Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 August 2025Main stream

Esad Mekuli, poeti që i dha zë shpirtit të Kosovës

By: Kult Plus
6 August 2025 at 10:00

Figura e Esad Mekulit qëndron si një nga shtyllat themelore të letërsisë shqipe në Kosovë. Me veprën e tij poetike dhe angazhimin intelektual, ai jo vetëm që la gjurmë të thella në zhvillimin e poezisë moderne, por u bë edhe zëri i një kohe të rëndë, ku fjala kishte peshën e rezistencës dhe përkushtimit.

I lindur në Plavë më 1916, Mekuli i përkiste brezit të atyre krijuesve që nuk ndanë kurrë letërsinë nga përgjegjësia qytetare. Poezia e tij buron nga dhembja kolektive, nga dashuria për tokën, për njeriun e thjeshtë dhe për idealin e lirisë. Vepra e tij e parë, “Për ty” (1955), shënoi një kthesë në letrat shqipe të Kosovës, duke vendosur themelet e një poezie të ndjerë, të drejtpërdrejtë dhe me vetëdije të thellë kombëtare, transmeton KultPlus.

Krahas krijimtarisë letrare, Esad Mekuli dha një kontribut të jashtëzakonshëm në jetën kulturore dhe institucionale të vendit. Ai ishte themelues i revistës “Jeta e Re” dhe kryetari i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, duke ndikuar drejtpërdrejt në organizimin dhe zhvillimin e jetës letrare kosovare në dekada të vështira.

Veprimtaria e tij përkthimore është po ashtu e rëndësishme, ai solli në gjuhën shqipe poetë të mëdhenj si Pushkini, Majakovski dhe Esenini, duke e pasuruar fondin kulturor kombëtar dhe duke hapur dritare të reja për lexuesin shqiptar.

Më 6 gusht 1993, Esad Mekuli u nda nga jeta, por vepra dhe ndikimi i tij nuk u zbehën kurrë. Në këtë përvjetor, kujtohet një krijues që me fjalën e tij i dha kuptim një kohe, që përmes poezisë i dha zë atyre që nuk mund të flisnin, dhe që sot mbetet frymëzim për brezat e rinj.

Esad Mekuli nuk ishte thjesht një poet, ai ishte një vetëdije e gjallë kulturore, një simbol i dinjitetit dhe i qëndresës shpirtërore shqiptare./KultPlus.com

Letërsia e mërgatës në zemër të Prishtinës: Biblioteka Kombëtare promovon librat e autorëve shqiptarë nga diaspora

By: Kult Plus
6 August 2025 at 09:30

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, u zhvillua një ngjarje e veçantë kulturore që vuri në qendër krijimtarinë e autorëve shqiptarë nga mërgata. Aktiviteti, i organizuar në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, synoi të forcojë urat e bashkëpunimit mes krijuesve që jetojnë jashtë atdheut dhe institucioneve kulturore të Kosovës.

Në këtë takim të ngrohtë e kuptimplotë morën pjesë autorë si Shqipe Bytyqi dhe Musa Jupolli, ky i fundit edhe kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Ata ndanë me publikun pjesë nga veprat e tyre, përvoja jetësore dhe krijuese, si dhe reflektuan mbi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit përmes letërsisë, përcjellë KultPlus.

Drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare, Blerina Rogova-Gaxha, theksoi vlerësimin që institucioni që ajo drejton ka për diasporën letrare shqiptare, duke deklaruar:

“Dyert e Bibliotekës do të jenë përherë të hapura për mërgatën tonë të jashtëzakonshme!”

Në shenjë mirënjohjeje dhe ndërlidhjeje kulturore, ajo ndau me autorët pjesëmarrës dy nga botimet më domethënëse të Bibliotekës:
“Kujtesa e Kosovës – rrëfime të 100 pleqve dhe plakave të Kosovës” dhe
“Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, dy vepra që ruajnë zërin e dëshmisë dhe historisë kolektive.

Ky promovim është më shumë se një ngjarje letrare, është një përqafim simbolik mes Kosovës dhe krijuesve të saj të shpërndarë nëpër botë, një dëshmi se letërsia dhe kultura nuk kanë kufij, por rrënjë të thella dhe degë që prekin zemrat e shqiptarëve kudo që ndodhen./KultPlus.com

6 gushti i dijes, në përkujtim të lindjes së Eqrem Çabej

By: Kult Plus
6 August 2025 at 09:00

Më 6 gusht të vitit 1908 lindi në Gjirokastër Eqrem Çabej, një prej mendimtarëve dhe studiuesve më të mëdhenj të gjuhës shqipe. Figura e tij mbetet sot një nga themelet mbi të cilat u ngrit shkenca albanologjike moderne. Me veprimtarinë e tij të pasur shkencore, Çabej u bë zëri më autoritativ në fushën e gjuhësisë historike shqiptare dhe një nga emrat më të respektuar në botën akademike shqiptare dhe europiane.

