Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 4 August 2025Main stream

Misajllovski: Prokurimi i helikopterëve italian është duke vazhduar, do të përdoren edhe për shuarjen e zjarreve

4 August 2025 at 13:40

Ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski, sot tha se prokurimi i helikopterëve nga prodhuesi italian “Leonardo” është duke vazhduar, aktualisht po punohet për heqjen e sfidave ligjore.

“Prokurimi është duke vazhduar, e dini që qeveria e mëparshme e nënshkroi atë prokurim, ka shumë sfida ligjore. Në këtë moment, po paguhet kësti i dytë prej 70 milionë eurosh. Po punojmë me një firmë avokatësh çdo ditë për të hequr çdo sfidë që kemi”, tha Misajlovski.

Ai theksoi se helikopterët do të kenë aftësinë për të operuar në të gjitha llojet e zjarreve dhe ka pajisje shtesë që po instalohen në këto helikopterë.

“Presim që së shpejti të kemi një vizitë pune në Itali, ku do të shohim në vend se çfarë është bërë dhe do të shpjegojmë në mënyrë transparente se deri ku ka arritur e gjithë procedura”, tha Misajlovski.

Kontrata për blerjen e tetë helikopterëve të rinj transporti nga prodhuesi italian Leonardo për nevojat e Ushtrisë, me vlerë 249.5 milionë euro, u nënshkrua nga qeveria e mëparshme në mars të vitit të kaluar.

The post Misajllovski: Prokurimi i helikopterëve italian është duke vazhduar, do të përdoren edhe për shuarjen e zjarreve appeared first on Telegrafi.

Mickoski: Dënoj thirrjet nacionaliste dhe ksenofobike në ndeshjen e basketbollit, do të jenë objekt i hetimeve

4 August 2025 at 11:52

Kryeministri Hristijan Mickoski, sot është pyetur në lidhje me thirrjet anti-shqiptare në Kumanovë, në një ndeshje basketbolli në mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë. Ai tha se i dënon thirrjet nacionaliste dhe ksenofobike, duke bërë apel që çdo tifogrup të mbështet ekipin e vet në mënyrën e duhur.

“Organizatorët e ndeshjes Federata e Basketbollit dhe Komuna e Kumanovës dënuan thirrjet ksenofobike. Të jem i sinqertë derisa isha aty, as që i kam vërejtur thirrje, pasi bëhej fjalë për grup të vogël tifozësh. Por dua të bashkangjitem në dënimin e nacionalizmit dhe ksenofobisë, si dhe të bëjë thirrje apel për çdo tifogrup që të mbështesin në mënyrën e duhur ekipet e tyre. Kjo është që e mbështet qeveria, ndërsa e gjithë tjetra do të jetë objekt i hetimeve”.

“Dënoj thirrjet ksenofobike dhe nacionaliste të disave në ndeshjen Maqedoni – Rumani, thirrje që nuk mori mbështetjen e të pranishmëve tjerë”, tha mes tjerash Mickoski.

Ndryshe, tifozët maqedonas në një ndeshje basketbolli në mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë bënë thirrje anti-shqiptare./Telegrafi/

 

The post Mickoski: Dënoj thirrjet nacionaliste dhe ksenofobike në ndeshjen e basketbollit, do të jenë objekt i hetimeve appeared first on Telegrafi.

Për tre muaj në Maqedoni kanë ndodhur mbi dy mijë aksidente trafiku

4 August 2025 at 09:35

Nga maji deri në fund të korrikut të këtij viti, në të gjithë Maqedoninë kanë ndodhur më shumë se 2,000 aksidente trafiku. Të dhënat tregojnë se 22 persona kanë vdekur në aksidente trafiku gjatë periudhës së analizuar.

Arsyeja më e zakonshme për aksidentet ishte shpejtësia. Statistikat nga Ministria e Brendshme tregojnë se numri më i madh i aksidenteve rrugore – 780 kanë ndodhur në korrik dhe më pak në maj.

Përveç shtetasve të RMV-së, në aksidente trafiku në rrugët e Maqedonisë kanë marrë pjesë edhe të huaj. Për dy muaj, pra në maj dhe qershor, numri i të huajve që kanë pasur aksidente trafiku ishte 95. Asnjëra prej tyre nuk ka përfunduar me pasoja fatale.

Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski njoftoi se me ndryshimet e reja në Ligjin për Sigurinë në Rrugë, Ligjin për Kundërvajtjet dhe Kodin Penal, personave që drejtojnë pa leje drejtimi, nën ndikimin e alkoolit ose drogës, dhe atyre që drejtojnë me shpejtësi ekstreme – do t’u konfiskohen përgjithmonë automjetet.

