Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Volodymyr, mund ta godasësh Moskën?”/ Financial Times: Kërkesa e Trump për presidentin ukrainas

Donald Trump e ka inkurajuar privatisht Ukrainën të përshpejtojë sulmet e thella në territorin rus, madje duke e pyetur Volodymyr Zelenskyn nëse ai mund të godiste Moskën nëse SHBA-të do të siguronin armë me rreze të gjatë veprimi, raportoi të martën Financial Times, duke cituar njerëz të informuar mbi diskutimet.

Dy persona të njohur me bisedën midis Trump dhe Zelenskyy thanë se presidenti amerikan e kishte pyetur homologun e tij ukrainas nëse mund të godiste objektiva ushtarake thellë brenda Rusisë nëse ai do të siguronte armë të afta për ta bërë këtë. “Volodymir, a mund ta godasësh Moskën? . . . A mund ta godasësh edhe Shën Petersburgun?” pyeti Trump gjatë telefonatës, sipas personave.

Ata thanë se Zelenskyy u përgjigj: “Absolutisht. Mundemi nëse na jepni armët.”

Telefonata e 4 korrikut midis udhëheqësve të SHBA-së dhe Ukrainës sinjalizoi një ndryshim të dukshëm nga qëndrimi i mëparshëm i Trumpit ndaj luftës së Rusisë dhe premtimit të tij të fushatës për të tërhequr SHBA-në nga përfshirjet e huaja.

Ndërsa mbetet e paqartë nëse Uashingtoni do të dorëzojë armë të tilla, diskutimi nënvizon zhgënjimin gjithnjë e më të madh të Trump me refuzimin e Presidentit rus Vladimir Putin për t’u angazhuar në bisedimet e armëpushimit të propozuara nga presidenti amerikan, i cili dikur u zotua ta zgjidhte luftën brenda një dite, thuhet në raport.

Biseda me Zelenskyn më 4 korrik u nxit nga telefonata e Trump me Putinin një ditë më parë, të cilën presidenti amerikan e përshkroi si “të keqe”.

Një zyrtar perëndimor, i cili ishte informuar për telefonatën, tha se biseda pasqyronte një dëshirë në rritje midis partnerëve perëndimorë të Ukrainës për të furnizuar armë me rreze të gjatë veprimi të afta për të “sjellë luftën te moskovitët” – një ndjenjë e përsëritur privatisht nga zyrtarët amerikanë në javët e fundit, shtoi raporti./abcnews.al

Ceremonia e hapjes së “Herrenchiemsee Festspiele”/ Rama në Bavari: Europa ka qenë dhe mbetet një civilizim

Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në ceremoninë e hapjes së “Herrenchiemsee Festspiele” në Bavari të Gjermanisë, ku çdo vit një i ftuar adreson temën e Europës.

Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi jo thjesht një nder, por edhe privilegj që të merrte ftesë në këtë ceremoni.

Rama tha se Europa aktualisht gjendet e rrethuar nga oshtime e armëve, por se ka qenë dhe mbetet një civilizim.

“Ja ku jemi sot, në zemër të asaj ëndrre, në një kohë kur Europa, shtëpia jonë e përbashkët, trashëgimia jonë kolektive, gjendet edhe njëherë e rrethuar nga oshtima e armëve, frika e copëtimit dhe tundimi për ta harruar atë që na mban të lidhur bashkë. Sonte, muzika na bën ftesë të kujtojmë. Të kujtojmë se Europa nuk ka qenë kurrë veç një traktat a një monedhë, as thjesht një parlament apo një treg. Europa ka qenë dhe duhet të mbetet një civilizim. Një mënyrë për të ndjerë botën. Një mënyrë për të besuar, siç besonte Ludvigu, se bukuria ka peshë politike, se arti nuk është luks, por një mënyrë të jetuari.

Ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore. Në sfidën e tij të heshtur, ai është një mbledhje rezistence. Rezistencë ndaj cinizmit që e mpak Europën veç në burokraci. Rezistencë ndaj dëshpërimit që e sheh kulturën si dekor. Rezistencë ndaj zhurmës që mbyt zërin njerëzor. Ne, në Shqipëri, e dimë ç’tingull ka heshtja. Për dekada të tëra, jetuam pas perdes së hekurt që e ndërtuam vetë, të shkëputur nga simfonitë dhe sonatat që mbushnin sallat e koncerteve të Europës së lirë. E megjithatë, edhe atëherë, muzika e gjente rrugën e saj. Një kasetë e hyrë kontrabandë, një partiturë e ndaluar, një kujtim nga një koncert përpara se të ngriheshin muret.