Pas studimeve në Austri dhe një formim të thellë në gjuhësi krahasimtare, Çabej solli në Shqipëri një qasje shkencore të mirëfilltë mbi origjinën, zhvillimin dhe strukturën e gjuhës shqipe. Ai punoi ngushtësisht me gjuhëtarë të njohur të kohës, si dhe dha kontribute të jashtëzakonshme në zbërthimin e lidhjeve të shqipes me gjuhët indoevropiane, përcjellë KultPlus.

Një nga veprat më të rëndësishme të tij është “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, një seri voluminoze që përbën themelin e etimologjisë shqiptare. Në këtë vepër dhe në shumë të tjera, Çabej tregoi një kujdes të jashtëzakonshëm shkencor, duke u bazuar në burime historike, gjuhësore dhe folklorike për të ndërtuar një pamje të qartë e të argumentuar mbi zhvillimin e shqipes ndër shekuj.

Ai kontribuoi gjithashtu në hartimin dhe pasurimin e terminologjisë shkencore në shqip, në sistemimin e dialekteve dhe në mbështetjen e një standardi gjuhësor që të pasqyronte trashëgiminë dhe dinamizmin e gjuhës shqipe.

Përveçse gjuhëtar, Çabej ishte dhe një edukator i përkushtuar. Si profesor, ai frymëzoi breza të tërë studentësh dhe studiuesish, duke e kthyer Universitetin e Tiranës në një qendër serioze të kërkimit albanologjik.

Në përvjetorin e lindjes së tij, më 6 gusht, kujtojmë jo vetëm një datë kalendarike, por një jetë të tërë të përkushtuar dijes, gjuhës, identitetit kombëtar. Eqrem Çabej mbetet një nga figurat më të ndritura të kulturës shqiptare, një njeri që e deshi gjuhën shqipe jo vetëm si objekt studimi, por si pjesë të shpirtit dhe trashëgimisë së një kombi.

Trashëgimia e tij shkencore sot është udhërrëfyese për studiuesit e rinj dhe një pasuri e paçmuar për kulturën kombëtare shqiptare. Në një kohë kur ruajtja e gjuhës dhe identitetit bëhet gjithnjë e më sfiduese, vepra e Eqrem Çabejt është më e rëndësishme se kurrë./KultPlus.com

Asaj që iku

By: Kult Plus
5 August 2025 at 23:50

Poezi nga Mikhail Yuryevich Lermontov

Nuk të përulem, ka mbaruar,
Asnjë premtim i yti s’hyn dot
Në shpirtin tim për ta sunduar,
Jemi të huaj, sot dhe mot.

Ti ke harruar që lirinë
S’ia fal mashtrimit kurresesi,
Por dhe kështu, vite që s’vijnë
Për sytë e tu u bëra fli.

Edhe kështu tek ti pandehja
të gjeja shpirt e shok e short;
Dhe tërë botën e urreja,
Që të të doja ty me fort.

Gjithë ato çaste të qëndrimit
Tek këmbët tuaja, e beson?
Ia kam rrëmbyer frymëzimit
Më se po mi zëvendëson?

Nga ndonjë çast mendimbegatë
Dhe forc’e shpirtit s’ish çudi,
T’i jepje botës një dhuratë
Dhe të më jepte pavdekësi.

Pse doje pra të më ndërroje
atë kurorë lavdiplot?
Pse s’qe atëherë kur premtoje
E tillë siç je bërë sot?

Krenar jam, falmë është e kotë,
kërko një tjetër dashuri;
Për asnjë gjë në këtë botë,
Nuk mund të rri në skllavëri.

Nën qiell të jugut, në vend tjetër
Do të largohem, ndoshta shpejt.
Po jemi njohur pak si tepër,
Për t’u harruar ashtu krejt.

Që sot do të zë të argëtohem
Dhe të betohem paskëtaj,
Vetëm do qesh e do gëzohem
Dhe për asgjë nuk do të qaj.

Do rrej si djalli sa të dua,
Si desha, më s’do dashuroj,
A mund të dua më një grua,
Kur sot një engjull më tradhëtoi?

Të vdisja desha dhe të vuaj,
me botën desha të luftoj;
Që fort të voglën dorën tuaj,
I çmendur, të mundja ta shtrëngoj.

Pa të kuptuar dot mashtrimin,
Ta fala shpirtin mbushur plot;
Ia njohe këtij shpirti çmimin?
Ia njohe, une s’të njoha dot./KultPlus.com

Toka rrotullohet më shpejt nesër, dita do të jetë më e shkurtër se zakonisht

By: Kult Plus
5 August 2025 at 23:45

Rrotullimi i Tokës pritet të përshpejtohet nesër, më 6 gusht 2025, duke e bërë atë një nga ditët më të shkurtra të regjistruara ndonjëherë, kanë paralajmëruar shkencëtarët. Sipas ekspertëve, planeti ynë do të humbasë rreth 1.25 milisekonda nga dita e zakonshme 24-orëshe për shkak të një ndryshimi të pashpjeguar në dinamikën e tij rrotulluese.