Statistikat mbi aksidentet rrugore që ndodhën në vendet e Bashkimit Evropian tregojnë se vitin e kaluar, i vetmi vend në të cilin nuk pati aksidente rrugore me pasoja fatale ishte Finlanda.

The post Për tre muaj në Maqedoni kanë ndodhur mbi dy mijë aksidente trafiku appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Ndalohen dy persona nga Kumanova, përdorën armë zjarri në aheng familjar

1 August 2025 at 13:39

MPB Maqedoni njofton se dy persona nga Kumanova, të moshës 30 dhe 25 vjeç, u ndaluan më 31 korrik nga oficerët e policisë së Sektorit për Punë të Brendshme të Kumanovës, pas një denoncimi për të shtëna gjatë një feste familjare.

“Pas raportimit, policia kreu kontroll në shtëpinë e tyre me urdhër gjykate, gjatë të cilit u gjet dhe u sekuestrua një armë, e cila dyshohet se është përdorur në incident”.

“Personat e ndaluar u dërguan në stacion policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tyre do të ngrihen akuza përkatëse”, thonë nga MPB.

The post Ndalohen dy persona nga Kumanova, përdorën armë zjarri në aheng familjar appeared first on Telegrafi.

Ndjekje si në filma – dy shtetas të Kosovës arrestohen nga Policia e Maqedonisë, transportonin emigrantë nga Kina

1 August 2025 at 11:35

Policia e Maqedonisë së Veriut njofton se janë ndaluar dy shtetas të Kosovës, të cilët siç thonë nga policia, dyshohen për transport joligjor të emigrantëve nga Kina.

Siç njoftojnë nga MPB, bëhet fjalë për personat G.L. 24 vjeç dhe B.L. 18 vjeç. Ata po i transportonin emigrantët me veturë “VW Caddy”, ndërsa janë arrestuar pas tentimit për të ikur nga policia, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Më 31.07.2025, rreth orës 22:30, zyrtarët policorë ndaluan G.L. (24) dhe B.L. (18), të dy nga Kosova, pasi në automjetin “Volkswagen Caddy“ me targa kosovare, që drejtohej nga G.L, ndërsa pasagjer ishte B.L, u gjetën tetë emigrantë nga Republika Popullore e Kinës”.

“Rreth orës 21:40, automjeti ishte vërejtur duke lëvizur në autostradën nga Gradsko drejt Shkupit dhe nuk kishte ndaluar në shenjën për ndalim, dhe kishte vazhduar të ikte. Gjatë ndjekjes nga patrullat policore, drejtuesi i automjetit dëmtoi stacionin e pagesës në Gradsko, ndërsa në Katllanovë u përplas në lëvizje me një veturë “Opel Insignia” me targa të huaja, si dhe shkaktoi dëme në një motoçikletë me targa të Maqedonisë”.

“Më pas, ai dëmtoi edhe rampën në pikën e pagesës në Petrovec. Pasi vazhdoi lëvizjen, tek nyja e rrugës drejt Prishtinës, në unazën e Shkupit, drejtuesi humbi kontrollin dhe automjeti doli nga rruga. Ai më pas sulmoi fizikisht një zyrtar policor në tentativë për t’u arratisur, por u neutralizua dhe u ndalua. Gjatë përpjekjeve për të ndalur automjetin, policia qëlloi me plumba paralajmërues, por fatmirësisht askush nuk u lëndua”, thonë nga MPB.

Të dy personat janë dërguar në stacionin policor, ndërsa emigrantët u vendosën në një qendër tranziti./Telegrafi/

The post Ndjekje si në filma – dy shtetas të Kosovës arrestohen nga Policia e Maqedonisë, transportonin emigrantë nga Kina appeared first on Telegrafi.

Toshkovski: Siguria në komunikacion është prioritet për MPB-në, vazhdojnë kontrollet e përforcuara

1 August 2025 at 09:42

Ministri i Punëve të Jashtme, Pançe Toshkovski së bashku me drejtorin e Byrosë për siguri publike, Aleksandar Janev dje i vizituan nëpunësit policorë nga Njësia mobile për siguri në komunikacion dhe nga sektori motorizues, në lagjen Ilinden, të cilët po kryejnë kontrolle në kuadër të aksionit operativ “Trafik i sigurt”.

