Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Zelensky kërkon sanksione më të rënda ndaj Rusisë pas sulmit vdekjeprurës në Kiev

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar sanksione ndërkombëtare më të rënda ndaj Rusisë pas një sulmit në Kiev që la të vdekur të paktën 31 persona. Zelensky tha se pesë fëmijë, më i vogli prej të cilëve ishte vetëm dy vjeç, ishin ndër viktimat dhe se 159 të tjerë ishin plagosur gjatë sulmit të enjten.

Ai shtoi se pavarësisht sa shumë Kremlini mohon efektivitetin e sanksioneve, ato funksionojnë dhe ato duhet të forcohen.

Kievi shpalli një ditë zie pas sulmit në kryeqytet, ku një bllok banimi u shemb dhe u dëmtuan një spital, një shkollë, një çerdhe dhe një universitet. Rusia kishte lëshuar më shumë se 300 dronë dhe tetë raketa lundruese gjatë sulmit të natës, ka njoftuar forca ajrore e Ukrainës. Ky sulm ishte një nga më vdekjeprurësit që ka përjetuar Kievi që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në shkurt të vitit 2022, raporton BBC.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka dënuar veprimin e Rusisë në Ukrainë dhe  ka theksuar se sanksione të reja ndaj Moskës janë të mundshme. John Kelley, përfaqësuesi i përkohshëm i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së të enjten se Rusia dhe Ukraina “duhet të negociojnë një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme”. Ai ka shtuar se është koha për të bërë një marrëveshje.

Zyrtarët ukrainas thanë të premten se Kievi kishte marrë “sinjale pozitive” nga SHBA-ja për mundësinë e sanksioneve të reja, sidomos ato që do të synonin naftën ruse dhe tregjet dytësore.

Zëvendësministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka theksuar se Trumpi ka duruar por tani është koha për t’i bërë presion maksimal Moskës.

SHBA inspekton Gazën/ I dërguari Wittkof viziton Rafah, shikon ndarjen e ndihmave

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, vizitoi këtë  të premte Rripin e Gazës, atje ku u ndal në një qendër të shërbimit të ndihmave humanitare në qytetin Rafah. Vizita e Wittkof vjen mes polemikave dhe kritikave të ashpra për menaxhimin e krizës humanitare, akuza këto që nuk I janë drejtuar vetëm Izraelit por edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Steve Witkoff u ndal në një nga pikat e Fondacionit humanitar të Gazës, një organizatë kjo e krijuar nga Shtetet e Bashkuara për të zëvendësuar rolin e Kombeve të Bashkuara në shpërndarjen e ndihmave në Enklavën Palestineze.

Organizata e Kombeve të Bashkuara zbuloi këtë të premte se që prej fundit të muajit maj , 1373 palestinezë janë vrarë pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave humanitare, shifra këto që sipas Izraelit janë një farsë dhe të pavërteta.

Shtëpia e Bardhë deklaroi të enjten se i Dërguari i Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme Steve Witkoff dhe ambasadori Amerikan në Izrael do të vizitonin Gazën me qëllim për të inspektuar shpërndarjen e ndihmave në terren.

Megjithatë disa civilë palestinezë që folën për BBC, e quajtën këtë një teatër të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara pasi sipas tyre Witkoff ka vizituar Rripin e Gazës vetëm për të publikuar disa foto dhe për të thënë se unë isha atje.

Sipas asaj që raportoi Karoline Leavitt, Sekretarja e Shtypit në Shtëpinë e Bardhë , dy zyrtarët amerikan do të flasin me civilët  në Gaza për situatën e tyre dhe më pas këto biseda do ti raportonin presidentit Amerikan, me qëllim që Shtetet e Bashkuara të vendosin një plan final për ndihmat që do të japin për Gazën. Kjo ishte vizita e dytë e Witkoff në Gaza, pas asaj të shkurtër që bëri menjëherë pas marrjes së detyrës në janar, kur u bë zyrtari i parë amerikan që vizitonte enklavën pas më shumë se një dekade./abcnews.al

 

EMRI/ Vrasja e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj në Vlorë, arrestohet autori i dyshuar

Policia ka arrestuar një prej autorëve të dyshuar, të vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxhaj në Vlorë. Policia ka arrestuar Kleanth Bylyku alias Armando Gega, pjesëtar i një grupi kriminal që vepron në fushën e krimeve të rënda dhe i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.

