Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 August 2025Main stream

Zjarr i madh në Sllovi të Lipjanit, rrezikohen shtëpitë

9 August 2025 at 18:27

Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e sotme fshatin Sllovi të Lipjanit, duke rrezikuar banesat në zonë.

Ekipet e zjarrfikësve janë në terren dhe po punojnë për shuarjen e flakëve, si dhe për parandalimin e përhapjes së tyre në drejtim të shtëpive.

Tymi i dendur është parë nga disa kilometra larg, ndërsa autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje mbi shkakun e zjarrit apo dëmet e mundshme.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 23 vatra zjarri, nga të cilat 11 janë ende aktive, ndërsa 12 janë lokalizuar dhe janë nën kontroll.

Sipas raportit të fundit nga Qendrat Operative 112 dhe Qendra Operative e Agjencisë, situata po menaxhohet në mënyrë të koordinuar me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, të cilët janë angazhuar intensivisht për të lokalizuar dhe shuar zjarret.

Agjencia ka apeluar për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke i ftuar ata të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshuar në numrat emergjentë 112, 193, 192.

“Të gjithë qytetarët janë ftuar të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndërmarrin masa parandaluese për të shmangur shpërthimin e zjarreve. Çdo vatër zjarri duhet raportuar menjëherë në numrat 112, 193, 192”, thuhet tutje në njoftimin e tyre./Telegrafi/

The post Zjarr i madh në Sllovi të Lipjanit, rrezikohen shtëpitë appeared first on Telegrafi.

Kur do të thirret seanca e radhës konstituive – këto janë kushtet që duhet përmbushur

9 August 2025 at 18:10

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të rikthehen në ulëset e tyre për të vijuar me seancën konstituive vetëm pasi aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese të publikohet zyrtarisht në faqen e saj.

Kanë kaluar tashmë dy javë që nga ndërprerja e përpjekjeve për konstituimin e legjislativit të nëntë, pas masës së përkohshëm të Kushtetueses, e cila ndalonte çdo veprim parlamentar në këtë drejtim deri më 8 gusht.

Sipas vendimit të fundit të shpallur më 8 gusht, deputetët tani kanë në dispozicion 30 ditë për të përmbyllur procesin e konstituimit. Gjatë kësaj periudhe, kryesuesi i seancës ka të drejtë të thërrasë mbledhje të Kuvendit çdo 48 orë, apo edhe më shpesh në përpjekje për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, si parakusht për funksionalizimin e tij dhe votimi do të jetë në mënyrë të hapur.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se afati i ri për konstituimin e Kuvendit fillon vetëm pasi të jenë përmbushur tri kushte: publikimi i Aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, shpallja e tij në Fletoren Zyrtare dhe përfundimi i afatit të masës së përkohshme. Ai beson se vazhdimi i seancës së re, e pesëdhjetë e pesta, do të thirret shumë shpejt.

Baraliu thekson se që nga momenti i hyrjes në fuqi të aktgjykimit, fillon të rrjedhë afati 30-ditor i përcaktuar nga Kushtetuesja, brenda të cilit mund të thirren seanca çdo 48 orë ose edhe më shpesh, në varësi të rrethanave dhe mundësive teknike.

Sipas Baraliut, juridikisht është thelbësore që vendimi të shpallet në mënyrë zyrtare, pasi masa e përkohshme mbetet në fuqi derisa kjo të ndodhë.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu vlerëson si urgjente publikimin sa më të shpejtë të vendimit në Fletoren Zyrtare.

“Pikërisht atëherë kur publikohet aktgjykimi i plotë, kur shpallet në fletoren zyrtare dhe kur kalon afati i masës të përkohshme zyrtare, kur të përmbushen këto kushte, atëherë fillon rrjedhë afati i ri prej 30 ditësh. Dhe brenda atij afati mund të vazhdojnë aktivitetet e tyre për vendime dhe veprime anëtarët e kuvendit, gjegjësisht deputetët…Varet prej rrethanave dhe mundësive teknike. Përndryshe, ajo çka është me rëndësi juridike është që vendimi duhet të shpallen në fletoren zyrtare. Gjykata Kushtetuese ka thënë që masa e përkohshme ende vazhdon, derisa nuk shpallet. Rrjedhimisht, kjo nënkupton që pasi të shpallet në faqen zyrtare vendimi hyn në fuqi dhe mund të zbatohet, rrjedhimisht fillon edhe afati përkatës prej 30 ditësh të tjera të cilin e ka caktuar me aktgjykim kjo gjykatë kushtetuese. Në atë afat fillojnë të rrjedhin edhe afatet 48-orëshe. Brenda tyre munden edhe tri orë, dy orë, çdo pesë minuta, mund të bëjnë ata episode deputetët të seancës konstituive dhe të vazhdojnë ta konsistojnë kuvendin…Besoj që shumë shpejt del vendimi në Fletoren Zyrtare, sepse është shumë emergjente kjo punë, duhet të bëhet shpejt”, tha Baraliu për KosovaPress.

Krahas kësaj, njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, thekson se veprimet e para të partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, tregojnë mungesë gatishmërie për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Siç thotë ai, LVV-ja duhet të reflektojë patjetër, veçanërisht pas këtij vendimi.