Siç kumtoi MPB, theksi i kontrolleve të përforcuara të djeshme ishte vendosur në drejtimin e rregullt me motorë dhe skuterë elektrik, si dhe mbajtjen e pajisjes mbrojtëse.

“U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, posaçërisht atyre të cilët drejtojnë motoçikleta dhe skuterë elektrik, t’i respektojnë rregullat e komunikacionit, të mos e tejkalojnë shpejtësinë, të mbajnë kaska mbrojtëse dhe të kontribuojnë për rritje të sigurisë në komunikacion”, tha ministri Toshkovski.

Nga MPB shtojnë se kontrollet e përforcuara në trafik vazhdojnë edhe në periudhën në vijim me qëllim të rritjes së sigurisë në rrugë.

Kryetari i Komunës Ilinden, Aleksandar Georgievski u bëri thirrje të gjithë shoferëve të rinj, por edhe prindërve të tyre, të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e sjelljes së sigurt në komunikacion. Ai theksoi se mbajtja e pajisjes mbrojtëse dhe respektimi i rregullave të komunikacionit mund të shpëtojnë jetë.

 

The post Toshkovski: Siguria në komunikacion është prioritet për MPB-në, vazhdojnë kontrollet e përforcuara appeared first on Telegrafi.

Komuna e Tetovës miraton ribalancin e buxhetit, ndan mjete për objekt të ri për komunën

31 July 2025 at 17:52

Këshilli Komunal në Tetovë miratoi rishikimin e buxhetit. Me projeksionet e reja parashikohet godina e re e komunës dhe disa rrugëve në fshatin Xhepisht, Poroj dhe Reçicë. Kreu i komunës Bilall Kasami tha se vetëm për projektin e Komunës së Tetovës, janë ndarë rreth 1.2 milion euro.

“Me rebalancin parashihen edhe disa projekte shtesë, siç është vazhdimi i bulevardit “Video Smilevski Bato” deri në Poroj, me çka do përmbyllet ky segment do të përmbyllet. Parashihen edhe rrugë tjera në Xhepçisht, Reçicë dhe ndërtimi i objektit të komunës së Tetovës”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Në buxhet është paraparë edhe ndërtimi i memorialit për viktimat nga tragjedia në Spitalin Modular në Tetovë.

“E përshëndes dhe përgëzoj nismën e atyre që përkrahin idenë që në atë vend duhet të përkujtohet një tragjedi që nuk duhet të përsëritet, dhe të jetë një mesazh për përgjegjësi dhe llogaridhënie për gjithë që janë përgjegjës dhe vazhdojnë të jenë përgjegjës dhe mos japin llogari”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Me rishikimin e fundit të buxhetit, i njëjti për Komunën e Tetovës, nga 37 milion, kalon në mbi 42 milion euro, shumica e të cilave janë të destinuara për projektet kapitale, siç janë ndërtimi i objekteve shkollore e komunale, vazhdimi i bulevardit tek pjesa e kazermës, dhe ndërtimi i objektit të ri të komunës.

The post Komuna e Tetovës miraton ribalancin e buxhetit, ndan mjete për objekt të ri për komunën appeared first on Telegrafi.

Presidentja Siljanovska mori vendim për faljen e disa të dënuarve me burg për festën e Ilindenit

31 July 2025 at 17:25

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova ka marrë vendim për faljen e disa personave të dënuar me rastin e 2 Gushtit – Ilindeni, festa kombëtare e Maqedonisë.

Me këtë vendim, katër të dënuar lirohen plotësisht nga vuajtja e mëtejshme e dënimit me burg:

– Rade Zdravko Jovanoviq nga fshati Krivolak, Komuna e Negotinës
– Albert Tarzan Alievski nga Kavadarci
– Nikollçe Ljube Kostadinovski nga Kumanova
– Zejadin Sali Miftari nga fshati Çerkez

Falje të pjesshme, përkatësisht ulje të dënimit me burg, kanë marrë edhe katër të dënuar të tjerë:

– Emir Nadir Jonuzi nga fshati Sllatinë, Tetovë – 3 muaj
– Kole Petre Talevski nga Manastiri – 3 muaj
– Çushkov Jordan Sasho nga Velesi – 3 muaj
– Ismaili Xhelal Jetmire nga Gostivari – 6 muaj

Vendimi është marrë në bazë të nenit 84 të Kushtetutës dhe Ligjit për falje.

The post Presidentja Siljanovska mori vendim për faljen e disa të dënuarve me burg për festën e Ilindenit appeared first on Telegrafi.

