Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 August 2025Main stream

Godinës së ASHK-së i bien tavanet e muret, Rama: Gjykatësi Balliu e konsideron vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima

19 August 2025 at 18:41

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj vendimit të gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili një pallat të konfiskuar e kaloi në favor të ndërtuesit të paligjshëm.

Pas zbardhjes së vendimit të arsyetuar, Rama e konsideroi atë “skandaloz”, ndërsa u shpreh se gjyqtari merr në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje.

“Më në fund gjykatësi Balliu e nxori arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u sistemua Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri ndau edhe fotografi nga godina e vjetër e ASHK-së, e cila sipas tij, “për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima”.

“Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut, por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që me ndihmën e të madhit Zot organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm edhe për fatet e vetë Reformës në Drejtësi”, shtoi Rama.

“Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatësit Balliut si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima”, shtoi ai.

Në arsyetimin e vendimit, Gjykata vlerëson se “ASHK ka funksionuar edhe pas vitit 2021 për 4 vite rresht në të njëjtën godinë dhe nuk ka prova që ky shërbim nuk mund të vazhdojë në kushtet ekzistuese”.

“Pavarësisht se punonjësit e ASHK-së mund të mos jenë në hapësira komode në ushtrimin e detyrave të tyre, kjo situatë nuk mund të vlerësohet se përbën cenim të rëndë të interesit publik që paralizon veprimtarinë e ASHK-së nëse pezullohet zbatimi i vendimit të datës 18 qershor 2025 të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara. Sakaq, ASHK nuk është një institucion i ri, i sapokrijuar dhe mosakomodimi i menjëhershëm në objektin e konfiskuar të kërkuesit do ta cenonte menjëherë ushtrimin e funksioneve të tij në dhënien e shërbimit për publikun”, thuhet në vendimin e gjykatës.

1 nga 3

/m.m/r.e/

The post Godinës së ASHK-së i bien tavanet e muret, Rama: Gjykatësi Balliu e konsideron vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu në spitalin e Delvinës: Trajtuan me profesionalizëm rastet urgjente nga zjarret

19 August 2025 at 18:23

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi sot Spitalin Ditor “Ismet Shushi”, në Delvinë, ku vlerësoi profesionalizmin që tregoi stafi i këtij spitali për përballimin e situatës së shkaktuar nga zjarret.

E shoqëruar nga kryetari i bashkisë Delvinë, Besmir Veli, Koçiu zhvilloi një takim me stafin e spitalit, të cilëve u shprehu mirënjohjen për përkushtimin dhe gatishmërinë e treguar në punë, gjatë ditëve të vështira të zjarreve masive që përfshinë zonën e Delvinës.

“Në ditët e vështira të javës që lamë pas, ku rrethinat e qytetit u përfshinë nga zjarret, ata trajtuan rastet urgjente, përfshirë pacientë me probleme respiratore dhe tronditje psikologjike”, vlerësoi ministrja.

Koçiu shprehu respekt për çdo mjek, infermier e punonjës të sistemit tonë shëndetësor që shërben pranë komunitetit me profesionalizëm dhe humanizëm.

Zona e Delvinës u përball pak ditë më parë me vatra zjarresh të cilat shkaktuan dëme në banesa, ullishte dhe bagëti, ndërsa për shkak të rrezikshmërisë u urdhërua edhe evakuimi i përkohshëm i banorëve.

/m.m/r.e/

The post Koçiu në spitalin e Delvinës: Trajtuan me profesionalizëm rastet urgjente nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndahet nga jeta inxhinieri i pyjeve Shpëtim Iseberi, Kumbaro: Kontribut të vyer në ruajtjen e zonave të mbrojtura

19 August 2025 at 17:22

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të inxhinierit të pyjeve Shpëtim Iseberi, pjesë e stafit të Administratës së Zonave të Mbrojtura Tiranë.

“E trishtë dita sot me ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut tonë, inxhinierit të pyjeve Shpëtim Iseberi, pjesë e stafit të Administratës së Zonave të Mbrojtura Tiranë. Me mbi 30 vite në shërbim të natyrës dhe zonave të mbrojtura, Shpëtimi la gjurmë jo vetëm me profesionalizmin e tij, por edhe me dashurinë dhe kujdesin e pashtershëm për çdo pemë, pyll e ekosistem natyror ku punoi”, vlerësoi ministrja.

Kumbaro vlerësoi kontributin e tij prej 30 vitesh në shërbim të natyrës dhe zonave të mbrojtura.

“Mirënjohje dhe respekt të thellë për kontributin e tij të vyer, i cili do të mbetet i gjallë tek kolegët, tek natyra që mbrojti me gjithë zemër dhe tek brezat që do të ndjekin rrugën e tij”, u shpreh Kumbaro.

/m.m/r.e

The post Ndahet nga jeta inxhinieri i pyjeve Shpëtim Iseberi, Kumbaro: Kontribut të vyer në ruajtjen e zonave të mbrojtura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drafti/Propozohet organizimi i ri, institucionet e varësisë do bashkohen me agjencitë autonome

19 August 2025 at 17:00

Qeveria ka propozuar ndryshime në organizimin e institucioneve të administratës publike, duke reduktuar kategorinë e institucioneve jo-ministrore nga 3 që janë aktualisht në 2, me qëllim rritjen e funksionimit dhe llogaridhënies. Për krijimin e institucioneve të varësisë nga ministritë është propozuar vendosja e një pragu minimal të punonjësve që do të justifikojë krijimin e tyre.

Ndryshimet janë propozuar në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” të publikuar te konsultimet publike.

Sipas projektligjit për ndryshimet në Ligjin nr. 90/2012, i cili është pjesë e Reformës në Administratën Publike, numri i tipologjive të institucioneve joministrore do të reduktohet nga 3 në 2, në funksion të qartësimit të rolit dhe përgjegjësive të tyre. Drafti propozon bashkimin e Institucioneve të Varësisë dhe Agjencitë Autonome në një kategori të vetme, ndërsa Autoritetet Rregullatore do të rikonceptohen si një lloj i veçantë me autonomi funksionale të garantuar sipas standardeve evropiane.

“Legjislacioni në fuqi parashikon tre lloje të trupave joministrore: Institucionet e Varësisë (IV), Agjencitë Autonome (AA), të dyja në varësi të ministrive dhe që kryejnë të njëjtat funksione të zbatimit të politikave, por me regjime të ndryshme juridike të organizimit dhe funksionimit, dhe Autoritetet apo Entet Rregullatore (ARr) që janë krijuar me ligje të veçanta, dhe që i raportojnë Kuvendit dhe kryejnë gjithashtu funksione të zbatimit të politikave, por specifikisht të natyrës rregullatore (tregjeve dhe industrive).

Dallimi aktual midis institucioneve të varësisë dhe agjencive autonome nuk bazohet në kritere të dallimit funksional. Gjithashtu, mbajtja e autoriteteve rregullatore jashtë mbikëqyrjes së qeverisë, sjell problematika në zbatimin e parimit të ndarjes së pushteteve, fragmentarizmin e aftësisë/përgjegjësisë së qeverisë për hartimin dhe zbatimin e politikave shtetërore dhe vakum në sistemin e përgjegjësisë e llogaridhënies qeveritare”, citohet në relacion.

Projektligji propozon ekzistencën e vetëm dy llojeve të trupave joministrore/ekzekutive, pra mbajtjen e institucioneve klasike të varësisë (IV) ku sipas këtij propozimi do të përfshihen edhe agjencitë aktuale autonome, dhe ri-konceptimi tërësor i Agjencive Autonome për të akomoduar tipologjinë aktuale të Autoriteteve Rregullatore, duke rregulluar regjimin e tyre juridik të organizimit dhe funksionimit të aftë për të garantuar një autonomi funksionale të plotë në kryerjen e funksioneve rregullatore, siç kërkohet nga legjislacioni evropian për secilin nga rregullatorët”, citohet në relacion.

