Ekstradohen nga Italia dhe Gjermania dy shtetas në kërkim ndërkombëtar
TIRANË, 28 gusht /ATSH/ Dy persona të shpallur në kërkim janë ekstraduar nga Italia dhe Gjermania.
Policia njoftoi sot se u ekstradua nga Italia, një shtetas i cili gjatë muajit shkurt 2024, kanosi në mënyrë të përsëritur, për shkak të detyrës, gjyqtarin e Gjykatës Administrative Lushnjë.
Gjithashtu u ekstradua nga Gjermania, një shtetas i kërkuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve.
“Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, në kuadër të operacionit “The Wanted”, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe ekstradimin e tyre, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Italia, të shtetasit H. Xh., 42 vjeç, banues në Tiranë.
“Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vitin 2024, i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Shtetasi H. Xh. akuzohet se gjatë muajit shkurt 2024, ka kanosur në mënyrë të përsëritur, nëpërmjet celularit, për shkak të detyrës, shtetasin E. L., gjyqtar i Gjykatës Administrative Lushnjë, si dhe ka protestuar para Gjykatës së Lartë”, njoftoi policia.
Policia njoftoi më tej se “si rezultat i bashkëpunimit me homologët gjermanë, u finalizua ekstradimi nga Gjermania, i shtetasit shqiptar B. S., 34 vjeç. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Shtetasi B. S. akuzohet për shitje të dozave të kokainës, në qytetin e Pogradecit”.
Shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
/m.q/j.p/
The post Ekstradohen nga Italia dhe Gjermania dy shtetas në kërkim ndërkombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.