Faton Selami propozohet për Avokat të Popullit

31 July 2025 at 15:55

Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve në seancën e sotme e ka përcaktuar Faton Selamin si propozim për Avokat të ri të Popullit.

Ai është jurist i diplomuar dhe magjistër i shkencave juridike në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Ka dhënë me sukses edhe provimin e jurisprudencës dhe atë noterial.

Për zgjedhjen e tij nevojitet që të votojnë së paku 61 deputetë në Kuvend, si dhe të sigurohet shumicë e Badenterit – përkatësisht së paku 20 vota “pro” nga gjithsej 39 deputetë që i përkasin komuniteteve që nuk janë shumicë.

The post Faton Selami propozohet për Avokat të Popullit appeared first on Telegrafi.

VLEN: Ministrat e BDI-së e kanë nënvlerësuar gjuhën shqipe, ajo kohë ka përfunduar

31 July 2025 at 13:33

VLEN i është përgjigjur akuzave të BDI-së në lidhje me respektimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve nga Qeveria e RMV-së. Nga VLEN thonë se akuzat e BDI-së janë hipokrozi, pasi siç theksojnë, BDI ka qenë arkitekti i viteve të heshtjes institucionale për gjuhën shqipe.

“E vërteta është kjo: BDI nuk ka asnjë të drejtë morale të flasë për përdorimin e gjuhës shqipe. Në kohën e tyre, gjuha shqipe ishte e pranishme vetëm në premtime, në ndërkohë që komunikimi ndërinstitucional dhe dokumentet zyrtare funksiononin vetëm në një gjuhë, maqedonisht”.

“Sot, falë qeverisjes së re dhe përkushtimit të zyrtarëve shqiptarë brenda VLEN, gjuha shqipe është prezente në çdo vendim qeveritar, në çdo dokument të rëndësishëm dhe në çdo proces të komunikimit brenda institucional. Dëshmi konkrete për këtë janë këto konkluza nga seancat qeveritare, ua sjellim një shembull si ai i 3 korrikut 2025, të cilin e publikojmë në dy gjuhë zyrtare dhe me përkthim të plotë”.

“Në kohën e BDI-së, këto dokumente nuk ekzistonin në shqip. Sot ekzistojnë. Në kohën e BDI-së, përdorimi i shqipes simulohej. Sot, është realitet institucional.
Ne veprojmë. Ne zbatojmë ligjin. Ne e përdorim gjuhën shqipe me dinjitet, jo për marketing, por për barazi”, thonë nga VLEN./Telegrafi/

The post VLEN: Ministrat e BDI-së e kanë nënvlerësuar gjuhën shqipe, ajo kohë ka përfunduar appeared first on Telegrafi.

Izet Mexhiti konfirmon kandidaturën për Komunën e Çairit: Çdo herë kam qenë fitues

31 July 2025 at 11:53

Zv.kryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, në intervistë për “Euronews Albania” konfirmoi se do të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN.

Ai tha se çdo herë që ka garuar në Çair, ka dalë fitues, ndërsa në këto zgjedhje pret konfirmim të fitores së VLEN-it, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Po, do të kandidoj, do të jem kandidat për kryetar komune të Komunës së Çairit. Jam kryetari i parë i Çairit që kam qenë në detyrë për 13 vjet. Kam qenë zëvendëskryeministër i parë për gati një vit tani, por vlerësimet dhe analizat e koalicionit VLEN na kanë çuar në përfundimin se duhet të kandidoj përsëri për Komunën e Çairit”, tha Mexhiti.

Ai shtoi se gara do të jetë e hapur, por është i bindur në fitoren e koalicionit VLEN.

“Garë është garë. Nuk dua të jem tepër i sigurt, por sa herë që kam kandiduar për Çair kam dalë fitues, dhe këtë herë fituesi do të jetë VLEN”, tha Mexhiti.

Ndryshe, Izet Mexhiti në zgjedhjet lokale për Çairin përballë do të ketë Bujar Osmanin nga BDI, i cili ditë më parë gjithashtu konfirmoi kandidaturën për kryetar të kësaj komune./Telegrafi/

 

 

The post Izet Mexhiti konfirmon kandidaturën për Komunën e Çairit: Çdo herë kam qenë fitues appeared first on Telegrafi.

Do të ndërtohet park përkujtimor për viktimat në Spitalin Modular në Tetovë

30 July 2025 at 11:44

Sot në Spitalin Klinik të Tetovës është shënuar fillimi i ndërtimit të parkut përkujtimor, për nder të viktimave në zjarrin tragjik në Spitalin Modular. Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, tha se ky park është i vonuar dhe se tani nuk e bëjnë për t’u dukur ose për zbukurim.