Ndërsa ky ndryshim i vogël nuk do të vërehet nga njerëzit në përditshmëri, studiuesit po analizojnë pasojat afatgjata që mund të jenë serioze përfshirë përmbytje në rajonet ekuatoriale, ndryshime klimatike ekstreme dhe prishje të ritmeve biologjike të njeriut.

Sipas astrofizikanëve, përshpejtimi i rrotullimit mund të çojë në rritje të forcës centrifugale, duke zhvendosur ujërat e oqeaneve nga polet drejt ekuatorit. Një rritje e tillë mund të sjellë përmbytje në zona të dendura urbane bregdetare.

Ndërkohë, edhe orët biologjike të njerëzve mund të ndikohen. Një ditë më e shkurtër se 24 orë do të prishte ritmet cirkadiane, çka lidhet me probleme të zemrës, gjumit dhe shëndetit mendor.

Ky fenomen po gjurmohet me saktësi nga orët atomike, që tregojnë se dita më e shkurtër e regjistruar deri tani ishte më 5 korrik 2024, kur Toka përfundoi rrotullimin e saj 1.66 milisekonda më herët se zakonisht.

Megjithëse arsyeja e përshpejtimit ende nuk dihet me saktësi, shkencëtarët dyshojnë se ndikim mund të kenë ndryshimet në bërthamën e Tokës, rrymat oqeanike dhe erërat në lartësi të madhe./KultPlus.com

Tesla miraton paketë të re shpërblimi për Elon Musk me vlerë 29 miliardë dollarë

By: Kult Plus
5 August 2025 at 23:30

Tesla ka miratuar një marrëveshje të re kompensimi për CEO-n e saj, Elon Musk, që përfshin një shpërblim në aksione me vlerë 29 miliardë dollarë. Kjo paketë e re synon ta mbajë Musk në krye të kompanisë deri në vitin 2027, në një kohë kur Tesla po zhvendos fokusin nga automjetet elektrike drejt teknologjive më të avancuara si robotaksit dhe robotët humanoidë, sipas Reuters.

Marrëveshja përfshin dhënien e 96 milionë aksioneve të reja, e cilësuar nga kompania si një “hap besimi” për të ruajtur paketën fillestare prej 50 miliardë dollarësh të miratuar në vitin 2018, por që u anulua nga një gjykatë në Delaware për shkak të parregullsive në procesin e miratimit.

Paketa e re do të hidhet në votim më 6 nëntor gjatë mbledhjes së përgjithshme të aksionarëve. Në dokumentet zyrtare të dorëzuara në SEC, Tesla shpjegon se Musk duhet të qëndrojë në një rol kyç ekzekutiv deri në vitin 2027 për të përfituar nga aksionet, të cilat nuk do të mund t’i shesë për të paktën pesë vjet.

Nëse gjykatat do të miratojnë përfundimisht marrëveshjen e vjetër të vitit 2018, paketa e re do të zbritet ose anulohet për të shmangur kompensimin e dyfishtë.

Marrëveshja ka shkaktuar debat të ri për etikën në kompensimet e nivelit të lartë. “Ky është vetëm një version i ri i një marrëveshjeje që një gjykatë e quajti të padrejtë,” tha eksperti Charles Elson nga Universiteti i Delaware-it.

Ndërkohë, Tesla po përballet me rënie të shitjeve dhe të vlerës së aksioneve, ndërsa Musk kërkon ta kthejë kompaninë në një lider të inteligjencës artificiale dhe robotikës./KultPlus.com

Kryetari Rama për Gala Mbrëmjen ‘Rame Lahaj & Friends’: Prishtina u shndërrua në një skenë të hapur ku arti pushtoi zemrat e mijëra qytetarëve

By: Kult Plus
5 August 2025 at 23:27

Këto ditë, Rame Lahaj International Opera Festival- RLIOF ka përmbyllur edicionin e pestë me radhë me Gala Mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends”, pas një sërë koncertesh dhe aktivitetesh kulturore me artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët i dhanë Prishtinës imazhin e një qyteti me traditë të muzikës klasike.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se këto aktivitete të mbajtura në kuadër të festivalit RLIOF e kanë shndërruar kryeqytetin në një skenë të hapur, ku arti ka pushtuar zemrat e mijëra qytetarëve.

“Gala “Rame Lahaj & Friends” solli emra të mëdhenj të skenës botërore dhe një emocion të papërshkrueshëm për të gjithë të pranishmit.

Kryeqyteti do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm artistët tanë dhe çdo iniciativë që ndërton ura mes kulturave, sjell artin më të mirë në vendin tonë dhe e vendos kryeqytetin në hartën e ngjarjeve më të rëndësishme kulturore ndërkombëtare.