 

Në projektligj gjithashtu sillet në vëmendje edhe situata problematike me institucionet e vogla në varësi të ministrive, duke nënvizuar nevojën për rregullimin e funskionimit të tyre.

“Nga një analizë e situatës, rezulton se për shkak të mungesave në ligjin 90, ka një tendence të shkëputjes së njësive të brendshme administrative të ministrive (drejtorive/drejtorive të përgjithshme) nga aparati i ministrive duke u krijuar si institucione vartësie më vehte. Kjo mungesë ka pas sjellë në disa raste krijimin e trupave/institucioneve të varësisë shumë të vogla, që nuk kanë realisht kapacitate për funksionimin e tyre ndarazi jashtë ministrisë mëmë. Projektligji propozon vendosjen e një pragu minimal të punonjësve që justifikojnë krijimin e një institucioni varësie, dhe njohjen e një lloji të ri drejtorie me status të posaçëm brenda aparatit të ministrisë, pa personalitet juridik por me autonomi të rritur në bazë të delegimit të ministrit”.

Po ashtu edhe sistemi i mbikëqyrjes apo llogaridhënies së institucioneve për trupat jo ministrore rezulton se nuk është i uniformizuar. Projektligji, propozon gjithashtu krijimin e një sistemi të detyrueshëm, të uniformizuar të mbikëqyrjes/llogaridhënies së trupave joministrore bazuar në rezultatet e institucionit.

Ndërsa për institucionet në varësi të Kryeministrit legjislacioni aktual nuk ka dispozita apo kufizime për to,  duke i trajtuar ato njësoj si institucionet në varësi të ministrive. Në relacion theksohet se me kalimin e viteve kjo ka krijuar një mbingarkesë në funksionimin normal të qendrës së qeverisjes si pasojë e një numri të konsiderueshëm institucionesh në varësi të kryeministrit.

Projektligji propozon shtimin e disa dispozitave për krijimin e institucioneve në varësi të Kryeministrit. Dispozitat parashikojnë kritere pozitive dhe negative.

Projektligji propozon edhe dy ndërhyrje specifike sipas të cilave: i) “Drejtoria” bëhet niveli thelbësor i vendimmarrjes ekskluzive në një ministri dhe titullari i drejtorisë (drejtori) është ekskluzivisht përgjegjës për të gjithë vendimmarrjen brenda fushës së kompetencave të drejtorisë përkatëse, me përjashtim, sigurisht, të asaj vendimmarrjeje që i ngarkohet në mënyrë eksplicite me legjislacion menaxherëve të tjerë më të lartë (nëpunësve civilë të kategorisë të lartë drejtuese) ose vetë ministrit, dhe ii) përcaktohen një set rregullash të thjeshta që lejojnë delegimin brenda varësisë së një tipologjie vendimmarrjeje apo një vendimmarrjeje konkrete.

Ndër të tjera në draft propozohen rregulla të reja për kontroll më të fortë të ndryshimeve institucionale, duke kërkuar analiza të detajuara nga ministritë para krijimit të institucioneve të reja dhe duke i besuar Departamentit të Administratës Publike rolin kryesor në këtë proces.

The post Drafti/Propozohet organizimi i ri, institucionet e varësisë do bashkohen me agjencitë autonome appeared first on Revista Monitor.

DPSHTRR: Certifikata e Aftësimit Profesional përfshihet automatikisht në lejen e drejtimit

19 August 2025 at 16:18

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor njoftoi drejtuesit e mjeteve se prejt ditës së sotme Certifikata e Aftësimit Profesional (CAP) përfshihet automatikisht në lejen e drejtimit.

Përmes një njoftimi për shtyp, DPSHTRR bëri të ditur se nga data 19 gusht 2025 fillon aplikimi i një risie të rëndësishme që thjeshton ndjeshëm procesin për të gjithë drejtuesit e mjeteve që zotërojnë Certifikatën e Aftësimit Profesional (CAP).

“Në zbatim të standardeve më të mira europiane, CAP nuk do të lëshohet më si një karton më vete, por do të përfshihet automatikisht në lejen e drejtimit, duke u pasqyruar si Kodi 95 në të njëjtin dokument”, thuhet në njoftim.

Konkretisht, qytetarët nuk do të pajisen më me një karton të veçantë për CAP, dhe të gjitha të dhënat pasqyrohen në lejen e drejtimit, ku do të shënohet Kodi 95.

Po ashtu, aplikimi dhe rinovimi do të bëhet sipas procedurave për pajisjen me CAP dhe do të pasqyrohet në lejen e drejtimit.

Ky ndryshim sjell kursim në kohë dhe pará për qytetarët, duke shmangur aplikimet e përsëritura, pagesat shtesë dhe ecejaket e panevojshme.

Me një procedurë të thjeshtuar, drejtuesit e mjeteve do të kenë tashmë vetëm një dokument të unifikuar, duke e bërë përdorimin më praktik dhe më të sigurt.

Gjithashtu, ky hap përputhet me standardet e Bashkimit Evropian, ku Kodi 95, si kod unik për CAP-in, pasqyrohet në lejen e drejtimit, praktikë që ndiqet në disa vende të Bashkimit Evropian.

Aplikantët e rinj do të përfitojnë duke mos paguar më për kartonin CAP, ndërsa drejtuesit që rinovojnë shmangin kostot shtesë dhe mbajnë gjithçka në një dokument të vetëm.

Po ashtu edhe institucionet kursejnë kohë dhe burime përmes një administrimi më të thjeshtë dhe të digjitalizuar.

Me këtë risi, DPSHTRR vazhdon në angazhimin për të ofruar shërbime më të shpejta, më të lehta, më të lira dhe në përputhje me standardet evropiane për çdo qytetar.

/m.m/r.e/

The post DPSHTRR: Certifikata e Aftësimit Profesional përfshihet automatikisht në lejen e drejtimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rënia e yield-eve zbeh interesin e investitorëve të huaj për borxhin e qeverisë

19 August 2025 at 15:01

Rënia e ndjeshme e yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare ka ulur interesin e investitorëve të huaj. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, huamarrja e re neto e qeverisë në tregun e brendshëm u shtua me 18.4 miliardë lekë në tremujorin e dytë.

Shtesa konsistoi tërësisht në obligacione të maturitetit nga 2 – 20-vjeçar. Pothuajse e gjithë shtesa e huamarrjes u përballua nga bankat, ndërsa portofoli i titujve i zotëruar nga individët dhe jorezidentët nuk pati ndryshime.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo sjellje reflektoi hezitimin e këtyre aktorëve të tregut për të shtuar pjesëmarrjen në ankandet e zhvilluara, si pasojë e normave të ulëta të interesit, kombinuar edhe me strukturën që pati shtesa e huamarrjes në këtë periudhë. Kjo e fundit konsistoi thuajse tërësisht, 90%, në tituj referencë 3- dhe 5-vjeçarë, të cilët zotërohen në masën më të madhe nga bankat e nivelit të dytë. Nga ana tjetër, huamarrja neto në bono thesari, aty ku individët zotërojnë rreth 20% të portofolit, u reduktua me 3.6 miliardë lekë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar investitorët nga jashtë vendit blenë 14.4 miliardë lekë ose rreth 143 milionë euro instrumente borxhi në lekë të qeverisë shqiptare vitin e kaluar.

Shuma e investuar prej tyre përbënte 29% të shtesës së huamarrjes së brendshme për vitin 2024.

Investitorët e huaj kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e kërkesës në tregun e titujve të borxhit në lekë të qeverisë shqiptare. Kjo rritje e kërkesës ndikoi edhe në uljen e mëtejshme të yield-eve të bonove dhe obligacioneve për vitin e kaluar.

Por, rënia e ndjeshme e yield-eve, duket se i ka bërë këto instrumente më pak tërheqëse. Në tremujorin e dytë të këtij viti, instrumentet e borxhit afatgjatë arritën nivelet më të ulëta historike. Ndërkohë, edhe instrumentet afatshkurtra (bonot e thesarit) shënuan nivele minimale relative, në raport me normën bazë të interesit, duke zbritur madje poshtë saj.