“Sot fillojmë ndërtimin e një kujtese kolektive, të vonuar por të domosdoshme. Katër vite më parë ndodhi tragjedia që nuk guxon të harrohet. Dhe institucionet heshtën, nuk vepruan dhe zgjodhën të mos shohën. Ky projekt nuk është për t’u dukur, as për zbukurim, është përgjegjësia e vonuar që një sistem duhet ta kishte dhënë që në fillim”, tha Aliu.

Ndërsa zv.kryeministri Arben Fetai, tha se si qeveri zotohen se do të bëjnë përpjekje për të sjellë drejtësi për rastet si ai në Spitalin Modular, në Llaskarcë dhe rastit “Besa Trans”.

“Sot e kësaj dite nuk ka drejtësi për viktimat për familjarët e tyre, njëjtë siç nuk ka drejtësi për viktimat në rastet e tjera. Drejtësia e vonuar është padrejtësi. Më 8 shtator bëhen katër vite nga tragjedia në Tetovë dhe institucionet ende nuk kanë sjellur drejtësinë në vend. Si qeveri zotohemi se do të bëjmë përpjekjet maksimale për të sjellë drejtësinë për tragjedinë e Tetovës, si dhe për rastet e Llaskarcës dhe autobusit në Bullgari”, tha mes tjerash Fetai.

Ndryshe, në zjarrin tragjik në Spitalin Modular që shpërtheu më 8 shtator të vitit 2021, ndërruan jetë 14 persona. Për zjarrin tragjik Prokuroria ngriti aktakuza ndaj ish-drejtorit mjekësor të Spitalit të Tetovës, Florin Besimi, ish-drejtorit ekononmik Artan Etemi, mjekut përgjegjës për kovid-qendrën Boban Vuçevski, si dhe Spitalit të Tetovës si person juridik./Telegrafi/

The post Do të ndërtohet park përkujtimor për viktimat në Spitalin Modular në Tetovë appeared first on Telegrafi.

Maqedonia e Veriut do të hap konsullatë të përgjithshme në Korçë

29 July 2025 at 19:45

Qeveria, me propozim të Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, mori vendim për hapjen e një konsullate të përgjithshme në Korçë, me juridiksion në të gjithë rajonin.

Nga Qeveria thonë se qytetarët duhet të kenë shërbime të shpejta dhe efikase, si dhe mbështetje për lidhjet kulturore, arsimore dhe ekonomike.

“Qeveria vazhdon me masa dhe politika konkrete të cilat kanë ta konfirmojnë kujdesin e vërtetë për përmirësimin e standardit dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në institucione”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

The post Maqedonia e Veriut do të hap konsullatë të përgjithshme në Korçë appeared first on Telegrafi.

Trendafilov: Askush nuk duhet t’u tregojë qytetarëve se çka të hanë dhe të pinë, por t’u mundësojnë kushte të mira dhe paga të larta

29 July 2025 at 18:00

“Askush nuk guxon të merr të drejtën t’i paragjykojë dhe t’iu thotë qytetarët se çfarë ju nevojitet, por duhet t’u sigurojë kushte të mira dhe paga të larta. Askush edhe në komunizëm nuk guxonte t’u tregonte punëtorëve se çfarë, kur dhe sa duhet të hanin dhe të pinin. Mendoj se ky është një hap shumë i gabuar dhe se në vend që të mashtrojnë publikun dhe të sulmojnë LSM-në për vlerën e shportës, duhej të kenë rritur pagat”, tha kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM) Sllobodan Trendafilov në lidhje me seancën e nesërme të Këshillit ekonomiko-social (KES) ku siç është paralajmëruar, do të prezantohet shporta mesatare e konsumit.

Trendafilov sot në konferencën për shtyp, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve porositi që Qeverisë, nëse i pengon shporta mesatare sindikale, të krijojë dhe një shportë qeveritare, si dhe “të hap bufe qeveritare si meze për punëtoret”.