Ky është vizioni ynë, një Kryeqytet që jeton me artin dhe kulturën”, ka thënë Kryetari Rama në Facebook./ KultPlus.com

Certifikata e vdekjes thotë se ikona e heavy metalit, Osbourne vdiq nga një atak në zemër

By: Kult Plus
5 August 2025 at 23:10

Ozzy Osbourne, ikona e heavy metal-it dhe i vetëshpalluri Princ i Errësirës, vdiq nga një atak në zemër, sipas një certifikate vdekjeje të publikuar nga New York Times.

Certifikata konfirmon se Osbourne vdiq nga “a) Arrest kardiak jashtë spitalit (b) Infarkt akut miokardi (c) Sëmundje e arteries koronare dhe sëmundje e Parkinsonit me mosfunksionim autonom (Shkaqe të kyçeve)”.

Osbourne ishte diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit në vitin 2003. Ai vdiq në shtëpi i rrethuar nga familja e tij më 22 korrik në moshën 76 vjeç, vetëm disa javë pas koncertit të tij të lamtumirës në Birmingham.

Mijëra tifozë mbushën rrugët e Birminghamit për t’i bërë homazhe Osbourne, ndërsa kortezhi i tij funeral kaloi nëpër qytet më 30 korrik. 

Festivali “Lumina”, atmosferë elektrizuese për adhuruesit e muzikës elektronike

By: Kult Plus
5 August 2025 at 22:59

Festivali i muzikës elektronike “Lumina Electronic” solli ritëm dhe atmosferë për të gjithë adhuruesit e muzikës elektronike.

Aktiviteti dëshmoi edhe një herë se Korça është jo vetëm një qytet i kulturës dhe historisë, por edhe i rinisë dhe energjisë së jashtëzakonshme.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo e konsideroi këtë edicion të dytë të festivalit “Lumina”, si të jashtëzakonshëm.

Filo u shpreh se për dy net me radhë, parku “Rinia” u mbush me ritme elektrizuese, energji pafund dhe qindra të rinj që festuan muzikën moderne në një atmosferë që vetëm “Lumina” di ta krijojë.

“Ky edicion e forcoi më tej identitetin e festivalit si një nga eventet më të rëndësishme verore në Korçë, duke tërhequr vizitorë dhe adhurues të muzikës elektronike nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni”, tha Filo, në një postim në rrjetet sociale.

Të rinj vendas dhe turistë të huaj u entuziazmuan, në një atmosferë që vështirë të përshkruhet me fjalë.

Lumina Electronic Festival është tashmë një traditë që do të vazhdojë çdo vit, me synimin për të rritur edhe më shumë ndikimin kulturor dhe turistik të Korçës, si një destinacion festash bashkëkohore dhe përjetimesh unike./atsh/ KultPlus.com

Rita Ora realizon këngë të re për serialin e Netflix, “Joy” pritet së shpejti

By: Kult Plus
5 August 2025 at 22:41

Këngëtarja shqiptaro-britanike Rita Ora po përgatit muzikë të re për serialin e njohur të takimeve “Love Is Blind UK” në Netflix. Kënga me titullin “Joy” është një baladë e fuqishme që flet për gjetjen e paqes së brendshme dhe pritet të publikohet shumë shpejt.

Burime për mediat britanike kanë bërë të ditur se kjo këngë nuk do të jetë pjesë e albumit të saj të katërt në studio, por shërben si një projekt anësor i dedikuar ekskluzivisht për serialin. “Joy” do të jetë e disponueshme për streaming, por nuk planifikohet të ketë videoklip apo promovim të gjerë.

Rita Ora ka folur edhe për momentet e vështira që ka kaluar gjatë karrierës së saj, duke përmendur mbështetjen e madhe që ka marrë nga Beyoncé, e cila e ka mbrojtur publikisht nga spekulimet dhe akuzat e padrejta lidhur me jetën personale.

Në një intervistë të fundit, Rita rrëfeu edhe për sfidat që ka pasur me vetëbesimin dhe marrëdhënien me trupin e saj, duke theksuar se tani ndihet më e fortë dhe më e mirë.

Kënga e re dhe lidhja me serialin e Netflix-it janë një hap i ri në karrierën e këngëtares, e cila vazhdon të jetë një figurë e rëndësishme në skenën muzikore ndërkombëtare./KultPlus.com

Festivali i Teatrove në Suharekë mbahet nga 8 deri më 12 shtator, edicioni i gjashtë

By: Kult Plus
5 August 2025 at 22:17

Festivali i Teatrove këtë vit do të organizojë edicionin e tij të gjashtë, duke filluar më 8 dhe duke përfunduar më 12 shtator 2025. Ngjarja do të zhvillohet në Shtëpinë e Kulturës “Uke Bytyqi” në Suharekë, ku do të prezantohen shfaqje teatrale nga artistë vendas.

Ky festival tradicional synon të promovojë artin dramatik dhe të ofrojë një platformë për artistët dhe regjisorët e teatrit për të shfaqur talentin e tyre përpara publikut.