“Në vijim të hetimeve, bazuar mbi provat e siguruara nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 30.07.2025, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për shtetasin K. B., alias A. G., 42 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar si bashkëautor në kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e datës 27.04.2025, rreth orës 06:20, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58 vjeç”, njofton policia.

Kujtojmë se 58-vjeçari Renato Hoxhaj u ekzekutua me 4 plumba më 27 prill në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë pranë banesës së tij. Ai punonte prej pesë vitesh si roje në një objekt në ndërtim aty pranë./abcnews.al

 

“Shqipëria, perlë e Ballkanit”/ Media gjermane RTL: Nga Alpet në Rivierë, një udhëtim fantastik

Zgjidhni Shqipërinë nëse doni të shijoni të gjitha llojet e turizmit. Media gjermane RTL në serinë e destionacioneve për pushime në Europë është ndalur në Shqipëri  ku thekson se nga Alpet Shqiptare në bregdetin Jon, kjo perlë e Ballkanit po bëhet një nga vendet më joshëse për t’u arratisur në Evropë.

Vendi ofron një larmi të jashtëzakonshme në një zonë të vogël, me natyrë shumë larg turizmit masiv. Në veri, në kufirin me Kosovën dhe Malin e Zi, shtrihen të ashtuquajturat ‘Malet e Nemuna’ ose Alpet Shqiptare. Rajonet e Valbonës dhe Thethit ofrojnë shtigje ecjeje përmes peizazheve spektakolare malore që duken mezi të prekura.

.Ata që preferojnë detin në vend të maleve nuk do të zhgënjehen gjithashtu. Riviera Shqiptare përgjatë bregdetit Jon është një nga rajonet më të bukura, por më pak të zhvilluara në Mesdhe.

Rekomandohen Plazhet e Ksamilit,  Dhërmiut dhe Himarës që  kanë rërë të imët, ujëra ngjyrë bruz dhe një atmosferë të relaksuar – pa turmat e resorteve të mëdha.

Ndërsa vlerësohen edhe investimet në infrastrukturë siç është Tuneli i Llogorasë , një projekt i madh infrastrukturor që përmirëson lidhjen midis maleve dhe detit. Udhëtimi nëpër qafën malore, dikur të rrezikshme, është reduktuar nga 30 minuta në vetëm shtatë, duke nxitur turizmin rajonal.

Një ndalesë sugjerohet të bëhet edhe në Tiranë kryeqyteti që përzien ngjyrat, historinë dhe jetën e gjallë.

Sipas medias gjermane edhe pse ende nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, Shqipëria pranon euro në shumë restorante dhe dyqane. Monedha kombëtare është leku, por turistët shpesh nuk kanë nevojë të shkëmbejnë para.Me një kosto jetese më të ulët se vendet fqinje, Shqipëria është një mundësi pushimi me çmime të përballueshme.

RTL shkruan se Shqipëria ofron natyrë spektakolare, mikpritje të ngrohtë, kulturë të pasur dhe një Rivierë që mund të konkurrojë me destinacione më të njohura. Qoftë duke bërë ecje në male, duke u çlodhur pranë detit apo duke eksploruar qytete historike, ajo mbetet një destinacion i paprekur afër shtëpisë, por edhe botë të ndryshme./abcnews.al

Trump firmosi urdhrin për tarifat, bien tregjet europiane

Tregjet evropiane të aksioneve kanë pësuar rënie të konsiderueshme pas një tjetër përshkallëzimi në luftën tregtare të iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Gjatë natës, ai firmosi një urdhër ekzekutiv, duke zyrtarizuar marrëveshjen e arritur me Bashkimin Evropian.

Në hapjen e tregtisë në Frankfurt, indeksi gjerman DAX ra me 1.1%, ndërsa indeksi francez CAC humbi gati 1%. Edhe tregu spanjoll reagoi negativisht: IBEX pësoi një rënie prej 0.6%, pavarësisht marrëveshjes së fundit SHBA-BE që u arrit në fillim të javës.

Rënia preku edhe bursën e Londrës, e cila shënoi një ulje prej 0.5%, duke reflektuar shqetësimet në rritje të investitorëve se tarifat e reja të shpallura nga Trump mund të godasin ekonominë globale dhe të pengojnë zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare.

Sipas njoftimeve zyrtare, tarifat e reja për Bashkimin Evropian do të jenë 15%, ndërsa për Mbretërinë e Bashkuar 10%, dhe do të hyjnë në fuqi më 7 gusht./abcnews.al

Në 24 orë goditen 4 raste të shpërndarjes së lëndë narkotike, arrestohen pesë persona

Gjatë 24 orëve të fundit, goditen 4 raste të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.