“Do të doja të dëgjonim si sindikatë dhe punëtorë cila është strategjia e Qeverisë duke krijuar një shportë e cila do të na tregojë se çfarë duhet të blejmë dhe si duhet t’i ushqejmë familjet tona me paga kaq të mjerueshme. Askush nuk guxon të merr të drejtën t’i paragjykojë dhe t’iu thotë qytetarët se çfarë ju nevojitet, por përkundrazi duhet t’u mundësohet atyre kushte të mira dhe paga të larta në mënyrë që ata të mund të përballojnë të gjitha kushtet që u nevojiten, por jo më themeloret. Shporta minimale sindikale nuk tregon se çfarë na duhet për të mbijetuar, por përkundrazi u tregon kreatorëve të politikës se nuk mund të jetojmë as me kaq. Nëse kjo ju pengon, mund të krijojnë shportat e tyre, por do t’u duhet të krijojnë edhe një shportë qeveritare dhe të hapin bufe qeveritare si mensë për punëtorët”. theksoi Trendafilov.

Ai përsëriti qëndrimin e LSM-së, se shporta minimale sindikale është i vetmi operacion statistikor që tregon se si jetojnë njerëzit në Maqedoni.

“Shporta minimale sindikale tregon nëse mund të përballojmë produktet ushqimore dhe kushtet më themelore për jetesë. Ajo që duan të bëjnë është sipas të gjitha gjasave, të thonë se sa i nevojitet një personi sot për ushqim, ku mund të shkojë për të blerë atë ushqim, edhe pse do të ketë pension të ulët, pagën minimale më të ulët, ndërsa të mos flasim se dhe në sektorin publik ka gjithashtu paga të ulëta dhe në sektorin privat shtesë, në këtë mënyrë janë varfëruar punonjësit. Nëse doni ta bëni këtë, askush nuk guxote të merr të drejtën t’i paragjykojë dhe t’iu thotë qytetarët se çfarë të hanin dhe të pinin, kur dhe sa të hajnë. Mendoj se ky është një hap shumë i gabuar dhe se në vend që të mashtrojnë publikun dhe të sulmojnë LSM-në për vlerën e shportës, duhet të kenë rritur pagat në mënyrë që askush të mos flasë për vlerën e shportës, as për nevojën për një, tre apo pesë shporta për një person, për dy, për një çift të ri të martuar, për pensionistët”, nënvizoi Trendafilovi.

Më herët ai informoi se LSM-ja e ka marrë vendimin për përfaqësimin, si dhe se në seancën e nesërme të Këshillit ekonomiko-social (KES) do të kërkojë pagën minimale prej 500 eurosh dhe rritje shtesë prej 6.000 denarë për të gjitha pagat e tjera.

The post Trendafilov: Askush nuk duhet t’u tregojë qytetarëve se çka të hanë dhe të pinë, por t’u mundësojnë kushte të mira dhe paga të larta appeared first on Telegrafi.

Deri më 15 shtator, të gjitha automjetet zyrtare duhet të kenë targa me ngjyrë

29 July 2025 at 17:36

Të gjitha institucionet shtetërore dhe personat juridikë publikë kanë obligim që më së voni deri më 15 shtator të vitit 2025, t’i zëvendësojnë targat e automjeteve zyrtare me targa të reja speciale, me ngjyrë.

Nga Qeveria thonë se me vendimin e sotëm, rritet transparenca.

“Qeveria, në seancën e saj të 97-të të mbajtur sot, mori vendim që të gjitha institucionet shtetërore të ndryshojnë targat e automjeteve zyrtare me targat e reja me ngjyrë, më së voni deri më 15 shtator 2025. Ky vendim është një tjetër premtim i realizuar ndaj qytetarëve, me qëllim rritjen e llogaridhënies, transparencës dhe dhënien fund të keqpërdorimeve që kanë qenë praktikë në të kaluarën”, thonë nga Qeveria.

The post Deri më 15 shtator, të gjitha automjetet zyrtare duhet të kenë targa me ngjyrë appeared first on Telegrafi.

Ndryshime në Ligjin për policinë, policët që dënohen për vepra penale nuk do të largohen nga vendi i punës

29 July 2025 at 15:39

Sot në Kuvend, ndër të tjera, në rend të ditës do të jenë edhe ndryshimet në Ligjin për Punë të Brendshme dhe Ligjin për Policinë.

Më kontestuesi në këto ndryshime është Neni 19 i Ligjit për policinë, i cili po fshihet në tërësi.

“Një oficer policie të cilit i ndalohet me vendim të formës së prerë të kryejë detyra të caktuara nga punësimi i tij ose nëse i është shqiptuar një masë mbrojtëse ose sigurie, për shkak të së cilës nuk mund të kryejë detyra për më shumë se gjashtë muaj ose do të duhet të mungojë nga puna për më shumë se gjashtë muaj për shkak të vuajtjes së dënimit me burg, punësimi i tij në Polici do të ndërpritet në ditën e dorëzimit të vendimit të formës së prerë. Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës sipas paragrafit 1 të këtij neni merret nga Ministri”, thuhet në artikull në versionin e tij aktual.