Ndërkohë, edhe investimet e individëve në ankandet e bonove dhe obligacioneve të qeverisë janë në rënie për të dytin vit radhazi. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) treguan se për 6-mujorin 2025, individët investuan 14.6 miliardë lekë në tregun primar të bonove dhe obligacioneve, me një tkurrje prej 20.3% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Rënie u shënua edhe në numrin e transaksioneve, që zbriti në 4224, me një rënie vjetore prej 30.3%. Sipas llojit të instrumenteve financiare, rënia është shtrirë njëkohësisht si në bono, ashtu edhe në obligacione.

Vlera e blerjeve të bonove në tregun primar zbriti në 11.24 miliardë lekë, me një rënie vjetore prej 23.4%. Ndërkohë, investimi në obligacione arriti në 3.34 miliardë lekë, 7.7% më pak krahasuar me 6-mujorin I 2024.

Edhe frenimi i investimit të individëve në bono dhe obligacione vlerësohet të ketë ardhur kryesisht si rezultat i rënies së mëtejshme të yield-eve./ E.Shehu

https://monitor.al/zbarkimi-i-investitoreve-te-huaj-ne-tregun-e-borxhit-te-qeverise/

The post Rënia e yield-eve zbeh interesin e investitorëve të huaj për borxhin e qeverisë appeared first on Revista Monitor.

Paratë e mia apo tonat? Disa këshilla si mund të menaxhoni shpenzimet në çift

19 August 2025 at 14:25

Ka shumë biseda të rëndësishme që çiftet duhet të bëjnë përpara se gjërat të bëhen serioze. Qëllimet afatgjata për të ardhmen, ndarja e punëve të shtëpisë, si ndiheni për të ftuarit gjatë natës, kush e merr copën e fundit të picës të premten në mbrëmje- këto tema duhet të diskutohen të gjitha dhe vazhdimisht. Por ndoshta biseda më e rëndësishme që duhet të kenë çiftet që bashkëjetojnë është për paratë.

Sigurisht, mund të jetë pak e frikshme. Për shumicën e njerëzve, paratë zakonisht diskutohen në mënyrë të paqartë, me tone të heshtura, ose të paktën ka njëfarë hezitimi. Por në një botë ku jeta nuk ka qenë kurrë kaq e shtrenjtë, komunikimi financiar është me rëndësi, por kjo nuk është e njëjtë për të gjitha çiftet.

Këtu mund të lexoni rrëfimet se si çifte të ndryshme menaxhojnë paratë.

Tani që kemi dy fëmijë, kemi krijuar stabilitet në karrierë dhe kemi blerë dy shtëpi bashkë, e shikojmë paranë si “diçka tonën”. Është e vështirë që gjërat të mbahen të ndara dhe ne nuk e mendojmë më. Kemi llogari të përbashkëta dhe kemi akses tek llogaritë personale të njëri-tjetrit. E përdor kartën e përbashkët zakonisht për blerjet e fëmijëve, vetëm nëse është ndonjë xhaketë dizajner super e shtrenjtë, që nuk do e blija, por nëse do e blija, do e regjistroja tek karta ime personale. – Rachel, 33-vjeçare në një lidhje mbi 12 vite.

Ne kishim qasje të njëjtë që prej fillimit: prindërit tanë kanë jetuar gjithmonë me para të përbashkëta dhe janë të lumtur. Këtë donim dhe ne. Kur u fejuam nisëm të bashkonim llogaritë. Kur u martuam, paratë i kthyem bashkë totalisht. Fillimisht me dukej e çuditshme të shpenzoja 100 dollarë për një krem fytyre sepse nuk ishin më paratë “e mia”, por ne i besojmë njëri-tjetrit me shpenzimet që bëjmë. – Aleksis, 31, në marrëdhënie mbi 11 vite.

Kemi llogari të ndara dhe paguajmë të njëjtën përqindje në qira dhe fatura, që duket e drejtë. Para se të jetonim bashkë, e dashura ime gatuante dhe unë paguaja porositë. Edhe tani ajo bën psonisjet, unë paguaj ushqimet që marrim nga jashtë. Lidia, 29, në lidhje për 4 vite.

I fejuari im është në një program doktorature dhe po paguan shkollën, kështu unë jam duke kontribuar pak më shumë në shpenzimet tona, deri sa ai të diplomohet dhe të marrë një pagë të plotë. Ndajmë shpenzimet e shtëpisë, nga pastrimi tek ushqimet por gjërat personale i paguajmë vetë. Unë shikoj çanta luksoze dhe këpucë, të cilët ai nuk m’i blen dot. – Sindi, 32, në lidhje për 4 vite./Cosmopolitan

The post Paratë e mia apo tonat? Disa këshilla si mund të menaxhoni shpenzimet në çift appeared first on Gazeta Si.

Bankat e huaja në Shqipëri presin më pak kërkesa për hua

19 August 2025 at 13:39

Nga Gazeta ‘SI’ – Grupet bankare të huaja që operojnë në Shqipëri raportojnë një rritje të fitimeve gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, krahasuar me periudhën parardhëse.

Sipas një ankete të kryer nga Banka Europiane e Investimeve, bankat nuk kanë ndryshuar perceptimin për tregun shqiptar, duke e vlerësuar përgjithësisht me potencial mesatar.

Anketa me bankat e huaja raporton se cilësia e kredisë është përmirësuar dhe kreditë e këqija do të vazhdojnë në rënie. Kërkesa për kredi është rritur ndjeshëm, përveç kredive në valutë të huaj, të cilat mbetën të pandryshuara. Kushtet e ofertës nuk kanë ndryshuar dhe pritet të mbeten të tilla, në përputhje me prirjen rajonale.

Në të ardhmen, bankat parashikojnë një zbutje të kërkesës për kredi.

The post Bankat e huaja në Shqipëri presin më pak kërkesa për hua appeared first on Gazeta Si.

Editorial nga Financial Times: Mos e llastoni më Vuçiç!

19 August 2025 at 13:09

Pas një dekade në pushtet, drejtuesit veteranë të qeverive përballen me një shkop nën rrotë: a do të shtojnë represionin dhe të dëmtojnë çdo media të lirë që ekziston apo do t’i shtrijnë dorën opozitës për reformë. Kjo ka ndodhur shpesh rreth botës pas Luftës së Ftohtë. Autokratët zakonisht i qasen opsionit të parë dhe bëhen akoma më të egër.

Tani, me protestuesit në rrugë, është koha e Aleksandër Vuçiç të bëjë zgjedhjen.

Për 8 vite si presidenti i Serbisë dhe para saj si kryeministër, ai ka qeverisur me dorë të hekur, por vendi i tij mbetet një demokraci e menaxhuar dhe nuk është ktyer në autokraci. Vuçiç ka ruajtuar balancat në skenën globale. Ai ka mbajtur marrëdhënie me Moskën pa acaruar marëdhëniet me BE-në dhe SHBA-në; ka bërë një sy qorr për shitjen e armëve serbe në Ukrainë. I ka kërkuar Pekinit miliarda dollarë investime.

Edhe pse Serbia është vetëm një vend kandidat për BE-në, Vuçiç ka lidje të ngushta me liderët e bllokut, nga Macron tek Ursula von der Leyen. Ai krijoi dhe një marrëdhënie të mirë me të afërmit e Donald Trump, gjatë mandatit të parë të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Rutina e mbrojtjes së Vuçiç mund të meritojë të studiohet nga shtete të tjera. Por në shtëpi atij po i mbaron rruga, pasi zhgënjimet ndaj sundimit të tij të papërgjegjshëm dhe të errët janë shndërruar në protesta. Shkëndija ishte shembja e një tende stacioni treni nëntorin e kaluar në qytetin e Novi Sadit, i cili vrau 16 njerëz. Stacioni ishte rinovuar nga një kompani kineze nën Iniciativën Kineze Belt and Road. Kundërshtarët e Vuçiç fajësojnë për kolapsin korrupsionin shtetëror, qeverisjen e dobët dhe mbikëqyrjen e dobët, të cilat ata i shohin si shenja dalluese të regjimit të tij.