Organizatorët bëjnë thirrje për pjesëmarrje dhe mbështetje të gjerë nga qytetarët dhe dashamirësit e artit./KultPlus.com

Yesterday — 5 August 2025Main stream

Ministri Çeku: “RLIOF rikthen Prishtinën në qendër të muzikës operistike” pas edicionit të pestë me sukses

By: Kult Plus
5 August 2025 at 22:00

Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj (RLIOF) përmbylli me sukses edicionin e tij të pestë, duke kthyer Prishtinën në qendër të muzikës operistike për dhjetë net me radhë. Ky eveniment prestigjioz u zhvillua në ambiente të ndryshme të kryeqytetit dhe solli në skenë emra të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët ofruan koncerte dhe performanca të shkëlqyera artistike.

RLIOF tashmë është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, duke shërbyer si një platformë ku artistët e operës nga vende të ndryshme bashkohen me publikun kosovar për të përjetuar së bashku magjinë e këtij zhanri muzikor.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në një postim në rrjetet sociale, shprehu kënaqësinë për suksesin e festivalit dhe falenderoi artistin Rame Lahaj dhe gjithë ekipin e tij për punën e palodhur dhe pasionin që kanë vënë në organizimin e këtij eventi. Ai theksoi rëndësinë e këtij festivali në promovimin e kulturës dhe muzikës klasike në Kosovë dhe për vendosjen e Prishtinës si një destinacion të rëndësishëm artistik.

“RLIOF është një hapësirë ku zërat më të mirë të operës bashkohen me publikun tonë në një përjetim të rrallë kulturor. Faleminderit Rame Lahaj dhe ekipit që po e bëjnë këtë festival një ngjarje të veçantë në kalendarin artistik të vendit,” shkroi Çeku.

Festivali përfshiu një gamë të gjerë koncertesh, recitalesh dhe eventesh kulturore që patën jehonë të madhe në media dhe mes publikut, duke tërhequr dashamirës të muzikës nga e gjithë Kosova dhe më gjerë.

RLIOF pritet të vazhdojë të rritet e fuqizohet në vitet në vijim, duke ofruar mundësi për artistët e rinj dhe duke promovuar trashëgiminë kulturore në skenën ndërkombëtare/KultPlus.com

“Kalorësi i Babunjës” rikthehet në Shqipëri pas ekspozimit në Vjenë

By: Kult Plus
5 August 2025 at 21:42

Skulptura unike prej bronzi, “Kalorësi i Babunjës”, është rikthyer në Shqipëri pas dy muajsh ekspozimi në një nga institucionet muzeale më prestigjioze të Europës, Muzeun e Historisë Natyrore në Vjenë.

Lajmi është bërë i ditur nga Akademia e Shkencave, e cila thekson se ekspozita u realizua falë bashkëpunimit mes Ambasadës së Shqipërisë në Austri, Institutit të Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave dhe vetë muzeut austriak. Hapja e saj u shoqërua me një konferencë shkencore ndërkombëtare, ku morën pjesë mbi 120 studiues nga e gjithë bota.

Shqipëria u përfaqësua me emra të njohur të fushës, si akad. Adem Bunguri, prof. Neritan Ceka, prof. Bashkim Lahi dhe prof. asoc. Eduard Shehi.

Skulptura 2600-vjeçare, e zbuluar në vitin 2018 pranë Apolonisë (Babunjë, Lushnjë), qëndroi e ekspozuar në “Sallën e Artë” të muzeut nga 13 maj deri më 31 korrik 2025, ku u prit me interes të madh nga publiku dhe ekspertët ndërkombëtarë.

Pas suksesit të ekspozitës, “Kalorësi i Babunjës” është rikthyer në Tiranë dhe do të vendoset për ekspozim të përhershëm në Muzeun Arkeologjik, pranë Institutit të Arkeologjisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë./KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani merr letër nga Presidenti Trump: E falënderon për lidershipin e guximshëm dhe e quan mike të vërtetë të Shteteve të Bashkuara

By: Kult Plus
5 August 2025 at 21:20

Sot, Presidentja Osmani ka marrë një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin dhe miqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara, lidershipin e guximshëm dhe shpreh dëshirën për të thelluar bashkëpunimin në vitet që vijnë.

Në letër, Presidenti amerikan shkruan se vendimi për të pranuar shtetas nga shtete të tjera tregon gatishmërinë e fortë të Kosovës për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se lidershipi në këtë çështje tregon fuqinë dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta,” ka theksuar Presidenti Trump në letrën e tij.

Duke e falënderuar Presidenten për angazhimin e saj në forcimin e partneritetit me SHBA-të, Presidenti Trump gjithashtu shprehet: “Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë.”