Me fshirjen e këtij neni, sanksionimi në mënyrë efektive fshihet, d.m.th. në realitet mund të nënkuptojë që edhe nëse një oficer policie dënohet ligjërisht për një krim, ai mund të kthehet në punë pas vuajtjes së dënimit.

Duke e fshirë këtë nen dhe duke mos e zëvendësuar atë me një tjetër, do të thotë se nuk ka bazë ligjore që një oficer policie të pushohet nga puna, edhe nëse ai është dënuar ligjërisht dhe i ndalohet të kryejë një aktivitet të caktuar.

The post Ndryshime në Ligjin për policinë, policët që dënohen për vepra penale nuk do të largohen nga vendi i punës appeared first on Telegrafi.

Rreth 200 ushtarë ndihmojnë në shuarjen e zjarreve në gjashtë komuna në RMV

28 July 2025 at 22:50

Rreth 200 pjesëtarë të Ushtrisë janë angazhuar sot në shuarjen e zjarreve aktive që kanë përfshirë disa rajone në Maqedoni.

Sipas informacioneve nga Ushtria, ushtarët po veprojnë në komunat Makedonski Brod, Radovish, Vasilevë, Kratovë, Kriva Palankë dhe Shtip.

Angazhimi u krye me kërkesë të institucioneve kompetente, si pjesë e përpjekjeve të koordinuara për t’u përballur me situatën serioze të zjarreve që ka përfshirë vendin.

Nga Ushtria njoftuan se pjesëtarët e forcave të armatosura janë përfshirë në mënyrë aktive në ndërhyrjet në terren, duke ndihmuar forcat lokale me burime dhe kapacitete njerëzore.

The post Rreth 200 ushtarë ndihmojnë në shuarjen e zjarreve në gjashtë komuna në RMV appeared first on Telegrafi.

Shukova: Shkupit duhet të jetë qytet i qytetarëve, me gjelbërim, i pastër dhe transport publik funksional

28 July 2025 at 21:39

Kandidatja për kryetare të Shkupit nga radhët e LSDM-së, Kaja Shukova, prezantoi vizionin e saj për kryeqytetin, duke theksuar se fokusi do të jetë në higjienën efikase komunale, transportin publik modern dhe luftën kundër kaosit urban.

“Shkupi duhet të jetë një qytet i qytetarëve – i gjelbër, me transport publik efikas dhe me higjienën si përparësi numër një. Ne si parti, dhe unë personalisht, do të ofrojmë zgjidhje të përshtatshme për të gjitha këto probleme”, tha Shikova.

Ajo njoftoi koncept të ri për menaxhimin e mbeturinave, i cili do të përfshijë një zgjidhje dixhitale për monitorimin e gjendjes së kontejnerëve.

“Duhet të blihen pajisje të reja, dhe më pas softuer që do të ofrojë informacion – cilët kontejnerë janë të mbushur dhe cilët jo. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi mbledhje të rregullt dhe efikase të mbeturinave”, tha Shukova.

Lidhur me transportin publik, ajo mbështeti vendosjen e sistemit BRT si një zgjidhje të nevojshme që, sipas saj, “duhet të rikthehet në tryezë”.

Lidhur me ndotjen, ajo theksoi se nevojitet bashkëpunim me qytetarët dhe identifikimi i burimeve kryesore të problemit.

“Do të jem e zëshme për gjithçka që është në interes të qytetarëve. Ne duhet të jemi të zëshëm për të bërë ndryshime. Njerëzit janë të etur për të ndihmuar – ne vetëm duhet t’i organizojmë ata dhe t’u japim atyre mundësinë”, shtoi ajo.

The post Shukova: Shkupit duhet të jetë qytet i qytetarëve, me gjelbërim, i pastër dhe transport publik funksional appeared first on Telegrafi.

Shtetasi i Serbisë u kap me targa të falsifikuara të automjetit, Prokuroria nis procedurë hetuese

28 July 2025 at 19:45

Prokuroria Themelore Publike e Gjevgjelisë nisi procedurë kundër një shtetasi të Republikës së Serbisë, i dyshuar për vepër penale “falsifikim i dokumentit”.

Më 24 korrik, i dyshuari po drejtonte një Volkswagen Polo me targa italiane të falsifikuara në rrugën rajonale Gjevgjeli – Bogdanci.