Që prej nëntorit, demonstruesit e opozitës kanë zaptuar rrugët dhe kanë kërkuar zgjedhje të parakohëshme. Javën e shkuar ai u përball me protestat më të dhunshme ndonjëherë midis civilëve dhe policisë. Gjatë viteve, Vuçiç, një nacionalist ekstrem në rininë e tij ka përhapur frymën e ndjesisë pro-serbe dhe ribashkimit të territoreve ku kanë mbetur minoritete serbe si në Bosnjë dhe Kosovë. Kjo kartë, nuk është më aq e fuqishme në lojën e tij.

Vuçiç mund të lirojë terrenin për mediat, për opozitnë dhe të lejojë hetime të pavaruara me skandalet e qeverisë, por kjo nuk është rruga që zgjedh një autokrat. Ai po mendon të shtypë dhe të godasë më fort.

Britania dhe Europa e kanë llastuar shumë gjatë. Realpolitika nuk dëshiron që Serbia të rrëshqasë në orbitën e Rusisë, por kjo tashmë duket e pamundur. Vuçiç duhet të nxitet drejt përgjegjësisë dhe zgjedhjeve të ndershme; kjo është shpresa e vetme për anëtarësim në BE. Alterantiva tjetër është ta pësojë si Gjeorgjia, që është kthyer në një demokraci të rreme mbi të cilën BE-ja nuk ka ndikim, përveçse të japë deklarata.

Amerika duket se e ka harruar pellgun e Ballkanit për momentin. Por Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja, jo. Ata duhet të veprojnë dhe të përdorin ndikimin ekonomik. Nëse nuk e bëjnë dhe Serbia zhytet më thellë në gropën e autoritarizmit, faji nuk do të jetë vetëm i Vuçiç, por i të gjithë perëndimit që tani po bën sehir.

Editorial nga bordi i Financial Times*

The post Editorial nga Financial Times: Mos e llastoni më Vuçiç! appeared first on Gazeta Si.

Pas dështimeve dhe vendimit të Gjykatës, Kuvendi i Kosovës mblidhet të mërkurën për konstituim

19 August 2025 at 14:00

Seanca e radhës e Kuvendit, e cila ishte ndërprerë për shkak të bllokadës trejavore, do të vazhdojë nesër. Ky hap vjen pas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit Kuvendi duhet të konstituohet brenda një afati prej 30 ditësh.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen më 20 gusht, për të vazhduar seancën konstituive të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Sipas njoftimit të Kuvendit, seanca do të mbahet në orën 11:00 dhe ka në rend të ditës dy pika të papërfunduara:

  • Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,

  • Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Vazhdimi i seancës vjen pasi më 18 gusht ka nisur rrjedhja e afatit 30-ditor për konstituimin e organit ligjvënës.

Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë, përmes së cilit ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30 ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill, por ajo deri më tani nuk është përmbyllur për shkak të mospajtimeve mes partive politike lidhur me formën e votimit të kryeparlamentarit.

Pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, dështoi të zgjidhej në krye të organit ligjvënës në gjashtë votime të hapura, Dehari më 1 maj ndryshoi rendin e ditës.

Ai më pas kërkoi nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe që të propozonin nga një anëtar për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin.

Kjo u kundërshtua nga partitë që në mandatin e kaluar ishin në opozitë, të cilat refuzuan të propozonin anëtar për këtë Komision.

Fillimisht, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu drejtua Kushtetueses për çështjen e ngërçit. Gjykata u përgjigj më 26 qershor, duke thënë se votimi duhej të bëhej sipas praktikave të deritanishme. Ajo u dha deputetëve 30 ditë afat ta përmbyllnin procesin e konstituimit, por ky afat u shpëfill.

Në ndërkohë, PDK-ja dhe LDK-ja dorëzuan lëndë të ndara për çështjen e votimit të kryeparlamentarit.

Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme nga 27 qershori deri më 8 gusht, duke ua ndaluar deputetëve që të ndërmerrnin vendime dhe veprime për konstituimin e Kuvendit.

Më 8 gusht, Kushtetuesja njoftoi për vendimin për dy lëndët e paraqitura – aktgjykimin e plotë të të cilit e publikoi më 18 gusht – përmes së cilit tha se ndryshimi i rendit të ditës ishte shkelje, duke e obliguar Kuvendin që t’i kthehet votimit të hapur.

Asnjëra nga subjektet nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të krijuar shumicën dhe po ashtu nuk është arritur një marrëveshje politike.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, fitoi 48 ulëse gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.

Derisa LVV-ja ngul këmbë se Albulena Haxhiu është kandidate meritore, disa prej partive më të mëdha parlamentare, si PDK, LDK dhe AAK, e përjashtojnë atë si “përçarëse”.

PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9 – dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse të tjera i takojnë pakicave.

The post Pas dështimeve dhe vendimit të Gjykatës, Kuvendi i Kosovës mblidhet të mërkurën për konstituim appeared first on Revista Monitor.

Importet e ushqimeve ndjekin turizmin, rriten me 3.2% në 7-mujor

19 August 2025 at 13:00

Importet e ushqimeve kane qenë në rritje vitet e fundit duke ndjekur të njëjtat trende të shtimit të vizitoreve të huaj në vendin tonë. Të dhënat mbi tregtinë e jashtme tregojnë se në 7- mujorin 2025 importet e ushqimeve u rritën me 3.2 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Importet e ushqimeve kanë shënuar një zgjerim të qëndrueshëm pas pandemisë, duke arritur në 93 miliardë lekë në janar-korrik 2025 nga 90.1 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja prej 3.2% është e lidhur ngushtë me flukset e larta turistike që po përjeton vendi, sidomos gjatë sezonit veror, duke shtuar kërkesën për ushqime, pije dhe produkte të tjera të konsumit. Në 6 mujorin e parë të vitit numri i turistëve të huaj shënoi rritje vjetore me 4.8%.

Në krye të listës qëndrojnë pijet dhe alkooli, me një zgjerim të importit me gati 10% në 7- mujor. Ky trend pasqyron drejtpërdrejt konsumin e lartë në hotele, bare dhe restorante të pijeve, të cilat në pjesën më të madhe janë nga importi.

Një tjetër grup me rritje të fortë janë kafeja, çaji dhe erëzat, me 34% më shumë se një vit më parë. Shqipëria është ndër vendet me konsum të lartë të kafesë, por flukset e turizmit kanë zgjeruar edhe më tej kërkesën për këto produkte.

Frutat dhe arrat e ngrënshme regjistruan një rritje prej 13.6%, ndërsa produktet e përpunuara të zarzavateve shënuan një zgjerim rekord prej 41%. Ky trend tregon qartë se industria e mikpritjes po kërkon furnizim të vazhdueshëm me produkte të gatshme dhe gjysmë të gatshme, të cilat janë më praktike për përdorim në restorante dhe struktura hoteliere. Po ashtu, produktet e bulmetit dhe mjaltit janë rritur me mbi 11%, ndërsa ushqimet e gatshme me bazë mishi, peshku dhe molusqe u zgjeruan me 14.7%.

Përkundër këtyre rritjeve, disa kategori shënuan tkurrje të dukshme. Importet e kafshëve të gjalla ranë me 16.8%, duke reflektuar edhe një orientim të tregut drejt produkteve të përpunuara të mishit.  Zarzavatet e freskëta pësuan ulje me 6.8%, si rrjedhojë e zëvendësimit të tyre me prodhime nga vendi.