“Gjykata me këtë vendim që nxori në pika të shkurtra tregoi se cila është rruga e ditur për të konstituuar Kuvendin. Mendoj që asnjëra prej subjekteve politike, me theks të veçantë LVV-ja, nëse nuk e ka për qëllim rrënimin e këtij sistemi demokratik që e kemi dhe nëse nuk e ka për qëllim dëmtimin e shtetit të Kosovës, do të duhej patjetër që të reflektonte pas publikimit të aktgjykimit. Dhe këtë 30 ditshin e afatit të ripërsëritur tashmë për të tretën herë, do të duhej ta shfrytëzonte për të krijuar institucionet dhe për të ecur tutje. Ka qenë shqetësuese reagimi i djeshëm i tyre në kor, i asaj pjesës së propagandës së tyre, por edhe qëndrimi zyrtar i LVV-së ku atakon Gjykatën Kushtetuese dhe shpreh mospajtim me vendimin që e ka nxjerrë”, thotë Jashari.

Jashari potencon se reagimet e para të LVV-së pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese janë skeptike, ndërsa mbetet të shihet se si do të zhvillohet situata në lidhje me aktgjykimin.

“Nëse i shohim reagimet fillestare, duket se LVV-ja nuk është e gatshme ta zbatojë diçka që është mandatare e që vjen me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, përfillja e procedurave për konstituimin e kuvendit ose hapja rrugë për konstituimin e kuvendit pa pjesëmarrjen e tyre. Reagimet fillestare janë skeptike, megjithëse do të ri-konfirmohej përsëri se LVV-ja nuk e njeh këtë sistem juridik dhe duket sikur ky sistem demokracie nuk i bie ‘tamam’ atyre për faktin që vazhdimisht e sulmojnë sistemin e drejtësisë sa herë që atyre nuk iu konvenon… Mbetet për të parë se si do të sillet situata rreth vendimit të aktgjykimit. Por, reagimet e para nga LVV-ja tashmë është bërë e zakonshme që të jenë zhgënjyese”, tha Jashari.

Ndërkaq, avokati Ardian Bajraktari konsideron se e dispozitivi i fundit i Aktgjykimit të Kushtetueses, i publikuar më 8 gusht, është shumë më i qartë se ai paraprak.

Sipas tij, në këtë aktgjykim sqarohet se kryesuesi teknik ka ndërmarrë veprime në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e punës së Kuvendit. Për tejkalimin e kësaj situate, Bajraktari kërkon reflektim nga subjekti politik fitues.

“Dispozitivi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese i publikuar dje është shumë më i qartë sesa ai paraprak dhe përmes këtij qartësohet fakti se kryesuesi teknik ka ndërmarrë veprime në shpërputhje me aktgjykimin me kushtetutën dhe rregulloren e punës së kuvendit. Për tejkalimin e kësaj situate kërkohet reflektim në të fazë të procesit, para së gjithash, nga subjekti politik fitues. Për më tepër, po ashtu, qartësohet se e drejta e subjektit politik fitues për t’u propozuar kandidati nuk është absolute, por ka kufizime”, thotë Bajraktari.

Bajraktari thekson se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Ai shton se, edhe pse mund të ketë diskutime mbi përmbajtjen e aktgjykimeve, në fund të fundit ato duhet të respektohen dhe zbatohen.

“Sa i përket çështjes se a do të zbatohet ose jo vendimi. Natyrisht, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme që të zbatohen nga ana e akterëve, të cilët iu adresohet. Diskutimet mund të bëhen përkitazi me aktgjykimet, por në instancë të fundit ato duhet të zbatohen pasi është jashtëzakonisht shqetësuese mos zbatimi eventual i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, tha Bajraktari.

Gjykata Kushtetuese tha të premten, më 8 gusht, se deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur. Po ashtu, gjykata vendosi që një kandidaturë për kryeparlamentar të votohet vetëm tri herë dhe se konstituimi i legjislaturës së nëntë duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.

Në vendimin e publikuar, Kushtetuesja tha se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

Sipas vendimit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

The post Kur do të thirret seanca e radhës konstituive – këto janë kushtet që duhet përmbushur appeared first on Telegrafi.

Jo vetëm për turizëm, Shqipëria po bëhet destinacion edhe për dasma

9 August 2025 at 17:57

Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të ri dhe të preferuar për çiftet e huaja që duan të kurorëzojnë dashurinë në mënyrë të veçantë.

Nga bregdeti magjepsës i jugut, deri te kalatë mesjetare e fshatrat piktoreske, vendi ofron një sfond unik për dasma që kombinojnë natyrën, historinë dhe mikpritjen tradicionale.

Arkitektja Juliana Osmënaj, e cila prej shumë vitesh merret me organizimin e këtyre eventeve thotë se prej më shumë se katër vitesh, Shqipëria është futur në hartën e “weddings destination”.

“Rasti na ka çuar me çiftet e përziera, pra kur njëri nga bashkëshortët ishte i huaj dhe duke parë këtë kënaqësinë që kur të huajt vinin këtu kishin edhe me zakonet tona të damave, lindi ideja që ta reklamonim si një ‘destination weddings’. Duke parë kërkesën që pati, avash-avash shkoi në projekte konkrete dhe tani mund të them që është trefishuar si kërkesa ashtu edhe konkretizimi i këtyre dasmave”.

