Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Aksioni i AKU në Shkodër, bllokohen 3 ton produkte ushqimore

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ka zhvilluar një aksion të përbashkët kontrolli në tregun ushqimor të Shkodrës. Objektivi i këtij operacioni ishte garantimi i sigurisë ushqimore dhe frenimi i informalitetit në sektor.

Gjatë inspektimeve në pika të ndryshme shitjeje, u konstatuan shkelje të rënda në standardet e ruajtjes së ushqimeve, si dhe mungesë dokumentacioni mbi origjinën e produkteve.

Si pasojë, autoritetet morën 8 masa administrative me gjobë dhe bllokuan rreth 3 mijë kilogramë fruta e perime, që nuk përmbushnin kriteret ligjore për tregtim.

AKU ka njoftuar se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vendin, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit dhe rritjen e formalizimit të tregut ushqimor. / abcnews.al/

Dhunuan me sende të forta të afërmin e tyre/ Kukës, në pranga babë e bir

Pas njoftimit se në fshatin Kosharisht disa shtetas po konfliktoheshin me njëri-tjetrin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje. Nga ndërhyrja e shpejtë dhe profesionale e shërbimeve të Policisë, u bë i mundur parandalimi i një ngjarjeje të mundshme kriminale, si dhe arrestimi i shtetasve të përfshirë në konflikt, konkretisht:

M.M., 53 vjeç, dhe B.M., 18 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Kosharisht.

Këta shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta me të afërmin e tyre, shtetasin O. K., 50 vjeç, banues në Tiranë, në hyrje të fshatit e kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime. / abcnews.al /

Vetëhidhet nga kati i pestë i pallatit/ Vlorë, humb jetën 32-vjeçarja, dyshimet e para

Më datë 21.08.2025, në lagjen “28 Nëntori”,  dyshohet se është vetëhedhur nga kati i pestë i pallatit ku banonte shtetasja E. M., 32 vjeç, e cila, si pasojë e dëmtimeve, ka ndërruar jetë. Nga hetimet ka rezultuar se kjo shtetase vuante prej disa kohësh nga probleme të shëndetit mendor.

ANALIZA/ Pse Donald Trump beson se e meriton çmimin Nobel të paqes

Përpjekjet e Donald Trump për të përfunduar luftën në Ukrainë kanë rikthyer fushatën e tij për të fituar Çmimin Nobel të Paqes. Gjatë një takimi me Presidentin Volodymyr Zelensky dhe liderët evropianë më 18 gusht, Trump tha: “Kam mbyllur gjashtë luftëra”, duke shtuar më pas se në fakt kishte mbyllur shtatë.

Trump nuk ka fshehur kurrë dëshirën e tij për të fituar këtë çmim prestigjioz, dhe përpjekjet e tij janë përmendur që nga mandati i tij i parë si president. Në vitin 2019, Trump deklaroi se Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, e kishte nominuar për Çmimin Nobel të Paqes pas samitit të tij me liderin koreanoverior Kim Jong Un.

Fushata për Nobel – Përpjekjet e mëparshme

Në shkurt të vitit 2019, Trump tha se Abe kishte dërguar një letër të bukur që e nominonte për çmimin. Më pas, Trump e përdori fitoren e Barack Obamës në 2009 si një shembull, duke e quajtur atë një fitore të shpejtë pa ndonjë sukses të madh pas 9 muajsh si president.

Në vitin 2020, ai tha se meritonte Çmimin Nobel më shumë se Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, për arritjet e tij në marrëveshjen e paqes me Eritrean, një akt për të cilin Trump e ndjeu se kishte kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Shtatë luftërat që Trump thotë se ka mbyllur

Në takimin e tij më 18 gusht me Zelensky dhe liderët evropianë, Trump u shpreh se kishte “mbyllur shtatë luftëra”, duke përfshirë disa konflikte të cilat përfshinin ndërhyrjen amerikane. Ja një përmbledhje e luftërave që ai pretendon të ketë mbyllur:

  1. Armenia dhe Azerbajxhani – Në gusht të vitit 2023, pas disa viteve tensionesh për Nagorno-Karabakh, një marrëveshje paqeje u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë, për të cilën Trump mori lavdërime nga liderët e të dy vendeve.
  2. Tajlanda dhe Kamboxhia – Në korrik 2024, pas përleshjeve kufitare mes dy vendeve, Trump ndërhyri për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi.
  3. Ruanda dhe Republika Demokratike e Kongos – Në qershor 2025, një marrëveshje midis dy vendeve për të ruajtur armëpushimin u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë, edhe pse mungonte përfshirja e grupeve kryesore të rebelëve.
  4. Izraeli dhe Irani – Trump pretendoi të kishte ndërmjetësuar një armëpushim ndërmjet dy vendeve pas një periudhe tensioni të lartë në vitin 2024.
  5. India dhe Pakistani – Në maj të vitit 2024, pas një periudhe tensionesh në Kashmirit e kontrolluar nga India, Trump thotë se ndërhyri për të arritur një armëpushim të përkohshëm mes dy vendeve.
  6. Egjipti dhe Etiopia – Edhe pse konflikti mbi digën e Etiopisë në lumin Nil vazhdon, Trump pretendon se ka luajtur një rol për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes dy vendeve.
  7. Serbia dhe Kosova – Trump mburret se ka ndërhyrë për të ndihmuar në shmangien e luftës mes dy vendeve.

A mund ta fitojë Trump Çmimin Nobel të Paqes?

Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel të Paqes më shumë se 10 herë, përfshirë nga liderë të ndryshëm si Benjamin Netanyahu dhe Kryeministri i Kamboxhës, Hun Manet. Ndërkohë, disa ekspertë sugjerojnë se ndërhyrjet e tij mund të kenë qenë të dobishme për menaxhimin e konflikteve, por nuk kanë arritur të zgjidhin problemet në thelb të këtyre konflikteve.

Dr. Theo Zenou, një specialist i politikës ndërkombëtare, thotë se ndihma e Trump për arritjen e Marrëveshjes së Abrahamit, që ka ndihmuar disa shtete arabe të njohin Izraelin, është një arritje e tij më e madhe diplomatike. Ai thekson se, pavarësisht kritikave, Trump ka pasur sukses në mbajtjen e paqes në disa raste pa përdorur ndërhyrje ushtarake të drejtpërdrejta.

Në fund, edhe pse Trump ka bërë disa përpjekje për të menaxhuar konflikte, ekspertët theksojnë se ka një dallim të madh mes menaxhimit të konflikteve dhe zgjidhjes së tyre.

Qëlluan automjetin me armë pas konfliktit fizik/ Kombinat, pranga dy personave, procedohen dy të tjerë

Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 12:10, në Kombinat, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit R. K., 38 vjeç, dhe Zh. K., specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Tiranë dhe me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në kuadër të operacionit “Quick Response”, kapën dhe vunë në pranga shtetasit:

  1. A(V)., 28 vjeç
  2. B., 30 vjeç, të dy banues në Kombinat

Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit R. K., Zh. K., F. K. dhe B. M.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se 4 shtetasit e proceduar penalisht janë konfliktuar fizikisht me 2 autorët e ngjarjes. Pas konfliktit, për motive të dobëta, shtetasi O. A(V). ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të 38-vjeçarit, ndërsa shtetasi S. B. drejtonte automjetin nga ku qëlloi me armë zjarri 28-vjeçari. / abcnews.al /

Nisma ‘Male të pastra’/ Rama fton qytetarët: Kontribut modest dhe mesazh kuptimplotë për natyrën e përbashkët

Kryeministri Edi Rama me një postim në rrjetet sociale, ftoi qytetarët të bashkohen në nismën ‘Male të pastra’ i cili është një aksion pastrimi organizuar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.

Kjo nismë do të mbahet në datë 26 gusht në dhjetë parqe kombëtare të vendit. Kryeministri Rama theksoi se ky është një kontribut modest i çdo individi, por një mesazh i fortë për kujdesin ndaj natyrës së përbashkët. / abcnews.al /

Parashikimi i motit, 23 gusht 2025

Ditën e shtunë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet fillimisht me kthjellime si dhe vranësira të pakta kalimtare ndërsa prej orëve të mesditës deri ato të pasdites vonë mot me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me diell.