Dhe e mbaj mend, si fëmijë, herën e parë që pashë “Ludwig”, kryeveprën tronditëse të Luchino Viscontit. Jo në kinema. As me ngjyra. Por bardhë e zi, përmes një kutie të vogël me ekran, kapur nga një antenë e paligjshme, e bërë me tel rrobash, që sfidonte ndalimin nga regjimi të televizioneve të huaja. Ai film, ajo kredhje poetike thellë në shpirtin e një mbreti që dashuronte tepër dhe bukur, la gjurmë tek unë, jo vetëm si shikues, por si qytetar i ardhshëm i një Europe që ende nuk e kisha parë dhe që, të them të drejtën, as e imagjinoja që do e shihja në të gjallët e mi.

Po sot? Sot, muzikantët shqiptarë studiojnë në Mynih dhe Berlin. Sot, muzikantët gjermanë interpretojnë në Tiranë. Tani fëmijët tanë rriten pa ëndrrën për t’u arratisur, por për të bashkëpunuar. Kjo nuk është rastësi. Kjo është Europa që bën atë për të cilën është krijuar: të bashkojë përmes krijimit, të lartësojë përmes shkëmbimit. E si të mos e kujtoj këtu në Bavari një gjest të guximshëm nga kjo tokë, të cilin historia gati e ka harruar, po ne jo. Në vitin 1984, kur Shqipëria ishte ende e mbyllur për botën, Franz Josef Strauss, figura madhore e Bavarisë, erdhi në Shqipëri. Nuk erdhi me kërcënime, por me oferta. Jo për të lajkatuar regjimin e egër, por për të hapur një dritare për popullin shqiptar. Ai i zgjati dorën një vendi, që nuk dinte si ta pranonte. Regjimi tha, “jo”. Historia, për fat të mirë, tha, “prit”.

Sot, ajo dorë ndihet ende. Bavaria qëndroi e hapur kur Shqipëria ishte e mbyllur. Tani Shqipëria është e hapur dhe mirënjohëse. Ai moment ka vlerë, sepse dëshmon se urat nuk ndërtohen vetëm kur kalimi është i lehtë. Ndonjëherë, ndërtohen në heshtje, në pritje që të shfaqet ana tjetër. Më lejoni të flas sinqerisht: Europa që unë ëndërroj nuk është ajo ku flasim të gjithë të njëjtën gjuhë apo besojmë të njëjtat gjëra. Është një Europë ku një mbret bavarez që shkon me ngulm pas bukurisë mund t’i flasë përtej shekujve një kryeministri shqiptar të kohëve moderne dhe të bien dakord. Është një Europë ku një përpjekje e harruar nga një burrështetas bavarez mund të bëhet rrënja e një miqësie të sotme.”, theksoi Rama./abcnews.al

Baste sportive në lokal/ Tiranë, arrestohet administratori, i sekuestrohen celularë dhe shuma parash

Organizonte lojëra fati, nëpërmjet celularit, në ambientet e lokalit që administronte, kapet në flagrancë dhe arrestohet 57-vjeçari.

Procedohet penalisht një 30-vjeçar që luante lojëra fati në lokal, i cili tentoi të largohej në momentin e ndërhyrjes nga Policia.

Sekuestrohen një armë e ftohtë që e posedonte 57-vjeçari, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga lojërat e fatit dhe 2 celularë me aplikacione për baste sportive.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të kontrolleve të pandërprera, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, kanë konstatuar në Rrugën e Elbasanit, një lokal, në të cilin ushtrohej aktiviteti i lojërave të fatit online, nëpërmjet celularit.

Për këtë rast u arrestua shtetasi S. I., 57 vjeç, administratori i lokalit, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. H., 30 vjeç, klient i lokalit.

Dhërmi/ Ishte duke luajtur volejboll, humb jetën 20-vjeçari nga Kosova, dyshimet e para

Specialistët e Stacionit të Policisë Dhërmi referuan materiale për vlerësim, pasi më datë 14.07.2025, pranë një plazhi në Dhërmi, në fushën e volejbollit, dyshohet se ka humbur jetën për shkaqe natyrale shtetasi A. H., 20 vjeç, banues në Kosovë, i cili ndodhej me pushime së bashku me shoqërinë e tij. Autopsia mjekoligjore do të kryhet pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, Tiranë, për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.

