Ka nisur protesta në Prishtinë, e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL) kundër vendimeve të Gjykatës Speciale ndaj ish-komandantëve të UÇK-së. Një numër i madh i qytetarëve po vazhdojnë t’i bashkohen protestës së thirrur në sheshet e Prishtinës.
“Jemi mbledhur për drejtësi, kundër padrejtësisë”, janë fjalët me të cilat nisi kjo protestë.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, gjatë fjalës së tij, u shpreh se Gjykata Speciale është anti-UÇK dhe po deformon historinë.
“Kjo Gjykatë ne e dimë se është një Gjykatë e njëanshme, kundër anti-UÇK, një Gjykatë anti-shtetit të Kosovës”. Ai shton: “Gjykata Speciale po deformon historinë tonë, nën petkun e drejtësisë së cilën e ka përdhosur kjo Gjykatë, po bën padrejtësi ndaj atyre që u ngritën për liri, dinjitet dhe ekzistencë njerëzore. Luftëtarët e UÇK-së ishin përgjigja legjitime e popullit tonë, të shtypur kundër një regjimi kriminal, siç ishte Serbia në krye me Millosheviçin”.
Në protestë ishte e pranishme edhe bashkëshortja e Jakup Krasniqit, i cili po gjykohet aktualisht në Hagë. Bashkëshortja e Krasniqit tha se Gjykata Speciale nuk duhet të shpallë aktgjykim dënues në emër të popullit.
“Jam shumë e emocionuar, gjykata duhet ta ketë parasysh që aktgjykimin dënues nuk duhet ta marrë ne emër të popullit, ky është emri i popullit, ne presim që ata të lirohen shumë shpejt. Është dashur edhe më herët të organizoheshin protesta dhe nuk duhet të ndalen deri në gjykimin përfundimtar”, ka thënë ajo.
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj nisi të këndonte para kamerës këngën për heroin Adem Jasharin. Më pas ajo u shpreh: “Unë jam me fat që s’e kam votuar Gjykatën Speciale. Është vendimi më i mençur që kam bërë në historinë parlamentare”.
Ndërkohë Faik Shehu, nënkryetar i OVL-UÇK dega në Has deklaroi: “Gjykata e cila është themelu mbi bazën e drejtësisë, është duke ba padrejtësi ndaj popullit që është persektu nga Serbia”.
Në protestë foli dhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe ish-deputetja, Vasfije Krasniqi. Ajo tha para kamerave: “Sot kam dalë këtu për t’i mbrojtur vlerat tona kolektive. Është pak me vonesë, por shpresoj që të jetë protestë e fortë për t’i mbështetur vlerat tona të UÇK-së”.
Me moton “Kundër padrejtësisë”, organizatorët thanë se synojnë të tërheqin vëmendjen për mbajtjen e komandantëve të luftës, në Hagë.
Pak më herët, kryetari i OVL-së, Hysni Gucati, në një lidhje live me Klan News tregoi se çfarë mesazhi do të jepet gjatë protestës.
“Mesazhi do jetë shumë i qartë. Ne do t’i drejtohemi Gjykatës Speciale, e cila është një gjykatë e padrejtë, e cila është duke punuar dhe vepruar shumë padrejtësisht ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Mesazhin më të mirë do e dërgojnë qytetarët e Kosovës. Ai do të jetë mesazhi më i mirë”, tha ai.
Ish-drejtuesit e UÇK-së, mes të cilëve edhe ish-presidenti Hashim Thaçi gjenden në paraburgim në Hagë prej vitit 2020 të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./tvklan.al
The post Protestë kundër Gjykatës Speciale në Prishtinë: Po u bëhet padrejtësi luftëtarëve të UÇK-së appeared first on iconstyle.al.