Vranësirat e dendura do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit ndërsa në relievet malore në zonën e veriut reshjet në periudha afatshkurtra në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Pas orëve të pasdites mot përsëri i kthjellët në të gjithë territorin.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – jugperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës do të fitojë shpejtësi 15 m/s.

Horoskopi, 23 gusht 2025

Dashi

Nëse flisni shumë mund të ketë komplikime, sidomos në dashuri, ku fundjava do të jetë e vështirë. Parashikohet që të ketë debate. Mund të ndiheni të demotivuar nga sjelljet tuaja, kështu që mundohuni që të rigjeni entuziazmin. Po ashtu mundohuni që të rrini me miq që i keni përzemër dhe mos u pushtoni nga nervozizmi.

Demi

Ju pret një ditë pozitive, ku do të ketë shtysa të rëndësishme lidhur me çështje që i keni përzemër. Mund ta përballoni situatën me më shumë qetësi. Vetëm gjendja fizike nuk do të jetë shumë e mirë. Me afrimin e mbrëmjes dhe me kontaktet që do të keni me njerëz që i doni, situata do të përmirësohet.

Binjakët

Do të keni mundësi për të pasur kontakte të reja, edhe pse në dashuri do të ketë jo pak tensione. Jeni jo pak të lodhur, por pavarësisht kësaj ky është një moment i mirë për të bërë atë që doni. Do të jeni më të hapur me të tjerët në sferën sentimentale, veç nuk duhet ta teproni me ankesat, sidomos ndaj njerëzve të cilët tashmë i keni larg.

Gaforrja

Ju pret një e shtunë shumë interesante në sajë të ndikimit të Hënës në shenjën tuaj. Jeni shumë të pasionuar ndaj të tjerëve dhe fati do ju prijë. Edhe sfera sentimentale do të jetë tejet e favorshme. Gjithashtu mundohuni që të gjeni stimujt e duhur brenda vetes pasi keni nevojë për emocione të vërteta.

Luani

Në dashuri do të merrni konfirmime të rëndësishme, ndonëse sfidat nuk do të mungojnë. E shtuna do të jetë mjaft e veçantë, ndaj mundohuni që të mos debatoni sidomos me të lindurit e shenjës së Dashit dhe Demit. Lëreni veten të rrëmbeheni nga ndjenjat, pa menduar për pasojat. Humbja e kontrollit ndonjëherë mund të dhurojë kënaqësi.

Virgjëresha

E shtuna do të jetë më e mirë, pasi do ju lejojë që të ktheni në plan të parë raportet me të tjerët. Në dashuri gjërat do të përkeqësohen, për shkak të keqkuptimeve me të cilat do të përballeni. Ndikimi i kundërt i Venusit, do të shkaktojë mjaft konfuzion dhe ende nuk do arrini që t’iu besoni njerëzve që keni përreth. Përmirësimi do të nisë vetëm pas tre ditëve.

Peshorja
Mundohuni që të mos humbni qetësinë. Pavarësisht ndikimit të Hënës në shenjën tuaj, lodhja do të ndihet. Ndoshta jeni të zhgënjyer nga sjellja e një personi të cilin e ndjeni të largët. Nëse do ju bëhet një ftesë pranojeni dhe mundohuni që të rigjeni qetësinë.

Akrepi

Kjo fundjavë do të jetë shumë pozitive sidomos në sferën sentimentale. Ndikimi i Hënës do të ngjallë erosin dhe pasionin, duke përjetuar emocione të bukura. Me njeriun e zemrës jini vetvetja dhe mos krijoni probleme aty ku nuk ka.

Shigjetari

Lidhjet e dashurisë duhen jetuar me kujdes. Momentalisht asgjë nuk iu bën që të ndiheni mirë. Një moment reflektimi mund t’iu bëjë shumë mirë.

Bricjapi

Hëna do të ketë ndikim të kundërt në shenjën tuaj. Të lindurit e shenjës së dashit dhe gaforres, nuk do të jenë në harmoni. Do të ndiheni disi dembelë, por bëni mirë që të mos përhumbeni nga rrjedha juaj normale.

