Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 15 August 2025Main stream

Liqeni mbi Akullnajën 79°N krijon çarje në shtresën e akullit të Groenlandës

15 August 2025 at 14:59

BREMEN, 15 gusht /ATSH-DPA/ – Një liqen me ujë të shkrirë ka krijuar çarje të thella në akullin e Groenlandës, sipas një studimi të ri shkencor.

Si rezultat, akullnaja 79°N po tregon shenjat e para të një destabilizimi më të madh, raportoi ekipi kërkimor nga Instituti Alfred Wegener (AWI) në qytetin verior gjerman të Bremerhaven, thuhet në studim.

Sipas shkencëtarëve, akulli i Groenlandës ka filluar të tërhiqet që nga mesi i viteve 1990, dhe vetëm tre gjurmë lundruese kanë mbetur. Njëra prej tyre është akullnaja 79°N.

Sasitë gjithnjë e më të mëdha të ujit të shkrirë po grumbullohen në sipërfaqen e kësaj akullnaje, duke krijuar një liqen me sipërfaqe rreth 21 kilometra katrorë.

Herë pas here, uji nga liqeni ka shpërthyer përmes akullit dhe është shkarkuar përmes çarjeve dhe boshllëqeve, duke lejuar sasi të mëdha uji të arrijnë buzën e gjuhës së akullnajës drejt oqeanit. Shkencëtarët kanë vëzhguar shtatë raste të tilla, katër prej të cilave në pesë vitet e fundit.

Që nga viti 2019, janë formuar fusha të dukshme çarjesh trekëndore, të cilat mbeten të dukshme për vite me radhë. Disa çarje krijojnë kanale me hapje disa dhjetëra metra të gjera, përmes të cilave uji arrin deri në bazën e shtresës së akullit.

Edhe pse çarjet dhe kanalet ndryshojnë me kalimin e kohës, ato vazhdojnë të ekzistojnë për një periudhë të gjatë.

Nuk dihet nëse akullnaja do të mund të rikthehet ndonjëherë në gjendjen e saj të mëparshme.

Ekipi kërkimor zbuloi se uji ka arritur nën akullnajë përmes çarjeve. Atje, ai është grumbulluar duke formuar një liqen nën tokë. Imazhet me radar tregojnë se mbi këtë liqen, nën akull, duket se është formuar një flluskë, e cila po e shtyn akullnajën lart në atë pikë. /Ad.Ab./

The post Liqeni mbi Akullnajën 79°N krijon çarje në shtresën e akullit të Groenlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINË – Të dhënat ekonomike zhgënjejnë, kërkohet mbështetje

15 August 2025 at 14:33

PEKIN, 15 gusht  /ATSH-DPA/ – Prodhimi industrial dhe rritja e shitjeve me pakicë në Kinë rezultuan më të dobëta se pritshmëritë në korrik, duke forcuar thirrjet për masa të mëtejshme mbështetëse për të zhvendosur ekonominë drejt konsumit.

Prodhimi industrial u rrit me 5,7% në krahasim me një vit më parë, nga 6,8% në qershor dhe nën parashikimin prej 5,9%, raportoi sot  Byroja Kombëtare e Statistikave. Edhe rritja e shitjeve me pakicë ra më shumë se sa pritej, duke u ngjitur me 3, 7% nga 4,8% në qershor, duke humbur parashikimin e ekonomistëve prej 4.6%.

Investimet në asete fikse gjatë periudhës janar–korrik u rritën vetëm me 1,6% krahasuar me një vit më parë, më ngadalë se rritja 2,8% e gjashtëmujorit të parë dhe poshtë pritjes prej 2,7%. Investimet në sektorin e pasurive të paluajtshme ranë ndjeshëm, me 12%. Ndërkohë, norma e papunësisë urbane u rrit në 5,2% në korrik nga 5% në qershor.

“Politikëbërësit kinezë vazhdojnë të mbajnë një qasje fleksibël dhe mbështetëse”, tha ekonomistja e ING, Lynn Song. “Me  shumë gjasa do të ketë më shumë masa mbështetëse në muajt e ardhshëm, dhe Kina mbetet në rrugën e duhur për të arritur objektivin e rritjes këtë vit”.

Tensionet tregtare mes SHBA-së dhe Kinës janë zbutur disi. Pas raundeve të mëparshme të tarifave të larta ,145% mbi mallrat kineze nga SHBA –ja dhe 125% mbi mallrat amerikane nga Kina, të dyja palët ranë dakord në maj për një ulje të përkohshme: tarifat amerikane për importet kineze zbritën në 30% dhe ato kineze për mallrat amerikane në 10%, për tre muaj. /Ad.Ab./

 

The post KINË – Të dhënat ekonomike zhgënjejnë, kërkohet mbështetje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Lavrov provokon duke veshur bluzën me mbishkrimin CCCP

15 August 2025 at 13:44

ALASKE, 15 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tërhoqi vëmendjen me veshjen e tij sapo mbërriti në Alaskë për takimin mes SHBA–së dhe Rusisë.

