RUSI – Kremlini: Të gatshëm të negociojmë me Kievin pas deklaratave serioze të Trump
MOSKË, 15 korrik /ATSH-AFP/ – Kremlini tha sot se mbetet i gatshëm të negociojë me Ukrainën, por shtoi se i duhet kohë për t’iu përgjigjur deklaratave serioze të bëra nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili i dha Rusisë 50 ditë për t’i dhënë fund konfliktit dhe i premtoi Kievit armë.
Të hënën, Donald Trump i dha Rusisë një ultimatum 50-ditor për të përfunduar ofensivën e saj në Ukrainë, të nisur në vitin 2022 ose të përballet me sanksione të ashpra.
Ai gjithashtu deklaroi se pajisjet ushtarake, të paguara nga anëtarët evropianë të NATO-s, do të dërgoheshin në Ukrainë.
“Deklaratat e presidentit Trump janë shumë serioze. Ne, sigurisht, kemi nevojë për kohë për të analizuar atë që u tha në Uashington dhe nëse ose kur presidenti Putin e konsideron të nevojshme, ai do të komentojë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Duket se ky vendim i marrë në Uashington, në vendet e NATO-s dhe direkt në Bruksel do të perceptohet nga Kievi jo si një sinjal në favor të paqes, por si një sinjal për të vazhduar luftën”, kritikoi ai.
Dmitry Peskov pohoi se Rusia po pret “propozime nga pala ukrainase” në lidhje me një raund të tretë negociatash, pas dy seancave të pasuksesshme në Stamboll.
“Ne mbetemi të gatshëm”, tha ai gjatë informimit të tij të përditshëm.
Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, Donald Trump është përpjekur të shtyjë Moskën dhe Kievin të përfundojnë një marrëveshje paqeje.
Gjatë fushatës së tij zgjedhore, ai siguroi se mund ta përfundonte konfliktin shumë shpejt, pa shpjeguar kurrë se si do ta bënte këtë.
Pasi sinjalizoi vazhdimisht afrimin me Vladimir Putinin, ai ka ndryshuar tonin e tij në javët e fundit, duke shprehur zhgënjimin e tij.
Ai tha se ishte “i zhgënjyer” nga presidenti rus, i cili hodhi poshtë propozimet për armëpushim në Ukrainë.
“Mendova se do të kishim një marrëveshje dy muaj më parë, por nuk duket se po ndodh”, tha ai dje në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda 50 ditëve, Shtetet e Bashkuara do të vendosin “tarifa dytësore”, domethënë, kundër aleatëve të Moskës, kërcënoi presidenti amerikan./ a.jor.
The post RUSI – Kremlini: Të gatshëm të negociojmë me Kievin pas deklaratave serioze të Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.