Ujori

Duhet të rikuperoni energjinë, pasi kjo fundjavë është ideale sa i takon ndjenjave. Mundohuni që të përgatiteni ndaj të papriturave. Nëse dashuria nuk shkon ashtu siç duhet, kjo ndodh edhe për fajin tuaj, shkruan noa.al. Mundohuni që të bëni diçka më shumë dhe rezultatet nuk do të mungojnë.

Peshqit

Do të jeni mjaft tërheqës dhe gjithashtu edhe më sensual. Në dashuri do të keni rikuperim terreni. Fundjava është shumë interesante ku ndikimi i favorshëm i Hënës do të sjellë një sërë dobish si dhe mundësinë për të jetuar një histori të re dashurie. /abcnews.al/

Një javë pas samitit në Alaskë: Çfarë duhet t’i dini për përpjekjet për paqe në Ukrainë

Një javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ia shtroi qilimin e kuq homologut të tij rus, Vladimir Putin, nuk ka ndryshuar shumë në përpjekjet për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë.

Takimi Trump-Putin në Alaskë u pasua nga bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe udhëheqësit evropianë që përfundoi me një thirrje për një takim ballë për ballë mes Putinit dhe Zelenskyt.

Me Rusinë që po zvarrit mbajtjen e një takimi të tillë, ajo që ka dalë në sipërfaqe nuk i ngjan një rruge të qartë drejt paqes, por është një portret i negociatave që përcaktohen nga fshehtësia, mosbesimi dhe rreziku i ngërçit.

Disa përparime mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën

Uashingtoni dhe shtetet evropiane janë afruar drejt përcaktimit se si mund të duken garancitë e sigurisë për Ukrainën pas luftës.

Planifikues ushtarakë amerikanë dhe evropianë kanë nisur takimet për të shqyrtuar se çfarë mund të përfshijë paketa e përgjithshme e sigurisë, para se udhëheqësit politikë të marrin një vendim përfundimtar për të.

Kjo përfshin furnizime afatgjata me armë, shkëmbim të informacioneve të inteligjencës dhe planifikim të përbashkët të mbrojtjes. Trump ka lënë të kuptohet se fuqia ajrore amerikane mund të përfshihet në paketën e sigurisë.

Londra, Parisi dhe Berlini kanë përsëritur qëndrimin e tyre të kamotshëm se garancitë e sigurisë duhet të jenë të prekshme ose Moska do ta trajtojë çdo armëpushim si një pauzë të përkohshme para ofensivës së radhës.

Rusia vazhdimisht ka përsëritur kundërshtimin e saj për praninë e forcave të NATO-s në Ukrainë.

Qëndrimi i Rusisë nuk ka ndryshuar

Teksa raportimet e mediave kanë thënë se Putini ka shtyrë përpara idenë e ngrirjes së vijave të frontit në disa zona, objektivat e tij të mëdha mbeten të pandryshuar: kontrolli i plotë mbi rajonet lindore të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, njohja e aneksimit të Krimesë dhe zotime ligjërisht të detyrueshme që Ukraina të mos i bashkohet NATO-s.

Përveç këtyre, ka edhe kufizime të mëdha për forcat e armatosura të Ukrainës.

Këto nuk duken si koncesione, por kërkesa për të institucionalizuar humbjet territoriale të Kievit dhe për të vulosur cenueshmërinë e Ukrainës.

Refuzimi i Kremlinit, deri më tani, për t’u pajtuar për një takim mes Putinit dhe Zelenskyt vë në pah se si Rusia thjesht ngul këmbë në vijat e kuqe ekzistuese.

Ndërkaq, për Kievin, dhënia e tokës ndaj Rusisë do të ishte jo vetëm jokushtetuese, por politikisht dhe ushtarakisht dëmtuese.

Hezitimi i Uashingtonit për t’u angazhuar

Pas dy samiteve, Trump duket se po tërhiqet.

Presidenti amerikan veçse kishte deklaruar në Uashington se jo domosdo ai duhet të jetë i pranishëm në një samit Putin-Zelenesky, dhe që atëherë ka sugjeruar se mund të marrë pjesë vetëm pasi udhëheqësit rusë dhe ukrainas të jenë takuar.

Trump ka theksuar se trupat amerikane nuk do të dislokohen në Ukrainë, vendim që kurrë nuk ka qenë në pikëpyetje.