Të dhënat tregojnë se rritja e importeve nuk është e shpërndarë njëtrajtësisht ne të gjitha kategorive, por është me theksuar me grupet më të lidhura me konsumin e turistëve. Rreth 4.7 milionë turistë që kanë hyrë në Shqipëri në 6 mujorin e parë të vitit ka rritur kërkesën për pije, ushqime të përpunuara dhe produkte freskuese.

Turizmi nuk po ndikon vetëm degët e ekonomisë dhe punësimin, por edhe strukturën e tregtisë së jashtme./ B.Hoxha

 

Burimi:INSTAT

 

The post Importet e ushqimeve ndjekin turizmin, rriten me 3.2% në 7-mujor appeared first on Revista Monitor.

Mediat sllovene: Tirana heq dorë nga fluturimet me Lubjanën, shkak problemet financiare të ‘Air Albania’

19 August 2025 at 11:37

Nga Gazeta ‘SI’ – Kompania shtetërore e fluturimit Air Albania po përballet me probleme financiare.

Mediat sllovene raportojnë se plani për të rikthyer fluturimet direkte Lubjanë-Tiranë ka dështuar, për shkak të vështirësisë financiare që po has kompania shqiptare.

“Aeroporti i Lubjanës ka konfirmuar se Air Albania ka hequr dorë nga ideja e rifillimit të fluturimeve midis dy kryeqyteteve, që ishin parashikuar të nisnin më 1 shtator. Aeroporti deklaroi problemet financiare si arsye të këtij vendimi”, shkruajnë mediat sllovene.

Fluturimi i fundit Lubjanë-Tiranë është regjistuar në vitin 2018.

Financat e Air Albania kanë qenë shpesh temë debati midis qeverisë dhe opozitës, me këtë të fundit që akuzon ekzekutivin për shfrytëzim “privat” të një kompanie shtetërore. Të dhënat për këtë kompani janë të paaksesueshme për shkak se prej 7vitesh nuk ekziston asnjë bilanc i saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Bilanci i fundit është ai për vitin 2018 me 12,265,000 lekë humbje neto. 

Më herët, kompania është vënë nën sekuestro nga zyrat përmbarimore, për shkak të detyrimeve të pashlyera.

The post Mediat sllovene: Tirana heq dorë nga fluturimet me Lubjanën, shkak problemet financiare të ‘Air Albania’ appeared first on Gazeta Si.

Bursat reagojnë pas takimit Trump-BE: Rritet euro dhe ari. Bie dollari dhe nafta

19 August 2025 at 11:11

Aksionet e bursave europiane shënuan një rritje të lehtë këtë të martë, pas deklaratave të dala nga takimi i Trump me liderët e Europës.

Euro Stoxx 50, indeksi i Eurozonës u rrit me 0.2%, DAX që i përket Gjermanisë dhe FTSE, indeksi i Financial Times me 0.1%.

Aksionet e mbrojtjes ranë me 2%, nën presionin e lajmeve për një samit të mundshëm Ukrainë-Rusi. Aksionet e Renk Group, Rheinmetall (ETR:RHMG) dhe Hensoldt ranë midis 3.5% dhe 6.4%.

Nafta pësoi humbje ndërsa pjesëmarrësit e tregut mendonin për një fund të mundshëm të luftës në Ukrainë, e cila mund të çonte në përfundimin e sanksioneve ndaj naftës së papërpunuar ruse. Nafta e papërpunuar e SHBA u ul me 0.8% në 62.92 dollarë për fuçi. Nafta e papërpunuar Brent ra me 0.7% në 66.15 dollarë. Ari u rrit 0.2% në 3,337.41 dollarë për onz.

Dollari ra me 0.1% në 147.78 jen. Euro ishte e qëndrueshme në 1.16 dollarë, ndërsa indeksi i dollarit, i cili ndjek monedhën e gjelbër kundrejt një shporte valutash, ndryshoi pak pas një fitimi prej 0.2% në seancën e mëparshme.

Bitcoin ra 1% në 115,257,59 dollarë, ndërsa Eteri ra 2,7% në 4,224,33 dollarë.

Indeksi i aksioneve Nikkei i Japonisë u rrit në hapje përpara se të binte me 0.1%, duke u zvarritur më poshtë.

Presidenti i SHBA Donald Trump i tha homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy se Uashingtoni do të ndihmonte në garantimin e sigurisë së Ukrainës në çdo marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë atje, megjithëse shtrirja e çdo ndihme nuk ishte menjëherë e qartë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte THS të hënën se takimi i Trump me Zelenskiy dhe partnerë të tjerë eUropianë dhe të NATO-s ishte shumë i suksesshëm.

Takimi pasoi një samit në Alaskë midis presidentit të SHBA dhe liderit rus Vladimir Putin, i cili nuk rezultoi në një marrëveshje për ndërprerjen e armiqësive në luftën më shumë se2-vjeçare. Në një postim në mediat sociale të hënën, Trump tha se kishte thirrur Putinin dhe kishte filluar të organizonte një takim midis Putinit dhe Zelenskiy, që do të pasohej nga një samit trepalësh midis tre presidentëve.

Ndërsa tregtarët po mbajnë një sy në zhvillimet gjeopolitike, një tjetër fokus kyç për javën është simpoziumi i bankës amerikane, FED, në 21-23 gusht, ku kryetari Jerome Powell do të flasë mbi perspektivën ekonomike dhe kuadrin e politikës së bankës qendrore./Reuters

The post Bursat reagojnë pas takimit Trump-BE: Rritet euro dhe ari. Bie dollari dhe nafta appeared first on Gazeta Si.

Rritja e kredisë ul kapitalizimin e sektorit bankar për të tretin tremujor radhazi

19 August 2025 at 12:00

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar pësoi rënie për të tretin tremujor radhazi.

Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të qershorit zbriti në 19.25%, nga 19.5% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm. Ky tregues ka pësuar gjithashtu një rënie shumë të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në mesin e vitit të kaluar, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit kishte qenë 19.27%.

Rënia e raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit është ndikuar sidomos nga rritja e shpejtë e kredisë, por pjesërisht edhe nga rënia e fitimeve dhe shpërndarja e dividendëve nga aksionerët e bankave.

Raporti minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar është 12%, por pas vitit 2019 ka nisur aplikimi i shtesave të tjera të lidhura me kuadrin e ri makroprudencial, si edhe atë për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme. Kjo i ka rritur ndjeshëm kërkesat për kapital, duke ndikuar edhe në një rritje graduale të niveleve mesatare të këtij treguesi për sektorin.

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut.

Vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar në mesin e këtij viti arriti në 212.4 miliardë lekë, në rritje me 1.5% krahasuar me një tremujor më parë dhe me 9% krahasuar me një vit më parë. Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar në pjesën dërrmuese është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksioner, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara.

Nga ana tjetër, vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në mesin e vitit 2025 arriti në 1103 miliardë lekë, në rritje me 2.7% krahasuar me tremujorin e parë dhe me 9.3% me bazë vjetore. Grupi kryesor i aktiveve me rrezik në bilancet e bankave janë kreditë për sektorin privat.

Rritja e kërkesave për kapital i bën bankat më të sigurta ndaj humbjeve të mundshme në të ardhmen. Por, nga ana tjetër, nivelet e larta të mjaftueshmërisë së kapitalit ndikojnë në uljen e rentabilitetit dhe në rritjen e kostove që i përcillen publikut.

Sot sektori bankar për çdo 100 lekë kredi të dhënë ka pothuajse 20 lekë kapitale të vetat. Nevoja për rritje të kapitalit dikton marzhe dhe kosto fikse më të larta për huamarrësit dhe publikun shqiptar në përgjithësi.