Vihen në pranga 5 shtetas. Sekuestrohen sasi dhe doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, 3 celulare dhe 1 automjet.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Bashkëpunimi”, kanë vijuar kontrollet në të gjithë kryeqytetin dhe si rezultat kanë goditur 4 raste të shitjes së lëndëve narkotike, në doza. Për këto raste:

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan në flagrancë shtetasin F. M., 24 vjeç,  i cili dyshohet se shiste doza kokaine në Kamzë, kryesisht në bulevardin “Nënë Tereza”. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, iu gjetën doza kokaine;

Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponjat” arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. T., 27 vjeç dhe Xh. O., 27 vjeç, pasi u ndaluan në rrugën “Ali Kelmendi”, gjatë kohës që qarkullonin me një automjet të cilin shtetasi E. T. dyshohet se e përdorte për shitjen e dozave të kanabisit. Gjatë kontrollit fizik, 27-vjeçarit iu gjetën doza kanabisi, ndërsa shtetasi Xh. O. nuk ka kallëzuar për krimin;

S. K., 23 vjeç, pasi në rrugën “Rrapo Hekali”, gjatë kontrollit fizik i gjetën një sasi kanabisi, që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen në doza;

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. H., 23 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën e tij, u gjetën doza kanabisi, që dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen./abcnews.al

Të paktën 28 të vdekur nga sulmet ajrore ruse në Kiev, mes viktimave edhe fëmijë

Të paktën 28 persona, përfshirë tre fëmijë, humbën jetën dhe 159 të tjerë u plagosën nga një seri sulmesh ajrore ruse me dronë dhe raketa në Kiev. Një bllok banimi u shemb, ndërsa u dëmtuan edhe spitale, shkolla dhe një universitet. Sulmet ndodhën pavarësisht paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump për sanksione të reja ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një armëpushim deri më 8 gusht.

Presidenti Zelensky akuzoi Rusinë për “vrasje demonstrative”, ndërsa ambasadori amerikan në OKB kërkoi urgjentisht negociata për paqe. Në lindje, Rusia pretendon kontroll mbi qytetin strategjik Chasiv Yar, por Ukraina e mohon, duke raportuar luftime të vazhdueshme. Ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e rrethimit të forcave ukrainase në zonat e frontit./abcnews.al

Ndezi zjarr në një fshat të Divjakës, ku u dogjën dhjetëra rrënjë ulliri/ Pranga 41-vjeçarit

Ndezi zjarr në afërsi të rezervuarit të fshatit Kryekuq, dhe si pasojë u dogjën dhjetëra rrënjë ulliri, arrestohet 41-vjeçari.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale të autorëve të rasteve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasin D. T., 41 vjeç, banues në fshatin Kryekuq.

41-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në afërsi të rezervuarit të fshatit ku banonte, për të pastruar një sipërfaqe toke nga barishtet. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 70 rrënjë ulliri në pronësi të një shtetaseje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm./abcnews.al

RTL Radio promovon Shqipërinë si ‘xhevahirin e Ballkanit’, Rama: Një udhëtim që të mbetet në zemër

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një tjetër moment krenarie për Shqipërinë, duke publikuar në rrjetet sociale një reportazh të realizuar nga RTL Radio, një prej mediave më të njohura në Evropë, ku vendi ynë promovohet si një nga destinacionet më tërheqëse për pushimet verore.

“Shqipëria nga Alpet në Rivierë, një udhëtim që të mbetet në zemër. RTL Radio në serinë e saj për destinacionet e pushimeve në Europë ka ndaluar në Shqipëri – “xhevahiri ballkanik” që po kthehet nga një sekret, në destinacion qendror të hartës turistike europiane. Nga Alpet e Shqipërisë, deri në Dhërmi, Ksamil e Himarë, duke kaluar përmes Parkut Kombëtar të Vjosës dhe qyteteve UNESCO si Gjirokastra e Berati, kjo guidë e plotë u ofrohet pushuesve europianë për pushimet e tyre në Shqipërinë tone”, ka shkruar kryeministri Rama në Facebook, duke cituar përshkrimin e radios gjermane që e cilëson Shqipërinë si “xhevahiri ballkanik” që po kalon nga statusi i një sekreti të pazbuluar, në një pikë të rëndësishme të hartës turistike evropiane.