Në fund të letrës, Presidenti Trump i dërgon Presidentes Osmani edhe urimet më të mira nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump./ KultPlus.com

NASA synon të ndërtojë reaktor bërthamor në Hënë deri në vitin 2030

By: Kult Plus
5 August 2025 at 21:15

Agjencia hapësinore amerikane, NASA, është duke përshpejtuar planet për ndërtimin e një reaktori bërthamor në sipërfaqen e Hënës deri në vitin 2030, raportojnë mediat amerikane. Kjo nismë është pjesë e objektivit afatgjatë të SHBA-së për krijimin e një baze të përhershme njerëzore në Hënë.

Sipas raportimit të Politico, kreu në detyrë i NASA-s ka theksuar se edhe Kina dhe Rusia kanë plane të ngjashme, duke ngritur shqetësime se ato mund të shpallin “zona ndalimi” në Hënë në të ardhmen.

Ndërsa ambiciet janë të mëdha, disa shkencëtarë kanë shprehur dyshime për realizimin e këtij projekti brenda afatit të përmendur, sidomos pas shkurtimeve të fundit buxhetore të NASA-s. Po ashtu, janë ngritur shqetësime se nisma të tilla udhëhiqen më shumë nga interesa gjeopolitike sesa nga nevoja shkencore.

SHBA, Kina, Rusia, India dhe Japonia janë në garë për eksplorimin e Hënës, me qëllimin final të krijimit të vendbanimeve të përhershme njerëzore në të ardhmen e afërt. Reaktori bërthamor shihet si një burim i qëndrueshëm energjie për misione afatgjata në hapësirë./KultPlus.com

Pas përmbylljes së Festivalit Sunny Hill, Dua Lipa nis pushimet në jug të Shqipërisë

By: Kult Plus
5 August 2025 at 21:14

Pas një përmbylljeje të suksesshme të edicionit të pestë të Festivalit Sunny Hill, Dua Lipa nis pushimet në Shqipëri.

Pas një performance elektrizuese në natën e parë të festivalit muzikor më të rëndësishëm në rajon, Sunny Hill, që edhe këtë vit është prezantuar para publikut me artistë të njohur botëror, Dua Lipa ka zgjedhur të relaksohet në brigjet e bukura të jugut të Shqipërisë.

Këngëtarja me famë botërore lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Instagram, duke e shoqëruar me një fotografi të jashtëzakonshme, ku të shfaqura janë perëndimi i diellit, ujërat e kristalta, dhe një shpat i bukur mali.

“Arrita në shtëpi me kohë për këtë perëndim të mrekullueshëm të diellit”, është mbishkrimi i artistes së njohur.

Prezenca e saj e shpeshtë në hapësirat shqiptare si dhe angazhimi për të promovuar pasuritë natyrore dhe kulturore të vendit e ka shndërruar atë në një ambasadore kulturore të Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjatë vizitës së fundit në Kosovë, Duas i është dhënë shtetësia e Kosovës me dekret presidencial nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani./ KultPlus.com

Filmi “F1” thyen rekordet dhe bëhet suksesi më i madh në karrierën e Brad Pitt

By: Kult Plus
5 August 2025 at 21:00

Pas premierës më 27 qershor, “F1: The Movie” është shndërruar në një nga filmat më të suksesshëm të vitit 2025 dhe tashmë edhe më i suksesshmi në karrierën e Brad Pitt.

Me regji të Joseph Kosinski dhe me një histori që ndjek jetën e pilotit fiktiv Sonny Hayes, roli i Pitt ka kapur imagjinatën e publikut botëror, përcjellë KultPlus.

Filmi ka arkëtuar plot 545 milionë dollarë, duke lënë pas hite të mëparshme të aktorit si World War Z, Fight Club apo Inglourious Basterds. Përveç suksesit në kinema, “F1” ka hyrë fuqishëm edhe në kulturën pop: tifozët tashmë veshin fanellat e skuadrës fiktive APXGP, ndërsa krahasimet me pilotët realë të Formula 1 janë të pashmangshme.

Kritikët gjithashtu janë pozitivë. Me një vlerësim 7.9 në IMDB, filmi konsiderohet “argëtues dhe vizualisht mbresëlënës”, me një Brad Pitt në një formë të shkëlqyer. Në listën e filmave më të shikuar të vitit, “F1” renditet në vendin e tetë globalisht, duke lënë pas edhe prodhime të mëdha si Napoleon apo Killers of the Flower Moon.

Ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë një vazhdim, një gjë është e sigurt: Brad Pitt ka dominuar pistën kinematografike si asnjëherë më parë./KultPlus.com

Shpërthimi i nëndetëses Titan, roja Bregdetare Amerikane publikon gjetjet e hetimeve

By: Kult Plus
5 August 2025 at 20:51

Raporti i Rojës Bregdetare të SHBA-së mbi shpërthimin e anijes nëndetëse Titan sapo është publikuar, pas një hetimi kompleks dyvjeçar. Në qershor të vitit 2023, nëndetësja e kompanisë OceanGate shpërtheu rreth 90 minuta pasi filloi zbritjen drejt rrënojave të Titanikut në Oqeanin Atlantik.