Se cila realisht mund të jetë “përfshirja” e SHBA-së në garancitë e sigurisë dhe çfarë roli mund të luajë forca e saj ajrore, po ashtu mbeten të paqarta – të paktën për publikun.

Qëndrimi i Trumpit reflekton si kujdes strategjik – shmangie të një përshkallëzimi të drejtpërdrejtë me Rusinë – ashtu edhe llogaritje politike. Shtëpia e Bardhë vazhdon të jetë painteresuar që të mbështesë arkitekturën e sigurisë të Evropës.

Për Kievin, kjo reflekton një të vërtetë të dhimbshme: Evropa është angazhuar për mbrojtje, por SHBA-ja mund të mos e mbështesë mjaftueshëm.

Ndarjet transatlantike

Samiti i Uashingtonit ishte shfaqje e unitetit transatlantik, por ndarjet dhe mosbesimi mbesin.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, qëndroi i heshtur kur Zelensky dhe Trump u takuan para kamerave në Zyrën Ovale. Por, gjatë një interviste dhënë më vonë për Fox News, ai tha se e kishe paralajmëruar Zelenskyn: “Zoti president, për aq kohë sa silleni mirë, unë nuk do të them asgjë”.

Kjo intervistë rikujtoi përplasjen me Zelenskyn gjatë qëndrimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, duke sugjeruar se antagonizmat e së kaluarës nuk janë harruar plotësisht.

Ndërkaq, CBS raportoi më 21 gusht se drejtoresha e inteligjencës kombëtare, Tulsi Gabbard, në korrik lëshoi një udhëzim që klasifikonte të gjitha informacionet lidhur me negociatat e paqes si “NOFORN” – vetëm për përdorimin nga SHBA-ja – dhe këto informacione madje ndalohet që të ndahen me grupin Five Eyes.

Grupi Five Eyes bashkon SHBA-në me Britaninë, Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re sa i përket këmbimit të inteligjencës. Përjashtimi i tyre nga një çështje kaq të ndjeshme do të lërë planifikuesit evropianë pa informacionin amerikan në momentin kur po u kërkohet të marrin udhëheqjen për garancitë e sigurisë.

Sulmet ruse kanë vazhduar

Ndërkaq, sulmet e Rusisë kanë vazhduar pa u ndalur.

Më 21 gusht, Zelensky dënoi Rusinë për lëshoi qindra dronëve dhe dhjetëra raketave në një sulm masiv të kryer gjatë natës, duke e quajtur sjelljen e Moskës dëshmi se ajo nuk ka interes të përfundojë konfliktin.

“Ata po përpiqen t’i shmangen mbajtjes së një takimi. Ata nuk duan ta përfundojnë këtë luftë”, deklaroi ai.

Ndërsa diplomatët, përfshirë edhe zyrtarët rusë, flasin për dialog, forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë qytetet ukrainase, duke vrarë dhe plagosur civilë, përfshirë fëmijët, dhe duke shkatërruar infrastrukturën thelbësore. /REL/

Trump: Shorti i Botërorit 2026 më 5 dhjetor në Uashington

Shorti i grupeve të “Kupës së Botës 2026” në futboll do të hidhet më 5 dhjetor në Uashington, njoftoi të sot presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump.

Trump tha në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të FIFA-s Gianni Infantino, se ceremonia e hedhjes së shortit do të mbahet në “Qendrën Kennedy” në kryeqytet.

“Kupa e Botës 2026” do të zhvillohet nga 11 qershor deri më 19 korrik 2026 në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Turneu është zgjeruar nga 32 në 48 skuadra, të cilat do të ndahen në 12 grupe.

Fillimisht besohej se shorti do të mbahej në Las Vegas, siç ndodhi për botërorin e parë në SHBA në vitin 1994.

Infantino dhe Trump kanë marrëdhënie të afërta, dhe ata mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp në fund të “Kupës së Botës për klube”, e cila u zhvillua në SHBA në qershor dhe korrik, në “Trump Tower” në Nju Jork.

“Berisha caktoi vetë ‘nenin Basha’”/ Balliu: “Kukullat” në grupin parlamentar po e mbajnë në lojë!