/abcnews.al

 

Ukraina rikthen pavarësinë e agjencive kundër korrupsionit

Turma protestuesish janë parë duke brohoritur me gëzim të enjten në Kiev, teksa e kanë shikuar një ekran të madh, në të cilin është konfirmuar që Parlamenti ukrainas e ka miratuar legjislacionin e ri për rikthim të pavarësisë së agjencive kundër-korrupsionit.

Legjislacioni është miratuar me 331 vota për dhe asnjë kundër.

Vendimi është marrë pasi një ligj që dyshohej se do të mund t’i kufizonte hetimet për korrupsion – është miratuar një javë më parë, dhe i ka nxitur protestat më të mëdha prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, mbi tre vjet më parë.

Ligji i ri e rikthen pavarësinë e Byrosë Kombëtare të Ukrainës kundër-Korrupsionit dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar për rastet e korrupsionit.

Ligji duhet të miratohet nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky për të hyrë në fuqi.

Zelensky, i cili e ka nënshkruar legjislacionin origjinal më 22 korrik, ka thënë se qëllimi i ligjit ka qenë që agjencitë të çlirohen nga ndikimi rus, që i ka bërë të cenueshme ndaj korrupsionit për kohë të gjatë.

Mirëpo limitet në pavarësinë e tyre i kanë zemëruar shumë ukrainas – sidomos të rinjtë – të cilët menjëherë kanë organizuar protesta, pavarësisht se raketat dhe dronët rusë kanë vazhduar të shënjestrojnë Kievin dhe qytetet tjera.

“Njerëzit nuk e kanë pritur që të rinjtë do të dalin kaq shumë”, ka thënë Anastasia Bezpalko, njëra prej qindra personave që kanë dalë në rrugë gjatë javës së fundit.

“Të rinjtë e kanë kuptuar se dikush ka tentuar t’i mashtrojë, dhe prandaj është nxitur kjo ndjesi e theksuar e padrejtësisë”, ka thënë 23-vjeçarja për Radion Evropa e Lirë.

Zelensky ka propozuar që ligji i ri të prezantohet më 31 korrik, duke thënë se e ka dëgjuar zërin e popullit dhe që dokumenti i ri do t’i adresojë shqetësimet për ndikim rus, por nuk do ta rrezikojë pavarësinë e këtyre agjencive.

Ndihmësi i Zelenskyt, Andriy Yermak e ka mirëpritur votimin.

“E kemi një shoqëri civile të mrekullueshme, rini të mrekullueshme, të cilën e dëgjoi presidenti Zelenesky. Ky ishte një dialog i shpejtë në mes të autoriteteve dhe shoqërisë”, ka thënë ai në rrjete sociale.

Kryeministrja e sapoemëruar, Yulia Svyrdydenko ka thënë se “kjo është përgjigje direkte dhe e përgjegjshme ndaj pritjeve të shoqërisë ukrainase dhe partnerëve tanë evropianë”.

Korrupsioni i shtrirë thellë në Ukrainë e ka penguar mbështetjen për Kievin në disa qarqe perëndimore.

Protestat janë zhvilluar teksa Ukraina i ka sytë drejt Shteteve të Bashkuara dhe aleatë tjerë perëndimorë për t’i bërë presion Rusisë që të angazhohet në bisedimet për paqe dhe t’i japë fund luftës së nisur nga Moska në shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

OSHEE, masa për sezonin turistik/ Furnizim me energji në zonat bregdetare dhe malore

Në kuadër të sezonit turistik Operatori i Shpërndarjes së Energjisë  Elektrike ka marrë të gjitha masat për të garantuar furnizim të plotë me energji si në bregdet dhe në alpe.

Grupet e punës janë në terren për të bërë të mundur riparimin e çdo defekti të mundshme.

“Kemi stacionuar grupe pune si në Velipoje, Shëngjin dhe në Malësi. Një pjesë e linjave janë rigjeneruar. Defekte nuk kemi në linja përveç atyre nga kushtet natyrore. Shkëputje sporadike mund të ketë sepse mund të ketë defekte të vogla dhe ne i stakojmë derisa i riparojmë.”

Drejtori i OSHEE për rajonin verior paralajmëron  zero tolerance për ata qe abuzojnë me energjinë elektrike.

“Investime do të ketë në veri. Dhe me këtë rast do apeloja për korrektësi në fatura. Çdo konstatim që ndeshim për vjedhje ne do ta dencojmë dhe do përballën me ligjin”.