I dënuar nga gjykata italiane për prostitucion/ Tiranë, 53-vjeçarit i sekuestrohen pasuri me vlerë 287 mijë euro

Policia në Tiranë ka sekuestruar  4 pasuri me vlerë rreth 287 000 euro, të dyshuara produkt i veprimtarive kriminale jashtë vendit.

Pronari Artan Leka 53 vjeç, është dënuar në Itali me 9 vjet burgim dhe 60 000 euro gjobë, për pjesëmarrje në grup kriminal për shfrytëzim prostitucioni.

Pasuritë dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale të 53-vjeçarit në Itali, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal./abcnews.al

Kuvendi i Kosovës nuk gjen rrugëdalje, 47 dështime radhazi

Për të 47-ën herë me radhë, përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundoi pa sukses më 15 korrik.

Edhe kësaj radhe, mbledhja e deputetëve të zgjedhur nuk solli ndonjë ndryshim në ngërçin politik që po zgjat tash e tre muaj.

Partitë deri më tash në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ata e konsiderojnë këtë procedurë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, insiston se votimi i fshehtë është në përputhje me ligjin dhe kërkon që procesi të mos bllokohet më tej.

Emërimi i kandidates së saj, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit u hodh disa herë në votim të hapur, por nuk mori mbështetjen e nevojshme, pasi opozita e votoi kundër.

Aksidentoi për vdekje 62-vjeçarin/ Elbasan, arrestohet drejtuesi i automjetit

Policia e Elbasanit ka arrestuar një 28-vjeçar, i cili aksidentoi për vdekje një 62-vjeçar, i cili lëvizte me biçikletë.

I riu drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

Ai akuzohet për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Aksidenti i rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës në aksin rrugor “Elbasan-Bradashesh”./abcnews.al

Shemben kioskat në Durrës/ Vijon lirimi i hapësirave publike, aksioni përqëndrohet në port

Në Durrës vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike.

Aksioni i IKMT është përqëndruar në zonë e portit, për shembjen e kioskave.

“Ndodhem në hyrje të qytetit të Durrësit. Janë vendosur disa kioska, kur kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për lirim të hapësirave publike. Në orët e vona të mbrëmjes, pronarët e truallit, kanë vendosur kioska në mënyrë demostrative. Struktura shërbente për biletat e trageteve. Pronari është shoqëruar në komisariat dhe po procedohet penalisht.”, raportoi ndër të tjera, gazetari Leonidha Musa./abcnews.al

Zjarret në vend/ Raportohen 19 vatra në 24 orët e fundit, katër ende aktive

Në 24 orët e fundit janë raportuar 19 vatra zjarri, sipas një përditësimi nga Ministria e Mbrojtjes.

Katër nga këto vatra janë ende aktive, teksa një është nën monitorim.

Situata e zjarreve në rang vendi

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra zjarri, nga të cilat 4 vatra janë ende aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Mat, Rrogozhinë, Vorë, Tiranë, Vlorë, Kuçovë, Krujë, Librazhd, Prrenjas, Malësi e Madhe dhe Korçë.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

Qarku Dibër. Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Me gjithë punën e bërë nga forcat operacionale në terren, nuk është arritur të vihet nën kontroll zjarri, pasi ka patur shtrirje të madhe të vatrës. Territori i thepisur dhe era kanë ndihmuar zhvillimin e zjarrit. Si pasojë është djegur një sipërfaqe rreth 150 ha. Sot forcave u janë bashkuar edhe 100 forca nga FA.

Është riaktivizuar vatra e zjarrit në vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, i zhvilluar në drejtim të “Majës së Vlashes”. Zjarri është zhvilluar në dy vatra ndihmuar nga temperaturat e larta dhe era.

Vijon operacioni për izolimin e vatrës në fshatin Arras, njësia administrative Arras, bashkia Dibër. Forcat po punojnë për të shmangur rrezikun për banesat, pasi era ndihmon përhapjen e flakëve drejt fshatit Shumbat të njësisë administrative Sllovë.

Qarku Fier. Në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, pati një riaktivizim të vatrës së zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra.  Gjatë natës, vatra e zjarrit ka përparuar në thellësi të masivit pyjor, duke marrë një shtrirje edhe më të gjerë. Sot ka filluar operacioni me 13 forca nga MZSH Mallakastër, 15 forca bashkiake dhe 30 forca nga FA.

Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur më shumë se 292 hektarë sipërfaqe, mbi 1000 rrënjë kumbulla, qershi e ullinj.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 36 automjete zjarrfikëse dhe 394 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 130 efektivë dhe 1 Helikopter.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje tё dobëta në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje të lokalizuara.

Sa i përket zjarreve në pyje sot pritet nivel rreziku “I LARTË”  në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat  dhe Gjirokastër, nivel rrezik “I MODERUAR” në të gjitha qarqet e tjera.

I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë.

Ftojmë qytetarët të shmangin ndezjen e zjarreve në mjedise të hapura, të raportojnë menjëherë pranë shërbimeve zjarrfikëse çdo vatër që konstatojnë. Edhe pakujdesia më e vogël mund të ketë pasoja të rënda për mjedisin, pronën dhe jetën e njerëzve.

Përfshihet nga flakët banesa në Fier, shkak dyshohet një shkëndijë elektrike

Një banesë dykatëshe është përfshirë nga flakët paraditen e sotme në Çeligrad të Fierit, duke alarmuar jo vetëm familjarët por edhe gjitonët.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e tyre. Fatmirësisht nuk ka patur të lënduar , por vetëm dëme materiale.

Paraprakisht dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e një shkëndije elektrike ndërkohë që policia dhe grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit./abcnews.al

Merz mirëpret vendimin e Trumpit për t’i dërguar armë Ukrainës

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i mirëpriti planet e presidentit amerikan, Donald Trump, për të furnizuar Ukrainën me armë “në shkallë të gjerë”.

“Presidenti Trump dhe unë e kemi diskutuar këtë disa herë gjatë ditëve të fundit. E kam siguruar: Gjermania do të luajë një rol aktiv”, shkroi Merz në platformën X.

Trump tha se do të dërgojë sisteme mbrojtëse ajrore – Patriot, për ta ndihmuar Kievin që të mbrohet nga Rusia, por se kostot do të mbulohen nga Bashkimi Evropian.

Më herët, Merz ka shprehur gatishmërinë e Gjermanisë për të blerë sisteme Patriot nga SHBA-ja për Ukrainën.

Raportohet se bëhet fjalë për dy sisteme, ndërsa një tjetër do të financohet nga Norvegjia.

Ukraina ka bërë të ditur se ka nevojë për gjithsej dhjetë sisteme të tilla.

“Po e bëjmë këtë për interesin tonë”, tha Merz.

 

Tjetërsoi tokë në Livadh/ SPAK jep pretencën për Jorgo Goron, 2 vite burg për ish kryebashkiakun

SPAK ka dhënë pretencën për dosjen e dytë në ngarkim të ish kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 2 vite burg për Goron, por me gjykim të shkurtuar shkon në 1 vit e 4 muaj. Ndërkaq, për Vasillaq Strakoshën kërkohet 1 vit e 6 muaj burg, dhe me gjykim të shkurtuar shkon 1 vit burg.

Goro akuzohet për tjetërsimin e një sipërfaqe toke në Livadh./abcnews.al

E mitura tentoi vetëvrasjen/ Vlorë, në pranga i ati, procedohet gjyshi i saj

Policia e Vlorës ka arrestuar Saimir Hysaj, babanë e 17-vjeçares, e cila tentoi vetëvrasjen, ngjarje e ndodhur të hënën në lagjen “Kushtrimi”.

Në gjendje të lirë, është proceduar gjyshi i saj.

Babai i së miturës akuzohet për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Ndërsa gjyshi i të miturës, akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi dyshohet se posedonte në mënyrë të paligjshme armën e zjarrit me të cilën ka tentuar të vetëvritet mbesa e tij.

Shtetasja e mitur ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve./abcnews.al

Tentoi të vriste një person/ Arrestohet 39-vjeçari shqiptar në Greqi, pritet ekstradimi

Si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit me homologët në Greqi, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, për sigurimin dhe shkëmbimin e informacionit mbi vendndodhjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, u mundësua lokalizimi në Greqi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit:

Deni Mecolli alias Denis Mecolli, 39 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, me vendimin e datës 09.02.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.

Shtetasi D. M. akuzohet se më datë 04.02.2025, në qytetin e Korçës, ka tentuar të vrasë shtetasin E. Sh., 40 vjeç, duke e goditur me mjet prerës (thikë).

Interpol Tirana dhe Interpol Athina do të kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.