“Sali Berishës i ka mbaruar koha politike dhe kukullat e tij nuk e mbrojnë dot më”, kështu u shpreh Alesia Balliu, ish anëtare e Këshillit Kombëtar të PD.

Gjatë një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News, ajo theksoi se Berisha duhet të largohet sepse po mban peng PD.

“Meritokracia, gara, riformatimi vjen duke pranuar të vërtetën duke parë shkaktarë e humbjet. Dhe mbi të gjitha duke ndryshuar lidershipin. Kaq e pamundur është të kemi një lidership të ri?”, tha ajo.

Gjithashtu gjatë intervistës, tha se ndryshimi mund të nisë duke bërë një formacion të fuqishëm, pasi sipas saj sot aktualisht PD është shumë larg problemeve të qytetarëve.

“Tanimë janë bërë shumë bezdisës për publikun. PD duhet të pranojë të vërtetën të bëjë një analizë të mirëfilltë dhe jo një analizë fasadë siç është mësuar Berisha me familjen e tij. Procesi i Sali Berisha i shërben vetëm Berishës dhe 40 kukullave të tij dhe askujt tjetër. Flasim për një formatim në nivel kombëtar dhe jo në nivel familjar”, tha mes të tjerash ajo.

/abcnews.al/

Aksident në bypass-in e Vlorës, makina përmbyset në rrugë, raportohet për të lënduar

Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në bypass-in e Vlorës, ku janë përplasur dy automjete, një mjet tip Nissan dhe një Mini Cooper.

Si pasojë e përplasjes, automjeti tip Mini Cooper është përmbysur në rrugë. Nga ngjarja një person ka mbetur i lënduar, ndërsa një nga drejtuesit e mjeteve është transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.

/abcnews.al/

“Potencial i madh kriminal”/ Avokati për deklaratat e Metës: Përmendi dëshmitarët me emra që këtu nis intimidimi!

Avokati Romeo Kara në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News ka komentuar deklaratat e fundit të Ilir Metës se nuk ka asnjë rrezik për të intimiduar dëshmitarët.

Avokati tha se gjykata ka vendosur dhe arsyetuar shumë mirë që masa e arrestit i përgjigjet faktit penal.

Akuzohet për tre rate korrupsioni, dy prej të cilave në bashkëpunim. Pra gjykata ka marrë parasysh se mund të intimidohen…Që nga momenti që i ka përmendur me emra, që nga këtu nis intimidimi. Por gjykata ka thënë qartë që qëndrimet e tyre para prokurorisë nën intimidim, mund të ndryshojnë para gjykatës. Kemi raste jo të vogla të situata të tilla pra njerëzit tjetër kanë dëshmuar në polici dhe prokurori dhe më pas kanë ndryshuar qëndrimin e tyre para gjykatës”, ka thënë ai.

Gjithashtu nënvizoi se që në momentin që përmend dëshmitarët me emra, që nga kjo nis edhe intimidimi tha më tej avokati.

“Metën e marrim me të qeshur por ka potencial kriminal dhe ka mbledhur para e pushtet. Politikën e ka përdorur për të grumbulluar një pasuri të çmendur”, tha mes të tjerash ai, duke shtuar: “Zotëria është kërcënues profesionist, kërcënoi kur ishte president, kërcënoi edhe SHBA, mori një përgjigje edhe nga ambasadorja amerikane e kohës, pra e ka mjet të tij kërcënimin.

/abcnews.al/

Meta: S’kam kë intimidoj, 5 nga 6 dëshmitarët s’janë më pjesë e Partisë së Lirisë

Zbardhja e vendimit të Gjykatës së Posaçme për mbajtjen e tij në qeli, nuk është pritur mirë nga Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Me një audiomesazh nga burgu, Meta sqaron se nuk ka asnjë rrezik për të intimiduar dëshmitarët, sepse përveç Petrit Vasilit, 5 të tjerët as nuk janë më anëtarë të partisë së tij, nga Endrit Braimllari, Eriol Braimllari, Luan Rama, ish kryefinancierja Elena Gaçe dhe ish financierja Mirela Merko.