Deri tani sipas drejtuesit të OSHEE për rajonin verior nuk ka pasur defekte te parikuperueshme.  Normaliteti është rikthyer dhe ne zonat ku zjarret dhe reshjet ditët e shkuara shkaktuan probleme./abcnews.al

Zbulim i rrallë në Australi/ Insekti-shkop 40 cm tërheq vëmendjen e shkencëtarëve

Një insekt shkop i sapozbuluar në Australi ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve, pasi megjithëse peshon më pak se një top golfi, mund të jetë insekti më i rëndë i këtij lloji në vend.

I quajtur Acrophylla alta, insekti arrin një gjatësi prej 40 centimetrash dhe u zbulua në zonat malore të Athertonit, në veri të Queensland-it. Sipas ekspertëve, përmasat e mëdha mund të lidhen ngushtësisht me kushtet e veçanta të habitatit ku jeton.

Në një artikull të publikuar në revistën shkencore Zootaxa, thuhet se ky insekt shkop ka gjasa të jetë më i rëndë se karkaleci gjigant, një specie endemike e Queensland-it.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by ABC News (@abcnews)

Zbulimi u bë pas disa netësh kërkimi nga studiuesit Angus Emmott dhe Ross Coupland. Ata panë një femër të këtij insekti në një lartësi të tillë, sa u desh të përdornin një shkop për ta zbritur. Coupland, sapo e vëzhgoi nga afër, dyshoi menjëherë se kishin të bënin me një lloj të panjohur më parë.

Insekti u mor për studim, u vendos në një kafaz dhe u ushqye për të marrë disa nga vezët e tij. “Te insektet shkop, vezët janë shumë të rëndësishme për identifikim, sepse çdo lloj ka vezë të veçanta,” shpjegon Emmott.

Ai dyshon se kjo specie ka kaluar pa u vënë re më parë për shkak të vështirësisë në qasjen ndaj habitatit të saj, që ndodhet në një zonë të ftohtë dhe të lagësht. Sipas tij, pikërisht këto kushte mund të kenë ndikuar në zhvillimin e përmasave të mëdha të insektit, duke i ndihmuar të mbijetojë në klimën e ashpër të rajonit./abcnews.al

Kamala Harris s’do kandidojë për guvernatore të Kalifornisë, lë të hapur mundësinë për një garë tjetër presidenciale

Ish-zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë për postin e guvernatores së Kalifornisë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2026, duke mbajtur të hapur opsionin për një kandidim të mundshëm për president në vitin 2028.

“Gjatë gjashtë muajve të fundit, kam reflektuar mbi këtë moment të rëndësishëm në historinë e vendit tonë dhe mbi mënyrën më të mirë për të vazhduar angazhimin tim në mbështetje të qytetarëve amerikanë dhe vlerave që unë mbroj,” thuhet në deklaratën e saj zyrtare të publikuar të mërkurën.

“Kam marrë seriozisht në konsideratë mundësinë që t’u kërkoj kalifornianëve privilegjin për të shërbyer si guvernatorja e tyre. E dua këtë shtet, njerëzit e tij dhe premtimin që përfaqëson. Ky është vendi im i lindjes dhe i zemrës. Por pas një reflektimi të thellë, kam vendosur të mos kandidoj për guvernatore në këto zgjedhje,” shtoi ajo.

Vendimi i Harris vazhdon të ushqejë spekulimet për të ardhmen e saj politike, pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar ndaj Donald Trump. Për disa muaj, ajo ka shqyrtuar opsionet mes rikandidimit për presidencë, një gare për guvernatore apo tërheqjes nga politika elektorale pas një fushate të vështirë. Ajo nuk e ka përjashtuar një tjetër kandidim për Shtëpinë e Bardhë, pas përpjekjeve të pasuksesshme në vitet 2020 dhe 2024.

Në deklaratën e saj, Harris nuk e përmendi drejtpërdrejt ish-presidentin Trump, por theksoi: “Politika jonë, qeverisja dhe institucionet tona, shpesh kanë dështuar t’i shërbejnë qytetarëve, duke na sjellë në këtë moment krizash.”

“Për momentin, drejtimi dhe shërbimi im publik nuk do të jenë përmes një funksioni të zgjedhur. Mezi pres të kthehem në terren për të dëgjuar qytetarët, për të ndihmuar në zgjedhjen e demokratëve që luftojnë me guxim, dhe së shpejti do të ndaj më shumë rreth planeve të mia,” u shpreh Harris.