Lavrov, i cili ka shërbyer si diplomati kryesor i Rusisë për dy dekada, kishte veshur një bluzë sportive të bardhë me mbishkrimin “CCCP”, (shkurtimi në gjuhën ruse për ish-Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike), poshtë një jeleku.

Mediet ruse spekuluan nëse kjo zgjedhje ishte një mënyrë për të ironizuar mikpritësit amerikanë në territorin e tyre apo për të dërguar një sinjal të drejtpërdrejtë ndaj ish-republikave sovjetike.

Ukraina, të cilën Rusia e pushtoi në shkurt 2022, ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 1991.

Lufta e nisur nga Moska do të jetë një nga temat kryesore të bisedimeve të takimit SHBA-Rusi sot në Alaskë.

Pavarësisht qëllimit, zgjedhja e 75-vjeçarit është në trend, pasi veshjet me mbishkrime të epokës sovjetike janë bërë të modës në Moskën e sotme.

Takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin është planifikuar të fillojë në orën 21:30 në bazën ushtarake “Elmendorf–Richardson”, pranë Anchorage. /Ad.Ab./

The post SOFT NEWS – Lavrov provokon duke veshur bluzën me mbishkrimin CCCP appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN- Merz: Presidenti Putin të marrë seriozisht takimin në Alaskë

15 August 2025 at 12:40

BERLIN, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin të hyjë seriozisht në negociata përpara takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump në Alaskë.

“Ne presim që presidenti Putin ta marrë seriozisht ofertën e presidentit Trump për bisedime dhe të hyjë në negociata me Ukrainën pa parakushte pas takimit në Alaskë”, tha sot në një deklaratë kancelari Merz.

Më shumë se tre vjet pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, që shkelte të drejtën ndërkombëtare, Moska tani ka një mundësi të bjerë dakord për një armëpushim dhe t’i japë fund luftimeve, tha Merz.

Sipas tij, Trump mund të ndërmarrë “një hap të rëndësishëm drejt paqes” në bisedimet që do të zhvillohen sot  në Anchorage.

Merz theksoi se Ukraina duhet të marrë pjesë në çdo takim të mëvonshëm. “Aty duhet të arrihet një armëpushim”, tha ai, duke shtuar se çështjet territoriale mund të vendosen vetëm me pëlqimin e palës ukrainase.

Kancelari iu referua idesë së një shkëmbimi të mundshëm territorial të përmendur nga Trump dhe tha se do të mbetet në kontakt me presidentin amerikan për këtë çështje.

Takimi në një bazë ajrore pranë qytetit Anchorage është i pari midis Trump dhe Putin që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022. Trump shpreson të arrijë një fund të luftës, megjithëse deri tani Putin nuk ka treguar shenja të tërheqjes. /Ad.Ab./

The post BERLIN- Merz: Presidenti Putin të marrë seriozisht takimin në Alaskë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANCHORAGE – Lavrov: Rusia me qëndrim të qartë për Ukrainën në samitin SHBA – Rusi

15 August 2025 at 10:26

ANCHORAGE, 15 gusht  /ATSH- DPA/- Rusia po hyn në bisedimet me Shtetet e Bashkuara në Alaskë me një qëndrim “të qartë dhe të kuptueshëm”, deklaroi ministri i Jashtëm Sergei Lavrov pas mbërritjes në Anchorage .

Lavrov tha se një pjesë e madhe e përgatitjeve për takimin e sotëm mes presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump u bë gjatë vizitës së të dërguarit amerikan Steve Witkoff në Moskë javën e kaluar, duke shprehur shpresën për të vazhduar atë që e quajti një “bisedë të dobishme”.

“E dimë që kemi argumente, një qëndrim të qartë dhe të kuptueshëm. Do t’i paraqesim ato”, shtoi Lavrov  në një deklaratë për kanalin shtetëror”Russia-24

Trump ka thënë se do të nxisë arritjen e armëpushimit  në Ukrainë dhe dhënien fund luftës. Putin, i cili urdhëroi pushtimin e plotë në shkurt 2022, deri tani nuk ka treguar shenja të tërheqjes.

Takimi mes dy liderëve është planifikuar të fillojë në orën 11:30 sipas orës lokale (19:30 GMT) në bazën ushtarake “Elmendorf–Richardson”, pranë Anchorage.