Trump: Jam i zhgënjyer, por nuk kam mbaruar punë me Putinin

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se është i zhgënjyer, por nuk ka mbaruar punë me Vladimir Putinin, në një telefonatë ekskluzive me BBC-në.

Donald Trump  u pyet nëse i beson udhëheqësit rus dhe u përgjigj: “Nuk i besoj pothuajse askujt”.

Trump foli disa orë pasi njoftoi planet për të dërguar armë në Ukrainë dhe paralajmëroi për tarifa të ashpra ndaj Rusisë nëse nuk do të kishte marrëveshje armëpushimi brenda 50 ditësh.

Në një intervistë të gjerë nga Zyra Ovale, presidenti amerikan gjithashtu mbështeti NATO-n, pasi e kishte përshkruar dikur si të vjetëruar, dhe pohoi mbështetjen e tij për parimin e mbrojtjes së përbashkët të organizatës.

Pasi u takua me shefin e NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë, presidenti kaloi një pjesë të konsiderueshme të intervistës duke folur gjerësisht për zhgënjimin e tij me udhëheqësin rus.

Trump tha se kishte menduar se një marrëveshje ishte në plan me Rusinë katër herë të ndryshme.

Dhe kur u pyet nga BBC nëse kishte mbaruar me Putinin, presidenti u përgjigj: “Jam i zhgënjyer me të, por nuk kam mbaruar me të. Por jam i zhgënjyer me të”.

Ndërsa i pyetur se si Trump do ta bënte Putinin të “ndalonte gjakderdhjen”, presidenti amerikan tha: “Po punojmë për këtë”./abcnews.al

Zelensky emëron ish-kryeministrin si ministër të Mbrojtjes

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky propozoi sot që kryeministri Denys Shmyhal të emërohet ministër i Mbrojtjes, si pjesë e një riorganizimi të kabinetit që ende ka nevojë për miratim parlamentar.

“Përvoja e gjerë e Denys Shmyhal padyshim do të jetë e dobishme për të si ministër i Mbrojtjes i Ukrainës”, tha Zelensky në një fjalim sonte, duke shtuar se planifikonte të emëronte Ministren e Ekonomisë, Yulia Sviridenko si kryeministre.

Denis Shmyhal, i cili u emërua kryeministër në vitin 2020, drejtoi qeverinë gjatë pandemisë së koronavirusit, përpara se të fillonte pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022. Ministri aktual i Mbrojtjes, Rustem Umerov do të bëhet ambasador në Shtetet e Bashkuara, tha presidenti ukrainas javën e kaluar.

Riorganizimi më i gjerë që nga fillimi i pushtimit rus vjen pas muajsh pengesash për forcat ukrainase në vijat e frontit, dhe një përshkallëzimi të sulmeve ajrore ruse në qytete në të gjithë vendin.

Emërimi i Denys Shmyhal do të duhet të miratohet nga parlamenti, i cili mbështeti me shumicë dërrmuese Zelensky pas pushtimit rus dhe pritet ta bëjë këtë përsëri.

Horoskopi 15 Korrik 2025, zbuloni parashikimet e yjeve

Dashi

Marrëdhënia me atë që keni në krah do jetë shumë e paqëndrueshme gjatë kësaj dite. Nuk do jeni shumë në humor dhe herë pas here do debatoni ashpër me të. Beqarët do jenë të parezistueshëm dhe do marrin propozime pa fund. Në planin financiar nuk do keni dëshirë të ulni shpenzimet dhe kjo mund ta përkeqësojë gjendjen në të cilën ndodheni.

Demi

Kjo ditë do jetë mjaft e përshtatshme për të bërë disa rregullime në jetën tuaj në çift ose për të marrë vendime për të ardhmen. Të dy do jeni realistë dhe të qartë për atë që doni të bëni. Beqarët jo vetëm që do kenë takime, por mund të fillojnë edhe histori dashurie pasionante. Në planin financiar merrini gjërat shtruar edhe sikur t’ju dalin vështirësi.

Binjakët

Kjo ditë do jetë mjaft romaneske për të dashuruarit. Gjithçka do ndodhë si me magji dhe herë pas here do ju duket vetja sikur jeni vërtet në një ëndërr të bukur. Beqarët nuk do jenë në humorin e duhur për të dalë e për të njohur persona të rinj. Për një buxhet të qëndrueshëm shpenzoni aq sa ua mban xhepi, jo më tepër. Vetëm disa mund të përfitojnë ndonjë shpërblim nga puna.