Sipas Osmënajt, çiftet e huaja që zgjedhin Shqipërinë si vend për t’u martuar janë kryesisht nga Europa Veriore.

“Gjermani, Angli, vendet nordike, madje edhe nga Australia e Largët kemi pasur kërkesa. Normalisht duke qenë se është një dasmë me destinacion, vetë ata i ftojnë miqtë e tyre, por jo të gjithë janë në gjendje që të vijnë. Në përgjithësi variojnë në 50 persona, ka edhe me 30, ka edhe 80, më të rralla janë në 100”./Tv Klan

The post Jo vetëm për turizëm, Shqipëria po bëhet destinacion edhe për dasma appeared first on Telegrafi.

Kurti prezanton kandidatët e LVV për komunat e veriut

9 August 2025 at 17:05

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar sot kandidatët e LVV për kryetarë të tri komunave veriore në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në Leposaviq, LVV ka rikandiduar Lulzim Hetemin, i cili kërkon një mandat të dytë pas atij aktual. Për Zubin Potok, kandidati i Vetëvendosjes do të jetë Vedat Mehmeti, ndërsa për Zveçan, Fetah Peci.

Kurti tha se këta kandidatë përfaqësojnë vizionin e partisë për zhvillim, drejtësi dhe barazi për çdo qytetar, duke theksuar se në veri do të vazhdohet ndërtimi i institucioneve funksionale dhe sjellja e investimeve që ndikojnë në jetën e përditshme të banorëve.

Në prezantim morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm Alim Rama, Koordinatori i Qendrave dhe deputeti Salih Zyba, si dhe deputetët Armend Muja, Agim Bahtiri dhe Arjeta Fejza, të cilët riafirmuan mbështetjen e plotë për kandidatët.

“E ardhmja e veriut do të shkruhet me punë, vizion dhe me fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje”, u tha në njoftimin e subjektit.

The post Kurti prezanton kandidatët e LVV për komunat e veriut appeared first on Telegrafi.

Dërgoi armë e municion në Itali, kapet 30-vjeçari nga Malësia e Madhe

9 August 2025 at 16:54

Policia e Shtetit ka arrestuar një shtetas me inicialet F.M. (30) nga Malësia e Madhe, si pjesë e operacioni për goditjen e trafikimit të armëve.

Operacioni u zhvillua nga policia e Lezhës në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale Shkodër dhe GdF italiane, në koordinim me Interpol Tiranën dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës italiane në Shqipëri.

Shtetasi F.M. kishte dërguar pesë armë zjarri dhe një sasi municioni luftarak në Itali kundrejt fitimit financiar.

Në pranga u vunë gjithashtu edhe dy shtetas të tjerë, drejtues të një mikrobusi për transport udhëtarësh, në bagazhet e të cilit u gjetën armët dhe municioni luftarak, të cilat janë konfiskuar.

Sekuestrimi u bë në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë, ku u ndalua mikrobusi i nisur nga Shqipëria me destinacion Italinë, i drejtuar nga shtetasit E. M. dhe A. D. Të dy këta shtetas janë shoqëruar nga policia italiane për veprime të mëtejshme, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale ndaj shtetasit F. M. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për trafikim i armëve dhe municioneve luftarake.

The post Dërgoi armë e municion në Itali, kapet 30-vjeçari nga Malësia e Madhe appeared first on Telegrafi.

Musliu komenton reagimin e Ministrisë serbe të Drejtësisë për rastin Popoviq: Piskamë e pafuqisë së Serbisë për të ndërhyrë në Kosovë

9 August 2025 at 16:36

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, reagon ndaj deklaratës së Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, e cila pretendon se pranimi i fajësisë nga Igor Popoviq është bërë nën presion.

Musliu thekson se Popoviq ka pranuar fajësinë në një seancë të hapur, të monitoruar edhe nga mediat, ku publikisht është pajtuar me deklaratën e përfaqësuesit të tij ligjor dhe marrëveshjen me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas tij, pretendimet e Serbisë janë “të pavërteta dhe një piskamë e pafuqisë për të ndërhyrë në vendimet sovrane e demokratike të institucioneve të Republikës së Kosovës”.

“Deklarata e Ministrisë së Drejtësisë e Serbisë se pranimi i fajësisë nga ana e Igor Popoviq është bërë nën presion është sa e pavërtetë aq edhe një piskamë e pafuqisë së Serbisë për të ndërhyrë në vendimet sovrane dhe demokratike të institucioneve të Republikës së Kosovës”, shtoi Musliu.

The post Musliu komenton reagimin e Ministrisë serbe të Drejtësisë për rastin Popoviq: Piskamë e pafuqisë së Serbisë për të ndërhyrë në Kosovë appeared first on Telegrafi.

Rinovimet në spitalin e Ferizajt ndikojnë në kushte më të mira për punë

8 August 2025 at 23:43

Rinovimet e fundit në spitalin e Ferizajt po vlerësohen se kanë ndikuar që të krijohen kushte më të mira për punë. Ndonëse investimet janë mirëpritur edhe nga pacientët e kësaj komune, si zgjidhje më e mirë shihet ndërtimi i një objekti të ri.