Vendndodhja ka simbolikë të fortë; në pikën më të afërt, Alaska ndodhet vetëm disa kilometra larg Rusisë përtej Ngushticës së Beringut. SHBA-ja e bleu Alaskën nga Perandoria Ruse në vitin 1867. /Ad.Ab./

The post ANCHORAGE – Lavrov: Rusia me qëndrim të qartë për Ukrainën në samitin SHBA – Rusi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Trump pro lejimit të gazetarve në Rripin e Gazës

15 August 2025 at 09:42

UASHINGTON, 15 gusht /ATSH-DPA/  – Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh mbrëmë në favor të lejimit nga Izraeli të hyrjes së gazetarëve në Rripin e Gazës.

I pyetur nëse do t’i bënte presion Izraelit që të lejojë gazetarët të shkojnë në Gazë për të raportuar mbi përpjekjet humanitare të Uashingtonit në territorin e shkatërruar nga lufta, presidenti amerikan tha seë  “do të donte ta shihte këtë të ndodhte. Do të isha plotësisht dakord që gazetarët të hynin atje”.

“Është një pozicion shumë i rrezikshëm për t’u gjendur, siç e dini, nëse je gazetar, por unë do të doja ta shihja këtë”, shtoi Trump.

Javën e kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se i kishte urdhëruar forcat e armatosura të lejonin më shumë gazetarë të huaj të hynin në Rripin e Gazës, duke u thënë gazetarëve në Jerusalem se mediat duhet të shohin përpjekjet e Izraelit për të lejuar ndihmën humanitare të arrijë tek popullsia e Gazës.

Që nga fillimi i luftës në Gazë, gazetarët e huaj kanë mundur të hyjnë vetëm si pjesë e ekipeve të ushtrisë izraelite duke parë vetëm disa zona të caktuara, ndërsa raportimi në terren ka mbetur kryesisht në dorë të gazetarëve vendas. Ende nuk është e qartë nëse udhëzimi i Netanyahut sinjalizon një ndryshim real të kësaj praktike.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, të paktën 230 gazetarë dhe punonjës mediatikë janë vrarë në Gaza që nga fillimi i konfliktit, 22 muaj më parë. /Ad.Ab./

The post UASHINGTON – Trump pro lejimit të gazetarve në Rripin e Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

GJENEVË – Nuk ka ende marrëveshje në bisedimet kundër ndotjes nga plastika

14 August 2025 at 16:06

GJENEVË, 14 gusht /ATSH/ – Negociatat për një traktat global për t’i dhënë fund ndotjes nga plastika po i afrohen fundit, ndërsa vendet mbeten “të bllokuara” nëse duhet të trajtohet apo jo rritja e vrullshme e prodhimit të plastikës, sipas “AP”-së.

Një draft i traktatit, i publikuar sot, nuk do të kufizonte prodhimin e plastikës dhe as nuk do të merrej me kimikatet e përdorura në produktet plastike. Në vend të kësaj, ai fokusohet në propozime për të cilat ka dakordësi të gjerë, si zvogëlimi i numrit të produkteve problematike plastike që shpesh përfundojnë në mjedis dhe janë të vështira për t’u ricikluar, promovimi i ridizenjimit të produkteve plastike në mënyrë që ato të riciklohen e ripërdoren, si dhe përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve.

Drafti u kërkon vendeve të marrin angazhime për t’i dhënë fund ndotjes nga plastika, por pa vendosur rregulla globale, juridikisht detyruese.

Një draft i ri pritet të publikohet të enjten pasdite, ndërsa bisedimet,  ku marrin pjesë përfaqësues nga 184 vende dhe mbi 600 organizata, pritet të përfundojnë të premten.

Andreas Bjelland Eriksen, ministri norvegjez për klimën dhe mjedisin, tha se teksti aktual është i papranueshëm dhe se përfaqësuesit e vendit të tij nuk do të largohen nga Gjeneva me “çfarëdo traktati”.

Norvegjia po ndihmon në drejtimin e një koalicioni vendesh të quajtur Koalicioni me Ambicie të Lartë, që kërkon një qasje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund ndotjes nga plastika, duke përfshirë edhe uljen e prodhimit.

“Do të jemi fleksibël, por njëkohësisht ambiciozë në qëndrimet tona, dhe do të punojmë çdo orë që na ka mbetur për ta çuar këtë drejt një përfundimi pozitiv, sepse botës i duhet një traktat për plastikën tani”, tha ai.

Eriksen shtoi se do të mbetet “me kujdes optimist” deri në momentin e fundit.

