot pritet të angazhohen 75 forcave operacionale.

Në fshatin Galinë, bashkia Berat zjarri  është aktiv dhe në vendngjarje ka shkuar Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Berat.

Në zjarrin e rënë në fshatin Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, bashkia Gjirokastër, i cili ka ardhur nga territori i bashkisë Delvinë, nga një zonë në lartësi të madhe, u angazhuan rreth 60 forca të strukturave operacionale, por zjarri është duke përparuar drejt vendit të quajtur Bregu i Pamjes, zonë e mbrojtur dhe pritet ndërhyrje nga ajri.

Zjarri në fshatin Izvor i Vjetër dhe në fshatin Duraj, bashkia Memaliaj, vazhdon të jetë aktiv. Zjarri është izoluar dhe fikur ne fshatrat Levan, Bardhj, Xhafaj, Njësia Administrative Krahës.

Vijon  puna për shuarjen e zjarrit të rënë në Malin me Gropa,  bashkia Tiranë, në një sipërfaqe rreth 30 ha kullotë dhe pyll. Në operacion morën pjesë  rreth 55 forca nga strukturat operacionale. Është bërë arrestimi i një personi të dyshuar për zjarrëvënie të qëllimshme.

Në fshatin Ibë, Bashkia Tiranë, zjarr ka rënë në terreni të vështirë dhe me rrugë të pakalueshme për mjetet zjarrfikëse. Në operacion janë angazhuar: 2 helikopterë të Forcave të Armatosura, 6 mjete dhe 25 forca  nga struktura operacionale.

Në fshatin Shetel, Bashkia Shijak, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Në vendngjarje janë dislokuar rreth 40 forca nga strukturat operacionale. Priet ndërhyrje nga ajri.

Bashkia Malësi e Madhe  është aktive vatra në vendin e quajtur “Rraze Veshtit”. Në operacion për izolimin dhe shuarjen e kësaj vatre zjarri janë angazhuar 35 forca nga të gjitha strukturat operacionale . Terreni është mjaft i vështirë, nuk është e mundur te ndërhyhet me mjete zjarrfikëse.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në monitorim mbeten vatrat në Fshatin Ulëz, bashkia Mat; në Livadhet e Peladhisë, bashkia Bulqizë; Në Majën e Paliskës,  dhe në vendin e quajtur Sashic, bashkia Vlorë; Në fshatin Markat, Bashkia Konispol; Në vendin e quajtur pyjet e Gurakuqit, bashkia Librazhd; Në fshatin Dishnicë,  bashkia Korçë; në fshatin Strelcë, bashkia Maliq; Në fshatin Muzhakë, bashkia Skrapar; Në fshatin Konisbaltë, bashkia Dimal; Në fshatin Paftal, bashkia Berat, në zonën e Shpiragut; në fshatin Zgërbonjë, bashkia Poliçan; në vendin e quajtur Gryka e Motinës, mbi fshatin Dragobi, në malin Sukë, fshati Mamëz, bashkia Kukës;

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan: 65 automjete zjarrfikëse, 1350 forca operacionale.

Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë; 5 automjete zjarrfikëse dhe 2 Helikopterë nga Forcat e Armatosura; 2 helikopterë hungarezë, si dhe 2 helikopter Canadair të ofruar nga Mekanizimi i Mbrojtjes Civile Evropiane Kroat dhe Italian, që operuan në zonën e Vlorës.

Sipas informacionit të dërguar nga Instituti i Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarkun e Shkodrës dhe lokale të dobëta në shumicën e qarqe të vendit.

Për Zjarret në pyje: Sot pritet nivel rrezik “i lartë” në të gjitha qarqet. Pritet rrezik “i lartë” nё zona tё lokalizuara qarku Berat (Veri), qarku Dibër (Jug), qarku Elbasan (Perëndim), qarku Fier (Lindje), qarku Lezhë (Veri), qarku Vlorë (Veri).

/m.q/j.p/

The post Situata nga zjarret, MM: 21 vatra aktive, 1350 forca operacionale të angazhuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata e zjarreve në Korçë, Prefektura: 3 vatra ende aktive

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Tre vatra zjarri vijojnë që të jenë aktive në qarkun e Korçës. Sipas njoftimit të Prefekturës së Korçës vatrat janë aktivë në fshatin Dishnicë, në Strelë dhe në Parkun Kombëtar të Prespës.

Fshati Dishnicë, Njësia Administrative Bulgarec, Bashkia Korçë

Zjarri vijon aktiv në disa vatra të izoluara në zonën ndërmjet fshatrave Dishnicë dhe Barç. Operacionet e shuarjes po kryhen nga pozicione të favorshme në terren, ndërsa zona e Çardhakut po verifikohet me kujdes për të shmangur rrezikun e përhapjes. Vatrat janë nën kontroll të neutralizuara duke u mbajtur në monitorim.