Ndonëse me një objekt të vjetruar dhe me hapësirë të kufizuar, personeli i Spitalit të Ferizajt, në baza ditore ofron shërbime të shumta për qytetarët. Madje së fundi ka rinovuar hapësirat e repartit të gjinekologjisë, duke krijuar kushte optimale për punë. Këtë projekt e ka vlerësuar stafi i repartit duke vëne në dukje se janë krijuar kushte për punë profesionale.

“Është një repart i cili ka ndryshuar komplet. Ndryshimet janë pozitive sa që po vërehen si në punën tonë profesionale si mjekë po ashtu edhe tek pacientët. Falënderojmë menaxheret e Spitalit dhe të SHSKUK-së në Prishtinë që kanë ndihmuar që ky spital të ketë pajisjet e duhura mjekësore, në këtë rast dy ultrazëra të rinj, e veçanërisht duhet theksohet me pajisjet me ajrin medicinal të cilat janë nëpër sallat operative”, tha Minire Alilaj, shefe e repartit të Gjinekologjisë.

Se ky investim është tejet i qëlluar e kanë thënë edhe pacientët, teksa e kanë çmuar punën e stafit në ofrimin e shërbimeve profesionale.

“Realisht duke u nisur nga kuptimi që kujdesi shëndetësor luan rol jashtëzakonisht shumë të madh për pacientët, sigurisht që edhe renovimi në institucionet shëndetësore luan një rol të madh për neve si pacient”, tha Albulena Lecaj Mema, paciente.

Drejtuesit e Spitalit në Ferizaj kanë çmuar lart përkrahjen nga SHSKUK-ja, në realizmin e kërkesave për furnizim me pajisje shëndetësore.

“Gjithë ky investim bëhet në koordinim me spitalin e përgjithshëm e me shefat e njësive. Qëllimi është që sado kudo të bëhet një komoditet dhe të rritet cilësia dhe normal të zgjerohet gama e shërbimeve mjekësore që ofron Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj më këto kapacitete që i ka, si në atë hapësinore ashtu edhe të resurseve njerëzore”, tha Fikret Arifi, ud i drejtorit të spitalit të Ferizaj.

Kohë më parë në këtë spital janë rinovuar reparti i pediatrisë dhe sallat operative të kirurgjisë. Ndonëse investimeve të dukshme, problemin përfundimisht do ta zgjidhte vazhdimi i projektit të spitalit të ri cili prej vitesh ka mbetur në mëshirën e kohës.

The post Rinovimet në spitalin e Ferizajt ndikojnë në kushte më të mira për punë appeared first on Telegrafi.

Po gjuante derrin e egër në Berat, 53-vjeçari vret nga pakujdesia bashkëfshatarin

8 August 2025 at 23:29

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Bogdan në Berat.

Një 57-vjeçar ka gjetur vdekjen, pasi është qëlluar nga bashkëfshatari i tij 53 vjeç.

Të dy kanë qenë duke ruajtur prej disa netësh parcelat me misër që i dëmtonin derrat, kur në përpjekje për të gjuajtur derrin, 53-vjeçari Dhimitër Kuqi ka gjuajtur aksidentalisht bashkëfshatarin e tij Adriatik Toska, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme, shkruan A2.

Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, që po kryejnë edhe veprimet e para hetimore për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që autori është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Beratit.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 21:00, në fshatin Bogdan, Berat, shtetasi Th. K., 53 vjeç, banues në fshatin Bogdan, dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu me qëllim për të vrarë një kafshë të egër dhe nga pakujdesia ka plagosur shtetasin A. T., 57 vjeç, i cili si pasojë e plagës së marrë ka ndërruar jetë në spital.

Shtetasi Th. K, është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor ndodhet ne vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.

The post Po gjuante derrin e egër në Berat, 53-vjeçari vret nga pakujdesia bashkëfshatarin appeared first on Telegrafi.

Rruga B në Prishtinë shndërrohet në galeri arti për “Meeting of Styles Kosova 2025”

8 August 2025 at 23:23

Rruga B sonte u kthye në galeri të hapur ku mbi 100 artistë nga 29 shtete sollën ngjyra, energji dhe mesazhe që flasin me murin.

Duke filluar nga sonte, për tri ditë me radhë, Rruga B në Prishtinë kthehet në një galeri të hapur në kuadër të edicionit të 9-të të Festivalit Ndërkombëtar të Grafitit “Meeting of Styles Kosova”, një nga ngjarjet me ndikimin më të madh kulturor e social në vend që nga viti 2017.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama tha se kur arti del në rrugë, qyteti merr frymë ndryshe.

“Meetings of Styles e ktheu Prishtinën në pikë takimi të stilit urban, bashkëpunimit dhe kreativitetit ndërkombëtar. Krenar që Kryeqyteti është shtëpia e këtij manifestimi kaq të fuqishëm artistik dhe kulturor”, ka shkruar Rama.

Nën moton “Kauza e Zgjedhur”, festivali bashkon 100 artistë nga 29 shtete, të cilët po krijojnë murale dhe instalacione artistike që pasqyrojnë ndikimin e zgjedhjeve personale në të ardhmen kolektive. Vepra të fuqishme me mesazhe empatie, shprese dhe dashurie po transformojnë hapësirën publike në një vend takimi e reflektimi.