Çdo vit, bota prodhon mbi 400 milionë ton plastikë të re, dhe kjo shifër mund të rritet me rreth 70 % deri në vitin 2040 nëse nuk ndryshojnë politikat. Rreth 100 vende duan të kufizojnë prodhimin si dhe të merren me pastrimin dhe riciklimin. Shumë prej tyre kanë thënë se është thelbësore të trajtohen edhe kimikatet toksike. /Ad.Ab./

The post GJENEVË – Nuk ka ende marrëveshje në bisedimet kundër ndotjes nga plastika appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Starmer & Zelensky: Zgjidhje e fortë për paqe përpara takimit SHBA-Rusi

14 August 2025 at 15:44

LONDËR, 14 gusht /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thanë se ekziston “zgjidhje e fortë” për paqe në Ukrainë dhe një mundësi reale për armëpushim, përpara takimi të pritshëm mes Donald Trump dhe Vladimir Putin.

Të dy udhëheqësit shprehën optimizëm të kujdesshëm për mundësinë e një armëpushimi, duke theksuar se kjo varet nga veprimet e Putinit për të treguar seriozitet në ndalimin e luftës. Zelensky shtoi se diskutimet përfshinë garancitë e sigurisë që do ta bënin çdo marrëveshje të qëndrueshme nëse SHBA-ja bind Rusinë të ndalojë luftën.

Starmer priti presidentin Zelensky për një mëngjes privat në “Downing Street”, ndërsa Evropa pret me vëmendje takimin mes presidentëve amerikane dhe rusë në Alaska.

Gjatë takimit, Starmer dhe Zelensky ranë dakord për të mbajtur kontakte të ngushta ditët e ardhshme. Zelensky tha se diskutimet ishin “të mira” dhe “produktive” dhe i kërkoi Britanisë së Madhe të bashkohej me iniciativën “PURL” të NATO-s për të siguruar armë për Kievin.

Starmer theksoi gatishmërinë  e Britanisë për të mbështetur një forcë paqeruajtëse pas ndalimit të armiqësive dhe për të rritur presionin mbi Rusinë, përfshirë masa ekonomike dhe sanksione shtesë nëse është e nevojshme. /Ad.Ab./

 

The post BM – Starmer & Zelensky: Zgjidhje e fortë për paqe përpara takimit SHBA-Rusi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – OKB: Fraksionet siriane, sulme ‘të përhapura dhe sistematike’ ndaj civilëve

14 August 2025 at 14:36

BEJRUT 14 gusht /ATSH/ – Një komision i mbështetur nga OKB-ja, që hetoi dhunën sektare në bregun e Sirisë në fillim të këtij viti, zbuloi se ka pasur “dhunë të përhapur dhe sistematike” ndaj civilëve nga disa fraksione të lidhura me qeverinë, por nuk gjeti prova se kjo ishte e urdhëruar nga qeveria qendrore, sipas “AP”-së.

Një raport i publikuar sot nga Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit për Sirinë shqyrtoi dhunën mes grupeve të armatosura të lidhura me ish-presidentin sirian Bashar Assad dhe forcave të sigurisë së qeverisë së re në mars. Më pas ajo u përshkallëzua në sulme hakmarrëse sektare dhe masakra që çuan në vrasjen e qindra civilëve nga minoriteti fetar alavit, pjesë e të cilit është edhe vetë Assad.

Aktet e dhunës ndodhën disa muaj pasi Assadi u rrëzua nga pushteti në një ofensivë të shpejtë të rebelëve në dhjetor dhe në një kohë kur sundimtarët e rinj të vendit po përpiqeshin të konsolidonin pushtetin.

Komisioni përmendi disa fraksione të lidhura me qeverinë, anëtarët e të cilave dyshohet se morën pjesë në “vrasje pa gjyq, tortura dhe trajtime çnjerëzore kryesisht ndaj popullsisë civile të fshatrave dhe lagjeve me shumicë alavite, në një mënyrë që ishte si e përhapur, ashtu edhe sistematike” gjatë dhunës bregdetare.

Megjithatë, raporti theksonte se komisioni “nuk gjeti prova për një politikë ose plan qeveritar për të kryer këto sulme”.

Po ashtu u zbulua se grupet e armatosura pro-Assad kishin kryer “akte që ka shumë gjasa të përbëjnë krime, përfshirë krime lufte” gjatë dhunës. /Ad.Ab./

 

The post SIRI – OKB: Fraksionet siriane, sulme ‘të përhapura dhe sistematike’ ndaj civilëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Kremlini zbulon orarin e  takimit Putin-Trump në Alaskë

14 August 2025 at 12:56

MOSKË, 14 gusht  /ATSH-DPA/ – Kremlini konfirmoi sot orarin e takimit të shumëpritur midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump në Alaskë, ku  bisedimet pritet të nisin nesër rreth orës 11:30 të mëngjesit  (20:30  me oren tonë).

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës do të jetë në krye të axhendës, sipas këshilltarit për politikën e jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov, të cituar nga agjencitë ruse të lajmeve.