“Ky pretendim i akuzës dhe çuditërisht, por jo dhe kaq çuditshëm, i konfirmuar në mënyrë të paturpshme nga noteri që paguhet si gjykatës është një mashtrim publik që kërkon të justifikojë pengmarrjen time për interes të regjimit mafioz të Edi Ramës. “, thotë Meta.

Sa i përket rrezikimit te prishjes se provave, Meta është i bindur se nuk ka asnjë prove ndaj tij, por fillimisht pala mbrojtëse do të ruajë konfidencialitetin.

“Ne do të ruajmë konfidencialitetin deri në seancën paraprake të gjykimit dhe pastaj do të bëjmë publike të gjitha mashtrimet e “Afërmendshit” dhe të gjitha gjallesave të regjimit, që gjoja janë “prova të gjalla” por që në fakt nuk kanë asgjë kundër Ilir Metës.”, thotë ai.

Megjithatë, Presidenti i Partisë së Lirisë për këtë vendim nuk i kurseu akuzat për gjyqtarin dhe kreun e SPAK, Altin Dumani. Për Metën, më i interesuari për të mos u liruar ai, është Edi Rama.

Vllaznia, fitore dhe revansh/ Nis sezoni i ri Superiores, shkodranët mundën 2-0 Egnatian

Sezoni i ri i Kategorisë Superiore mori jetë nga Shkodra, ku Vllaznia u nis me një fitore me shije revanshi ndaj kampionëve në fuqi të Egnatias.

Dy skuadrat u takuan pas finales së edicionit të shkuar, por këtë herë më të mirën morën shkodranët që imponuan shifrat 2-0.

Gurishta në minutën e 19-të shënoi golin e epërsisë për të zotët e shtëpisë, ndërsa vendosi edhe fatin e pjesës së parë.

Përpara pushimit, trajneri Martini la pankinën me karton të kuq, ndërsa Bekim Balaj gaboi një 11-metërsh që mund të vriste përpara kohe sfidën.

Gjithsesi, shumë shpejt pas pushimit, vendasit dyfishuan shifrat me golin e dytë që mban firmën e Bajramit.

Sfida për Egnatian u bë më e vështirë pas kartonit të kuq të Votlai në minutën e 56-të.

Me forca më të shumta në fushë, Vllaznia ruajti deri në fund avantazhin e dyfishtë, duke marrë tri pikët e para në sezonin e ri, ku kërkon ta provojë sërish për titullin kampion.

Trump ultimatum Putin: Nëse nuk takohet me Zelenskyn brenda dy javësh, do të ketë pasoja!

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do t’i japë presidentit rus Vladimir Putin “dy javë” kohë, duke shtyrë edhe më tej afatin për masa të mundshme ndaj Moskës. Trump ka kërkuar që Putin të takohet me homologun ukrainas, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës.

I pyetur nga CNN nëse ekziston mundësia që të mos ndërmarrë asnjë veprim nëse Putin nuk pranon takimin, Trump u përgjigj: “Do të shohim. Do të shoh se kush ka fajin.”

Trump theksoi se për dy javë do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmarrë, duke përsëritur afatin që ka përmendur disa herë për të testuar gatishmërinë e Putinit për paqe.

Trump, i cili javën e kaluar u takua me Putinin në Alaskë dhe këtë javë priti presidentin Zelensky dhe liderë evropianë në Shtëpinë e Bardhë, ka lënë të kuptohet për një takim dypalësh, i cili mund të pasohet nga një takim trepalësh, ku ai vetë do të marrë pjesë.

Ai përsëriti disa herë afatin dyjavor: “Do të shohim çfarë do të ndodhë. Mendoj se për dy javë do ta kem të qartë në cilin drejtim do të shkoj. Dhe ata do ta kuptojnë këtë”.

Zelensky: Rusia po përpiqet të ndalojë takimin për paqe dhe të zgjasë luftën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se po bën gjithçka që mundet për të ndaluar takimit me Vladimir Putinin, që synon  t’i japë fund luftës.

Sipas presidentit ukrainas qëllimi i Putinin është vetëm të fitojë kohë dhe jo të negociojë për t’i dhënë fund luftës.