“Tema ‘Kauza e Zgjedhur’ na fton të shohim nga brenda jashtë, të ndërtojmë mbi empatinë dhe të kontribuojmë për një të ardhme më humane për të gjithë. Përmes artit, bashkëpunimit dhe dashurisë për jetën, e bëjmë këtë të mundur”, theksojnë organizatorët nga Q’art – Qendra për Zhvillimin e Artit.

Më poshtë u sjellim fotot e realizuara nga fotografi i Telegrafit, Korab Basha.

 

The post Rruga B në Prishtinë shndërrohet në galeri arti për “Meeting of Styles Kosova 2025” appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 8 August 2025Main stream

Qorrolli për vendimin e Kushtetueses: Ndërhyrje brutale në kompetencat e Kuvendit të Kosovës

8 August 2025 at 21:55

Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje të paprecedent në punën e Kuvendit të Kosovës.

Në emisionin special në TV Dukagjini, Qorrolli ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar kompetencat e saj kushtetuese dhe ka cenuar autonominë funksionale të pushtetit legjislativ.

“Për arsye shumë të thjesht që është edhe kushtetuese, edhe juridike edhe logjike. Sepse sot në gjënë që ka shpallur gjykata Kushtuese, që nënkupton dispozitivin e një aktgjykimi, Gjykata ka marrë një veprim që në përmbajtje e tij juridike dhe pasojën institucionale që do ta prodhojë përben tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe njëkohësisht cenim të autonomisë funksionale të Kuvendit, si pushtet legjislativ”.

“D.m.th. kjo është një ndërhyrje brutalisht e kodifikuar e Gjykatës Kushtetuese në kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Zakonisht laikët në demokracitë e brishta thonë që po ndërhynë politike në gjyqësor. Ky është rasti më eklatant në demokracinë e reja të Evropës postkomuniste, të 35 viteve të fundit që gjyqësori ndërhynë në kompetencat e pushtetit legjislativ…”, ka thënë Qorrolli.

The post Qorrolli për vendimin e Kushtetueses: Ndërhyrje brutale në kompetencat e Kuvendit të Kosovës appeared first on Telegrafi.

“Zgjohen” zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 7 vatra janë ende aktive

8 August 2025 at 21:41

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë orëve të fundit janë evidentuar gjithsej 13 vatra zjarri në disa qarqe të vendit, nga të cilat 6 janë shuar plotësisht, ndërsa 7 vatra vijojnë të jenë aktive.

Situata paraqitet më problematike në zona me terren të vështirë malor dhe bimësi të dendur, ku ndërhyrja nga toka është e kufizuar dhe operacionet ajrore janë thelbësore.

Forcat zjarrfikëse, shërbimet pyjore dhe mjetet ajrore vendase dhe ndërkombëtare janë angazhuar intensivisht për izolimin dhe shuarjen e flakëve, duke shmangur deri më tani rrezikun për banesat dhe jetët njerëzore.

Aktualisht, janë aktive vatrat në:

Qarku Vlorë – Fshatin Navaricë, zjarri është spostuar në drejtim të malit mbi fshat. Në fshatin Leshnicë e Poshtme pas punës dhe ndërhyrjen nga ajri është shmangur rreziku për banesat. Në mbështetje të forcave në terren operuan helikopteri i Forcës Ajrore dhe dy avionët Fireboss, të ardhur nga Suedia, të cilët kryen 44(2×22) hedhje. Fshatin Tragjas, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë. Zjarri zhvillohet në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët. Në zonë po operojnë 17 efektivë nga MZSH Vlorë dhe 3 nga Shërbimi Pyjor. Momentalisht nuk ka rrezik për banesa.

Qarku Fier – Fshatin Lofkënd, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër. Nga angazhimi i forcave në terren dhe ndërhyrjes nga ajri është bërë i mundur izolimi i vatrës së zjarrit. Zjarri mbetet aktiv në dy vatra, në pjesën jugore dhe atë veriperëndimore. Në të dyja pikat është e pamundur operimi nga toka. Vijon puna për izolimin e vatrës së zjarrit me ndërhyrje nga ajri, ku operon avioni Kroat Canadair.

Qarku Lezhë – Fshatin Malaj Epërm, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë. Zjarri vijon të jetë aktiv në një sipërfaqe pyjore me pishë, lis, shkurre dhe bimësi të dendur, në një terren të vështirë dhe që nuk mundëson operimin me mjete ujë hedhëse. Në zonë po operojnë 33 forca operacionale nga strukturat vendore. Forcat po punojnë kryesisht në krijimin e brezave ndarës për pengimin e përhapjes së zjarrit. Sipërfaqja e përshkuar nga zjarri vlerësohet paraprakisht në 10 ha. Momentalisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Qarku Dibër – Vendin e quajtur ”Mali i Allushit”, fshati Plan i Bardhë, bashkia Klos, është riaktivizuar vatra e zjarrit të shuar ditë më parë. Zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk përbën rrezik për përhapje. Nuk ka rrezik për banesa.