Trump dhe Putin do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp pas konsultimeve. Përveç Ushakovit në delegacionin e nivelit të lartë rus do të jenë ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, ministri  i Mbrojtjes Andrey Belousov, ministr i  Financave Anton Siluanov dhe kryenegociatori i Kremlinit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kirill Dmitriev.

Takimi do të mbahet në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Anchorage, qyteti më i madh i Alaskës, dhe do të jetë përballja e parë mes dy udhëheqësve që nga marrja e detyrës nga Trump në janar dhe që nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës nga Putini në shkurt 2022.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe aleatët e tij evropianë po e ndjekin me shqetësim rezultatin e takimit, mes frikës se bisedimet mund të çojnë në një marrëveshje për lëshime territoriale ndaj Rusisë, të cilat Kievi i ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike. /Ad.Ab./

 

The post RUSI – Kremlini zbulon orarin e  takimit Putin-Trump në Alaskë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Zelensky mbërrin në Londër, takohet me Starmer  

14 August 2025 at 11:59

LONDËR, 14 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, mbërriti sot në Londër dhe u prit nga kryeministri Keir Starmer, ndërkohë që Evropa po përgatitet për  takimin mes Donald Trump me Vladimir Putin nesër në Alaska.

Presidenti ukrainas dhe Starmer u përqafuan dhe pozuan përpara kamerave me një shtrëngim duarsh teksa mbërriti në Westminster, ndërsa gazetarët e pranishëm bënin pyetje.

Takimi i kryeministrit britanik me Volodymyr Zelensky vjen pasi ai tha se Britania e Madhe ishte e gatshme të rriste presionin ndaj Rusisë nëse ishte e nevojshme.

Ndërkohë, Trump kërcënoi Rusinë me “pasoja të rënda” nëse udhëheqësi i saj refuzon armëpushimin.

Gjatë një telefonate dje me presidentin amerikan dhe aleatët evropianë, Starmer vlerësoi  Trump për punën e tij për të sjellë një mundësi “të realizueshme” për t’i dhënë fund luftës.

Kryeministri britanik tha se mund të vendosen sanksione të tjera ndaj Rusisë nëse Kremlini nuk ka pranuar të angazhohet, dhe Britania e Madhe është tashmë duke punuar për paketën e radhës të masave kundër Moskës.

“Është e rëndësishme t’u kujtojmë kolegëve se jemi gati të rrisim presionin ndaj Rusisë, veçanërisht ndaj ekonomisë së saj, me sanksione dhe masa të tjera më të gjera sipas nevojës”, u tha Starmer aleatëve. /Ad.Ab./

 

The post BM – Zelensky mbërrin në Londër, takohet me Starmer   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Mbështetje prej 500 milionë dollarësh për Ukrainën

14 August 2025 at 10:15

BERLIN, 14 gusht /ATSH/ – Gjermania planifikon të financojë 500 milionë dollarë si mbështjeje për pajisje ushtarake dhe municione për Ukrainën, të blera nga SHBA-ja, njoftoi sot NATO, sipas “The Guardian”.

Shefi i aleancës, Mark Rutte, e përgëzoi Gjermaninë për vendimin, duke thënë se “kjo dërgesë do ta ndihmojë Ukrainën të mbrohet nga agresioni rus”.

Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes së Gjermanisë njoftuan  se ndihma fokusohet në pajisje të tilla si “aftësi kritike të mbrojtjes ajrore” kundër sulmeve ajrore ruse, të cilat “po vrasin gjithnjë e më shumë civilë në mbarë Ukrainën”.

Lëvizja e Gjermanisë erdhi ndërkohë që Donald Trump tha se do të kishte “pasoja shumë të rënda” nëse Vladimir Putin nuk binte dakord të ndalte luftën e tij në Ukrainë pas samitit midis presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë në Alaskë këtë të premte.

Komentet e presidentit amerikan erdhën pas një takimi virtual me liderët evropianë, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili u tha pjesëmarrësve se  presidenti Putin “po bën blof” kur flet për kërkimin e paqes.

“Ai po përpiqet të ushtrojë presion përpara takimit në Alaskë përgjatë të gjithë vijës së frontit në Ukrainë”,  tha Zelenskyy, mes një ofensive të fortë nga forcat ruse në lindje të Ukrainës ditët e fundit.

“Rusia po përpiqet të tregojë se mund ta pushtojë të gjithë Ukrainën”, shtoi ai.

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se liderët kishin një diskutim “konstruktiv dhe të mirë” me presidentin Trump. /Ad.Ab./

 

 

The post GJERMANI – Mbështetje prej 500 milionë dollarësh për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BEOGRAD- Sërish përleshje të dhunshme gjatë protestave kundër qeverisë në Serbi

14 August 2025 at 09:26

BEOGRAD,  14 gusht /ATSH-DPA/ – Përleshje të dhunshme shpërthyen mbrëmë gjatë protestave kundër qeverisë në Serbi.