Sipas saj, “në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pushteti duhet të qëndrojë në duart e popullit. Ne, populli, duhet ta përdorim këtë pushtet për të luftuar për liri, mundësi, barazi dhe dinjitet për të gjithë. Unë do të mbetem pjesë e kësaj lufte.”

Harris do të ishte një ndër kandidatët kryesorë në garën për pasardhësin e guvernatorit aktual Gavin Newsom, i cili nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë për shkak të kufizimeve ligjore. Ajo gëzon njohje të gjerë publike, përvojë në postet shtetërore dhe aftësi të fuqishme për mbledhje fondesh. Përpara se të shërbente si senatore dhe zëvendëspresidente, Harris ishte prokurore e përgjithshme e Kalifornisë dhe më herët prokurore e San Franciskos.

Megjithatë, pas shumë vitesh në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare, nuk ka qenë e qartë nëse ajo ishte e interesuar të rikthehej në politikën shtetërore në Sakramento.

Roli i brezit të ri të votuesve

Këshilltari i saj i kahershëm dhe strategu demokrat Sean Clegg deklaroi se Harris ishte tunduar për të kandiduar për guvernatore, por po shqyrton mundësi të tjera, përfshirë krijimin e një organizate jofitimprurëse për të angazhuar votuesit e rinj.

“Ajo ka qenë në poste të zgjedhura për 22 vite rresht dhe në shërbim publik që nga përfundimi i shkollës së drejtësisë,” tha Clegg. “Pasi ka kaluar gjithë jetën e saj brenda sistemit, tani ndjen më shumë motivim për të ndikuar nga jashtë tij.”

Sipas tij, “në fund, kjo ishte një vendimmarrje instinktive. E pyeti veten: ‘A dua të rikthehem në sistem si zyrtarja më e lartë e zgjedhur në Kaliforni, apo dua të ndjek një rrugë krejt tjetër?’”

Një tjetër përpjekje për Shtëpinë e Bardhë?

Përtej Kalifornisë, karriera politike e Harris është shënuar nga arritje historike, por edhe zhgënjime.

Në vitin 2020, ajo u tërhoq nga gara presidenciale demokrate para zgjedhjeve paraprake në Iowa humbja e parë e madhe në karrierën e saj. Më pas, u zgjodh kandidate për zëvendëspresidente nga Joe Biden dhe shkroi histori si gruaja e parë me ngjyrë dhe me prejardhje aziatike që shërbeu në këtë post.

Në vitin 2024, Harris mori kandidimin demokrat pasi Biden u tërhoq nga gara disa muaj para Ditës së Zgjedhjeve dhe e mbështeti atë. Megjithatë, ajo humbi përballë Trump, i cili fitoi të gjitha shtetet vendimtare.

Nëse vendos të kandidojë sërish në vitin 2028, Harris përballet me sfida të konsiderueshme. Ajo duhet të bindë Partinë Demokrate se përfaqëson të ardhmen, pavarësisht humbjes së fundit. Për më tepër, lidhja e saj e ngushtë me administratën Biden mund të shihet si barrë, në një kohë kur ish-presidenti Biden përballet me kritika në rritje dhe pikëpyetje për gjendjen e tij mendore dhe fizike.

Gara e vitit 2028 pritet të jetë shumë e konkurrueshme, me figura të tjera si Gavin Newsom të mundshëm në garë. Çdo kandidat do të duhet të bashkojë një Parti Demokrate të fragmentuar dhe me mbështetje në rënie.

Në një fjalim të mbajtur në San Francisko, një nga më të gjatat që nga largimi nga detyra në janar, Harris e quajti udhëheqjen e Trump një “braktisje të plotë” të idealeve amerikane.

Vendimi i saj për të mos hyrë në garën për guvernator e lë të hapur terrenin për emrat që tashmë kanë shpallur kandidaturat, përfshirë ish-kongresisten Katie Porter, ish-kryetarin e Bashkisë së Los Anxhelosit Antonio Villaraigosa, ish-sekretarin e Shëndetësisë në administratën Biden, Xavier Becerra, si dhe disa zyrtarë shtetërorë.

Në një deklaratë, Villaraigosa u shpreh se vendimi i Harris nuk do të thotë përfundim i karrierës së saj politike. “Ky vendim reflekton përkushtimin e saj të vazhdueshëm për të shërbyer në nivelet më të larta të qeverisjes,” tha ai./abcnews.al

❌