Sektori bankar ka kërkuar me këmbëngulje prej vitesh që së paku kërkesat shtesë për kapital të aplikohen sipër një pragu minimal prej 8%, siç ndodh në Eurozonë. Por, sipas Bankës së Shqipërisë, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm pas certifikimit të ekuivalencës së mbikëqyrjes bankare në Shqipëri. Ky proces ka nisur në fund të vitit të kaluar ka si qëllim të certifikojë që kuadri i mbikëqyrjes bankare në Shqipëri është i barazvlefshëm me atë të BE-së. Pas ekuivalenca e mbikëqyrjes të jetë certifikuar, Banka e Shqipërisë ka lënë të hapur mundësinë që kërkesa bazë e mjaftueshmërisë së kapitalit edhe në Shqipëri të ulet në nivelin 8%.

 

The post Rritja e kredisë ul kapitalizimin e sektorit bankar për të tretin tremujor radhazi appeared first on Revista Monitor.

Biznesi qeverisë me armët!

19 August 2025 at 11:37
Qeveria shqiptare ka ndërtuar një model të çuditshëm dhe kontradiktor të funksionimit të shtetit. Kur bëhet fjalë për shërbimet publike thelbësore – spitale, shkolla, rrugë – përgjigjja është gjithmonë e njëjtë: “shteti nuk ka kapacitete”. Për këtë arsye, shëndetësia iu dorëzua koncesioneve, ndërtimi i shkollave iu la privatit, dhe çdo segment rrugor i rëndësishëm është bërë pjesë e një PPP-je.
Por kur vjen puna për të bërë biznes, shteti papritur bëhet sipërmarrës i madh. Në vend që të ofrojë shërbimet për të cilat qytetarët paguajnë taksa, qeveria vendos të ndërhyjë në tregje ku konkurrenca duhet të jetë e lirë dhe transparente. Kështu, shteti që nuk arrin të blejë avionë zjarrfikës për të përballuar emergjencat civile, futet i papërgatitur në industrinë e armëve.
Në vitin 2024, shumica qeverisëse miratoi krijimin e KAYO sh.a., një kompani shtetërore që trashëgoi disa nga uzinat e vjetra të prodhimit të armatimeve. Në teori, ideja nuk është e paarsyeshme. Shqipëria ka pasur një industri të tillë para viteve ’90 dhe si vend anëtar i NATO-s mund të kishte interes të rikthente një sektor strategjik. Një industri e mbrojtjes mund të krijojë vende pune, të gjenerojë të ardhura dhe të rrisë peshën gjeopolitike të vendit.
Por si gjithmonë me këtë qeveri, problemi nuk është ideja në letër, por mënyra e zbatimit. Që në Komisionin e Ekonomisë, u ngritën shqetësime për mungesën e transparencës, për mënyrën e përfshirjes së sektorit privat dhe për rrezikun që prona publike të përdorej për interesa klienteliste. Sot, një vit më vonë, ato shqetësime janë bërë realitet.
KAYO, me kapital fillestar vetëm 150 milionë lekë, ka krijuar tre kompani bija në ortakëri me subjekte private që nuk kanë as licenca dhe as ekspertizë në prodhimin e armëve. Nuk kemi të bëjmë me një industri serioze, por me një tjetër shembull të përdorimit të pronës publike dhe të fondeve shtetërore për interesa të ngushta.
Ky është një rrezik i dyfishtë.
Së pari, për sigurinë kombëtare. Industria e mbrojtjes është një sektor ku kërkohet kontroll i plotë shtetëror dhe ekspertizë e specializuar. Përfshirja e kompanive pa kredenciale rrezikon standardet, sigurinë dhe besueshmërinë e Shqipërisë në NATO.
Së dyti, për financat publike. Me një kapital qesharak prej 150 milionë lekësh, është e qartë se nuk mund të ringrihet një industri armatimi. Ky investim është i destinuar të shpërndahet në tendera dhe kontrata të vogla pa impakt real, ndërkohë që qeveria ka dhënë qindra milionë euro për inceneratorët dhe koncesione të tjera të dyshimta.
Në fakt, kjo nuk është një histori e re. Është e njëjta recetë që kemi parë me dhjetëra herë gjatë 12 viteve të fundit. Në vend që të fokusohet tek detyrat bazë, qeveria shpik projekte madhore, i shet si “vizion 2030” dhe në fund i kthen në platforma për klientelë. Në shëndetësi, në infrastrukturë dhe tani në mbrojtje, rezultati është i njëjtë: shteti merr rolin e tregtarit, ndërsa qytetarët mbeten pa shërbime cilësore.
KAYO është vetëm shembulli më i fundit i këtij modeli. Një shtet që nuk financon dot spitale, por hap kompani armësh; që nuk ndërton dot shkolla, por shpik shoqëri aksionare me ortakë pa eksperiencë; që nuk garanton dot zjarrfikës për të mbrojtur pyjet, por shpall veten prodhues armatimesh.
Pyetja që lind është e thjeshtë: çfarë shteti po ndërtojmë?
Një shtet që i lë shërbimet publike në duart e privatit, ndërsa biznesin e mban për vete, nuk është një shtet modern dhe demokratik. Është një shtet klientelist, që i shërben vetes dhe klientëve të pushtetit.
Shqipëria ka nevojë për një industri moderne të mbrojtjes, por jo për kompani fasadë e partnerë të rastësishëm. Siguria kombëtare nuk është biznes privat i qeverisë – është interes kombëtar që nuk mund të përdoret si monedhë për tendera dhe marrëveshje të errëta.
Post nga Jorida Tabaku

The post Biznesi qeverisë me armët! appeared first on Revista Monitor.

Turizmi i aventurës, projekti i BERZH do mbështesë ndërhyrjet në 4 fshatra të Korçës

19 August 2025 at 11:00

Katër fshatra të Korçës, konkretisht: Dardha, Arrëza, Sinica dhe Nikolica do të mbështeten për të përmirësuar ofertën e tyre turistike dhe posaçërisht në segmentin e aventurës. Në sistemin e prokurimeve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) u njoftua procedura që kanë në objekt të kontratës këtë objektiv  dhe për të cilën subjektet e interesuar do të shprehin interesin.

Bëhet fjalë për kontratën “Përmirësimi i ofertës turistike të zonave natyrore në rajonin e Korçës, përmes rritjes së aksesueshmërisë dhe infrastrukturës së turizmit të aventurës, në fshatrat Dardhë, Arrëz, Sinicë dhe Nikolicë”.

“Projekti që do të zhvillohet në fshatrat Dardhë, Arrëz, Sinicë dhe Nikolicë, që bëjnë pjesë në Bashkinë e Korçës. Klima e zonës përreth qytetit të Korçës është kontinentale me ndikime mesdhetare. Rajoni i Korçës ka një klimë karakteristike, mjaft të ndryshme nga klima bregdetare, për shkak të lartësisë dhe pozicionit të tij në pjesën lindore të Shqipërisë, në një terren malor dhe kodrinor” thuhet në përshkrimin e rajonit që do të përfshihet në këtë ndërhyrje duke shprehur kështu edhe potencialin që ka zona.

Projekti “Infrastruktura dhe Turizmi në Shqipëri” financohet nga Bashkimi Evropian përmes asistencës teknike dhe granteve investuese me një vlerë totale prej 40 milionë euro, si dhe nga një hua sovrane plotësuese e ofruar nga BERZH për Qeverinë e Shqipërisë. Projekti zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit si agjenci zbatuese.

Ndërhyrja në rajonin e Korçës nuk është e vetmja. Projekti ka pasur vazhdimisht pjesë të tij rajone të ndryshme që janë në faza të ndryshme të zbatimit. Kështu ndër të tjera mund të përmendim ndërhyrjen në rrugët turistike të Velipojës, përmirësimi i infrastrukturës dhe transportit në Bogë, ndërhyrja në Parkun Kombëtar të Tomorit./ N.Maho

 

 

The post Turizmi i aventurës, projekti i BERZH do mbështesë ndërhyrjet në 4 fshatra të Korçës appeared first on Revista Monitor.