Vetëm në qytetin verior të Novi Sadit, 64 civilë dhe pesë oficerë të policisë ushtarakë u plagosën gjatë përleshjeve pranë selisë së Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Në shumë qytete dhe fshatra, protestuesit u përleshën me policinë dhe me mbështetësit e qeverisë. Në Beograd dhe Novi Sad, përkrahës të qeverisë hodhën fishekzjarre kundër protestuesve, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës.

Protestat, që vazhdojnë prej më shumë se nëntë muajsh, nisën pas shembjes së çatisë së një stacioni hekurudhor të sapo rinovuar në Novi Sad, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Ekspertë të pavarur dhe politikanë të opozitës fajësuan për tragjedinë neglizhencën dhe korrupsionin sistematik në adminsitratë. Protestuesit e kanë quajtur qeverinë të korruptuar dhe autoritare, duke kërkuar zgjedhje të reja.

Tensionet u rritën pas sulmeve të djeshme të mbështetësve të SNS-së ndaj protestuesve kundër qeverisë në qytetet veriore Vrbas dhe Baçka Palanka të martën, pa ndërhyrje të policisë.

Si reagim, u organizuan protesta në 30 zona të ndryshme  me marshime drejt selive të SNS-së. Aty, protestuesit u përballën me kordonë policie dhe mbështetës të partisë.  /Ad.Ab./

The post BEOGRAD- Sërish përleshje të dhunshme gjatë protestave kundër qeverisë në Serbi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Guardian”: Vala vdekjeprurëse e të nxehtit nxit zjarret në Mesdhe

13 August 2025 at 15:40

MADRID, 13 gusht /ATSH/ – Vala vdekjeprurëse e të nxehtit që po nxit zjarret në rajonin e Mesdheut ka marrë të paktën tre jetë dhe ka detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, sipas “The Guardan”.

Zjarrfikësit vazhdojnë sot të luftojnë me flakët, ndërkohë, që  autoritetet po përgatitën për dëme të tjera, pasi temperaturat në disa zona u rritën ndjeshëm mbi 40°Celcius.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se vala e të nxehtit që po prek pjesë të mëdha të Evropës po krijon kushte ideale për zjarre dhe është një tjetër kujtesë për emergjencën klimatike.

“Falë ndryshimeve klimatike, ne tani jetojmë në një botë dukshëm më të ngrohtë”, tha Akshay Deoras, studiues në departamentin e meteorologjisë të Universitetit të Reading, duke shtuar se “shumë ende e nënvlerësojnë rrezikun”.

Zjarri në “Tres Cantos”, pranë Madridit, i nxitur nga erëra prej 70 km/h dhe që ka përpirë 1 000 hektarë tokë, ende nuk ishte nën kontroll dje në mbrëmje, kur priteshin sërish erëra të forta.  /Ad.Ab./

 

 

The post “Guardian”: Vala vdekjeprurëse e të nxehtit nxit zjarret në Mesdhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BULLGARI – Ekipet e shpëtimit përballen me zjarret në malin Pirin  

13 August 2025 at 14:47

SOFJE, 13 gusht /ATSH-BTA/ – Operacionet e shuarjes së zjarrit në malin Pirin në Bullgari po vazhdojnë edhe sot, ku ekipet e shpëtimit po përpiqen të frenojnë flakët që tashmë kanë arritur kufijtë e parkut kombëtar dhe kanë dëmtuar midis 4 dhe 6 hektarë territor të mbrojtur.

Ekspertët e mjedisit paralajmërojnë se humbjet e biodiversitetin mund të jenë të pakthyeshme.

Situata mbetet e vështirë dhe shumë dinamike. Zjarri është përhapur në zona malore të vështira për t’u arritur, ku dhjetëra roje pyjore, zjarrfikës ushtarakë dhe vullnetarë të trajnuar po punojnë në terren. Kushtet janë të vështira, pasi terreni e komplikon operacionin.

Pritet që sot të përdoret ndihma nga ajri për të mbështetur ekipet e shpëtimit. Pasditen e djeshme, erërat e forta e kthyen zjarrin nga një djegie në nivel toke në një zjarr kurorash, duke prodhuar tym të dendur që detyroi evakuimin emergjent të personelit nga zona e prekur.

Aktualisht, zjarri është kthyer në një gjendje me intensitet të ulët dhe nuk pritet të përhapet më tej.

Sipas vlerësimeve fillestare, sipërfaqja e djegur brenda parkut përfshin 4-6 hektarë.