Qarku Elbasan – Fshatin Lleshaj, njësia administrative Poroçan, bashkia Gramsh. Zjarri zhvillohet në një sipërfaqe pyjore me dushqe në një distancë të largët dhe terren i vështirë në kufi me bashkinë Përrenjas. Është punuar gjatë ditës dhe vatra e zjarrit është izoluar plotësisht. Vatra e zjarrit po mbahet në monitorim nga punonjës të Shërbimit Pyjor për mos riaktivizime të mundëshme.

Qarku Tiranë – Malin e Bërzhitës, njësia administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë. Zjarri zhvillohet në një sipërfaqe me bimësi të dendur. Në terren po punojnë 15 forca nga MZSH Tiranë. Vijon puna për shuarjen e zjarrit. Nuk ka rrezik për banesa./Tv Klan

The post “Zgjohen” zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 7 vatra janë ende aktive appeared first on Telegrafi.

Çfarë vendosi Kushtetuesja për zgjedhjen e kryeparlamentarit?

8 August 2025 at 23:53

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar që kryetari i Kuvendit të zgjidhet përmes votimit të hapur, ndërsa i njëjti kandidat nuk mund të hidhet në votim më shumë se tri herë.

Po ashtu, konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga publikimi i aktgjykimit në Gazetën Zyrtare. Vendimi ka nxitur reagime të ndryshme nga spektri politik dhe institucional në vend.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia fituese e zgjedhjeve, e ka cilësuar këtë vendim si arbitrar dhe në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës. Ajo akuzoi Gjykatën për ndërhyrje flagrante në punët e Kuvendit dhe paralajmëroi rrezikun e “pushtetit juridik të pakontrolluar”.

LVV nuk ka bërë të qartë nëse do ta respektojë ose jo aktgjykimin.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e mirëpritën vendimin, duke e quajtur atë një fitore kushtetuese dhe demokratike.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi se vendimi konfirmon se VV-ja ka mbajtur peng Kuvendin, ndërsa LDK-ja e cilësoi sjelljen e VV-së si përpjekje të qëllimshme për kapje të institucionit më të lartë përfaqësues në vend.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) foli për një rrëzim të diktatit, ndërsa nga skena ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian dhe Ambasada Gjermane në Kosovë u kanë bërë thirrje partive që ta pranojnë vendimin dhe të gjejnë kompromise për të përfunduar sa më shpejt konstituimin e Kuvendit.

Ish-gjyqtarë të Kushtetueses, si Enver Hasani dhe Kadri Kryeziu, kanë theksuar disa paqartësi në aktgjykim, përfshirë mungesën e sanksioneve për moszbatim dhe përfshirjen e emrit të Avni Deharit në udhëzime, ndonëse ndaj tij ekziston dyshimi për shkelje kushtetuese.

Në një reagim të mëvonshëm deputetja e LVV Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka kritikuar edhe të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati.

“E nderuara zonja Prattipati,  nuk është mirë nëse i keni vizituar një ditë para se gjyqtarët e Kushtetueses të vetëposhtëroheshin me këtë njoftim për Aktgjykimin”, ka shkruar ajo në Facebook.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, në TV Dukagjini ka theksuar se për partinë e saj edhe vendimi i mëhershëm i Kushtetueses ka qenë “i qartë si loti”.

“Për PDK-në edhe vendimi i mëhershëm i Kushtetueses ka qenë i qartë si loti. Që nga seancë e parë, pas publikimit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, paraprak, ne në mënyrë të vazhdueshme i kemi bërë thirrje kryesuesit të seancës që të mos ta shkel Kushtetutën, mos ta shkel vendimin e Gjykatës Kushtetues.

Derisa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj ka deklaruar për Tv Dukagjinin se kjo parti nuk ka ndryshuar qëndrim dhe do të marrë pjesë në seancë për të ushtruar të drejtën e votës, por jo për të mbështetur kandidatin e Vetëvendosjes.

“Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim deri më tani, do të jemi në ulët tona dhe do të votim. Sepse kemi kërkuar të na jepet e drejta për të votuar, për ose kundër. Votë për VV-në nuk kemi si LDK”, ka shtuar Zogaj./Telegrafi/

The post Çfarë vendosi Kushtetuesja për zgjedhjen e kryeparlamentarit? appeared first on Telegrafi.

Deputetja e LVV-së, përfaqësueses amerikane: S’është mirë nëse e vizituat Kushtetuesen një ditë para njoftimit

8 August 2025 at 19:41

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka vazhduar me kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin për seancën konstituive të Kuvendit, duke përfshirë në komentet e saj edhe të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati.

Në një reagim publik, Kryeziu-Hyseni ka lënë të nënkuptohet se një takim i mundshëm mes Prattipatit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese një ditë para publikimit të njoftimit për aktgjykimin, ngrit pyetje për integritetin e procesit.

“E nderuara zonja Prattipati, nuk është mirë nëse i keni vizituar një ditë para se gjyqtarët e Kushtetueses të vetëposhtëroheshin me këtë njoftim për aktgjykimin”, ka shkruar deputetja.

Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kritike ndaj veprimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e akuzuar për tejkalim të kompetencave dhe ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit.