Ujësjellësit, në 2024 të ardhurat 113 milionë euro, vetëm 5 shoqëri mbulojnë kostot

19 August 2025 at 10:00

Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve në vend realizuan 11.3 miliardë lekë të ardhura apo 113 milionë euro nga aktiviteti i tyre. Enti Rregullator i Ujit publikoi raportin e performancës për vitin 2024 duke nënvizuar se pavarësisht një ecurie më të mirë të ardhurave, që janë në rritje në raport me vitin 2025 ende shumica e shoqërive e kanë të vështirë të mbulojnë kostot.

Gjatë vitit 2024, të ardhurat e realizuara nga aktiviteti i shoqërive UK arritën në 11,378 milion lekë, duke shënuar një rritje prej 983 milion lekësh krahasuar me vitin 2023.

Në nivel sektori, vetëm 5 nga 17 shoqëri UK që operojnë në të gjithë territorin kanë arritur të mbulojnë mbi 100% kostot O&M.

Në tërësi, niveli i mbulimit të Kostove O&M është rritur, duke arritur në 107.6%, me të ardhurat nga aktiviteti (pa përfshirë subvencionet), çka tregon një përmirësim të qëndrueshëm financiar në raport me vitin e kaluar” thuhet në raport.

ERRU nënvizon se të ardhurat nga aktiviteti kanë pësuar një rritje të lehtë me 9.5%, si rezultat i rritjes me rreth 29,340 lidhje të reja të Furnizimit me Ujë (FU) të cilat vijnë kryesisht nga vendet bregdetare SHRUK Vlorë, e cila e ka dhe vitin e parë të rajonalizimit, vijon SHUK Tiranë me rritje të lidhjeve të reja për furnizim uji, SHRUK Durrës dhe SHRUK Sarandë.

Ndërkohë ka rritje me 24,041 të numrit të lidhjeve kanalizimeve që vijnë kryesisht nga SHUK Tiranë, SHRUK Durrës, SHRUK Elbasan, SHRUK Korçë dhe SHRUK Vlorë.

Megjithatë, në sektor sipas raportit, mbeten ende 12 shoqëri UK që nuk mbulojnë kostot O&M dhe që janë subvencionuar nga qeveria qendrore.

Subvencionet në vitin e shkuar ishin 349 milionë lekë apo rreth 3.5 milionë euro.

Sektori i ujësjellës-kanalizimeve tashmë prej disa vitesh është nën reformën e riorganizimit ku hapi i parë ishte ai i bashkimit të disa dhjetëra shoqërive në 15 të tilla. Deri më tani ka përfunduar organizmi i 14 prej tyre teksa mbetet ende pa krijuar shoqëria më e madhe, që është ajo e Tiranës që përfshin bashkë me kryeqytetin edhe Kamzën dhe Vorën.

Gjatë dy viteve të fundit shoqëritë e reja kanë aplikuar për tarifa të rishikuara me tendencë rritjen në një pjesë të mirë të tyre të cilat janë miratuar nga Enti Rregullator i Ujit./N.Maho

The post Ujësjellësit, në 2024 të ardhurat 113 milionë euro, vetëm 5 shoqëri mbulojnë kostot appeared first on Revista Monitor.

Tabela/Sa do rriten detyrimet e taksës së ndërtesës për pronarët e parkimeve e bodrumeve në rrethe

18 August 2025 at 23:02

Rritja e çmimeve të referencës në rrethe, përveç detyrimeve për taksën e ndërtesës të familjarëve dhe bizneseve pritet të sjellë edhe shtrenjtimin e detyrimeve për taksën edhe për pronarët e parkimeve të mbyllura dhe bodrumeve.

Në taksimin për ndërtesat, në metodologjinë e miratuar në vitin 2018 nga qeveria ku vlera e ndërtesës llogaritet bazuar mbi çmimet e referencës së apartamenteve, përfshiu për taksim edhe garazhet dhe bodrumet e mbyllura.

Referuar metodologjisë për llogaritjen e taksës së ndërtesës, shkalla e taksës për garazhet dhe bodrumet në nivel kombëtar është 0,2% e vlerës së pasurisë së paluajtshme që taksohet.

Ndërsa çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për parkim të mbuluar dhe bodrume është 70% e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas qyteteve. Pra vlera e një garazhi të mbyllur apo bodrumi llogaritet me 70% e çmimit të çmimit të referencës së apartamenteve të banimit sipas zonave kadastrale të qyteteve.

Monitor ka llogaritur detyrimin e ri për taksën e ndërtesës të një pronari garazhi të mbyllur apo bodrumi me sipërfaqe 50 m2 për 119 zonat e reja kadastrale në rrethe. Aktualisht rrethet janë të ndara secili qytet vetëm në 1 zonë kadastrale. Me çmimet e reja propozohen shtimi i disa zonave të reja. Çmimet e reja të referencës në rrethe të propozuara nga Ministria e Financave parashikohet të nisin zbatimin nga 1 janari 2026.

Rritja e detyrimeve për pronarët e garazheve dhe bodrumeve në rrethe pritet të variojë nga 0.2% deri në 196%, në të njëjta vlera që pritet të ndryshojnë edhe çmimet e reja të referencës në rrethe.

Konkretisht sipas llogaritjeve me më tepër detyrime do të ngarkohen pronarët e garazheve dhe bodrumeve të zonës kadastrale nr.13 në Durrës që në terren përkon me zonën afër portit. Në këtë zonë çmimet e referencës së apartamenteve nga 67,500 lekë për metër katror është propozuar të jetë 200,000 lekë për metër katror. Rritje 196%.

Nëse një individ zotëron një garazh të mbyllur me sipërfaqe 50 m2 në këtë zonë nga 4,725 lekë në vit detyrim për taksën e ndërtesës që paguan, pas miratimit të çmimeve të reja të referencës do të ngarkohet me një detyrim prej 14,000 lekë në vit. Rritja në vlerë do të jetë 9,275 lekë më shumë sesa paguan aktualisht apo 196.3% më tepër.

Rritje të lartë detyrimesh në Durrës pritet të ketë edhe për zonën kadastrale nr.6 që në terren përkon në bregdetin e Gjirit të Lalëzit. Nga 4,725 lekë në vit që paguan taksën për garazhin një individ aktualisht, me hyrjen në fuqi të çmimeve të referencës detyrimi do të rritet në vlerën e 5,075 lekëve. Detyrimi i ri për një pronar me garazh të mbyllur me sipërfaqe 50 m2 do të jetë 9,800 lekë në vit apo 107% më shumë sesa paguan aktualisht.

Rritje të ndjeshme detyrimesh të taksës së ndërtesës për garazhet pritet të ketë edhe për zonat e reja kadastrale në Himarë. Përkatësisht në zonën nr.1 kadastrale çmimi i referencës rritet nga 58,000 lekë për metër katror që është aktualisht propozohet në vlerën e 140,000 lekë për metër katror.

Detyrimi i taksës së ndërtesës për garazhin e mbyllur nga 4,060 lekë në vit që është aktualisht, do të arrijë në 9,800 lekë në vit. Rritja në vlerë llogaritet 5,740 lekë në vit apo 141.3% më shumë.

Ndërsa në zonën nr.2 kadastrale në Himarë detyrimi i taksës për një pronar garazhi apo bodrumi nga 4,060 lekë në vit pritet të arrijë në 7,000 lekë në vit. Rritja në vlerë 2,940 lekë apo 72% më shumë.

Shtimi i detyrimeve për taksën e ndërtesës si për apartamentet e banimit, njësitë tregtare, bodrumet e garazhet e mbyllura ndodhi edhe në Tiranë, pas vendimit të miratuar në fund të muajit korrik të vitit 2023, për rritjen e çmimeve të referencës mbi të cilët llogaritet vlera e pasurisë së paluajtshme për taksën e ndërtesës. Çmimet e referencës kishin mbetur të pandryshuara që nga viti 2016.

Me ndryshimet që hynë në fuqi në korrik 2023, u rritën çmimet në 32 zonat kadastrale të kryeqytetit dhe në 5 njësitë administrative të Tiranës. Ndërsa në atë periudhë në rrethe çmimet e referencës mbetën të pandryshuara.