“Përpjekjet për shuarjen e zjarrit mbi fshatin Ilindenci vazhdojnë pasi flakët janë rindezur në zonë. Për arsye sigurie, ekipet tokësore janë tërhequr”, tha Valentin Vassilev, shefi i zjarrfikësve të Blagoevgradit. /Ad.Ab./

 

The post BULLGARI – Ekipet e shpëtimit përballen me zjarret në malin Pirin   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Zelensky: Moska nuk tregon gatishmëri për paqe para samitit në Alaskë

13 August 2025 at 13:44

KIEV, 13 gusht /ATSH – DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Moska nuk po tregon asnjë gatishmëri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke u bërë thirrje Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të Kievit të shtojnë presionin ndaj Rusisë para samitit SHBA-Rusi që do të zhvillohet këtë javë.

“Kjo luftë duhet të marrë fund. Duhet ushtruar presion mbi Rusinë për një paqe të drejtë”, shkroi Zelensky sot në Telegram. Ai theksoi se Ukraina, Evropa dhe SHBA –ja duhet të veprojnë së bashku për ta detyruar Moskën të negociojë.

Zelensky pritej të merrte pjesë në Berlin në bisedime me video të organizuara nga kancelari gjerman Friedrich Merz. Pjesëmarrës janë liderë evropianë dhe presidenti amerikan Donald Trump.

Qëllimi, sipas zyrtarëve në Berlin, është të bëhet e qartë se asnjë vendim që prek Ukrainën nuk do të merret nga SHBA-ja dhe Rusia pa pëlqimin e Kievit.

Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin janë planifikuar të takohen të premten në Anchorage, Alaska, për të diskutuar mënyrat për t’i dhënë fund luftës. /Ad.Ab./

The post UKRAINË – Zelensky: Moska nuk tregon gatishmëri për paqe para samitit në Alaskë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BEOGRAD- Përleshje në protestat antiqeveritare në Serbi, dhjetëra të plagosur

13 August 2025 at 12:58

BEOGRAD, 13 gusht /ATSh-DPA/ — Përleshjet kanë shpërthyer në Serbi mes kundërshtarëve dhe mbështetësve të qeverisë, duke shënuar një përshkallëzim të tensioneve pas më shumë se nëntë muajsh protestash të vazhdueshme kundër presidentit populist Aleksandar Vuçiq, sipas “Ap”-së.

Incidentet nisë mbrëmë në qytetin Vrbas, në veriperëndim të kryeqytetit Beograd, ku policia e  shpërndau protestuesit e dy kampeve kundërshtare përpara zyrave të Partisë Progresive Serbe në pushtet.

Pamjet filmike nga vendi i ngjarjes treguan mbështetës të qeverisë duke hedhur fishekzjarrë, gurë dhe shishe ndaj protestuesve, të cilët hodhën mbrapsht objekte të ndryshme. Policia tha se dhjetëra persona u plagosën, përfshirë 16 policë. Incidente të ngjashme u raportuan edhe në protesta në zona të tjera të vendit.

Protestat e udhëhequra nga studentët në Serbi nisën në nëntor, pas shembjes së çatisë së një stacioni treni në qytetin verior të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona, duke nxitur akuza për korrupsion në projektet infrastrukturore shtetërore. /Ad.Ab./

The post BEOGRAD- Përleshje në protestat antiqeveritare në Serbi, dhjetëra të plagosur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Britania e Madhe përjeton temperatura mbi 34 gradë Celsius

13 August 2025 at 12:28

LONDËR, 13 gusht /ATSH-DPA/ – Vala e katërt e të nxehtit për këtë verë përfshiu sot Britaninë e Madhe me temperatura që priten të arrijnë deri në 34 gradë Celsius në disa pjesë të Anglisë.

Një paralajmërim për valën e të nxehtit eshtë për West Midlands, East Midlands, South East, Londër dhe zonën lindore të  Anglisë  me temperatura mbi 34 gradë Celcius.

Dita më e nxehtë ndonjëherë e gushtitit ka qenë 38,5 gradë në Faversham, Kent, më 10 gusht 2003, ndërsa dita më e nxehtë e vitit 2025 deri tani ishte 35,8 gradë, gjithashtu në Faversham, më 1 korrik.

“Dita e sotme  do të jetë kryesisht e thatë me diell shumë të ngrohtë ose të nxehtë, por do të ketë reshje, veçanërisht në jug-lindje gjatë pasdites dhe disa edhe në Skoci, që mund të jenë të forta dhe me bubullima”, tha meteorologu Marco Petagna nga “Met Office”.

“Do të jetë një ditë tjetër e nxehtë me temperatura maksimale 33-34°Celcius, më të larta në Lincolnshire dhe Yorkshire”.

Paul Coleman, konsulent i shëndetit publik në UKHSA, tha se “temperaturat parashikohet të kalojnë 30°Celcius në pjesët qendrore dhe jugore të vendit gjatë ditëve në vijim, dhe moti i nxehtë pritet në shumicën e rajoneve të Anglisë.