Nga ana tjetër Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është përpjekur t’i bashkojë të dy udhëheqësit, por në një deklaratë të dhënë më herët këtë të premte ai tha se marrëdhënia mes dy liderëve “është si vaji me uthullën dhe nuk shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin”. Pas një jave intensive diplomacie, në të cilën Trump takoi fillimisht Putinin në Alaska dhe më pas Zelenskyn me udhëheqësit evropianë në Uashington, presidenti amerikan tha se lufta në Ukrainë po rezultonte të ishte më e vështira që ai ishte përpjekur të ndalonte.

/abcnews.al/

VIDEO/ Makina përplaset me motorin në Ksamil, plagoset 29-vjeçari

Një tjetër aksident ka ndodhur këtë të premte. Ngjarja ka ndodhur në Ksamil, pranë një pike karburanti në rrugën “Butrinti”.

Mjeti tip “Nissan” me drejtues shtetasin turk, Demor Tunahan, 30 vjeç, i ka prerë rrugën një motorri që drejtohej nga Mario Selishta 29 vjeç, me origjinë nga Dibra.

29-vjeçari është transportuar në spitalin e Sarandës, ku i është dhënë ndihma paraprake.

Sipas bluzave të bardha të Sarandës 29-vjeçari është i plagosur rëndë. Për rrjedhojë do të niset me ambulancë në spitalin e Traumës në Tiranë.

/abcnews.al/

“Google Pixel 10” me IA të integruar sfidon rivalin e saj “Apple”

“Google” po sfidon rivalin e saj “Apple “me një ofensivë të inteligjencës artificiale (IA) pak para lançimit të pritur të modeleve të reja “iPhone”.

Seria e re “Pixel 10” përmban veçori të IA-së si përkthimi i thirrjeve dhe një “trajner kamere” që ofron këshilla për kompozimin e fotove, bëri të ditur kompania të mërkurën në një njoftim për shtyp.

Në modelet më të shtrenjta “Pixel 10 Pro”, IA është e integruar drejtpërdrejt në kamera, duke krijuar detaje artificiale në nivele të larta zmadhimi.

“Google” planifikon gjithashtu të ofrojë rekomandime shëndetësore në orën inteligjente”Pixel 4″, nën markën “Fitbit” që ka blerë më parë.

“Apple” është përballur me vështirësi në fushën e IA-së, duke u detyruar të shtyjë për vitin e ardhshëm versionin e ri të asistentit Siri, i cili pritej të bëhej më i dobishëm në jetën e përditshme falë qasjes në të dhënat e përdoruesve.

Ndërkohë, “Google” po integron thellësisht softuerin e vet IA “Gemini” në pajisjet “Pixel” dhe në smartfonët e tjerë me sistemin operativ “Android”, të prodhuar gjithashtu nga vetë kompania.

Në vitet e fundit, “Apple” ka prezantuar veçori individuale të IA-së për fotot dhe përpunimin e tekstit.

Si një tjetër lëvizje kundër konkurrencës, “Google” ka shtuar një “kamerë telefoto” edhe në modelin bazë të “Pixel 10”, diçka që shpesh mungon në këtë kategori çmimi.

“Lufta”/ BE mbështet me 4 miliardë euro Ukrainën

Bashkimi Evropian ka ofruar një ndihmë të mëtejshme financiare me vlerë 4,05 miliardë euro – përpara Ditës së 34-të të Pavarësisë së Ukrainës.

“Solidariteti i BE-së me Ukrainën është i palëkundur”, shkroi sot presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në X.

Shpërndarja e më shumë se 4 miliardë eurove tregon angazhimin e fortë të BE-së për rimëkëmbjen dhe të ardhmen e vendit. Komisioni tha se 3,05 miliardë euro vijnë nga Instrumenti i Ukrainës, një program për ndihmën – me vlerë deri në 50 miliardë euro për vitet 2024 deri në 2027. Përveç kësaj, 1 miliard euro sigurohen nga një kredi ndihme makro-financiare që është pjesë e një iniciative të G7 me një total prej rreth 45 miliardë eurosh.

Komisioni Evropian tha se zhbllokimi i fondeve ishte bërë i mundur edhe nga tërheqja e një ligji që do të kishte kufizuar pavarësinë e autoriteteve qendrore anti-korrupsion të Ukrainës.

❌