Kryeministri hungarez, Viktor Orban shprehu shqetësimin se Europa rrezikon të lihet mënjanë, nëse mbahet një takim mes Donald Trump dhe Vladimir Putin për luftën në Ukrainë.
Duke folur për transmetuesin shtetëror të Hungarisë, Orban theksoi se sa më shpejt të jetë e mundur, para ose pas takimit SHBA-Rusi, duhet të ketë një samit ruso-europian për luftën.
“Së shpejti mund të ketë një samit ruso-amerikan. Dhe nëse samiti ruso-amerikan ndodh, kjo është mirë, sepse më në fund mund të ketë paqe. Por nëse evropianët do të qëndrojnë jashtë kësaj, ne do të lihemi mënjanë në menaxhimin e çështjeve të sigurisë së kontinentit tonë. Unë vazhdoj të nxis që, sa më shpejt të jetë e mundur, të mbahet një samit ruso-evropian, para samitit ruso-amerikan, ose nëse jo, atëherë pas samitit ruso-amerikan”
Orban, një kritik i ashpër i Bashkimit Evropian, sugjeroi që një takim i tillë nuk duhet të drejtohet nga udhëheqësit e institucioneve evropiane.
Presidenti hungarez tha se Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kancelari gjerman Friedrich Merz duhet të negociojnë në emër të Evropës.
Deklaratat e Orban vijnë teksa mediat italiane raportuan se Donald Trump i kërkoi kryeministres italiane Georgia Meloni, organizimin e takimit të tij me Putin në Itali. Meloni u shpreh e gatshme të ndihmonte, por ideja nuk u prit mirë nga Moska, që e cilëson Italinë një vend krah Ukrainës.
Ndërkohë e premtja është afati i fundit që Donald Trump ka vendosur ndaj Vladimir Putin për të përparuar ne negociatat e paqes me Ukrainën, ndryshe ai do të vendosë sanksione shtesë.
Teksa ende nuk ka asnjë lajm nga Shtëpia e Bardhë për hapin e radhës, ushtarët ukrainas kanë thënë se Rusia po vazhdon sulmet në vijën e frontit në lindje. Madje sipas komandantëve ukrainas rusët i çuan njësitë e tyre të artilerisë më afër vijës së frontit.
Po ashtu gjatë natës pati sulme ajrore në qytetet Kharkiv dhe Sumy, ku te paktën tre persona mbetën të plagosur dhe pati dëme në infrastrukturë./abcnews.al