Në Tirana çmimet e referencës së apartamenteve u rritën nga 5 deri në 76%.

Zona me çmimet më të lartë të referencës vijon të mbetet ajo e ish Bllokut që përkon me zonën kadastrale 5/1. Me çmimet e referencës të 2016-ës çmimi fiskal i kësaj zone ishte 190,000 lekë për metër katror. Me ndryshimet e fundit çmimi arrin në 228,400 (rritet 38,400 për metër katror apo 20%).

Rritje të lartë pati edhe në zonat kadastrale 8/2 (Medreseja, Farmacia nr.10, Tregu Industrial). Në vlerë çmimi referencë është rritur 56,700 lekë/m2. Në zonën kadastrale 10/1 (PTT, Telekomi, ish-Lidhja e Shkrimtarëve) çmimi u rrit 47,800 lekë për metër katror./ D.Azo

The post Tabela/Sa do rriten detyrimet e taksës së ndërtesës për pronarët e parkimeve e bodrumeve në rrethe appeared first on Revista Monitor.

Nuk ka asnjë rikuperim, Eksportet reale ranë me 7.4% për janar-korrik

18 August 2025 at 23:01

Në pjesën e parë të këtij viti u duk se eksportet po rikuperoheshin, pas tendencës rënëse të dy viteve të kaluara. Të dhënat zyrtare treguan se për 7 mujorin, eksportet në total ishin 238.5 miliardë lekë, me një rritje prej 2.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në korrik, eksportet ishin 35.2 miliardë lekë, me zgjerim 5.7%.

Një pjesë e madhe e rikuperimit lidhej me rritjen e fortë të shitjeve drejt Kosovës, të cilat u zgjeruan me 72.5% për 7 mujorin. “Monitor” ka mësuar se nuk kemi të bëjmë me rritje reale, por thjesht me ndryshimin e metodologjisë, pasi që nga 1 janari 2025 tranzitet e karburantit drejt Kosovës raportohen edhe si ri eksporte. Si rrjedhojë, kapitulli “Lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre” drejt Kosovës ishte 26.4 miliardë lekë në janar-korrik 2025, nga 2.7 miliardë lekë në janar-korrik 2024, me një rritje prej 864%, ose 23.6 miliardë lekë më shumë. Nëse hiqet efekti i tranzitit, rritja do të ishte 12% dhe ky grup do të rezultonte vetëm 3 miliardë lekë.

Nga riklasifikimi i tranzitit edhe si eksporte, eksportet drejt Kosovës janë shtuar edhe me 23.3 miliardë lekë, që në fakt nuk është një rritje reale.

Nëse këtë shumë ia heqim totalit të eksporteve për 7 mujorin (që janë 238.5 miliardë lekë), ato do të zbrisnin në 215.3 miliardë lekë.

Për 7 mujorin 2024, eksportet në total ishin 232 miliardë lekë, sipas INSTAT.

Si rrjedhojë, duke hequr shifrën e tranzitit të karburanteve drejt Kosovës, për janar-korrik 2025, eksportet janë tkurrur me 7.4%, duke vijuar me tendencën negative.

Ndoshta INSTAT, kur raporton të dhënat duhet ta ndajnë, ose të bëjnë një shënim për shifrën e rieksporteve drejt Kosovës, pasi do të krijojë një ide të gabuar për ecurinë reale të shitjeve jashtë vendit, teksa institucionet zyrtare po reklamonin përmirësimin e situatës së eksporteve në vend!

https://monitor.al/rritje-fiktive-e-eksporteve-pas-ndryshimit-te-raportimit-me-kosoven-ecuria-reale-eshte-me-renie/

 

The post Nuk ka asnjë rikuperim, Eksportet reale ranë me 7.4% për janar-korrik appeared first on Revista Monitor.

Yield-i i obligacioneve 15-vjeçare i kthehet rritjes për herë të parë në pothuajse dy vjet

18 August 2025 at 23:00

Yield-i i obligacioneve 15 vjeçare i është kthyer rritjes për herë të parë në pothuajse dy vjet. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar i këtyre instrumenteve u rrit ndjeshëm në 5.95%, nga 5.57% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, që ishte zhvilluar në muajin maj. Yield-i majit kishte shënuar njëkohësisht edhe nivelin minimal historik të yield-eve të obligacioneve 15-vjeçare.

Megjithëse yield-et u rritën, kërkesa e investitorëve edhe në ankandin e kësaj jave rezultoi e kënaqshme. Nga 2 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, shuma totale e kërkesave të paraqitura nga investitorët arriti në 2.44 miliardë lekë. Ministria e Financave vendosi ta rrisë vlerën e emetimit në 2.3 miliardë lekë dhe kjo vlerësohet të ketë ndikuar në rritjen e ndjeshme të yield-it dhe kuponit të obligacioneve.

Rritja e yield-it të obligacioneve afatgjata është një zhvillim pozitiv për investitorët e interesuar për këtë segment të tregut, sidomos për fondet private të pensionit, që i investojnë asetet e tyre në masën dërrmuese në instrumente me afate të gjata maturimi, për të maksimalizuar kthimet.

Në dy vitet e fundit, yield-et e këtyre instrumenteve kishin ndjekur një tendencë të vazhdueshme në rënie. Rritja e fundit e yield-it ishte regjistruar në tetorin e vitit 2023.

Prej fillimit të vitit 2024, ulja e normave të interesit të Bankës së Shqipërisë dhe kërkesa e lartë e investitorëve në tregun primar të titujve qeveritarë kishte sjellë një tendencë të vazhdueshme rënëse për këto instrumente. Kjo bëri që shumica e titujve afatgjatë, duke përfshirë obligacionet 15-vjeçare, të preknin nivelet më të ulëta hisotrike në gjysmën e parë të këtij viti. Një rol të rëndësishëm luajt edhe kërkesa në rritje nga investitorët jorezidentë. Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar investitorët nga jashtë vendit blenë 14.4 miliardë lekë ose rreth 143 milionë euro instrumente borxhi në lekë të qeverisë shqiptare vitin e kaluar. Shuma e investuar prej tyre përbënte 29% të shtesës së huamarrjes së brendshme për vitin 2024. Investitorët e huaj kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e kërkesës në tregun e titujve të borxhit në lekë të qeverisë shqiptare. Kjo rritje e kërkesës ndikoi edhe në uljen e mëtejshme të yield-eve të bonove dhe obligacioneve për vitin e kaluar. Megjithatë, ishte e pritshme që rënia e fortë e yield-eve do të pasohej nga një korrektim i tyre në rritje dhe pikërisht një gjë e tillë ka ndodhur duke filluar që prej muajit qershor, sidomos për instrumentet me maturim afatgjatë.

Ndërkohë, titujt afatshkurtër vazhdojnë të shënojnë yield-e shumë të ulëta, duke qëndruar shumë pranë ose poshtë normës bazë të interesit. Yield-i bonove 12-mujore të thesarit ka arritur një nivel të ri minimal për tre vitet e fundit.

Në ankandin e këtij muaji, yield-i mesatar i ponderuar nga zbritur në 2.62%, niveli më i ulët që prej qershorit të vitit 2022. Por, ndryshimi është se marzhi mbi normën bazë të interesit aktualisht është më i ulët dhe pranë niveleve minimale historike. Në qershor 2025, norma bazë ishte ende në nivelin 1%, ndërsa bonot 12-mujore shënonin një yield prej 2.5%. Ndërkohë sot që norma bazë është në nivelin 2.5%, bonot 12-mujore u emetuan me një yield 2.62%. Bonot 6-mujore dhe 3-mujore ndodhen madje poshtë nivelit të normës bazë./E.Shehu

Burimi: Banka e Shqipërisë

The post Yield-i i obligacioneve 15-vjeçare i kthehet rritjes për herë të parë në pothuajse dy vjet appeared first on Revista Monitor.

❌
❌