Nëndetësja Titan nisi zhytjen e saj drejt Titanikut, i cili ndodhet 3,800 metra thellë në Oqeanin Atlantik, në mëngjesin e 18 qershorit 2023. Por, vetëm 500 metra larg mbërritjes te rrënojat e famshme, nëndetësja pësoi një dështim katastrofik.

Pesë personat në bord ishin drejtori ekzekutiv i OceanGate, Stockton Rush, i cili pilotonte nëndetësen; eksperti francez i Titanikut, Paul-Henri “PH” Nargeolet, që ishte bashkëpilot; dhe tre pasagjerë që kishin paguar për zhytjen: eksploruesi britanik Hamish Harding, biznesmeni britaniko-pakistanez Shahzada Dawood dhe djali i tij 19-vjeçar, Suleman. Të gjithë humbën jetën në mënyrë të menjëhershme.

Shpërthimi ishte aq i shpejtë, sa askush nuk do të kishte pasur kohë të kuptonte se çfarë po ndodhte. Një operacion i madh kërkim-shpëtimi u nis, me aeroplanë, anije dhe robotë nënujorë që kontrolluan Oqeanin Atlantik. Por, më 22 qershor u gjetën rrënojat e anijes Titan.

Roja Bregdetare e SHBA-së (USCG) kaloi dy vjet duke hetuar katastrofën e Titanit – një proces i gjatë dhe kompleks. Në shtator 2024, USCG organizoi një seancë dëgjimore publike dyjavore, ku dëshmuan ish-punonjës të OceanGate, pasagjerë të mëparshëm të Titanit dhe ekspertë të zhytjeve në ujëra të thella.

Mbetjet e anijes Titan, të nxjerra nga fundi i detit, janë shqyrtuar gjithashtu me kujdes. Qëllimi i USCG-së ishte të përcaktonte se çfarë shkoi keq dhe të jepte rekomandime për të parandaluar një tragjedi të ngjashme në të ardhmen.

Raporti nga Bordi i Hetimit Detar shqyrton:

  • Çfarë e shkaktoi incidentin – dhe si dështoi nëndetësja.
  • Nëse kishte prova për ndonjë akt të “sjelljes së keqe, paaftësisë, neglizhencës, mungesës së aftësive ose shkeljes së qëllimshme të ligjit” që kontribuoi në katastrofë.
  • Nëse ka prova për ndonjë vepër penale.
  • Nëse ka nevojë për ligje apo rregullore të reja.

Raporti rendit si faktor kryesor të shpërthimit: mosndjekjen e protokolleve të përcaktuara inxhinierike për sigurinë, testimin dhe mirëmbajtjen e nëndetëses.

Ai identifikoi gjithashtu:

  • Nevojën për qeverisje të duhur korporative;
  • Një kulturë profesionale të shëndetshme në vendin e punës;
  • Mbikëqyrje të përmirësuar rregullatore.

“Në vitet para incidentit, OceanGate përdori taktika frikësuese, leje për operacione shkencore dhe reputacionin e saj të favorshëm për të shmangur mbikëqyrjen rregullatore,” thuhet në raport.
“Duke krijuar dhe shfrytëzuar strategjikisht konfuzionin rregullator dhe sfidat e mbikëqyrjes, OceanGate ishte në gjendje ta operonte Titanin plotësisht jashtë protokolleve të përcaktuara për zhytje në ujëra të thella.”

Raporti thekson se drejtori ekzekutiv Stockton Rush ishte në gjendje të injoronte të dhënat jetësore për shkak të mungesës së mbikëqyrjes.
“Mungesa e mbikëqyrjes nga palët e treta dhe mungesa e stafit me përvojë në OceanGate gjatë operacioneve të Titanit në vitin 2023 i lejoi Rush-it të injoronte inspektimet jetësore, analizat e të dhënave dhe procedurat parandaluese të mirëmbajtjes – duke çuar në një ngjarje katastrofike,” vijon raporti.

Tetë faktorë kryesorë që çuan në shpërthimin fatal nën ujë:

  1. Proceset e projektimit dhe testimit nuk i respektuan parimet themelore të inxhinierisë për një mjedis kaq të rrezikshëm.
  2. OceanGate nuk kreu analizë të ciklit jetësor të nëndetëses.
  3. Kompania u mbështet tepër te sistemi i monitorimit në kohë reale dhe nuk analizoi siç duhet të dhënat.
  4. Titan u përdor vazhdimisht pas një sërë incidentesh, pa u vlerësuar rreziqet.
  5. Ndërtimi me fibra karboni çoi në të meta që dobësuan integritetin strukturor.
  6. Kompania dështoi të kryente hetime të plota pas aksidenteve të mëparshme.
  7. Mjedisi i punës ishte toksik – punonjësit largoheshin për të heshtur shqetësimet për sigurinë.
  8. Mungesa e mirëmbajtjes parandaluese gjatë periudhës kur nëndetësja nuk ishte në përdorim.