The post Deputetja e LVV-së, përfaqësueses amerikane: S’është mirë nëse e vizituat Kushtetuesen një ditë para njoftimit appeared first on Telegrafi.

Çitaku për vendimin e Kushtetueses: Jashtëzakonisht i qartë, si e zeza në të bardhë

8 August 2025 at 19:38

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përcaktuar që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet përmes votimit të hapur, me pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve dhe brenda afatit 30-ditor. Sipas vendimit të publikuar të premten, një kandidat i vetëm mund të votohet maksimumi tre herë, ndërsa të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme, pasi nuk është zbatuar aktgjykimi i 26 qershorit të këtij viti.

Për këtë ka folur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e cila në emisionin FIVE të Dukagjinit ka theksuar se për partinë e saj edhe vendimi i mëhershëm i Kushtetueses ka qenë “i qartë si loti”.

Ajo akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe kryesuesin e seancës, Avni Dehari, se kanë shpërfillur me vetëdije aktgjykimin e gjykatës të 26 qershorit dhe kanë devijuar nga rendi i ditës i dakorduar më 8 prill.

Kësaj radhe, vendimi i Kushtetueses është shumë i qartë, sipas Çitakut.

“Për PDK-në edhe vendimi i mëhershëm i Kushtetueses ka qenë i qartë si loti. Që nga seancë e parë, pas publikimit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, paraprak, ne në mënyrë të vazhdueshme i kemi bërë thirrje kryesuesit të seancës që të mos ta shkel Kushtetutën, mos ta shkel vendimin e Gjykatës Kushtetues. Dhe t’i kthehet rendit të ditës, të dakorduar me datën 8 prill, nga ish-kryetari zoti Konjufca dhe liderët e partive parlamentare. Për fat të keq, në mënyrë të vetëdijshme LVV-ja përmes kryesuesit Avni Dehari pati vendosur që të shpërfillë në plotni, aktgjykimin e Kushtetueses. Dhe filluan t’i japin një lloj interpretimi, ashtu siç i konvenonte botëkuptimit të tyre. Dhe u detyruam që sërish të dërgojmë pyetje shtese në gjykatë. Kësaj radhe është e zezë në të bardhë, jashtëzakonisht e qartë, pa asnjë lloj ambiguiteti që kryesuesi uzurpuar foltoren  Kuvendit, seancën plenare duke mos lejuar konstituimi. Vendimi i gjykatës sot e vulos atë që PDK-ja e ka thënë tash e disa muaj më zë të lartë…”, ka thënë Çitaku.

The post Çitaku për vendimin e Kushtetueses: Jashtëzakonisht i qartë, si e zeza në të bardhë appeared first on Telegrafi.

Edhe pas vendimit të Kushtetueses LDK-ja s’ndërron qëndrim, Zogaj: S’kemi votë për LVV-në

8 August 2025 at 19:05

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, ka folur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që urdhëron zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të hapur dhe brenda 30 ditëve. Sipas njoftimit, një kandidat i vetëm mund të votohet maksimumi tre herë.

Në një intervistë në FIVE të TV Dukagjinit, Zogaj ka thënë se respektimi i këtij aktgjykimi është thelbësor për ruajtjen e demokracisë në vend.

“Ne presim që të gjitha partitë politike ta respektojnë këtë aktgjykim. Është shumë e rëndësishme për demokracinë e vendit tonë që të respektohen aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Të njëjtën gjë e presim edhe kësaj radhe. I kemi parë disa reagime, po jo diçka zyrtare nga partia fituese e zgjedhjeve. Ftojmë që të respektohet ky aktgjykim, në të kundërtën në hyjmë në një cikël shumë të rrezikshëm për demokracinë e vendit. Pra tani gjithçka është e qartë, të kthemi në Kuvend, të propozohet kandidati për kryetar të Kuvendit dhe të votojmë të gjithë deputetët…”, ka thënë Zogaj.

Sipas Zogajt, LDK nuk ka ndryshuar qëndrim dhe do të marrë pjesë në seancë për të ushtruar të drejtën e votës, por jo për të mbështetur kandidatin e Vetëvendosjes.

“Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim deri më tani, do të jemi në ulët tona dhe do të votim. Sepse kemi kërkuar të na jepet e drejta për të votuar, për ose kundër. Votë për VV-në nuk kemi si LDK”, ka shtuar Zogaj.

The post Edhe pas vendimit të Kushtetueses LDK-ja s’ndërron qëndrim, Zogaj: S’kemi votë për LVV-në appeared first on Telegrafi.

LVV: Gjykata Kushtetuese po shpik rregulla dhe po ndikon politikisht në krizën kushtetuese

8 August 2025 at 17:49

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një devijim të rrezikshëm nga roli i saj kushtetues dhe si ndërhyrje flagrante në kompetencat e Kuvendit.

Sipas njoftimit të LVV-së, Gjykata ka tejkaluar mandatin e saj duke “shpikur norma të reja juridike” dhe duke “uzurpuar funksione që i takojnë ekskluzivisht Kuvendit të Kosovës”.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka të drejtë të krijojë rregulla të reja që nuk janë të përcaktuara as në Kushtetutë, as në Rregulloren e Kuvendit. Shpikja arbitrare e normave si ajo për kufizimin e propozimit të kandidatit për kryetar Kuvendi vetëm tri herë, është shembull i rrezikshëm i interpretimit që shkon përtej juridiksionit kushtetues”, thuhet në reagim.

