TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Pas një nate intensive dhe sfiduese për shkak të përhapjes së zjarreve në jug të vendit, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në bashkëpunim me strukturat vendore dhe mbështetjen ajrore, arritën të vendosin nën kontroll flakët që rrezikonin drejtpërdrejt jetën e banorëve në Bashkitë Himarë dhe Delvinë.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se situata u menaxhua me sukses në disa zona të prekura si Kalasë, Shën Vasil, Lukovë, Sasaj dhe Piqeras.
Në Kalasë, zjarri, i nxitur nga era e fortë, kaloi kufirin administrativ të bashkisë Himarë dhe u përhap drejt një lagjeje të fshatit. Forcat operacionale reaguan menjëherë duke ndërmarrë masa evakuimi, ndërsa 75 efektivë dhe një helikopter i Forcës Ajrore ndërhynë në terren për të frenuar përparimin e flakëve. Falë këtij reagimi të koordinuar, banesat u mbrojtën dhe u shmang çdo rrezik për jetën e banorëve.
Gjithashtu, në Sasaj dhe Piqeras, ku situata u përkeqësua gjatë natës, u krye evakuimi i përkohshëm i banorëve ndërsa forcat operacionale arritën të neutralizonin vatrat dhe të ndalonin përhapjen e mëtejshme të zjarrit drejt zonave të banuara.
Në Lukovë dhe Shën Vasil, flakët kishin përfshirë zona kodrinore dhe pyjore, por ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse dhe operacionale bëri të mundur vendosjen e situatës nën kontroll pas një përpjekjeje të pandërprerë.
Aktualisht, Forcat Ajrore dhe ekipet zjarrfikëse të koordinuara nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijojnë operacionet pranë vatrave në lartësitë e Lukovës dhe Skërficës për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarreve.
Ministri Vengu shprehu mirënjohje për të gjithë efektivët e përfshirë në këto operacione, përfshirë Forcat e Armatosura, zjarrfikësit vendorë, pilotët e helikopterëve të Forcës Ajrore, ekipet ajrore të ardhura nga Italia, si dhe kryetarët e bashkive Delvinë, Himarë dhe Konispol për drejtimin e operacioneve në terren nën koordinimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Ai falënderoi gjithashtu banorët e zonave të prekura për bashkëpunimin dhe qetësinë e treguar gjatë proceseve të evakuimit. /j.p/
The post Vengu: Situata e zjarreve në jug e stabilizuar falë ndërhyrjes së shpejtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.