Shpërthimi u shkaktua nga humbja e integritetit strukturor të trupit prej fibre karboni, duke çuar në vdekjen e menjëhershme të të gjithë personave në bord.

“Njerëzit në bord ishin të ekspozuar ndaj afro 4,930 paund për inç katror të presionit të ujit, çka rezultoi në vdekjen e menjëhershme të të pesë personave,” thuhet në raport.

Përgjegjësia e Rojës Bregdetare

Raporti shqyrtoi edhe nëse mund t’i atribuohej ndonjë përgjegjësi Rojës Bregdetare të SHBA-së (USCG).
Përfundimi ishte se nuk kishte asnjë provë për sjellje të keqe, paaftësi, neglizhencë apo shkelje të ligjit nga punonjës të USCG-së apo ndonjë personel tjetër që të ketë kontribuar në tragjedi.

10 përfundime kryesore nga raporti 335-faqësh:

  1. OceanGate dështoi të ndiqte protokollet inxhinierike për sigurinë, testimin dhe mirëmbajtjen – faktori kryesor sipas USCG-së.
  2. Shpërthimi i papritur u shkaktua nga humbja e integritetit strukturor – të gjithë në bord vdiqën menjëherë nga presioni ekstrem.
  3. Stockton Rush injoroi inspektimet dhe procedurat e sigurisë për shkak të mungesës së mbikëqyrjes.
  4. Dizajni me fibra karboni ishte me të meta – shenjat paralajmëruese u injoruan.
  5. Mjedisi toksik i punës në OceanGate dekurajoi shqetësimet për sigurinë përmes shkarkimeve dhe frikësimeve.
  6. Presioni financiar në vitin 2023 ndikoi në vendime që rrezikuan më tej operacionet.
  7. Punonjësit u detyruan të heqin dorë përkohësisht nga pagat, me premtimin se do të shlyheshin më vonë.
  8. Ish-punonjës: “Kompania ishte nën stres të madh ekonomik dhe merrte vendime që rrezikonin sigurinë.”
  9. Kornizat ligjore dhe rregullatore për zhytje në ujëra të thella ishin të pamjaftueshme për të përballuar teknologjitë moderne.
  10. Sikur Stockton Rush të kishte mbijetuar

Çeku në hapje të Evropianit U17: Kosova, mikpritëse e ngjarjeve të mëdha sportive

By: Kult Plus
5 August 2025 at 20:40

Në Prishtinë ka nisur Kampionati Evropian U17 për hendbolliste, një ngjarje sportive madhore që po zhvillohet gjatë kësaj jave në ambientet e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes dhe theksoi rëndësinë e këtij eventi për vendin tonë, transmeton KultPlus.

“Kosova jonë, vend i ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare. Vendi ynë, përveç sportistëve të jashtëzakonshëm që po na bëjnë krenarë në botë, po tregon çdo ditë se mund të organizojë ngjarje të mëdha sportive me shumë sukses,” u shpreh ministri Çeku.

Ai gjithashtu ftoi qytetarët të mbështesin ekipin kombëtar të vajzave dhe të përjetojnë atmosferën e veçantë që ky kampionat po sjell në kryeqytet.

Ky është një tjetër hap i rëndësishëm drejt afirmimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare të sportit, duke dëshmuar kapacitetin për organizimin e kompeticioneve serioze dhe me standarde të larta./KultPlus.com

Kryetari Ilir Ferati promovon turizmin në Istog: “Ky vend i bekuar me pasuri natyrore është thesar për zhvillim të qëndrueshëm”

By: Kult Plus
5 August 2025 at 20:20

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka prezantuar bukuritë natyrore dhe potencialin turistik të qytetit të tij përmes një videoje promovuese, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe ruajtjes së natyrës.

Në fokus të videos janë malet e Moknës, Lugu i Butë, burimet e freskëta, shtigjet alpine dhe mikpritja tradicionale që ofron ky rajon. Ferati përshkruan Istogun si një vend ku jetesa e shëndetshme nuk është luks, por përditshmëri, përcjellë KultPlus.

“Ky vend i bekuar me pasuri natyrore e kulturore ka potencial të jashtëzakonshëm për investime dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Me politika të mençura, me vizion afatgjatë dhe me dashurinë për tokën tonë, Istogu mund të bëhet shembull se si zhvillimi ekonomik shkon dorë për dore me ruajtjen e natyrës”, tha Ferati.

Përmes kësaj nisme, Komuna e Istogut synon të promovojë vlerat e saj natyrore, si dhe të tërheqë vizitorë dhe investitorë që ndajnë të njëjtin vizion për një zhvillim të balancuar dhe të përgjegjshëm.

Ferati fton të gjithë qytetarët dhe turistët që të vizitojnë Istogun dhe të përjetojnë nga afër paqen, aventurën dhe mikpritjen që ofron ky qytet në zemër të Rrafshit të Dukagjinit./KultPlus.com

❌
❌