Parku Kombëtar Prespa, Bashkia Pustec

Terreni i thyer dhe era përbëjnë vështirësi për ndërhyrje direkte. Janë identifikuar dy vatra të vogla poshtë shkëmbinjve. Forcat janë të ndara në grupe të specializuara dhe të pajisura me mjete të përshtatshme për këtë terren. Mbikëqyrja ajrore me dronë vijon në mënyrë të pandërprerë.

Fshati Strelcë, Njësia Administrative Gorë, Bashkia Maliq

Zjarri është neutralizuar. Aktualisht ndodhen në terren 60 forca për monitorim dhe kontroll të vazhdueshëm të zonës, me qëllim parandalimin e çdo riaktivizimi të mundshëm të vatrave.

Po sipas Prefekturës së Korçës në terren përafërsisht “janë 171 forca njerëzore të angazhuara në operacione shuarjeje dhe monitorimi; 7 mjete të ndryshme zjarrfikëse, pyjore, njësive administrative, Reparti Ushtarak 1033 Drenovë; 5 mushka të ngarkuara me ujë dhe mjete për shuarjen e zjarrit me akses në zona të vështira; Dronë në përdorim për mbikëqyrje dhe orientim ajror të operacioneve”.

/m.q/j.p/

The post Situata e zjarreve në Korçë, Prefektura: 3 vatra ende aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në Qafën e Buallit, Vengu: Efektivët punuan gjatë natës për të frenuar përhapjen e flakëve

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Një vatër e madhe zjarri u shfaq në zonën e Qafës së Buallit në Bulqizë, në orët e vona të pasdites së djeshme.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu njoftoi sot se “përballë flakëve që përfshinë zonën e Qafë Buallit në Bulqizë, efektivët tanë punuan pa u ndalur gjatë natës për të frenuar përhapjen e zjarreve dhe për të mbrojtur banesat dhe pyjet përreth”.

“Me mjetet dhe pajisjet në dispozicion, ndërhyrja nga toka ka vijuar në kushte të vështira terreni dhe erërash të forta”, shkruan ministri Vengu.

Në operacion për fikjen e zjarrit sipas MM-së u angazhuan 8 mjete zjarrfikëse, 40 efektiv të MZSH, 15 efektiv të Policisë së Shtetit, 25 forca bashkie, 10 forca vullnetare, 2 helikopterë në rotacion. Përveç operacionit në terren u operua edhe me ndërhyrje nga ajri.

/m.q/j.p/

The post Zjarri në Qafën e Buallit, Vengu: Efektivët punuan gjatë natës për të frenuar përhapjen e flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Këshilltarët e PL në bashkinë Tiranë: Të ndalohet dhënia e lejeve për kullat në zonat e banuara dhe historike

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës ka kërkuar që të ndalohet dhënia e lejeve për kullat në zonat e banuara dhe historike.

Në një deklaratë për mediet nga anëtari i këshillit bashkiak në bashkinë Tiranës, Artan Distafa tha se në Tiranë “po zaptohet çdo hapësirë publike dhe sidomos të gjelbër me kulla monstruoze që ndërtohen pa asnjë kriter”.

Sipas tij “ky është jo vetëm një krim i tmerrshëm urban ndaj trashëgimisë historike e kulturore të kryeqytetit, por dhe simbol i qartë i keqpërdorimit kriminal të autoritetit shtetëror për pastrimin e parave të pista të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar në pallate ku nuk banon askush”.

Distafa tha se sot Tirana nuk ka më plan urban, por ka një plan për pastrimin e parave të pista.

Ai theksoi se grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës kërkon me vendosmëri “ndalim të menjëhershëm të dhënies së lejeve për kullat në zonat e banuara dhe historike; hetim të pavarur mbi vendimmarrjen e KKTU-së dhe lidhjet e mundshme me pastrimin e parave; transparencë të plotë për të gjitha projektet e miratuara dhe proces të detyrueshëm konsultimi publik; rikthim të pushtetit urban në duart e komunitetit dhe ekspertëve të pavarur”.

“Tirana nuk është lavatriçe për pastrimin e parave të pista, por u përket qytetarëve që meritojnë një qytet të denjë për të jetuar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre”, tha Distafa.

/m.q/r.e/

The post Këshilltarët e PL në bashkinë Tiranë: Të ndalohet dhënia e lejeve për kullat në zonat e banuara dhe historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fier, arrestohet një i dyshuar për zjarrvënie në Frakull të Vogël

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Një 64-vjeçar është arrestuar nga Policia pasi dyshohet si autor i zjarrëvënies në fshatin Frakull të Vogël në Fier.

Policia njoftoi sot se, “si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të tjera procedurale, të kryera menjëherë pas njoftimit për vatër zjarri në fshatin Frakull e Vogël, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin N. K., 64 vjeç, banues në fshatin Frakull e Vogël”.

Sipas Policisë, “nga hetimet dyshohet se si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarrit që ky shtetas ka ndezur në tokën e tij, për djegien e mbeturinave, janë djegur 225 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetasi tjetër”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/

The post Fier, arrestohet një i dyshuar për zjarrvënie në Frakull të Vogël appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