VV ka shtuar se vendimi i Gjykatës ka përmasa politike dhe se cenon rëndë ndarjen e pushteteve.

“Kushtetutën e ndryshon vetëm Kuvendi ose referendumi, jo anëtarët e Gjykatës. Gjykata është kthyer në një organ jashtëkushtetues nëse vazhdon të prodhojë norma të reja.”

Në komunikatë kritikohet edhe përmendja e Kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, duke u cilësuar si “etiketim politik pa bazë juridike”, ndërsa vlerësohet se Gjykata po mban qëndrime të njëanshme në dëm të parimeve demokratike.

Lëvizja Vetëvendosje e përmbyll reagimin me paralajmërimin se po përballemi me një “pushtet juridik të pakontrolluar që sfidon vullnetin popullor dhe rendin kushtetues”.

The post LVV: Gjykata Kushtetuese po shpik rregulla dhe po ndikon politikisht në krizën kushtetuese appeared first on Telegrafi.

Kryeziu: Gjykata Kushtetuese do të trajtojë edhe çështje të tjera lidhur me krizën kushtetuese

8 August 2025 at 17:33

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se procesi i trajtimit të situatës kushtetuese në vend ende nuk ka përfunduar.

Ai ka bërë të ditur se Gjykata pritet të shqyrtojë edhe çështje të tjera të ngritura, përfshirë ato që lidhen me afatin 30-ditor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Në kanale private u informova që çështjet që kanë të bëjnë me pyetjet si të veprohet pas skadimit të afatit 30 ditor, Gjykata Kushtetuese do t’i trajtojë në vendimin e saj në lidhje me pyetjet që i ka shtruar Presidentja e Republikës. Pra, procesi nuk ka përfunduar”, ka shkruar Kryeziu.

Ai shtoi se mbetet të shpresohet që këto çështje do të marrin një trajtim të drejtë dhe gjithëpërfshirës nga ana e institucionit më të lartë kushtetues në vend.

The post Kryeziu: Gjykata Kushtetuese do të trajtojë edhe çështje të tjera lidhur me krizën kushtetuese appeared first on Telegrafi.

BE reagon pas vendimit të Kushtetueses: Zgjidheni kryetarin e Kuvendit, nuk ka më kohë për humbje

8 August 2025 at 17:18

Bashkimi Evropian ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila përcaktoi se Kuvendi duhet të zgjedhë kryetarin e ri përmes një procesi votimi të hapur dhe brenda afatit prej 30 ditësh.

Në deklaratën e BE-së thuhet se vendimi i Gjykatës ka dhënë sqarime të rëndësishme dhe se të gjitha partitë politike në Kuvendin e Kosovës duhet ta respektojnë këtë vendim dhe të gjejnë kompromisin e nevojshëm për të zgjedhur Kryetarin dhe Nënkryetarët e rinj të Kuvendit.

“BE-ja u bën thirrje të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës që t’i përmbahen këtij vendimi dhe të gjejnë kompromisin dhe shumicën e nevojshme për të ecur me shpejtësi me procesin e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe Zëvendëskryetarëve”.

“Nuk ka më kohë për t’u humbur në bllokadën politike”, thuhet në reagimin e BE-së, duke bërë thirrje për veprim të shpejtë dhe të bashkërenduar të forcave politike në funksion të rikthimit të normalitetit institucional./Telegrafi/

The post BE reagon pas vendimit të Kushtetueses: Zgjidheni kryetarin e Kuvendit, nuk ka më kohë për humbje appeared first on Telegrafi.

Arrestohet në Bërnjak një shtetas i Serbisë, iu gjeten 20 fishekë në veturë

7 August 2025 at 23:55

Një shtetas i Serbisë është arrestuar në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Bërnjak.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Policia kufitare në Bërnjak e ka ndalur një person i cili në veturë kishte 20 fishekë të kalibrit 9mm”, tha Elshani.

Elshani tutje u shpreh se pas arrestimit, i dyshuari, shtetas i Serbisë, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë./Telegrafi/

The post Arrestohet në Bërnjak një shtetas i Serbisë, iu gjeten 20 fishekë në veturë appeared first on Telegrafi.

LDK me qëndrim pro protestës, Haziri: UÇK-ja ishte ushtri çlirimtare

7 August 2025 at 23:40

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka përkrahur protestën e sotme të organizatave të dala nga lufta.

Haziri u shpreh se UÇK-ja ishte një ushtri çlirimtare, me një emblemë e një qëllim, për një Republikë të lirë.

“Një ushtri çlirimtare me një emblemë e me një qëllim, për një Republikë të lirë, të pavarur dhe të drejtë për të gjithë”, shkroi Haziri.

 

Një ushtri çlirimtare me një emblemë e me një qëllim, për një Republikë të lirë, të pavarur dhe të drejtë për të gjithë!

Posted by Lutfi Haziri on Thursday, August 7, 2025

The post LDK me qëndrim pro protestës, Haziri: UÇK-ja ishte ushtri çlirimtare appeared first on Telegrafi.

❌
❌