Këto temperatura mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, veçanërisht tek të moshuarit ose personat me sëmundje serioze, prandaj është e rëndësishme që të gjithë të marrin masa të arsyeshme mbrojtjeje gjatë qëndrimit në diell”.

Zyrtarët paralajmërojnë se vendi po përballet me mungesa të ujit “me rëndësi kombëtare” pavarësisht reshjeve në korrik.

Britania  po përjeton ndikime të gjera mjedisore dhe bujqësore nga mungesa e ujit, duke ndikuar në rendimentin e kulturave, uljen e ushqimit për bagëtinë, dëmtimin e zonave të lagështa dhe të jetës së lumit, si dhe rritjen e zjarreve të egra. /Ad.Ab./

The post METEO – Britania e Madhe përjeton temperatura mbi 34 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Gjermania përshihet nga vala e të nxehtit, temperaturat mbi 38 gradë Celsius

13 August 2025 at 10:38

BERLIN, 13 gusht /ATSH-DPA/ – Gjermania po përballet sot me një valë të nxehti, me temperatura që po shkojnë mbi 30 gradë Celsius në pjesën më të madhe të vendit.

Shërbimi meteorologjik gjerman (DWD) parashikon temperatura maksimale rreth 37 gradë, me përjashtim të bregdetit verior ku pritet të jetë disi më freskët. Vala e të nxehtit pritet të intensifikohet  nesër, duke arritur deri në 38 gradë.

Landi jugperëndimor i Baden-Württemberg regjistroi disa nga temperaturat më të larta, me 35,4 gradë pranë kufirit me Francën. Meteorologët theksuan se kulmi i valës së të nxehtit ende nuk ka ardhur.

“DWD” – ja ka paralajmëruar për “të nxehtë intensiv” që do të zhvendoset  sot në veri të Gjermanisë dhe  do të përhapet më tej në rajonet lindore.

Këto temperatura ekstreme paraqesin rreziqe serioze për shëndetin, veçanërisht për të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe punëtorët pa akses në ambiente me ajër të kondicionuar.

Ekspertët thonë se shumë spitale dhe shtëpi kujdesi në Gjermani nuk janë të pajisura siç duhet për t’u përballur me të nxehtin.

Henriette Neumeyer, nënkryetare e Federatës Gjermane të Spitaleve (DKG), i tha grupit mediatik “RND” se shumica e spitaleve nuk kanë sisteme të plota ajri të kondicionuar për shkak të viteve të mospërkujdesjes në investime.

Federata e Spitaleve po kërkon një program investimi shumëvjeçar prej 31 miliardë eurosh (36.2 miliardë dollarë) për të rinovuar spitalet me teknologji miqësore me klimën. /Ad.Ab./

The post METEO – Gjermania përshihet nga vala e të nxehtit, temperaturat mbi 38 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL- Hungaria kundër deklaratës së BE-së për paqen në Ukrainë

12 August 2025 at 14:26

BRUKSEL, 12 gusht /ATSH-DPA/ – Hungaria ka refuzuar të mbështesë një deklaratë të përbashkët të 26 vendeve të tjera anëtare të BE-së, e cila mirëpriste përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përpara takimit të tij me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë.

Deklarata, e lëshuar sot  nga udhëheqësit e BE-së, theksonte se kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë dhe se çdo “paqë e drejtë dhe e qëndrueshme” duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar, përfshirë parimet e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial.

“Hungaria nuk e bashkangjit veten me këtë deklaratë”, përfundonte teksti.

Kryeministri hungarez Viktor Orban e justifikoi vendimin në një postim në Facebook, duke argumentuar se deklarata përpiqej të “vendoste kushte për bisedime ku politikanët kryesorë të BE-së as nuk ishin ftuar”.

Ai shtoi se ishte “mjaft e trishtueshme që BE-ja është lënë mënjanë” dhe se “mund të bëhet edhe më keq nëse ne japim udhëzime nga jashtë”.

Qeveria e djathtë e Orban-it kundërshton ndihmën ushtarake të BE-së për Ukrainën, duke thënë se ajo vetëm po zgjat konfliktin, dhe ka kritikuar sanksionet ndaj Rusisë si joefektive dhe të dëmshme për ekonominë e Europës.

Kryeministri ka kërkuar më parë heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj disa individëve rusë.

Deklarata e BE-së rikonfirmoi mbështetjen për të drejtën e Ukrainës për të vendosur vetë të ardhmen e saj, duke theksuar se negociatat kuptimplota janë të mundshme vetëm në kushtet e një armëpushimi ose uljeje të armiqësive. /Ad.Ab./

 

The post BRUKSEL- Hungaria kundër deklaratës së BE-së për paqen në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