Gaforrja

Dita do fillojë mjaft mirë sot, por me kalimin e orëve situata do ju dalë jashtë kontrollit. Mos lejoni që problemet në punë apo në familje të ndikojnë në lidhjen tuaj. Beqarët duhet të reflektojnë shumë herë para se të pranojnë ndonjë takim me persona që sapo i kanë njohur. Të ardhurat do jenë në të njëjtën gjendje si disa ditë më parë. Nuk keni pse të shqetësoheni.

Luani

Do jetë dita më e favorshme sot për të zgjidhur të gjitha debatet dhe problemet në çift. Do toleroni më shumë se kurdoherë tjetër. Beqarët do jenë në kërkim të princit të kaltër, por nuk do arrijnë dot ta gjejnë as gjatë kësaj dite. Buxhetit do i bëni një riorganizim të përgjithshëm sepse kohët e fundit e kishit lënë goxha pas dore. Dëgjojini edhe këshillat e disa të afërmve.

Virgjëresha

Ata që janë në një lidhje do jenë më të ndjeshëm dhe më romantikë gjatë kësaj dite. Priten çaste të mrekullueshme pranë atij që dashuroni. Beqarët do kenë një ditë të zakonshme pa ndonjë takim mbresëlënës. Mos kërkoni asgjë me ngut ose me inat. Financat do kërkojnë më tepër vëmendje. Po i kaluat limitet e shpenzimeve do keni vështirësi të mëdha.

Peshorja

Do jeni shumë xhelozë ndaj partnerit tuaj gjatë kësaj dite dhe kjo do sjellë probleme serioze në lidhjen që keni ndërtuar. Mos e teproni nëse nuk doni ta humbni atë që keni në krah. Beqarët më mirë të qëndrojnë vetëm sepse përndryshe do përballen me zhgënjime. Edhe pse do e keni të vështirë të kurseni, duhet medoemos ta bëni këtë që të mos keni vështirësi financiare.

Akrepi

Ditë shumë e mirë kjo e sotmja për ata që janë në një lidhje. Do ndiheni të sigurt dhe të lumtur pranë atij që keni në krah dhe do dëshironi që t’i bëni gjërat më serioze. Beqarët nuk do jenë në humorin e duhur për të kërkuar dikë. Financat do jenë goxha të paqëndrueshme. Shmangni çdo lloj shpenzimi të tepruar dhe çdo lloj huaje. Nuk është ende momenti për ta lënë veten të lirë.

Shigjetari

Ditë shumë e zakonshme dhe pa asgjë të veçantë kjo e sotmja. Merrini gjërat si t’ju vijnë pa e vrarë shumë mendjen se ç’do ndodhë më tej. Beqarët duhet të gjejnë mënyrën e duhur për të joshur personin që pëlqejnë dhe do ia arrijnë qëllimit. Të ardhurat nuk do jenë të mira për të gjithë. Ata që kanë pasur probleme do e kenë sërish të vështirë të kryejnë ndonjë shpenzim më tepër.

Bricjapi

Jeta sentimentale e çifteve do jetë e mrekullueshme sot. Do flisni më hapur për gjithçka dhe nuk do mbani mëri për të kaluarën. Beqarët do jenë të lirë të bëjnë çfarë të duan sepse mundësitë për takime dhe për aventura do jenë të shumta. Financat do jenë më delikate se disa ditë më parë, prandaj duhen marrë sa më shpejt masa strikte.

Ujori

Do jeni shumë të qartë për ato që doni të bëni në jetën tuaj në çift sot dhe marrëdhënia me partnerin do ketë ndryshime. Nëse jeni lodhur nga rutina e kohëve të fundit mund të merrni vendime drastike. Beqarët nuk do jenë në humorin e duhur për të dalë e për t’u njohur me persona të rinj. Në planin financiar do jenë disa të afërm që do ju ndihmojnë ta stabilizoni situatën.

Peshqit

Do jeni gjithë kohës me nerva sot dhe shpesh do ia nxirrni gjithçka atij që keni në krah. Kujdes mos e teproni sepse edhe durimi e ka një kufi. Beqarët do jenë pa fat, kështu që edhe sikur të kërkojnë gjithë kohës nuk do e gjejnë princin e kaltër. Në planin financiar do jeni me fat. Do shpenzoni për gjithçka që doni dhe do hiqni edhe disa para mënjanë.

❌