“Oficerët e policisë pranë kryqëzimit të Gjavatës i dhanë shenjë të ndalonte për të kryer kontroll të rregullt. Megjithatë, i dyshuari nuk u ndal, por përshpejtoi automjetin, dhe oficerët e policisë e ndoqën. Në vendin e quajtur “Karp” ai la makinën dhe iku, por u gjet pak kohë më vonë. Policia përcaktoi se i dyshuari nuk posedonte leje drejtimi ose ndonjë dokumentacion tjetër për të përcaktuar origjinën e automjetit, ndërsa targat i përkasin një automjeti tjetër”.

“Me propozim të prokurorit publik, një gjykatës i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Gjevgjeli i urdhëroi të dyshuarit të mbahet në paraburgim për tetë ditë”, thonë nga Prokuroria.

The post Shtetasi i Serbisë u kap me targa të falsifikuara të automjetit, Prokuroria nis procedurë hetuese appeared first on Telegrafi.

Sindikata e Gazetarëve në Maqedoninë e Veriut solidarizohet me civilët dhe gazetarët në Gaza

28 July 2025 at 19:15

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias në Maqedoninë e Veriut (SPGPM) ka shprehur nëpërmjet një letre të hapur solidaritet me civilët, gazetarët dhe punonjësit e medias në Gaza.

Në letrën drejtuar kryeministrit, ministrit të jashtëm, deputetëve, në një kohë kur bota po përjeton një nga katastrofat më të mëdha humanitare, SPGM ka shprehur solidaritet me civilët në Gaza, si dhe me kolegët e saj – gazetarë dhe punonjës të medias, “të cilët pavarësisht kushteve të tmerrshme, po përpiqen të bëjnë punën e tyre dhe pavarësisht faktit se po vdesin çdo ditë, për të cilat nuk ka asnjë reagim vendimtar nga publiku botëror”.

“Fatkeqësisht, Maqedonia e Veriut ka treguar përmbajtje që nuk duhet të jetë karakteristikë e një shteti social dhe të ndershëm që vetë lufton për respektimin e të drejtave të njeriut të qytetarëve të saj”, thuhet në letrën ku është kërkuar nga institucionet kompetente shtetërore të përdorin të gjitha instrumentet e tyre diplomatike, të reagojnë dhe të ndihmojnë në parandalimin e katastrofës humanitare me përmasa të papara që ka ndodhur në Gaza për më shumë se një e gjysmë vjet.

SPGM shprehu besimin se Maqedonia e Veriut nuk duhet të heshtë për gjenocidin dhe fshehjen e të vërtetës, ku në Gaza deri më tani kanë humbur jetën më shumë se 230 gazetarë dhe punonjës të mediave.

“Ata gazetarë që mbijetuan janë në një pikë kolapsi fizik që i pengon ata të kryejnë detyrën e tyre – të transmetojnë imazhe dhe informacione nga vendi i një katastrofe humanitare të paparë. Në të njëjtën kohë, Izraeli po ndalon gjithashtu hyrjen e gazetarëve të huaj, gjë që errëson më tej pamjen e asaj që po ndodh në Rripin e Gazës”, thuhet në letër.

“Ne kërkojmë që Maqedonia e Veriut të mbështesë publikisht dhe zyrtarisht pezullimin e marrëveshjes midis BE-së dhe Izraelit, evakuimin e menjëhershëm të atyre që janë në rrezik të menjëhershëm për jetën e tyre, kërkesat ndërkombëtare për lejen e gazetarëve të huaj për të hyrë në Rripin e Gazës, mbrojtjen e gazetarëve vendas dhe bashkimin me thirrjet për një hetim ndërkombëtar mbi urinë sistematike si krim lufte”, thekson letra më tej.

SPGM tha se me anë të kësaj letre i bashkohet reagimit të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ) dhe Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), si dhe shumë sindikatave dhe shoqatave të tjera kombëtare të gazetarëve që tashmë i kanë dërguar një apel Bashkimit Evropian (BE) dhe autoriteteve kombëtare, duke i kërkuar BE-së të rishikojë qëndrimin e saj ndaj Izraelit.

“Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve të medias i inkurajon autoritetet maqedonase të bashkohen me reagimin e përgjithshëm botëror dhe të ndihmojnë në parandalimin e krimeve të luftës në fillim të shekullit të 21-të”, përfundon letra.

The post Sindikata e Gazetarëve në Maqedoninë e Veriut solidarizohet me civilët dhe gazetarët në Gaza appeared first on Telegrafi.

❌
❌